Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Formula e presidentit Rugova: Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-në, do ta qetësonte këtë pjesë ( Ballkanin)të Evropës e të botës!
Sot, në 2 dhjetor do të festonim 80 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, i lindur në Cerrcë të komunës së Istogut. Në 1945 komunistët jugosllavë i pushkatojnë babanë dhe gjyshin, për shkak se ishin shquar si luftëtarë nacionalistë kundër çetnikëve serbë.
Diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971.
Ishte vetën 24 vjeç kur Ibrahim Rugova do të shkruante esenë e tij të parë për themeluesin e shtetit shqiptar, Atin e Kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën.
Më 1984 mbrojti doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Në 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist të Miloshevicit. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e themeluar dhe drejtuar prej tij,LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në banesën e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi së bashku me familjen e tij në arrest shtëpie, por në asnjë çast nuk e gjunjëzoi dot presidentin-simbol.Pas më shumë se një muaj, falë presionit ndërkombëtar Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999. Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë kur mendimit dhe aksionit politik të presidentit Rugova iu shtua si uragan lufta e armatosur e UÇK-së e drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm Adem Jashari, drejtuesi politik Hashim Thaçi dhe luftëtarët e lirisë që me ndihmën thelbësore dhe përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, i sollën lirinë Kosovës. Për këtë Liri, ne shqiptarët u jemi përjetësisht si komb mirënjohës dhe borxhlinj Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbështetura nga ndërkombëtarët në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është nderuar si në gjallje, ashtu edhe pas vdekjes me çmime të shumta nga vende, universitete, akademi ,institucione e personalitetet më të larta politikenë mbarë botën.
I quajtur “babai i pavarësisë së Kosovës”,
“Gandi shqiptar”,rilindasi i fundit,Rugova ndërroi jetë në janar 2006 kur ishte në mandatin e tij të dytë si president. Në këtë kohë, ai po finalizonte mendimin dhe veprimin e përhershëm të tij politik në negociatat e drejtuara nga OKB-ja me Serbinë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, që çoi në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008, me mbështetjen e plotë të ShBA-së.
Dr. Rugova ishte politikan vizionar. Trinomi i tij: Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën mbështetej në tre parime dhe synime:

  1. Do të bëjmë pajtimin e brendshëm (duke njohur mëritë dhe ndasitë shqiptare),
  2. Në Ballkan popujt janë të njëjtë (në numër), (me këtë theksonte barazpeshën në rajon- serbët në numër të përafërt me shqiptarët),
  3. Kosova e integruar në BE e NATO, me miqësi të përhershme me SHBA, (duke theksuar këtë vizion si domosdoshmëri dhe program politik të Kosovës).
    Prof.Dr.Ibrahim Berisha, politologu, sociologu, kulturologu i shquar, bashkëpuntor prej vitesh I Presidentit Rugova qysh nga themelimi I LDK-së në 1989 e në çdo pozicion e aksion politik deri në ditët e fundit të Presidentit Rugova, në Konferencën Shkencore Jubilare “ Dr.Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë”, mbajtur në Tiranë më 30 nëntor 2024,organizuar dhe drejtuar suksesshëm nga Prof.Dr.Enver Bytyci u shpreh :“Diskursi politik i Ibrahim Rugovës shquhej për tonin e tij, vizionin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjen për të ndërtuar një konsensus kombëtar.Ai përdorte një gjuhë diplomatike dhe bashkuese, duke apeluar për unitet kombëtar dhe duke shmangur retorikën polarizuese. Rugova theksonte rëndësinë e dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke i vendosur interesat kombëtare mbi ato partiake. Diskursi i tij politik ishte i rrënjosur në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, duke e portretizuar shiptarët si një komb dhe Kosovën si një shtet të denjë për Pavarësi”.
    Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij ne Konferencën Shkencore Jubilare “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë” u shpreh se : “nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.Dr.Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij dhe se ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan.Rugova misionar ishte Rugova I pathyeshëm”.
    Prof.Dr.Sali Berisha theksoi ne fjalen e tij se:”Ibrahim Rugova ishte ndërtuesi i pavarësisë së Kosovës, ishte ideatori i saj. ai ishte faktori kryesor i garancive për një Kosovë demokratike”.
    Dr. Ibrahim Rugova ishte një njeri që i bashkoi shqiptarët e Kosovës rreth idesë së Lirisë dhe Pavarësisë dhe krijoi ura të forta miqësie me shtetet europiane dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Siç e cilëson ish- presidenti i Kosovës Prof.Dr. Fatmir Sejdiu: “Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, dr. Ibrahim Rugova ka lënë pas një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.”
    Për dr. Ibrahim Rugovën janë shprehur me respekt të veçantë të gjithë presidentët e mëvonshën të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar si: “Burrështetasin e parë shqiptar dhe presidentin Historik të Kosovës!”
    Presidenti Ibrahim Rugova ishte profet i kombit shqiptar, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, kolosi dhe atdhetari më i devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
    Siç e thekson studiuesi i njohur, akademik Sabri Hamiti në “Memento për Rugovën”, “Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti Flamurin. Edhe më thellë me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. E së fundmi, me Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar) që bashkonte predikimin e mirësisë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.”
    Rugova e donte Kosovën. E kishte në shpirt, në zemër, në ëndrrat, në lutjet e tij.
    Dhe se fundi po ricitoj një vlerësim të thënë në promovimin e veprës së plotë të Presidentit Rugova, në cilësinë e Ministrit të Kulturës në qeverinë Betishanë vitin 2005: “Pas Skënderbeut në çetën e profetëve të kombit,Dr.Ibrahim Rugova dhe Ismail Qemal Vlora zënë të parin vend”, si arkitekt të dy shteteve të pavarura shqiptare në Ballkan ,të lidhura shpirtërisht dhe kombëtarisht nën
    idealin më të lartë të kombit shqiptar!
    Në mbyllje të këtij shkrimi modest po përcjell lutjen e tij për Kosovën, në 12 qershor 1999:
    “Të lutemi o Zot
    Për lirinë që na fale
    TĂ« lutemi, o Zot
    Për kthimin tonë
    Në Kosovën tonë
    Në tokën tonë
    TĂ« falemi ty
    Për këtë mrekulli
    O Zot!”

Botuar në Gazeta Sot më 02.12.2024

Ja si po abuzon dhe po tallet sekti Rama me Vlorën

Ja si po abuzon dhe po tallet sekti Rama me Vlorën

Më 7 tetor 2024, Partia Demokratike e Degës Vlorë bëri kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit Vlorë, për përgjegjësitë e rënda te bashkë-shkaktimit të përmbytjeve shkatërruese në qytetin bregdetar, me rastin e shirave të 4 tetorit 2024. Këto përgjegjësi nga bashkia, OSHEE dhe drejtuesit e hidrovorit të qytetit janë konkrete, lehtësisht të verifikueshme në terren dhe krejtësisht të dukshme.

Vlora pati përmbytje masive për dy ditë, për shkak kryesor që nuk funksioi asnjë kanal kullues, ndërsa kanali i ujërave të larta që çonte ujin në hidrovorin e Vlorës, u bllokua nga mos pastrimi!

Përmbytjet penguan dhe paralizuan aktivitetin njerëzor dhe ekonomik të mijëra qytetarëve dhe qindra bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, të nivelit të miliona eurove, në familjet dhe bizneset vlonjate.

I.Vlora, në krizë të pashembullt ekonomike dhe sociale

Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore dhe sociale, sa e ka zhytur sot sekti në qeverisje, edhe pse drejtuesi i tij mburret se ka bërë shumë për Vlorën e deliron për futjen e tij në historinë e qytetit dhe krahinës!

Mes rretheve të tjera, të dhëna kokëforta e rendisin Vlorën në vendet e para të papunësisë, largimit të familjeve nga emigracioni galopant, si dhe rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse të familjeve vlonjate.

Bashkia e Vlorës është pothuajse inekzistente, pa projekte konkrete, me administratë të tejfryrë me militantë partiakë dhe me nivele shumë të ulta të realizimit të të ardhurave dhe investimeve.

Raportet e bankave të nivelit të dytë që operojnë në Vlorë flasin për rritjen e kredive të këqija dhe pamundësinë e dhjetra firmave dhe bizneseve në prag falimentimi, për shkak se nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë.

Porti i Vlorës, mushkëria kryesore e biznesit të qytetit, pritet të zhvendoset në zonën e Triportit, ndërkohë që në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, me 22 objekte banimi dhe hotelerie për oligarkët e Ramës.

Universitetit publik të Vlorës i mungojnë çdo vit me dhjetra studente, ndërkohë që janë mbyllur disa degë dhe priten të mbyllen të tjera

Institucionet me varësi nga ministritë janë pothujase inekzistente në Vlorë, ku në shumicën e tyre drejtuesit janë militantë partie. Pjesa më madhe e tyre janë të përfolur për abuzime me fondet publike.

Shkollat e mesme dhe nëndëvjeçare të Vlorës janë në masën 90 përqind pa ngrohje, me problematika të shumta në cilësinë e mësimdhënies dhe të disiplinës, ndërkohë që drejtuesit e shkollave janë emëruar jashtë çdo kriteri profesional. Janë thjesht dhe vetëm militantë partiakë, pa formimin dhe përvojën e duhur. Nga shumë shkolla nëntëvjeçare e të mesme raportohen përditë mungesa të nxënësve, të cilët largohen nga shkolla, si pasojë e largimit të familjeve të tyre jashtë shtetit

II.Vlora, e mashtruar nga premtimet dhe e braktisur në problematikat e saj

Pak vite më parë, gjatë vizitës në portin e Vlorës, në skelën e famshme, Rama prezantoi dy projektet: “Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve” dhe “Rehabilitimi i Portit Detar Vlorë”. U zotua atë ditë edhe për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë. Ku shkuan të gjitha këto projekte, zotime e deklarata?!

Rama dhe sekti i tij vetëm se janë tallur me Vlorën dhe vlonjatët. Vlora nuk është vetëm shëtitorja bregdetare dhe bulevardi Vlorë-Skelë, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë kthyer në ngushtica dhe makth për qytetarët që duhet t’i përshkruajnë përditë.

Nga një vëzhgim i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, shikon se e gjithë infrastruktura në të gjitha lagjet e qytetit është e shkatërruar. Në këto lagje, rruget nuk janë më rrugë, por gropa e baltë, ndërkohë që sheshet janë kthyer në moçale!

Premtimi gjoja solemn se Vlora do të furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm rezultoi një mashtrim i madh elektoral. Angazhimi se gjoja ujërat e zeza të qytetit dhe rrethinave nuk do të derdhen më në det rezultoi po ashtu një mashtrim i madh.

Pas problematikave të shfaqura me biznesin përgjatë Lungomares, ato po shfaqen dhe në bizneset në të dyja anët e Bulevardit Vlorë-Skelë , ku zhvillojnë aktivitet më shumë se 200 sipërmarrje, që nga kancelaritë e deri tek bankat, duke punësuar me mijëra familje.

Mungesa e parkimeve krijon probleme tek këto biznese. Për këtë arsye, shumë prej tyre kanë filluar të kërkojnë ambiente të reja, ose po mbyllin aktivitetet.

III.Qyteti bregdetar në degradim e shkatërrim, jo rinovim!

Shumë rrugë, sheshe e blloqe banimi në qytet janë të amortizuara në një masë të konsiderueshme, duke filluar që nga lagjet në qendër si “Lef Sallata” e “28 nëntori”, e deri në periferi, si në lagjet “11 janari”, “Kushtrimi” e Zona Industriale.

Lagjia “Partizani”, zona e e njohur me emrin “Llonxhë”, vetëm 200 metra larg godinës së Bashkisë së qytetit, jeton prej vitesh të tëra në mjerim të plotë, pa asnjë investim. Në të mungojnë kushtet më elementare të jetës në komunitet.

Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë, investim i qeverisë Berisha, nuk funksionon normalisht. Kjo sjell si pasojë mosmenaxhimin dhe derdhjen e ujërave të ndotura në Gjirin e mrekullueshëm të Vlorës.

Në zanafillë, projekti synonte uljen e ndotjes së ujit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit të qytetarëve. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këto 11 vite të (keq)menaxhimit të Vlorës nga sekti Rama.

Vlora është një ndër qarqet me një industri turizmi mjaft të fuqishme për kushtet e vendit tonë, e lidhur fort me detin. Nëse nuk arrihet të frenohet ndotja e ujërave që derdhen në det, atëherë kjo industri dhe për pasojë, të ardhurat prej saj dhe për familjet vlonjate, marrin një goditje mjaft të rëndë.

Ujësjellësi i qytetit, tashmë në duart e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndodhet krejtësisht jashtë kontrollit, për fondet që harxhon, me një skandal në pikun e sezonit turistik, kohë kur qyteti I Vlorës qëndroi 3-4 ditë pa ujë të pijshëm.

Sot Vlora është qyteti me zona të shumta që nuk furnizohen me ujë të pijshem ose furnizohen më pak se 30 minuta në ditë!

Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës është kthyer në hapësirë punësimi, për qoka e shërbime ndaj partisë-shtet.

Vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë dhe në Orikum janë dy gangrena, që u shpërfaqën dhimbshëm edhe në këtë sezon turistik veror. Në kulmin e sezonit, mbetjet u dogjën për 5 ditë rresht, duke shkaktuar një ndotje të madhe dhe tërësisht të dëmshme për shëndetin e qytetarëve vlonjatë dhe turistëve.

Në njësinë administrative Orikum, vërehet e njëjta situatë me vendgrumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Kjo, përveç shëmtisë vizuale, përbën një katastrofë të mirëfilltë mjedisore.

Periferia e qytetit është në kaos të plotë ndërtimesh e mungesa hapësirash publike, ku mungojnë rrugë, kanalizime, ndriçim, etj.

Në njësitë administrative, që deri dje ishin komuna, mungojnë gjërat më jetësore për një banor fermer, i cili jeton me bujqësi dhe blegtori.

IV.Rama tani po grabit dhe malet e Vlorës!

Nuk mjaftoi grabitja e pronave të vlonjatëve në bregdet me ligjin famëkeq Nr. 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe me ligjin “Per Investitorin Strategjik”. I fundit është Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 10 tetor 2024 për ndryshimin e destinacionit të 21.979 m2 pyje dhe kullota të Malit të Çikës, në dobi të kompanisë së një oligarku të Ramës, për ndërtim hotelesh luksoze.

Ky Vendim i Këshillit të Ministrave merret në dhunim të plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, e cila kërkon garë të hapur në dhënien e aseteve shteterore privatit.

Gara e hapur të lejon të kesh oferta më të mira për komunitetin e zonës dhe banorët vendas, për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit, si dhe për projekte më miqësore me mjedisin. Po Rama dhe sekti i tij as që kanë ndërmend ndonjëherë të zhvillojnë garë. Ata duan vetëm të grabisin dhe Vlora me pasuritë e saj natyrore dhe vendndodhjen strategjike, është bërë kryezona e plaçkitjes së sektit Rama, me çfarë i ka mbetur akoma për t’u vjedhur, malet e saj.

xxx

Qeveria dhe bashkia e qytetit Vlorë kanë detyrim publik dhe ligjor të menjëhershëm të dëmshpërblejnë familjet dhe bizneset e dëmtuara nga përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë, e shkaktuar në rradhë të parë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria skandaloze e tyre, dhe jo vetëm nga rënia e shirave të rrëmbyeshëm.

Këto janë “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në Vlorë. Prandaj dhe vlonjatët protestuan fort më 7 tetor në Tiranë dhe nuk do t’i ndalin protestat, derisa bajlozi Rama t’i qërrohet detit dhe tokës së Vlorës, si dhe të gjithë Shqipërisë!

Botuar në Gazeta Sot më 13.10.2024

ERE dhe dështimet në energjitikë

ERE dhe dështimet në energjitikë

Më duhet të konstatoj me keqardhje, se veprimtaria e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) edhe për vitin 2023, reflekton një varësi të plotë nga vullneti i sektit në qeverisje, për të keqadministruar sektorin energjitik, duke abuzuar me prodhimin dhe shitblerjen e energjisë elektrike, në shkelje të hapur të Nenit 10 “Pavarësia e ERE-s” të ligjit Nr. 43/2015 “Për Energjinë Elektrike”. Arsyet kryesore pse votoj kundër Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e ERE-s gjatë vitit 2023 janë:

ERE-bashkëfajtore në mosfunksionimin e ALPEX

Pas më shumë se 4 vitesh vonesë, bursa e energjisë elektrike ALPEX u hap më 11 prill të vitit 2023. Me aktivizimin e ALPEX, u shpresua do të ndryshonin marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të tregut, duke shmangur marrëdhëniet dypalëshe të shitblerjes së energjise.

U shpresua që çdo kompani, shtetërore ose private, që vepron në tregun e energjisë elektrike, bazuar në licencën e marrë nga ERE, do ta shiste ose blinte energjinë nëpërmjet ALPEX, duke rritur konkurrencën mes kompanive dhe siguruar çmime të favorshme. Sidomos u prit, nga të gjithë veprimtarët, por edhe nga opinioni publik, që Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) të ishte e para kompani, për të kryer transaksionet përmes bursës ALPEX. Kjo gjë nuk ndodhi dhe përbën një skandal të mirëfilltë. Që nga prilli 2023 e gjatë gjithë vitit, kemi patur shumë raste të mbiprodhimit të energjisë në Kaskadën e Drinit, për shkak të një viti hidrik të mirë, por KESH asnjëherë nuk ka shitur energji përmes ALPEX. Këtu ka një shkelje të pastër ligji, pasi, nëse transaksionet nuk kryen përmes bursës shqiptare ALPEX, çfarë kuptimi ka që u krijua kjo bursë?! KESH, nga transaksionet dypalëshe të shitblerjes së energjisë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe këtyre gjashtë muajve të këtij viti, duke shmangur ALPEX, i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm në nivele dhjetra miliona euro, në sy dhe nën hundë të ERE-s. Nëse do të kishte kryer shitblerjet e tij përmes ALPEX, KESH do të kishte siguruar çmim më të lartë në shitje dhe çmim më të ulët në blerje. Prandaj dhe janë bursat. Justifikimi nga drejtuesit e KESH, se ne dalim në kontraktim direkt, sepse kemi frikë se në bursë nuk na i ble njeri energjinë, është absurd dhe i pabazë. Ose KESH duhet të mbajë përgjegjësi, ose bursa duhet të shkrihet. Në këtë situatë, ERE sheh dhe nuk vepron. Rri pa gojë, krejtësisht i përgjumur dhe i paralizuar si institucion, nga diktati i sektit Rama në qeverisje. KESH e ka shmangur për 14 muaj me radhë ALPEX, që nga krijimi i tij, sepse bursa ka funksion kryesor transparencën. Aty dalin qartë cilat janë kompanitë dhe çmimet e negociuara. Nuk devijon, nuk manipulon dot me çmimet, kur kryhen transaksionet përmes bursës.KESH i rri larg ALPEX, për t’i shpëtuar mekanizmave të monitorimit dhe transparencës së saj. ERE sërish sheh dhe hesht. Ka 14 muaj rresht që po e bën këtë! Qeveria mund të thotë se në ALPEX janë të listuara katër kompani private. Shumë mirë që janë listuar. Nëpërmjet kompanive private liberalizohet tregu, transaksionet janë më transparente dhe me çmim referencë, sa i përket bursave europiane. Kompanitë private do ta ndihmonin shumë bursën në funksionet e saj, por në momentin që KESH nuk e tregton energjinë që shet dhe blen nëpërmjet bursës, kompanitë private janë sa për numër. Sa i përket kompanive private, është e drejta e tyre të shesin jashtë ALPEX, kurse KESH e ka prioritet dhe detyrim të shesë brenda bursës. Drejtuesit e KESH duhet të mbajnë përgjegjësi për shmangjen 14 mujore të ALPEX. Përbën skandal të mirëfilltë! Nëse KESH do të vepronte përmes ALPEX, atëhere bursa shqiptare do të funksiononte. KESH do e blinte energjinë në ALPEX me çmime më të favorshme, ndryshe nga ajo që e gjen në bursën hungareze. 4.4 milionë euro investim të Buxhetit të Shtetit në ALPEX nuk po i shërbejnë asnjë ditë dhe për asgjë qytetarëve shqiptarë, përderisa KESH e ka braktisur ALPEX. Vërtet abuzimet dhe korrupsioni në KESH dhe OSHEE nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ERE-s, por mungesa e kurajos profesionale dhe civile për të denoncuar rastet e panumurta të abuzimit dhe korrupsionit të këtyre dy institucioneve, e ngarkon edhe ERE-n me përgjegjësi jo të pakët. ERE duhet të japë kontributin e saj, deri tani tërësisht të munguar, si dhe të luajë një rol proaktiv, për të sjelle më në fund KESH në ALPEX , si dhe të punojë fort për realizimin e bashkimit të tregjeve të energjisë së një dite më parë, bashkim i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efiçiencës së impianteve të prodhimit të energjisë se rinovueshme të Shqipërisë, në tregun rajonal dhe me gjerë.

Dështim i turpshëm njëmbëdhjetëvjeçar i politikave dhe reformave në sektorin e energjisë

Qeveria e sektit Rama premtoi me pompozitet që në shtator 2013 kryerjen e reformave të thella në energjitikë, si (i)diversifikimin e prodhimit të energjisë, (ii) pakësimin e ndjeshëm në nivel të mesatares evropiane, të humbjeve teknike dhe jo-teknike në rrjet, (iii)vendosjen e matësve inteligjentë dhe (iv) krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike ALPEX në vitin 2019.

Deri më sot, asnjë nga këto objektiva nuk është arritur. Edhe ALPEX, i krijuar 14 muaj më parë nuk po funksionon. Nga ana tjetër, pabesia në ndjekjen me seriozitet të këtyre objektivave dhe abuzimet e korrupsioni ne prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike shtetërore, kanë sjellë shkëputjen e financimeve me kredi të buta të Bankës Botërore për sektorin e energjitikës shqiptare. Largimi i interesit të këtij financuesi global ndaj një sektori jetik të ekonomisë shqiptare, si ai i prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, është një përgjegjësi e rëndë dhe e madhe e strukturave tona shtetërore dhe një pjesë të fajit e ka edhe ERE.

Bllokim i kërkesave të biznesit për ndërtimin e parqeve dhe mini-parqeve fotovoltaike deri në 4 megavat-orë

Biznesi shqiptar, në radhë të parë ai prodhues, ka mbi 7 vjet që i kërkon qeverisë të lejojë ndërtimin e parqeve dhe mini-parqeve fotovoltaike, të ligjëruar nga Ligj nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me kapacitet deri në 4 megavat-orë, sikurse e kanë bërë rëndom vendet rreth nesh dhe ato të Bashkimit Evropian. ERE, edhe pse i ka patur të plota argumentat teknike dhe ligjore për të mbështëtur këto kërkesa të biznesit prodhues shqiptar dhe të huaj në vend, ka preferuar të heshtë, kur qeveria e vuri tavanin e lejeve vetëm në nivelin 1 megavat-orë. Ky refuzim shtatëvjeçar, pa sens dhe kokëfortë i sektit në pushtet, për të mos lejuar rritjen e fortë të kapaciteteve tona prodhuese nga panelet diellore, jo vetëm që përbën krim ekonomik, pasi i privon biznesit prodhues të jetë i pavarur në sigurimin e energjisë që i duhet për proceset teknologjike të prodhimit, duke rrezikuar falimentimin e tij, por dëshmon interesin okult të sektit, për të mos prishur pazaret e blerjes së energjisë nga klientët e vet përtej kufirit, jashtë bursës ALPEX. ERE, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, si Italia, Greqia, por edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të punojë fort dhe me përgjegjësi, për krijimin e lehtësirave konkrete në instalimin e paneleve fotovoltaike, nga bizneset prodhuese shqiptare.

Asnjë politikë fiskale në dobi të lehtësimit të faturës së energjisë për familjarët

Deri tani, ERE nuk ka bërë praktikisht asgjë, për të kërkuar adresimin e duhur nga OSHEE të ankesave dhe pretendimeve të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve, kundrejt mbifaturimeve, keqfaturimeve apo faturimeve aforfe. Nuk ka asnjë investigim të hapur nga ERE, gjatë vitit 2023, për rastet flagrante të mosrespektimit të të drejtave të konsumatorëve nga ana e OSHEE.

ERE nuk ka ndjekur me përparësi dëmin ekonomik shkaktuar konsumatorit, nga tarifimi i gabuar nga ana e operatorit të shpërndarjes, apo nga ngarkimi me pa të drejtë me përgjegjësi të konsumatorit, kur konstatohen ndërhyrje apo dëmtime të matësve, të vendosur në ambiente të përbashkëta. Për lehtësimin e faturës së energjisë për familjarët, propozimi i opozitës është i qartë dhe ofron zgjidhje për mos-rëndimin më tej të situatës energjitike të qytetarit të thjeshtë.

ERE duhet t’i bashkohet këtij propozimi, që konsiston në kërkesën që qeveria të miratojë heqjen e përkohshme të TVSH-së nga çmimi fundor i energjisë elektrike për familjarët, duke u kursyer atyre menjëherë një të pestën e shpenzimeve për energjinë. Për fat të keq, ERE duket krejtësisht i paaftë për të fituar pavarësinë e tij nga diktati i sektit në qeverisje. Në këto kushte, Rezoluta e Kuvendit për të përmirësuar punën e ERE-s nuk ka asnjë peshë dhe shpresë, se më në fund ky institucion, do të jetë në gjendje të marrë vendime në mënyrë të pavarur.

Botuar në Gazeta Sot më 09.07.2024

Dështon misioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, zero transparencë për qytetarët për vitin 2023

Dështon misioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, zero transparencë për qytetarët për vitin 2023

Misioni dhe detyrat parësore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë të garantojnë informimin e plotë dhe transparent të qytetarit dhe opinionit publik, lidhur me aktivitetin dhe rezultatt e institucioneve publike, dhënien në kohë dhe me plotësi të informacioneve të kërkuara nga qytetarët, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale sensitive të qytetarëve. Edhe për vitin 2023, ky mision dhe këto detyra nuk janë permbushur. Arësyet kryesore janë:

Kufizime të rënda në aksesin për informacion

Dëshmi të shumta të sjella nga vetë qytetarët, por edhe gazetarët investigativë, flasin për refuzime të shpeshta të institucioneve publike për të dhënë informacionin e kërkuar, me pretendimin se nuk kanë staf dhe kohë të mjaftueshme për t`i përgatitur informacionet. Bëhet fjalë për një strategji dhe taktikë të qëllimshme nga autoritetet publike, për të mos e publikuar informacionin që u kërkohet, të mbështetur dhe inkurajuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me heshtjen dhe mosveprimin e saj. Rreziku i të ashtuquajturit Programi i Transparencës së institucioneve shtetërore, të shpallur me butafori nga qeveria dhe të vlerësuar nga Komisioneri si arritje madhore në fushën e informimit publik, qëndron në ofrimin e informacioneve të gatshme, të vëna enkas në dispozicion të qytetarit dhe gazetarit, për të mbuluar fshehjen e së vërtetës, e problematikave të mprehta të veprimtarisë së institucionit dhe e dështimeve të mundshme të tij, me gazetarët qe rrezikojnë të shndërrohen lehtësisht në bashkë-propagandues të manipulimit. Refuzimi nga Komisioneri i kërkesës së gazetarëve për të ditur numrin e ankesave që u refuzuan, pa marrë asnjë njoftim nga autoritetet publike, nga totali i mbi 1 mijë ankesave që Komisioneri merr në vit, dëshmon dëshirën e ethshme të institucionit për të mos ekspozuar shkallën e shpërfilljes së qytetarëve prej autoriteteve publike, si dhe vë dyshime të thella mbi seriozitetin e Komisionerit në misionin e tij të zbatuesit të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën për Informim” dhe në rolin e mbikëqyrësit të plotësisë, cilësisë dhe transparencës së informimit publik për qytetarin dhe gazetarin. Të mos harrojmë se dy nga pesë ankesat që merr Zyra e Komisionerit, vijnë nga gazetarët.

Tallja me instrumentin e Indeksit të Transparencës Proaktive

Katër vite më parë, në vitin 2020, Zyra e Komisionerit themeloi Instrumentin e Indeksit të transparencës, duke e propoganduar si një matës të transparencës proaktive të qeverisë, treguesit e të cilit do të shtoheshin vit pas viti, së bashku me autoritetet publike të përfshira. Katër vjet pas hartimit të Instrumentit, mjafton të monitorojmë zbatimin e vetëm njërit prej nëntë treguesve të Indeksit, dhe pikërisht Programin e Transparencës, në të cilin përfshihen kategoritë e informacionit, që bëhet publik pa pagesë, për të kuptuar se kjo nismë ka dështuar. Ato që vlejnë më shumë në kategorinë e informacioneve të tilla, jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por veçanërisht për interesin e lartë publik që mbartin, janë procedurat e prokurimit dhe të hartimit e zbatimit të kontratave koncesionare, duke lënë mënjanë informacione të tipit: CV-ja e titullarit, të dhëna mbi vendndodhjen e zyrave, funksionet dhe detyrat e autoritetit në fjalë, etj. Ndonëse ligji Nr. 119/2014 “Për të Drejtën për Informim” mundëson publikimin proaktiv, për vite me radhë, publikimi i kontratave koncesionare dhe ecuria e zbatimit të tyre ka qenë tabu. Vlerësimet më të fundit të Indeksit të Transparencës Proaktive, të kryer nga Zyra e Komisionerit, kane përzgjedhur si autoritete shumë transparente, pra më të mirat, edhe Kryeministrinë, së bashku me ministritë më të rëndësishme të vendit. Nga vrojtimi nga shoqëria civile e Programit të Transparencës në këto institucione publike, konstatohet se asnjëra prej tyre nuk i ka publikuar kontratat koncesionare në fjalë. Shumë prej linqeve rezultojnë të rreme, ndërkohë që të tjera linqe devijojnë, duke na dërguar te Buletini Online i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), ku qytetari humbet nëpër dhjetëra e dhjetëra linqe të tjera e të panevojshme. Zyra e Komisionerit nuk shpjegon se mbi cilat kritere shkencore u caktuan treguesit e Indeksit, por pranon faktin se kjo u krye nga burime të brendshme, duke përzgjedhur ato kategori informacioni, ndaj të cilave qytetarët kishin treguar interes. Nuk kuptohet se si Komisioneri vijon që të ruajë të njëjtat kritere përzgjedhëse, duke u mbështetur mbi preferencat e qytetarëve (anonimë), ndonëse në tre vitet e fundit janë gazetarët ata që i dominojnë kërkesat, si në aspektin sasior, ashtu dhe në atë të përmbajtjes.

Marifeti me trajtimin e një numri të madh ankesash si “Kthim pergjigje…”

Në ankesat që i adresohen Zyrës së Komisionerit, kjo Zyrë pranon të drejtën e qytetarit për t’u informuar, por në praktikë bën shumë pak përpjekje reale për të garantuar zbatimin e kësaj të drejte tek institucioni publik që e ka shkelur atë, me mospërfilljen apo dhënien e një përgjigjeje jo shteruese. Për çështje sensitive ose që shqetësojnë opinionin publik, përgjigjet e institucioneve publike ndaj kërkesave për informim janë formale dhe në tërësi fshehin të vërtetën, duke devijuar qëllimisht thelbin e informacionit. Zyra nuk e ka përdorur shpesh presionin dhe shembullin pozitiv të “sanksionit publik”, përmes publikimit të vendimeve të saj dhe shpërndarjes së tyre me anë të mediave. Kjo dëshmon për një mangësi të madhe të saj. Sipas disa organizatave joqeveritare, në çdo 100 ankesa lidhur me te drejten per informim nga gazetaret, vetëm 3 janë në favor të aksesit për informacion. Pjesa tjetër e tyre shpërfillet ose lihet në heshtje. Kohët e fundit, një proces edhe më i rafinuar, i nxitur nga vetë Zyra e Komisionerit, po thellon raportin mes numrit në rritje të ankesave dhe rënies së vendimmarrjeve që detyrojnë institucionet shtetërore ta japin informacionin. Ky proces është klasifikimi i një numri ne rritje ankesash, si “kthim përgjigjeje”. Në këtë mënyrë, ndaj tyre nuk merret asnjë vendim nga Komisioneri. Sipas ligjit 119/2014 “Për të Drejtën për Informim”, ankesat ndjekin dy rrugë: pranohen ose nuk pranohen. Në vijim të procedurës, pranimi përfundon, ose me urdhërimin e Komisionerit për të dhënë informacionin, ose me rrëzimin e ankesës. Zyra e Komisionerit duket se ka shpikur edhe një rrugë të tretë, të ashtuquajturën “kthim përgjigjeje”, e ngjashme me dredhinë “përgjigje pa përgjigje”, që aplikohet rëndon nga autoritetet publike, që synojnë mosdhënien e informacionit. Situata rëndohet edhe më shumë, pasi “kthimi i përgjigjes” nuk regjistrohet as në praktikën vendimmarrëse të Zyrës. Kjo, ngaqë teknikisht, hileja “kthim përgjigjeje” është thjesht një rekomandim dhënieje përgjigje, por pa e caktuar datën e dhënies. Mos-caktimi i saktë i kohës e bën aktin “kthim përgjigjeje” që të mos t`i plotësojë kushtet formale për t’u konsideruar një vendim. Kjo, pasi, që të jetë një i tillë, ai duhet që të ketë afatin e saktë se në ç’datë do të zbatohet nga autoriteti. Një hile e tillë e Zyrës së Komisionerit shton mundësinë e refuzimit të kërkesës për informacion nga institucioni shtetëror, pasi ky i fundit mund ta zgjasë dhënien e informacionit të kërkuar edhe nga “Kthm Përgjigjeje…”, deri në pafundësi. Ky marifet po dëmton rëndë transparencën dhe llogaridhënien reale të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Vijon mosveprimi, lidhur me përgjegjësitë dhe sanksionet ndaj institucioneve publike që lejuan rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve në dhjetor 2021

Lind pyetja: pas zero veprim ne vitin 2022, sa thirrje publike ka adresuar, sa konferenca shtypi ka organizuar dhe sa fushata ndërgjegjësimi ( për të mos folur për vendime dhe sanksione administrative) ka bërë Zyra e Komisionerit gjatë vitit 2023, skandalit të publikimit në rrjetet sociale në dhjetor 2021 të pagave të mbi 637 mijë punonjësve në sektorin privat dhe atë publik, së bashku me të dhënat e kartës së identitetit dhe vendit të punes, si dhe skandalit të publikimit të targave të automjeteve të shqiptarëve po në dhjetor 2021? Sa hetime të thelluara administrative ka realizuar Zyra e Komisionerit, pas publikimit të skandaleve, pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e bazës së të dhënave për pagat dhe për targat e automjeteve? Zero! Ka dhe shumë arsye të tjera, por këto katër janë mëse të mjaftueshme, për të kuptuar se Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk e ka kryer misionin e saj gjatë vitit 2023. Zyra e Komisionerit duhet të punojë me këmbëngulje dhe përkushtim për rritjen e imazhit dhe besueshmërisë së saj në publik. Sot janë me qindra, në mos mijëra raste në vit, të shkeljes së të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat nuk i raportohen Zyrës, vetëm nga mungesa e besimit të qytetarëve se Zyra do të të mbarojë punë. Zyra e Komisionerit duhet të thellohet shumë më tepër në hetimet administrative që ndërmerr dhe të realizojë shumë më tepër hetime të tilla të thelluara, në perputhje me ankesat që i vijnë dhe me denoncimet e shpeshta ne media, të shkeljeve të së drejtës për informim dhe dhunimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Zyra duhet të adresojë me seriozitet dhe të japë propozime për përmirësim ligjor, ndaj problematikës së hasur dendur lidhur me mënyrat e dhënies së informacionit të kërkuar, nga ana e autoritetit publik. Aktualisht ligji i lë “dorë të lirë” autoritetit publik për të vendosur ndaj formës së dhënies së informacionit, që nuk ka të bëjë me një dokument të shkruar. Kjo e vështirëson marrjen e informacionit të kërkuar nga qytetari.


Botuar në Gazeta Sot më 05.07.2024

Paaftësia në mbikëqyrje e AKEP-it

Paaftësia në mbikëqyrje e AKEP-it

Jam i detyruar të votoj kundër Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për arsyet e mëposhtme:
Qytetarët pesëfishojnë ankesat, AKEP vendos një gjobë…10 milionë lekë!
Sipas informacionit nga vetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar u depozituan në këtë institucion 2,123 ankesa nga pajtimtarët e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, në krahasim me 415 ankesa të paraqitura në vitin 2022. Edhe pse ankesat e përdoruesve pranë AKEP, në lidhje me refuzimin e kërkesave për bartjen e numrit celular nga operatori transferues, me mbifaturime, me pengesat apo vonesat për mbylljen e kontratës apo kalimin nga plane tarifore paspagesë në ato me parapagesë, etj., u pesëfishuan gjatë vitit 2023, institucioni veproi shumë me vonesë, duke vendosur një gjobë ndaj një prej dy kompanive të shërbimeve celulare në vend, tek e cila përqendroheshin 90 përqind e ankesave të qytetarëve, vetëm në nëntor 2023. Masa e gjobës prej 10 milionë lekësh ishte shumë e vogël, gati simbolike, për një operator që qarkullon me dhjetëra milionë euro në muaj. Shumë pak për një detyrë madhore që kishte AKEP vitin e kaluar dhe e ka edhe këtë vit e më tej, atë të kontrollit të rreptë dhe të detajuar të procesit që solli një situatë duopol në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.

AKEP, i paaftë të mbikëqyrë si duhet situatën duopol

AKEP u tregua i paaftë të mbikëqyrte plotësisht dhe me profesionalizëm të lartë procesin e ndërlikuar teknik të bashkimi mes dy ish-operatorëve në treg, proces që u reflektua edhe me shumë probleme në shërbimin për klientët. Që prej fillimit të vitit të kaluar, tregu i telefonisë celulare në vend ka vetëm dy operatorë, pas bashkimit me përthithje te operatorëve One Telecommunications dhe Albtelekom. Kjo situatë shtron rreziqe për rritjen e çmimeve nga dy operatorët e mbetur, për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit, madje, në shumë raste, edhe duke e dëmtuar atë. Edhe pse tërësisht i ndërgjegjësuar për këto rreziqe, sidomos për praninë e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet operatorëve në treg, nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që impaktojë drejtpërdrejt shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, AKEP nuk ka vepruar energjikisht për parandalimin dhe mënjanimin e tyre. Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar në tregun celular, ndikohet edhe nga faza e maturimit të këtij tregu, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore, të cilën aktualisht e zotërojnë dy operatoret aktuale. AKEP justifikohet për mosveprimin e tij rregullues, me mangësitë e kuadrit ligjor aktual, i cili nuk i mundëson instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në tregun me pakicë të komunikimeve celulare legjislacionit, kur duhet te ishte vete ky institucion promotor i ndryshimeve përkatëse ligjore! Vitin e kaluar u hodh për konsultim ligji i ri “Për komunikimet elektronike”. AKEP nuk provoi me të gjitha mundësitë e tij lobuese që ligji të miratohej brenda vitit 2023 dhe nuk doli asnjëherë publikisht me fushatë sensibilizuese dhe mesazhe të forta, për domosdoshmërinë e miratimit sa më parë të ligjit të ri. Ky ligj u miratua vetëm ditët e fundit dhe kjo vonesë përbën një dështim të madh të AKEP. Le të shpresojmë që ligji i ri i sapomiratuar, do të zbatohet me ekzigjencë nga operatorët në treg dhe do të mbikëqyret me profesionalizëm dhe përkushtim nga AKEP. Legjislacioni i Bashkimit Europian parashikon se një rregullim ex ante (paraprak) i tregjeve të komunikimit mund të justifikohet, në rastet kur përmbushet testi i tri kritereve: (i) ekzistenca e barrierave hyrëse dhe jo kalimtare për hyrjen e konkurrentëve të rinj; (ii) një strukturë tregu që nuk është e orientuar ndaj konkurrencës efektive dhe (iii) pamjaftueshmëria e ligjit të konkurrencës për të adresuar problemet e tregut. Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar disa herë AKEP në dekadën e fundit te punoje për vendosjen në rregullim të tregut celular me pakicë, AKEP e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë, me argumentin e pabazë se testi i tre kritereve nuk e justifikonte një ndërhyrje të tillë.

AKEP, tërësisht i përgjumur ndaj sfidës së teknologjisë 5G!

Zbatimi në Shqipëri i teknologjisë 5G duhet të ketë si përmasë kryesore respektimin e obligimeve tona në fushën e sigurisë si vend anëtar i NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-ve. AKEP, edhe gjatë vitit të kaluar, ka qëndruar indiferent ndaj rekomandimit për ngritjen e një Komiteti Kombëtar për vlerësimin e investimeve strategjike për teknologjinë 5G. Në këtë Komitet duhet të ketë përfaqësues jo vetëm të fushës ekonomike, por edhe të fushave të sigurisë, informatike, mbrojtjes etj. Për këtë duhet miratuar një bazë e posaçme ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti duhet të përfshijnë, ndër të tjera, (1) vlerësimin nëse ofruesit e teknologjisë 5G janë subjekt i kontrollit nga një qeveri e huaj, pa një proces të pavarur gjyqësor; (2) vlerësimin nëse furnitorët e rrjetit dhe ofruesit e shërbimit financohen në mënyrë transparente, duke përdorur praktikat më të mira në prokurim, investim dhe kontraktim; (3) vlerësimin nëse ofruesit e shërbimit kanë pronësi, partneritet dhe struktura qeverisëse koorporative transparente; (4) vlerësimin nëse ofruesit janë shembull i inovacionit dhe respektit për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale; si dhe (5) vlerësimin e riskut dhe sigurisë që ofruesit dhe teknologjitë e rrjetit krijojnë një mjedis të sigurt, pavarësi nga ndikimi qeveritar dhe pajtueshmëri me standardet e industrisë. Aksioma e punës së këtij Komiteti duhet të jetë respektimi i statusit tonë si vend anëtar i NATO-s, konsideruar si investimi më i madh strategjik në fushën e sigurisë kombëtare, që Shqipëria ka arritur në ekzistencën e vet si shtet. AKEP ende është shumë mbrapa për rekomandimin me forcë të masave emergjente të ruajtjes së teknologjisë së informacionit të instaluar në strukturat tona kryesore qeveritare dhe shtetërore në tërësi, nga sulmet kibernetike dhe piratereske, edhe pse shumë struktura nevralgjike si INSTAT, portali “e Albania, etj., kanë qenë objekt dhe janë dëmtuar nga këto sulme vitin e kaluar dhe këtë vit. AKEP i mungon strategjia dhe planet e veprimit për zhvillimin dhe zbatimin e duhur të teknologjive të reja të informacionit. Modalitetet e përdorimit të internetit në administratën publike kanë treguar mungesë procedurash për administrimin e incidenteve në platformat kompjuterike dhe rrjetat e tyre; përdorim jo të përshtatshëm të trafikut të internetit dhe mungesë kontrollesh ndaj përdoruesve, duke shtuar rrezikun e cenimit të të dhënave. Me kalimin e infrastrukturës celulare nga rrjeti 4G në atë 5G, jo vetëm përdorimi, por krejt ekonomia jonë mund dhe duhet të riorganizohet rreth teknologjisë më moderne, si shtyllë kurrizore e saj. Teknologjia 5G premton inteligjencë artificiale, mjete autonome transporti, civile dhe ushtarake, si dhe qytete smart, etj. Një teknologji e tillë nuk është thjesht një motor ekonomik, që do të shtojë forcën tërheqëse drejt rritjes ekonomike. Në duart e gabuara, ajo mund të shndërrohet në një instrument kontrolli dhe cenimi fatal sigurie. AKEP ende nuk është gati dhe nuk ka strategjinë e duhur, për të na dhënë siguri të arsyeshme të përdorimit të teknologjisë 5G. Kjo është arsyeja kryesore, pse kjo teknologji e së sotmes dhe së ardhmes nuk ka hyrë tek ne dhe nuk do të hyjë, për fat të keq, edhe për një periudhë tjetër të gjatë, edhe për shkak të mosreagimit dhe mosveprimit në kohën e duhur të AKEP.

Botuar në Gazeta Sot më 29.06.2024

25 vjet-Kosova e lirë

12 qershori është një ditë e shenjtë për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. 25 vite më parë përfundoi Lufta e Kosovës, dhe iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë i parapriu një lufte të ashpër mes UÇK-së dhe forcave serbe. Në 12 qershor 1999 në Kosovë hynë rreth 50.000 trupa të KFOR-it nga 39 shtete duke bërë që Millosheviçi dhe regjimi i tij të dorëzoheshin përpara SHBA dhe NATO-s duke i dhënë shpresë dhe jetë shtetit më të ri në Evropë dhe duke ngjallur shpresat për pavarësi. 25 vite më parë Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo kosovar luftoi e sakrifikoi, është prova se sa e shenjtë dhe e shtrenjtë është Liria, Pavarësia e prosperiteti. 12 qershori është dita e nderimit të sakrificave, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së, Presidentit historik Ibrahim Rugova, Komandantit të Përgjithshëm Adem Jashari, heronjve Fehmi Lladrovci, Adem Demaçi, Hashim Thaci, Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, etj, të cilët me luftën e tyre hodhën themelet e shtetit të ri kosovar, të ndërtuar sipas postulatit të famshëm të presidentit Rugova: “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit të Kosovës.” Sot është dita të shprehim mirënjohjen më të thellë për presidentin Klinton, Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, kryeministrin britanik Tony Blair e të gjithë ata liderë amerikanë e europianë, të cilët mbështetën e udhëhoqën forcat e NATO-s në luftën e Kosovës dhe që u vunë në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë. Sot, 25 vite më pas, sfidat janë edhe më të mëdha jo vetëm për forcimin e demokracisë në Kosovë por edhe për integrimin e plotë në BE e NATO. Siç thekson dhe kryetari e lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri, Prof.Dr.Sali Berisha se: “Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitetktit të saj, politikanit vizionar dhe mendje ndritur të kombit shqiptar, Presidenitit Ibrahim Rugova, Gandit të Europës që endi në shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve të Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike të njeriut të civilizuar, lirinë dhe pavarësinë e vendit. Presidenti Rugova themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbarë. Ai paraqiti dhe mbrojti me vendosmëri dhe vizion në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të botës çështjen e drejtë të popullit të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Ai arriti ta shndërroje këtë kauzë në çështje kryesore të axhendës të SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!”. Në mbyllje të këtij postimi po përcjell lutjen e Dr.Ibrahim Rugovës për Kosovën, në 12 qershor 1999:
“Të lutemi o Zot

Botuar në Gazeta Sot më 12.06.2024

Mirënjohje për TIKA-n!

Mirënjohje për TIKA-n!

Popullin turk dhe popullin shqiptar i lidh një miqësi tradicionale dhe lidhje historike, shpirtërore e kulturore që shtrihen ndër shekuj. Mbi të gjitha, shqiptarët ushqejnë për babain e kombit turk, Mustafa Qemal Ataturkun, një personalitet i përmasave botërore, një dashuri dhe admirim të madh. Janë me dhjetra titujt e librave në shqip kushtuar Ataturkut, si dhe ka shumë aktivitete të zhvilluara në Shqipëri, për njohjen e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në themelimin dhe zhvillimin e Turqisë moderne. Mbi këtë bazë, përshëndes projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillim, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Turqisë dhe caktimin e statusit juridik dhe administrativ të zyrës në Shqipëri të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)”, si një veprim që do të shtojë bashkëpunimin ekonomik, arsimor, social e kulturor mes Shqipërisë dhe TurqisëMbi 600 projekte të TIKA-s në Shqipëri

Populli shqiptar dhe institucionet e Shtetit të Shqipërisë do t’i jenë thellësisht mirënjohëse popullit dhe Shtetit turk, për ndihmën e pakursyer në përballimin e periudhës së vështirë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, apo pas trazirave të vitit 1997. Ndihma turke për Shqipërinë ka qenë konstante dhe një shprehje e përqëndruar e saj është pikërisht aktiviteti 28 vjeçar i TIKA-s tek ne, me mbi 600 projekte të realizuara deri tani. TIKA është një nga donatorët kryesorë në vendin tonë, që ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, në tre dekadat e fundit. Projektet zhvillimore të TIKA-s kanë pasur për qëllim transformimin dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit, rindërtimin e infrastrukturës institucionale, përmirësimin e kapaciteteve administrative, forcimin e sektorëve të prodhimit dhe rritjen e kapaciteteve të punësimit, zhvillimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore dhe ringjalljen e turizmit.

Projektet e TIKA-s nuk njohin limit, në të gjitha fushat e ekonomisë dhe shoqërisë

Me fondet e TIKA-s janë rehabilituar ujësjellës, kopshte e shkolla, janë ndërtuar spitale, duke u pajisur me aparatura moderne, janë trajnuar mjekë, por edhe punon­jës të policisë, janë ndihmuar familje në nevojë dhe fëmijë jetimë, blegtorë, bujq dhe bletërritës në zona të largëta të vendit. Sektorët ku TIKA jep kontribut janë kryesisht shëndetë­sia, arsimi dhe turizmi, por agjencia mbështet dhe mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, zhvillimin e T.I., kulturës, sportit, medias, bujqësisë, si dhe projekte në ndihmë të personave invalidë, apo me aftësi të kufizuara fizike. Projektet e TIKA-s nuk njohin limit. TIKA, projektet dhe aktivitetet e së cilës kanë vazhduar të rriten me kohen, ka zbatuar 52 projekte në sektorin e shëndetësisë, nga rinovimi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e deri te krijimi i laboratorëve të analizave mjekësore dhe ofrimi i mbështetjes kompjuterike, si dhe 302 projekte në fushën e bashkëpunimit social dhe kulturor dhe zhvillimit të infrastrukturës administrative dhe civile. Me rëndësinë që i ka dhënë fushës së arsimit në Shqipëri, agjencia turke kryen projekte për ndërtimin e shkollave, rinovimin e gjerë të çerdheve, shkollave dhe konvikteve ekzistuese, si dhe ofrimin e pajisjeve, duke përfshirë infrastrukturën teknike dhe mobilimin e institucioneve arsimore. Në këtë kuadër, deri tani, në të gjithë vendin janë realizuar 131 projekte në fushën e arsimit. Projekti i 131-të, i realizuar këtë vit, kishte të bënte me ngritjen dhe kompletimin me pajisje dhe materiale laboratorike të laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Këto laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat e arsimit në Shqipëri, një model që TIKA zotohet ta aplikojë edhe në struktura të tjera arsimore. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë në Shqipëri, ku në projektin e vitit të kaluar, ka shpërndarë motokultivatorë për 33 familje të fëmijëve jetimë në Lushnjë. Gjatë këtij viti, nga projekti i TIKA-s po ndihmohen 50 familje në nevojë, me farëra fasule, misri, jonxhe dhe pleh kimik, në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Në këto afro tre dekada bashkëpunimi, ndër projektet më të mëdha sociale të TIKA përmend Qendrën e Dializës për Fëmijë, e vetmja në Shqipëri dhe Bankën e Gjakut në Vlorë. Për mua, gjatë kohës kur shërbeja me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mori një vlerë të veçantë projekti i realizuar nga TIKA, për mundësimin e trajnimit të dhjetra e dhjetra audituesve tanë pranë institucionit modern të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, përgjatë dy viteve 2013-2014, duke sjellë rritjen e dukshme të kapaciteteve audituese të stafit, në një periudhë sfidash dhe ndryshimi të pandërprerë për institucionin.

TIKA zgjeron dukshëm ndihmën dhe projektet në Shqipëri

Vërej me kënaqësi që fushat e paracaktuara të bashkëpunimit në marrëveshjen e re janë zgjeruar, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe pylltarisë, mbrojtjen e mjedisit, agroindustrinë dhe sigurinë ushqimore, ujin dhe higjienizimin, zhvillimin rural dhe nxitjen e industrive cilësore, të mirëbazuara, përfshirëse dhe të qëndrueshme, shëndetësinë, mbështetjen për uljen e varfërisë, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen për grupet vulnerabël, arsimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e inovacionit e të teknologjisë, turizmin, bashkëpunimin në fushën detare, si dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale e administrative, qendrore e vendore. Mbështetja teknike nga TIKA do të jepet në formën e transferimit të know-how, trajnimit të stafit, aktiviteteve konsultuese, sigurimit të pajisjeve, shërbimeve, teknologjive të reja, ndërsa asistenca financiare do të jepet në formën e granteve për mallra, materiale dhe pajisje të nevojshme për realizimin e projekteve apo shërbimeve të caktuara. Jam i sigurt se programet e zhvillimit, në kuadrin e kësaj ndihme bujare të popullit dhe qeverisë turke, do të kontribuojnë në zhvillimin konkret social dhe ekonomik të vendit. Lidhur me statusin e zyrës përfaqësuese të bashkëpunimit turk në Shqipëri, gjykoj se do të ishte mirë që TIKA-s, krahas përjashtimeve, privilegjeve dhe imuniteteve, që i njihen, bazuar në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, lidhur me mjetet e transportit, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, llogaritë bankare, interesin dhe transferimin (remitancat), vizat dhe lejet e qëndrimit për zyrtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes së stafit, të përfshiheshin dhe përjashtimi nga TVSH për mallrat dhe shërbimet që TIKA porosit të vijnë në Shqipëri, në realizimin e projekteve të saj këtu…

Botuar në Gazeta Sot më 07.06.2024

Dhjetë fakte mbi falsitetin e Rezolutës antikorrupsion të sektit Rama

Dhjetë fakte mbi falsitetin e Rezolutës antikorrupsion të sektit Rama

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen do t’i kalojë të hënën Kuvendit për votim. Opozita dhe mbarë qytetarët shqiptarë duhen të distancohen me forcë nga propaganda gëlbelsiane e Ramës, që synon gjoja të denoncoje korrupsionin galopant, të cilin ka njëmbëdhjetë vjet që po e realizon dhe orkestron po vetë. Dhjetë arsyet e falsitetit dhe hipokrizisësërezolutës parlamentare të PS-sëpër të luftuar korrupsionin janë: Uzurpimi i institucioneve të pavarura dhe i “Drejtësisë së Re”. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe keqpërdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i shpërdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga Rama dhe klonët e tij në pushtet Korruptimi i segmenteve të caktuara të opozitës nga viti 2017 e deri më sot, për të dobësuar dhe demotivuar opozitën, në përqëndrimin e të gjitha forcave të saj në luftën ndaj korrupsionit galopant të qeverisë dhe në ofrimin e një alternative të re. Goditja selektive ndaj opozitës, bllokimi i vulës së Partisë Demokratike dhe goditja e sulmi i egër ndaj Rithemelimit dhe aksionit të saj. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global. Goditja e paprecedent ndaj opozitës, duke realizuar izolimin e liderit të saj Prof.Dr. Sali Berisha, pa fakte dhe në rrugë antikushtetuese. Burgosja politike e liderit të opozitës është ideuar dhe urdhëruar nga Edi Rama. Moslejimi i opozitës për të realizuar koalicionet para-elektorale, duke bllokuar Reformën Zgjedhore.Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnjë nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar. Ishte Rama ai që instaloi në vend antikulturën e papërgjegjshmërisë, duke bllokuar transparencën dhe llogaridhënien. Sipas formulës sëstudiuesit të mirënjohur të luftës kundër korrupsionit, Robert Klitgaard, korrupsioni ndjek formulën e: K = M + S – P ku K është korrupsioni, M monopoli, S sasia që mund të përfitohet nga korrupsioni (e quajtur ndryshe fuqia diskrecionale e korrupsionit, liria e veprimit të tij) dhe P përgjegjshmëria, llogaridhënia. Korrupsioni është i barabartë me monopolin, plus liri veprimi, minus llogaridhënien. Ishte pikërisht Rama dhe sekti i tij, që me mungesën gati të plotë të llogaridhënies dhe shitjes së propogandës për transparencë, forcuan dhe betonuan korrupsionin, duke e kthyer në sistem në Shqipëri. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar.Transparency International arrin në përfundimin se kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe rendit plot 9 ligje që dyshohen se janë bërë me porosi, si ligji special për Teatrin, ligji për mediat audiovizive, ligji për lojërat e fatit, për lotarinë kombëtare, ligji për koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania Air Albania, apo mbi oferta të pakërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, etj., të cilat miratohen me shpejtësi nga një shumic tërësisht e nështruar në Parlament, në mungesë të transparencës dhe konsultimeve publike. Sipas raportit të Transparency International, Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut. Listës së ligjeve të denoncuara nga Transparency International si të kapura, apo të qepura, i duhen shtuar Ligji 20/2020 i masakrëssë tokave, Ligji i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, etj. Abuzim dhe shpërdorimet galopante në investimet publike.Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit! Korrupsion politik nderkombetar me nismen “Open Balkan”. Kjo nismë ishte karshillëk dhe në kundërshtim të plotë me Procesin e Berlinit, ideuar nga Gjermania dhe BE.Vuçiç dhe vasali i tij Rama i përpoqën më kot, pasi forcat progresiste në Ballkan, BE dhe SHBA nuk e lejuan implementimin e “Open Balkan”, këtij projekti neotitist, që synonte izolimin e Kosovës dhe zgjatimin i hegjemoninsë ruse në rajonin tonë. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH. Abuzimi masiv me PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime. Në shumicën dërrmuese të tyre, ato përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit te Shqiperise. Shembull tipi janë kontratat PPP të inceneratorëve, ku shteti i merr të gjitha risqet dhe dëmi ekonomik paraqitet në nivele dhjetra milionë euro. Mungesa e plotë e mbrojtjes ndaj biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në tre vitet e fundit 2022-2024, eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 20 përqind, në krahasim me lekun, në tregun vendas. Qeveria vetëm u premton mbështetje eksportuesve, por nuk ben asgje per ta. Vonon aplikimin e te ashtuquajtures “garanci sovrane” per sektorin e manifaktures, edhe tani, pasi u vonua tre vjet per te “ndihmuar fasonistetsidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

Botuar në Gazeta Sot më 27.05.2024

Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

Sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët dhe mbarë vendi ynë, vijnë kokëulur në bilancin e lirisë së të shprehurit dhe mungesës së censurës, të hapur apo të fshehtë, për të thënë atë që mendon në Shqipëri.

Në mbarë botën e qytetëruar, të zhvilluar dhe demokratike, shtypi dhe media e lirë konsiderohen si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e qeverisjes mbi fondet publike dhe mbi të drejtat themelore të njeriut.

Shtypi dhe media e lirë përfaqësojnë realisht lirinë e shprehjes në një vend. Mungesa e lirisë së shtypit dhe medias ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Kjo është njëra nga liritë e para dhe përcaktuese shoq?rore e politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, si shtyllë e vetë demokracisë ruhet, vetëm nëse qarkullon informacioni i lirë, objektiv dhe i ndershëm.

Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë , qofshin ato totalitare apo autokrate, gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve të lirisë së informacionit.

Këtë ka bërë edhe sekti Rama në pushtet, duke blerë pjesën më të madhe të mediave tradicionale dhe online, përmes dhënies së tenderave shtetërorë, projekteve me fonde publike dhe qindra lidhjeve dhe “favoreve” të tjera okulte.

Dita Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit përfaqëson një m?nyr? dhe nj? nga mjetet për të zbuluar problemet jetike për një demokraci të brishtë si kjo e jona, ku autokrati Rama përdor sektin e tij në pushtet, për të kontrolluar fiskalisht në mënyrë selektive dhe të hapur mediat e lira dhe kritikuese ndaj tij, ndërkohë që favorizon me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm ato media që shiten për tendera publikë dhe leje ndërtimi dhe që i fërkojnë krahët.

Influencën dhe ndikimin abuziv të pushtetit në Shqipëri, mbi mediat, opinionin publik dhe vetë qytetarët, e ka denoncuar vitet e fundit fuqishëm organizata ndërkombëtare prestigjoze Freedom House.

Kjo organizatë, e cila mat lirinë e medias dhe të të shprehurit të lirë dhe pa censurë të gazetarëve në të gjitha vendet e botës, ka denoncuar fuqishëm skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve shqiptarë, të grumbulluara nga serveri i Partisë Socialiste.

Freedom House e ka cilësuar praktikën e grumbullimit të të dhënave personale sensitive të popullatës, si numri i kartës së identitetit, numri i llogarisë bankare, targa e makinës, etj., si një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarit dhe sprovë për manipulim të pozicionit të tij shoqëror, për interes të ndikimit zgjedhor mbi qytetarin.

Freedom House ka konstatuar se të dhënat sensitive të 910 mijë qytetarëve të Shqipërisë ishin grumbulluar në serverin e patronazhistëve të Ramës dhe, për më tepër, ishin siguruar nga një portal qeveritar e-Albania, i cili ofron shërbime publike online, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikurse përmendet në raportin e organizatës, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”.

Freedom House ka denoncuar fuqishëm mekanizmin okult shtetëror të ngritur nga sekti Rama në pushtet, për të influencuar qytetarët permes patronazhistëve, duke disponuar dhe keqpërdorur të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Freedom House thekson se shkeljet tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale. Organizata ndërkombëtare shprehet e keqardhur që ndaj skandalit të patronazhistëve me të dhënat sensitive të qytetarëve, nuk u nis asnjë hetim i organeve ligjzbatuese. Madje, organizata cilëson se nuk u arrit të organizohej as edhe një dëgjesë publike në Parlamentin e Shqipërisë, lidhur me mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo i trajtojnë të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Botuar në Gazeta Sot më 03.05.2024

“Open Data Albania”, Instituti në dobi të transparencës dhe llogaridhënies

“Open Data Albania”, Instituti në dobi të transparencës dhe llogaridhënies

Prej muajit shkurt 2024, organizata e mirënjohur me integritet dhe kurajoze e shoqërisë civile, Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), e cila menaxhon portalin e mirënjohur Open Data Albania dhe është zotëruese dhe zhvilluese e projektit Open Spending Albania, ku denoncohen praktikat abuzive dhe korruptive të qeverisjes, ndodhet në vështirësi për fonde për mirëmbajtjen, përditësimin, zhvillimin dhe pagesën për hapësirën server. Open Spending Data është instrument i krijuar nga ekipi programues, ekonomistë dhe aktiviste antikorruspion pranë AIS/Open Data Albania. Njëlloj si Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Open Data Albania, ai drejtohet nga Aranita Brahja, themeluesja e AIS dhe profesionistja , që me dijet dhe karakterin e saj, do të ishte dinjitoze në çdo pozicion të lartë të institucioneve qeveritare të vendit. Projekti rrezikon mbylljen e bazës së të dhënave, Database të Open Spending Albania, çka do të sillte pasoja të rënda në mungesën e transparencës, llogaridhënies, aktivizmit dhe veprimtarive anti-korrupsion. Open Spending Albania-shpresë e qytetarëve për të bërë transparencë me paratë e Shtetit Portali i AIS(më parë me emrin Open Data Albania) ka përfaqësuar në këta 12 vjet një nga instrumentet më të rëndësishëm dhe efektivë për transparencë, mirëqeverisje dhe antikorrupsion. Përmes Open Spending Albania, qytetarët kuptojnë se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Open Spending zbardh dhe e bën të aksesueshme çdo pagesë nga institucionet buxhetore te Shtetit, drejt kontraktorëve privatë, që nga viti 2012 e në vijim. Përmes kryqëzimit të të dhënave, analizave dhe krahasimeve që ofron Open Spending Albania, jo vetëm ekonomistët dhe gazetarët, por edhe qytetarët mund të kuptojnë abuzimet dhe aktet korruptive të qeverisjes së sotme. Gazetarët investigative dhe aktivistët më të guximshëm në vend i përdorin të dhënat e Thesarit të Shtetit, të ofruara me qartësi, profesionalizëm dhe transparencë të plotë nga Open Spending Albania, për të denoncuar raste keqpërdorimi, korrupsioni, klientelizmi dhe konflikti interesi nga institucionet publike qendrore dhe vendore. Shumë raste të abuzimeve publike, edhe ato në periudha zgjedhore, janë zbardhur përmes shifrave dhe transparencës së mundësuar nga kjo bazë e mirë-strukturuar të dhënash. Në një rast, transparenca në pagesat e Thesarit të Shtetit çoi në inicimin e një procesi për heqje të Mandatit të Deputetit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të konfliktit të hapur të interesit. Sekti Rama: bllokim absolut fondesh shtetërore dhe presion okult mbi ndërkombëtarët. Duke fuqizuar publikun, aktivistët dhe luftën antikorrupsion, me të dhëna transparente për raste flagrante abuzive, AIS/Open Data Albania deri tani, ka marrë shpesh pakënaqësi të theksuara nga njerëz në pushtet dhe biznese pranë tyre. Instituti Shqiptar i Shkencës ka pësuar edhe tentativa për sulme kibernetike, për fat, të dështuara. Duke parë këtë aktivitet që gjeneron orë e çast llogaridhënie dhe investigime për të zbuluar korrupsionin, sekti Rama në pushtet ka provuar me të gjitha mjetet e hapura dhe okulte të pengojë aktivitetin e Institutit Shqiptar të Shkencës. Sekti në qeverisje AIS dhe projektit Open Spending Albania ia ka bllokuar tërësisht aksesin në fonde dhe programe shtetërore, pavarësisht se Instituti Shqiptar i Shkencës ka aplikuar gjithmonë me profesionalizëm dhe korrektësi. Ndërkohë, nuk është ndalur me kaq. Sekti Rama ka arritur të kompleksojë edhe donatorët perëndimorë në vend, që kanë kuptuar ose u është dhënë të kuptohet, diku hapur e diku pak fshehur, se mbështetja e tyre ndaj projekteve dhe aktiviteteve të reja të Open Spending Albania nuk “shihet me sy të mirë” nga Rama dhe të tijtë. Një rezultat i drejtpërdrejtë i presionit okult të Ramës është se sot, edhe pse nevojiten më shumë se kurrë, janë shumë të pakta ose mungojnë tërësisht projektet me para të taksapaguesve të vendeve Perëndimore, për të forcuar transparencën, llogaridhënien dhe kulturën watchdog në Shqipëri. Instituti Shqiptar i Shkencës kërkon ndihmën e opinionit publik shqiptar, për të mos lejuar mbylljen e Open Spending Albania, një nga instrumentet më të rëndësishëm në forcimin e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies dhe në luftën ndaj korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Lufta antikorupsion, aktivizmi dhe fuqizimi i veprimtarëve watchdog tek ne mbeten detyra thelbësore të opozitës dhe mbarë shoqërisë sonë sot. Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja të saj kanë ende punë për të konsoliduar rezultatet kundër keqqeverisjes dhe pandërshkushmërisë së funksionarëve të lartë publikë. Për të kontribuar në këtë mision dhe sfidë, qeveria, në vend që të shpërdorojë fondet e saj për patronazhistët me kollare, duhet të ndihmojë Institutin Shqiptar të Shkencës dhe projektin e tij themeltar Open Spending Albania, nga fondet që mbështet shoqërinë civile. Së dyti, Institucioni Suprem i Auditit, i cili iu është referuar dhe i ka përdorur shpesh gjetjet e Open Spending Albania në auditimet e tij, duhet t’i trajtojë financiarisht si ekspertë të jashtëm me pagesë, konform kornizave ligjore dhe standarteve të INTOSAI-t, ekspertët e AIS dhe Open Data. Me të gjitha forcat tona, ne duhet të denoncojmë dhe të ushtrojmë ndikim dhe pranë ambasadave perëndimore në Tiranë dhe institucioneve donatore në Shqipëri, si opozitë, media dhe aktivistë të luftës antikorrupsion, që veprimtarisë së vyer të Institutit Shqiptar të Shkencës dhe projektit Open Spending Albania të mos i mbyllen dyert përgjithmonë!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 22.04.2024