𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗳𝗹𝗲𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗹𝗮𝗴𝗲𝘁 𝗾𝗲 𝗶𝗮 𝗸𝗮 𝗯𝗲𝗿𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝘀 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲!

𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗳𝗹𝗲𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗹𝗮𝗴𝗲𝘁 𝗾𝗲 𝗶𝗮 𝗸𝗮 𝗯𝗲𝗿𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝘀 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲!

Pas 13 vitesh në pushtet, kryetari i sektit në pushtet foli sot për tri plagë të administratës dhe të shtetit shqiptar: administratën labirint, mungesën e memories institucionale dhe bindjen se njohja vlen më shumë se merita.
Nëse këto janë vërtet tri plagët kryesore të administratës publike shqiptare sot, atëherë pyetja e pashmangshme është: Kush e ndërtoi këtë administratë gjatë 13 viteve të qeverisjes së sektit Rama?
Tre plagët nuk janë probleme që kanë lindur dje. Nuk janë dukuri të trashëguara nga një qeverisje e para 13 vitesh. Janë plagë që vetë kryeministri dhe sekti i tij ia kanë infliktuar administratës publike, pas një periudhe të gjatë qeverisjeje.
Rama pranoi se administrata publike është shndërruar në një labirint për qytetarin. Por një labirint nuk krijohet vetvetiu. Ai krijohet nga rregulla të komplikuara qëllimisht, për tբ nxitur zhvatjen dhe korrupsionin. Labirinti krijohet nga procedura të mbivendosura, institucione që qëllimisht nuk komunikojnë hapur dhe si duhet me njëri-tjetrin, për ta rrjepur pulën-qytetar seicili në grazhdin e vet. Labirinti është krijim i një antikulture administrative, ku qytetarit i del përpara patronazhisti-përfaqësues institucioni, për fitim pikësh zgjedhore për marrjen e votës, ndryshe qytetari mund të vazhdojë të endet si beduini në shkretëtirë, për të gjetur zyrën që duhet t’i zgjidhë problemin.
Plaga e dytë e pranuar nga Rama është mungesa e memories institucionale. Dhe përsëri pyetja politike është e thjeshtë: Pas 13 vitesh në qeverisje, pse administrata publike ende nuk e ka fituar këtë kujtesë institucionale?
Një qeveri që pretendon se ka investuar fuqishëm në teknologji (me skandale si Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, & co., parku teknologjik Durana, etj.), duhej ta kishte shndërruar digjitalizimin jo vetëm në një mënyrë për të ofruar shërbime online, por edhe në një mekanizëm për të krijuar memorien elektronike të shtetit. Pse sekti Rama nuk e ka bërë ende, edhe pse për digjitalizimin në 10 vitet e fundit janë shpenzuar me qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve?!
“Lideri Global” përmendi sot edhe plagën e tretë: në kët shtet të sektit të tij “Njohja vlen më shumë se merita”. Lind pyetja: është thjesht dhe vetëm plagë, apo aktakuzë për veten dhe sektin tënd?!
Kjo është një plagë që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te shteti. Nëse një i ri me arsim, aftësi dhe rezultate beson se për të hyrë apo avancuar në administratë duhet të ketë lidhje politike, familjare apo personale, atëherë sistemi i meritës është në krizë. Dhe patronazhistët e Ramës dhe sektit të tij në pushtet janë fytyra dhe shkaku i kësaj krize të thellë besimi.
Në këta 13 vite, Rama dhe sekti i tij nuk kanë punësuar askënd që nuk ka “njohje”, por ka meritë. Dhe këtë e dinë mirë me mijëra të rinj të shkolluar në Perëndim, që aplikuan për punësim në atdheun e tyre dhe gjetën vetëm indiferencë dhe injorim nga Rama dhe sekti i tij në pushtet.
Rama ka krijuar një raport përmbys të shtetit me qytetarin, pasi e ka vënë këtë të fundit në shërbim të korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga sekti i tij.
Në fjalimin e Ramës kishte edhe një tjetër mesazh: “radari digjital” për mediat. Një kërcënim i ndyrë i tij, për të frikësuar mediat dhe portalet kritike ndaj bëmave të sektit që drejton. Me “radarin digjital” të qeverisë, Rama sinjalizoi krijimin e një radari politik, e një mekanizmi shumë më të fuqishëm dhe diabolik monitorimi të hapësirës mediatike dhe digjitale.
Mirëpo, ku mbaron monitorimi legjitim i informacionit të rremë dhe ku fillon presioni mbi median? Rama këtë nuk do që ta thotë, pasi kërkon dorë të lirë për të intimiduar mediat e pavarura dhe kritike ndaj sektit të tij.
Rama harron se në një demokraci, media duhet të monitorojë qeverinë, dhe jo qeveria të kontrollojë median. Ai është mbrapa me kohën. Në fakt, koha e tij sorosiane ka mbaruar.
𝗠𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗞𝗔𝗬𝗢

𝗠𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗞𝗔𝗬𝗢

Në tetor 1978, Kominati mekanik i Autoktraktorëve në Tiranë prodhoi traktorin e parë shqiptar tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe. Praktikisht bëri montimin të të gjitha pjesëve të traktorit kinez, të ardhura nga shteti i largët. Propoganda komuniste e shiti si prodhim real traktori, për t’i treguar botës se Shqipëria e vogël dinte të bënte gjëra të mëdha. Madje kryeministri i dikaturës Mehmet Shehu e ngau vetë për pak metra këtë traktor të montuar në uzinën në Tiranë.
1. Makina tregtare të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara
Pothuajse 48 vite më vonë, më 31 korrik 2026, Rama përuron me pompozitet dhe e deklaron “ditë historike” për ushtrinë një mashtrim të shëmtuar e të paturp.
I deklaron dhe i shet si “makina ushtarake të standardeve të NATO-s” të 37 mjetet ushtarake të quajtura “Ujku” dhe 3 kamionë vetëshkarkues të quajtur “Shkëmbi”, gjoja të prodhuar nga kompania “Timak Defense”, një strukturë në 20 përqind pronësi të KAYO-s korruptive të ushtrisë sonë dhe 80 përqind pronësi të kompanisë private “Timak” që monton pjesë alumini në automjete tregtare.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se standardi minimal i NATO-s (standardi “STANAG 4569”, niveli 1), ofron mbrojtje nga zjarri i armëve të lehta, plumba të kalibrit të vogël, granatat e dorës dhe copat e predhave të pashpërthyera.
Të 37 makinat “Ujku” që “Timak Defense” i ka shitur ushtrisë shqiptare në korrik 2026 jane makina fuoristradë tregtare “Toyota LandCruiser 76”, të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara.
Toyotat që ka blerë ushtria shqiptare nga Timak nuk ofrojnë mbrojtje ndaj asnjë lloj arme zjarri. Madje as edhe nga armët më të lehta dhe me kalibra më të vegjël. Ndryshe nga sa gënjen dhe mashtron Rama, makinat “Ujku”, në aspektin e mbrojtjes së personelit, nuk përmbushin as edhe standardin më të ulët të NATO-s.
Këto makina mund të adaptohen për të ofruar mbrojtje ndaj personelit, madje për të arritur nivelin 1 të standardit të NATO-s (STANAG 4569), por kjo do të kërkonte që ato të modifikoheshin me xhama antiplumb dhe karroceri të blinduar. Timak nuk ka bërë modifikime të tilla.
Çfarë ajo ka shtuar makinave Toyota është lyerja me bojën tipike të kamuflazhit ushtarak, për t’u dhënë pamje ushtarake, montimi i grilave metalike në xhamat anësorë, si dhe një skarë/shinë në çatinë e tyre për të mbajtur pajisje. Si dhe ka zëvendësuar logon e Toyotës me logon e Timak Defense.
Nuk dimë se sa i ka kushtuar buxhetit të Shtetit blerja e një makine fuoristradë tregtare, me shtesat-paçaure të mësipërme, në krahasim me çmimin tregtar te automjeteve Toyota LandCruiser 76.
Dhe këto “shtesa” thelbësore, Rama i shet si prodhim automjetesh ushtarake të ushtrisë shqiptare! Të paktën Mehmet Shehu e montoi krejt në Uzinën e Autotraktorëve traktorin kinez tip DT-54! Kryeministri i diktaturës ishte, në këtë propagandë shterpë, më origjinal se kryeministri ynë i sotëm!
II. KAYO: strkturë korruptive e rrezikshme, me në krye një figurë të errët
Struktura ushtarake KAYO, prodhim i fundit i korrupsionit inovativ Rama, administron prokurimet, mirëmbajtjen dhe logjistikën e pajisjeve ushtarake të vendit, duke përfshirë armatime, mjete, municione dhe shërbime ushtarake.
Kjo e bën atë një nga nyjet më kritike të sistemit tonë të mbrojtjes. Çdo devijim nga ligji në këtë strukturë cënon gatishmërinë luftarake të ushtrisë, sigurinë e personelit ushtarak dhe besueshmërinë e Shqipërisë ndaj NATO-s.
Autokrati Rama, me figurën e errët Ard Veliu, që në krye të policisë sonë ka një përvojë negative dhe tregues tejet negativë performance, ka gjetur “shesh për të bërë përshesh” në mbrojtjen tonë dhe në industrinë tonë ushtarake.
Në korrik të vitit 2025, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Për shumë muaj ky nënshkrim u pa thjesht si një marrëveshje normale midis dy qeverive, për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Vetëm në fillim të këtij viti, u zbulua se marrëveshja nuk ishte një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh, i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”. Të hetuar nga NATO për tendera të trukuar.
Në këtë biznes gërshetohet deliri i madhështisë së “Liderit Global”, Ramës, me korrupsionin galopant të sektit të tij, përmes Ard Veliut dhe KAYO-s, si dhe me mungesën e thekshme të përvojës në këtë fushë.
Denoncimet mediatike kanë ngritur pikëpyetje serioze për tendera të paracaktuar, ku fituesit duken të njohur para hapjes së procedurave, për mbivlerësim të pajisjeve ushtarake, shpesh me cilësi të ulët, për marrëveshje të mbyllura pa transparencë, nën justifikimin e “sekretit ushtarak” dhe konflikt të hapur interesi midis zyrtarëve të KAYO-s dhe kompanive private të huaja të furnizimit, sikurse është kompania “ES”.
Burime mediatike të huaja dhe vendase cilësojnë se qeveria shqiptare po shqyrton një skemë të ngjashme me atë të projektit “Smart City”, për të financuar faturën e rëndë që Shqipëria do t’i paguajë kompanisë private të huaj. Sipas këtyre burimeve, kompania e huaj do t’i gjejë vetë fondet me hua bankare, ndërsa Shqipëria do të garantojë kredinë e kompanisë me garanci sovrane shtetërore! Më tej, do të marrë përsipër shlyerjen e saj, duke përfshirë dhe interesat e majmë, për një kompani që sot po hetohet nga NATO për korrupsion me Agjencinë e tenderimeve të vetë NATO’s!!
Në allishverishet e Ramës me mbrojtjen shqiptare nuk hyn vetëm kompania private izraelite “ES”. Rama e ka edhe një “kumbar” tjetër ushtarak, sipërmarrësin shqiptaro-izraelit Ron Yeffet.
Biznesmeni me origjinë izraelite, me kompani të hapura në Shqipëri me kapital 100 lekë, më 17 qershor 2025, vetëm gjashtë ditë pasi sekti Rama, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 322, hapi rrugën për bashkëpunimin e KAYO me kompani private në industrinë ushtarake, bleu brenda kësaj dite 49% të “TIMAK”, një shoqëri që gjatë vitit 2024 kishte deklaruar rreth 518 milionë lekë xhiro dhe 135.8 milionë lekë fitim para tatimit, për vetëm 49 mijë lekë. Po brenda kësaj dite, bleu edhe 49% të “TIMAK Special Vehicles”, përsëri për 49 mijë lekë, ndërkohë kur kjo kompani kishte realizuar gjatë vitit 2024 rreth 151.6 milionë lekë xhiro.! Menjëherë më pas, shteti ynë uli pjesën e vet nga 45%, në 20%, në kompaninë e përbashkët “TIMAK Defense” dhe KAYO derdhi 2.58 miliardë lekë ose 29 milionë euro tek “TIMAK Defence”.
Këto praktika të errta të Veliut me shokë, nën bekimin e Ramës, përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por tradhti institucionale ndaj misionit të ushtrisë sonë! Korrupsioni në ushtri nuk matet vetëm me dhjetra miliona euro të humbura, por me pajisje jofunksionale në situata emergjente, me mungesë municionesh ose logjistike në momente kritike, me ulje të moralit të efektivëve dhe me humbje besimi nga aleatët tanë strategjikë.
III. KAYO: bankomat i Ramës dhe turp i Shtetit tonë!
Nëse korrupsioni në rrugë, shkolla apo spitale është krim ndaj qytetarëve, korrupsioni në ushtri është krim ndaj vetë Shtetit. Në emër të sigurisë kombëtare janë nënshkruar kontrata pa garë reale, me kompani me lidhje të drejtpërdrejta politike. Kjo nuk është keqmenaxhim, por skemë e organizuar vjedhjeje.
Nën flamurin e “sekretit ushtarak”, KAYO është shndërruar në një bankomat për klientelën politike të Ramës dhe të sektit të tij, ku tenderët shpërndahen, çmimet fryhen dhe cilësia sakrifikohet.
Sekreti ushtarak nuk është licencë për korrupsion! Ai nuk mund të përdoret për t’i mbyllur gojën medias dhe opinionit publik, për të shmangur auditin dhe për të fshehur kontrata të dyshimta.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, por paçavuret e “prodhimeve ushtarake” të Timak Defense dhe korrupsioni i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”, na shndërron në një republikë bananesh. Aleatët tanë kërkojnë transparencë, integritet dhe llogaridhënie. Çfarë marrin? Heshtje, mjegull dhe arrogancë zyrtare.
Çfarë mesazhi u dërgojmë partnerëve strategjikë, kur pajisjet ushtarake mund të rezultojnë pa standardet minimale të mbrojtjes së personelit të NATO-s, të amortizuara, me kontrata të fryra dhe me përgjegjësit të paprekshëm?
xxx
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria matet jo vetëm për buxhetin e mbrojtjes, por për integritetin e strukturave të saj. Çdo aferë korruptive e KAYO-s dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, ndërkohë që goditjen më të madhe e ndiejnë ata që mbajnë uniformën çdo ditë.
KAYO nuk është thjesht një strukturë ushtarake nevralgjike– është testi i fundit i seriozitetit të shtetit tonë. Ose luftojmë korrupsionin edhe aty ku është më i rrezikshëm, ose pranojmë se ushtria është kthyer në plaçkë politike. Dhe një shtet që lejon vjedhjen në ushtri, ka hequr dorë nga vetëmbrojtja.
𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮- 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁 𝗮𝗽𝗼 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶- 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶?

𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮- 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁 𝗮𝗽𝗼 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶- 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶?

Një pyetje duhet t’ia bëjmë vetes vazhdimisht: “A është partia në shërbim të shtetit, apo shteti është vënë në shërbim të partisë?”
Në dukje, përgjigjja është e thjeshtë. Partia fiton zgjedhjet, qeveris për një mandat dhe, herët a vonë, ia dorëzon pushtetin qytetarëve përmes zgjedhjeve të tjera. Në fakt, ngërçi fillon atëherë kur partia nuk e sheh më shtetin si institucion që duhet administruar, por si pronë që duhet kontrolluar.
Është çasti kur ka lindur partia- shtet.
Një fazë tjetër është shteti- parti. Nuk është më vetëm partia që kontrollon institucionet; është vetë aparati shtetëror që fillon të sillet si një strukturë partiake. Administrata, e cila nuk është në interes e shërbim të qytetarit, por të pushtetit.
Në këtë moment, kufiri midis partisë dhe shtetit zhduket.
Administrata publike kthehet në instrument elektoral. Emërimet janë në shpërblime politike. Institucionet humbasin pavarësinë, paratë publike trajtohen si kapital politik, ndësra projektet publike shiten si suksese të partisë. ndërsa qytetari që ka votuar shndërrohet në klient të pushtetit.
Në këtë çast partia mendon se pa të nuk funksionon shteti, duke rrezikuar kështu demokracinë funksionale.
Partia, më saktë sekti, ka kapur shtetin, shteti dhe qytetarët i janë nënshtruar partisë, më saktë sektit.
Aktualisht në Shqipëri sekti ka kapur shtetin, shteti prodhon pushtetin, pushteti financon sektin. Dhe anasjelltas. Sekti synon pushtetin dhe shtetin ia nënshtron sektit.
Fatkeqësisht Shqipëria demokracinë e ka në rrezik, sepse shteti është ngjyrosur lejla, si ngjyra e sektit të rilindjes. Policia, po ashtu është tejet e politizuar. Edhe shkolla. Edhe drejtësia synohet të nënshtrohet ndaj sektit rilindas. Administrata po ashtu lejla si ngjyrat e sektit famëkeq, ndërkohë që institucionet që duhet t’i shërbejnë qytetarit edhe kur qeveria është kundërshtari i tyre politik, janë kundër qytetarit dhe në shërbim të partisë.
Për sektin Rama partia është më e madhe se shteti, partia është më e dashur se Shqipëria e shqiptarët.
Sekti Rama qëllimisht nuk kupton mësimin më elementar të demokracisë. Mësimin se partitë lindin e vdesin, kulmojnë e degradojnë; qeveritë ndryshojnë; kryeministrat largohen dhe deputetët zëvendësohen. Ajo që duhet të mbetet është atdheu dhe shteti ligjor demokratik e funksional.
Kolegët deputetë duhet të ndërgjegjësohen se demokracia e vërtetë nuk matet vetëm me numrin e votave që merr një parti, por me mënyrën se si sillet ajo pasi i merr votat.
Nëse fituesi i zgjedhjeve përdor shumicën për të forcuar institucionet, kemi demokraci.
Nëse përdor institucionet për të forcuar partinë, kemi deformim dhe shpërfytyrim të demokracisë.
Dhe kur qytetari nuk arrin më të dallojë se ku mbaron partia dhe ku fillon shteti, demokracia ka rënë.
Por shteti, ashtu si atdheu, është më i vjetër se qeveria dhe duhet të jetë më jetëgjatë se çdo parti.
𝗥𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗕𝗲𝗸𝘁𝗮𝘀𝗵𝗶. 𝗕𝗮𝗯𝗮 𝗠𝗼𝗻𝗱𝗶, 𝗷𝗼 𝘃𝗲𝗴𝗲𝗹 𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀!

𝗥𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗕𝗲𝗸𝘁𝗮𝘀𝗵𝗶. 𝗕𝗮𝗯𝗮 𝗠𝗼𝗻𝗱𝗶, 𝗷𝗼 𝘃𝗲𝗴𝗲𝗹 𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀!

Hedhja e idesë një vit më parë nga Rama për mundësinë e krijimit të një entiteti të veçantë, Shtet për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë ka përmasa reale rrezikshmërie për harmoninë tonë fetare dhe unitetin shtetëror. Trajtimi këto ditë i kësaj teme nga një i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump në Tiranë, i jep dimensione tejet shqetësuese kësaj tradhtie kombëtare nga Rama.
Dy mendje publike kurajoze tek ne, si intelektuali i njohur, doktor Milaim Nelaj dhe avokati Spartak Ngjela e kanë parë me qartësi dhe e kanë denoncuar fort në tre ditët e fundit këtë rrezikshmëri.
Shqipëria është një republikë parlamentare, e organizuar mbi parimin e shtetit unitar dhe të pandashëm. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon krijimin e entiteteve sovrane mbi baza fetare, etnike apo komunitare. Për këtë arsye, çdo ide që do të synonte krijimin e një njësie me atributet e një shteti brenda territorit shqiptar, do të kërkonte ndryshime të thella kushtetuese dhe do të hapte një debat të rrezikshëm e tejet të ndjeshëm për natyrën e shtetit shqiptar.
Një nga asetet më të çmuara të Shqipërisë është harmonia fetare. Myslimanë sunitë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë, duke ndërtuar një model të rrallë tolerance, i cili shpesh përmendet si shembull pozitiv në botë. Ky model është mbështetur pikërisht mbi parimin e barazisë së komuniteteve fetare përpara ligjit dhe mbi mungesën e privilegjeve politike apo territoriale për seicilin prej tyre.
Një Shtet Bektashi në Tiranë, si një entitet me status të veçantë, do të krijojë menjëhere perceptimin e trajtimeve të diferencuara mes komuniteteve fetare. Një precedent i tillë do të nxiste diskutime dhe projekte të ngjashme nga grupe apo komunitete të tjera, si për shembull komuniteti ortodoks në Jug të vendit, duke sjellë debate të panevojshme mbi autonominë, statuset speciale apo ndarjet territoriale.
Këto debate dhe ndasi nuk kanë qenë kurrë pjesë e traditës shtetformuese shqiptare. Ne jetojmë në Ballkan. Dhe në Ballkan, çështjet që lidhen me territoret, identitetet fetare dhe komunitetet kanë qenë historikisht burim tensionesh.
Për këtë arsye, çdo model që lidh sovranitetin me përkatësinë fetare do të interpretohet nga aktorë të ndryshëm në rajon si një precedent politik. Një shtet Bektashi në Shqipëri do t’i jepte shkas Kishës dhe komunitetit serb në Kosovë të kërkonin shtetin e tyre ngjashëm me atë të Baba Mondit në Tiranë!
Prandaj Baba Mondi, mos u mashtro nga Rama! Bektashinjtë kanë një rol të rëndësishëm në historinë kombëtare shqiptare. Ata kanë kontribuar në Rilindjen Kombëtare, në përhapjen e gjuhës shqipe dhe në forcimin e identitetit kombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo diskutim mbi statusin e institucioneve të tyre duhet të mbështetet mbi respektin ndaj këtij kontributi dhe mbi parimet kushtetuese që garantojnë barazinë e të gjitha komuniteteve.
Debati për një status të veçantë të Kryegjyshatës Bektashiane, por jo për një shtet të mirëfilltë të saj në Tiranë, duhet të zhvillohet në frymën e dialogut, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës sonë dhe të harmonisë fetare që kemi arritur.
Përmes shekujsh tashmë, ne kemi ndërtuar një model unik të bashkëjetesës fetare dhe ky model mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit.
Sot këtë rrezikshmëri të Shtetit Bektashi në Tiranë duhet ta denoncojnë të gjithë intelektualët dhe figurat me peshë publike, të gjithë patriotët që u dhimbset të qenit unik të shtetit shqiptar dhe jo lodër e pazareve të ndyra të Ramës! Edhe gazetarët me peshë në opinionin tonë publik duhet ta thonë të tyren.
NE të gjithë duhet ta ruajmë si sytë e ballit asetin themelor të Shqipërisë, si shtet laik dhe i pandashëm. Nuk mund dhe nuk duhet t’i hapim derën krijimit të një shteti fetar brenda trupit të saj, pavarësisht nga kontributi i jashtëzakonshëm në historinë tonë i komunitetit bektashi.
Baba Mondi nuk duhet të kthehet në vegël të Ramës!
Bektashizmi ka qenë dhe do të mbetet shtylla e shqiptarisë. Bektashinjtë nuk mund të përdoren nga segmente sioniste, kushdo qofshin ato! Bektashizmi nuk mund kurrsesi të shërbejë si Kalë Troje për Shqipërinë, për stabilitetin rajonal e më gjerë, apo të provokojë aleancat e saj strategjike me Perëndimin dhe me Turqinë.
Bektashizmi është fe shpirtërore , besim i pastër dhe i ndershëm. Baba Mondi, mos u bëj vegël e Ramës. Mos e kalo Shtetin Bektashi në Tiranë, këtë projekt të Shkatërruesit të Shqipërisë, njëlloj si ky vetë ka kaluar projektet korruptive KAYO, AKSHI, inceneratorët, PPP-të dhe të gjitha aktet e tjera korruptive të sektit Rama.
𝗛𝘆𝘀𝗻𝗶 𝗟𝗲𝗽𝗲𝗻𝗶𝗰𝗮, 𝗞𝗼𝗺𝗮𝗻𝗱𝗮𝘁 𝗶 𝗣𝗲𝗿𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝘀𝗵𝗲𝗺 𝗶 𝗕𝗮𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗞𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿

𝗛𝘆𝘀𝗻𝗶 𝗟𝗲𝗽𝗲𝗻𝗶𝗰𝗮, 𝗞𝗼𝗺𝗮𝗻𝗱𝗮𝘁 𝗶 𝗣𝗲𝗿𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝘀𝗵𝗲𝗺 𝗶 𝗕𝗮𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗞𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿

Më 14 shtator 1943, në moshën 43 vjeçare, ra duke luftuar kundër fashizmit, në Gërhot të Gjirokastrës Hysni Lepenica.
Hysni Lepenica (1900- 1943), ishte Komandant dhe udhëheqës i rendësishëm i Luftës Antifashiste, firmëtar i Marrëveshjes së Mukjes, 1 – 2 gusht 1943, anëtar i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, komitet që doli nga kjo Marrëveshje, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar, Dëshmor i Atdheut, dekoruar pas vitit 1990 nga presidenti Sali Berisha, presidenti Alfred Moisiu dhe nga presidenti Bujar Nishani ”Nder i Kombit “.
Hysni Lepenica ishte njeri me ndjenja të thella atdhetare, ndjenja që i shndërroi në vepra duke i falur atdheut edhe jetën e tij. Ai ishte një prijës që e ndiqte pas masa e madhe e popullit, kryesisht e fshtarësisë, pasi fshtarësia ka mbajtur peshën më të madhe të asaj lufte.
Si personazh historik Hysni Lepenica është një demokrat republikan, kundër mbretërisë, antizogist, antifashist i betuar, antikomunist i bindur, duke dëshmuar karakterin e tij burrëror, për të mbrojtur deri në frymën e fundit bindjet e tij dhe idealin demokratik.
Hysni Lepenica ishte atdhetar dhe politikan vizionar, ai braktisi shpejt idetë komuniste, kundërshtoi vendosjen e yllit në kapele dhe kundërshtoi bashkëpunimin me serbo-malazest duke akuzuar Partinë Komuniste se ishin nën komandën e sërbëve.
Hysni Lepenica ishte produkt i rrethanave historike të një kohe që kërkonte heronj dhe ai ishte një hero.Madhështi e veprës së tij do u trasmentohet brezave të ardhshëm.
Lindi rrojti dhe vdiq duke u sakrifikuar për lirinë e popullit të tij. Në çdo çast të jetës së tij kur rrezikohej atdheu ai u tregua ushtar i denj i vendit të tij, duke u kthyer në simbol të lirisë
Që 20 vjeç djalë krejt jetën e tij e kaloi me armë në dorë dhe nëpër burgje për interesa të larta të atdheut të tij.
Hysni Lepenica ishte një luftëtar lirije, që dashurinë për atdheun e shndërroi në vepra, në beteja të shumta kundër pushtuesit të vendit të tij. Ai ishte për luftë dhe luftoi deri në fund kundër pushtuesit të huaj
Gjatë luftës Antifshiste ai do merrte pjesë ose do të komandonte më shumë se 16 beteja me shumë se kushdo tjetër. Isuf Luzi thotë se ishte trim që luftonte në këmbë.
Hysni Lepenica punoi dhe luftoi deri në fund të jetës për marrëveshje e bashkëpunim me Frontin Nacionalçlirimtar
Hysni Lepenica në BK i përkiste grupit të të rinjve të shkolluar në Europë si Safet Butka, Abas Ermenji, Zef Pali,Vasil Andoni, Skënder Muço e të tjerë, të cilët ishin për luftë pa kompromis me pushtuesin.
Dimensioni human i Hysni Lepenicës u tregua gjatë luftës sidomos në sjelljen ndaj robërve të luftës
Si politikan vizionar ai do të jetë nismëtar i themelimit të Partisë Socialdemokrate
Hysni Lepenica ishte krahu i armatosur i Ballit Kombëtar, që nuk kishte asnjë implikim me pushtuesin fashist. Eliminimi i tij mbyllte një problem të madh në planin strategjik të Partisë Komuniste e cila po e shpinte popullin drejt luftës civile. Vrasja nga fashistët e komandantit Hysni Lepenica dobësoi ndjeshëm dhe pozitat e luftetarit antifashist Sadik Premtaj në përplasjet me klikën antikombëtare E.Hoxha-Dushan Mugosha e M.Popoviç.
Vrasja e Hysni Lepenicës likujdoi krahun e armatosur të Ballit Kombëtar që ishte për luftë pa komromis me pushtuesin e huaj. Rënia e Hysni Lepenicës e la BK pa komandant në Jug të Shqipërisë për të vazhduar luftën dhe i hapi udhën Partisë Komuniste për pushtetin e
ardhshëm që synonte me çdo mjet dhe me çdo kusht.
Jam i bindur se Hysni Lepenica do t’i bëjë ballë me dinjitet gjykimit të historisë e do të lexohet me ëndje në librat e historisë. Përfundimisht do të thoshim se Hysni Lepenica me shërbimet
që i solli vendit të tij të cilit i fali edhe jetën ka fituar të drejtën për t’iu përjetësuar emëri në faqet e lavdishme të historisë së kombit tonë. Hysni Lepenicës i përket e ardhmja.
Shënim: Me jetën dhe veprën e plotë të Hysni Lepenicës mund të njiheni nëpërmjet librave të studiuesit të historisë z. Enver Memishaj (Lepenica): “Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Ballit Kombëtar” ,”Historiku i Ballit Kombëtar Vlorë “ ( dy vëllime)dhe “Hysni Lepenica, Vendi Që Zë Në Historinë e Popullit Shqiptar” etj.
𝗙𝘀𝗵𝗮𝘁𝗶 𝗠𝘂𝗿𝘀𝗶, 𝘀𝗶𝗺𝗯𝗼𝗹 𝗶 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗲𝘀𝗲𝘀 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲

𝗙𝘀𝗵𝗮𝘁𝗶 𝗠𝘂𝗿𝘀𝗶, 𝘀𝗶𝗺𝗯𝗼𝗹 𝗶 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗲𝘀𝗲𝘀 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲

Dje, më 20 shtator 2026, mora pjesë në përkujtimoren solemne në fshatin Mursi, Konispol, e organizuar nga dega e Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dega Konispol, kushtuar qëndrestarëve antikomunist të fshatit Mursi.
U përulëm me nderim dhe vendosëm kurora me lule përpara memorialit në fshatin Mursi, kushtuar heronjve të qëndresës antikomuniste, atyre që humbën jetën dhe atyre që rezistuan në burgjet e komunizmit.
Ky memorial, i ndërtuar nga vetë banorët e fshatit Mursi, këtë vit shënon 18-vjetorin e vendosjes së tij.
Organizatorët e këtij aktiviteti përkujtimor ishin z. Kristo Gogo, z. Loli Gërbura dhe z. Petrit Ali Mulla, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Konispol dhe Mursi.
Në fjalën time theksova rëndësinë e kujtesës historike, sepse një demokraci pa kujtesë është e destinuar të shuhet. Kujtesa është veçanërisht thelbësore kur bëhet fjalë për nderimin e heronjve antikomunistë dhe, në këtë kontekst, fshati Mursi qëndron si një simbol i gjallë i qëndresës kundër diktaturës dhe i luftës për liri e demokraci.
Ky fshat mbetet një simbol i sakrificës dhe rezistencës, i cili për më shumë se pesë dekada e pagoi qëndresën e tij me dhjetëra të burgosur, të pushkatuar dhe të internuar nga regjimi komunist.
Gjithashtu, solla në vëmendje vlerat e jashtëzakonshme të fshatit Mursi, rolin e tij të spikatur në qëndresën antikomuniste dhe kontributin e paharrueshëm në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë.
Propozova gjithashtu ngritjen e një muzeu kushtuar ish-të përndjekurve të këtij fshati, për realizimin e të cilit duhet të punojmë të gjithë së bashku.
Në këtë përkujtimore, nderimi iu dha emrave të atyre që dhanë jetën dhe vuajtën përndjekjen e regjimit komunist.
Fshati Mursi, gjatë periudhës së diktaturës, u bë një prej epiqendrave të qëndresës antikomuniste.
Me 32 burra dhe gra të burgosur politikë, 27 familje të internuara dhe 43 individë të arratisur jashtë vendit, Mursia vuajti përtej çdo kufiri të mundshëm.
Ky ishte një fshat që nuk u dorëzua, nuk u përkul para dhunës dhe persekutimit të regjimit komunist.
Me 1200 vite burg, internime dhe vuajtje, fshati Mursi qëndroi i fortë dhe i patundur. Ai ishte një simbol i heronjve antikomunistë, një fshat që nuk pranoi kurrë t’i dorëzohej diktaturës.
Memoriali në Mursi shënon emrat e martirëve nga ky fshat, të vrarë apo që humbën jetën nëpër burgje e internime:
1.Vasil Dhimo Gjika – i vrarë në kufi.
2.Sotir Nikolla Konomi – i vdekur në burg politik.
3.Kostandin Petro Vaso – i vdekur në burg politik.
4.Vasil Koço Mello – i vdekur në burg politik.
5.Thoma Jani Koloj – i vdekur në burg politik.
6.Vangjel Anastas Dhjamanti – i vdekur në burg politik.
7.Sotir Theodhori Taho – i vdekur në burg politik.
8.Jani Koço Danga – i vdekur në burg politik.
9.Vangjel Dhimo Gjika – i vdekur në internim.
10.Katerina Lole Çifteli – e vdekur në internim.
Ky memorial qëndron si një dëshmi e guximit të një populli të thjeshtë, por të fortë, që përballoi mizorinë e regjimit pa u thyer.
Qëndresa antikomuniste e Mursit nuk është thjesht një element i historisë lokale, por është pjesë e një tradite më të gjerë të qëndresës shqiptare ndaj regjimit komunist.
Nga fshati Mursi, 32 burra dhe gra u burgosën politikisht. Sot, memorialit iu shtuan edhe kujtimet për kulakët e Mursisë dhe të arratisurit, por mbi të gjitha edhe për Pilo Ajazin, vetëm 17 vjeç.
Të gjitha këto shifra e kishin kthyer fshatin Mursi në një fshat të goditur rëndë nga regjimi mizor i Enver Hoxhës.
Djem e vajza të reja humbën rininë në burgjet dhe internimet, në kampet e regjimit dhe pas telave me gjemba, një sistem që sakatoi shqiptarët.
Në këtë përkujtimore nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe heroi i gjallë, z. Bedri Blloshmi, i cili mbajti fjalën në këtë aktivitet, ku theksoi rëndësinë e kujtesës së qëndresës antikomuniste.
Të pranishëm ishin gjithashtu: z. Arben Dosti, nënkryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, nga Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë; z. Ergest Dule, kryetar i Bashkisë Konispol; znj. Matilda Qurku, kryetare e Partisë Demokratike të Sarandës; z. Farudin Lame, kryetar i Partisë Demokratike, Dega Konispol; z. Gjergji Mano, drejtues i Shoqatës “Vllazëria Mursiote”; z. Altin Hoxha, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; z. Andrea Baxheri, inxhinier dhe anëtar i Kryesisë së PD-së Sarandë.
Në fjalën e tij z.Kristo Gogo solli në vëmendje çaste nga vuajtjet e babait të tij, Kozma Gogo, në ferrin komunist.
Përshëndeti gjithashtu z. Gjergji Mano, në emër të Shoqatës “Vllazëria Mursiote” si dhe mbajtën fjalën kryetari i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe organizatori i kësaj përkujtimore,z. Petrit Mullai, dhe kryetari i Bashkisë Konispol, z. Ergest Dule.
Pas kësaj ceremonie përkujtimore, aktiviteti vazhdoi me biseda me familjarë të familjeve të persekutuara nga regjimi komunist, të cilët ishin të pranishëm në këtë përkujtimore.
Së bashku me organizatorët diskutuam edhe për krijimin e Muzeut të Qëndresës Antikomuniste të Mursisë, një ide që duhet ta kthejmë në realitet, në mënyrë që historia, sakrifica dhe vuajtjet e këtyre familjeve të mos harrohen kurrë.
Të pranishmëve dhe organizatorëve u dhurova gjithashtu libra simbol të letërsisë së burgut: Gjuetia e pëllumbave, Muzat e qëndresës, Rrëfime nga ferri komunist dhe Tragjedia e inteligjencës së naftës.
Memoriali i Mursit nuk është vetëm një monument fizikë. Ai është një dëshmi e kujtesës, e sakrificës dhe e qëndresës së njerëzve që vuajtën, luftuan dhe humbën jetën përballë diktaturës. Kjo kujtesë duhet të ruhet dhe t’u përcillet në veçanti të rinjve.
𝗞𝗲𝗿𝗸𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝗺𝗮𝘀𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗮𝗿𝗿𝗲𝘀𝘁𝗶𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗮 𝗛𝘆𝘀𝗲𝗻𝗶𝗻 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗺𝗲𝗴𝗮𝘀𝗸𝗮𝗻𝗱𝗮𝗹 𝗶 𝗸𝗿𝘆𝗲𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗶𝘁 𝗥𝗮𝗺𝗮!

𝗞𝗲𝗿𝗸𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝗺𝗮𝘀𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗮𝗿𝗿𝗲𝘀𝘁𝗶𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗮 𝗛𝘆𝘀𝗲𝗻𝗶𝗻 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗺𝗲𝗴𝗮𝘀𝗸𝗮𝗻𝗱𝗮𝗹 𝗶 𝗸𝗿𝘆𝗲𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗶𝘁 𝗥𝗮𝗺𝗮!

Kërkesa për masën e arrestit, e nxjerrë sot nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Vlora Hysenit, drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) përbën një megaskandal me peshë të errët dhe të rëndë për shtetin shqiptar. Rasti prek njëkohësisht qeverinë, strukturat e sigurisë kombëtare, si dhe raportin ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësisë së qeverisë së vendit.
Kjo kërkesë ndaj një drejtuesi të Shërbimit Informativ Shtetëror është një ngjarje jashtëzakonisht serioze për çdo shtet. Kur personi që drejton institucionin më të rëndësishëm të inteligjencës së vendit përballet me një procedim penal, ngjarja nuk mund të shihet vetëm si një çështje individuale. Ajo krijon një tronditje, një tërmet institucional dhe ngre pyetje të forta mbi mënyrën se si janë bërë emërimet, si është ushtruar kontrolli institucional dhe si është garantuar integriteti i strukturave të sigurisë kombëtare.
Ky megaskandal implikon direkt kryeministrin Rama. Ndryshe nga një hetim i zakonshëm ndaj një zyrtari të administratës, një procedim ndaj drejtueses së SHISH-it ka një dimension të shumëfishtë. SHISH është institucion i sigurisë kombëtare dhe informacioni që përpunon lidhet me sigurinë e vendit, kundërspiunazhin, kërcënimet ndaj institucioneve dhe interesave kombëtare, si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.
Kërkesa për masën e arrestit për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror përbën një turp kombëtar dhe Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për faktin se ku e ka katandisur me emërimet e tij sigurinë kombëtare! Ky arrestim ngre shqetësime serioze mbi besueshmërinë, sigurinë e informacionit, zinxhirin institucional të përgjegjësisë dhe reputacionin e shtetit shqiptar. Ai nuk duhet dhe nuk mund të kalojë në heshtje.
Kërkesa për masën e arrestit ndaj Vlora Hysenit ka krijuar një problem të rëndë edhe për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të konsolidojë më tej integrimin e saj europian. Partneritetet në fushën e sigurisë mbështeten në besimin reciprok, profesionalizmin e institucioneve dhe në mbrojtjen e informacionit sensitiv. Në këtë kontekst, një krizë që prek drejtimin e institucionit shqiptar të inteligjencës ka potencial të dëmtojë reputacionin institucional të vendit.
Kjo kërkesë e SPAK përbën një nga ato ngjarje që testojnë seriozisht cilësinë e shtetit. Në Evropë raste të tilla të arrestimit apo kërkesës për arrest të kreut të institucionit të sigurisë kombëtare nuk gjen në 80-100 vitet e fundit! Edhe në rregjimet diktatoriale dhe të korruptuara të Afrikës apo Amerikës së Jugut, rastet janë shumë të rralla, gati unikale.
Kryeministri autokrat i vendit tonë përballet sot me një pyetje politike që nuk e shmang dot, edhe pse pas kërkesës për arrest nxitoi ta shkarkonte Hysenin: si u bë e mundur që një person i zgjedhur për të drejtuar një prej institucioneve më sensitive të shtetit shqiptar të përfshihet në një situatë të tillë?
Kjo kërkesë për arrest, ky turp i Shtetit shqiptar, kjo njollë e rëndë mbi qeverisjen e sektit në pushtet, e ngre gishtin denoncues ndaj përgjegjësisë madhore politike për standardin e emërimeve dhe të funksionimit të institucioneve tek ti Rama! Dhe kërkon vetëm një zgjidhje: dorëheqjen tënde, largimin një orë e më parë nga përgjegjësitë e drejtimit të këtij vendi, që ti i shkatërrove, i përçudnove dhe i njollose!
𝗧𝗲 𝗻𝗱𝗶𝗵𝗺𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗜𝗦𝗛 𝘁𝗲 𝗺𝗯𝗿𝗼𝗷𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝗻 𝗻𝗴𝗮 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶, 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗻𝗴𝗮 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶!!

𝗧𝗲 𝗻𝗱𝗶𝗵𝗺𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗜𝗦𝗛 𝘁𝗲 𝗺𝗯𝗿𝗼𝗷𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝗻 𝗻𝗴𝗮 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶, 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗻𝗴𝗮 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶!!

Sipas kuadrit tonë ligjor, drejtori i SHISH emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e kryeministrit. Kjo e bën kryeministrin një aktor të drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së personit që do të drejtojë shërbimin informativ.
I. Përgjegjësia fatale e Ramës në zgjedhjen e Vlora Hysenit si drejtuese e SHISH
Fakti që Rama e emëroi këshilltaren e tij të sigurisë, përpara se sa ta propozonte për drejtuese të SHISH, e bën edhe më të rëndë përgjegjësinë politike dhe institucionale të drejtuesit të sektit në qeverisje. Kjo, pasi pushteti politik nuk mund të shmangë pyetjet legjitime që lindin nga mënyra se si përzgjidhen dhe kontrollohen funksionarët që mbajnë postet më sensitive të shtetit, dhe që pastaj janë të akuzuar për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar.
Në shkrimin e tij të sotëm “Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror”, Evarist Beqiri, studjues i shkëlqyer dhe ekspert i sigurisë, thekson se “Emërimi i një individi të shkarkuar më parë nga inteligjenca në Prishtinë dhe katapultimi i saj, në majë të inteligjencës në Tiranë, pa kaluar filtrat e ashpër të vettingut, tregoi se si elitat tona politike i përdorin shërbimet si shpërblim besnikërie. Kështu u instalua “lidershipi i helmatisur”, një model ku besnikëria ndaj pushtetit zëvendësoi atë ndaj ligjit… Nëse inteligjenca kthehet në vegël qorre të pushtetit, shteti humbet busullën. Kjo ngjarje provon dramatikisht se teknologjia dhe pushteti vlejnë zero, pa institucione të forta dhe individë me integritet.”.
Me Vlora Hysenin këshilltare për sigurinë të Edi Ramës dhe më pas propozuar për një post kaq të rëndësishëm, jo vetëm opozita, por mbarë opinioni publik dhe qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë mbi kriteret e përzgjedhjes, procesin e verifikimit dhe informacionin që ka shoqëruar këtë vendimmarrje si drejtuese e SHISH. Kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime konkrete: çfarë dinte kryeministri dhe dinin institucionet, kur e dinin dhe cilat procedura verifikimi u përdorën.
Në një shtet ligjor, këto pyetje janë pjesë e llogaridhënies publike. Pikërisht për shkak të rëndësisë së SHISH-it, çdo dyshim serioz që prek drejtimin e tij duhet të shoqërohet me transparencë të plotë institucionale. Përgjigjja duhet të vijë nga dokumentet, procedurat, kronologjia e verifikimeve dhe institucionet kompetente.
II. Të përcaktojmë sa ka hyrë bota e krimit në SHISH!
Nëse marrëdhëniet personale të Hysenit kanë krijuar mundësi për akses nga bota e krimit në informacion të klasifikuar, ndikim mbi burime informative, ndërhyrje në procedurat e SHISH-it apo orientim të vendimmarrjes së tij, ne këtu kemi problem të mprehtë dhe të madh të sigurisë kombëtare.
SHISH nuk është një institucion i zakonshëm administrativ. Informacioni që prodhon lidhet me sigurinë kombëtare, me krimin e organizuar, me terrorizmin, me rreziqet ndaj rendit kushtetues dhe me kërcënime të tjera strategjike. Për këtë arsye, çdo dyshim se një person jashtë strukturave të shtetit mund të ketë pasur ndikim mbi informacionin ose vendimmarrjen e shërbimit kërkon një verifikim shumë më të thellë sesa thjesht përcaktimi i natyrës së marrëdhënies personale.
Ne si deputetë, krahas kërkesës për dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit, për shkak të këij megaskandali, duhet të kërkojmë përgjigje për disa çështje me interes kombëtar:
A ka pasur krimi i organizuar akses, drejtpërdrejt ose nëpërmjet personave të tjerë, në informacion të klasifikuar ose të ndjeshëm të SHISH-it?; A ka ekzistuar ndonjë komunikim apo ndërmjetësim, përmes të cilit krimi i organizuar mund të ketë ndikuar në prioritetet operative ose informative të institucionit? A janë marrë vendime brenda SHISH-it, që mund të jenë ndikuar nga interesat e krimit të organizuar dhe a ka pasur raste kur informacioni i prodhuar nga SHISH është përcjellë tek persona që nuk kishin të drejtë ta merrnin atë, duke interferuar me krimin e organizuar?
Këto janë pyetje që prekin drejtpërdrejt themelet e Shtetit dhe interesin publik. Publikimi i bisedave personale nuk duhet të përdoret për të larguar vëmendjen nga thelbi, që konsiston në kryepyetjen: a janë cenuar sekretet shtetërore, siguria kombëtare dhe informacionet e shkëmbyera me partnerët ndërkombëtarë?
III. Të përcaktohet qartë dëmi që kontaktet e paautorizuara të Hysenit i kanë shkaktuar SHISH
Nuk mjafton të përcaktohet, nëse ish-drejtuesja Hyseni ka pasur kontakte me persona të caktuar. Duhet të zbulohet, nëse këto kontakte kanë prodhuar pasoja konkrete të dëmshme për funksionimin e institucionit. Duhet të verifikohet nëse zyrtarë të SHISH-it kanë lehtësuar kontakte të paautorizuara, nëse është fshehur ose manipuluar dokumentacion institucional, nëse informacione të rëndësishme nuk janë raportuar në zinxhirin përkatës, nëse është penguar ndonjë kontroll i brendshëm ose i jashtëm, apo nëse ka pasur ndërhyrje në ruajtjen e provave dhe gjurmëve dokumentare apo elektronike.
Çështja që kërkon verifikim të posaçëm është ajo e fshirjes së pamjeve filmike të takimeve. Nëse ekzistojnë regjistrime që, sipas rregullave të sigurisë, duhet të ruheshin dhe ato janë fshirë në mënyrë të parregullt, çështja nuk është thjesht teknike. Duhet të përcaktohet se kush kishte akses te sistemet e regjistrimit, kush autorizoi fshirjen, kur është bërë ajo dhe nëse janë respektuar procedurat e ruajtjes së të dhënave.
Asgjësimi i një raporti të brendshëm të vitit 2023 duhet të jetë pjesë e verifikimit. Duhet të përcaktohet çfarë statusi dokumentar kishte raporti, cilat ishin rregullat për ruajtjen e tij, kush kishte kompetencë për administrimin ose asgjësimin e dokumentit dhe nëse këto procedura janë zbatuar.
Nëse dokumenti përmbante të dhëna që lidhen me një rrezik të sigurisë, me një konflikt interesi ose me një informacion të rëndësishëm operacional, atëherë rëndësia e tij bëhet akoma dhe më e madhe.
Një tjetër çështje veçanërisht sensitive dhe e rëndë është kontraktimi, përmes procedurave sekrete, të personave të palicencuar për sigurinë informatike të SHISH-it. Hetimi duhet të përcaktojë nëse këta persona janë kontraktuar, çfarë autorizimesh dhe certifikimesh sigurie kanë pasur, në çfarë sistemesh kanë pasur akses dhe kush e ka autorizuar përfshirjen e tyre.
Në një institucion inteligjence, siguria kibernetike nuk është thjesht çështje e administrimit të një sistemi IT. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e burimeve, komunikimeve, identiteteve, dokumenteve dhe informacionit të klasifikuar.
IV. Skandali në SHISH dhe dimensioni ndërkombëtar
SHISH-i nuk funksionon i izoluar nga partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë dhe të shërbimeve inteligjente të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve inteligjente bazohet në një parim themelor: besimin se informacioni i shkëmbyer do të ruhet, do të përdoret vetëm për qëllimet e autorizuara dhe do të mbrohet nga akseset e paautorizuara.
SHISH-i është pjesë e këtij rrjeti bashkëpunimi. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, bashkëpunon me partnerë të shumtë në fushat e sigurisë kombëtare, terrorizmit, krimit të organizuar, kundërspiunazhit dhe kërcënimeve hibride.
Prandaj, nëse një hetim do të provonte se informacion i klasifikuar është ekspozuar ndaj personave të paautorizuar, çështja do të kishte potencialisht edhe dimension ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, marrëdhëniet e sigurisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të një rëndësie të veçantë. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe inteligjencës përfshin shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin kundër kërcënimeve që prekin të dyja vendet.
Në këtë kontekst, çdo dyshim për cenimin e informacionit të klasifikuar do të kërkonte verifikim të kujdesshëm, për të përcaktuar nëse informacion i sigurisë, i marrë nga partnerët amerikanë është prekur.
Vetëm një përgjigje e bazuar në prova mund të përcaktojë nëse ka pasur apo jo pasoja në marrëdhëniet e inteligjencës Shqipëri–SHBA, dhe kjo përgjigje u duhet bërë e njohur partnerëve amerikanë .
I njëjti parim vlen për bashkëpunimin me shërbimet e vendeve kryesore evropiane. Franca, Gjermania, Italia dhe vende të tjera të BE-së kanë struktura të fuqishme të inteligjencës dhe të sigurisë me të cilat Shqipëria bashkëpunon në fusha të ndryshme.
Nëse informacion i klasifikuar i shkëmbyer me këto vende do të ishte përfshirë në ndonjë incident sigurie, atëherë SHISH ka për detyrë të informojë partnerin përkatës nga BE, duke e siguruar për siguri maksimale këtej e tutje. Këto janë çështje profesionale dhe institucionale, jo çështje që duhet të zgjidhen përmes deklaratave politike.
Nëse institucionet shqiptare reagojnë me hetim profesional, identifikojnë përgjegjësit, forcojnë kontrollet dhe garantojnë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, kjo mund të shërbejë edhe si mekanizëm për rikthimin ose forcimin e besimit institucional.
xxx
Punonjësit e ndershëm dhe profesionistë të SHISH nuk duhen identifikuar me drejtuesit kriminalë. Ata duhet të mbrohen dhe të inkurajohen, që të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Ju ftoj të gjithëve Ju, edhe Ju deputetë të shumicës, që ta trajtojmë këtë si çështje prioritare të sigurisë sonë kombëtare, me transparencë, kontroll institucional dhe përgjegjësi politike.
Si deputet i Partisë Demokratike, kërkoj hetim të plotë dhe të pavarur mbi çdo depërtim të mundshëm të krimit në SHISH, verifikimin e çdo informacioni të klasifikuar që mund të jetë cenuar ose shpërndarë në mënyrë të paligjshme, hetimin e zinxhirit drejtues dhe politik që lejoi ose mbuloi këtë situatë, informimin transparent të partnerëve të NATO-s për përmasat e cenimit të mundshëm, si dhe dorëheqjen e menjehershme të Edi Ramës, si jo vetëm si Autokrati dhe Shkatërruesi i Shqipërisë, por edhe si personi që e mori këshilltare dhe pastaj e propozoi Vlora Hysenin si drejtuesen e SHISH-it, dhe që mban përgjegjësinë kryesore fatale politike të këtij megaskandali.
V.o: Disktutim i përgatitur për t’u mbajtur në seancën e ditës së enjte 24 shtator, e cila çuditërisht u mbyll pa diskutime deputetësh nga kryetari Niko Peleshi, ndihmuar nga disa deputetë bllokues foltoresh.
𝗡𝗶𝘀𝗺𝗮 𝗴𝗿𝗲𝗸𝗲, 𝘀𝗵𝗲𝗺𝗯𝘂𝗹𝗹 𝗾𝗲 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗮 𝘇𝗯𝗮𝘁𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗲𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲!

𝗡𝗶𝘀𝗺𝗮 𝗴𝗿𝗲𝗸𝗲, 𝘀𝗵𝗲𝗺𝗯𝘂𝗹𝗹 𝗾𝗲 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗮 𝘇𝗯𝗮𝘁𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗲𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲!

Nisma greke për uljen nga data 31 gusht 2026, të çmimeve të 1660 artikujve të përdorimit të përditshëm me një mesatare 7 përqind(praktikisht heqja e TVSH-së), për një periudhë 2-4 mujore, përfaqëson një shembull të mirë. Kur vendi fqinj ndërhyn për të lehtësuar koston e shportës së konsumatorit, edhe ne duhet me urgjencë të ndërtojmë një mekanizëm për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sidomos atyre ushqimore. Për më tepër që tek ne të ardhurat për fryme janë dy herë më pak se në Greqi.
Disa herë, ne si Parti Demokratike kemi sjellë në Kuvend projektligjin për heqjen ose uljen
e TVSH-së për produktet ushqimore, si masë për të përballuar shtimin e ndjeshëm dhe mjaft shqetësues të kostos së jetesës dhe rënies së fuqisë blerëse për qindra mijëra familje shqiptare. Pse të mos e zbatojmë tani heqjen e përkohshme të TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe artikujt shkollorë?
Fillimi i shtatorit është periudhë me shpenzime të shtuara për familjet. Në pak javë bashkohen blerjet ushqimore, produktet e higjienës, materialet shkollore, veshjet dhe këpucët për fëmijët, shpenzimet e transportit dhe faturat e tjera familjare. Me të drejtë kryetari i Partisë Demokratike propozoi pardje heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, mbulimin e shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik.
Disa herë Partia Demokratike ka kërkuar me forcë vendosjen e Minimumit Jetik Zyrtar, duke hasur në shurdhërinë e sektit Rama në pushtet. Si deputet i Partisë Demokratike, më 23 mars 2023 zhvillova një interpelancë në Kuvend, ku kërkova që qeveria të përcaktojë një shifër zyrtare për minimumin jetik brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.
Një reduktim mesatar prej 7% sot në qindra produkte të përdorimit të përditshëm nuk është thjesht një statistikë. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, çdo përqindje uljeje në shportën bazë ka rëndësi.
Nisma greke është interesante jo vetëm për rezultatin e synuar, por edhe si koncept politik. Mesazhi është: në vend që konsumatori të presë që konkurrenca të ulë vetvetiu çmimet, shteti krijon mekanizma që nxisin uljen e çmimeve dhe e bëjnë atë të matshme e të kontrollueshme.
Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi tregu ynë ka karakteristika që e bëjnë konkurrencën më pak efektive dhe mundësia e uljes së çmimeve nga konkurrenca është shumë e pakët. Jemi treg relativisht i vogël, me përqendrim të lartë në disa segmente tregu dhe me varësi të konsiderueshme nga importet.
xxx
Nëse një mekanizëm i ngjashëm me nismën greke do të zbatohej tek ne, me krijimin e një shporte bazë me produkte të përditshme, ku tregtarët dhe prodhuesit angazhohen për çmime më të ulëta ose më të qëndrueshme, familjet me të ardhura të pakta dhe modeste do të mbroheshin realisht, pasi shporta do të përfshinte artikujt bazë ushqimorë si buka, mielli, orizi, makaronat, vaji, shqeri, qumështi, djathi etj., si dhe produkte të higjienës dhe artikujt shkollorë.
Kjo do të kishte një avantazh të madh, pasi konsumatori ynë do të dinte se cilat produkte janë pjesë e mekanizmit të çmimeve të favorshme, cilat supermerkato dhe tregje të tjera e zbatojnë dhe do të orientohej drejt tyre.
Veçse kjo, për fat të keq, nuk mund të ndodhë në shtetin e qeverisur nga Rama dhe sekti i tij.
𝗦𝗲𝗸𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗲 𝗸𝗮 𝘀𝗵𝗻𝗱𝗲𝗿𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲 𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁!

𝗦𝗲𝗸𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗲 𝗸𝗮 𝘀𝗵𝗻𝗱𝗲𝗿𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲 𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁!

Në 14 vite (keq) qeverisje, Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në parti-shtet. Dhe shtetin ne sulltanat! Mbledh ministrat në mjedise private, pa pikë respekti për isntitucionet shtetërore dhe zyrat e shtetit. Nuk ka kurrfarë koncepti se si funksionon një qeveri përmes shkresave dhe nuk ka asnjë nuancë shtetari.
Për cilindo nga qytetarët që ende dyshon se Rama dhe sekti i tij në pushtet nuk e ka shndërruar Partinë Socialiste në parti-shtet në këto 14 vite (keq)qeverisje, mjafton të shikojë përgjigjet e dhjetë pyetjeve për praninë e autokracisë ekstreme në vendin tonë, si më poshtë:
1. A është thellësisht e politizuar administrata publike në Shqipëri?
Administrata publike është testi kryesor. Një nga treguesit më të rëndësishëm të ekzistencës ose jo të “partisë-shtet” është sa e pavarur është administrata publike nga partia politike në pushtet. Nëse qytetarët besojnë se karriera në administratë varet më shumë nga lidhja politike, sesa nga merita profesionale, atëherë shteti nuk është më i qytetarëve, por i partisë në pushtet.
Nëse nëpunësi mendon: “Duhet të jem korrekt me ministrin sepse ministri ka ardhur nga partia”, dhe jo “Duhet të jem korrekt me ligjin dhe institucionin”, atëherë shteti ka humbur humbur neutralitetin e tij dhe është bërë njësh me sektin në qeverisje.
Një administratë profesionale duhet t’i shërbejë shtetit, jo qeverisë së radhës.
2. A kanë tek ne pavarësi reale institucionet kushtetuese?
Në një demokraci funksionale, institucionet kushtetuese nuk ekzistojnë për t’i shërbyer shumicës qeverisëse. Ato janë krijuar pikërisht për të vendosur kufij ndaj pushtetit, për të kontrolluar ekzekutivin dhe për të mbrojtur qytetarin, kur shumica tejkalon kompetencat e saj.
Tek ne, nuk është se mungojnë institucionet kushtetuese dhe të pavarura në letër. Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë një numër të konsiderueshëm institucionesh me autonomi dhe përgjegjësi të veçanta. Tek ne problemi është më i thellë dhe shtrohet me pyetjen: Sa të pavarura janë ato në praktikë?
Pavarësia juridike në letër nuk është domosdoshmërisht pavarësi reale. Një institucion mund të quhet i pavarur nga ligji, por ndëkohë është i ekspozuar fort ndaj ndikimit politik, përmes mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve, financimit, emërimeve, presionit institucional, varësisë administrative dhe marrëdhënieve me shumicën parlamentare.
Këtë dobësi të theksuar dhe varësi të mëdha i ka shfrytëzuar për 14 vjet rrjesht Edi Rama dhe sekti i tij, duke i kthyer pothuajse të gjitha institucion et e pavarura dhe kushtetuese të vendit në dele të bindura të partisë-shtet.
3. Cila është shkalla e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin?
Tek ne kjo shkallë është shumë e ulët, ose gati zero. Nëse shumica për 14 vjet rrjesht i ka përdorur numrat për të miratuar çdo nismë të qeverisë, pa debat real, pa dëgjuar opozitën dhe pa reflektuar mbi kritikat e ekspertëve, atëherë Parlamenti është shndërruar në një noter të rëndomtë të qeverisë dhe në një pasqyrë fshehëse të partisë- shtet.
Në këto 14 vite, Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq, është shndërruar nga një institucion kontrolli, në një mekanizëm formal miratimi të vullnetit të Ramës dhe sektit të tij.
Një parlament i fortë nuk matet me numrin e ligjeve që miraton. Matet me sa fort kontrollon ekzekutivin dhe sa projektligje të qeverisë ka kthyer mbrapsht, ndryshuar dhe korrektuar, në varësi të besimit të tij se projektligji nuk pasqyron qartë interesat e qytetarëve.
4. A kanë ndarje dhe kufi të qartë shteti dhe partia në pushtet?
Në një demokraci normale dhe funksionale ekziston një ndarje e qartë. Partia në pushtet vendos objektivat politike. Qeveria zbaton politikat publike dhe administrata shtetërore zbaton ligjin, ndërkohë që institucionet e pavarura kontrollojnë qeverinë dhe gjykatat kontrollojnë ligjshmërinë.
Në 14 vitet e fundit, kemi parë gjithnjë e më shumë funksionarë partiakë që shfaqen si përfaqësues të institucioneve shtetërore, institucione publike, ministri dhe bashki, që përdoren për avantazh elektoral. Kemi parë burimet publike dhe aktivitetin partiak të afrohen dhe të bëhen njësh me njëri-tjetrin. Kemi parë komunikimin qeveritar dhe propagandën partiake që janë bërë edhe ato të vështira për t’u dalluar nga njëra-tjetra.
Pikërisht, kur rolet e mësipërme përzihen dhe gati bëhen njësh, krijohet terreni pjellor për lulëzimin e partisë-shtet.
5. A e kanë bërë të pavarur drejtësinë SPAK dhe reforma në drejtësi?
Edhe pse reforma në drejtësi dhe krijimi i strukturave të reja të drejtësisë kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm në arkitekturën institucionale shqiptare (sidomos SPAK ka krijuar një mekanizëm më të fuqishëm për hetimin e korrupsionit), nuk duhet krijuar iluzioni se ekzistenca e SPAK zgjidh të gjithë problemin e pavarësisë së drejtësisë së vendit.
Një demokraci funksionale ka nevojë për një ekosistem kontrollesh, jo vetëm për një institucion të fuqishëm. Nevojiten drejtësi e pavarur + Parlament kontrollues + auditim efektiv + administratë profesionale + media e lirë + shoqëri civile aktive + institucione rregullatore të pavarura. Dhe këto në 14 vitet e fundit nuk i kemi.
6. A kanë transparencë prokurimeve publike dhe PPP-të?
Tek ne, mungesa e transparencës ne tenderat publikë, e denoncuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, SELDI dhe Transparency International, është gati e plotë. Një element thelbësor për të kuptuar shndërrimin e partisë në pushtet në parti-shtet është raporti i saj me paranë publike. Tenderat, koncesionet, partneritetet publiko-private dhe projektet strategjike krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta ndërmjet shtetit dhe biznesit.
Këtu rreziku i “partisë-shtet” bëhet veçanërisht i ndjeshëm. Po pse? Sepse një parti që kontrollon qeverinë kontrollon gjithashtu pjesën më të madhe të buxhetit publik, investimeve publike, kontratave shtetërore, koncesioneve, lejeve dhe autorizimeve, politikave fiskale dhe politikave të investimeve.
Në kushtet kur transparenca dhe konkurrenca janë të ulta dhe gati zero, ndodh ngjizja e partisë-shtet. Sa më shumë vendimmarrja ekonomike të jetë e centralizuar dhe jo-transparente, aq më i madh është rreziku që pushteti politik të krijojë marrëdhënie të privilegjuara me grupe ekonomike. Sikurse sekti Rama ka krijuar në 14 vjet këto raporte okulte me oligarkët e Ramës!
7. A ka klientelizëm të thellë politik në këto 14 vite?
“Partia-shtet” nuk krijohet vetëm përmes emërimeve politike. Krijohet edhe përmes një sistemi klientelist ku krijohen marrëdhënie: parti → administratë → biznes → media → interesa ekonomike → mbështetje politike.
Në 14 vitet e (keq)qeverisjes së Ramës, ky rrjet është bërë i qëndrueshëm dhe ka kapur plotësisht shtetin. Ai funksionon vetëm përmes lidhjeve dhe aksesit tek drejtuesi i sektit në pushtet. Kjo është një nga format më të sofistikuara dhe më të rënda të kapjes së shtetit.
8. A është neutrale administrata publike gjatë zgjedhjeve?
Administrata jonë publike ka qenë shërbëtore e bindur e partisë në pushtet në çdo garë zgjedhore të përgjithshme dhe vendore të zhvilluar në 14 vitet e fundit. Ajo ka kontrolluar burime që partitë opozitare nuk i kanë, si buxhetin e shtetit, punësimet e përkohshme me sfond politik, automjetet publike, zyrat, infrastrukturën administrative, stafin, informacionin, investimet publike, programet sociale dhe fondet publike. Dhe këto burime i ka përdorur pa kursim, madje shpesh me përkushtim, për aktivitet politik!
Partia në pushtet ka në dispozicion një administratë të tërë me 182 mijë të punësuar, ndërsa një parti opozitare duhet të mbledhë fonde, të punësojë njerëz, të organizojë aktivitete dhe të komunikojë me zgjedhësit.
9. A janë të pavarura mediat dhe informacioni publik?
Në demokraci, qytetari duhet të jetë në gjendje të dallojë informacionin shtetëror nga komunikimi politik. Kur komunikimi i qeverisë bëhet dominant dhe hapësira për media të pavarura ekonomisht është e dobët, krijohet një pabarazi e theksuar në informacion.
Shteti ka burime shumë më të mëdha se një parti opozitare. Nëse këto burime përdoren në mënyrë që qeveria të ketë vazhdimisht avantazh komunikimi, atëherë zgjedhjet mund të jenë formalisht të lira, por konkurrenca politike është tërësisht e pabarabartë.
10. A ka opozita mundësi reale të konkurrojë me sektin në pushtet, që ka kontrolluar shtetin për 14 vite?
Kjo kërkon administratë neutrale, përdorim të ligjshëm të burimeve publike, media pluraliste, institucione zgjedhore të besueshme, hetim të çdo forme të keqpërdorimit të administratës dhe trajtim të barabartë të subjekteve politike.
Nëse një parti hyn në zgjedhje me avantazhin e shtetit pas vetes, madje duke qenë vetë parti-shtet, atëherë barazia e konkurrencës politike në vend vihet në pikëpyetje serioze.
xxx
Një qeveri që qëndron gjatë në pushtet duhet të jetë tejet më e kujdesshme, dhe kurrsesi jo më pak, për të garantuar pavarësinë e administratës, drejtësisë, institucioneve të kontrollit, medias dhe procesit zgjedhor. Sekti Rama në pushtet ka bërë pikërisht të kundërtë. Dhe në vend të mbajtjes së demokracisë, me partinë-shtet, ka instaluar një autokraci të thellë dhe të rrezikshme. Demokracia shuhet, kur tek qytetarët krijohet bindja se shteti është i një partie dhe se partia është e pandashme nga shteti.
Dhe pas 14 vitesh (keq)qeverisjeje të Ramës, ky është pikërisht rreziku që Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta kenë parasysh shumë më fort dhe ta marrin akoma dhe më seriozisht.