𝗞𝗟𝗚𝗝-𝗶 𝗽𝗮𝗴𝗼𝗷𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗶 𝗺𝗯𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗳𝗮𝘁𝗮𝗹 𝘁𝗲 𝗛𝗮𝗿𝘁𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗥𝗲

𝗞𝗟𝗚𝗝-𝗶 𝗽𝗮𝗴𝗼𝗷𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗶 𝗺𝗯𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗳𝗮𝘁𝗮𝗹 𝘁𝗲 𝗛𝗮𝗿𝘁𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗥𝗲

Për vitin 2025, pritshmëritë e opinionit publik ishin që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) të përshpejtonte plotësimin e vakancave në gjykata, të ulte stokun e dosjeve, të rriste transparencën, të modernizonte sistemin elektronik të dhënies së drejtësisë në gjyqësor, të forconte llogaridhënien dhe të përmirësonte administrimin e gjykatave. KLGJ dështoi në të gjitha këto detyra parësore.
I. Asnjë masë reale për të zbutur gabimin fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit!
Procesi i bashkimit të disa gjykatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, në zbatim të Hartës së Re të Gjyqësorit përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha dhe njëkohësisht një nga gabimet më fatale të Reformës në Drejtësi.
Edhe pse ky proces u reklamua si përmirësimi i efektivitetit të sistemit gjyqësor dhe si shpërndarje më racionale e burimeve, zbatimi praktik i tij edhe gjatë vitit 2025 provoi dështimin e plotë të tij, duke sjellë një sërë problematikash të theksuara, që kanë ndikuar në përkeqësimin e funksionimit të gjykatave dhe kanë dëmtuar qasjen e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Edhe gjatë vitit 2025, bashkimi i gjykatave krijoi bllokime administrative dhe ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të gjykimeve, duke vënë në pikëpyetje përfitimet reale të Reformës në Drejtësi.
U rrit ndjeshëm stresi profesional dhe rreziku i vendimeve të nxituara, nga gjyqtarët që mbartin disa funksione paralelisht dhe trajtonin me mijëra çeshtje në vit.
Një ndër pasojat më të rënda të bashkimit të gjykatave, është largësia e madhe, distanca që qytetarët janë të detyruar të përshkojnë, për të marrë shërbime gjyqësore. Për shembull, banorëve të rretheve që më parë kishin gjykata funksionale, si Kruja, Lushnja, Lezha, Puka apo Përmeti, tani u duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, me dhjetëra kilometra larg, për të ndjekur proceset e tyre.
Kjo ka sjellë kosto shtesë financiare për udhëtim dhe akomodim, humbje kohe për palët dhe dëshmitarët dhe vështirësi për shtresat në nevojë, për të ndjekur çështjet gjyqësore. Në shumë raste, qytetarët janë detyruar të braktisin apo shtyjnë ndjekjen e proceseve, për shkak të mungesës së mundësive të tyre ekonomike dhe të kohës së madhe që u duhet në udhëtim.
II. KLGJ, i pagojë ndaj protestës qytetare!
Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 52-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re, në rradhë të parë për SPAK dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re, pikë së pari KLGJ, po e përmbush këtë mision.
Në letren e tij drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”
Për 52 ditë rrjesht, KLGJ nuk ka reaguar ndaj kërkesave të protestës qytetare. Institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.
Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e saj të 53-të sot, është një nga ato raste.
III. Mangësi kronike në gjykata dhe vonesa pafund
Edhe gjatë vitit 2025, sistemi gjyqësor funksionoi me një numër të pamjaftueshëm gjyqtarësh. Si pasojë, shumë gjykata vijuan të kishin vakanca të konsiderueshme, një pjesë e gjyqtarëve u detyruan të administronin disa mijëra dosje seicili dhe u shtuan transferimet e përkohshme të gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën. Kjo situatë krijoi ngarkesë të lartë pune dhe ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e vendimmarrjes.
Një nga treguesit më shqetësues mbeti kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Në shumicën dërrmuese të gjykatave proceset civile u shtynë me muaj edhe gjatë vitit të kaluar, proceset administrative patën pritje të gjata dhe madje, edhe çështjet penale nuk shpëtuan vonesave.
Qytetarët vijojnë të jenë të detyruar të presin me vite për një vendim përfundimtar. Kjo cënon rëndë standardin kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
IV. Stoku i dosjeve nuk u ul në masën e pritshme. KLGJ e administroi dobët sistemin
Një nga objektivat kryesorë të KLGJ-së për vitin 2025 ishte reduktimi i stokut të çështjeve. Megjithatë, në shumë gjykata numri i dosjeve të prapambetura mbeti shumë i lartë dhe ritmi i zgjidhjes nuk ishte proporcional me numrin e çështjeve të reja. Masat administrative të KLGJ-së nuk dhanë efektin e pritur.
Gjatë vitit 2025, pati komandime të zgjatura, shpërndarje jo optimale të gjyqtarëve dhe pabarazi të ngarkesës ndërmjet gjykatave. Në disa gjykata kishte mbingarkesë ekstreme, ndërsa në të tjera kapacitetet nuk shfrytëzoheshin plotësisht.
Digjitalizimi mbeti larg pritshmërive. Gjatë vitit 2025, u konstatuan mungesë e një sistemi plotësisht funksional elektronik, vështirësi në aksesin online të dosjeve dhe procedura ende të mbështetura në dokumentacion fizik.
Transparenca ndaj publikut vijon të mbetet anë e dobët e KLGJ-së. Një pjesë e organizatave të shoqërisë civile kërkuan më shumë transparencë në procesin e emërimeve, procedurat disiplinore dhe vendimmarrjen administrative të Këshillit.
Administrata gjyqësore vijoi të funksionojë dobët. Shumë gjykata u përballën me mungesën e kancelarëve, numrin e pamjaftueshëm të sekretarëve gjyqësorë dhe mungesën e theksuar të specialistëve IT, duke filluar nga vetë Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, e administruar nga KLGJ!
xxx
Në tërësi, viti 2025 dëshmoi paaftësi dhe papërgjegjshmëri nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, në zgjidhjen e problemeve të mprehta të gabimit fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit, të shoqëruar këtë vit me mungesë të theksuar të integritetit dhe pavarësisë institucionale, në pagojësinë dhe mosreagimin ndaj kërkesave të protestës qytetare.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲 𝗱𝗶𝘁𝗲𝗻 𝗲 𝟱𝟭-𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝘅𝗵𝗼𝗿𝗮𝗻𝗰𝗮 𝗲𝗻𝗱𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗿𝗲𝗮𝗴𝗼𝗻!?

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲 𝗱𝗶𝘁𝗲𝗻 𝗲 𝟱𝟭-𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝘅𝗵𝗼𝗿𝗮𝗻𝗰𝗮 𝗲𝗻𝗱𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗿𝗲𝗮𝗴𝗼𝗻!?

Protesta qytetare sot ka hyrë në ditën e saj të 51-të rradhazi. Në çdo demokraci parlamentare, një protestë që zgjat 51 ditë përbën një zhvillim parësor politik dhe shoqëror, që meriton vëmendje institucionale, në rradhe të parë, nga Parlamenti, që mendohet se funksionon si përfaqësues i qytetarëve.
Kuvendi është institucioni ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve. Ai është ndërtuar për debat, përballje argumentesh dhe kontroll ndaj qeverisë. Kur një protestë qytetare vazhdon për 51 ditë radhazi, si është e mundur të rrijë Kuvendi i Shqipërisë i pagojë. Si ka mundësi të mos reagojë ky Kuvend, në përputhje me rolin e tij kushtetues?
Një parlament nuk matet vetëm nga numri i ligjeve që miraton. Ai matet edhe nga aftësia për të trajtuar çështjet që dominojnë interesin dhe debatin publik. Dhe protesta qytetare ka 51 ditë që po e dominon axhendën politike të Shqipërisë. Kur një protestë e zgjatur bëhet pjesë e jetës politike dhe shoqërore të vendit, qytetarët presin që Kuvendi të krijojë hapësirë për diskutim institucional.
I. Parlamenti nuk është vetëm një makinë votimi!
Kuvendi nuk është një makineri votimi të projektligjeve të sjella nga qeveria! Sipas Kushtetutës, ai ka tre funksione themelore: përfaqësimin e qytetarëve, miratimin e ligjeve dhe kontrollin parlamentar ndaj qeverisë.
Funksioni i tretë është veçanërisht i rëndësishëm, në situata kur ngjarje me ndikim publik zgjasin në kohë. Në këto raste, deputetët kanë në dispozicion instrumente si pyetjet parlamentare, interpelancat, seancat dëgjimore dhe debatet parlamentare për të kërkuar sqarime ose për të diskutuar çështjet e ngritura në opinionin publik.
Shumica parlamentare, për shkak se mbështet qeverinë dhe ka numrat për të përcaktuar axhendën e Kuvendit, mban një përgjegjësi të veçantë, për të garantuar që institucioni i Parlamentit të mos perceptohet si i mbyllur ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Dhe protesta qytetare 51 ditore është shqetësimi më i fuqishëm i kohës së sotme
Nëse ky Kuvendi i pagojë nga kjo maxhorancë e papërgjegjshme, nuk zhvillon debat mbi një protestë të zgjatur, qytetarët kanë plotësisht të drejtë ta konsiderojnë këtë institucion kushtetues,jo vetëm si noter të rëndomtë të qeverisë, por edhe si mos-përmbushës i funksionit të tretë themelor të tij, si kontrollues dhe llogarikërkues i qeverisë.
Mungesa e debatit mbi protestën sot provon se Kuvendi ka dështuar në detyrat e tij, duke mos e ushtruar, me vetëdije të plotë, funksioni e tij si përfaqësues i shqetësimeve të qytetarëve.
Në demokracitë parlamentare, diskutimi i çështjeve me interes të gjerë publik është një element i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies.
Në një situatë të tillë, një Kuvend i përgjegjshëm duhet urgjent të zhvillojë debat parlamentar mbi çështjet e ngritura nga protesta, të kërkojë raportim nga kryeministri për temat që lidhen me protestën, të organizojë seanca dëgjimore me ekspertë ose përfaqësues të grupeve të interesit, sipas rregullave parlamentare, si dhe të nxisë dialog politik për të ulur tensionet dhe për të rritur transparencën.
II. Detyra e sotme madhore e një deputeti
Një nga karakteristikat e demokracisë përfaqësuese është që çështjet me interes të gjerë publik të mos mbeten vetëm në rrugë, por të diskutohen edhe në institucionet e zgjedhura.
Një Kuvend “i pagojë” përballë një proteste qytetare e vë sot çdo deputet të maxhorancës përballë një zgjedhjeje madhore. Mandati i deputetit nuk kufizohet vetëm në ngritjen e kartonit për të votuar projektligje. Ai është përfaqësues i interesit publik dhe ka detyrimin të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, edhe kur ato shprehen në rrugë, përmes protestave paqësore, dhe të shprehet në Kuvend për protestën.
Protesta nuk duhet parë si armik i institucioneve të Shtetit, sikurse po e shohin deputetët e maxhorancës. Në demokracitë europiane, protestat konsiderohen pjesë normale e jetës demokratike. Ato shpesh shërbejnë si një mekanizëm për të sinjalizuar pakënaqësi që nuk janë adresuar nga institucionet. Për këtë arsye, përgjigjja institucionale nuk është heshtja dhe injorimi, por dëgjimi i kërkesave, zhvillimi i debatit parlamentar, thirrja e seancave dëgjimore, kur është e nevojshme dhe ushtrimi i kontrollit mbi veprimtarinë e qeverisë, në lidhje me shqetësimet e protestuesve.
Deputetët kanë instrumente parlamentare për të adresuar shqetësimet publike, si pyetje parlamentare drejtuar ministrave, interpelanca, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, sipas procedurave ligjore, kërkesa për debate parlamentare dhe organizimi i dëgjesave me grupet e interesit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
III. Protesta dhe këmbanat për institucionet e Drejtësisë së Re
Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 51-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re”.
Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re po e përmbush këtë mision.
Në letren e tij të djeshme, drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.
Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”
Protesta qytetare është sot test për shtetin e së drejtës, që Drejtësia e Re thotë se do e mbrojë. Një protestë e zgjatur nuk është vetëm një akt politik; ajo është edhe një ushtrim i të drejtave kushtetuese.
Reforma në drejtësi krijoi institucione me kompetenca të posaçme, të cilat u paraqitën si garancia kryesore kundër pandëshkueshmërisë. Për shumë qytetarë, pritshmëria është që këto institucione të tregojnë se janë të pavarura, jo vetëm kur hetojnë figura të opozitës, por edhe kur përballen me pushtetin e radhës.
Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht protesta qytetare duhet të prodhojë çështje penale. Kjo nënkupton se institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.
Nëse qytetarët, protestues ose jo, krijojnë përshtypjen se mekanizmat e kontrollit dhe hetimit të Drejtësisë së Re nuk funksionojnë, mosbesimi qytetar thellohet.
Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e 51-të është një nga ato raste.
𝗕𝗼𝗷𝗸𝗼𝘁𝗶 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗻𝗷𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺

𝗕𝗼𝗷𝗸𝗼𝘁𝗶 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗻𝗷𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺

Bojkoti i djeshëm nga Partia Demokratike i seancës plenare të Kuvendit ishte një gabim politik dhe institucional. Ne duhej ta shfrytëzonim foltoren e Kuvendit për të përballur sektin Rama në qeverisje me argumenta, pyetje dhe kritika, por zgjodhëm mungesën, bojkotin.
Cili është kuptimi, ideja dhe mesazhi i këtij bojkoti? Më këtë vendimmarrje, humbëm mundësinë të denonconim fort disa raste:
Së pari, votën e manipuluar të Diasporës më 11 maj 2025. Në seancën e sotme do të diskutonim për Raportin Vjetor 2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të denonconim abuzimet dhe manipulimet e kryera me voten e mbi 240 mije përfaqësuesve nga Diapora në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Do të denonconim abuzimet dhe parregullsitë me administrimin e dërgesave postare. Rastet e vonesave të qëllimshme në shpërndarjen ose kthimin e zarfeve të votimit, shkaqet pse një pjesë e zgjedhësve në Diasporë nuk morën në kohë dokumentacionin për të votuar.
Do të denonconim abuzimet me verifikimin e identitetit të votuesit dhe zinxhirin defektoz të administrimit të fletës së votimit. Në sistemet e votimit me postë, transparenca e procedurës është vendimtare për të garantuar se vota është hedhur nga personi i autorizuar dhe se ajo ka mbërritur e paprekur, deri në administrimin zgjedhor. Patronazhistët e Ramës cënuan integritetin e zgjedhjeve, duke i grumbulluar ose ndërmjetësuar me zarfet e votimit dhe duke ndërhyrë në mënyrën e administrimit të tyre. SPAK duhet t’i hetojë me përparësi këto ndërhyrje, pasi kanë patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, duke përbërë krim zgjedhor.
Do të vinim përpara përgjegjësisë KQZ, për mungesën e plotë të transparencës mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë. Procesi përfshinte regjistrimin elektronik dhe verifikimin e dokumentacionit. Kush i refuzonte dhe kush i pranonte aplikimet, sipas “rregjistrave” të patronazhistëve?
Do të kërkonim për të ardhmen përmirësimin e sistemit të gjurmimit të zarfeve postare në kohë reale; standardizimi i procedurave të verifikimit të identitetit; rritja e informimit të votuesve jashtë vendit; auditime të pavarura të procesit; si dhe një vlerësim i plotë nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë mbi funksionimin e votimit nga Diaspora.
Së dyti, do të denonconim punën e dobët dhe degradimin e institucioneve si AMF dhe INSTAT, institucione që duhej të mbronin qytetarin shqiptar nga pozitat pothuajse monopol të tregjeve financiare jobankare në Shqiperi(AMF) dhe duhej të përgatisnin tregues statistikorë të saktë e të besueshëm për vendim-marrjen financiare publike, qytetarët dhe studjuesit(INSTAT). Gje që s’e kanë bërë as gjatë vitit 2025.
Së treti, do të kritikonim dhe denonconim apatinë dhe mosveprimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion tërësisht në mbrojtje të korrupsionit në Drejtësi.
Së katërti, duhej të denonconim gjendjen skandaloze financiare dhe korrupsionin e thellë në Radio Televizionin Shqiptar, institucion që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Si dhe apatinë dhe skllavërimin nga sekti Rama të Autoritetit të Mediave Audiovizuale(AMA), institucion që nuk ka gojë të vihet kundër goditjeve të Ramës ndaj mediave të pavarura.
Së pesti, dhe më kryesorja, do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-stë sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Mbështetja jone ndaj kërkesave të protestuesve mund dhe duhet të shërbejë për t’i kthyer ato në iniciativa parlamentare dhe propozime konkrete.
Me protestën e kemi domosdoshmëri të koordinohemi për kërkesën kryesore të saj, dorëheqjen e autokratit Rama. Si dhe për Kodin e Ri Zgjedhor, pasi tashmë nuk janë dy palë, mazhorancë-opozitë në këtë reformë themelore, por shtohet mendimi qytetar i protestës. Duhet të koordinohemi edhe për realizimin e qeverisë teknike, sipas përcaktimeve të protestës qytetare.
Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë.
Koordinimi, edhe pse jo institucional, mes veprimit parlamentar të opozitës dhe angazhimit qytetar në protestë, duhet dhe do të rrisë presionin politik për transparencë, debat dhe llogaridhënie. Opozita ka në dispozicion instrumente si interpelancat, komisionet hetimore, amendamentet dhe debatin parlamentar dhe sot duhet t’i përdorë sa më dendur ato, e jo të bojkotojë seanca plenare të Kuvendit.
xx
Historia politike shqiptare ka treguar se bojkotet parlamentare rrallëherë kanë prodhuar rezultatet që kanë synuar. Përkundrazi, ato kanë krijuar boshllëqe në përfaqësimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar vetë rolin kushtetues të opozitës.
Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime.
Koha sot është e Parlamentit Qytetar të protestës dhe e opozitës. Ajo po punon mbrapsht për sektin Rama, qeverinë , maxhorancen dhe Kuvendin si noter të rëndomtë të Ramës. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Dhe këtë nuk e bëjmë dot përmes bojkoteve.
𝗙𝗼𝗻𝗱𝗶 𝗥𝗲𝘇𝗲𝗿𝘃𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘀𝗽𝗲𝗸𝘁𝗮𝗸𝗹𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮!

𝗙𝗼𝗻𝗱𝗶 𝗥𝗲𝘇𝗲𝗿𝘃𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘀𝗽𝗲𝗸𝘁𝗮𝗸𝗹𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮!

Me Aktin Normativ të datës 6 korrik 2026, publikuar në Fletoren Zyrtare me datë 7 korrik 2026, për t’i dhënë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit koncertit të këngëtarit ndërkombëtar Kanye West në Tiranë 4.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, sekti Rama vulosi papërgjegjshmërinë e tij ekstreme dhe aventurë më të pamend, në përdorimin e fondeve publike gjatë këtyre 14 viteve.
Kushtetuta në Nenin 101 të saj, e ka përcaktuar përdorimin e Aktit Normativ, duke prekur fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit për një vit ushtrimor, si fond që mund të përdoret ekskluzivisht për situata të jashtëzakonshme, kur kemi katastrofa natyrore, rreziqe të sigurisë kombëtare, apo emergjenca të papritura të shëndetit publik.
I. Vija e kuqe e përdorimit të paravë të shqiptarëve
Ka një vijë të kuqe që asnjë qeveri nuk duhet ta kalojë. Ajo quhet respekt për paratë e taksapaguesve.
Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit nuk është krijuar për të sponsorizuar koncerte, festivale apo spektakle, sado të famshëm të jenë artistët që ngjiten në skenë. Ai nuk është një “portofol sekret” i qeverisë për të financuar projekte që nuk kalojnë filtrin normal të planifikimit buxhetor. Është një mekanizëm i jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme.
Një koncert nuk është tërmet. Një koncert nuk është përmbytje. Një koncert nuk është pandemi.
Një koncert nuk është krizë kombëtare. Atëherë, me çfarë logjike mund të justifikohet përdorimi i një fondi që ekziston pikërisht për emergjenca?
Nëse sot Fondi Rezervë përdoret për një aktivitet artistik, nesër mund të përdoret për një festival privat, pasnesër për një fushatë marketingu dhe më vonë për çdo projekt që qeveria nuk ka pasur guximin ose shumicën politike ta planifikojë në buxhet. Kështu nuk ndërtohet një shtet modern; kështu ndërtohet dhe betonohet arbitrariteti dhe autokracia e Edi Ramës!
Më shqetësuese se vetë shuma është filozofia që fshihet pas saj. Është filozofia, sipas së cilës, sekti Rama në pushtet sillet sikur fondet publike janë pronë e tij dhe jo pronë e qytetarëve. Është filozofia, sipas së cilës aktet normative mund të përdoren për të shmangur debatin parlamentar. Është filozofia sipas së cilës spektakli vlen më shumë se rregulli.
Por pikërisht rregulli është ai që mban në këmbë financat publike. Fondi Rezervë në një demokraci të përgjegjshme dhe jo autokraci, është “airbag-u” i Shtetit. Askush nuk e çmonton airbag-un, për të instaluar një sistem muzikor më të fuqishëm në makinë! Sepse kur ndodh aksidenti, mbrojtja nuk ekziston më.
Edhe shteti funksionon me të njëjtën logjikë. Nëse fondi rezervë shndërrohet në një instrument për shpenzime të planifikueshme, ai pushon së qeni fond rezervë. Ai bëhet një buxhet paralel, jashtë logjikës normale të kontrollit dhe prioriteteve publike.
II. Fondi Rezervë është për emergjenca natyrore dhe shëndetësore, jo për spektakle!
Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme të sigurisë financiare të vendit. Qëllimi i tij është krejtësisht tjetër: përballimi i situatave të paparashikuara, emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, krizave shëndetësore apo nevojave të jashtëzakonshme që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Fondi Rezervë nuk mund të preket kurrsesi për shpenzime rutinë, apo për politika afatgjata zhvillimi. Financimi me miliona euro nga Buxheti i Shtetit i një aktiviteti privat muzikor të këngëtarit reper Kanye West në Tiranë, përfaqëson një rast të pashembullt shkeljeje të Kushtetutës së Shqipërisë, papërgjegjshmërie totale ndaj disiplinës së përdorimit të fondeve publike dhe aventurizmi financiar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përdorim i Fondit Rezervë duhet të jetë i jashtëzakonshëm, i argumentuar dhe i mbështetur mbi interesin publik.
Një aktivitet artistik, sado i rëndësishëm të konsiderohet për promovimin e vendit, nuk përbën emergjencë kombëtare. Ai mund të planifikohet me muaj ose vite përpara dhe, nëse shteti vendos ta mbështesë, financimi duhet të kalojë përmes procedurave të zakonshme të hartimit dhe miratimit të buxhetit, me transparencë të plotë dhe kontroll parlamentar.
Përdorimi i fondeve rezervë për aktivitete që nuk kanë karakter të jashtëzakonshëm dobëson disiplinën fiskale. Fondi rezervë nuk është krijuar për të anashkaluar planifikimin buxhetor. Ai ekziston, pikërisht sepse askush nuk mund të parashikojë tërmete, përmbytje, epidemi apo kriza të tjera të papritura.
Nëse ai përdoret për aktivitete të planifikueshme, atëherë humbet vetë arsyeja e ekzistencës së tij.
Një praktikë e tillë krijon një precedent të rrezikshëm. Nëse sot financohet një koncert privat me fondet rezervë, çfarë do ta pengojë nesër përdorimin e të njëjtit mekanizëm për festivale, panaire, fushata promovuese apo aktivitete të tjera që nuk kanë lidhje me emergjencat?
Një shtet serioz nuk mund të funksionojë mbi logjikën e përjashtimit të përhershëm. Përjashtimi duhet të mbetet përjashtim.
Disiplina në administrimin e financave publike lidhet me parimet e ligjshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe kontrollit parlamentar. Nëse fondet publike përdoren jashtë qëllimit për të cilin janë krijuar, ose duke anashkaluar procedurat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e financave publike, kemi vetëm dhe thjesht abuzim, aventurizëm dhe papërgjegjshmëri ekstreme.
Përtej aspektit juridik, ekziston edhe dimensioni moral. Çdo euro e Buxhetit të Shtetit buron nga taksat e qytetarëve. Në një vend si Shqipëria, ku vazhdojnë të ekzistojnë nevoja të rëndësishme në shëndetësi, arsim, ujësjellës, mbrojtje civile, infrastrukturë vendore dhe mbështetje sociale, çdo shpenzim i jashtëzakonshëm duhet të justifikohet me standardin më të lartë të interesit publik.
III. Sekti Rama nuk është pronar i Buxhetit të Shtetit!
Qeveria e sektit Rama nuk është pronare e buxhetit të Shtetit. Ajo është administratore e tij.
Pronarë janë qytetarët shqiptarë. Janë pensionistët që numërojnë lekët në fund të muajit. Janë mjekët dhe infermierët që punojnë me mungesa. Janë shkollat që presin investime. Janë fermerët që kërkojnë mbështetje. Janë familjet që paguajnë taksa, me bindjen se paratë e tyre do të përdoren me përgjegjësi.
Çdo euro që sekti Rama po shpërdoron sot për një koncert është një euro e marrë nga një nevojë reale e qytetarëve.
Nëse është përdorur një akt normativ për të mundësuar një financim të tillë, atëherë lind pyetja: a po përdoren instrumentet e jashtëzakonshme të qeverisjes, për të anashkaluar kontrollin normal parlamentar?
Në një demokraci funksionale, akti normativ është përjashtim. Por jo në shtetin autokrat të Ramës. Ky sekt i sotëm në qeverisje, aktin normativ të qeverisë, nga përjashtim e ka kthyer në rregull!
Dhe kur përjashtimi bëhet rregull, ligji dhe vetë Kuvendi humbasin kuptimin dhe kthehen në vegla të autokratit.
xxx
Çështja nuk është nëse një artist ndërkombëtar duhet apo nuk duhet të performojë në Shqipëri. Çështja është, nëse paratë publike administrohen sipas ligjit dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Besimi i qytetarëve tek financat publike ndërtohet mbi një rregull të thjeshtë: fondet e jashtëzakonshme përdoren vetëm për situata të jashtëzakonshme. Çdo devijim nga ky parim është arbitraritet, autokraci dhe papërgjegjshmëri!
Në një demokraci funksionale, respektimi i disiplinës buxhetore nuk është një formalitet teknik. Ai është një garanci kushtetuese për mbrojtjen e interesit publik dhe të parasë së taksapaguesve.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗷𝗻𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗳𝗿𝗶𝗸𝗲𝘀𝘂𝗮𝗿!

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗷𝗻𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗳𝗿𝗶𝗸𝗲𝘀𝘂𝗮𝗿!

Në historinë politike të Evropës të dy dekadave të fundit, janë më dhjetra dorëheqjet e kryeministrave dhe qeverive, për shkak të protestave masive qytetare.
Ne Islande, në vitin 2009, Kryeministri Geir Haarde dha dorëheqjen vetëm 11 ditë, pas protestave masive në vend, pas kolapsit financiar të vitit 2008. Në shkurt 2012 dha dorehqejen kryeministri rumun Emil Boc, pas tre javesh protestash kundër masave shtrënguese. Në Bullgari, kryeministri Boyko Borisov (mandati i parë) dha doreheqjen vetem 14 dite, pas protestave mbarëkombëtare për çmimet e energjisë elektrike dhe varfërinë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2014 dhanë doreheqjen disa kryeministra të kantoneve dhe të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, pas nende ditesh protesta sociale për papunësinë dhe korrupsionin. Në Armeni, ne vitin 2018(vend evropian sipas Këshillit të Evropës), pas 11 diteve protesta masive paqësore, te mbiquajtura “Revolucioni i Kadifenjtë”, dha dorehqejen kryeministri Serzh Sargsyan. Ne Sllovaki po ne vitin 2018, pas shtate ditesh protestash masive ne vend, pas vrasjes së gazetarit investigativ Ján Kuciak, dha doreheqjen kryeministri Robert Fico. Ne Malte ne vitin 2020 ofroi doreheqjen kryeministri Joseph Muscat, pas 12 diteve protesta të vazhdueshme, lidhur me hetimet për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia. Ne Mal te Zi, kater vite me pare, dha doreqjen kryeministri Zdravko Krivokapić, pas gjashte diteve protesta nga kriza politike ne vend.
I. Dorëheqja, mekanizëm për marrjen e përgjegjësisë politike
Në Shqipërinë e vitit 2026, për mbështetësit e protestave të nisura më 31 maj dhe sot në ditën e 33-të të tyre, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” është shndërruar në simbolin më të njohur të lëvizjes protestuese qytetare, në gati një lloj hymni të dytë kombëtar të vendit, ku shumica e shqiptarëve sot identifikohen.
E megjithate, autokrati i Shqiperise ende nuk e ka dhene doreheqjen, ne nje kohe kur në demokracitë parlamentare evropiane, dorëheqja shihet si një mekanizëm për marrjen e përgjegjësisë politike dhe për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve, ose formimit të një shumice të re qeverisëse.
Në demokracitë parlamentare, legjitimiteti politik ndërtohet edhe mbi besimin publik, aftësinë për të dëgjuar qytetarët dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi kur krizat përshkallëzohen.
Historia evropiane njeh raste kur protesta të gjata dhe të fuqishme kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrave ose të qeverive. Në Islandë, Rumani, Bullgari, Sllovaki, dhe Armeni, presioni i vazhdueshëm qytetar u bë një faktor i rëndësishëm në vendimin për t’u larguar nga detyra. Në disa raste protestat ishin shkaku kryesor, ndërsa në të tjera, ato u ndërthurën me kriza politike, skandale apo humbje të mbështetjes parlamentare.
Në Shqipërinë tonë, situata mbetet ajo e një autokrati në pushtet, Ramës. Rama dhe sekti i tij kanë zgjedhur të mos e konsiderojnë dorëheqjen si një opsion politik. Nuk po e kuptojnë, apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë, se një protestë e zgjatur dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh, meriton një përgjigje politike më të thellë, sesa deklaratat publike apo përballja retorike nga larg me protestuesit.
II. Pse Rama fshihet pas gishtit
Një qeveri ku qytetarët i bëjnë për më shumë se katër javë rrjesht protesta të përditshme në rrugë, përballet me detyrimin për të vlerësuar seriozisht shkaqet e pakënaqësisë qytetare, për të ofruar transparencë dhe për të kërkuar rrugë dialogu. Ky dialog mund të vijë, vetën nëse Rama jep dorëheqjen. Në të kundërt, ekziston rreziku që polarizimi të thellohet dhe besimi tek institucionet të dobësohet akoma dhe më shumë.
I fshehur pas gishtit të vet, apo duke futur, si struci, kokën në rërë, a po e shmang Rama përballjen me thelbin e pakënaqësisë qytetare, duke refuzuar të konsiderojë edhe mundësinë e një përgjegjësie politike? Qeverisja nuk është vetëm ushtrim i një mandati juridik; ajo është edhe ushtrim i përgjegjësisë politike. Një nga tiparet e lidershipit demokratik është aftësia për të dëgjuar, për të reflektuar dhe për të komunikuar me qytetarët, sidomos kur pakënaqësia shfaqet në mënyrë të vazhdueshme.
Në demokracitë parlamentare, legjitimiteti politik nuk është vetëm çështje numrash në Kuvend. Ai lidhet me aftësinë për të dëgjuar qytetarët dhe për të reaguar, kur pakënaqësia publike bëhet e vazhdueshme.
III. Mungesa e reflektimit politik, “arroganca” e frikës së Ramës
Mungesa e një reagimi politik të thellë, pas javësh protestash qytetare, ka të bëjë me frikën që e ka kapluar Ramën, i cili dihej para 30 majit 2026, me sektin që mbante, i paprekshëm në detin e zullumeve të tij.
Arroganca në pushtet nuk matet vetëm nga fjalët. Ajo perceptohet, edhe kur krijohet bindja tek qytetarët, se ky pushtet autokrat nuk ka më nevojë të dëgjojë, të shpjegojë apo të korrigjojë kursin e tij.
Në çdo sistem demokratik, forca e institucioneve nuk matet vetëm nga aftësia për të qeverisur, por edhe nga aftësia për të dëgjuar ata që mendojnë ndryshe. Në një sistem autokratik, si ky i Ramës, nuk dëgjohen qytetarët dhe pakënaqësia e tyre, por vetë bëhet sikur dëgjohet.
Mungesa e një reflektimi politik të qeverisë, pas javësh protestash, nuk është asgjë tjetër, veçse nënvlerësim total dhe injorim i zërit të qytetarëve. Kur një qeveri kufizohet vetëm tek deklarata se “ka marrë mandatin nga zgjedhjet”, pa adresuar në mënyrë bindëse arsyet e protestës, krijohet përshtypja se po mbështetet vetëm te legjitimiteti formal.
Rama, ti e di se si i ke marrë ato 83 votat. Vendi sot ka hyrë në një krizë të thellë politike dhe kjo krizë nuk zgjidhet, duke injoruar shqetësimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve. Nëse një pjesë e mirë e shoqërisë proteston për javë të tëra, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm heshtja, retorika politike, ose përsëritja se shumica parlamentare mjafton.
Një protestë që vazhdon për 33 ditë rresht nuk është një episod i zakonshëm i jetës politike. Pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, një mobilizim i tillë është një sinjal se ekziston një nivel pakënaqësie tek qytetarët, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet.
Nëse kjo qeveri nuk merr përgjegjësitë e veta dhe nuk angazhohet në mënyrë bindëse me kërkesat e protestuesve, ajo rrezikon të thellojë ndarjen politike dhe shoqërore në vend. Kur qytetarët ndihen të padëgjuar, shtohet rreziku që mosbesimi ndaj institucioneve të thellohet. Arroganca e frikës së Ramës ndaj protestave qytetare po e çon vendin drejt greminës institucionale.
xxx
Një nga sfidat më të mëdha të çdo qeverie është dallimi mes forcës institucionale dhe ndjeshmërisë politike. Një shumicë parlamentare mund të sigurojë stabilitet formal, por nuk e zëvendëson dot nevojën për dialog me qytetarët, veçanërisht në periudha tensionesh të zgjatura, si kjo kohë ku jemi.
Pas 33 ditësh protestash, Shqipëria ndodhet përballë një prove të rëndësishme. Me mosveprimin dhe arrogancën e tij, Rama po i hedh zjarr përshkallëzimit të konfliktit dhe të mosbindjes civile të protestuesve. Skenat e djeshme me policinë që u konfrontua dhe ushtroi dhunë ndaj protestuesve përpara Kuvendit, por e vërtetojnë këtë.
𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

Gjatë vitit 2025, Autoriteti i Konkurrencës është përballur me një sërë mangësish, që kanë ndikuar në efektivitetin dhe besueshmërinë e tij, si institucion përgjegjës për ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Edhe pse misioni ligjor i institucionit mbetet garantimi i funksionimit të tregjeve në mënyrë të hapur dhe konkurruese, zhvillimet e vitit 2025 kanë nxjerrë në pah kufizime të rëndësishme në veprimtarinë e tij.
I. Mungesë e pavarësisë reale institucionale
Një nga problemet më të theksuara edhe gjatë vitit 2025 ka qenë ndikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i faktorëve politikë dhe grupimeve ekonomike, në proceset hetimore dhe vendimmarrjen e Autoritetit. Kjo ka bërë që hetimet ndaj disa tregjeve të rëndësishme, si ai i karburanteve, i sigurimeve, i telefonisë celulare, apo i tregtisë me pakicë, të mos përfundojnë me masa konkrete, ose të mbyllen pa rezultate të dukshme.
Në jo pak raste, hetime të nisura ndaj kompanive të mëdha apo tregjeve të ndjeshme janë zvarritur, pezulluar ose mbyllur, pa arritur në përfundime konkrete, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të jashtme. Grupet e fuqishme ekonomike, të lidhura shpesh me interesa politike, kanë ushtruar presion edhe gjatë vitit të kaluar tek AK, për të shmangur masa ndëshkuese ose publikimin e rezultateve të hetimeve.
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës i garanton Autoritetit pavarësi në veprim, por mënyra e emërimit të anëtarëve të Këshillit të tij mbetet e politizuar. Edhe gjatë vitit 2025, ky mekanizëm u vu sërish në qendër të debatit publik, pasi vendimmarrja për pozicionet e disa anëtarëve të Këshillit reflektoi më shumë balancat politike, sesa kriteret profesionale. Kjo ka krijuar një varësi të ndjeshme institucionale ndaj pushtetit ekzekutiv, duke e bërë të vështirë që Autoriteti të veprojë kundër praktikave monopoliste apo bashkimeve që mund të cënojnë tregun, kur ato përfshijnë kompani të mbështetura nga politika.
Në disa sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni apo transporti, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime për përmirësimin e klimës konkurruese, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar nga institucionet përkatëse. Kjo tregon një mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe dobësi në mekanizmat e detyrimit për zbatimin e vendimeve apo këshillave të Autoritetit.
Një tregues tjetër i mungesës së pavarësisë reale ka qenë pasiviteti i Autoritetit të Konkurrëncës, përballë zhvillimeve të ndjeshme ekonomike. Ndërkohë që çmimet e disa ushqimeve bazë dhe shërbimeve publike u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2025, Autoriteti reagoi me vonesë, shpesh duke u mjaftuar me deklarata të përgjithshme, në vend të hetimeve të plota administrative. Kjo vonesë ka ulur efektin parandalues të veprimtarisë së tij dhe ka ndikuar negativisht në perceptimin publik për rolin mbrojtës të institucionit.
Ky qëndrim pasiv lidhet jo vetëm me mungesë kapacitetesh profesionale, por edhe me mungesën e vullnetit institucional të AK, për të sfiduar interesa të fuqishme ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në politikëbërje.
II. Mangësi të theksuara në burimet njerëzore, teknike dhe në digjitalizim
Një nga problemet më të mëdha gjatë vitit 2025 ka qenë stafi i reduktuar dhe mungesa e ekspertëve me përvojë në fushën e analizës ekonomike, konkurrencës dhe vlerësimit të tregjeve. Shumë sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni, tregu financiar apo ai ushqimor, kërkojnë analiza të thelluara dhe kompetenca teknike që Autoriteti nuk ka mundur t’i sigurojë, për shkak të burimeve njerëzore të pamjaftueshme.
Numri i specialistëve të konkurrencës dhe ekonomistëve të tregut ka mbetur i ulët, ndërsa lëvizjet e shpeshta të stafit drejt institucioneve të tjera publike apo sektorit privat kanë krijuar vakume profesionale, që nuk janë zëvendësuar në kohë. Si pasojë, shumë hetime administrative janë zvarritur ose mbyllur, pa rezultate të qarta. Kjo ka kufizuar aftësinë e AK për të kryer hetime të thelluara dhe për të ndjekur me efikasitet rastet e abuzimit me pozitën dominuese, apo marrëveshjeve të fshehta ndërmjet operatorëve.
Autoriteti i Konkurrencës ka vijuar të operojë me infrastrukturë teknologjike të kufizuar, që nuk përputhet me standardet moderne të analizës së tregut. Sistemet e vjetra të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave nuk i lejojnë institucionit të kryejë analiza të avancuara për sjelljen e çmimeve, marrëveshjet e mundshme të fshehta apo abuzimet me pozitën dominuese. Në mungesë të mjeteve analitike moderne, vlerësimet për strukturën dhe dinamikën e tregjeve janë mbështetur kryesisht në të dhëna manuale dhe raporte nga vetë subjektet që hetohen, çka e kufizon ndjeshëm saktësinë dhe objektivitetin e analizave.
Gjatë vitit 2025, Autoriteti ka avancuar shumë pak në drejtim të digjitalizimit të punës. Proceset e monitorimit të tregut, hetimeve administrative dhe raportimit vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë tradicionale, duke u mbështetur në dokumentacion manual dhe procedura burokratike. Mungesa e digjitalizimit dhe mjeteve analitike moderne ka bërë që proceset e monitorimit të tregjeve të mbeten të ngadalta dhe të pasakta.
Nga ana tjetër, mungesa e një platforme dixhitale të integruar për mbikëqyrjen e tregjeve e ka bërë të pamundur ndjekjen në kohë reale të ndryshimeve të çmimeve, bashkimeve ose marrëveshjeve tregtare.
Po ashtu, mungesa e transparencës online në publikimin e vendimeve dhe rekomandimeve ka kufizuar aksesin e publikut dhe të biznesit në informacionin institucional.
Në kuadër të integrimit evropian, Shqipëria është e detyruar të përputhë funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Megjithatë, gjatë vitit 2025, ky proces ka qenë i ngadalshëm pikërisht për shkak të kufizimeve njerëzore dhe teknike. Ndryshe nga homologët në vendet e rajonit, Autoriteti shqiptar i Konkurrencës ka pasur vështirësi në përdorimin e sistemeve digjitale për analizën e tregut, në ndërtimin e databazave të integruara dhe në trajnimin e stafit me metodat bashkëkohore të hetimit të praktikave monopoliste.
III. Transparencë e kufizuar dhe komunikim publik i dobët
Një tjetër aspekt problematik ka qenë transparenca e ulët në publikimin e vendimeve dhe rezultateve të hetimeve. Shumë nga raportet e vitit 2025 nuk janë shoqëruar me argumentim të plotë ligjor dhe ekonomik, çka ka vështirësuar llogaridhënien ndaj publikut dhe ka ulur besueshmërinë e institucionit.
Mungesa e komunikimit aktiv me median dhe me bizneset ka kontribuar në perceptimin e Autoritetit si një institucion pasiv dhe burokratik. Edhe gjatë vitit 2025, shumë nga hetimet e Autoritetit ndaj sektorëve strategjikë janë mbyllur me vendime të shkurtuara dhe me mungesë argumentimi të detajuar.
Shumica e publikimeve në faqen zyrtare janë kufizuar në njoftime të përgjithshme, pa zbuluar analizat ekonomike që justifikojnë konkluzionet, çka ka vështirësuar çdo kontroll publik mbi vendimmarrjen. Kjo praktikë ka krijuar perceptimin se Autoriteti operon me dy standarde: një për opinionin publik dhe një tjetër për subjektet që hetohen. Në një kohë kur transparenca dhe komunikimi janë thelbësore për besimin në institucionet publike, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2025 ka treguar një prani shumë të zbehtë në hapësirën publike, sidomos në atë televizive dhe në rrjetet sociale, edhe pse çështjet që trajton AK janë në interes të fortë të qytetarëve.
Konferencat për shtyp, deklaratat zyrtare dhe raportimet periodike kanë qenë të rralla dhe shpesh të vonuara, duke i lënë qytetarët dhe bizneset pa informacion të qartë mbi hetimet e nisura apo vendimet e marra. Edhe në raste të akuzave në media për marrëveshje të fshehta në tregje të ndjeshme, Autoriteti ka preferuar heshtjen institucionale, në vend të një qëndrimi reagues të qartë dhe profesional. Kjo qasje ka dobësuar ndjeshëm perceptimin e tij si një autoritet dhe mbrojtës aktiv i interesit publik.
xxx
Raporti vjetor i Autoritetit për vitin 2025 është formal dhe më shumë përmbledhës, sesa analitik. Ai ofron të dhëna të përgjithshme mbi numrin e hetimeve apo rekomandimeve, por i mungon analiza konkrete për ndikimin e vendimeve në treg dhe tek konsumatorët.
Pa një raport të thelluar dhe të qartë për publikun, transparenca e Autoritetit ka mbetur në nivel administrativ, pa krijuar realisht llogaridhënie apo ndjeshmëri shoqërore mbi rolin që luan ky institucion në mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit.
Mungesa e transparencës online dhe e komunikimit në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale e kanë bërë Autoritetin një institucion pak të dukshëm, që vepron në prapaskenë, pa shpjeguar publikisht rolin dhe ndikimin e tij në ekonomi.
Këto mangësi kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në perceptimin publik. Bizneset e vogla dhe konsumatorët e shohin Autoritetin si një institucion të largët, me rol të kufizuar praktik, ndërsa kompanitë e mëdha shpesh nuk e ndjejnë presionin e kontrollit të tij institucional.
Kur mungon transparenca, zbehet edhe efekti parandalues që duhet të ketë veprimtaria e Autoritetit të Konkurrëncës në treg. Pa komunikim të hapur dhe pa llogaridhënie, institucioni humbet besueshmërinë dhe ndikimin real në mbrojtjen e konkurrencës.
𝗗𝗔𝗣 𝗹𝗲𝗷𝗼𝗻 𝟭𝟭 𝗺𝗶𝗷𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲 𝘃𝗮𝗸𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝗻 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘃𝗶𝘁𝗶𝗻 𝟮𝟬𝟮𝟱!

𝗗𝗔𝗣 𝗹𝗲𝗷𝗼𝗻 𝟭𝟭 𝗺𝗶𝗷𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲 𝘃𝗮𝗸𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝗻 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘃𝗶𝘁𝗶𝗻 𝟮𝟬𝟮𝟱!

Departamenti i Administratës Publike (DAP) mbetet një nga institucionet kyçe në menaxhimin e shtetit tonë, pasi është përgjegjës për ndërtimin dhe mirëfunksionimin e shërbimit civil, për rekrutimin e nëpunësve publikë, si dhe për garantimin e standardeve të profesionalizmit, meritës dhe transparencës në administratë.
Për fat të keq, edhe gjatë vitit 2025, me gjithë përpjekjet e institucionit, kjo strukturë nuk i ka përmbushur misionin dhe objektivat e mësipërme madhorë të tij. Edhe pse Raporti i tij vjetor përpiqet të paraqesë një tablo të ndritshme të performancës shtetërore, me gjoja profesionalizëm në rekrutim, etikë të forcuar, digjitalizim dhe transparencë të lartë, përtej perdes së rreme të imazhit të lëmuar për konsum ndërkombëtar, realiteti i administratës publike shqiptare mbetet i zymtë dhe problematik.
I. Çfarë ka bërë DAP me 11 mijë vendet vakante?
Sipas Përmbledhjes së Raportit të DAP për vitin 2025, faqe 2 në fund, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 600 procedura konkurrimi, nëpërmjet të cilave janë shpallur 934 pozicione të lira. Për vitin 2025, me punën tuaj keni plotësuar 654 pozicione vakante.
Sipas tabelës zyrtare të punonjësve në institucionet buxhetore, për vitin 2025, nga 169,794 pozicione të planifikuara në nivel kombëtar dhe me organikë të miratuar, vetëm 158,220 pozicione rezultojnë të jenë të plotësuara. Kjo nënkupton që aktualisht administrata jonë publike dhe institucionet shtetërore operojnë me 11,574 vende vakante, ndërkohë që DAP mburret se për vitin e kaluar ka plotësuar 654 vende vakante, ose rreth 6 përqind të vendeve bosh!
Ky tregues ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin real të shtetit tonë për të zbatuar politikat e duhura për një administratë publike dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.
Ndërsa qeveria ka zgjeruar vitet e fundit kontrollin administrativ, fiskal dhe institucional, të dhënat zyrtare për numrin faktik të punonjësve në institucionet buxhetore për vitin 2025 nxjerrin në pah një paradoks të fortë: vetë administrata publike po funksionon me një mungesë prej mbi 11 mijë punonjësish krahasuar me organikën e miratuar.
II. Administrata tatimore, me gati gjysmën e stafit të munguar!
Ngre pyetjen: sa është shqetësuar DAP, nga fakti që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton të ketë të miratuara 327 pozicione në organikë, por vetëm 168 prej tyre janë të plotësuara? Ose një në dy vende pune rezulton i paplotësuar. Sa ka punuar DAP gjatë vitit të kaluar me këtë institucion, dhe sa po punon në këto gjashtë muaj të këtij viti, që gjysma e stafit mungesë të plotësohet? Si e ka lejuar DAP këtë gjendje?
Ky hendek vjen në një periudhë kur administrata tatimore po përballet me detyra gjithnjë e më komplekse, duke filluar nga dixhitalizimi, lufta kundër informalitetit, monitorimi fiskal dhe proceset e harmonizimit me legjislacionin europian. Për këtë vit, kjo administratë ka për detyrë zbatimin e Faljes Fiskale dhe Paqes Fiskale. Nuk i duhen kësaj strukture 168 punonjës të miratuar në organikë?!
Administrata tatimore nuk është e vetmja me mungesa të theksuara në staf. Sa i shqetësuar është DAP që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kishte 133 vende vakante në vitin 2025?
Edhe siguria e vendit dhe organet e rendit kanë mungesat e tyre të rënda në organikë. Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka një mungesë prej 105 efektivësh, ndërsa Garda e Republikës funksionon me 96 punonjës më pak. Këto shifra ngrenë pikëpyetje jo vetëm për kapacitetet administrative të Shtetit, por edhe për aftësinë operacionale të institucioneve që konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare.
Sa i shqetësuar është DAP për këto mungesa dhe përse vakanca të tilla nuk përmenden as në Raport, as në Përmbledhjen Ekzekutive të tij?
III. Arsimi publik vijon të vuajë mungesën e burimeve njerëzore
Në një kohë kur sot mbushen 31 ditë nga protestat e fuqishme të të rinjve dhe të përfaqësuesve të Diasporëse dhe emigrantëve në Tiranë, çfarë ka bërë DAP që të rinjtë, emigrantët dhe përfaqësuesit e Diasporës të tërhiqen dhe të aplikojnë për këto 11 mijë vakanca? A e thotë dot DAP se sa 654 pozicionet vakante të plotësuara për vitin 2025 me punën e DAP, janë nga rradhët e emigrantëve dhe Diasporës? Apo janë thjesht patronazhistë?
A e di DAP që në sistemin tonë arsimor parauniversitar, disa zyra vendore të arsimit shfaqin mungesa të konsiderueshme: Shkodra rezulton me 74 vende vakante, Tirana me 67; edhe Dibra, Lushnja, Tepelena dhe Memaliaj kanë dhjetëra pozicione të paplotësuara?
Në një kohë kur reforma në arsim kërkon rritje të cilësisë dhe performancës, këto boshllëqe dëshmojnë për mungesa të theksuara të kapitalit njerëzor në arsimin publik.
Nëse administrata publike vazhdon të humbasë garën për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët në vend dhe nga Diaspora, rreziku është që hendeku mes objektivave të qeverisjes dhe kapaciteteve reale të Shtetit të bëhet edhe më i madh për këtë vit dhe në vitet e ardhshme.
IV. Politizimi i skajshëm i emërimeve
Edhe për vitin 2025, për më shumë që ishte viti i zgjedhjeve të përgjithshme, politizimi i skajshëm i administratës publike mbeti një plagë e hapur dhe kronike. Në çdo nivel të saj, nga ministritë deri tek bashkitë, punonjësit civilë u ndjenë të ekspozuar ndaj presioneve partiake, lëvizjeve arbitrare dhe vendimeve të papritura, që i paraprijnë ciklit elektoral. Po për këtë nuk ka asnjë rrjesht në Raportin e DAP.
Patronazhistët, figura tipike të sistemit klientelist të instaluar nga sekti Rama, vijuan të mbajnë në kontroll pjesën dërrmuese të punësimeve, promovimeve dhe transferimeve në administratë. Për vitin zgjedhor 2025, antikultura e frikës dhe servilizmit, që e ka paralizuar administratën, u duk qartë, pasi nëpunësi civil nuk shërben më për qytetarin, por për shefin e tij politik.
Edhe gjatë vitit 2025, media e lirë raportoi me dhjetra raste ku punësimet në administratën publike janë produkt thjesht i lidhjeve partiake apo besnikërisë politike, me patronazhistët që veprojnë si ndërmjetës për punësime, duke krijuar një mekanizëm të heshtur shumë të rrezikshëm shpërblimesh ndaj militantëve apo mbështetësve të sektit në pushtet.
Edhe për vitin 2025, meritokracia u zëvendësua me luajalitetin partiak, ndërsa profesionalizmi u sakrifikua për interesat elektorale. Konkurrimet për vendet e punës në administratë mbeten në thelb formale.
Në praktikë, fituesit janë në shumicën dërrmuese të rasteve të paracaktuar, ndërsa testet me shkrim apo intervistat përdoren si mbulesë ligjore për vendime të motivuara politikisht. Dëshmitë publike të kandidatëve të kualifikuar, që përjashtohen pa shpjegime të qarta, janë të shumta dhe mediat i kanë dokumentuar qartësisht si “konkurse të orkestruara”
Sistemi i meritës, që është themel i çdo administrate evropiane, në Shqipëri është zëvendësuar nga një sistem luajaliteti partiak. Shumica e rekrutimeve mbeten të varura nga ndërhyrjet politike apo nga rekomandimet e drejtpërdrejta të sektit në pushtet.
Përmbledhja e Raportit 2025 përmend “rritje të trajnimeve” dhe “forcim të kapaciteteve përmes ASPA-s”, por asnjë program trajnimi nuk mund të zëvendësojë mungesën e meritës në përzgjedhje. Pjesa më e madhe e administratës është e ngurtë, pa njohuri bashkëkohore për menaxhimin e politikave publike, pa kulturë analitike dhe pa aftësi për t’u përballur me sfidat e qeverisjes moderne.
Mungesa e kompetencës është bërë strukturore: nëpunësit e mirë ose largohen drejt sektorit privat, ose margjinalizohen brenda institucioneve. Ndërkohë, në vendet kyçe vazhdojnë të qëndrojnë persona të emëruar mbi bazë besnikërie politike, e jo mbi bazë të rezultateve apo eksperiencës.
xxx
Qeveritë dobësohen kur administrata publike humbet efiçiencën, shtohen skandalet, reformat nuk japin rezultate dhe qytetarët nuk ndiejnë përmirësim në jetën e përditshme.
Raporti i DAP-it për vitin 2025 përpiqet të shesë një narrativë suksesi që nuk përkon me realitetin. Në vend të një administrate moderne dhe meritokratike, Shqipëria mbetet me një administratë të frikësuar, të lodhur, të pamotivuar dhe shpesh inkompetente.
Rruga drejt një administrate evropiane nuk kalon përmes propagandës institucionale, por përmes guximit për të ekspozuar realitetin dhe për ta reformuar rrënjësisht sistemin nga brenda, për ta vënë administratën publike shqiptare, më në fund, në shërbim të qytetarit, e jo të pushtetit.
𝗣𝘀𝗲 𝗻𝗮 𝗹𝗮𝗿𝗴𝗼𝗵𝗲𝗻 𝘁𝗲 𝗿𝗶𝗻𝗷𝘁𝗲 𝗱𝘆 𝗵𝗲𝗿𝗲 𝗺𝗲 𝗳𝗼𝗿𝘁 𝘀𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗶𝘁?

𝗣𝘀𝗲 𝗻𝗮 𝗹𝗮𝗿𝗴𝗼𝗵𝗲𝗻 𝘁𝗲 𝗿𝗶𝗻𝗷𝘁𝗲 𝗱𝘆 𝗵𝗲𝗿𝗲 𝗺𝗲 𝗳𝗼𝗿𝘁 𝘀𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗶𝘁?

Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2013 kishim 50 mijë maturantë. Në vitin 2025 kishim më pak se gjysmën, vetëm 23.5 mijë. Maturantët e vitit 2025 janë brezi i lindur kryesisht në vitet 2006–2007.
Studimi i fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, cilëson se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç deri në vitin 2050. Ky ritëm është dy herë më i lartë, nga ai i humbjes së të rinjve në vendet e rajonit tonë.
Në këto 13 vjet, të rinjtë na janë larguar me ritëm të tillë shkatërrues për të ardhmen e shoqërisë sonë, për shkak të papërgjegjshmërisë ekstreme dhe indiferencës vrastare të sektit Rama në pushtet.
Sipas studimit të OKB-së, në vitin 2012, Shqipëria numëronte rreth gjysmë milion të rinj (484 mijë), ndërsa pas dy dekadash e gjysmë, me ritmin e sotëm të largimit të të rinjve, kjo shifër do të arrijë në vetëm 195 mijë, duke vënë në dilemë ekzistencën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kombet e Bashkuara vërejnë se nga 225 vende të botës, Shqipëria klasifikohet e treta në botë, për tkurrjen e numrit të të rinjve në dekadat në vijim.
Kur një vend humbet në mënyrë të vazhdueshme të rinjtë dhe familjet e reja, pasojat shfaqen fillimisht në shkolla, më pas në universitete, në tregun e punës dhe në fund në të gjithë strukturën ekonomike e shoqërore. Shqipëria po humbet me shpejtësi kapitalin e saj njerëzor.
Në të gjitha qytetet dhe fshatrat shqiptare është bërë e zakonshme të shohësh klasa me më pak nxënës, universitete me më pak studentë dhe biznese që ankohen për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Kjo tregon se emigracioni masiv nuk është më vetëm zgjedhje individuale, por fenomen me ndikim kombëtar.
Të rinjtë janë burimi më i rëndësishëm i zhvillimit. Ata përbëjnë forcën e ardhshme të punës, sipërmarrësit, profesionistët dhe kontribuuesit në sistemin e pensioneve dhe në konsumin e vendit. Kur numri i tyre përgjysmohet, vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore, vështirësi në zhvillimin ekonomik dhe presion më të madh mbi sistemet sociale.
Shumë të rinj largohen, jo vetëm për shkak të mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit, edhe pse pagat më të larta, siguria sociale, arsimi cilësor dhe perspektiva profesionale në vendet e BE-së vazhdojnë të ushtrojnë një tërheqje të fortë. Ata shprehin bindjen se avancimi profesional nuk varet gjithmonë nga aftësitë dhe puna, por gjithnjë e më shpesh, nga lidhjet politike, ose klienteliste. Kjo krijon zhgënjim dhe humbje besimi tek qeverisja dhe institucionet publike. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e të rinjve largohen nga pamundësia për gjetjen e një vendi pune dhe bërje karrierë, nëse nuk je patronazhist, ose nuk i ke prindërit me lidhje me sektin Rama ne qeverisje.
Kur tetë në dhjetë të rinj e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë, kjo tregon se besimi tek mundësitë brenda vendit ka rënë thuajse plotësisht. Dhe fajtor tërësor për këtë brerje totale besimi është sekti Rama dhe mënyra e tij e qeverisjes.
Përgjysmimi i maturantëve të Shqipërisë dhe shifrat e studimit të OKB-së nuk pasqyrojnë vetëm zgjedhjet e të rinjve, por edhe vendimet e prindërve të tyre. Kur familjet emigrojnë, largohen bashkë me fëmijët që do të ishin nxënës, studentë dhe profesionistë të së nesërmes në vend.
Sekti Rama ka dështuar të sigurojë meritokraci në punësimin në administratën publike, mundësi reale karriere, strehim të përballueshëm për të rinjtë, besim tek institucionet dhe siguri për të ardhmen. Largimi i të rinjve ndikon drejtpërdrejt negativisht në numrin e studentëve në universitete, në fuqinë punëtore të ardhshme, në sistemin e pensioneve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ka një dekade që Shqipëria po përballet me mungesa serioze të kapitalit njerëzor në sektorë kyç të ekonomisë.
Largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria përbën një nga “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në pushtet. Edhe pse emigracioni nuk është një fenomen i ri për shqiptarët, ritmet e largimit gjatë 13 viteve të fundit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e vendit, të vërtetuara katërcipërisht nga raportet ndërkombëtare, si ky i fundit i Divizionit të Popullsisë në Kombet e Bashkuara.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲: 𝗹𝗲𝘃𝗶𝘇𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺.

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲: 𝗹𝗲𝘃𝗶𝘇𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺.

Në historinë politike të çdo vendi, ka momente kur një slogan i thjeshtë arrin të përmbledhë pakënaqësi, shpresa, zhgënjime dhe kërkesa për ndryshim të pjesës më të madhe të shoqërisë.
Në Shqipërinë e vitit 2026, për mbështetësit e protestave të nisura më 31 maj dhe sot në ditën e 25-të të tyre, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” është shndërruar në simbolin më të njohur të lëvizjes protestuese rinore, në një lloj hymni të dytë kombëtar të vendit, ku shumica e shqiptarëve sot identifikohen.
I Fuqia e një mesazhi të thjeshtë dhe të prerë
Një nga arsyet pse slogani “Rama jepe dorëheqjen!” ka fituar jehonë është thjeshtësia e tij. Ai përmban një kërkesë të drejtpërdrejtë, të kuptueshme për këdo dhe të lehtë për t’u përsëritur në protesta.
Historikisht, sloganet që mbijetojnë janë ato që arrijnë të përmbledhin në pak fjalë një mesazh të gjerë politik. Në këtë rast, për protestuesit dhe për shumicën e shqiptarëve, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit autokrat dhe zullumqar është bërë pika e përbashkët që bashkon qytetarë me motive dhe shqetësime të ndryshme, nga Shqipëria dhe Diaspora.
Të 24 protestat e deritanishme kanë njohur pjesëmarrjen dërrmuese të të rinjve nga të gjitha trojet e kombit tonë. Kjo i jep sloganit një dimension të veçantë. Historikisht, të rinjtë kanë qenë forca më dinamike në lëvizjet qytetare dhe demokratike.
Energjia, kreativiteti dhe përdorimi intensiv i mediave sociale kanë ndihmuar që ky mesazh-himn i sotëm të përhapet më shpejt dhe të arrijë audienca gjithnjë e më të gjera. Mjafton të përmendim të 122 personalitetet e Diasporës Shqiptare, në mbështetje të protestave dhe lëvizjes.
Për shumicën dërrmuese të të rinjve në protestë dhe të atyre që e përkrahin protestën pa marrë pjesë fizike në të, slogani përfaqëson jo vetëm një kërkesë të prerë dhe ultimative ndaj drejtuesit të sektit në qeverisje, por edhe një shprehje të dëshirës për më shumë mundësi, përfaqësim dhe besim tek e ardhmja në vendin e tyre.
Slogani-hymn i përsëritur me forcë dhjetra mijëra herë në këto 24 ditë, ka krijuar identitet të përbashkët, ka forcuar ndjenjën e përkatësisë, ka rritur dukshmërinë e kauzës dhe ka ndihmuar n mobilizimin e mbështetësve. Pikërisht përsëritja e vazhdueshme është ajo që e kthen një thirrje të zakonshme në simbol të një lëvizjeje.
II. Nga slogan proteste në simbol lëvizjeje
Gjatë ditëve të protestave, thirrja është dëgjuar në sheshe dhe bulevarde brenda dhe jasht vendit, në tubime qytetare në të gjithë botën, në rrjete sociale, në pankarta dhe postera, si dhe në deklarata publike të mbështetësve të protestës.
Përsëritja e vazhdueshme e ka kthyer atë në element identifikues të lëvizjes, njësoj siç kanë ndodhur raste të ngjashme në vende të tjera, për shembull në Poloni me “Solidarnost”, etj., ku sloganet janë bërë simbole të periudhave të caktuara politike.
“Rama jepe dorëheqjen!” nuk përfaqëson thjesht një kërkesë drejtuar një individi apo një partie politike. Ajo është vullkan i plotë në shpërthim i një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve tona publike.
Slogani mishëron kërkesa për më shumë transparencë në vendimmarrje, për forcimin e llogaridhënies publike, luftë më efektive kundër korrupsionit, institucione më të pavarura, dialog më të gjerë me qytetarët dhe rritje të besimit tek shteti dhe administrata publike.
III. Kërkesat e fuqishme për përgjegjësi politike dhe transparencë
Një nga parimet themelore të demokracisë është që qeveritë dhe drejtuesit politikë t’u përgjigjen qytetarëve për vendimet dhe rezultatet e tyre.
Me “Rama jepe dorëheqjen!”, protestuesit argumentojnë se, kur pakënaqësitë publike bëhen të vazhdueshme dhe të dukshme, kërkohet një ndryshim i thellë politik në vend. Kjo është rrugëdalja e vetme.
Në këtë kuptim, thirrja për dorëheqje interpretohet si një kërkesë e fuqishme për marrje përgjegjësie politike dhe jo vetëm si një slogan. Dy ditë më parë u dorëhoq kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, pikërisht se mori përgjegjësitë politike që i takonin.
Në vendet demokratike, debati mbi përgjegjësinë politike përbën një element të rëndësishëm të kulturës së qeverisjes dhe të raportit mes qytetarëve dhe pushtetit.
Një tjetër dimension i rëndësishëm që lidhet me “Rama jepe dorëheqjen!”është kërkesa për transparencë. Qytetarët protestues dhe jo vetëm ata kërkojnë gjithnjë e më shumë informacion të plotë mbi projektet publike, konsultim të gjerë për investimet strategjike, qartësi mbi përdorimin e fondeve publike dhe akses më të madh në informacionin zyrtar.
Në epokën e komunikimit dixhital, pritshmëritë për transparencë janë më të larta se kurrë dhe sekti Rama në qeverisje ka bërë për 14 vite rrjesht të kundërtën.
xx
Historia e demokracive moderne tregon se ndryshimi politik është një proces normal dhe i domosdoshëm. Ai mund të vijë përmes zgjedhjeve, reformave institucionale, dialogut politik, ose edhe formave të tjera të pjesëmarrjes qytetare.
Për protestuesit dhe shumicën e shqiptarëve, slogani-hymn “Rama, jepe dorëheqjen!” përfaqëson bindjen se vendi ka nevojë për një fazë të re politike, me ide, energji dhe qasje të reja në qeverisje.
𝗤𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗮𝗻𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲𝗺 𝗻𝗷𝗲 𝗮𝗹𝗴𝗼𝗿𝗶𝘁𝗲𝗺: 𝗗𝗢𝗥𝗘𝗛𝗘𝗤𝗝𝗘𝗡 𝗘 𝗘𝗗𝗜 𝗥𝗔𝗠𝗘𝗦 !

𝗤𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗮𝗻𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲𝗺 𝗻𝗷𝗲 𝗮𝗹𝗴𝗼𝗿𝗶𝘁𝗲𝗺: 𝗗𝗢𝗥𝗘𝗛𝗘𝗤𝗝𝗘𝗡 𝗘 𝗘𝗗𝗜 𝗥𝗔𝗠𝗘𝗦 !

Ditën e djeshme, kreu i sektit Rama, në një takim me deputetët dhe kabinetin e tij, mbajti një fjalim të gjatë që nuk solli as reflektim, as përgjegjësi politike dhe as transparencë e llogaridhënie përballë qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, ai dëshmoi qartë ankthin dhe panikun që e ka përfshirë këto 21 ditë, nga protesta qytetare shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Në vend që t’u japë përgjigje qytetarëve shqiptarë për skandalet, korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe mungesën e llogaridhënies, ai zgjodhi të flasë për veten, duke ngritur një mur justifikimesh dhe retorike boshe.
Shqiptarët, këto 21 ditë protestë e revoltë qytetare presin përgjegjësi nga njeriu që ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë, por kanë marrë vetëm një shfaqje politike të mbushur me nervozizëm, paranoja, frikë dhe shmangie të së vërtetës.
Për 13 vite me radhë, qeverisja e sektit Rama ka prodhuar centralizimin e pushtetit, dobësimin e institucioneve të kontrollit dhe mungesën sistematike të transparencës e llogaridhënies. Në vend të llogaridhënies publike, qytetarëve shqiptarë këto 13 vite u është ofruar propagandë, arrogancë, korrupsion e keqqeverisje.
Në vend të meritokracisë, është ndërtuar një sistem klientelist që ka favorizuar një grusht individësh në kurriz të interesit publik.
Në vend të një qeverisje në shërbim të interesit kombëtar, është konsoliduar një sekt njerëzish që rrotullohen rreth dëshirave dhe orekseve të një njeriu, të Edi Ramës.
Autokrati Rama tregoi edhe një herë se është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Ai foli për protestuesit si për një fenomen që nuk po ndodh, sikur nuk është e vertetë, të cilën ai në vazhdën e paranojave që kapin “autokratët” në fund të regjimit të tyre, i quajti algoritëm.
Por qindra mijëra qytetarë nuk janë algoritme, nuk janë statistika dhe as instrumente propagande.
Ata janë njerëz, qytetarë të lirë, të ndershëm të këtij vendi që kërkojnë llogari për mënyrën se si është qeverisur vendi, për pasuritë publike, për korrupsionin, për varfërinë dhe për mungesën e perspektivës. Njerëz që janë ngritur kundër këtij sistemi kleptokrat, antikombëtar, 13 vjeçar.
Kur një qeveri refuzon të dëgjojë qytetarët dhe kur një drejtues e sheh çdo kritikë si kërcënim personal, atëherë kemi të bëjmë me simptomat e një pushteti që ka humbur kontaktin me realitetin.
Autokrati Rama po përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi i revoltës qytetare, duke e reduktuar atë në çështje të veçanta, ndërkohë që protestuesit kanë artikuluar qartë arsyen e ngritjes e revoltës së tyre: dështimin e një modeli qeverisjeje të ndërtuar mbi arrogancën, mungesën e transparencës dhe refuzimin e llogaridhënies.
Protesta qytetare nuk është ngritur vetëm për një çështje apo për një vendim të vetëm. Ajo është ngritur kundër një sistemi të tërë keqqeverisjeje. Kundër një modeli ku koncesionet, tenderët, pasuritë publike, energjia, portet dhe resurset kombëtare janë shoqëruar vazhdimisht me dyshime për favorizime, klientelizëm dhe korrupsion. Kjo është arsyeja pse kërkesa e protestuesve nuk kufizohet në një problem të vetëm, por synon rikthimin e përgjegjshmërisë politike dhe të kontrollit demokratik mbi pushtetin.
Sot në ditën e 21-të, mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, vazhdojnë të protestojnë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, arrogancës së pushtetit dhe mungesës së thellë të llogaridhënies që ka karakterizuar qeverisjen e sektit Rama. Ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie, drejtësi dhe rikthimin e besimit tek institucionet.
Kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe të panegociueshme:Dorëheqjen e menjëhershme të autokratit Rama dhe largimin e qeverisë aktuale, si e vetmja mënyre dhe e vetmja kërkesë e panegociueshme për qytetarët protestues; Krijimin e një qeverie teknike që garanton proces të drejtë zgjedhor dhe stabilitet institucional deri në zgjedhjet e ardhshme; Shfuqizimin e ligjeve të kontestuara që konsiderohen në kundërshtim me interesin publik dhe që kanë favorizuar interesa klienteliste dhe oligarkike; Rishikimin e Kodit Zgjedhor për të garantuar barazinë e votës, lista të hapura, përfaqësim më të drejtë politik dhe kufizim të përqendrimit afatgjatë të pushtetit; Forcimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel të qeverisjes.
Jo vetëm i shkëputur nga realiteti, me gjuhë paniku e arrogance, ku fjalimet e rrëfimet i jep vetëm para “të tijëve”, por kreu i sektit po përdhos dhe denigron simbolet tona kombëtare me gjuhë përçarëse, ku bashkëkombasit tanë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, i quan terminologjikisht “diasporë”, duke treguar qartazi se edhe kësaj radhe kostumi i tij i përhershëm, si në 13 vite, është kostumi i një antikombëtari.
Sot, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë politike, kanë detyrimin kushtetues dhe moral të dëgjojnë zërin e qytetarëve protestues dhe të mbështesin kërkesat legjitime për më shumë, transparencë dhe përgjegjësi publike.
Revolta qytetare që po zhvillohet sot nuk është thjesht një lëvizje çfarëdo qytetare. Ajo është një kërkesë e drejtpërdrejtë për rikthimin e llogaridhënies në qeverisje, për fundin e pandëshkueshmërisë dhe për rivendosjen e standardeve demokratike. Sa më gjatë që autokrati Rama të refuzojë të dëgjojë jehonën e protestës, aq më i madh bëhet hendeku mes pushtetit dhe qytetarëve.
Nga një analizë gjithëpërfshirëse e botuar në të përditshmen e gazetës “Sot”, me autor opinionistin tejet të spikatur Ilir Dako, po citoj një pasazh: “Zullumet e këtij kryeministri flenë si gjaku i Makbethit në duart e tij, ku çdo pasuri e grabitur, çdo krim apo bashkëpunim me krimin i rëndojnë ndërgjegjen dhe i kanë kallur datën nga shtëpia pa qera që ka përgatitur drejtësia”.
Koha e justifikimeve ka mbaruar. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi. Kërkojnë transparencë. Kërkojnë llogaridhënie. Dhe mbi të gjitha, kërkojnë ndryshim. Qytetarët protestues shqiptarë kanë vetëm një algoritëm: DORËHEQJEN E EDI RAMËS !