𝗡𝗶𝘀𝗺𝗮 𝗴𝗿𝗲𝗸𝗲, 𝘀𝗵𝗲𝗺𝗯𝘂𝗹𝗹 𝗾𝗲 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗮 𝘇𝗯𝗮𝘁𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗲𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲!

𝗡𝗶𝘀𝗺𝗮 𝗴𝗿𝗲𝗸𝗲, 𝘀𝗵𝗲𝗺𝗯𝘂𝗹𝗹 𝗾𝗲 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗮 𝘇𝗯𝗮𝘁𝗼𝗷𝗺𝗲 𝗲𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲!

Nisma greke për uljen nga data 31 gusht 2026, të çmimeve të 1660 artikujve të përdorimit të përditshëm me një mesatare 7 përqind(praktikisht heqja e TVSH-së), për një periudhë 2-4 mujore, përfaqëson një shembull të mirë. Kur vendi fqinj ndërhyn për të lehtësuar koston e shportës së konsumatorit, edhe ne duhet me urgjencë të ndërtojmë një mekanizëm për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sidomos atyre ushqimore. Për më tepër që tek ne të ardhurat për fryme janë dy herë më pak se në Greqi.
Disa herë, ne si Parti Demokratike kemi sjellë në Kuvend projektligjin për heqjen ose uljen
e TVSH-së për produktet ushqimore, si masë për të përballuar shtimin e ndjeshëm dhe mjaft shqetësues të kostos së jetesës dhe rënies së fuqisë blerëse për qindra mijëra familje shqiptare. Pse të mos e zbatojmë tani heqjen e përkohshme të TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe artikujt shkollorë?
Fillimi i shtatorit është periudhë me shpenzime të shtuara për familjet. Në pak javë bashkohen blerjet ushqimore, produktet e higjienës, materialet shkollore, veshjet dhe këpucët për fëmijët, shpenzimet e transportit dhe faturat e tjera familjare. Me të drejtë kryetari i Partisë Demokratike propozoi pardje heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, mbulimin e shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik.
Disa herë Partia Demokratike ka kërkuar me forcë vendosjen e Minimumit Jetik Zyrtar, duke hasur në shurdhërinë e sektit Rama në pushtet. Si deputet i Partisë Demokratike, më 23 mars 2023 zhvillova një interpelancë në Kuvend, ku kërkova që qeveria të përcaktojë një shifër zyrtare për minimumin jetik brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.
Një reduktim mesatar prej 7% sot në qindra produkte të përdorimit të përditshëm nuk është thjesht një statistikë. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, çdo përqindje uljeje në shportën bazë ka rëndësi.
Nisma greke është interesante jo vetëm për rezultatin e synuar, por edhe si koncept politik. Mesazhi është: në vend që konsumatori të presë që konkurrenca të ulë vetvetiu çmimet, shteti krijon mekanizma që nxisin uljen e çmimeve dhe e bëjnë atë të matshme e të kontrollueshme.
Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi tregu ynë ka karakteristika që e bëjnë konkurrencën më pak efektive dhe mundësia e uljes së çmimeve nga konkurrenca është shumë e pakët. Jemi treg relativisht i vogël, me përqendrim të lartë në disa segmente tregu dhe me varësi të konsiderueshme nga importet.
xxx
Nëse një mekanizëm i ngjashëm me nismën greke do të zbatohej tek ne, me krijimin e një shporte bazë me produkte të përditshme, ku tregtarët dhe prodhuesit angazhohen për çmime më të ulëta ose më të qëndrueshme, familjet me të ardhura të pakta dhe modeste do të mbroheshin realisht, pasi shporta do të përfshinte artikujt bazë ushqimorë si buka, mielli, orizi, makaronat, vaji, shqeri, qumështi, djathi etj., si dhe produkte të higjienës dhe artikujt shkollorë.
Kjo do të kishte një avantazh të madh, pasi konsumatori ynë do të dinte se cilat produkte janë pjesë e mekanizmit të çmimeve të favorshme, cilat supermerkato dhe tregje të tjera e zbatojnë dhe do të orientohej drejt tyre.
Veçse kjo, për fat të keq, nuk mund të ndodhë në shtetin e qeverisur nga Rama dhe sekti i tij.
𝗦𝗲𝗸𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗲 𝗸𝗮 𝘀𝗵𝗻𝗱𝗲𝗿𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲 𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁!

𝗦𝗲𝗸𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗲 𝗸𝗮 𝘀𝗵𝗻𝗱𝗲𝗿𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲 𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁!

Në 14 vite (keq) qeverisje, Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në parti-shtet. Dhe shtetin ne sulltanat! Mbledh ministrat në mjedise private, pa pikë respekti për isntitucionet shtetërore dhe zyrat e shtetit. Nuk ka kurrfarë koncepti se si funksionon një qeveri përmes shkresave dhe nuk ka asnjë nuancë shtetari.
Për cilindo nga qytetarët që ende dyshon se Rama dhe sekti i tij në pushtet nuk e ka shndërruar Partinë Socialiste në parti-shtet në këto 14 vite (keq)qeverisje, mjafton të shikojë përgjigjet e dhjetë pyetjeve për praninë e autokracisë ekstreme në vendin tonë, si më poshtë:
1. A është thellësisht e politizuar administrata publike në Shqipëri?
Administrata publike është testi kryesor. Një nga treguesit më të rëndësishëm të ekzistencës ose jo të “partisë-shtet” është sa e pavarur është administrata publike nga partia politike në pushtet. Nëse qytetarët besojnë se karriera në administratë varet më shumë nga lidhja politike, sesa nga merita profesionale, atëherë shteti nuk është më i qytetarëve, por i partisë në pushtet.
Nëse nëpunësi mendon: “Duhet të jem korrekt me ministrin sepse ministri ka ardhur nga partia”, dhe jo “Duhet të jem korrekt me ligjin dhe institucionin”, atëherë shteti ka humbur humbur neutralitetin e tij dhe është bërë njësh me sektin në qeverisje.
Një administratë profesionale duhet t’i shërbejë shtetit, jo qeverisë së radhës.
2. A kanë tek ne pavarësi reale institucionet kushtetuese?
Në një demokraci funksionale, institucionet kushtetuese nuk ekzistojnë për t’i shërbyer shumicës qeverisëse. Ato janë krijuar pikërisht për të vendosur kufij ndaj pushtetit, për të kontrolluar ekzekutivin dhe për të mbrojtur qytetarin, kur shumica tejkalon kompetencat e saj.
Tek ne, nuk është se mungojnë institucionet kushtetuese dhe të pavarura në letër. Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë një numër të konsiderueshëm institucionesh me autonomi dhe përgjegjësi të veçanta. Tek ne problemi është më i thellë dhe shtrohet me pyetjen: Sa të pavarura janë ato në praktikë?
Pavarësia juridike në letër nuk është domosdoshmërisht pavarësi reale. Një institucion mund të quhet i pavarur nga ligji, por ndëkohë është i ekspozuar fort ndaj ndikimit politik, përmes mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve, financimit, emërimeve, presionit institucional, varësisë administrative dhe marrëdhënieve me shumicën parlamentare.
Këtë dobësi të theksuar dhe varësi të mëdha i ka shfrytëzuar për 14 vjet rrjesht Edi Rama dhe sekti i tij, duke i kthyer pothuajse të gjitha institucion et e pavarura dhe kushtetuese të vendit në dele të bindura të partisë-shtet.
3. Cila është shkalla e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin?
Tek ne kjo shkallë është shumë e ulët, ose gati zero. Nëse shumica për 14 vjet rrjesht i ka përdorur numrat për të miratuar çdo nismë të qeverisë, pa debat real, pa dëgjuar opozitën dhe pa reflektuar mbi kritikat e ekspertëve, atëherë Parlamenti është shndërruar në një noter të rëndomtë të qeverisë dhe në një pasqyrë fshehëse të partisë- shtet.
Në këto 14 vite, Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq, është shndërruar nga një institucion kontrolli, në një mekanizëm formal miratimi të vullnetit të Ramës dhe sektit të tij.
Një parlament i fortë nuk matet me numrin e ligjeve që miraton. Matet me sa fort kontrollon ekzekutivin dhe sa projektligje të qeverisë ka kthyer mbrapsht, ndryshuar dhe korrektuar, në varësi të besimit të tij se projektligji nuk pasqyron qartë interesat e qytetarëve.
4. A kanë ndarje dhe kufi të qartë shteti dhe partia në pushtet?
Në një demokraci normale dhe funksionale ekziston një ndarje e qartë. Partia në pushtet vendos objektivat politike. Qeveria zbaton politikat publike dhe administrata shtetërore zbaton ligjin, ndërkohë që institucionet e pavarura kontrollojnë qeverinë dhe gjykatat kontrollojnë ligjshmërinë.
Në 14 vitet e fundit, kemi parë gjithnjë e më shumë funksionarë partiakë që shfaqen si përfaqësues të institucioneve shtetërore, institucione publike, ministri dhe bashki, që përdoren për avantazh elektoral. Kemi parë burimet publike dhe aktivitetin partiak të afrohen dhe të bëhen njësh me njëri-tjetrin. Kemi parë komunikimin qeveritar dhe propagandën partiake që janë bërë edhe ato të vështira për t’u dalluar nga njëra-tjetra.
Pikërisht, kur rolet e mësipërme përzihen dhe gati bëhen njësh, krijohet terreni pjellor për lulëzimin e partisë-shtet.
5. A e kanë bërë të pavarur drejtësinë SPAK dhe reforma në drejtësi?
Edhe pse reforma në drejtësi dhe krijimi i strukturave të reja të drejtësisë kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm në arkitekturën institucionale shqiptare (sidomos SPAK ka krijuar një mekanizëm më të fuqishëm për hetimin e korrupsionit), nuk duhet krijuar iluzioni se ekzistenca e SPAK zgjidh të gjithë problemin e pavarësisë së drejtësisë së vendit.
Një demokraci funksionale ka nevojë për një ekosistem kontrollesh, jo vetëm për një institucion të fuqishëm. Nevojiten drejtësi e pavarur + Parlament kontrollues + auditim efektiv + administratë profesionale + media e lirë + shoqëri civile aktive + institucione rregullatore të pavarura. Dhe këto në 14 vitet e fundit nuk i kemi.
6. A kanë transparencë prokurimeve publike dhe PPP-të?
Tek ne, mungesa e transparencës ne tenderat publikë, e denoncuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, SELDI dhe Transparency International, është gati e plotë. Një element thelbësor për të kuptuar shndërrimin e partisë në pushtet në parti-shtet është raporti i saj me paranë publike. Tenderat, koncesionet, partneritetet publiko-private dhe projektet strategjike krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta ndërmjet shtetit dhe biznesit.
Këtu rreziku i “partisë-shtet” bëhet veçanërisht i ndjeshëm. Po pse? Sepse një parti që kontrollon qeverinë kontrollon gjithashtu pjesën më të madhe të buxhetit publik, investimeve publike, kontratave shtetërore, koncesioneve, lejeve dhe autorizimeve, politikave fiskale dhe politikave të investimeve.
Në kushtet kur transparenca dhe konkurrenca janë të ulta dhe gati zero, ndodh ngjizja e partisë-shtet. Sa më shumë vendimmarrja ekonomike të jetë e centralizuar dhe jo-transparente, aq më i madh është rreziku që pushteti politik të krijojë marrëdhënie të privilegjuara me grupe ekonomike. Sikurse sekti Rama ka krijuar në 14 vjet këto raporte okulte me oligarkët e Ramës!
7. A ka klientelizëm të thellë politik në këto 14 vite?
“Partia-shtet” nuk krijohet vetëm përmes emërimeve politike. Krijohet edhe përmes një sistemi klientelist ku krijohen marrëdhënie: parti → administratë → biznes → media → interesa ekonomike → mbështetje politike.
Në 14 vitet e (keq)qeverisjes së Ramës, ky rrjet është bërë i qëndrueshëm dhe ka kapur plotësisht shtetin. Ai funksionon vetëm përmes lidhjeve dhe aksesit tek drejtuesi i sektit në pushtet. Kjo është një nga format më të sofistikuara dhe më të rënda të kapjes së shtetit.
8. A është neutrale administrata publike gjatë zgjedhjeve?
Administrata jonë publike ka qenë shërbëtore e bindur e partisë në pushtet në çdo garë zgjedhore të përgjithshme dhe vendore të zhvilluar në 14 vitet e fundit. Ajo ka kontrolluar burime që partitë opozitare nuk i kanë, si buxhetin e shtetit, punësimet e përkohshme me sfond politik, automjetet publike, zyrat, infrastrukturën administrative, stafin, informacionin, investimet publike, programet sociale dhe fondet publike. Dhe këto burime i ka përdorur pa kursim, madje shpesh me përkushtim, për aktivitet politik!
Partia në pushtet ka në dispozicion një administratë të tërë me 182 mijë të punësuar, ndërsa një parti opozitare duhet të mbledhë fonde, të punësojë njerëz, të organizojë aktivitete dhe të komunikojë me zgjedhësit.
9. A janë të pavarura mediat dhe informacioni publik?
Në demokraci, qytetari duhet të jetë në gjendje të dallojë informacionin shtetëror nga komunikimi politik. Kur komunikimi i qeverisë bëhet dominant dhe hapësira për media të pavarura ekonomisht është e dobët, krijohet një pabarazi e theksuar në informacion.
Shteti ka burime shumë më të mëdha se një parti opozitare. Nëse këto burime përdoren në mënyrë që qeveria të ketë vazhdimisht avantazh komunikimi, atëherë zgjedhjet mund të jenë formalisht të lira, por konkurrenca politike është tërësisht e pabarabartë.
10. A ka opozita mundësi reale të konkurrojë me sektin në pushtet, që ka kontrolluar shtetin për 14 vite?
Kjo kërkon administratë neutrale, përdorim të ligjshëm të burimeve publike, media pluraliste, institucione zgjedhore të besueshme, hetim të çdo forme të keqpërdorimit të administratës dhe trajtim të barabartë të subjekteve politike.
Nëse një parti hyn në zgjedhje me avantazhin e shtetit pas vetes, madje duke qenë vetë parti-shtet, atëherë barazia e konkurrencës politike në vend vihet në pikëpyetje serioze.
xxx
Një qeveri që qëndron gjatë në pushtet duhet të jetë tejet më e kujdesshme, dhe kurrsesi jo më pak, për të garantuar pavarësinë e administratës, drejtësisë, institucioneve të kontrollit, medias dhe procesit zgjedhor. Sekti Rama në pushtet ka bërë pikërisht të kundërtë. Dhe në vend të mbajtjes së demokracisë, me partinë-shtet, ka instaluar një autokraci të thellë dhe të rrezikshme. Demokracia shuhet, kur tek qytetarët krijohet bindja se shteti është i një partie dhe se partia është e pandashme nga shteti.
Dhe pas 14 vitesh (keq)qeverisjeje të Ramës, ky është pikërisht rreziku që Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta kenë parasysh shumë më fort dhe ta marrin akoma dhe më seriozisht.
At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës.

At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës.

Sot, më 28.08.2026 shënohen 102 vjet nga lindja e At Zef Pllumit, Nder i Kombit. Ndonëse 19 vite më parë, në 2007 ai u nda nga kjo botë, vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.
Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.
At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.
Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.
Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.
At Zef Pllumi (Bogë, 28 gusht 1924 – Romë, 26 shtator 2007) ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shqiptar.
Kur ishte 22 vjeç, më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq.
Në vitin 1958 shugurohet meshtar. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh.
Më 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, u burgos përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.
Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.
Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”..
Më shumë se një dekret presidencial për mua vlen vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën më dërgoi pas marrjes së çmimit. (Më poshtë faksimilja e letrës.)
Në një speciale të gazetës “55” në 27 shtator 2007 kam shkruar: “Vepra e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregues” e të tjera “Histori të shkrueme ” janë një sinor i përjetshëm, ato “dëshmojnë para botës se asnjë njeri nuk është i detyruar prej rrethanave të bëhet i keq, i ulët, të humbasë humanizmin e tij. At Zef Pllumi tregon me jetën e tij se edhe ne shqiptarët mund ta kalojmë provën e zjarrit, atë që ndan mënjanë arin e kulluar dhe ndan mënjanë skoriet e kombit. At Zef Pllumi, nxënësi i Fishtës, Harapit, Shllakut, mësuesve të përjetshëm të këtij kombi, sot më shumë se kurrë më ngjan me Diogjenin, filozofin grek, “atij s’mund t’i marrësh asgjë, pse s’ka asgjë të vetën dhe s’mund t’i japësh asgjë që i mungon, pse ai ka zemrën plot e përplot me dashuri!…”
At Zef Pllumi la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë shpresën, besimin dhe shpirtin, por të qëndrojë, te rezistojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes.
𝗥𝗶𝗽𝗲𝗿𝘁𝗲𝗿𝗶𝘁𝗷𝗮 𝗱𝗼 𝘁𝗲 𝗸𝗲𝘁𝗲 𝘀𝘂𝗸𝘀𝗲𝘀 𝗻𝗲𝘀𝗲 𝗶 𝗿𝗶𝗸𝘁𝗵𝗲𝗵𝗲𝗺𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗶𝗺𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗥𝗶𝘁𝗵𝗲𝗺𝗲𝗹𝗶𝗺𝗶𝘁

𝗥𝗶𝗽𝗲𝗿𝘁𝗲𝗿𝗶𝘁𝗷𝗮 𝗱𝗼 𝘁𝗲 𝗸𝗲𝘁𝗲 𝘀𝘂𝗸𝘀𝗲𝘀 𝗻𝗲𝘀𝗲 𝗶 𝗿𝗶𝗸𝘁𝗵𝗲𝗵𝗲𝗺𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗶𝗺𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗥𝗶𝘁𝗵𝗲𝗺𝗲𝗹𝗶𝗺𝗶𝘁

Një parti politike nuk ripërtërihet thjesht duke ndryshuar disa emra, duke afruar disa njerëz më të rinj apo duke zëvendësuar një brez me një tjetër. Ripërtëritja e vërtetë është shumë më e vështirë. Është rikthim te parimet, te besimi, te mënyra se si merret vendimi dhe, mbi të gjitha, te arsyeja përse partia ekziston dhe meriton të ekzistojë.
Për Partinë Demokratike, kjo është edhe më e rëndësishme. Rithemelimi lindi si një kërkesë për ndryshim të mënyrës së funksionimit të partisë, për më shumë demokraci të brendshme, për rikthimin e sovranitetit të anëtarësisë, për hapjen e strukturave dhe për një parti ku kontributi politik të kishte më shumë peshë se afërsia personale me drejtuesit.
Sot, nëse flasim për Ripërtëritje, duhet të kemi guximin të pyesim se sa prej këtyre parimeve të Rithemelimit janë bërë realitet.
Nëse përgjigjja është se shumë prej tyre ende nuk zbatohen, atëherë problemi nuk zgjidhet duke quajtur “Ripërtëritje” një ndryshim brezash. Një parti mund të ketë drejtues të rinj në moshë dhe të vazhdojë të funksionojë me zakone të vjetra.
Pikërisht këtë gjë synonte Rithemelimi dhe duhet të ketë devizë PD.
a. Ripërtëritje e vlerave, jo vetëm e moshave
PD, pa diskutim që ka nevojë për njerëz të rinj. Por më shumë se për mosha të reja, Partia Demokratike ka nevojë për mentalitet të ri politik.
Një demokrat 25-vjeçar, nëse mendon dhe vepron sipas të njëjtës kulturë politike të mbyllur apo që demonstrojnë një pjesë e atyre që janë pranë zyrave qendrore, nuk përbën domosdoshmërisht ripërtëritje. Ndërsa një demokrat me përvojë, i sprovuar në fushata, që ka një biografi politike, nëse pranon hapjen, konkurrencën, kritikën dhe demokracinë e brendshme, duhet të jetë pa asnjë ekuivok pjesë e Ripërtëritjes.
Sa më demokratike, sa më e hapur, sa më konkurruese është bërë partia? Sa është zbatuar parimi i meritokracisë? Dhe nuk duhet të kufizohemi veç në shprehjen që u “ripërtërimë me të rinj në moshë!”
Rithemelimi duhet të rikthehet te ajo që kërkuam në vitin 2021: Anëtari të mos jetë numër në ditën e votimit, por të ketë zë në përcaktimin e kandidaturave, të drejtimit dhe të politikave të partisë.
b- Hapje reale dhe jo gjysëmhapje
PD nuk ka nevojë për një hapje që ndryshon realisht mënyrën se si funksionon.
Dyert duhet të jenë të hapura për njerëz që vijnë edhe nga jashtë strukturave tradicionale, për profesionistë, intelektualë, sipërmarrës, të rinj, gra, njerëz me eksperiencë dhe qytetarë që nuk kanë qenë më parë pjesë e politikës.
Por hapja ka kuptim vetëm nëse këta njerëz mund të konkurrojnë dhe të kenë mundësi reale për të marrë përgjegjësi.
Përndryshe, hapja ngelet në letra.
Nnë rast se duam dhe synojmë një parti fituese atëherë udhëheqja e partisë nuk duhet të ketë frikë nga njerëzit e rinj. Duhet të ketë frikë nga mungesa e njerëzve të rinj dhe të mos përdorë truke që t’i largojë, zhgënjejë,apo të zbatojë kritere klienteliste në segmente të caktuara.
c. Demokracia brenda partisë është kusht për të kërkuar demokraci jashtë saj
Nuk mund t’u kërkojmë qytetarëve të besojnë te demokracia nëse brenda partisë sonë nuk e praktikojmë atë.
Kjo do të thotë zgjedhje të brendshme reale, transparencë në vendimmarrje, debat të lirë, konkurrencë të ndershme dhe të drejtë për të shprehur mendime ndryshe pa u konsideruar automatikisht kundërshtar.
d. Kritika nuk është domosdoshmërisht tradhti.
Kundërshtimi nuk është armiqësi dhe as mendimi ndryshe nuk është përçarje.
Përkundrazi, një parti që nuk duron kritikën e brendshme dobësohet përpara se të përballet me kundërshtarin politik.
PD duhet të krijojë një kulturë ku drejtuesit të mos rrethohen vetëm nga ata që u thonë atë që duan të dëgjojnë. Drejtuesit e PD kanë më shumë nevojë për ata që u thonë të vërtetën sesa për ata që u tregojnë se sa madhështorë janë.
Ripërtëritja reale ndodh kur ulesh me këmbë në tokë dhe jo kur shkëputesh nga realiteti. Kur falsiteti demaskohet e luftohet realisht.
Politika nuk bëhet vetëm në zyra, konferenca për shtyp, deklarata të përhershme, rrjete sociale apo fjalime. Vlera e vërtetë është tek marrëdhënia me njerëzit.
e. Meritokracia duhet të bëhet rregull, jo premtim
Një tjetër parim i domosdoshëm i Ripërtëritjes është meritokracia, të cilën e trajtova në pjesën e dytë.
Kush punon duhet të ketë mundësi të ecë përpara. Kush kontribuon duhet të vlerësohet. Kush ka aftësi duhet të marrë përgjegjësi. Dhe kush ka dështuar duhet të ketë kurajën të bëjë një hap pas. Jo me mllef, por me tolerancë e qytetari.
Sepse përvoja dhe energjia e re duhet të bashkohen e jo të përplasen.
PD nuk mund ta përballojë luksin që një brez të mendojë se tjetri duhet të largohet për t’i hapur rrugë. Duhet të ndërtohet një ekuilibër ku përvoja të jetë kapital dhe rinia të jetë energji krijuese e, nga ky bashkëveprim partia të jetë fituese.
f. Parti e institucioneve
Një parti serioze nuk mund të varet pafundësisht nga individë, sado të rëndësishëm të jenë.
PD ka nevojë për institucione funksionale, rregulla të qarta dhe mekanizma që nuk ndryshojnë sipas interesave të momentit.
Nëse duam të jemi alternativë qeverisëse, duhet të tregojmë që dimë të qeverisim fillimisht veten.
Kjo kërkon transparencë, llogaridhënie të drejtuesve, rregulla të qarta për kandidaturat, procedura demokratike dhe përgjegjësi për rezultatin.
Kush kërkon votën e qytetarit duhet të pranojë edhe votën, mendimin dhe verdiktin e anëtarit.
Partia që nuk pranon gabimet e veta nuk mund të bindë askënd se do të qeverisë ndryshe.
Ripërtëritja kërkon të heqim dorë nga lustrimi i realitetit partiak, gënjimi i vetes.
Nuk mjafton të themi se jemi më të mirët, por duhet të bëhemi më të mirë.
Nuk mjafton të themi se jemi demokratë, por duhet të sillemi si demokratë.
Nuk mjafton të flasim për Perëndimin. Duhet të përfaqësojmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Perëndimi.
Ripërtëritja është e vërtetë kur të gjithë demokratët besojnë dhe veprojnë nën moton e filozofinë “Dielli lind andej nga perëndon”! Në çdo rast e situatë.Pra, kur nuk kemi frikë të pranojmë se kemi gabuar, se kemi humbur kohë, se kemi bërë hapa prapa dhe se duhet të ndryshojmë drejtim dhe të mos këmbëngulim në disa gabime.
Nëse duam të jemi një parti perëndimore e europiane, duhet të sillemi si një parti perëndimore e europiane.
Jo vetëm të kërkojmë Europën për Shqipërinë, por të sjellim standardin europian në mënyrën se si funksionojmë vetë.
Të mos ndërtojmë një PD të re me zakonet e vjetra.
g. Të mos e ngatërrojmë besnikërinë me bindjen
Një prej sëmundjeve më të rrezikshme të partive politike, nga e cila nuk ka shpëtuar pa u infektuar edhe PD, është kultura e bindjes absolute.
Partia Demokratike nuk duhet të kërkojë njerëz që thonë gjithmonë “Po”! Duhet të kërkojë njerëz që dinë të thonë edhe “Jo”, kur mendojnë se kjo i shërben interesit të përbashkët. Dhe kundërshtinë e tyre ta argumentojnë.
Besnikëria ndaj PD nuk matet me heshtjen përballë gabimit. Besnikëria e vërtetë është të kesh kurajën ta kritikosh partinë dhe kryetarin e saj për ta shpëtuar nga gabimi.
Kjo është edhe arsyeja pse Ripërtëritja duhet të shoqërohet me tolerancë.
Nuk mund të ndërtohet një PD e re duke krijuar armiq të rinj brenda saj.Ata që kanë kontribuar, edhe nëse nuk kanë qenë gjithmonë në të njëjtën linjë me drejtimin, duhet të vlerësohen për kontributin e tyre.
Kritika është alarmi që na tregon se ku po gabojmë. Kritika, debati dhe mendimi ndryshe janë pasuri.
Një PD fituese nuk ndërtohet duke përjashtuar.
Për të fituar zgjedhjet,
ka nevojë edhe për ata që nuk votojnë më për të; për të zhgënjyerit; të pavendosurit; qytetarët që janë lodhur nga politika; profesionistët që nuk e shohin më veten në politikë; të rinjtë që mendojnë se vendi i tyre është jashtë Shqipërisë, por në asnjë rast të largimit nga qëndrestarët.
Pra, PD duhet të bëhet më e madhe se elektorati i saj tradicional, duke respektuar maksimalisht militantët , mbështetësit e kohëve të vështira.
Kjo nuk arrihet duke bërtitur më fort ndaj kundërshtarit,apo të ngelemi peng i lojës dhe rengjeve të sektit Rama.Arrihet duke bindur qytetarin se ekziston një alternativë më e mirë dhe PD e Ripërtërirë është kjo alternativë.
Ripërtëritja e bazuar në parimet e Rithemelimit ( çuditërisht duket sikur po harrohen parimet e Rithemelimit )duhet të jetë një marrëveshje e re brenda PD-së,midis përvojës dhe energjisë; historisë dhe së ardhmes.
Ne , demokratët, të gjithë urojmë e duhet të punpjmë që PD të ketë kujtesë historike të jetë një marrëveshje e sinqertë mes atyre që e kanë ndërtuar partinë , forcuar atë, rezistuar në kohë të vështirs dhe atyre që duan të kontribuojnë për më tej.
Dhe mbi të gjitha, një marrëveshje mbi parimet dhe një kulturë të re politike, mbi themelet e Rithemelimit.
Nëse Rithemelimi ishte një thirrje për rikthimin e partisë te anëtari, demokracia, hapja, konkurrenca dhe meritokracia, atëherë Ripërtëritja duhet të jetë çasti kur këto parime kalojnë nga fjalët në praktikë.
Dhe nëse kjo Ripërtëritje ndërtohet mbi demokracinë e brendshme, hapjen reale, meritokracinë, tolerancën, përgjegjësinë dhe respektin për anëtarin, Vlerat mbi të cilat u ngrit Rithemelimi, atëherë Ripërtëritja do të jetë fillimi i rikthimit të PD-së si një forcë serioze, konkurruese dhe fituese.
Një parti që kërkon të ndryshojë Shqipërinë duhet të fillojë duke ndryshuar mënyrën se si sillet me anëtarët dhe simpatizantët e saj, sesi i redpekton ata dhe qytetarët.
Në mendimin tim Ripërtëritja është rikthimi te arsyeja përse u kërkua Rithemelimi në PD. Ndërsa parimet e Rithemelimit, të zbatuara në praktikë, duhet të bëhen themeli i një PD-je të re, më demokratike,më të hapur, më tolerante, më moderne, më pranë qytetarit, me më tepër meritokraci dhe, mbi të gjitha, më e aftë për të fituar besimin e shqiptarëve. Ripërtëritje do të thotë që trupit tonë t’i japim një shpirt të ri, shpirtin që mendonim se po kërkonim , të gjithë bashkë ,kur nisëm Rithemelimin dhe kur ecëm bashkë ( pavarësisht nga koha e afrimit , të hapur e tolerantë ,por kurrsesi jo ti harrojmë demokratët e thjeshtë , të ndershëm e guximtarë që ishin mbështetësit e muajve të parë të tij , në foltoret e takimet në Shqipëri)
V.O
Përmes një postimi të bërë para disa javësh, një zë i fortë dhe intelektual i shquar në diasporë, mbështetës i palëkundur intelektual dhe moral i Partisë Demokratike dhe, në veçanti, i Rithemelimit, Dr. Milaim Nelaj, u përcillte drejtuesve të Partisë Demokratike një mesazh të qartë: t’u riktheheshin vlerave dhe parimeve të Rithemelimit të Partisë Demokratike.
Duke u nisur dhe nxitur nga ai postim i Dr. Milaim Nelës, dhe si vijim i sugjerimeve të tij për rikthimin te parimet e Rithemelimit, u përpoqa të përcjell këto tri shkrime, të cilat, në thelb, duhen lexuar si një e vetme:
1. Parti statike apo parti dinamike, sfida e ripërtëritjes së Partisë Demokratike
2. Meritokracia dhe partia dinamike
3. Ripërtëritja do të ketë sukses nëse i rikthehemi parimeve të Rithemelimit
Tri shkrime, por një mesazh i vetëm:
Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje, dhe ajo do të jetë e suksesshme nëse bazohet tek meritokracia dhe nëse rikthehet te vlerat dhe parimet që frymëzuan/sollën Rithemelimin.
𝗥𝗮𝗺𝗮, 𝗮𝗿𝗺𝗮𝘁𝗮 𝗲 𝗶𝗹𝘂𝘇𝗶𝗼𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗴𝘂𝗮𝗿 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝗸𝗶𝗻𝗮 𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘀𝗵𝘂𝗿 𝗲 𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘇𝗺𝗶𝘁

𝗥𝗮𝗺𝗮, 𝗮𝗿𝗺𝗮𝘁𝗮 𝗲 𝗶𝗹𝘂𝘇𝗶𝗼𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗴𝘂𝗮𝗿 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝗸𝗶𝗻𝗮 𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘀𝗵𝘂𝗿 𝗲 𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘇𝗺𝗶𝘁

Të tmerruar nga fryma, shpresa e ngjallur nga protesta rinore dhe nga rezistenca e saj epike prej 85 ditësh, Rama dhe sekti i tij në pushtet kanë mobilizuar jo vetëm ushtrinë e “sprovuar” të patronazhistëve, por edhe “burinë” e rregjimit, ushtrinë e podkasteve zyrtare, komunikimeve direkte dhe profileve mbështetëse, për të dezinformuar dhe keqorientuar opinionin e qytetarëve, duke synuar margjinalizimin e protestës.
I. Armata e iluzionistëve dhe zëvendësimi i reformave me show
Sekti Rama ka angazhuar fort punonjës të shtetit, për të kryer lidhjen e administratës me rrjetet sociale, si dhe struktura të ndryshme publike, në shpërndarjen e pseudoarritjeve qeveritare dhe në kundërsulmet ndaj zërave kritikë në rrjet. Ka mobilizuar më shumë se kurrë më parë njerëz të afërt me pushtetin, analistë apo eksponentë të caktuar, për të mbrojtur modelet e qeverisjes në panele dhe në media, duke shitur iluzione.
Po përpiqet gjithnjë e më shumë për të mbuluar problemet e thella ekonomike, për t’i bërë qytetarët të harrojnë pakënaqësinë e ngritur ortek në vend, ndaj korrupsionit apo dështimeve administrative, përmes videove të montuara bukur, me zyra të transformuara, apo me projekte 3D.
Krijimi i platformave të reja qeveritare, apo nismat më të fundit të komunikimit po përpiqen t’i shërbejnë sektit në pushtet si fasadë dhe mjet propagande, për të treguar një realitet virtual, duke shpërfillur dhe harruar plotësisht problemet reale të qytetarëve.
Sekti Rama ka krijuar një rrjet të gjerë punonjësish në administratën publike, sidomos në atë qendrore, detyra e vetme e të cilëve është shpërndarja në rrjetet sociale e videove nga ERTV, televizioni i kryeministrit, si dhe i postimeve qeveritare, duke përdorur fondet dhe burimet shtetërore për qëllime propagande komuniste. Reformat e mirëfillta, të cilat kanë ngecur ose janë anashkaluar, po zëvendësohen nga podcastet qeveritare dhe show personal i gjoja “Liderit Rajonal”.
II. “Boria” komuniste dhe makina e prishur qeveritare
Rama harron se institucionet, njësoj si automjetet, maten nga motori që i çon përpara, jo nga boria që i bën të dëgjohen. Me një qasje komunisti të pandreqshëm, po i mëshon vetëm propagandës, me shpresë të kotë se do të shpëlajë trutë e të rinjve, sidomos të qëndrestarëve në protestë dhe të qindra mijëra të tjerëve të rinj dhe jo të rinj, që solidarizohen me protestën dhe e simpatizojnë atë. Dhe që shumë shpejt, në shtator, do të mbushin rradhët e saj.
Në vend që të inciojnë projektet për profesionistët e rinj, për inxhinierë, mjekë, agronomë, veterinerë, etj,, Rama dhe sekti i tij mbështesin me fonde dhe emërime në administratë propagandistët!
Mirëpo problemi nuk është se sa fort dëgjohet boria, por sa mirë punon motori. Mos investo te boria kur problemi është motori.
Rama qëllimisht bën sikur e harron këtë realitet. Në një sistem që funksionon, investimi shkon tek motori, tek kapaciteti që prodhon lëvizje dhe rezultat. Kur investimi shkon kryesisht tek boria, krijohet shumë zhurmë, por pak, ose aspak përparim.
Edhe institucionet, njësoj si automjetet, maten nga motori që i çon përpara, jo nga boria që i bën të dëgjohen. Burimet duhet të shkojnë tek kapaciteti, mekanizmat dhe rezultatet. Komunikimi duhet të pasqyrojë punën, dhe jo ta zëvendësojë atë.
Mirëpo këtë të fundit po përpiqet të bëjë Rama. Të zëvendësojë reformat që i ka dështuar ose nuk i ka nisur fare në këto 14 vite qeverisje, me show. Duke u sjellë si komunist klasik.
Makina e komunizmit nuk ecte, sepse e gjithë fuqia e motorit ishte çuar te boria. Metafora: burimet shpenzoheshin për zhurmën, propagandën dhe demonstrimin, në vend që të shkojnë tek motori, mekanizmi që prodhon lëvizjen dhe rezultatin.
Prandaj dhe “makinat e komunizmit”, sistemet qeverisëse të komunizmit në të gjithë botën u prishën dhe nuk ecnin më. Dhe njësoj si në barseletën historike për dështimet e komunizmit, u thirrën ideologët e saj, për të parë çfarë kjo makinë ka që nuk shkon.
Marksi thotë: “Unë projektova karrocerinë; për pjesët e tjera pyesni Engels-in.”. Engelsi thotë: “Unë u mora me suspensionin dhe drejtimin; motori është puna e Lenin-it”. Lenini kontrollon makinën, sheh motorin dhe në fund thotë: “Po si prisni të ecë, shokë, kur të gjithë fuqinë e motorit e keni çuar te boria?”. Makina e komunizmit ishte prishur. Kur e kontrolluan, zbuluan se motori nuk ishte lidhur me rrotat, por me borinë.
xxx
Kështu po sillet sot Rama, duke dashur të deformojë realitetin mjeran të braktisjes masive të vendit dhe dështimit të reformave për një ekonomi të qendrueshme dhe për qytetarët, me “bori” patronazhistësh dhe shërbëtorësh e pagamarrësish të qeverisë në rrjet sociale dhe mediat. Por nuk do t’ia arrijë dot. Orteku i protestës rinore dhe qytetare në shtator do ta marrë përfund me vete, për ta hedhur në koshin e historisë, aty ku e ka vendin.
𝗠𝗲𝗿𝗶𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝗰𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮 𝗱𝗶𝗻𝗮𝗺𝗶𝗸𝗲

𝗠𝗲𝗿𝗶𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝗰𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮 𝗱𝗶𝗻𝗮𝗺𝗶𝗸𝗲

Parti dinamike dhe meritokraci ecin gjithmonë në të njëjtën rrugë. Meritokracia në një parti dinamike nuk duhet të jetë slogan, dhe nuk duhet të të ngelet koncept teorik, por duhet të jetë ndjesi e përditshme në jetën e asaj partie. Nëse njerëzit besojnë se karriera varet kryesisht nga afërsia me një drejtues, nga një grup apo nga një rreth i caktuar, atëherë partia fillon të prodhojë besnikëri personale për pakicën dhe pesimizëm, hatërmbetje për pjesën më të madhe. Partia shndërrohet në një parti statike.
Një parti dinamike prodhon kushtet që intelektualët, të angazhuarit, të rinjtë, të besojnë se puna, aftësia, integriteti dhe rezultati kanë peshë, aty ka meritokraci.
Dallimi i meritokracisë në një parti dinamike është themelore: Një parti që kërkon të ripërtërihet duhet të krijojë një rregull të pashkruar, por të dukshëm për të gjithë: nëse punon, nëse je i aftë, nëse krijon besim dhe nëse prodhon rezultat, duhet të kesh një shans real për të ecur përpara dhe se karriera politike duhet të ndërtohet, jo të dhurohet as nga grupime e qarqe të veçanta, as nga besnikëri personale, por vetëm nga puna dhe kontributi real.
Një nga mënyrat më të mira për të rikthyer besimin te meritokracia është krijimi i një rruge normale të zhvillimit politik. Nuk është e nevojshme që çdo njeri të kalojë mekanikisht nga një shkallë në tjetrën, por duhet të ekzistojë ndjesia dhe bindja se, ka një rrugë normale karriere.
Një anëtar mund të bëhet kryetar seksioni apo grupseksioni. Një kryetar grupseksioni mund të zgjidhet në një rol drejtues brenda degës lokale. Një drejtues lokal mund të provohet në një rol më të madh në qendër, si anëtar i Këshillit Kombëtar, Kryesisë apo Drejtues Politik. Një profesionist mund të kontribuojë në pika të veçanta të programit elektoral të partisë. Një intelektual, artist, sportist i shquar, që ka dhënë rezultat në një fushë të caktuar, mund të kandidojë për një përgjegjësi publike nën siglën e Partisë Demokratike, sepse PD përpiqet të jetë parti dinamike. Pas çdo aksioni të suksesshëm duhet të ketë edhe një ngritje në karrierën politike. Kjo është një nga mënyrat më të drejta për të ndërtuar një parti dinamike ku baza është meritokracia, ku kontributi, sakrifica dhe rezultatet shpërblehen me përgjegjësi dhe besim.
Në një parti dinamike karriera politike duhet të ndërtohet, të meritohet dhe jo të dhurohet.
Sepse kur njerëzit punojnë për vite dhe shohin se vendimet më të rëndësishme merren pa asnjë lidhje me kontributin e tyre, humbin motivimin. Fillimisht heshtin, më pas largohen, dhe në fund, edhe ata që mbeten fillojnë të punojnë vetëm sa për formë. Kjo është një nga mënyrat se si një parti bëhet statike, kur thyhet besimi, dhe besimi thyhet kur mungon meritokracia.
Çdo promovim i gabuar në Partinë Demokratike, vendosja e figurave jo të duhura apo e njerëzve artificialë, të cilët pompohen nga qarqe të caktuara, shkakton, në gjykimin tim, largimin e dhjetëra të tjerëve që e meritojnë. Në një parti të mirëfilltë dinamike dorëheqja e individëve me integritet, të cilët në shumë raste nuk dëgjohen dhe nuk përfillen në pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre, nuk duhet të ndodhë. Partia dinamike krijon dhe ka hapësirë për këdo.
Një parti dinamike nuk duhet të gabojë në zgjedhjen e kandidatëve të saj, jo vetëm kur vjen fjala te kandidatët për deputetë, por edhe te kandidatët për ekipet drejtuese: Kryesi, sekretariate, Këshill Kombëtar etj. Një parti dinamike shmang kandidaturat e pastudiuara mirë dhe krijon mundësira konkurimi për aktivistët e spikatur.
Për sa u përket kandidatëve, nuk duhet të promovohen individë të cilët nuk janë përfshirë në fushata elektorale, duke u shmangur atyre. Krahas njerëzve të rinj, figurave të reja, ekspertëve dhe profesionistëve, për të cilët një parti dinamike ka gjithmonë nevojë, në kushtet e kandidaturave duhet t’u jepet përparësi njerëzve të aksionit, që njohin bazën dhe atyre që kanë qenë jo vetëm të përfshirë, por edhe të suksesshëm në fushata elektorale.
Karriera në një parti dinamike duhet të ndërtohet mbi bazën e meritokracisë. Dhe meritokracia fitohet përmes aksionit: përmes marrjes së iniciativave në momente të caktuara, kandidimit në primare, kandidimit në lista të hapura apo të mbyllura dhe kontributeve reale.
Nuk janë postimet në facebook apo deklaratat (ndonjëherë butaforike) në podiumin e selisë ato që të legjitimojnë postin që një drejtues ka, apo sa afër është me zyrën e kryetarit. Karriera fitohet përmes aksioneve të mirëfillta, denoncimeve reale me peshë, sepse në thelb dinamizimi nënkupton aksionin.
Karriera në një parti dinamike ndërtohet mbi bazën e aksioneve. Dhe aksioni politik, në radhë të parë, nënkupton njerëzit që arrin të afrojë, të bindë dhe të mobilizojë. Pikërisht kjo është, në thelb, dinamika e një partie. Përkushtimi ndaj kauzës venitet kur udhëheqja e partisë përkrah e promovon individë që u bëjnë fresk.
Në këtë kontekst vazhdimisht pyes veten: Nga gjithë ata mbështetës që ishin me qindra në “Rrugën e Shpresës”, çdo ditë për afro 1 vit, mes të cilëve kishte të rinj, profesionistë, njerëz me integritet dhe individë të angazhuar politikisht, nuk spikati askush për t’u provuar në një post drejtues brenda Partisë Demokratike?
Nga të gjitha denoncimet që kanë bërë personalitete (jo deputetë) brenda Partisë Demokratike, apo gazetarë afër PD-së, a nuk duhej të vlerësoheshin me poste të larta në parti pas Kuvendeit?! Nëse po, kjo do të ishte eficente për ripërtëritjen.
Partia Demokratike, ndryshe nga një parti dinamike, duket se vuan nga memoria. Sot, në poste drejtuese në Partinë Demokratike janë edhe individë të cilët i kanë bërë bisht kandidimit në listat e hapura në zgjedhjet e vitit 2025, sepse nuk ishin pjesë e listave të mbyllura, dhe ndoshta, janë lumturuar nga humbja e zgjedhjeve.
Partia dinamike kërkon përkushtim pa kushte.
Partia Demokratike duhet t’u rikthehet sondazheve (të brendshme). Sondazhet dhe matje reale të ndikimit janë mekanizma që e ndihmon një parti të kuptojë nëse zgjedhjet e saj, qoftë për individë të caktuar në poste të caktuara, qoftë për mënyrën e organizimit, janë të suksesshme, pëlqehen nga njerëzit dhe mbi të gjitha, janë të pranuara prej tyre.
Reputacioni i antarëve të ekipit udhëheqës të partisë duhet të verifikohet në qytetin e lindjes, në Tiranë, apo në segmente të caktuara të shoqërisë.
Një pikë tjetër, që lidhet pikërisht me organizimin e një partie dinamike, është edhe zgjedhja e ekipit drejtues. Në gjykimin tim, Kryesia e Partisë nuk duhet të ketë asnjë individ të pavotuar, sepse kështu prishen raportet. Vendimi për futjen automatikisht të individëve që kanë poste të tjera parlamentare në Kryesinë e Partisë është i gabuar (të pavotuarit në numër ua kalojnë të votuarve në përbërjen e Kyesisë). Të gjithë duhet të kalonin përmes votës. Të qenurit pjesë e një kolegji kaq të rëndësishëm sic është Kryesia e Partisë meritohet vetëm nëse votohesh, dhe jo nga emërimet.
Një parti dinamike nuk ka nevojë për ekipe drejtuesish të fryra në numra. Një parti dinamike duhet t’u shmanget trupave drejtuese të ngarkuara me individë mix, të votuar dhe të pavotuar. Ekipet duhet të jenë eficente, të vogla dhe të gjithë anëtarët e tyre duhet ta meritojnë duke u votuar.
Anëtarët e zgjedhur në Kryesinë e PDSh-së kaluan nga një garë dinjitoze dhe të fortë, ku çdo kandidat (të gjithë kandidatët ishin dinjitozë) u votua dhe çdo fitues doli përmes votës. Ky standard duhet të përmbushej në të gjitha hallkat e partisë, gjë e cila nuk ndodhi në rastin e zgjedhjes së shumicës së sekretariateve.
Në zgjedhjen e sekretariateve u bënë disa gabime. Sipas mendimit itm, mbi 30% e konkurrimeve/ kandidatëve ishin fiktive, ishin individë që për fat të keq nga shumica nuk njiheshin, fakt që duhet të na shqetësojë. Nga ana tjetër nuk jepet një shembull i mirë kur nuk ka standarde të njëjta: disa kandidatë e dinin prej javësh se do të garonin, ndërsa pjesa tjetër e gjente veten kandidat ditën e votimit, apo akoma më keq ishin vendosur thjesht si kandidatura plotësuese
Proceset zgjedhore brenda strukturave duhet të jenë të orientuara drejt një gare të drejtë dhe mundësive të barabarta të konkurrencës. Duhet të heqim dorë nga vendosja e kandidaturave fiktive apo nga metodat favorizuese. Për t’i dhënë përparësi një kandidati, nuk mund t’i vendosim përballë kandidatë që nuk njihen, nuk janë promovuar sa duhet apo, akoma më keq, kandidatë që e marrin vesh se kandidojnë vetëm në momentin e votimit.
Garat dinjitoze për ekipin drejtues të PD-së ishin kandidimi i dy figurave me integritet të lartë në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Luciano Boci. Gara të forta dhe serioze ishin edhe gara për sekretarin organizativ, (Klevis Balliu) për pushtetin vendor (Ylli Asllani) apo për dixhitalizimin (Etion Kapedani) etj.
Garat dinjitoze në sekretariatet që përmenda vërtetohen edhe nga fakti se drejtuesit e zgjedhur në këto sekretariate janë përfshirë në punë pa reshtur asnjë ditë. Rasti i sekretarit për pushtetin vendor, është domethënës. Ai vazhdon me ritëm të lartë shkrimet, analizat, deklaratat, shpalosjen e alternativës së PD në lidhje me reformën administrativo-territoriale, me profesionalizmin. Po kështu, sekretari organizativ shumë aktiv, sekretari për dixhitalizmin, avokatja e palodhur për denoncimin e korrupsionit, znj. Adriana Kalaja, etj. Mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar do të ketë si kryetemë çështjen e dixhitalizimin, një projekt shumë i rëndësishëm për një parti dinamike.
Meritokracia në një parti dinamike nënkupton evidentimin e individëve që spikasin, që dallojnë nga të tjerët përmes punës reale brenda partisë. Dhe kjo është një nga vlerat bazë që duhet të ketë Partia Demokratike.
Meritokracia do të thotë gjithashtu të zbatosh parimet e rithemelimit dhe të flasësh për to. Sot, me sa duket, në Partinë Demokratike këto parime janë harruar. Nuk është aspak turp të flasësh për parimet e rithemelimit; përkundrazi, Riperteritja e Partisë Demokratike do të jetë e suksesshme vetëm atëherë kur t’u rikthehet parimeve të Rithemelimit (Rikthimin te parimet e rithemelimit do ta trajtoj më gjerësisht në një shkrim të veçantë).
Partia Demokratike duhet të rikthehet te standardi që tw gjithw drejtuesit të promovohen nga puna, integriteti dhe kontributi real. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një parti dinamike, konkurruese dhe fitimtare.
Ripërtëritja e Partisë Demokratike nuk mund të bëhet vetëm duke futur disa emra të rinj në kryesi apo në lista kandidatësh. Një parti dinamike duhet të japi garanci për kontributin e gjithësecilit, për ecurinë e çdokujt, për njohjen e çdo kontributori, duhet të di të vlerësojë dhe të masi me metrin e meritokracisë hapin e çdo individi brenda asaj partie.
Që Partia Demokratike të bëhet realisht një parti dinamike, kërkohet një reformim radikal përmes ripërtëritjes, dhe ky reformim duhet të bëhet me njerëz që kanë vizionin, formatin dhe aftësitë politike, vendosmërinë dhe, mbi të gjitha, përkushtimin ndaj kauzës. Me këto kritere, në PD aktualisht jemi “shumë hollë”, siç i thonë në Dibër.
Promovimi i të rinjve apo i figurave me vese, apo devijanca nuk i duhen Partisë Demokratike dhe nuk i shërbejnë vizionit të një partie dinamike. Përkundrazi, promovime të tilla e dëmtojnë rëndë imazhin, besueshmërinë dhe integritetin e një partie dinamike. Brenda Partisë Demokratike, tek vendimarrësit pranë kryetarit, me sa duket kjo ende nuk po arrihet të kuptohet.
Një anëtar duhet të dijë se puna e tij ka vlerë. Një profesionist duhet të dijë se kompetenca e tij mund të njihet. Një drejtues lokal duhet të dijë se rezultatet e tij kanë vlerë. Një i ri duhet të kuptojë se për të ecur përpara nuk duhet domosdoshmërisht të jetë “njeriu i dikujt”.
Një anëtar duhet të dijë se puna e tij ka vlerë. Një profesionist duhet të dijë se kompetenca e tij mund të njihet. Një drejtues lokal duhet të dijë se rezultatet e tij kanë peshë. Një i ri duhet të kuptojë se, për të ecur përpara, nuk duhet domosdoshmërisht të jetë “njeriu i dikujt”.
Pikërisht këtu nis meritokracia dhe fryma e një partie dinamike, te garancia se kontributi, angazhimi dhe rezultatet njihen dhe vlerësohen. Kjo forcon besimin te strukturat dhe te i gjithë organizimi i saj drejtues.
V.O. 1
Më poshtë po përcjellë mesazhin/vlerësimin që më dërgoi, S.SH, një pedagog e shkencëtar i ri në fushën e kimisë për pjesën e parë të shkrimit: “Parti statike apo Parti dinamike”:
“Sinqerisht, më pëlqeu SHUMË. Përtej analizës politike, teksti ka super cilësi, thellësi dhe një filozofi të qartë mbi atë që e mban gjallë një parti politike në kohë.
Dallimi që bën mes partisë statike dhe asaj dinamike është ndoshta një nga formulimet më të qarta që kam lexuar kohët e fundit për gjendjen e politikës sonë: “partia statike përpiqet të ruajë atë që ka; partia dinamike përpiqet të kuptojë atë që po vjen.”
Më pëlqeu sidomos fakti që ripërtëritjen nuk e paraqet si mohim të historisë, identitetit apo bindjeve të një partie, por si aftësinë për t’u dhënë atyre vazhdimësi duke kuptuar shoqërinë që ndryshon. Në këtë kuptim, historia duhet të jetë rrënjë dhe jo spirancë .
Më kujtoi edhe një mendim të Edmund Burke-ut, pikërisht të një konservatori, se një shtet që nuk ka mjetet për të ndryshuar, nuk ka as mjetet për të ruajtur veten. E njëjta logjikë vlen edhe për një parti politike: ripërtëritja nuk është braktisje e identitetit; në momente të caktuara është pikërisht kushti për ruajtjen e tij.
Historikisht, partitë e mëdha që kanë ditur të rikthehen kanë kaluar pikërisht përmes kësaj dileme: të ndryshojnë organizimin, mënyrën e të menduarit dhe marrëdhënien me shoqërinë, pa humbur atë që i ka përcaktuar si identitet. Prandaj më duket shumë e rëndësishme ideja jote se dinamizmi nuk është thjesht ndryshim njerëzish apo gjeneratash, por aftësi për të dëgjuar, për të analizuar veten dhe për të krijuar hapësirë për meritë, përgjegjësi dhe ide të reja.
Pjesa për përgjegjësinë pas zgjedhjeve dhe mungesën e një analize të mirëfilltë, përfshirë analizën SWOT, është ndoshta aty ku teksti bëhet edhe më i fortë, sepse prek një të vërtetë të pakëndshme: një organizatë nuk mund të kërkojë vazhdimisht përgjegjësi nga kundërshtari dhe, njëkohësisht, të shmangë analizën dhe përgjegjësinë brenda vetes.
Po aq e rëndësishme më duket ajo që shkruan për bazën. Në fund, një parti nuk bëhet dinamike vetëm duke ndryshuar në qendër. Ajo bëhet dinamike kur arrin të krijojë një qarkullim real: shoqëria flet me strukturën, struktura me partinë dhe partia e kthen këtë në politikë, alternativë dhe zgjidhje . Kur kjo lidhje humbet, rreziku është pikërisht ai që e përshkruan ti shumë bukur: që një ditë partia të përfundojë duke folur vetëm me veten.
Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme që lë pas shkrimi yt është kjo: jo nëse një parti dëshiron të ndryshojë, por nëse është e gatshme të ndryshojë edhe atë që është më e vështirë të ndryshohet mënyrën se si dëgjon, si vlerëson meritën dhe si mban përgjegjësi.
Pres me shumë interes pjesën e dytë, sidomos atë për meritokracinë, sepse aty besoj se fillon edhe prova e vërtetë e dallimit mes një partie që flet për ripërtëritjen dhe një partie që e kthen ripërtëritjen në praktikë”.
V.O.2
Pjesa e tretë do jetë: “Ripërtëritja dhe parimet e rithemelimit”.
𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶 𝘀𝘁𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗮𝗽𝗼 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶 𝗱𝗶𝗻𝗮𝗺𝗶𝗸𝗲: 𝘀𝗳𝗶𝗱𝗮 𝗲 𝗿𝗶𝗽𝗲𝗿𝘁𝗲𝗿𝗶𝘁𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝘀𝗲 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲

𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶 𝘀𝘁𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗮𝗽𝗼 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶 𝗱𝗶𝗻𝗮𝗺𝗶𝗸𝗲: 𝘀𝗳𝗶𝗱𝗮 𝗲 𝗿𝗶𝗽𝗲𝗿𝘁𝗲𝗿𝗶𝘁𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝘀𝗲 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲

Ka momente në jetën e një partie politike kur problemi nuk është vetëm sa vota merr, sa mandate fiton apo sa fort kundërshton (në rastin e një partie në opozitë) qeverinë. Problemi e tejkalon këtë si çështje dhe bëhet diçka akoma më e thellë: a është ende ajo parti në gjendje të dëgjojë shoqërinë, të kuptojë ndryshimin dhe të ndryshojë vetë? Pikërisht në këtë pikë, kaq delikate për jetën dhe momentet që kalon një parti, mund të bëhet dallimi apo kuptimi i qartë mes një partie statike dhe një partie dinamike. Ku ndryshojnë nga njëra tjetra, dhe cila është rruga për ta kuptuar?!
Kur flasim për një parti statike nuk nënkuptojmë domosdoshmërisht një parti shumë të dobët, por thelbi qëndron tek forca e asaj partie për të kuptuar veten, shoqërinë dhe kërkesën për ndryshimin/nevojën e vetvetes për t’u shndërruar në parti fituese. Një parti statike mund të ketë histori, struktura, militantë besnikë, figura publike dhe një elektorat të qëndrueshëm, por me kalimin e kohës mund të fillojë të jetojë më shumë me vetveten sesa me shoqërinë, duke u shkëputur padashur nga nevojat dhe realiteti i kësaj të fundit. Një parti statike futet në një cikël riprodhimi i të njëjtës mënyrë të të menduarit, i të njëjtës hierarki, i të njëjtës gjuhë dhe shpesh me të njëjtët njerëz, duke filluar të reagojë ndaj një realiteti të ri me të cilën përballet shoqëria/ publiku, me instrumentet e metodikat e së kaluarës.
Dhe kjo jep përcaktimin e një “partie statike”. Një parti që nuk lëviz me hapin e shoqërisë, por ngelet e varur nga historiku i së kaluarës dhe si pasojë e mos dëshirës për ndryshim.
Një parti dinamike, përkundrazi, nuk e sheh ndryshimin si kërcënim. Në një parti dinamike ndryshimi është filozofi, është instrumenti më i mirë i përfaqësimit të shoqërisë, njohjes dhe bërjes etalon besimi i saj. Në këto kushte, një parti dinamike nuk ka frikë të ripërtërihet dhe kjo nuk do të thotë të braktisë identitetin, bindjet apo historinë e saj, por të kuptojë se një parti që nuk ndryshon bashkë me shoqërinë, duke kuptuar nevojat dhe ndryshimin e saj, një ditë përfundon duke folur vetëm me veten.
Mes një partie statike dhe asaj dinamike dallimi mund të përkufizohet shumë thjesht: partia statike përpiqet të ruajë atë që ka; partia dinamike përpiqet të kuptojë atë që po vjen dhe kjo përbën edhe një nga sfidat më të mëdha që ka sot Partia Demokratike. Sfida e saj, në raport me shoqërinë është ripërtëritja, hapja, mos patja frikë nga ndryshimi, lidhja me njerëzit, figurat e reja (me integritet dhe reputacion), konsolidimi i marrëdhënieve me komunitetet lokale, forcimi i strukturës, meritokracia ( e treguar, jo falsiteti ), gjallëria e vitaliteti politik (jo domosdoshmërisht biologjik), të kuptojë realitetin dhe të përshtatet me hapin e saj. Në thelb sfida e Partisë Demokratike, ne rast se duam qe Riperteritja te jete e suksesshme është ndertimi i kushteve per t’u shnderruar ne nje parti dinamike.
Partitë dinamike janë parti të mëdha, të cilat i rezistojnë kohës, ndryshe nga partitë statike të cilat tkurren nga viti në vit, duke u zvogëluar gjithmonë e më shumë. Sot, në realitetin politik, partia dinamike është sfida e partive të djathta, në veçanti e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Dhe dinamizmi si koncept jo vetëm teorik, por mbi të gjitha praktik fillon nga baza e Partisë Demokratike, fillon nga lidhja me strukturat e saj; kur kjo lidhje konsolidohet/forcohet.
I-Partia dinamike përballet me përgjegjësi dhe përgjegjës.
Në një parti dinamike gjithmonë mbahen përgjegjësi. Gjithmonë ka përgjegjës kur vjen puna te angazhimet konkrete, të cilat rezultojnë jo aq të suksesshme sa priten apo projektohen në fillim. Një parti dinamike gjithmonë duhet të ketë analiza për ecurinë e punës së saj, aq më tepër kur vjen puna te analiza që duhet të bëhet pas çdo aksioni të madh politik, fjala vjen, analiza e rezultateve zgjedhore.
Duke marrë shkas nga zgjedhjet e vitit 2025, edhe pse zgjedhje në të cilat vullneti qytetar u tjetërsua, u anatemua dhe u intimidua nga mekanizmat e sektit Rama në pushtet, të cilat Partia Demokratike i ka denoncuar me fakte e seriozitet, përsëri ne, si Parti Demokratike, nuk arritëm të përfundonim një analizë të mirëfilltë, serioze dhe të detajuar nëpër degët tona, duke iu shmangur në një mënyrë, përgjegjësisë së drejtuesve. Analiza e bërë nuk u finalizua me nxjerrjen e përgjegjësive edhe në Kuvendin e Partisë , madje ato dhe ata kanë ngelur statike, pa lëvizur. Mungesa e një analize SWOT ( të cilën e kam kërkuar e artikuluar në mbledhjet e grupit parlamentar dhe në ato të Këshillit Kombëtar) nuk i jep përparësi një organizate politike, siç është Partia Demokratike; ajo ndikon drejtpërdrejt që të mos ketë përgjegjës që t’i shmangemi përgjegjësisë dhe të mos konsolidojmë oportunitetet për zhvillim.Është emergjente që një parti politike të ketë analiza të mirëfillta sa herë që ndërmerr aksione të mëdha, afatmesme ose afatgjata edhe në fundin e tyre.
II-Dinamizmi i një partie buron nga baza
Një parti politike nuk është vetëm kryetari, grupi parlamentar apo zyrat qendrore. Një parti politike bazën, qelizën e organizimit, identitetit dhe forcës së saj e ka tek antari i seksionit në një degë lokale që prej vitesh merr pjesë, organizon, dëgjon njerëzit dhe mban gjallë lidhjen e partisë me komunitetin, si mekanizmi që frymon çdo ditë identitetin e forcës së tij politike.
Në një parti dinamike është drejtuesi dhe antaret e kryesisë lokale që e dinë se çfarë shqetëson një lagje, fshat apo qytet ,është profesionisti që ka një ide, por nuk di nëse dikush do ta dëgjojë, është i riu që dëshiron të angazhohet, por kërkon të kuptojë nëse ka vërtet një rrugë përpara, nëse puna njihet dhe vlerësohet.
Kur këta njerëz fillojnë të ndihen të panevojshëm, një parti humbet shumë më tepër sesa disa aktivistë, ajo humbet aftësinë për të kuptuar realitetin. Nëse strukturat kujtohen vetëm kur duhen vota, atëherë ato gradualisht pushojnë së qenuri struktura politike dhe kthehen në mekanizma elektoralë, që mobilizohen, shumë herë të sforcuara vetëm në fushata e takime elektorale.
Por, një parti dinamike duhet ta shohë ndryshe këtë lloj lidhje, me bazën, anëtarin e saj, profesionistin, të rinjtë dhe drejtimin e saj lokal.
Degët dhe grupseksionet duhet të thonë çfarë po ndodh me familjet, biznesin e vogël, të rinjtë, profesionistët, fermerët, emigracionin, koston e jetesës, arsimin apo shëndetësinë në lokalitetin me të cilin çdo ditë jetojnë, punojnë, dëgjojnë, shikojnë e reagojnë.
Përshembull, këto kohë jemi duke artikuluar draftin tonë si PD lidhur me reformën e re administrativo-territoriale (për të cilën kemi që nga viti 2021 duke punuar e konsultuar me njerëzit), e cila konsiston në krijimin prej 100 njësish/bashkish (39 më shumë nga aktualja).
Në vazhdën e këtij propozimi ( RAT me 100 njësi) për të forcuar bazën e vet ,Partisë Demokratike i lind detyrimi që këtë reformë administrativo-territoriale ta aplikojë në organizimin e saj fillimisht .Ajo duhet të rikonceptojë degët sipas propozimit të saj për reformën ( jo ta fiksoje sipas variantit zyrtar) duke ecur paralelisht si nga ana politike, ashtu edhe nga ajo organizative.
Në veçanti, pjesë e këtij riorganizimi duhet të jetë dega e Tiranës. Ka ardhur koha që Tirana të ketë degën e saj të veçantë, me kryetarin dhe kryesinë e saj, pa u shkëputur apo anashkaluar nga organizimi i nëndegëve në çdo njësi. Tirana si dega më e madhe e PD, duhet të drejtohet nga një personalitet/e e lindur dhe e rritur në Tiranë, e cila duhet të jetë edhe figura më e lartë në parti pas Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Sekretarit të përgjithshëm.
Kjo formë organizimi i jep tjetër dinamizëm aksionit të Partisë Demokratike në bazë. Dhe nëse Partia Demokratike gjallërohet në bazë, forcon lidhjet me njerëzit, krijon hapësira për këdo që do të kontribuojë, madje edhe duke menduar ndryshe, dhe duke vlerësuar punën e gjithsecilit, atëherë ajo vërtet fillon të bëhet një parti dinamike. Procesi modern i dixhitalizimit që ka nisur PD me sekretariatin përkatës është nje hap i fortë sfidues drejt dinamizmit të partisë.
Në thelb një parti dinamike e ka forcën e saj jo vetëm nga qendra drejt bazës, por ajo buron nga baza. Rithemelimi e vërtetoi këtë, por për fat të keq mbeti në mes të rrugës.
Ky lloj rikonceptimi forcon bazën, e kupton dhe degjon me mire atë, duke bërë edhe një lloj komunikimi politik më të vërtetë, më real dhe pa filtra, ashtu siç ai duhet të jetë: shoqëria flet me strukturën, struktura flet me partinë dhe partia e kthen këtë në politikë, dhe në rastin e një partie dinamike ajo duhet të kthehet në zgjidhje dhe alternativë konkrete. Nëse kjo hallkë funksionon, partia është e gjallë, partia fiton dinamizmin. Nëse jo, ajo mund të ketë zyra, mbledhje dhe deklarata, drejtues të rinj të zgjedhur me procese gjysëm fiktive, por lidhja reale me njerëzit fillon të zbehet, fillon të shkëputet dhe shumë herë ajo mund të ndërpritet edhe pëfundimisht, duke bërë që struktura në pjesë të veçanta të bllokohet, të mosfunksionojë.
V.O Pjesa e parë
Pjesa e dytë – “Meritokracia”dhe më tej “Ripërtëritja do të ketë sukses nëse ju rikthehemi parimeve të Rithemelimit”.
𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗺𝗶𝗻𝘂𝗲𝘀𝗶 𝗶 𝘁𝗲 𝗮𝗿𝗱𝗵𝗺𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗔𝗲𝗿𝗼𝗽𝗼𝗿𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝘀𝗵𝗸𝗮𝘁𝗲𝗿𝗿𝘂𝗲𝘀𝗶 𝗶 𝘁𝗲 𝗮𝗿𝗱𝗵𝗺𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲𝗿𝗶𝘀𝗲!

𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗺𝗶𝗻𝘂𝗲𝘀𝗶 𝗶 𝘁𝗲 𝗮𝗿𝗱𝗵𝗺𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗔𝗲𝗿𝗼𝗽𝗼𝗿𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝘀𝗵𝗸𝗮𝘁𝗲𝗿𝗿𝘂𝗲𝘀𝗶 𝗶 𝘁𝗲 𝗮𝗿𝗱𝗵𝗺𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲𝗿𝗶𝘀𝗲!

Rama dhe sekti i tij në pushtet, me papërgjegjësi ekstreme dhe lojën oklte me oligarkët e vet, i kanë vënë vlonjatët dhe të gjithë Shqipërinë përpara një situate shumë të rrezikshme.
Nëse mosmarrëveshja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, Shqipëria nuk do të përballet vetëm me pyetjen nëse koncesionari ka përmbushur apo jo detyrimet e tij kontraktuale.
Një gjykatë e arbitrazhit ndërkombëtar, e cila ka parë, për fat të keq, edhe në raste të tjera sjelljen e papërgjegjshme të Ramës dhe klonëve të tij në pushtet, do të shqyrtojë në mënyrë shumë më të gjerë dhe në detaje sjelljen e shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së koncesionit, nga data 21 nëntor 2021 e nënshkrimit të tij e deri më sot.
Do të analizojë mënyrën se si institucionet e shtetit shqiptar kanë administruar kontratën, nëse kanë respektuar detyrimet e tyre dhe nëse vendimi për zgjidhjen e kontratës ka qenë proporcional, i arsyetuar dhe në përputhje me marrëveshjen.
I. Çfarë bëri shteti shqiptar për ta shpëtuar koncesionin dhe investimin strategjik?
Vërtet koncesionari nuk e ka realizuar në kohë projektin për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, por arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të pyesë: A u vu koncesionari në kushtet për ta realizuar në kohë projektin nga shteti shqiptar? A u mbrojt investimi i huaj?
Kompania “Mabco” e sipërmarrësit të njohur Behxhet Pacolli, është themeluar në vitin 1978 në Zvicër, është rregjistruar atje dhe e ka selinë në këtë shtet. Dhe Shqipëria ka një marrëveshje me Zvicrën për mbrojtjen e investimeve të huaja reciproke që daton që nga viti 1992.
Arbitrazhi ndërkombëtar do të pyesë gjithashtu: Çfarë bëri shteti gjatë gjithë kësaj periudhe? A i përmbushi ai vetë detyrimet e tij? A ndërhyri në kohën e duhur? A e monitoroi kontratën koncesionare? A krijoi kushtet për realizimin e investimit? Dhe, mbi të gjitha, a ishte zgjidhja e kontratës masa e fundit dhe e justifikuar, apo një vendim administrativ i marrë, pasi projekti ishte futur tashmë në krizë?
Shteti ynë ka dhënë garanci të rëndësishme financiare, ka marrë përsipër detyrime të caktuara dhe ka krijuar pritshmëri të forta për investuesit në konsorcium, lidhur me mbështetjen institucionale të projektit. Patjetër që shteti dhe qeveria kishin një rol aktiv në realizimin projektit dhe investimit.
Qeveria nuk mund të theksojë vetëm detyrimet e koncesionarit investues dhe të harrojë detyrimet e veta. Kontrata koncesionare ka vendosur një ekuilibër të caktuar ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve të palëve dhe arbitrazhi ndërkombëtar do të shqyrtojë nëse ky ekuilibër është respektuar.
Në veçanti, nëse shteti ka miratuar një projekt me një strukturë garancish financiare, sikurse është rasti i kontratës koncesionare të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, por më pas nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar funksionimin normal të marrëdhënies kontraktore, arbitrazhi ndërkombëtar mund të arrijë në përfundimin se edhe autoritetet publike kanë kontribuar në dështimin e projektit.
Deklarata e sipërmarrësit kosovar Behxhet Pacolli se ndaj tij është ushtruar presion i drejtpërdrejtë nga drejtues të qeverisë shqiptare dhe nga një oligark vendas për t’ia shitur aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës këtij të fundit është shumë e rëndë dhe e nxjerr lakuriq natyrën mafioze të sjelljes së Ramës dhe sektit të tij me investimet e huaja serioze. Kjo deklaratë mund të jetë një element jashtëzakonisht serioz në një arbitrazh ndërkombëtar.
Në një mosmarrëveshje ndërkombëtare investimesh, arbitrazhi ndërkombëtar nuk shqyrton vetëm pyetjen nëse investuesi ka përmbushur detyrimet e tij kontraktore. Ai shqyrton edhe nëse shteti ka vepruar në mënyrë arbitrare, diskriminuese, të padrejtë, të detyruar ose shtrënguese, në kundërshtim me standardet e mbrojtjes së investimit, të miratuara nga marrëveshja në fuqi mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Në situatën kur investuesi ankohet se drejtues të qeverisë i kanë ushtruar presion që aksionet e investimit t’i kalojë një biznesmeni të caktuar vendas, arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të shqyrtojë nëse ka ekzistuar një lidhje midis interesit privat të biznesmenit dhe veprimeve të autoriteteve shtetërore.
II. Përgjegjësia e shtetit në largimin e partnerit teknik, përurimi publik të një aeroporti të paçertifikuar dhe konfliktin mes ortakëve
Një çështje tejet problematike që do të shqyrtohet në arbitrazh ndërkombëtar është largimi i partnerit teknik turk nga projekti, kompanisë “YDA Group” në vitin 2023.
Në një projekt kompleks aeroportual, partneri teknik nuk është një element dytësor. Ekspertiza teknike, operimi aeroportual, certifikimi, siguria ajrore dhe standardet ndërkombëtare janë komponentë thelbësorë të një investimi të tillë.
Partneri teknik ishte pjesë e strukturës së koncesionarit dhe dy vite pasi u nënshkrua kontrata koncesionare, ai u largua. Arbitrazhi ndërkombëtar do të kërkojë të kuptojë përse u largua, kush e lejoi ose e miratoi largimin, a kishte shteti dijeni për pasojat, a u zëvendësua partneri teknik, a u respektuan kushtet e kontratës për ndryshimin e strukturës së koncesionarit dhe a u morën masa për të garantuar vazhdimin normal të projektit.
Nëse shteti ka pranuar një ndryshim të rëndësishëm në strukturën teknike të projektit pa vendosur mekanizma të qartë zëvendësimi dhe kontrolli, kjo i jep hapësirë arbitrazhit të argumentojë se autoritetet publike kanë toleruar një situatë, që më vonë e kanë përdorur si argument kundër koncesionarit.
Përurimi publik i një aeroporti të paçertifikuar më 8 maj 2025, që përfaqëson çmendurinë dhe papërgjegjësinë ekstreme të Ramës, do të jetë një nga pikat më të sikletshme për shtetin shqiptar në arbitrazh.
Aeroporti i Vlorës u përurua publikisht për qëllime politike apo elektorale, përpara se të përfundonte procesi i plotë i çertifikimit dhe autorizimit për operim. Behxhet Pacolli, pasi mori koncesionin e Aeroportit, në mënyra të ngjashme me porositë për rikonstruksion të Kremlinit dhe Dumës ruse në vitet 1995-1996, ua ka borxh qytetarëve të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike (keq)përdorimin e tij në farsën e përurimit publik të Aeroportit të paçertifikuar të Vlorës më 8 maj 2025.
Arbitrazhi ndërkombëtar do të shqyrtojë nëse ky përurim-mashtrim krijoi pritshmëri të caktuara, ndikoi në afatet e projektit dhe përfaqësoi një ndërhyrje të papërshtatshme në procesin teknik. Një aeroport nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimor. Përpara operimit, ai duhet të plotësojë kërkesa të shumta teknike, të sigurisë dhe të aviacionit civil.
Investuesi mund të argumentojë se vetë shteti krijoi një narrativë publike dhe politike, që nuk përputhej me gjendjen reale teknike të projektit. Në një arbitrazh ndërkombëtar, kjo është e rëndësishme.
Konflikti ndërmjet ortakëve të shoqërisë koncesionare është një tjetër element që do të bëhet pjesë e dosjes.
Nëse shteti ka qenë në dijeni të konfliktit dhe ka vijuar të trajtojë koncesionarin si një entitet funksional, pa marrë masa për të garantuar vazhdimësinë e projektit, sikurse ka ndodhur, atëherë më vonë do të jetë e vështirë të pretendohet se çdo pasojë e konfliktit mes ortakëve ishte ekskluzivisht përgjegjësi e investuesit.
Shteti nuk është përgjegjës për çdo konflikt të brendshëm të një konsorciumi privat. Por nëse konflikti ka qenë i tillë, që ka paralizuar projektin dhe autoritetet tona publike e kanë ditur këtë, atëherë arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të shqyrtojë, nëse shteti kishte detyrimin ose mundësinë kontraktore për të ndërhyrë dhe për të kërkuar korrigjimin e situatës.
III. Problemi më i madh: zgjidhja e kontratës, pa një proces të dokumentuar për korrigjimin e krizës
Kjo do të jetë pika më e rëndësishme e gjithë çështjes në arbitrazh. Nëse qeveria e sektit Rama ka vendosur të prishë kontratën, pasi projekti kishte hyrë në krizë, por pa dokumentuar përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje, koncesionari do të argumentojë se shteti nuk ka përdorur mjetet më pak drastike përpara se të ndërmerrte masën ekstreme të zgjidhjes.
Pyetjet që do të shtrohen dhe arbitrazhi ndërkombëtar do të këkojë përgjigje janë: a iu dha koncesionarit një afat për të korrigjuar shkeljet? a u zhvilluan negociata? a u propozuan ndryshime në strukturën e ortakërisë? a u përdorën mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashikuara në kontratë dhe a ishte zgjidhja e kontratës masa e fundit?
Nëse përgjigjet janë negative ose dokumentacioni është i dobët, Shqipëria mund të përballet me një argument të fuqishëm, se zgjidhja e koncesionit ishte e nxituar dhe joproporcionale.
Nëse investuesi arrin të krijojë bindjen në arbitrazh, se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është përdorur për qëllime politike, elektorale apo propagandistike dhe se institucionet shtetërore kanë marrë vendime në funksion të këtyre objektivave, kjo do të dëmtojë ndjeshëm narrativën juridike të shtetit. Arbitrazhi nuk është vendi ku gjykohet nëse një qeveri është politikisht e suksesshme apo jo. Por nëse motivet politike kanë ndikuar në administrimin e një kontrate ndërkombëtare, ato mund të bëhen relevante për vlerësimin e sjelljes së shtetit.
xxx
Në tërësi, problemi madhor që mund të ndeshë Shqipëria në një arbitrazh të mundshëm ndërkombëtar, është historia e trishtë dhe fatale e sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve publike të saj nën Ramën: miratimi i një koncesioni me garanci të mëdha shtetërore, lejimi i largimit të partnerit teknik, përurimi publik për qëllime politiko-elektorale i një aeroporti të paçertifikuar, lejimi i konfliktit mes ortakëve, lejimi i bllokimit arbitrar të kantierit të ndërtimit, mosndërhyrja derisa ishin kaluar afatet, si dhe prishja e koncesionit, pa asnjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Ja ku na katandisi sjella mafioze dhe e patolerueshme e Ramës dhe e sektit të tij, me një aset strategjik si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, që pritej ta ndihmonte fort Vlorën dhe gjithë Jugun e vendit në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik! Shqipëria rrezikon jo vetëm të turpërohet sërisht ndërkombëtarisht me humbjen e një gjyqi të rradhës, por edhe të jetë e detyruar të paguajë qindra milionë euro dëmshpërblim.
V.O. Ky shkrim është pjesa e parë e dy shkrimeve për aferën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Shkrimi nuk synon të bëjë avokaturën e investimit të Behxhet Pacollit, që, sikurse e theksova më sipër, u ka shumë borxhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike. Modestisht, si deputet i Kuvendit, dua të theksoj domosdoshmërinë e sigurisë juridike për investimet, qoftë të sipërmarrësve vendas apo atyre të huaj, siguri të cilën Rama dhe sekti i tij në pushtet e kanë shndërruar në mjet plaçkitjeje ndaj biznesit.
𝗔𝗸𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗡𝗿.𝟭: 𝗦𝗵𝗽𝗮𝗹𝗼𝘀𝗷𝗮 𝗲 𝗮𝗹𝘁𝗲𝗿𝗻𝗮𝘁𝗶𝘃𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝘀𝗲 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗥𝗲𝗳𝗼𝗿𝗺𝗲𝗻 𝗔𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗶𝘃𝗼-𝗧𝗲𝗿𝗿𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗮𝗹𝗲 (𝗺𝗲 𝟭𝟬𝟬 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝟲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗲)

𝗔𝗸𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗡𝗿.𝟭: 𝗦𝗵𝗽𝗮𝗹𝗼𝘀𝗷𝗮 𝗲 𝗮𝗹𝘁𝗲𝗿𝗻𝗮𝘁𝗶𝘃𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝘀𝗲 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗥𝗲𝗳𝗼𝗿𝗺𝗲𝗻 𝗔𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗶𝘃𝗼-𝗧𝗲𝗿𝗿𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗮𝗹𝗲 (𝗺𝗲 𝟭𝟬𝟬 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝟲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗲)

Reforma administrative-territoriale ka një rëndësi të veçantë dhe përbën një nga aktet më të rëndësishme për çdo legjislaturë në të cilën kalon në Kuvend. Pikërisht për këtë arsye, Partia Demokratike duhet ta institucionalizojë draftin e saj për reformën administrative-territoriale, duke e depozituar zyrtarisht në Kuvend dhe duke e përcjellë në mënyrë zyrtare në çdo këshill bashkiak të Shqipërisë, për diskutim dhe miratim.
Në këto javë është krijuar në opinionin publik ideja sikur në tavolinën e Kuvendit ka mbetur vetëm propozimi i sektit Rama në lidhje me RAT-in. Kësaj i shtohen edhe notat e propagandës që sekti Rama përdor për iniciativa të caktuara ( siç është drafti për Reformën Administrativo-Territoriale) duke krijuar përshtypjen se kjo reformë është tashmë një çështje e mbyllur. Në të vërtetë, ajo nuk është pranuar dhe, mbi të gjitha, nuk do të pranohet nga njerëzit.
Pikërisht këtu Partisë Demokratike i lind detyra të intensifikojë lançimin dhe shpalosjen e idesë dhe draftit të saj për reformën. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme pas mbylljes pa konsensus të Komisionit për Reformën, në një proces që, përtej mungesës së konsensusit politik, u zhvillua në kundërshtim me parimet ligjore mbi të cilat ishte ngritur.
Për këtë arsye, duhet të thellohen takimet me qytetarët, takimet masive në çdo qytet, konferencat dhe tryezat me ekspertë të fushës, si dhe diskutimet me shoqërinë civile.
Duhet të shkëputemi nga konferencat modeste për mediat dhe nga shkrimet në Facebook (siç është edhe ky shkrim) ku thjesht lançojmë qëndrimet tona për reformën. Këto forma komunikimi janë të nevojshme, por nuk mund të jenë instrumenti kryesor i betejës sonë politike në lidhje me qëndrimin tonë për këtë Reformë. Pika jonë e fortë duhet të jenë njerëzit !
Takimet e mëdha në çdo qytet; Konferencat me ekspertët; Tryezat me shoqërinë civile. Debati me këshillat bashkiakë; Përballja publike me argumentet; Shpjegimi i qartë se çfarë ndryshon dhe pse; Dhe mbi të gjitha, dëgjimi i drejtpërdrejtë i atyre që preken çdo ditë nga mënyra se si është ndërtuar dhe funksionon sot harta administrative/ territoriale e vendit, ku me anën e propozimit të sektit Rama për 45 bashki, situata në çdo njësi e fshat do rëndohet, do përkeqësohet.
Në Vlorë u zhvillua një protestë nga shoqëria civile dhe banorët e Orikumit, të cilët Partia Demokratike i mbështeti padyshim. Takime dhe protesta të tjera pritet të zhvillohen edhe në Novoselë e Selenicë. Këto janë aksione që burojnë nga një shqetësimi real i komuniteteve dhe duhen kthyer në pjesë të një aksioni politik më të konsoliduar dhe më të gjerë.
Ne, si Parti Demokratike, duhet t’i shkojmë deri në fund shpalosjes së alternativës sonë për krijimin e 100 baahkive, si domosdoshmëri jetike e çdo krahine e komuniteti.
Ne duhet ta vendosim në qendër të aksionit tonë alternativën/platformën e propozimit për 100 bashki, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te bashkitë e reja që përfshin varianti i Partisë Demokratike dhe te domosdoshmëria e shtimit të tyre. Debati nuk mund të kufizohet vetëm te kundërshtimi i 15 bashkive që Rama kërkon t’i shkrijë në mënyrë arbitrare përmes antireformës së tij territoriale, por edhe te rëndësia e shtimit të bashkive të reja, të parashikuara në draftin/propozimin e Partisë Demokratike.
Theksi duhet të jetë tek shpalosja e alternativës sonë: një model të plotë administrativo-territorial me 100 bashki në të gjithë Shqipërinë.
V.O
Mesazhi dhe vota ime është padiskutim e prerë kundër shkrirjes së Bashkisë së Selenicës; madje krahas Bashkive në Qarkun Vlorë ( Bashkive Vlorë, Selenicë, Himarë, Sarandë, Delvinë, Konispol e Finiq), do kërkojë deri në fund shtimin e 4 Bashkive të reja, Bashkinë Orikum, Novoselë, Amantia dhe Ksamil.
𝗚𝗮𝗯𝗶𝗺𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗲𝗻𝗱𝗮 𝘁𝗲 𝗭𝗲𝗹𝗲𝗻𝘀𝗸𝗶𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗶𝗺𝗶 𝘀𝘁𝗼𝗶𝗸 𝗶 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝘀𝗲!

𝗚𝗮𝗯𝗶𝗺𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗲𝗻𝗱𝗮 𝘁𝗲 𝗭𝗲𝗹𝗲𝗻𝘀𝗸𝗶𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗶𝗺𝗶 𝘀𝘁𝗼𝗶𝗸 𝗶 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝘀𝗲!

Marrëdhënia mes Polonisë dhe Ukrainës është një nga ato marrëdhënie që nuk mund të përkufizohen thjesht me fjalët “aleatë” apo “fqinj”. Përfaqëson një raport shumë të komplikuar. Ka brenda kujtesën e një të kaluare të dhimbshme, interesat ekonomike, politikën e brendshme dhe, mbi të gjitha, bindjen se siguria dhe ekzistenca e njërit vend lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe ekzistencën e tjetrit.
1. 𝙋𝙤𝙡𝙤𝙣𝙞𝙖: 𝙖𝙡𝙚𝙖𝙩𝙞 𝙢𝙚 𝙞 𝙦𝙚𝙣𝙙𝙧𝙪𝙚𝙨𝙝𝙚𝙢 𝙞 𝙐𝙠𝙧𝙖𝙞𝙣𝙚𝙨 𝙣𝙚 𝙀𝙫𝙧𝙤𝙥𝙚
Pas 24 shkurtit 2022, ditës së invazionit ushtarak të Rusisë së Putinit në Ukrainë, Polonia ishte ndër vendet që qëndroi më fuqishëm pranë Ukrainës. Hapi kufijtë për refugjatët, vuri në dispozicion territorin e saj si korridor jetik për ndihmën perëndimore, sidomos të SHBA-ve.
Polonia i dha armë, ndihmë ekonomike dhe kapital politik Ukrainës. Në shumë kryeqytete evropiane kishte shumë hezitim për të ndihmuar. Tek qeveria dhe populli polak nuk kishte fare.
Polonia e kuptoi që në fillim atë që disa vende të tjera evropiane e pranuan më vonë: lufta në Ukrainë nuk ishte vetëm lufta e Ukrainës. Rezultati i saj do të përcaktonte për vite të tëra arkitekturën e sigurisë në Evropën Lindore dhe, në mënyrë të veçantë, sigurinë e vetë Polonisë.
Pikërisht për këtë arsye, mosmarrëveshjet që pasuan mes të dyja vendeve u perceptuan fort në Varshavë.
Pritshmëria polake ishte e kuptueshme: një vend që kishte bërë kaq shumë për Ukrainën priste që presidenti i këtij vendi të tregonte një ndjeshmëri të veçantë ndaj interesave të popullit polak, shqetësimeve të tij dhe historisë së Polonisë.
2. 𝙂𝙧𝙪𝙧𝙞: 𝙣𝙟𝙚 𝙥𝙧𝙤𝙗𝙡𝙚𝙢 𝙚𝙠𝙤𝙣𝙤𝙢𝙞𝙠 𝙦𝙚 𝙕𝙚𝙡𝙚𝙣𝙨𝙠𝙞 𝙚 𝙡𝙚𝙭𝙤𝙞 𝙩𝙚𝙟𝙚𝙩 𝙥𝙤𝙡𝙞𝙩𝙞𝙠𝙞𝙨𝙝𝙩
Përplasja për produktet bujqësore ishte ndoshta sinjali i parë serioz se periudha e solidaritetit pa kushte kishte përfunduar.
Lufta ndryshoi rrugët tradicionale të eksporteve ukrainase. Bashkimi Evropian hapi tregjet dhe korridoret e tij për produktet e Ukrainës, një vendim i kuptueshëm në kushtet e agresionit rus.
Por një pjesë e prodhimit ukrainas nuk kaloi thjesht tranzit përmes vendeve fqinje. Ai hyri në tregjet e tyre dhe ushtroi presion mbi çmimet vendase.
Në Poloni kjo preku drejtpërdrejt fermerët e vendit. Për Kievin, çështja ishte mbijetesa e një ekonomie në luftë. Për fermerin polak, ishte mbijetesa e fermës së tij.
Të dyja palët kanë të drejtë. Të dyja shqetësimet janë të vërteta. Dhe pikërisht këtu filloi problemi. Presidenti ukrainas Zelenski dhe qeveria e tij, në disa momente, nuk e njohën mjaftueshëm këtë dallim.
Kur Polonia vendosi të mbronte tregun e saj dhe Ukraina reagoi, duke e çuar çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë, Zelenski mund të kishte argumente juridike dhe ekonomike.
Mirëpo, politikisht, vendimi i tij ishte i gabuar. Përballë Ukraina nuk ishte një shtet neutral apo kundërshtar. Përballë kishte një aleat jetik të sajën, një vend që vuri në dispozicion të Ukrainës territorin, infrastrukturën, armët, diplomacinë dhe një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të vet politik.
Diplomacia kërkon aftësinë për të kuptuar se jo çdo betejë që mund të zhvillosh juridikisht, ia vlen të hapet politikisht. Zelinski dhe qeveria e tij mund të kërkonin zgjidhje për eksportet e Ukrainës, duke negociuar drejtpërsëdrejti me qeverinë mike polake. Dhe sigurisht që një mirëkuptim do të arrihej. Mirëpo Zelenski nuk veproi kështu. Ky ishte gabimi i tij i rëndë i parë.
𝘼𝙠𝙪𝙯𝙖 𝙣𝙚 𝙊𝙆𝘽 𝙥𝙚𝙧 𝙖𝙡𝙚𝙖𝙩𝙞𝙣 𝙢𝙚 𝙠𝙤𝙣𝙨𝙩𝙖𝙣𝙩 𝙩𝙚 𝙐𝙠𝙧𝙖𝙞𝙣𝙚𝙨 𝙣𝙚 𝙀𝙫𝙧𝙤𝙥𝙚?!
Në shtator 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Volodimir Zelenski foli për disa vende evropiane që po e kthenin çështjen e grurit në një “teatër politik” dhe po ndihmonin, qoftë edhe indirekt, Moskën. Polonia nuk u përmend me emër.
Askush në Varshavë nuk pati shumë dyshime se kujt i drejtohej mesazhi. Zelenski gaboi jo domosdoshmërisht në të drejtën për të kundërshtuar një politikë polake, por në tonin, vendin dhe mënyrën se si e bëri.
Të kundërshtosh një vendim apo politikë bujqësore të Varshavës është një gjë. Të krijosh përshtypjen se Polonia, vendi që qysh prej fillimit kishte qenë ndër zërat më të fortë evropianë kundër agresionit të Putinit në Ukrainë, po kontribuonte në lojën e Moskës, është diçka krejt tjetër.
Në Poloni mesazhi u perceptua afërsisht kështu: ne po ndihmojmë Ukrainën ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht, ndërsa presidenti ukrainas na kritikon nga podiumi i Kombeve të Bashkuara!
Për Zelenskin, i cili pas agresionit të Rusisë së Putinit kishte përdorur me sukses diplomacinë publike për të mobilizuar Perëndimin, ky ishte një moment, kur e njëjta armë u përdor gabim ndaj një aleati të fortë dhe të përhershëm të Ukrainës.
Në marrëdhëniet mes miqve, ka çështje që zgjidhen më mirë në tavolinë, se sa në podiume publike. Presioni publik që mund të funksiononte ndaj vendeve hezituese, nuk ishte domosdoshmërisht instrumenti i duhur për Ukrainën ndaj Polonisë.
𝙋𝙧𝙤𝙩𝙚𝙨𝙩𝙖𝙩 𝙣𝙚 𝙠𝙪𝙛𝙞: 𝙕𝙚𝙡𝙚𝙣𝙨𝙠𝙞𝙩 𝙞 𝙢𝙪𝙣𝙜𝙤𝙞 𝙣𝙙𝙟𝙚𝙨𝙝𝙢𝙚𝙧𝙞𝙖 𝙣𝙙𝙖𝙟 𝙧𝙚𝙖𝙡𝙞𝙩𝙚𝙩𝙞𝙩 𝙥𝙤𝙡𝙖𝙠
Protestat e fermerëve dhe transportuesve bujqësorë polakë në kufi i thelluan më tej mosmarrëveshjet.
Nga këndvështrimi ukrainas, bllokimi i kufirit në një kohë lufte dukej i padrejtë dhe potencialisht i rrezikshëm. Çdo pengesë në furnizime dhe tregti kishte pasoja reale, për një vend që luftonte për mbijetesën e tij. Ky shqetësim ishte plotësisht i kuptueshëm.
Mirëpo këtu, përsëri Zelenski bëri një gabim taktik: e lexoi problemin pothuajse vetëm përmes realitetit ukrainas dhe jo edhe përmes realitetit polak. Fermeri polak nuk e përjetonte çdo ditë krizën, përmes hartës së frontit në Donbas. Ai shihte çmimin e grurit, kostot e prodhimit, kreditë, të ardhurat e familjes dhe konkurrencën. Transportuesi polak mendonte për kontratat dhe tregun e tij. Për një qytetar të zakonshëm polak, politika e jashtme dhe ekonomia familjare nuk janë e njëjta gjë.
Dhe asnjë qeveri polake, e majtë apo e djathtë, nuk mund të shpërfillte pafundësisht këto grupe shoqërore shumë me rëndësi për vendin, duke iu kërkuar që çdo kosto të justifikohej me nevojën për të ndihmuar Ukrainën.
Zelenski duket se e kuptoi këtë realitet me vonesë: mbështetja për Ukrainën nuk anulon politikën e brendshme të Polonisë. Një vend mund të dëshirojë fitoren e Ukrainës dhe, në të njëjtën kohë, të mbrojë fermerët, transportuesit dhe bizneset e veta. Nuk ka asgjë kontradiktore këtu.
𝙐𝙋𝘼: 𝙜𝙖𝙗𝙞𝙢𝙞 𝙢𝙖𝙙𝙝𝙤𝙧 𝙦𝙚 𝙋𝙤𝙡𝙤𝙣𝙞𝙖 𝙣𝙪𝙠 𝙢𝙪𝙣𝙙 𝙩𝙖 𝙠𝙖𝙡𝙤𝙣𝙩𝙚 𝙣𝙚 𝙝𝙚𝙨𝙝𝙩𝙟𝙚
Nëse mosmarrëveshjet për grurin, tregtinë apo transportin mund të negociohen dhe të zgjidhen përmes marrëveshjeve teknike, historia është shumë më e vështirë. Historia prek identitetin. Prek familjet. Prek varret. Dhe prek mënyrën se si një komb e sheh veten dhe viktimat e veta.
Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Presidentit Zelenski këtë vit, për t’i dhënë një njësie të forcave speciale ukrainase emërtimin nderues “Heronjtë e UPA-s” ishte, në marrëdhëniet me Poloninë, një gabim shumë më serioz, se mosmarrëveshjet e mëparshme ekonomike.
Për Ukrainën, Ushtria Kryengritëse Ukrainase, UPA, lidhet, në një pjesë të narrativës kombëtare, me luftën për pavarësi, rezistencën kundër sundimit sovjetik dhe përpjekjen për krijimin e një shteti ukrainas. Ky është një element i kujtesës historike ukrainase dhe nuk mund të mohohet. Të dyja vendet janë vende armike shekullore me Rusinë shoviniste, të carëve, të diktaturës sovjetike dhe të asaj të Putinit sot.
Mirëpo një shtet që synon të ndërtojë një partneritet strategjik me fqinjët e vet, nuk mund ta ndërtojë politikën e kujtesës kombëtare, duke parë vetëm historinë nga perspektiva e tij.
Për Poloninë, UPA ka një kuptim krejt tjetër. Ajo lidhet drejtpërdrejt me masakrat e popullsisë civile polake në Volhynia dhe në Galicinë Lindore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shumë familje polake, nuk bëhet fjalë për një debat abstrakt mes historianëve. Bëhet fjalë për njerëz të vrarë, familje të shkatërruara, fshatra të zhdukur dhe varre që ende sot mbeten pjesë e një kujtese të dhimbshme kolektive.
Në kujtesën institucionale polake, masakrat e Volhynias zënë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe Parlamenti polak i ka cilësuar ato si genocid. Sikurse janë me të vërtetë.
Në këtë kontekst, emërtimi i një njësie ushtarake ukrainase “Heronjtë e UPA-s” nuk mund të shihej në Varshavë thjesht si një zgjedhje e brendshme ukrainase. Kur një simbol që ti zgjedh për të nderuar ushtrinë tënde lidhet, në kujtesën e fqinjit dhe një prej aleatëve të tu më të rëndësishëm, me vrasjen masive të qytetarëve të tij, çështja pushon së qeni vetëm e jotja.
Këtu Zelenski duhej të kishte treguar shumë më tepër ndjeshmëri. Që nga shkurti 2022, Ukraina ka marrë nga Polonia një mbështetje të jashtëzakonshme politike, ushtarake, humanitare dhe shoqërore. Vetë Zelenski ishte nderuar nga Polonia me Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, dekoratën më të lartë të shtetit polak. Dhe ky nuk ishte një dekorim protokollar. Ishte një simbol.
Një shenjë e respektit më të lartë që Republika e Polonisë i jepte një lideri të huaj dhe, përmes tij, një shprehje e solidaritetit polak me popullin ukrainas, në momentin e tij më të vështirë.
Pikërisht për këtë arsye, merr kuptim vendimi i Presidentit polak Karol Nawrocki për t’ia hequr Zelenskit Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë.
Në vlerësimin tim, ky është një qëndrim i drejtë. Zelenski mund të zgjedhë simbolet që dëshiron për Ukrainën dhe ushtrinë e saj. Ndërsa Presidenti i Polonisë nuk është i detyruar të vazhdojë të mbajë të dekoruar me nderimin më të lartë polak një drejtues shteti, i cili ndërmerr një veprim të perceptuar nga një pjesë e madhe e shoqërisë polake si fyes dhe denigrues ndaj kujtimit të dhjetra mijëra bashkëkombësve të tyre të vrarë. Dekorata shtetërore nuk është një e drejtë e fituar përgjithmonë.
Nëse simbolika e veprimeve të marrësit të saj hyn në konflikt të drejtpërdrejtë me atë që dekorata përfaqëson, shteti që e ka dhënë ka të drejtën të reagojë. Dhe Presidenti polak bëri pikërisht këtë.
Ai mund të zgjidhte rrugën më të lehtë diplomatike. Mund të bënte një deklaratë kritike, të dërgonte një mesazh në Kiev dhe ta mbyllte çështjen me argumentin e njohur se “nuk duhet t’i japim Moskës kënaqësinë të shohë Poloninë dhe Ukrainën duke u grindur”.
Një qasje e tillë do të kishte krijuar një tjetër problem edhe më të madh. Do të krijonte idenë e gabuar se, për shkak se Ukraina po lufton kundër Rusisë, vendet që e mbështesin duhet të heshtin, edhe kur u preken rëndë çështje themelore të kujtesës dhe dinjitetit të tyre kombëtar.
Presidenti polak e refuzoi këtë logjikë. Dhe pikërisht këtu shfaqet qartë stoicizmi i qëndrimit polak. Nawrocki bëri dy gjëra njëkohësisht.
Nga njëra anë, i dha Zelenskit një sinjal jashtëzakonisht të fortë për veprimin e tij me UPA-n, duke i hequr dekoratën më të lartë të Polonisë. Nga ana tjetër, nuk e barazoi Zelenskin me Ukrainën dhe nuk e barazoi këtë mosmarrëveshjen të rëndë me interesin strategjik të Polonisë.
Presidenti ukrainas, Zelenski, në qëndrime të caktuara, duket si nxënës besnik i Xhorxh Sorosit dhe si shokë ideali me vëllezërit sorosianë Rama dhe Vuçiç . Këtu është edhe burimi i qëndrimit të tij filoserb e antishqiptar ndaj Kosovës, të shprehur qartë së fundmi në vizitën e tij në Serbi pak ditë më parë dhe në takimin me Vuçiç (në shkrimin e së martës dt. 11 gusht 2026 me titull “Prapaskenat e paktit anti-shqiptar Soros-Rama-Vuçiç-Zelensky, si u kthyen pazaret e luftës në goditje gjeopolitike për çështjen shqiptare”, gazeta “Sot” ka një analizë shumë integrale për këtë raport sorosian).
xxx
Për të gjitha mosmarrëveshjet e deritanishme, për shkak të gabimeve të Zelenskit, duke mos e lexuar qartë situatën e brendshme në Poloni dhe historinë e dhimbshme të saj, të ngjashme me vetë historinë e dhimbshme të popullit ukrainas, në rastet e masakrave të Ushtrise së Kuqe, Polonia zgjodhi të thotë: Ne do të vijojmë të mbështesim Ukrainën kundër agresionit rus.
Dhe njëkohësisht, me shumë forcë dhe dinjitet, Polonia zgjodhi edhe të pozicionohet: Ne do të mbrojmë fermerët tanë. Ne nuk do të heshtim për historinë tonë, për shkak se Ukraina është në luftë. Këto dy pozicione do të bashkëjetojnë. Interesi strategjik i Polonisë mbetet një Ukrainë e lirë, sovrane dhe e aftë t’i rezistojë Rusisë.
Sikurse interesi strategjik i Ukrainës mbetet të sigurojë në marrëdhëniet me Poloninë, që ky aleat shumë i rëndësishëm për luftën dhe rezistencën e saj, të mbetet i respektuar dhe i mirëkuptuar. Ukraina kishte dhe vazhdon të ketë nevojë të madhe për Poloninë. Ka nevojë për territorin dhe infrastrukturën e saj, për mbështetjen politike, për bashkëpunimin ushtarak dhe për peshën e Polonisë brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Polonia është ekonomia e katërt më e madhe e Bashkimit Evropian dhe vendi me kontributin më të lartë për mbrojtjen nga vendet e NATO-s, krahasuar me GDP-në e vet. Polonia përfaqëson shtyllën e NATO-s në Evropën Lindore. Dhe, në perspektivë, është vendi më mbështetës në rrugën e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.