25 arsyet pse qytetarët protestuan masivisht sot

25 arsyet pse qytetarët protestuan masivisht sot

Sot më 20 shkurt, në 33 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, qytetarët erdhën masivisht të gjitha anët e Shqipërisë, për të protestuar kundër abuzimeve dhe ligësive të panumurta të sektit Rama në pushtet. Në qendër të zhgënjimit total të tyre, ndaj premtimeve të këtij pushteti mashtrues, qëndrojnë dhjetra të këqija të mëdha që kanë shkretuar vendin dhe vrarë shpresën e shqiptarëve, si më poshtë:

1. Braktisja e frikshme e vendit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar themelor i boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për asnjë cens që organizohet në botë.

2. Shbërja e plotë e portit 2,700 vjeçar të Durrësit. Zerimi dhe zhvendosja e portit kryesor tregtar të vendit në Porto Romano, përmes një manovre shumë të vështirë teknike, pasi në Porto Romano ka cektësirë, për të pastruar paratë e korrupsionit dhe të oligarkëve të sektit Rama, përmes gjoja një investimi të një porti jahtesh dhe vilash, të një miliarderi arab.

3. Aventura me ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Braktisja e gjetjes së një investuesi të huaj strategjik për portin, gjoja se kreditë e buta të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe të donatorëve ndërkombëtarë kërkojnë kohë të livrohen dhe zgjedhja krejt e papërgjegjshme, për të përballuar koston mbi 2 miliardë euro të ndërtimit të portit të ri nga paratë e takspaguesve shqiptarë.

4. Rikthimi i lojrave të fatit, kësaj plage sociale dhe ekonomike, në formatin online. Pa pyetur fare për rrezikun e përhapjes masive të vesit të lojrave të fatit online në gjirin e të rinjve dhe madje edhe adoleshentëve, sekti Rama në pushtet miratoi ditët e fundit Ligjin për Lojrat e Fatit Online. Ky sekt qëndron tërësisht i verbuar nga makutëria për të bërë para, duke pastruar paratë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përmes një veprimtarie që pjell orë e çast varësi, varfërim dhe drama familjare.

5. Kanabizimi masiv i vendit. Sipas Raportit për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ” Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.

6. PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit.

7. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik .

8. Dorëzimi i interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

9. Dorëzimi i detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare.

10. Dyfishimi i borxhit publik. Në dhjetë vjet 2013-2023, borxhi publik i Shqipërisë(ai zyrtari dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP dhe detyrimeve të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 7 miliardë euro në mbi 14 miliardë euro!

11. Shpërdorimet galopante në investimet publike. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit!

12. Politika e fasadave. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik me qindra miliona euro në vit.

13. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.

14. Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnje nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar.

15. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal

në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global.

16. Goditja ndaj mediave. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore d he doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojn këto media.

17. Inkurajimi i grupeve kriminale dhe pastaj “të hanë kokat”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë dhjetë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR dhe e dëshmuar edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.18.

18. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i (sh)përdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti në pushtet

19. Shkatërrimi i bujqësisë. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 ishte më i ulët se ai i vitit 2023, në një kohë kur shpërdorimi i fondeve të IPARD II ka shtyrë Zyrën e Hetimit OLAF të Komisionit Evropian të bllokojë fondet e Programeve IPARD II dhe IPARD III të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

20. Mungesë e thekshme e mbrojtjes së shtresave të varfëra. Megjithë 900 milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitet 2022-2023, qeveria e sektit Rama vetëm rimbursoi pensionet në këto dy vite, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për 790 mijë pensionistë!

21. Mungese e mbrojtjes së biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në dy vitet e fundit eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 17 përqind, në krahasim me lekun në tregun vendas. Qeveria e sektit Rama vetëm u premton paketa ndihme e mbështetje eksportuesve, sidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

22. Propogandë arrogande dhe manipuluese gebelsiane. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra emisione, shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit Rama.

23. Grabitja e Butrintit përmes dhënies me koncesion. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.

24. Gllabërimi i Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimi i sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

25. Tentativa për të grabitur Shkollën Tregtare të Vlorës – shkolla simbol e Vlorës, që këtë vit feston 100 vjetorin e krijmit të saj ashtu siç vepruan edhe me dhënien e Portit të Vlorës për të ndërtuar pallate. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të kësaj porte kryesore ujore të vendit.

Me dhjetëra mijëra qytetarë mbushën sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër të këqijave të mësipërme dhe kundër dhjetra e qindra ligësive të tjera, që Rama, sekti dhe oligarkët e tij kanë mbi dhjetë vjet që ua imponojnë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

Botuar në Gazeta Sot më 20.02.2024

Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike
Projektligji i Partisë Demokratike ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, për mundësimin e votimit të emigrantëve me karta identiteti shqiptare të skaduara, si dhe me pasaportë ose letërnjoftim apo kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër, si dispozitë kalimtare, është ligjor dhe efektiv.

Ai synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.

I. Karta e skaduar e identitetit nuk duhet të shbëjë të drejtën për votim!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin, sipas të cilit, e drejta e votës i njihet çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njerin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, veçse kur ai heq dorë prej saj.”.

Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskriminimin. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën universale të votës.

Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tij në një formë të besueshme, ai/ajo ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qenë në listën e zgjedhësve, sa kohë që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës, dhe jo për ta zhbërë atë!

Nga ana tjetër, nëse analizojmë me kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me karta identiteti të skaduara.

Por nga viti 2023 e deri tani, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Raporti paraprak i NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, raport i cili mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024, evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me karta identiteti të skaduara, e dhënë kjo e konfirmar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, por sidomos ata jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit, për të rinovuar dokumentat e identifikimit. Rrjedhimisht, e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje të votojë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.

II. Dokumenti biometrik i vendit ku votojnë duhet të mundësojë votimin e emigrantëve!

Gjithashtu, numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/elektronik (pasaportë apo kartë identiteti/letërnjoftim), sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me to, duke nisur nga janari i vitit 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës, është i lartë.

Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë.

Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë, me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror, duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike.

Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që amendamenti i partisë Demokratike ndryshon, është miratuar në vitin 2008. Si e tillë, ajo nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (pozicion ligjor i njohur botërisht me termin “Out of country voting-në shqip, votimi jashtë vendit”).

Si e tillë, kjo dispozitë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Ajo përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.

Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, sikurse mundëson amendamenti i propozuar nga PD, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje të ulët në votime, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve, të cilëve, (i) u ka skaduar leternjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në emigracion, që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letënjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.

Me miratimin e këtij Projekligji të Partisë Demokratike dhe përfshirjen e dispozitës së tij në Kodin Zgjedhor, si dispozitë tranzitore, nuk do të ketë me pasiguri juridike lidhur me eventualitetin, nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për efekt të zgjedhjeve.

Kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6 mijë zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.

Duke kryer rregullimet ligjore drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohet jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që ata posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershrne të rregullave përkatëse.

Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007, me kerkesë të opozitës, në atë kohë të Partisë Socialiste, pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës, në mungesë të dokumentave të identifikimit të Republikës së Shqipërisë, situatë kjo sot e vlefshme për qindra mijëra zgjedhës.

Botuar në Gazeta Sot më 14.02.2025

Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj
kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit
më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre
tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Wilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos
harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

Botuar në Gazeta Sot më 27 Janar 2024

Politika sociale cinike të qeverisë

Politika sociale cinike të qeverisë

Me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë””, po bëni një gabim të rëndë. Po bëni shumë gabim që hiqni bonusin e fëmijës së porsalindur për familjet e emigrantëve. Me një pretekst sa aburd, aq edhe cinik, se gjoja trajtimin për fëmijët njomakë emigrantët e marrin në shtetin ku emigrojnë. Kjo nuk është e vërtetë për të gjitha rastet e emigrimit, por edhe sikur të ishte, kontributi i emigrantëve në ekonominë e vendit është i nivelit të mbi 1 miliardë eurove çdo vit. Kurse ju, me paturpësi po i “qani hallin” buxhetit, pse nga fondi vjetor prej 30 milionë eurosh që shpenzohet për programin e bebes, një pjesë, që nuk është pjesa më e madhe e tij, shkon për fëmijët e porsalindur të emigrantëve. Kjo nuk është as e ndershme, as edhe e moralshme. Në vend që të rrisni bonusin për lindjen e foshnjës, po jua hiqni këtë trajtim emigrantëve. Deri tani, sekti Rama në qeverisje, që ka përfaqësuar Shtetin, është tallur me emigrantët. Dua të rendis këtu disa arësye themelore, pse jeni tallur:
Së pari, u keni premtuar me butafori e mburrje pjesëmarrje me votim elektronik apo me postë, në zgjedhjet e përgjithshme të vendit në vitin 2021. Nuk e keni realizuar këtë premtim. Keni luajtur në mënyrë të paskrupullt hipokrizi politike me emigrantët.
Në muajt përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, gjoja e përforcuat idenë e votimit të emigrantëve në shtetin ku jetojnë e banojnë, kur e dinit shumë mirë që, për periudhën e mbetur, nuk mund të plotësoheshin kushtet teknike që të organizohej votimi elektronik apo me postë i emigrantëve, në shtetet ku jetojnë. Pjesëmarrja e emigrantëve në votimet e përgjithshme është një e drejtë kushtetuese dhe ju e keni shkelur me fodullëk dhe papërgjegjshmëri këtë të drejtë.
Së dyti, si qeveri, i keni lënë në mëshirë të fatit dhe nuk i keni ndihmuar emigrantët, kudo ku ata janë. Asnjë ambasadë e shtetit shqiptar nuk disponon një bazë të plotë të dhënash, për emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, në vendin ku kjo ambasadë qëndron. Ose nuk ka bazë të dhënash fare, ose ka disa lista krejt të pjesshme, qesharake dhe jo përfaqësuese për komunitetin e emigrantëve. Janë vetë emigrantët që lidhen me ambasadat tona, kur u duhet një dokument apo informacion dhe gjejnë vonesa skandaloze, apo indiferencë të plotë. Gjejnë trajtim e vëmendje, vetëm në rastet kur paguajnë nën dorë.
Së treti, si qeveri, në 10 vite nuk gjeneruat asnjë program serioz për ndihmën ndaj emigrantëve që kthehen, që të riintegrohen në atdhe. Në të kundërt, me një politikë të mbrapshtë fiskale, keni vështirësuar ri-integrimin e emigrantëve që kanë investuar kursimet e tyre të jetës në serrat në bujqësi dhe që janë ngarkuar edhe me kredi nga bankat, duke i detyruar shumë syresh që të rikthehen në vendin e emigrimit.
Së katërti, në këta dhjetë vjet, keni ndihmuar pak ose aspak që fëmijët e emigrantëve, brezi i dytë e i tretë të mësojnë gjuhën shqipe, historinë e popullit tonë. Kjo nuk është neglizhencë, por krim që i bëhet ndërgjegjes kombëtare. E krijuat vetë një ministër shteti për emigracionin dhe po vetë e hoqët dhe e zeruat si strukturë pas prillit të vitit 2021, edhe pse emigrantët ishin mësuar ta kishin disi një pikë referimi.
Së pesti, problemi më madhor ekonomik i emigrantëve tanë është që të njihet reciprokriteti i së drejtës së sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Shteti dhe qeveria jonë duhet të nënshkruajnë me çdo shtet, në të cilin punojnë dhe jetojnë emigrantë shqiptarë, një marrëveshje të shkëmbimit reciprok të kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Kjo do të thotë, që emigranti shqiptar të ketë të drejtën që të zgjedhë vendin ku do të marrë pension dhe të drejtën që të transferojë sigurimet shoqërore, që ka kontribuar, në atë shtet që ai preferon që të nxjerrë pensionin e vet. Sa marrëveshje të tilla keni lidhur në këta dhjetë vite? Ku janë përpjekjet tuaja të përsëritura ndër vite, për të realizuar një marrëveshje të tillë me shtetin fqinj grek, në një kohë që kemi mbi 500 mijë emigrantë atje? Apo e keni harruar këtë detyrë dhe mision madhor që keni si qeveri?
Cinizëm vrastar me qindra e mijëra familjet që keni përjashtuar nga ndihma ekonomike
Prej kohësh e keni denatyruar skemën e ndihmës ekonomike, duke mos e çuar tek më të varfrit dhe ata më në nevojë. Sipas një konstatimi të një raporti të Bankës Botërore(https://documents1.ëorldbank.org/curated/en/700701590958868545/pdf/AL-P122233-IBRD81410-Social-Assistance-Modernization-Project-Part-2-Auditors-report-FY2018-English.pdf ),70 përqind e familjeve më të varfra në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Të dhënat janë bërë publike në një raport auditimi mbi projektin e modernizimit të asistencës sociale. Raporti ka analizuar familjet që përbëjnë 10 përqindëshin më të varfër të popullsisë, ose 75 mijë familjet më të varfra të vendit. Sipas tij, vetëm një e treta e tyre janë të mbuluara nga ndihma ekonomike, ndërsa pjesa tjetër jo. Ju keni përjashtuar pa ju dridhur as dora, as edhe shpirti(në keni një të tillë), me qindra persona dhe familje që kanë anëtarët e tyre invalidë pune. Keni përjashtuar nga KEMP-i me qindra e ndoshta mijëra të tjerë, që e meritojnë trajtimin e KEMP. U keni mohuar ndihmën ekonomike personave kujdestarë të personave me aftësi të kufizuar. Keni abuzuar me pikavarazhin për marrjen e ndihmës ekonomike. Lista e abuzimeve tuaja me skemën e ndihmës ekonomike është e pafundme. Ju që keni përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, familje tejet të varfëra, vetëm pse kanë një lavatriçe, apo televizor në shtëpi, duhet të dini se lavatriçja dhe televizori janë brenda standardit të arësyeshëm për jetesë dinjitoze, dhe jo indikatorë të mungesës së varfërisë!
Kryeabuzimi juaj social: mosmiratimi i ligjit për caktimin e minimumit jetik zyrtar!
Në qershor të këtij viti, opozita dorëzoi në Kuvend projektligjin për vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, si një domosdoshmëri jetike, për të nxjerrë qytetaret tane nje here e pergjithmone nga varfëria ekstreme. Nga ky minimum jetik zyrtar, do te përfitonin me dhjetra mijëra qytetarë qe ndodhen në ndihmë ekonomike, në papunësi dhe në pension. Deri tani kemi vetem indiference dhe mosreagim te plote nga ana juaj. Ju nuk doni ta përcaktoni minimumin jetik zyrtar. Kurrsesi jo! Këtë kam theksuar dhe në interpelancën që organizova në Kuvend në mars të këtij viti pikërisht për këtë detyrë madhore. Shqipëria, vendi ynë është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka në legjislacionin e saj përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, si një masë të domosdoshme dhe efektive që ndihmon Shtetin dhe vendim-marrësit publikë kryesorë të tij, për të planifikuar dhe zbatuar më drejt dhe më duhur politikat sociale në mbështetje të shtresave më vulnerabël të popullsisë. Ju mazhoranca, i kishit gjasat e plota ta miratonit Minimumin Jetik Zyrtar në vitin 2016, kur, me nismën e Avokatit të Popullit, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike(ACER), nën drejtimin e studjuesit dhe ekonomistit të njohur Zef Preçi, realizoi studimin me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese”( https://ëëë.avokatipopullit.gov.al/media/manager/ëebsite/reports/LLOGARITJA%20E%20MINIMUMIT%20JETIK%20N%C3%8B%20SHQIP%C3%8BRI.pdf). Në programin tuaj të parë qeverisës 2014-2017, kishit përcaktuar si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri.
Kishit studimin e plotë shkencor nga ACER dhe Avokati i Popullit, si dhe mbështetjen e plotë të opinionit publik dhe qytetarëve. Studimi i ACER përcaktonte një minimum jetik për qytetar mbi 18,000 lekë, bazuar në kritere të forta shkencore matjeje. Sot, sipas matjeve te drejta te opozites, ky minimum ka aritur ne 200 euro. Pse nuk e përcaktuat atëhere me ligj minimumin jetik zyrtar? Pse nuk përfshitë INSTAT në kërkimin shkencor modern për varfërinë e shqiptarëve, por e latë të numëronte televizorin dhe lavatriçen në shtëpitë e të varfërvë, për t’i deklaruar të padenjë për ndihmën shtetërore? E refuzuat llogaritjen zyrtare të minimmit jetik, ndryshe nga sa vepron çdo qeveri dhe shtet i përgjegjshëm evropian, sepse kishit nisur të ëndërronit që në vitin 2016 për investimet 1 miliardë euro me PPP. Të cilat i shumëfishuat në periudhën e artë të PPP-ve tuaja, në vitet 2017-2019, kur futët duart në xhepat e shqiptarëve edhe për 13 vite të ardhshme, përmes taksave që jeni të detyruar të rrisni, për të përballuar pagesat e Buxhetit të Shtetit ndaj kontratave me partneritet publik-privat, që çdo vit pas 2017-ës dhe janë bërë gjashtë të tillë, po i tejkalojnë rregullisht të 100 milionë eurot. Kjo është arësyeja pse nuk ju mjaftojnë paratë për detyrimet financiare që lindin nga skemat e duhura të kompensimit të varfërisë, që imponon përcaktimi zyrtarisht dhe me ligj i minimumit jetik. Nuk vlerësoni zyrtarisht minimumin jetik të popullatës, sepse ju duhet të angazhoheni të kompensoni varfërinë masive të shqiptarëve, të thelluar nga tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe inflacioni tejet i lartë, i shkaktuar nga invazioni i Putin në Ukrainë. Ju duhet dhe e keni të domosdoshme, me minimumin jetik t? përcaktuar, që të angazhoheni në programin social të të ardhurave të garantuara për qytetarin, sikurse quhet dhe zbatohet gjerësisht kudo në botën e qytetëruar dhe humane. Por ju nuk jeni as humanë, as edhe të qytetëruar, për fatin e keq të shqiptarëve, që tani po i qeverisni.

Botuar në Gazeta Sot më 6 Tetor 2023

Që Autoriteti i Konkurrencës të shndërrohet në avokat të biznesit të ndershëm dhe qytetarit

Që Autoriteti i Konkurrencës të shndërrohet në avokat të biznesit të ndershëm dhe qytetarit

 

Sikurse e kam theksuar dhe në fjalën time në Kuvend për Autoritetin e Konkurrencës, në maj 2022, shërbimi më i madh që mund t’u bëjnë institucionet e pavarura dhe qeveria qytetarëve-konsumatorë është garantimi i konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg. Sot jo vetëm në Shtete Anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në të gjithë rajonin tonë dhe më tej në botë, po kërkohet një raport më i drejtë midis lirisë së tregut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ligjshëm të biznesit, si dhe garantimit të respektimit të të drejtave të qytetarit-konsumator. Misioni i AK është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të ligjit Nr. 9121, dt. 28 korrik 2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Megjithë përpjekjet e bëra, gjykoj se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur ta përmbushë misionin e tij, për arsyet e mëposhtme.
Autoriteti i Konkurrencës nuk arriti të jetë efektiv në punën e tij
Sigurisht që Autoriteti i Konkurrencës(AK) e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese. Megjithatë, institucioni duhej të kishte provuar më fort të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, të tipit monopol dhe oligopol, bazuar në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit. Hetimet e tij të thelluara në tregjet e prodhimit dhe tregtimit të miellit, apo në tregun e tregtimit të karburanteve, duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm, në mos edhe me një ritëm më të shtuar, që të dëmtojnë funksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel. Situata kartel formohet për shkak të pranisë së një tregu oligopol në një sektor të ekonomisë, ku ka disa kompani të mëdha, të cilat, për shkak të madhësisë së tyre, përcaktojnë çmimin e një produkti apo shërbimi në treg, në bazë të një marrëveshje të fshehtë mes tyre, për të fiksuar një nivel çmimi jo mbi bazën e fitimit të dalë nga raporti kërkesë-ofertë, por duke i shtuar këtij fitimi edhe një pjesë abuzive të fitimit monopolist. AK nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ju sjell situatën e ligjëruar në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht. AK nuk ka ndërmarrë asnjë hetim për situatën duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare, megjithë shqetësimet dhe ankesat e pareshtura të qytetarëve, të përcjella nga mediat e vendit. Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve dhe të garantojë ndërveprimin e barabartë mes operatorëve të biznesit në tregjet e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të ushqimeve të shportës, karburanteve dhe te energjisë elektrike për biznesin e mesëm. AK nuk doli në asnjë rast kundër dublimit dhe praktikisht zerimit të kontrollit të tij në periudhën mesi i marsit 2022-qershor 2023, për shkak të veprimtarisë së bordeve të caktimit të çmimit tavan për tregjet e karburanteve dhe të ushqimeve bazë, të ngritura përmes akteve normative të qeverisë, pavarësisht se prania e tyre mund të përligjej vetëm në tre-katër javët e para të emergjencës së çmimeve, nën efektin psikologjik të agresionit të Putin në Ukrainë. AK duhej të kishte këshilluar qeverinë dhe të theksonte me forcë në publik se kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve, apo ndërhyrja në një masë drastike e qeverise në tregje, në formën që u aplikua përmes bordeve, sjell pasoja të rënda në ekonomi, sikurse u vërtetua në praktikë nga menaxhimi 15-mujor me borde i dy tregjeve jetikë për ekonominë tonë, si ai i ushqimeve bazë dhe i karburanteve. Këto pasoja do të ndihen shumë gjatë në ekonomi. AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Ai duhet të kishte rrokur iniciativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arsyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor. Një deputet me përvojë i Kuvendit përmendi me të drejtë inaktivitetin e AK, kur denoncoi TPL-të e kompanive të sigurimit. Autoriteti i Konkurrencës duhej të kishte mbikëqyrur më me kujdes dhe fokus tregun e kreditit bankar dhe tregun e ndërmjetësve financiarë, të cilët mobilizojnë kursimet e shqiptarëve për një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit, pasi kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta. AK duhej të kishte punuar që të reduktohet ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare, por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve. Në këto tregje shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës ka një përgjegjësi dhe mision të qartë, në mbrojtje të qytetarit-konsumator dhe klient. AK në asnjë rast nuk zbatoi praktikën e njohur, të ndjekur rëndom nga shumë struktura simotra perëndimore të tij, të njoftimeve dhe të paralajmërimeve, të bëra publike, ndaj operatorëve abuzues në treg, për të rritur presionin dhe për t’i frenuar ata në vijimin e abuzimit. Në tërësi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e nje grushti kompanish te përkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë. Këto përbëjnë arsyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të AK dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga qeveria, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.
AK është shumë larg të qenit avokat i biznesit të ndershëm, të papërkrahur nga qeveria
Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur të sigurojë një partneritet real me komunitetin e biznesit, të konsumatorit dhe të organizatave të shoqërisë civile, për të zbuluar praktikat antikonkurruese në tregjet e hetuara dhe në ato ende të pahetuara. Duke mos e arritur këtë partneritet, AK nuk ka mundur të veprojë realisht si një institucion i pavarur, në interes të publikut dhe taksapaguesve. Opinioni publik, nëpërmjet raportimeve të shoqërisë civile dhe analizave në media, ka dyshime lidhur me pavarësinë e plotë të punës së Autoritetit të Konkurrencës. Ende institucioni nuk e ka bërë të ditur, por ekziston në opinionin publik të qytetarëve përshtypja se ky institucion pëson në vijimësi ndërhyrje dhe influenca të papërshtatshme nga struktura shtetërore dhe politike. Do të ishte në të mirën absolute të pavarësisë së AK, që nëse ka patur ndërhyrje të tilla, ai t’i bëjë publike, për të dekurajuar çdo strukturë të Shtetit apo partiake, që të vijojnë këtë presion të papërshtatshëm. Autoriteti duhet ta zgjerojë sferën e kontrolleve të tij, në mënyrë që të përfshijë natyrshëm:

  1. kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurrencës së lirë ndaj të gjithë instrumenteve ligjore të përdorura për koncesionet dhe PPP-të, duke përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe
  2. analizën e thelluar të koncesioneve shtetërore që i kanë dhënë mundësi një kompanie të vetme private të realizojë pozicionin monopol në shfrytëzimin e një pasurie të vendit apo shërbimi publik të kaluar me PPP dhe koncesione të tjera tek privati.
    Botuar në Gazeta Sot më 16 Qershor 2023
Sfidat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit…

Sfidat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit…

Raporti Vjetor 2022 i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nga ana formale është në rregull. Ai përmban dokumentet strategjike të kërkuar për një institucion të rëndësisë së Zyrës, si dhe ka paraqitur treguesit sasiore të aktivitetit të kryer nga Zyra gjate vitit të kaluar. Megjithatë, shumë gjëra mungojnë në këtë raport. Le t’i marrim me radhë.
I. Misioni i parealizuar i Zyrës së Komisionerit
Kur lexon në faqet 12-13 të Raportit për Indekset e Transparencës, të krijohet përshtypja se nga niveli i objektivave të arritur, duhet të jemi vendi model në Evropë dhe ndoshta në botë, për sigurimin qytetarit të aksesit të plotë ndaj informacionit dhe të dhënave transparente të aktivitetit dhe rezultateve të institucioneve publike në Shqipëri.
Në të vërtetë, ne të gjithë e dimë që realiteti nuk është kështu.
Në radhë të parë, çfarë nuk është në rregull në këtë raport vjetor, e përbën fakti i mungesës së përgjigjes së drejtpërdrejtë ndaj dy pyetjeve:

  1. A e ka realizuar Zyra e Komisionerit misionin e saj të mbikëqyrjes efektive të zbatimit të kuadrit ligjor të mbrojtjes së të dhënave dhe të së drejtës për informim, të garantimit te ushtrimit të efektshëm të të drejtave të qytetarit në epokën digjitale?
  2. A ka arritur Zyra të rrisë përgjegjësinë dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve publike dhe kontrolluesve të të dhënave në sektorin publik dhe atë privat, i cili sjell përmirësimin e mendësisë dhe kulturës së shoqërisë, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut?
    Megjithëse e drejta e qytetarit për t’u informuar lidhur me aktivitetin e enteve publike të mbajtura nga taksat që ai paguan, garantohet nga Rezoluta 59 e OKB-së, nga Neni 19 i Deklaratës Universale të së Drejtave të Njeriut, nga Neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nga Neni 11 i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, nga Neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga Ligji Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit(LDI)”, çalon në mënyrë shqetësuese zbatimi në praktikë i kësaj të drejte, sidomos informacioni për vendim-marrjen dhe problemet e mprehta të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre qeveritare.
    II. Asgjë për të luftuar me efektivitet stereotipin e përgjigjes formale dhe në fshehje të së vërtetës
    Për çështje sensitive ose që shqetësojnë opinionin publik, përgjigjet e institucioneve publike ndaj kërkesave për informim janë formale dhe në tërësi fshehin të vërtetën, duke qenë jo shteruese. Në ankesat që i adresohen Zyrës së Komisionerit, kjo zyrë pranon të drejtën e qytetarit për t’u informuar, por në praktikë bën shumë pak përpjekje reale për të garantuar zbatimin e kësaj të drejte tek institucioni publik që e ka shkelur atë, me mospërfilljen apo dhënien e një përgjigjeje jo shteruese. Vetëm 17 vendime me 63 sanksione administrative të dhëna në vit(faqe 25 e Raportit) për një institucion me një staf mbi 50 punonjës, janë shumë pak, në nivel të treguesit sasior të mbrojtjes reale të së drejtës për informim të qytetarit, ndaj aktivitetit të enteve publike.
    Lind pyetja: sa nga këto 17 vendime janë bërë publike nga Zyra e Komisionerit, për të dhënë shembullin e sanksioneve dhe tolerancës zero të saj, ndaj mungesës së transparencës dhe mosrespektimit të të drejtës së qytetarit për informim, në lidhje me aktivitetin e institucioneve publike që e kanë shkelur këtë të drejtë themelore kushtetuese? Zyra nuk e ka përdorur shpesh presionin dhe shembullin pozitiv të “sanksionit publik”, përmes publikimit të vendimeve të saj dhe shpërndarjes së tyre me anë të mediave, dhe kjo dëshmon për një mangësi të madhe të saj.
    III. Asgjë për to nxjerrë përgjegjëse dhe sanksionuar institucionet që lejuan rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve në dhjetor 2021
    Sa thirrje publike ka adresuar, sa konferenca shtypi ka organizuar dhe sa fushata ndërgjegjësimi ( për të mos folur për vendime dhe sanksione administrative) ka realizuar gjatë vitit 2022 Zyra e Komisionerit, për të rritur përgjegjësinë e institucioneve shtetërore ndaj të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, pas skandalit të publikimit në rrjetet sociale në dhjetor 2021 të pagave të mbi 637 mijë punonjësve në sektorin privat dhe atë publik, së bashku me të dhënat e kartës së identitetit dhe vendit të punës, si dhe skandalit të publikimit të targave të automjeteve të shqiptarëve po në dhjetor 2021?
    Nga faqja 32 e Raportit mësojmë për vetëm 2 vendime të marra nga Zyra, vendimi 52 dhe vendimi 52, në nëntor 2022, gati një vit pas skandaleve dhe vetëm pas daljes së Rezolutës së Kuvendit, ndaj detyrave që ka Zyra.
    Sa hetime të thelluara administrative ka realizuar Zyra e Komisionerit, pas publikimit të skandaleve, pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e bazës së të dhënave për pagat dhe për targat e automjeteve?
    Kam frikë se përgjigjja e vetme e këtyre tre pyetjeve është zero!
    Zyra e Komisionerit duhet të punojë me këmbëngulje dhe përkushtim për rritjen e imazhit dhe besueshmërisë së saj në publik. Gjykoj se janë me qindra, në mos mijëra raste në vit, të shkeljes së të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat nuk i raportohen Zyrës, vetëm nga mungesa e besimit të qytetarëve se Zyra do të të mbarojë punë.
    Në Raportin Vjetor mungon gjithashtu treguesi i nivelit të plotësimit të rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Komisionerit. Zyra duhet t’i shkojë deri në fund përmbushjes së rekomandimeve të saj dhe të bërjes përgjegjëse të institucioneve që nuk i zbatojnë. Në fund të çdo gjashtëmujori, Komisioneri duhet të informojë opinionin publik sa rekomandime janë plotësuar dhe sa jo, si dhe arsyet që zyra gjykon pse rekomandimet nuk janë zbatuar.
    Gjykoj se Zyra e Komisionerit duhet të thellohet shumë më tepër në hetimet administrative që ndërmerr dhe të realizojë shumë më tepër hetime të tilla të thelluara, në përputhje me ankesat që i vijnë dhe me denoncimet e shpeshta ne media, të shkeljeve të së drejtës për informim dhe dhunimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
    Zyra duhet të adresojë me seriozitet dhe të japë propozime për përmirësim ligjor, ndaj problematikës së hasur dendur lidhur me mënyrat e dhënies së informacionit të kërkuar, nga ana e autoritetit publik. Aktualisht ligji i lë “dorë të lirë” autoritetit publik për të vendosur ndaj formës së dhënies së informacionit, që nuk ka të bëjë me një dokument të shkruar dhe kjo e vështirëson marrjen e informacionit të kërkuar nga qytetari.
    Zyra duhet të zgjidhë problematikën ligjore të zbatimit të pikës 3, të nenit 14 të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, pasi ligji parashikon në këtë pikë, se informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik. Ky kusht i vendosur nga ligji përkeqëson pozitën e qytetarit kërkues të informacionit, në raport me autoritetin publik, pasi parësor në formën e dhënies së informacionit nuk konsiderohet më interesi i kërkuesit-qytetar, por interesi i autoritetit publik, që në këto rrethana nuk përmbush kushtet e interesit publik.
    IV. Zyra nuk duhet të pranojë klauzola konfidencialiteti në kontratat publike!
    Në faqet 15-16 të Raportit Vjetor përshkruhen disa problematika të hasura gjatë marrjes së ankesave nga Zyra, ku me të drejtë Zyra cilëson si ndër kryesoret “Vijon paqartësia nga ana e Autoriteteve Publike , në lidhje me parimin e konfidencialitetit në kontratat publike dhe sekretin tregtar, trajtuar jo në përputhje me parashikimet e nenit 17 të Ligjit për Informimin Publik. Në kontratat publike shpesh parashikohen dispozita konfidencialiteti për informacionin dhe dokumentacionin që lidhet me to dhe në rast të mos zbatimit të tyre, parashikohen sanksione ndaj Autoriteteve Publike”.
    Gjykoj se adresimi i këtij shqetësimi duhet të përbëjë një kalë beteje për Zyrën. Autoriteti i mbrojtjes së të drejtës për informim duhet të luftojë dhe të bëjë objektiv parësor të punës së tij, që të mos kemi klauzola konfidencialiteti në kontratat për punët publike. Autoriteti duhet të argumentojë dhe të fitojë betejën ligjore, ku interesi publik të prevalojë mbi interesin e mbrojtjes së sekretit tregtar, me të cilin abuzohet shumë dendur, për të shmangur dhënien e informacionit të kërkuar dhe për të fshehur të vërtetën.
    Zyra e Komisionerit është avokate e transparencës dhe e së drejtës për informim dhe në këtë fushë, aktivitetin e saj e kam parë shumë pasiv. Ajo duhet të reagojë fort në të ardhmen, duke ndërmarrë dhe një nismë ligjore për të sanksionuar me ligj përparësinë e interesit publik për informim në kontratat e punëve publike, ndaj konfidencialitetit të sekretit tregtar!
    xxx
    Zyra e Komisionerit duhet të jetë më shumë në anën e qytetarit, në punën e saj. Ka ardhur koha që ajo raportimet e saj t’i konceptojë si një analizë SËOT të fuqive, dobësive, mundësive dhe kërcënime reale(qofte dhe presione politike), që ajo merr në punën e saj. Me Raportin që kemi përpara, kjo Zyrë duket pak si e shkëputur nga realiteti i situatës me garantimin efektiv të së drejtës për informim dhe të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve. Një raportim bazuar në një analizë të detajuar SËOT do t’i mundësonte asaj një këndvështrim më të qartë të problematikave që duhet të adresojë dhe zgjidhë në të ardhmen, gjatë punës së saj.Botuar në Gazeta Sot më 10 Qershor 2023
Pse deputetët e Kuvendit(veçanërisht ne të opozitës) duhet të votojnë kundër paketës për rritjen e pagave

Pse deputetët e Kuvendit(veçanërisht ne të opozitës) duhet të votojnë kundër paketës për rritjen e pagave

Nuk kam asgjë me deputetët kolegë të mij që kanë mbështetur nismën për rritjen e pagave, por theksoj se kjo rritje e ndjeshme duhet te vije permes rritjes te larte ekonomike mbi 6 perqind te vendit dhe rritjes se qendrueshme te rendimentit ne pune.
I. Arësyet politike
I.1. Republika kryeministrore. Gjykoj se ne, si opozitë, me këtë arrogancë që ka marrë shumica në pushtet, nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, pa u shbërë ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Koha tregoi që ato janë gabim. Ndryshimet ne mocionin e besimit dhe mosvesimit te kryeministrit, fakti qe kryetaret e partive parlamentare caktojne listat e kandidateve per deputete dhe deformimet që ka bërë Rama në këto vite, duke përdorur deputetët e korporatave, i kanë shndërruar deputetet e shumicës parlamentare në klone të kryetarit të partisë. Duke e kthyer republikën tonë parlamentare në një republikë kryeministrore, me një kryeministër praktikisht mbret. Shyqyr Zotit që Ramës nuk i ka shkuar mendja edhe të shpallet zyrtarisht mbret, si 95 vite më parë i shkoi Ahmet Zogut, se këta deputetë të sotëm të shumicës do ta kishin zgjedhur të tillë!
Një republikë parlamentare nënkupton që të 140 ligjvënësit e saj të jenë më të rëndësishëm sesa ekzekutivi, sepse përcaktojnë ose ndryshojnë ligjet, në dobi të qytetarëve që i kanë zgjedhur. Me sektin Rama në qeverisje këto 10 vitet e fundit, raporti në një republikë parlamentare mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv tek ne po qëndron i përmbysur, me kokë poshtë. Sekti në qeverisje dikton gjithshka në Kuvend tek deputetët e shumicës, duke i shkëputur, me hir dhe me pahir, nga interesat e qytetarëve të komuniteteve ku janë zgjedhur dhe duke na kthyer në një republikë kryeministrore.
I.2. Thika pas shpine në garat zgjedhore. Mendoj se ne si opozitë nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, për sa kohë nuk kryhet e plotë reforma zgjedhore në vend. Rama u tall më 2020 dhe 2021 me interesin madhor të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe me transparencë.
Po me deputetët e korporatave, shkeli në prill 2021 marrëveshjen politike të qershorit 2020 për reformën zgjedhore, e cila dukej se kishte dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pengimi i koalicioneve parazgjedhore ishte një thikë pas shpine ndaj përpjekjeve që bëri opozita, për të garantuar një garë të drejtë zgjedhore. Kjo thikë pas shpine ishte kupa që përmbysi kovën dhe solli deformimin e garës, dhe për rrjedhojë, edhe të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.
Një thikë të tillë, shumë ambasadorë të vendeve perëndimore tek ne, të mikluar dhe njëkohësisht, të kompleksuar nga Rama, bëjnë sikur nuk e shohin edhe sot.
Rama na goditi sërisht më 2023 në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku, permes makinacioneve, pengoi koalicionet parazgjedhore dhe i kushtezoi ato, deri ne percaktimin e vules apo sigles, apo, sikurse na ndodhi ne, deri ne mos vendosjen e emrit te kryetarit te koalicionit ne fleten e votimit.
Gjykoj se ne si opozitë, pasi hymë në dy gara zgjedhore të 21 prillit 2021 dhe të 14 majit 2023, duke provuar mbi kurriz një lumë të tërë pabarazish të dukshme dhe të padukshme në garë, duhet të mos votojmë më asnjë ligj, pa marrë garancitë e një procesi të drejtë dhe të patrukuar, duke kërkuar me forcë demokratizimin e sistemit elektoral të sotem.
I.3. Jo korrupsionit parazgjedhor dhe zgjedhor të Ramës, përmes pagave! Ne rast se ne deputetet e opozites votojme pro rritjes se pagave, shkojme ne nje linje me korrupsionin parazgjedhor dhe zgjedhor ekonomik të Ramës, i cili rritjen e pagës mesatare të administratës publike dhe bonusin 5 mije per te 690 mije pensionistet e shperndau dhe e deklaroi qëllimisht përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit, duke i servirur si karrota zgjedhore.
Në këtë mënyrë, Rama dhunoi dhe deformoi procesin zgjedhor dhe vullnetin e lirë e të pandikuar të qytetarëve, duke blerë vota me para të ofruara nga buxheti i shtetit, me efekt që nga 1 prilli 2023.
Një veprim i tillë përbën një shitblerje të pastër të votës së shqiptarëve në ditën me diell, të dënueshme nga ligjet tona, në sy të të gjithë opinionit publik dhe institucioneve monitoruese ndërkombëtare, nga ana e partisë-shtet.
II. Arësyet social-ekonomike
II.4. Jo rritje pagash pa përcaktuar minimumin jetik! Më vjen shumë mirë që Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, cilësoi dje se ne duhet të votojmë minimumin zyrtar jetik, përpara se sa të merremi me rrogat e ministrave dhe të deputetëve.
Në interpelancën e fillim marsit të këtij viti në Kuvend, të kërkuar prej meje që në fund të dhjetorit 2022, për përcaktimin e minimumin jetik zyrtar, kam theksuar se “Ju mazhoranca, i kishit gjasat e plota ta miratonit Minimumin Jetik Zyrtar në vitin 2016, kur, me nismën e Avokatit të Popullit, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike(ACER), realizoi studimin me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese. Në programin tuaj të parë qeverisës 2014-2017, kishit përcaktuar si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri. Kishit studimin e plotë shkencor nga ACER dhe Avokati i Popullit, si dhe mbështetjen e plotë të opinionit publik dhe qytetarëve. …Përse nuk e përcaktuat atëhere me ligj minimumin jetik zyrtar? Pse nuk përfshini INSTAT në kërkimin shkencor modern për varfërinë e shqiptarëve, por e latë të numëronte televizorin dhe lavatriçen në shtëpitë e të varfërvë, për t’i deklaruar të padenjë për ndihmën shtetërore?…”
Morali shoqëror ta do që, përpara se sa të rritësh rrogat e nëpunësve publikë, të sigurohesh se të varfërit e e vendit tënd, të cilët, sipas Bankës Botërore, janë rritur tek ne me një ritëm shqetësues, pas Pandemisë nga Covid-19 dhe pas inflacionit të lartë nga agresioni i Putin në Ukrainë, të marrin ndihmë dinjitoze ekonomike, të bazuar në minimumin jetik zyrtar.
Por për ju është i huaj ky moral, kjo fytyrë dhe ndjenjë humane.
II.5. Pagat thellojnë pabarazinë shoqërore. Shtimi i pagave për ministrat me 82 përqind dhe për deputetët e Kuvendit me 98 përqind thellon pabarazinë shoqërore në vend. Punonjësit publike në shërbimet themelore të vendit, si mësuesit, mjekët, infermierët dhe punonjësit e rendit në terren, për këtë vit morën vetëm 7 përqind rritje të pagës, në pritje të rritjeve të pagës mesatare(pra, jo për të gjithë këta punonjës), deri në korrik 2023. Ky shtim përbën vetëm 2 përqind shtesë reale të fuqisë së tyre blerëse, në rast se llogarisim inflacionin vjetor për këtë vit në nivelin 5 përqind, sipas pritshmërive të shumë aktorëve ekonomikë në vend dhe të institucioneve vrojtuese ndërkombëtare. Dy përqind shtesë reale e fuqisë blerëse përfaqëson 40-45 herë më pak shtim, nga fuqia blerëse e rritur e ministrave dhe deputetëve, e korrigjuar edhe ajo me inflacionin pritës të vitit 2023.
Ky provokim që Rama iu bëri deputetëve, që gjoja rritja gati dy herë e pagave të tyre doli si propozim nga ata vetë, i distancon ata edhe më shumë nga qytetarët. Për pagën e përfaqësuesve të popullit, Akademiku i njohur Artan Fuga, në një prononcim publik të djeshëm të tij, shprehet se “Shtimi i pagave nuk përkthehet në rritje të cilësisë së punës së deputetëve dhe për pasojë, është një vendim i pakuptueshëm. Përfaqësuesit e qytetarëve duhet të kenë një standard jetese pak a shumë të ngjashem me qytetarët, Përfaqësuesi i qytetarit nuk mund të jetojë në distancë ekonomike shumë larg nga qytetari. Duhet të ketë të njëjtat kushte, pak a shumë”.
II.6. Pagat deformojnë piramidën shtetërore të shpërblimit. Një shtim i njëtrajtshëm i pagës prej 10 përqind për të gjithë punonjësit e nomenklaturës së lartë shtetërore, do t’i kishte dhënë barazpeshim dhe harmoni piramidës së re të pagave në sektorin publik.
Ndërkohë, për të ruajtur llogjikën e kësaj piramide të re të pagave, koeficienti i të gjithë drejtuesve të institucioneve të larta, ministrave, deputetëve, etj., duhej të ishte përgjysmuar. Kjo do ta kishte bërë Piramidën më të barazpeshuar dhe harmonizuar edhe me majën e saj, ku me propozimet e tanishme, raporti mes majës së piramidës, pagës së Presidentit të Republikës, me atë të ministrave dhe deputetëve, ngushtohet shumë.
III.7. Rritje pagash pa planifikim afatmesëm buxhetor
Rritja e fortë e pagave të administratës publike, e përqëndruar në dy vjet, deri në korrik 2024, në një kohë që në dhjetë vjet nuk ka pasur as indeksim të plotë të këtyre pagave, do të zhbalancojë disa tregues të rëndësishëm makroekonomikë, të tillë si inflacioni, shtimi i barrës fiskale dhe reduktimi i shërbimeve publike.
Sufiçiti buxhetor, me rënien graduale të inflacionit, i cili në prill 2023 ishte 5 përqind, do të ulet ndjeshëm dhe qeveria do të ndodhet përballë domosdoshmërisë për të përballuar qindra milionë euro shtesë në vit për shtimin e pagave, vetëm përmes shtimit të borxhit publik. Ajo nuk ka zgjidhje tjetër. Do të përfundojë në terrenin e minuar, kur siguron rritje pagash, përmes rritjes së borxhit.
Rritjet e sforcuara të pagave për të rritur kërkesën në treg, kur fuqia prodhuese e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen këtij ritmi, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shtimin e stokut të borxhit publik.
Rritja reale e pagave sigurohet kur ndodh një zgjerim i ekonomisë mbi 6 përqind në vit dhe kur produktiviteti i saj përmirësohet qëndrueshëm.
Rritja e ndjeshme e pagës mesatare dhe e pagave të nomenklaturës së lartë të Shtetit, sipas standardeve të qeverisjes së mirë të OECD, kërkon një parashikim të fondeve të domosdoshme në Buxhetin e Shtetit, të cilat janë në vlera të mëdha, për ta realizuar atë. Nuk ka asnjë përmendje të këtyre fondeve të domosdoshme në Planin Afatmesëm të Buxhetit të Shtetit për vitet 2023-2025, të përgatitur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe kjo përbën një skandal të madh!
Nga ana tjetër, mungesa e parashikimit të fondeve përkatëse për rritjen spektakolare të pagave, dëshmon që ky veprim është thjesht dhe vetëm një aventurë, një tekë e momentit e të ashtuquajturit Lider Global, për të blerë abuzivisht dhe me korrupsion parazgjedhor dhe zgjedhor votat e qytetarëve, duke përfituar nga sufiçitet e krijuara dhe në krijim e sipër në Buxhetin e Shtetit për vitin 2023, për shkak të inlfacionit të lartë.
E shtrirë deri në korrik 2024, rritja e pagës mesatare në administratën publike projektohet sërisht si një investim abuziv parazgjedhor i Ramës, në optikën e zgjedhjeve të përgjithshme politike të vitit 2025.
II.8. Rritje pagash pa analiza të thelluara ekonomike dhe pa realizuar censusin e popullsisë. Rama përsërit si papagall se kjo rritje pagash ka ardhur si rezultat i analizave të thelluara të bëra nga qeveria e tij. Po të kishte një të vetme syresh, ky manipulues i paskrupullt i opinionit publik nuk do të kishte përtuar ta tregonte, por nuk ka!
Kjo dëshmon më së miri karakterin aventuror të nismës për shtimin e e ndjeshëm të pagave në administratën publike. Qeveria nuk ka as edhe të dhënat e duhura për numrin e popullsisë, për të krahasuar ndikimin e rritjes së pagës mesatare të të 135 mijë të punësuarve të saj, në sektorin privat.
Ne interpelancen e marsit 2023, i kam kerkuar Ministres se Financave dhe Ekonomise edhe pershpejtimin e realizimit te censusit te popullsise, te cilin qellimisht kjo qeveri dhe kjo maxhorance e ka vonuar ne dy vitet e fundit, te mbuluar me gjoja deshtimin menaxherial te INSTAT per ta kryer ne kohen e duhur. Vonesen tuaj te qellimshme e konfirmon edhe Gazetari dhe publicisti Ben Andoni, i cili në një shkrim të tij të djeshëm cilëson se “Censusi i popullsise, sipas literaturës, na tregon se kush jemi dhe ku po shkojmë si komb, por edhe i ndihmon komunitetet tona të përcaktojnë se ku të ndërtojnë gjithçka u nevojitet, nga shkollat te supermarketet dhe nga shtëpitë e deri te spitalet. Censusi ndihmon qeverinë të vendosë se si të shpërndajë fondet dhe ndihmën për strukturën shtetërore dhe lokalitetet”. Kete ndihme dhe investimet ju doni t’i shperndani aty ku ju leverdis juve, dhe jo ku ka me shume nevoje.
II.9. Rritje pagash pa finalizuar reformën në administratën publike. Përbën nonsens ekonomik që, ndërsa popullsia e vendit është pakësuar në 10 vitet e fundit me të paktën 600 mijë vetë, nga emigracioni intensiv, ose mbi 20 përqind të popullsisë, sipas shifrave të INSTAT, administrata shtetërore, e cila duhej të tkurrej po me 20 përqind, është rritur!
Administrata jonë publike është rritur, për shkak të falangave të patronazhistëve dhe aktivistëve, që kanë depërtuar në të gjitha poret e saj. Duhet perfunduar reforma. Kete reforme duhet ta fillojme nga vetja jone. Me popullsine e sotme, ne jemi shume 140 deputete, ndersa numri optimal duhej te ishte 100 deputete. Kemi dhe shume struktura shteterore te fryra dhe institucione e drejtori qe dublojne njera-tjetren.
II.10. Te votosh rritjen e pagave do te thote te biesh ne kurthin e Rames. Ne nuk duhet t’i votojme pagat e rriturra, edhe ne respekt te opinionit te shendoshe publik te vendit. Me djallezi Rama e paraqiti rritjen e pagave te deputeteve si nisme e vete atyre. Ne nuk duhet te biem ne kete projekt-kurth, por duhet te shikojme sugjerimet pozitive qe na kane ardhur nga shume personalitete te vendit dhe mesazhet qe na kane dhene.
Ne duhet te respektojme piken 3 te Kodit Etik te deputetit dhe te ndjekim standardin e parlamenteve te zhvilluara ne Evrope dhe ne bote, qe legjislacionin per ta e miratojne dhe e kalojne per zbatim gjate legjislatures tjeter.
Nuk duhet te biem pre e lojrave te kryeministrit dhe te mbjellim gjuhen e urrejtjes mes njeri-tjetrit. Ne duhet te respektojme zgjedhesit tane!
xxx
Të gjithë jemi për të patur një administratë publike sa më konkurruese, cilësore dhe të mirëpaguar. Mirëpo rritja e pagave edhe në shtet, njëlloj si në sektorin privat, duhet të vijë gjithnjë, në përpjestim të drejtë me rritjen e rendimentit dhe të produktivitetit të punës. Në të kundërt, ajo përbën një aventurë me pasoja të pallogaritshme, si kjo që po e fut shoqërinë dhe ekonominë tonë Rama sot, e cila, për fat të keq, i ka të gjitha gjasat të përfundojë me rritjen e borxhit publik dhe me thellimin e pabarazisë dhe padrejtësisë shoqërore në vend.

Fjala në Kuvend në Seancën Plenare të datës 25.05.2023