Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike
Projektligji i Partisë Demokratike ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, për mundësimin e votimit të emigrantëve me karta identiteti shqiptare të skaduara, si dhe me pasaportë ose letërnjoftim apo kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër, si dispozitë kalimtare, është ligjor dhe efektiv.

Ai synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.

I. Karta e skaduar e identitetit nuk duhet të shbëjë të drejtën për votim!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin, sipas të cilit, e drejta e votës i njihet çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njerin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, veçse kur ai heq dorë prej saj.”.

Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskriminimin. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën universale të votës.

Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tij në një formë të besueshme, ai/ajo ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qenë në listën e zgjedhësve, sa kohë që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës, dhe jo për ta zhbërë atë!

Nga ana tjetër, nëse analizojmë me kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me karta identiteti të skaduara.

Por nga viti 2023 e deri tani, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Raporti paraprak i NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, raport i cili mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024, evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me karta identiteti të skaduara, e dhënë kjo e konfirmar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, por sidomos ata jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit, për të rinovuar dokumentat e identifikimit. Rrjedhimisht, e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje të votojë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.

II. Dokumenti biometrik i vendit ku votojnë duhet të mundësojë votimin e emigrantëve!

Gjithashtu, numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/elektronik (pasaportë apo kartë identiteti/letërnjoftim), sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me to, duke nisur nga janari i vitit 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës, është i lartë.

Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë.

Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë, me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror, duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike.

Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që amendamenti i partisë Demokratike ndryshon, është miratuar në vitin 2008. Si e tillë, ajo nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (pozicion ligjor i njohur botërisht me termin “Out of country voting-në shqip, votimi jashtë vendit”).

Si e tillë, kjo dispozitë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Ajo përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.

Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, sikurse mundëson amendamenti i propozuar nga PD, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje të ulët në votime, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve, të cilëve, (i) u ka skaduar leternjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në emigracion, që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letënjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.

Me miratimin e këtij Projekligji të Partisë Demokratike dhe përfshirjen e dispozitës së tij në Kodin Zgjedhor, si dispozitë tranzitore, nuk do të ketë me pasiguri juridike lidhur me eventualitetin, nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për efekt të zgjedhjeve.

Kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6 mijë zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.

Duke kryer rregullimet ligjore drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohet jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që ata posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershrne të rregullave përkatëse.

Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007, me kerkesë të opozitës, në atë kohë të Partisë Socialiste, pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës, në mungesë të dokumentave të identifikimit të Republikës së Shqipërisë, situatë kjo sot e vlefshme për qindra mijëra zgjedhës.

Botuar në Gazeta Sot më 14.02.2025

INSTAT dhe Censi 2023 nën thundrën e sektit Rama

INSTAT dhe Censi 2023 nën thundrën e sektit Rama

  • Institucioni ka nisur të humbasë keq emrin e tij të mirë!
    Instituti Kombëtar i Statistikave(INSTAT) është një hallkë themelore dhe e pazëvendësueshme e sistemit tonë kombëtar të statistikave, të përbëre nga vetë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
    Vlerësoj kontributin e INSTAT ndër vite. Ky institucion ka njohur zhvillim të konsiderueshëm profesional dhe ka provuar të luajë një rol në rritje në vendim-marrjen ekonomikë të vendit, si në sektorin publik dhe atë privat, përmes produkteve periodike dhe serive të tij statistikore. INSTAT ka bërë përpjekje të gjenerojë informacion objektiv dhe të plotë sa të jetë e mundur më shumë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
    Institucioni ka punuar për hapjen dhe pastaj mbylljen sa më shpejt, të bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
    Një nga detyrat themelore të INSTAT është numërimi i popullsisë aktuale, i quajtur teknikisht Censi, për të mirëorientuar politikat e përfaqësimit në politikëbërje në Kuvend, ato të mbështetjes sociale dhe të nxitjes së punësimit, të ndalimit të hemorragjisë së largimit nga vendi, etj..
    Më 18 shtator 2023, më në fund, pas tre vitesh vonesë, INSTAT nisi censin e popullsisë dhe banesave. Në 6 javë, deri në fund të tetorit 2023, 16.5 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë u përdorën për të realizuar dhjetra mijëra intervista në shtëpitë e qytetarëve në mbarë vendin.
    Përgjigjet u morën nga 7 mijë e 500 intervistues të angazhuar nga INSTAT, të pajisur me tabletat dhe programin kompjuterik të duhur, për të rregjistruar në mënyrë elektronike të gjitha përgjigjet. Pyetësori me 100 pyetje synoi të ofronte të dhëna sa më të plota për popullsinë rezidente, për karakteristikat kryesore demografike dhe sociale, si dhe për strehimin, shëndetësinë, punësimin etj.
    Kaluan më shumë se tre muaj që ka përfunduar Censi dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion mbi të dhënat paraprake që duhej tashmë të ishin përpunuar nga INSTAT, për popullsinë rezidente të vendit.
    INSTAT nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi vonesën e publikimit të këtyre të dhënave paraprake të domosdoshme, duke u fshehur pas deklaratës se rezultatet e plota do t’i botojë në qershor 2024.
    Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk do të mund të shpallen përpara qershorit 2024 është e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë me 8 muaj vonesë dhe mbi praninë e presioneve politike që INSTAT ka marrë nga sekti Rama në qeverisje, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetoje përmes Censit, braktisjen masive të vendit!
    Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.
    Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të administruar informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet do të shpallen në qershor 2024? Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse ishin në kulmin e pandemisë nga Covid 19, rezultatet i shpallën pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj?
    Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT do japë tetë muaj më vonë, veçanërisht mbi numrin e sotëm të qytetarëve banues në Shqipëri, i cili do të dëshmonte braktisjen masive të vendit në dekadën e fundit. Thënë ndryshe, eksodin biblik të shqiptarëve në vitet 2014-2023 me mbi 900 mijë qytetarë të larguar!
    Të dhënat zyrtare të EUROSTAT me shtimin e konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë në të 28 vendet anetare të Bashkimit Evropian në dhjetë vitet e fundit, e konfirmojnë këtë dukuri, ndërsa sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar i shbërjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të fortë mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj.
    INSTAT, me heshtjen e tij të sotme, po kthehet në një institucion-rob të qeverisë Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur keqazi emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.
Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj
kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit
më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre
tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Wilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos
harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

Botuar në Gazeta Sot më 27 Janar 2024

Qeveria e re Polake-Profili

Qeveria e re Polake-Profili

Autori: Daniel Tilles, As. Prof. ne Histori, Universiteti i Krakov ne Poloni.

Gati dy muaj pas fitores së shumicës parlamentare në zgjedhjet e tetorit 2023, një koalicion i tre grupimeve politike: Koalicioni Qytetar Qendror (KO), qendra e djathte Vija e Tretë (Trzecia Droga) dhe E Majta (Lewica), ka formuar një qeveri të re, duke zëvendësuar partinë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS), që ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015.
Më 13 dhjetor, kabineti i ri u betua zyrtarisht përpara Presidentit Andrzej Duda.
Ministrat e rinj përfaqësojnë disa parti nga tre blloqet kryesore: KO ka 14 ministra, të cilët vijnë nga Platforma Qytetare (PO), Moderne (Nowoczesna) dhe Iniciativa Polake (Inicjatywa Polska); Vija e Tretë ka shtatë ministra të ndarë midis Partisë Popullore Polake (PSL) dhe Polonia 2050 (Polska 2050) dhe E Majta e Re (Nowa Lewica), e cila është pjesë e së majtës në Poloni, ka katër ministra.
Donald Tusk, 66 vjeç, kryeministër (PO/KO)
Tusk është ish-President i Këshillit të Evropës. Rikthimi i tij si kryeministër do të mirëpritet në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian, duke sjellë përfundimin e tetë viteve të marrëdhëniesh të ftohta me qeverinë e partisë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS).
Tusk pa dyshim do t’i përmirësojë këto marrëdhënie, duke kërkuar kompromis aty ku më më parë gjenerohej konfrontim. Tusk do të synojë të zhbëjë reformën gjyqësore, e cila solli shpesh përplasje ndërmjet Brukselit dhe Varshavës.
Megjithatë, ai nuk do të jetë lehtësisht i influencueshêm. Polonia sot është një vend tjetër në krahasim me atë që Tusk drejtoi më parë në vitet 2007-2014. Vjen më e fortë, më e pasur, më besimplotë. Roli i saj është bërë edhe më i rëndësishëm, që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.
Tusk mund të jetë një eurofil, por ai gjithashtu do të përfaqësojë skepticizmin polak, në çështje si integrimi më i thellë në BE, të cilin ai e quajti së fundmi “euro-entuziazëm naiv”.
Për më tepër, ai dhe koalicioni i partive që drejton do të ballafaqohen me tre fushata të tjera zgjedhore brenda 18 muajve të ardhshëm: zgjedhjet vendore dhe evropiane vitin e ardhshëm dhe zgjedhjet presidenciale në vitin 2025. Tusk vetë mund të kërkojë të kandidojë për t’u bërë President. Prandaj, do të jetë thelbësore për të që të shihet duke u ngritur në mbrojtje të interesave të Polonisë në arenën ndërkombëtare.
Ai nuk ka shumë gjasa të ketë një periudhë “muaj mjalti” me publikun polak. Sondazhet e opinionit publik kanë treguar herë pas here pak entuziazëm për të personalisht, duke përfshirë një sondazh të kësaj javë që zbuloi se vetëm 10% e polakëve mendojnë se ai do të jetë një kryeministër “i përkryer”, ndërsa 30% besojnë se ai do të jetë “tmerrësisht i keq”.
Tusk gjithashtu do të ballafaqohet me vështirësi në ruajtjen e unitetit, në një koalicion shumë të diversifikuar që ai drejton, duke përfshirë nga e majta shumë liberalë socialë, deri tek e djathta konservatore qendrore.
Władysław Kosiniak-Kamysz, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes (PSL/Vija e Tretë)
Edhe pse është relativisht i ri, duket sikur Kosiniak-Kamysz ka qenë në qeverisje gjithmonë. Ai është veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, duke u bërë Ministër i Punës në vitin 2011, kur ishte vetëm 30 vjeç. Katër vite më vonë, u bë kryetar i Partisë Popullore Polake(PSL), një pozicion që e ka mbajtur që atëherë, edhe pse ka pasuar disa rezultate të pakënaqshme zgjedhore.
Kosiniak-Kamysz ka përparuar pjesërisht, duke pasur mirëkuptim me të gjithë. Në fakt, edhe kryeministri i mëparshëm i PiS, Mateusz Morawiecki, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur partinë në pushtet – sugjeroi muajin e kaluar se do ishte i gatshëm të shërbejë në një qeveri drejtuar nga kryetari i PSL.
Megjithatë, roli i tij i ri në Ministrinë e Mbrojtjes do të kërkojë disa vendime të vështira. PiS po bën shpenzime ushtarake të jashtëzakonshme, të cilat kanë nisur para invazionit të Rusisë në Ukrainë dhe janë
përshpejtuar më pas. Kjo ka rritur shpenzimet për mbrojtjen këtë vit në 4% të GDP, nivelin më të lartë në NATO.
Opozita shpesh ka shprehur shqetësim për mënyrën se si disa prej këtyre parave po shpenzohen, megjithëse ka qëndruar e kujdesshme për të mos e vënë në pikëpyetje idenë se Polonia duhet të forcojë mbrojtjen e saj. Kosiniak-Kamysz mund të përballet me presion nga pjesë të tjera të qeverisë së re, për të pakësuar disa nga këto shpenzime, megjithatë një lëvizje e tillë mund të jetë një avantazh politik për PiS.
Krzysztof Gawkowski, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Marrëdhënieve Digjitale (E Majta e Re/E Majta)
Roli i dytë i zëvendëskryeministrit i është dhënë së Majtës, për të shpërblyer një të tretën e tre grupeve që formojnë koalicionin. Gawkowski ka shërbyer si kryetar i grupit parlamentar të së Majtës që nga viti 2019, por nuk është një figurë veçanërisht e shquar. Nuk ka gjasa që Gawkowski do të jetë shumë i dallueshëm në qeverinë e re, duke pasur parasysh se do të drejtojë një nga ministritë më pak të rëndësishme.
Radosław Sikorski, 60 vjeç, Ministër i Jashtëm (PO/KO)
Në vitet e fundit, PiS ka emëruar figura me profil të ulët si ministra të punëve të jashtme, me politikën e jashtme shpesh të drejtuar efektivisht nga zyra e kryeministrit ose selia e partisë.
Por Sikorski është një figurë vërtet e rëndësishme, me përvojë dhe lidhje të mira, i cili ka përfunduar studimet në Oxford. Ai shërbeu në të njëjtën rol për shtatë vjet në qeverinë e fundit të Tusk dhe si ministër i mbrojtjes gjatë një qeverie të drejtuar nga PiS në vitet 2005-2007, edhe pse tani është një kundërshtar i zjarrtë i ish-partisë së tij. Si Tusk, edhe Sikorski pa dyshim do të rimarrë dhe zgjerojë marrëdhëniet me partnerët evropianë të Polonisë.
Sikorski do të ketë sfidë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi PiS zhvilloi lidhje të ngushta me Uashingtonin, nën udhëheqjen e Trump dhe Biden, ndërsa në vitin 2014, u bënë publike regjistrime sekrete të Sikorskit, atëherë ministër i punëve të jashtme, duke thënë se “aleanca polako-amerikane është e pavlerë” dhe në të vërtetë “e dëmshme, sepse i jep Polonisë një ndjenjë të rreme të sigurisë”.
Vitin e kaluar, ai u kritikua gjerësisht për një mesazh në Twitter, në të cilin sugjeroi se SHBA ishte përgjegjëse për shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream. Një printim i postimit të tij përfundoi duke u paraqitur në Kombet e Bashkuara nga ambasadori i Rusisë.
Marrëdhëniet me SHBA-të pritet të mbeten miqësore nën administratën Biden. Por një rikthim i mundshëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, mund të shkaktojë tensione, duke marrë parasysh se qeveria e re polake, në kundërshtim me pararendësen e saj të djathtë populiste, nuk është në të njëjtën vijë ideologjike me Republikanët në SHBA.
Adam Bodnar, 46 vjeç, Ministër i Drejtësisë (Senator jopartisan, i zgjedhur si kandidat i KO)
Bodnar shërbeu si komisioner për të drejtat e njeriut të Polonisë nga viti 2015 deri në vitin 2021, një rol që e bëri të shquhej, sidomos për konfliktet e shpeshta me PiS gjatë kësaj kohe. Si një shkencëtar ligjor, Bodnar shpesh konfrontohej me qeverinë e mëparshme, në lidhje me sundimin e ligjit.
Megjithatë, si politikan, Bodnar është i ri. Kur u zgjodh me sukses për Senatin në tetor, ishte hera e parë që ai kishte qenë kandidat në zgjedhje. Ai do të ketë pak kohë për t’u përshtatur, pasi i është dhënë ndoshta detyra më e vështirë në qeverinë e re.
Qeveria e re ka premtuar të kthejë brapsht shumicën e aspekteve të reformës gjyqësore të ndërmarrë nga PiS. Por të shkulësh tetë vjetët e reformave komplekse, do të jetë e vështirë, jo vetëm teknikisht. Si, për shembull, të merret me mbi 2,000 gjyqtarët të emëruar nga Këshilli Kombëtar i Drejtësisë të reformuar ilegalisht dhe dhjetëra mijëra vendimet që ata kanë dhënë.
Do të jetë e vështirë edhe politikisht, pasi Presidenti Duda mund të vetojë çdo ligj të miratuar nga Parlamenti i ri, ndërsa shumica vazhdueshme (ligjërisht e emëruar) e gjyqtarëve të nominuar nga PiS në Gjykatën Kushtetuese, mundet gjithashtu t’i kthejë ligjet.
Vendimi për të vënë ministrinë e drejtësisë në duart e një figure relativisht jo-politike sugjeron një qëllim për depolitizimin e gjykatave. Megjithatë, PiS do të argumentojë se kjo thjesht do të thotë rivendosjen e pushtetit mbi sistemin gjyqësor, në duart e gjyqtarëve që janë thelbësisht të prirur në favor të koalicionit të ri të pushtetit dhe kundër PiS.
Për më tepër, Tusk e bëri të qartë në fjalimin e tij të fundit në Parlament, se një pjesë e rolit të Bodnar do të jetë të mbajë përgjegjëse qeverinë e mëparshme të PiS, duke siguruar që “korrupsioni, abuzimi i pushtetit dhe shkatërrimi i institucioneve polake të mos shkojnë pa ndëshkuar”. Ky proces pritet të jetë shumë politik.
Andrzej Domański, 42 vjeç, Ministër i Financës (PO/KO)
Ministri i ri i financës është një tjetër person i ri në politikë, i cili nuk ka qenë përfshirë më parë në politikë. Domański, një ekonomist, nuk është një emër apo fytyrë e njohur për shumicën e polakëve. Në të vërtetë, në momentin e këtij shkrimi, ai nuk ka asnjë shënim në Wikipedia.
Por ai është parë si një figurë kyçe në fushatën e zgjedhjeve të KO këtë vit, duke qenë autor i programit ekonomik të partisë. Vetë ai kandidoi në zgjedhje me sloganin: “Andrzej Domański – njeriu i ekonomisë”.
Domański do të ballafaqohet me një veprimtari balancimi të vështirë në rolin e tij të ri. Ndërsa PO ishte tradicionalisht një parti mjaft e lirë në treg, popullariteti dhe suksesi i politikave të shpenzimeve sociale të PiS i ka detyruar pothuajse të gjitha partitë e tjera të premtojnë qe do t’i mbajnë këto politika.
Megjithatë, ka shqetësime se në kushte ekonomike më pak të favorshme, këto dhurata mund të jenë më të vështira për t’u përballuar, ndërsa qeveria e re ka edhe premtimet e veta për shpenzime shtesë. Kështu që Domański mund të përballet me presion nga pjesë të KO dhe gjithashtu nga partia Polonia 2050, e cila është ekonomikisht liberale, për të frenuar shpenzimet sociale.
Barbara Nowacka, 48 vjeç, Ministre e Edukimit (Iniciativa Polake/KO)
Në vitin 2020, PiS kombinoi detyrat për shkollat dhe universitetet në një ministri të vetme – e udhëhequr nga figura ultrakonservatore e Przemysław Czarnek. Mirëpo qeveria e re tani i ka ndarë përsëri.
Nën udhëheqjen e Nowacka, një luftëtare e drejtpërdrejtë për të drejtat e grave që më parë, e cila ishte e lidhur me të majtën, mund të pritet një ndryshim radikal në shumë aspekte të politikave arsimore.
Ndërsa PiS kufizoi edukatën seksuale dhe përpjekjet për të mbrojtur fëmijët nga e ashtuquajtura “ideologji LGBT”, Nowacka, e cila është një mbështetëse e njohur e të drejtave LGBT, do të kthejë këto politika dhe do të ndjekë një axhendë progresive.
Ministrja e re do të përballet me shumë nga sfidat e njëjta si PiS, në veçanti, me gjetjen e të ardhurave për të përmirësuar financimin e dobët të sistemit arsimor. Sidomos, për të paguar rritjen 30% të pagave të mësuesve, që Tusk ka premtuar ta realizoje në 100 ditët e para.
Izabela Leszczyna, 61 vjeç, Ministre e Shëndetsisë (PO/KO)
Leszczyna është një tjetër veterane e qeverisë së mëparshme të Tuskut, duke shërbyer si zëvendësministre e financës nga viti 2013-15.
Ajo është një zgjedhje e pazakontë për ministre të shëndetësisë, duke marrë parasysh se nga viti 2000 çdo person që ka mbajtur këtë rol në Poloni në bazë të qëndrueshme, ka qenë mjek i kualifikuar (ose në një rast ish-kreu i fondit shtetëror të shëndetësisë). Si para-ardhësit e saj, Leszczyna do të përballet me sfidat e vazhdueshme të drejtimit të një sistemi shëndetësor të varfër, me numër të pakët të personelit dhe shpesh të vjetrëuar, që polakët e shpallin vazhdimisht në sondazhe si një nga shqetësimet më të mëdha të tyre, por të cilin qeveritë e radhës nuk kanë arritur ta përmirësojnë në mënyrë të konsiderueshme.
Paulina Hennig-Kloska, 46 vjeç, Ministre e Klimës dhe Mjedisit (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Ish-anëtare e parlamentit për partinë Modern, Hennig-Kloska ishte një nga anëtarët e parë të parlamentit që kaloi në vitin 2021 tek partia e re e formuar, Polonia 2050.
Ministria e saj tani pritet të ketë një rol shumë më të rëndësishëm, se sa në periudhën e PiS, një parti miqësore ndaj qymyrit, kur shpesh akuzohej se dëmton mjedisin, për shembull duke miratuar prerjen e drurëve në Pyllin e Białowieżës dhe duke dështuar në parandalimin e ndotjes së lumenjve.
Marrëveshja e koalicionit të qeverisë së re përmban zbatim të qartë të politikës kundër ndryshimeve të bëra nga njeriu në klimën dhe mjedisin, duke përfshirë nxitjen e burimeve të energjisë së rinovueshme. Ajo gjithashtu premton të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit natyror të Polonisë, si lumenj dhe pyje.
Roli i Hennig-Kloska në këto plitika ka filluar keq, pasi koalicioni u detyrua javën e kaluar të tërhiqte ligjin që lehtësonte rregullat për ndërtimin e parqeve të erës, pas shqetësimeve se do të lejohej konfiskimi i tokave private, për të ndërtuar turbina. Koalicioni theksoi se kjo nuk ishte rasti, por deklaroi se do të rishihte projektligjin, para se ta risjellë në Parlament.
Episodi – i cili përfaqësonte krizën e parë të qeverisë para se të kishte marrë detyrën zyrtarisht – ishte një mësim paralajmërues se sa e vështirë do të jetë për një koalicion të ndryshuar, që përfshin shumë politikanë të rinj, që të qeverisë. Ai tregoi gjithashtu se si PiS do të luajë një rol si një opozitë e fortë ndaj qeverisë së re.
Bartłomiej Sienkiewicz, 62 vjeç, Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare (PO/KO)
Sienkiewicz çshtë një tjetër veteran i Tusk, që shërbeu si ministër i brendshëm në vitet 2013-14, kur ai ishte, si Sikorski, një tjetër “yll” i regjistrimeve sekrete që u bënë publike në vitin 2014.
Sienkiewicz nuk ka qenë i angazhuar më parë në fushën e kulturës, megjithëse është stër-stërnipi i një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Polonisë, Henryk Sienkiewicz. Një raport i ri në media sugjeroi se Sienkiewicz është thjesht një emërim afat-shkurtër nga Tusk, për të caktuar një aleat të besuar për të pastruar shpejt çështjet e lëna nga PiS, para se të kandidojë në zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm.
Kjo do të përfshijë në veçanti mbikëqyrjen e “depolitizimit” të mediave publike, të cilat u bënë një zëdhënës i PiS gjatë tetë viteve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh se transmetuesit shtetërorë të Polonisë gjithmonë në një farë mase kanë qenë në ndikim të partive që janë në pushtet, shumë do ta shohin këtë proces jo si depolitizim, por thjesht si një formë të re politizimi.
Borys Budka, 45 vjeç, Ministër i Aseteve Shtetërore (PO/KO)
Budka ishte një ndër figurat që drejtoi pa sukses PO gjatë viteve të mbingarkuara nga ndryshimet, në një moment kur Tusk u largua për në Bruksel, në vitin 2014, deri në kthimin triumfal të tij në vitin 2021. Pasi u tërhoq për t’i bërë vend Tusk-ut, Budka shërbeu si kryetar i grupit parlamentar të KO.
Pozita që ai po merr tani është e rëndësishme, duke marrë parasysh madhësinë dhe ndikimin e firmave shtetërore polake, duke qene se shumica prej tyre janë ndër kompanitë më të mëdha në vend. Gjithashtu, gjatë tetë viteve të fundit, pozitat menaxheriale në shumicën e këtyre firmave janë mbushur me emërime politike të lidhura me PiS dhe vetë firmat shpesh janë përdorur për të mbështetur axhendën e partisë në pushtet.
Në krye të listës së Budkës, do të jetë gjigandi i energjisë së shtetit, Orlen. Kompania është zhvilluar shpejt në vitet e fundit si pjesë e përpjekjeve të PiS për ta bërë atë një lojtar ndërkombëtar. Këtë vit, ajo u bë një nga 50 kompanitë më të mëdha në Evropë.
Por nën udhëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Daniel Obajtek, një ish-kryetar komune i një qyteti të vogël i lidhur me PiS, ajo ka qenë gjithashtu shumë pranë dhe e mbështetur nga partia në pushtet – duke përfshirë blerjen e dhjetëra gazetave lokale, që janë përdorur për të promovuar axhendën e qeverisë.
Përveç politikës, Budka do të përballet edhe me sfidën e mbikëqyrjes së sektorit të energjisë së shtetit, për të realizuar largimin e vështirë nga burimet e karburanteve fosile, veçanërisht qymyrit, dhe për të drejtuar vendit drejt një të ardhme më të gjelbër, një proces që ka nisur nën qeverinë e PiS.
Marzena Czarnecka, mosha e paditur, Ministre e Industrisë (jopartizane)
Një emër i befasishëm për të drejtuar një ministri krejt të re, Czarnecka ka një profil publik kaq të ulët, saqë as mosha e saj nuk e dihet. Një shkencëtare ligjore, që ka drejtuar departamentin e transformimit të energjisë në Universitetin e Katowicës – kryeqyteti i Silesias, zonës së qymyrit të Polonisë, ajo do të drejtojë një ministri të krijuar në të njëjtin qytet. Do të jetë i vetmi departament qeveritar jashtë kryeqytetit.
Së bashku me Hennig-Kloska dhe Budka, Czarnecka do të luajë një rol kyç në mbikëqyrjen e tranzicionit të Polonisë nga burimi fosil, qymyri, tek energjitë e gjelbra. Teksa vendosja e ministrit në një zonë gërmimi duket si një lëvizje simbolike e mençur, mbetet të shihet nëse një akademike – edhe pse nga vetë rajoni- është personi i duhur për të trajtuar sindikatat e fuqishme të minierave në Poloni.
Marcin Kierwiński, 47 vjeç, Ministër i Brendshëm (PO/KO)
Një militant i palëkundur i PO, Kierwiński ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i partisë që nga viti 2020. Një figurë publike jo shumë e shquar, ai do të shihet si një dorë e sigurt në ministrinë e brendshme.
Sikurse në fusha të tjera të qeverisjes, një nga detyrat e tij të para do të jetë të eliminojë ndikimin e PiS në uniformat polake, veçanërisht në polici, e cila u ka shërbyer interesave të partisë PiS në pushtet. Shefi kombëtar i policisë, Jarosław Szymczyk, i cili e kishte mbajtur këtë pozicion që nga viti 2016, vendosi të shkojë në pension, para ardhjes së qeverisë së re.
Tomasz Siemoniak, 56 vjeç, Koordinator i Sherbimeve të Mbrojtjes (PO/KO)
Një veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, në të cilën shërbeu si Ministër i Mbrojtjes nga viti 2011-2015, Siemoniak do të ngarkohet me mbikqyrjen e një fushe tjetër të qeverisë, e vlerësuar si e politizuar nga PiS.
Në veçanti, qeveria e mëparshme u akuzua për përdorimin e softuerit spiun Pegasus, për të vëzhguar figura opozitare, duke përfshirë menaxherin e fushatës së zgjedhjeve të vitit 2019 të KO. Koalicioni i ardhshëm ka premtuar se hetimi i këtyre pretendimeve do të jetë një nga prioritetet e tij.
Agnieszka Dziemianowicz-Bąk, 39 vjeçe, Ministër për Familjen, Punën dhe Politikat Sociale (E Majta e Re/E Majta)
Dziemianowicz-Bąk është një yll në rritje i së majtës polake, duke e afirmuar veten si një performuese mediatike e zellshme dhe efektive. Eksperte në fushën e arsimit – teza e saj e doktoratës kishte titullin Përgjithësim – Rezistencë – Përcaktim: një kritikë radikale e arsimit në mendimin shoqëror perëndimor bashkëkohor – dikur ishte parashikuar si kandidate për të drejtuar ministrinë e arsimit.
Sikurse me ministrat e tjerë të së Majtës, Dziemianowicz-Bąk, një mbështetëse e zëshme e të drejtave të grave dhe të LGBT, do të ndjekë një axhendë sociale progresive në rolin e saj të ri, të paktën në masën që elementët më konservatorë të koalicionit i lejojnë këto ndryshime.
Czesław Siekierski, 71 vjeç, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (PSL/Vija e Tretë)
Anëtari më i vjetër i qeverisë së re, Siekierski është një politikan veteran, i cili u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 1997. Megjithatë, përveç një periudhe si zv.ministër i bujqësisë në periudhën 2001-2003, ai nuk ka përvojë në qeveri.
Aktiv për një kohë të gjatë në bujqësi, ai do të ketë detyrën të rikthejë marrëdhëniet me fermerët, një grup që tradicionalisht ka qenë i mbështetur në PiS, por që ka konflikte me qeverinë në vitet e fundit, sidomos në lidhje me importet e grurit ukrainas.
Duke pasur parasysh qëndrimin më pro-BE të koalicionit të ri, balancimi i interesave të fermerëve polakë me kërkesat e partnerëve evropianë mund të jetë edhe më i vështirë për qeverinë e ardhshme, në krahasim me PiS, e cila ishte e kënaqur, për shembull, për të ndaluar në mënyrë të njëanshme importin e grurit ukrainas, në kundërshtim me rregullat e tregtisë së BE.
Adam Szłapka, 39 vjeç, Ministër i Marrëdhenieve me BE (Modern/KO)
Marrëdhëniet me BE-në do t’i besohen pjesërisht Szłapka-s, kryetarit të Partisë Moderne. Megjithatë, si një figurë e re dhe me profil relativisht të ulët, Szłapka nuk pritet të ketë një rol të madh në përcaktimin e politikës së jashtme, e cila do të jetë fusha e Tusk dhe Sikorski.
Dariusz Klimczak, 43 vjeç, Ministër i Infrastrukturës (PSL/Vija e Tretë)
Megjithëse është një tjetër njeri i partisë me një profil mjaft të ulët, Klimczak do të ketë shumë punë në dorë. PiS ka lançuar disa projekte të infrastrukturës në shkallë të gjerë, në veçanti një “mega aeroport” dhe qendër transporti në Poloninë qendrore, si dhe një port kontenjerësh në Shchecin.
Koalicioni i ardhshëm ka premtuar të rishikojë të gjitha këto plane investimesh dhe ka shprehur gjithashtu skepticizëm të gjatë, në veçanti për planet e mega aeroportit. Megjithatë, tërheqja nga projekte që janë në një fazë të avancuar – aeroporti ka tashmë projektin gati dhe nvestitorë ndërkombëtarë të përcaktuar-, mund të jetë e vështirë dhe gjithashtu do të shfrytëzohej politikisht nga PiS.
PiS ka argumentuar me kohë se opozita përfaqëson interesat gjermane, duke përfshirë dhe dëshirën e Berlin-it për të penguar zhvillimin ekonomik të Polonisë. Çdo vendim i qeverisë së re për të shbërë projekte të mëdha të infrastrukturës, do të prezantohet nga PiS si dëshmi e këtyre pretendimeve.
Sławomir Nitras, 50 vjeç, Ministër i Sportit dhe Turizmit (PO/KO)
Si një ushtar i besueshëm i PO, Nitras është një deputet me një shërbim të gjatë, por nuk ka përvojë ekzekutive. I është caktuar një nga ministritë e vogla, megjithatë mund të luajë një rol të shquar, nëse qeveria e re ndjek ofertën e nisur nga PiS këtë vit, për të organizuar Lojërat Olimpike Verore të vitit 2036 në Poloni. I njohur për qëndrimin e tij të luftarak dhe deklaratat kontroversiale, Nitras gjithashtu pritet të mbajë një profil relativisht të lartë.
Krzysztof Hetman, 49 vjeç, Ministër i Zhvillimit dhe Teknologjisë (PSL/Vija e Tretë)
Hetman ka shërbyer më parë si zv.ministër i zhvillimi rajonal nga viti 2007-2010, në qeverinë e mëparshme të Tusk. Një emër i vogël, ai pritet të ketë detyrën të implementojë politikat, në vend të krijimit të tyre.
Katarzyna Pełczyńska-Nałęcz, 53 vjeçe, Ministër i Fondeve dhe Politikave Rajonale (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një akademike dhe ish-kërkuese shkencore, Pełczyńska-Nałęcz shërbeu për një kohë të shkurtër si zv.ministre e jashtme në periudhën 2012-2014 dhe më pas si ambasadore e Polonisë në Rusi, nga viti 2014-2016. Ajo ishte një figurë e hershme që iu bashkua Szymon Hołownia, themelues dhe udhëheqës i partisë Polonia 2050, duke punuar në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Një nga rolet kryesore të saj do të jetë ndihma në zhbllokimin dhe pastaj shpenzimin e fondeve të BE për Poloninë, të cilat ishin të ngurtësuara nën qeverinë e PiS, për shkak të shqetësimeve të Brukselit për sundimin e ligjit.
Dariusz Wieczorek, 58 vjeç, Ministër i Shkencave (E Majta e Re/E Majta)
Wieczorek, i cili ka shërbyer si deputet që nga viti 2019, është një figurë jo fort e njohur. Në fakt, që prej kohës kur doli lajmi se mund të bëhej ministër, shumica e raporteve në mediat polake janë përqendruar në faktin se ai ka qenë baterist në një grupin e rrokut heavy metal Vinders, që ishte aktiv në vitet 1980 dhe pastaj u riformua në vitin 2009.
Wieczorek nuk ka pjesëmarrje të mëparshme në shkencë ose arsim të lartë. Sikurse me Nowacka dhe sistemin shkollor, ai do të ketë detyrën të zhbëjë atë që qeveria e re e sheh si politizimin e universiteteve, nën qeverinë e PiS.
Katarzyna Kotula, 46 vjeçe, Ministre e Barazisë (E Majta e Re/E Majta)
Në këtë rol të sapo krijuar, Kotula – më parë talent tenisi ne fëmijëri si dhe mësuese anglishteje, e cila ka shërbyer në Parlament që nga viti 2019 – mund të pritet që, si ministra të tjerë nga E Majta, të ndjekë një axhendë sociale progresive.
Marzena Okła-Drewnowicz, 51 vjeçe, Ministre e Moshës së Tretë (PO/KO)
Një tjetër pozicion i ri i krijuar, që reflekton sfidat e rritura me të cilat Polonia përballet si një nga shoqëritë më të plakura në Europë. Okła-Drewnowicz është zëvendëskryetare e PO dhe ka shërbyer në Parlament që nga viti 2007, e përfshirë më së fundmi si zëvendëskryetare e Komitetit të Çështjeve të Pleqërisë, por që deri më tani nuk ka qenë një figurë e shquar.
Agnieszka Buczyńska, 37 vjeçe, Ministre per Shoqërinë Civile (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një tjetër ish-anëtare e stafit të fushatës presidenciale 2020 të Hołownia, karriera profesionale e mëparshme e Buczyńska ishte e përqendruar në sektorin e OJQ-ve. Ajo bëhet ministre, edhe pse është zgjedhur në Parlament për herë të parë në tetor 2023. Pozicioni i saj është një tjetër ministri e krijuar së fundmi dhe reflekton premtimin e qeverisë së re, për të përfshirë më tepër shoqërinë civile në procesin e vendimmarrjes.
Buczyńska ishte ndër ata që qëndronin në skenë me kryetarin e Gdańskut, Paweł Adamowicz, në vitin 2019 kur ai u sulmua për vdekje gjatë një koncerti bamirësie. Ajo më vonë i tha Gazeta Wyborcza-s se ky “makth” ishte një nga motivimet e saj për të hyrë në politikë dhe “kundërshtuar gjuhën e urrejtjes”.
Maciej Berek, 50 vjeç, Ministër pa portofol, me përgjegjësi per Mbikëqyrje Legjislative (jopartizan)
Berek ishte kryetar i Qendrës për Ligjin Qeveritar dhe sekretar i kabinetit gjatë gjithë kohës kur Tusk ishte kryeministër, para se të punonte si studjues ligjor, gjatë viteve të pasuara të sundimit të PiS. Roli i Berekut do të jetë të sigurojë “pastërti dhe transparencë në procesin legjislativ”, thotë Tusk.
Jan Grabiec, 51 vjeç, Ministër pa portofol dhe kryetar i Kancelarisë se Kryeministrit (PO/KO)
Një tjetër njeri i besueshëm i partisë, Grabiec ka qenë zëdhënësi i PO që nga viti 2016. Si një anë të veçantë e politikës polake, kreu i kabinetit të kryeministrit gjithashtu mbart rang ministri.
Burimi: https://notesfrompoland.com/2023/12/13/whos-who-in-polands-new-government/

Marrëzitë e një goditjeje të rëndë ndaj opozitës

Marrëzitë e një goditjeje të rëndë ndaj opozitës

Në vazhdën e goditjeve ndaj opozitës, për shkak të rimëkëmbjes dhe fillimit të bashkimit të saj, nën një aksion të vendosur dhe të mirëkoordinuar opozitar, Rama mendoi dhe nxitoi të godasë frymën dhe inspiruesin e opozitës reale të vendit, Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishën.
Për këtë, përdori dosjen e privatizimit të ish-terrenit të Klubit Sportiv Partizani, një procedurë e filluar që në vitin 1995. Kjo dosje, që për tre vitet e fundit qëndroi në sirtaret e qindra dosjeve të tjera të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, u bë kali i betejës i sektit Rama, për të goditur penalisht liderin e opozitës.
Goditja ndaj tij(sikurse janë shprehur këto ditë profesionistë të jurisprudencës shqiptare, opinionistë, gazetarë dhe analistë) është goditje ndaj opozitës dhe demokracisë shqiptare, pasi ajo po realizohet përmes disa shkeljeve-marrëzi ligjore e proceduriale, lehtësisht të zbërthyeshme dhe të paqëndrueshme në llogjikën e një gjykate të pavarur, por jo të një shteti të kapur, si ky i joni sot.

  1. Kryetari i Partisë Demokratike kufizohet në lirinë e tij, në shkelje flagrante të Kushtetutës
    Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Të dyja masat e kufizimit të lirisë së tij, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi i paraqitjes, duhet të kalonin për miratim në Kuvend, posaçërisht nëpërmjet Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve dhe më pas, me votim në seancë plenare. Asgjë e tillë, asnjë autorizim i Kuvendit nuk është marrë, në shkelje flagrante të Kushtetutës, Nenit 73, Pika 2 e tij, që cilëson se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
    Ky është një faj shumë i rëndë, i kryer vetëm për të sulmuar politikisht drejtuesin e opozitës së bashkuar dhe vrarë aksionin opozitar. Ai krijon precedentë shumë të rrezikshëm për subjekte të tjerë të mbrojtur me Kushtetutë, të cilët mund të goditen njëlloj në të ardhmen.
  2. Qytetari Jamarbër Malltezi merret i pandehur në cilësinë e “zyrtarit të lartë” apo të të zgjedhurit vendor, duke mos qenë një ditë të vetme të jetës së tij në pozicione të tilla!
    Qytetari Jamarbër Malltezi nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor. Si i tillë, ai nuk është subjekt i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet per “pastrimin e produkteve të veprës penale”. Në të gjithë akuzën e ngritur nuk kuptohet se cila është vepra penale që ky qytetar dhe anëtar i Kryesisë së PD-së, ka kryer. Çfarë
    trafiqesh të paligjshme ka realizuar ky qytetar, për t’i futur në kanalet e investimit të kryer në ish-terrenin e klubit sportiv Partizani?!
    Si mund të jetë krim dhe korrupsion galopant, fakti që pesë familje të vjetra tiranase marrin pronat e trashëguara brez pas brezi?!
  3. Në të gjithë tërësinë e dokumenteve dhe vendimeve të marra për privatizimin e ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani”, drejtuesi i Partisë Demokratike nuk e ka firmën e vet asgjëkundi!!
    Procesi i privatizimit të ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani” ka nisur në vitin 1995. Dokumentacioni i privatizimit ka kaluar në disa qeveri, shumica socialiste, të cilat kanë firmosur praktikën. Ka një korrespodencë me dhjetëra e qindra faqe të ministrive dhe institucioneve te tjera qendrore, në lidhje me privatizimin e këtij ish-terreni. Ka vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave për kthimin e kësaj prone, një vendim i vitit 1999 dhe tjetri i vitit 2002, të qeverisë së Fatos Nanos. Në të gjitha vendimet të pas vitit 2006, për këtë pronë, qofte dhe në një të vetëm nuk figuron firma e Sali Berishës.
    Në të kundërt, është Edi Rama ai, që, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka firmosur kthimin në truall ndërtimi të sheshit të Klubit “Partizani”!
    Vendimet e marra në kohën kur Kryeministri Berisha ka qenë në detyrë, jo vetëm nuk sollën ndryshime lehtësuese apo liberalizuese në tjetërsimin e pronës përmes privatizimit, por përkundrazi, përcaktuan kritere më shtrënguese. U abroguan apo anuluan me qindra vendime të gjykatave, ku njerëzit vërtetonin pronësinë me tre dëshmitarë në gjykatë, duke vendosur filtra dhe kritere rreptësisht të përcaktuara, që pronarët e vërtetë të marrin dhe të zhvillojnë pronën e tyre.
    Me llogjikën e akuzës, i vetmi faj i Jamarbër Malltezit, Drejtor Departamenti dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, i cili, në këto 10 vite opozite, ka kryer me dhjetra denoncime kundër korrupsionit qeveritar , veçanërisht në fushën e mjedisit dhe të infrastrukrurës, del se është dhëndërr i Sali Berishës, pasi, kur dhëndri i një kryeministri zhvillon investim në pronë të tij, ky quhet akt korruptiv?!
  4. Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Dr. Jamarbër Malltezi, ju nënshtrohen masave të sigurisë, pa trembur njeri, pa tentuar të largohen dhe pa prishur provat!
    Rregjimi i sektit Rama në qeverisje, ka ushtruar presionin përcaktues për vendosjen e masave të sigurisë me arrest dhe me detyrim paraqitje, edhe pse çështja kishte tre vjet e hapur dhe në këta tre vjet, si Kryetari i Partisë Demokratike dhe qytetari Jamarbër Malltezi nuk kanë tentuar të
    largohen, nuk kanë trembur njeri dhe nuk kanë prishur provat. Këto jane kritere dhe kushte strikte, të cilat i kërkon ligji, për të caktuar një masë sigurimi.
    Vendosja e masës së sigurimit me arrest për qytetarin Jamarbër Malltezi dhe me deyrim paraqitjeje dhe ndalim të lëvizjeve jashtë vendit, për Kryetarin e Partisë Demokratike, janë veprime absurde, përtej çdo llogjike të drejtësisë ligjore dhe penale. Ato përcaktojnë saktë dhe qartë, përpara të gjithë shqiptarëve, se sekti Rama po persekuton gjyqësisht Kryetarin e Partisë Demokratike, për të asgjësuar aksionin opozitar, duke nisur kështu shndërrimin e vendit tonë në diktature!
  5. Sali Berisha është Kryetari i Partisë Demokratike dhe simbol i rithemelimit të opozitës së vërtetë shqiptare. Duke goditur Sali Berishën, goditet per t’u asgjësuar, ringritja dhe konsolidimi i Partisë Demokratike
    Edi Rama nuk do të ketë sukses në tentativën e tij të zezë, për të goditur në asgjësim opozitarizmin e vërtetë në Shqipëri, për të mbytur frymën dhe zeruar zërin e opozitës reale të vendit. Sekti Rama në pushtet po kërkon sot ta japë si shembull goditjen ndaj Sali Berishës, për të trembur opozitarët e tjerë nesër, në çdo nivel ku janë dhe ku me kurajo zhvillojnë aktivitet politik, në këtë kohë shumë të vështirë për të bërë opozitë në Shqipëri.
    Qytetarët shpresojnë në ringritjen e fuqishme të opozitës dhe në mundjen dhe largimin e sektit Rama në qeverisje, pikërisht nga përkushtimi dhe angazhimi politik i Dr. Sali Berishës.
    xxx
    Në këto kushte, demokratët, në veçanti Grupi Parlamentar, kryesia e PD-së dhe drejtuesit e PD-së nëpër rrethe, në cilindo nivel, duhet të vazhdojnë të punojnë të kthjellët, pa harruar misionin e tyre. Opozita duhet të realizojë detyrimet dhe detyrat e saj opozitare, përballë qytetarëve që e kanë votuar dhe shpresojnë në të. Ajo duhet ta vijojë akoma dhe më e vendosur aksionin e saj, sepse vetëm me përmbysjen e rregjimit tashmë pothuajse diktatorial të sektit Rama, do të rivendoset demokracia e vërtetë dhe shteti i së drejtës tek ne.
Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Me atë që ndodhi sot në Kongresin e PS-se, u pa qartë se nuk ka më një parti socialiste. Ka vetëm një sulltan në krye të sektit në qeverisje.
Sekti ka autokratin Rama, i cili emëron qehajaj të rinj në çifligun e vet kur dhe si i do qejfi.
Një Kongres ku nuk u dëgjua një kritikë e vetme. Ku nuk u bë një bilanc i vetëm i ministrive të cilave po u ndërrohen drejtuesit.

Ku nuk u mbajt një raport i vetëm për punën e drejtuesve të porsahequr nga ministria e Financave, e Brendshme dhe e Mbrojtjes. Janë tre ministri shtylla të një qeverisjeje dhe nuk u përmend një arësye, një e vetme, pse drejtuesit e deritanishëm po largohen.

Opinioni publik dhe qytetarët nuk e morën vesh nëse këta ministra të hequr kanë punuar mirë apo keq. Thjesht ministrat-ushtarë u ndërruan si në një lojë shahu.
Vetëm sulltani i partisë ia lejoi vetes sërisht, si në shtator të një viti më parë, kënaqësinë perverse që të larguarit ministra nga detyra ta merrnin vesh shkarkimin e tyre “live”, drejtpërsëdrejti nga salla e kongresit të partisë së tyre.
Ngelet që herës tjetër Rama të bëjë ministër kalin e tij, si perandori romak Kaligula, ndërkohë që vijon të mbajë ministra dhe ministre me dosje korrupsioni. Një ministër duket si të jetë nipi i Kiço Mustaqit, akuzuar si agjent grek nga të vetët në vitet 90-të të shekullit të kaluar.

Rama prezantoi në të aushtuquajturin kongres një program qeverie me premtime-mashtrime të parealizuara. Premtoi uljen e borxhit publik nën 60 përqind, kur në fakt e dyfishoi borxhin për frymë. Njëlloj si premtimet e Enver Hoxhës në kongreset e Partisë së Punës.

Ky i sotmi nuk ishte kongresi i një partie që drejton vendin, por monologu i sulltanit të sektit në qeverisje. Qytetarët panë sot zero kongres të PS-së, por vetëm përçartjet e zgjatura të një mbreti lakuriq.

Dialogu fillon nga respektimi i Kushtetutës!

Dialogu fillon nga respektimi i Kushtetutës!

Progres Raporti 2023 i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar dy javë më parë, përcolli mesazhin e dialogut politik gjithëpërfshirës mes palëve, i cili po harrohet. Raporti theksoi qartë se “Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht me refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit”. (Faqe 9 e Progres Raportit, paragrafi i katërt).
Dje, tre ambasadat e shteteve perëndimore, aleate strategjike të Shqipërisë, Ambasada e SHBA-ve, e Britanisë së Madhe dhe e Gjermanisë, reaguan fuqimisht, duke shprehur shqetësimin e tyre dhe duke kërkuar dialog politik mes pozitës dhe opozitës.
Dialogu politik fillon së pari, me punën e përbashkët për reformën zgjedhore. Nuk ka bashkëpunim dhe dialog, nëse opozita nuk është e përfaqësuar denjësisht në Komisionin e Kuvendit për Reformën Zgjedhore. Opozita është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi deputetët e Rithemelimit dhe grupi parlamentar i drejtuar nga kryetari Gazmend Bardhi, përbëjnë shumicën dërrmuese të deputetëve të opozitës.
Ne duhet të zhbëjmë dëmin e pallogaritshëm të shkaktuar nga ndryshimet kushtetuese te vitit 2008 dhe, për këtë, duhet të veprojmë shpejt. Duhet të përmirësojmë kodin zgjedhor, duke lejuar koalicionet parazgjedhore, listat e hapura të kandidatëve dhe duke mundësuar votimin e Diasporës.
Gur tjetër themeli i dialogut politik pozitë-opozitë është e drejta kushtetuese e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Neni 77, pika 2, i Kushtetutës, e përcakton qartë dhe pa asnjë ekuivok se: ‘Kuvendi, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”.
Partia Demokratike, përmes më shumë se 35 deputetëve të saj, pra më shumë se një të katërtës së Kuvendit, ka kërkuar në vijimësi dhe me këmbëngulje hetimin e procedurave dhe vendim-marrjeve publike në investimet strategjike, hetimin e çështjes ‘McGonigal’, e grabitjes së Portit të Durrësit, përmes kontratës skandaloze me Alabar, hetimin e udhëtimeve me charter të kryeministrit, hetimin e skandalit të vjedhjes së të dhënave të TIMS, të kontratave koncensionare në shëndetësi, si dhe të vendimmarrjeve në konflikt interesi. Të gjitha këto tema, objekt hetimi të komisioneve parlamentare të kërkuara nga opozita, janë tema bisedash, komentesh dhe shqetësimi publik sot të çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi.
Opozita nuk ka bërë gjë tjetër, veç detyrën e saj: ka sjelle në Kuvend frymën e kërkesave dhe shqetësimit qytetar për mënyrën se si po qeveriset vendi.
Sot reforma zgjedhore dhe komisionet hetimore parlamentare, përbëjnë më shumë se kurrë dy kushte “sine qua non” për një dialog politik të shëndetshëm mes pozitës dhe opozitës. Këtë gjithnjë e më shumë po e shikon qartë edhe faktori ndërkombëtar. Për këtë po binden nga dita në ditë aleatët tanë strategjikë. Kjo është arësyeja pse, përmes ambasadave të tyre këtu, përcjellin mesazhin e kërkimit me çdo kusht dhe të gjetjes së dialogut mes pozitës dhe opozitës në Parlament.
Në momentin që dy kushtet themelore të opozitës, por edhe të opinionit të shëndoshë publik të vendit plotësohen, Kuvendi del nga degradimi ekstrem dhe denatyrimi i funksioneve, ku e ka
çuar një njeri i vetëm, kryeministri dhe futet në normalitetin e zhvillimit të punës së komisioneve të tij të përhershme dhe të seancave parlamentare.
Gjendja është e rëndë, pasi në javët e fundit, Kuvendi i Shqipërisë po hyn në histori për keq, si një Parlament i shndërruar tërësisht në noter të rëndomtë të tekave të kryeministrit. Dje hyri ne histori si një parlament që miraton një buxhet Shteti, me shpejtësinë e garave të Formula Një, brenda vetëm pak minutash
Buxheti 2024 i Shtetit shqiptar do të mbahet mend si buxheti më i papërgjegjshëm në historinë e pluralizmit tonë. Ai përbën edhe buxhetin e miratuar më shpejt në historinë e parlamentarizmit botëror, për vetëm pesë minuta! Buxheti i shtetit të sektit Rama në qeverisje u miratua dje me shpejtësi mesatare 1.4 miliardë euro shpenzime dhe 1.1 miliardë euro të ardhura në minutë!
Shqetësimi i drejtë i Progres Raportit 2023 të Komisionit Evropian dhe i ambasadave të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, duhet të shtyjë jo vetëm opozitën, por edhe të gjithë shoqërinë civile dhe opinionin e shëndoshë publik të vendit, të kërkojnë me forcë nga maxhoranca një dialog politik konstruktiv dhe realist, si rruga e vetme për t’i dhënë qetësi dhe stabilitet vendit. Opozita e drejtuar nga deputetët e Rithemelimit ka qenë gjithnjë dhe vijon të jetë për gjuhën e dialogut politik konstruktiv.
Është pozita ajo që duhet të zbatojë rekomandimin e Progres Raportit 2023 të Bashkimit Evropian dhe kërkesat e partnerëve tanë strategjikë, përcjellë përmes ambasadave të tyre, duke pranuar rikonfigurimin e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, përsa i përket anëtarëve nga opozita, si dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita. Sapo këto dy kërkesa legjitime të pranohen, opozita rikthehet menjëherë në rolin e saj të natyrshëm dhe të domosdoshëm në një demokraci, si kontrolluese dhe llogarikërkuese e qeverisjes, përmes aksionit parlamentar.
Në rast se pozita, deri sot e papërgjegjshme, nuk e bën këtë, atëhere parlamentarizmi dhe vendi do të zhyten akoma dhe më shumë në kaos dhe mungesë të plotë jete demokratike dhe sundimi të ligjit tek ne.

Botuar në Gazeta Sot dhe Gazeta Telegraf më 24 Nentor 2023

Projektbuxhet 2024: i oligarkëve dhe inceneratorëve, jo i qytetarit!

Projektbuxhet 2024: i oligarkëve dhe inceneratorëve, jo i qytetarit!

Parimet dhe standardet e OECD-së dhe FMN-së mbi mirëqeverisjen financiare dhe formatimin e buxheteve të përgjegjshëm për qytetarin, sugjerojnë që qeveria duhet t’i strukturojë vendimet buxhetore, bazuar në nevojat dhe domosdoshmëritë e tanishme dhe të perspektivës së qytetarëve, për vitet e ardhshme.
Duke e injoruar kryekeput kete formule-aksiome ne qeverisjen publike, sekti Rama në qeverisje ka më shumë se një dekadë që i përgatit buxhetet vjetore, bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e viteve të kaluara, me papërgjegjshmërinë maksimale ndaj interesave të qytetarit.
I. Projektbuxhet pa bosht
Sipas qeverisë, projektbuxheti për vitin 2024 mbështet zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale. Ky është një mashtrim i paskrupullt! Nuk ka asnjë përqëndrim pune dhe bosht të tillë interesash për qytetarin, për pesëmbëdhjetë arësye si më poshtë:

  1. Projektbuxheti miratohet nga sekti Rama, në mungesë të plotë të një strategjie kombëtare të qartë të zhvillimit ekomonik të vendit, modelit ekonomik që po ndjekim dhe përcaktimit zyrtar dhe publik të avantazheve konkuruese të ekonomisë sonë.
  2. Ky sekt i sotëm në qeverisje, vijon të mos përcaktojë dhe të mos sjellë në Kuvend projektligjin për Minimumin Jetik Zyrtar, duke injoruar projektligjet përkatëse të opozitës dhe të shoqërisë civile, që janë depozituar në Parlament, në një kohë kur ka 3 mandate që premton përcaktimin e Minimumit Jetik në programet e tij zgjedhore.
  3. Projekt-Buxheti dhe Paketa Fiskale 2024 nuk përmbajnë asnjë element të një strategjie kombëtare, apo një plani masash të mirëpërcaktuara, për të evituar boshatisjen e mëtejshme të vendit, për të kufizuar ndjeshëm largimin e të rinjve, apo hemorragjinë e ikjes së profesionistëve nga vendi.
  4. Me këtë buxhet 2024, sekti Rama, ndryshe nga ç’hiqet, nuk realizon asnjë skud dhe mbrojtje sociale, edhe pse Shqipëria ka çmimet e shportës së konsumit më të lartat në rajon, me 8.4 përqind rritje vetëm në dhjetë muajt e parë janar-tetor 2023.
  5. Në mospërfillje jo humane ndaj shtresave në nevojë dhe pensionistëve, qeveria sjell një buxhet, pa asnjë paketë për mbështetjen e konsumit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga opozita dhe palët e tjera të interesit dhe shembujt e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, duke mos rishikuar në ulje TVSH-në e produkteve ushqimore bazë.
    Buxheti tregon fytyrën e tij anti-sociale, duke mos rritur pagesën mjerane të 61 mijë familjeve në asistencë sociale, si dhe duke mos shtuar asnjë lek në pagesat e papunësisë dhe të personave me
    aftësi të kufizuar. Ai nuk ka të parashikuar asnjë fond për mbështetjen e familjeve dhe shtresave më të varfëra, nga rritja e mëtejshme e çmimeve ushqimore në vitin 2024.
  6. Sekti Rama jep vetëm 38 milionë euro për pensionistët për vitin e ardhshëm dhe vetëm për indeksimin e pensioneve të tyre, në një kohë kur për vite me rradhe, pas vitit 2013, nuk ka respektuar detyrimin ligjor për indeksimin e pensioneve. Edhe ne rast se qeveria do të ndërmerrte indeksimin e pensioneve që nga data 1 janar 2014, me këtë fond mjeran shtesë të planifikuar, pensionet do të rriteshin vetem 2.4 përqind!
    Pra, shumë më pak edhe se sa inflacioni 3 përqind që vetë sekti ka parashikuar per vitin e ardhshem. Mirëpo, indeksimi i pensioneve nuk do të fillojë më 1 janar 2024, jo!
    Mbi bazën e eksperiencës së indeksimit të pensioneve për vitin e kaluar dhe këtë vit, ai është kryer në tremujorin e fundit të vitit. Ngre pyetjen: si do t’i mbrojë sekti Rama pensionistët nga çmimet e larta të shportës (të parashikuara nga institucionet ndërkombëtare se do të vijojnë gjatë vitit të ardhshëm) për nëndëmujorin janar-shtator 2024, pa kryer as indeksimin e pensioneve gjatë kësaj kohe?
    Fondi për rritjen e pensioneve për vitin 2024 parashikohet 4.1 miliard lekë (rreth 38 milionë euro), ose një rritje vetëm 2.1% e fondit total të sigurimeve shoqërore, nivel që nuk realizon as edhe indeksimin e plotë dhe për të gjithë vitin ndaj rritjes së inflacionit, të premtuar nga ky projektbuxhet!
    Sekti Rama nuk jep asnjë plan konkret veprimi për rritjen e pensioneve në një nivel dinjitoz, i cili minimalisht të mbulojë nevojat bazë jetike të kësaj kategorie, që sot praktikisht përbën një të tretën e popullsisë së Shqipërisë dhe është në shumicën dërrmuese të saj, ndër shtresat më të pambrojtura dhe nevojtare të popullsisë.
  7. Kjo qeveri jep vetëm 2.3 përqind të PBB-së për arsimin publik për vitin 2024, duke harruar dhe duke mos mbajtur premtimin e programit të vet qeverisës në këtë mandat, për financim 5 përqind të PBB-së për arsimin publik, këtë sektor jetik për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe zhvillimin e vendit.
    Financimi për arsimin publik është pothuajse i të njëjtit nivel me vitin 2023, në një kohë kur problemet në arsim janë agravuar së tepërmi dhe duhej të ndodhte e kundërta. Buxheti i Shtetit duhet të kishte një financim të konsiderueshëm, për të mos lejuar që të rinjtë të braktisin shkollat, nje dukuri masive tashme kjo, apo qe mijëra studentë të largohen për të studjuar jashtë vendit.
  8. Me vetëm 2.8 përqind të PBB-së për vitin 2024, shëndetësia publike paraqitet dukshëm e nënfinancuar nga sekti Rama, duke patur parasysh premtimet e programit te vet qeverises në këtë mandat, për financim 5 përqind të PBB-së, dhe kur ndërkohë e kemi domosdoshmëri të realizojmë një rritje të konsiderueshme fondesh, edhe për shkak të pasojave afatgjata të shkaktuara nga pandemia mbi shëndetin e qytetarëve. Në vend që të rritet, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është ulur, nga 3.28% e PBB-së në vitin 2023, në 3.21 % te PBB-së në vitin 2024.
  9. Projektbuxheti për vitin 2024 e subvencionon bujqësinë me fonde krejtësisht të pamjaftueshme, me vetëm 31.7 milionë euro, ndërkohë që, edhe sikur dy herë më shumë të ishin këto fonde, sërisht
    do të renditeshim të fundit në rajon, përsa i përket subvencioneve në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe vital për ekonominë tonë.,
    Është skandaloz financimi i bujqësisë, i cili nga 0.7% e PBB-së bie ne 0.6% e PBB-së. Kjo ndodh në një kohë, kur financimet nga Bashkimi Evropian, nga programet IPARD II dhe IPARD III në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, në nivele disa dhjetra milionë euro, janë pezulluar, për shkak të një hetimi të zyrës së OLAF të Komisionit Evropian, strukturës që heton shpenzimin e parave të taksapaguesve evropianë, lidhur me abuzime dhe korrupsion në projektet e drejtuara nga AZHBR-ja e sektit Rama.
  10. Projektbuxheti 2024 prezanton një Paketë Fiskale që synon të rrisë të ardhurat me 65 milionë euro, përmes ligjit për lojrat e fatit online, pra ligjërimit të vesit të bixhozit, përmes rritjes së akcizave të karburanteve, duhanit, birrës, etj., duke shkaktuar shtim të çmimit fundor të tyre për qytetarët, si dhe përmes taksimit të profesioneve të lira, duke goditur shtresën e mesme, e cila drejton konsumin dhe duke nxitur akoma më shumë largimin e profesionistëve nga vendi.
    Paketa Fiskale 2024 e sektit Rama do të ketë vetëm efekte negative për ekonominë, sepse rrit në vazhdimësi barrën fiskale për biznesin dhe konsumatorët, madje duke e çuar barrën fiskale për profesionet e lira, nga zero që është sot, deri në 23% pas 1 janarit 2024.
  11. Projektbuxheti përforcon mungesën totale të një politike të drejtë fiskale, të përqëndruar mbi detyrimet e kapitalit, dhe jo të punës, sikurse e ka deformuar dhe denatyruar sistemin tonë fiskal sekti Rama, duke mos taksuar si duhet bizneset e mëdha me pozita mbizotëruese në tregje dhe oligarkët. Këta të fundit, me politika, ligje të qepura posaçërisht për ta, përjashtime nga taksat dhe përfitime nga tenderat publike, janë kategoria që gëzon përftimet më të larta dhe absolute nga ky sekt i sotëm në pushtet.
  12. Gjatë vitit 2024, qeveria do të vijojë avazin e vjeter të sektit Rama, duke marrë borxh për të shlyer borxhet e mëparshme, duke dale në treg për eurobondin e shtatë, i cili do të jetë të paktën 48.5 miliardë lekë ose 470 milionë euro.
    Projektbuxheti 2024 nuk merr fare në konsideratë elementët e borxhit të fshehur, si detyrimet e prapambetura, vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar dhe vendimet për Shqipërinë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
    Vetëm detyrimet e arbitrazhit ndërkombëtar, sipas Raportit të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2022, paraqiten në vlerën 174 milionë euro. Buxheti 2024 nuk jep asnje garanci që, në këtë nivel shpenzimesh dhe risqesh të larta fiskale, do të ofrojë qëndrueshmëri në ruajtjen e nivelit të borxhit publik, për të mos diskutuar më tej për ulje të tij, premtim ky i pambajtur nga sekti Rama që nga viti 2013, për ta zbritur nën nivelin 60 perqind të PBB-së.
    Kosto mesatare e pritshme e borxhit publik(pagesa e interesave) për vitin 2024 vlerësohet në rritje në rreth 4.2% e PBB-së, nga 3.65% që parashikohet të jetë në fund të këtij viti. Vetëm për buxhetin e vitit 2024, qeveria ka parashikuar 60.9 miliardë lekë shpenzime për interesa të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, ose 591 milione euro. Praktikisht, i bie që çdo qytetar i këtij vendi të paguajë mbi 200 euro në vitin 2024, vetëm për interesat e borxhit publik të Shqipërisë!
    Borxhi ynë Publik ndodhet në kushtet më të pavaforshme dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar!
    Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2024 do të arrijë një nivel shumë të lartë, në 118.2 miliardë lekë, ose rreth 1,1 miliardë euro. Nga këto, vetëm për të mbuluar koston e interesave të borxhit, shpenzimet do të rriten me 9%, pra nga 60.9 miliarde lekë (afërsisht 590 milionë euro) në vitin 2023, në 66.2 miliard lekë, ose afro 650 milionë euro, në vitin 2024.
    Është kritike efiçienca shumë e ulët e borxhit publik, ku sekti Rama praktikisht merr borxh për të larë borxhe dhe jo borxh për të prodhuar zhvillim. Ndërkohë, kosto e borxhit publik për periudhën 2014-2024 është rritur në mënyrë eksponenciale, në krahasim me periudhën 2003-2013. Kosto e periudhës 2014-2024 është 910 miliardë lekë, ose rreth 8 miliardë euro, në një kohë kur në periudhën 2003-2013, kosto e borxhit publik ka qenë pothuajse gjysma, 462 miliardë lekë ose rreth 4 miliardë euro.
  13. Projektbuxheti 2024 nuk thotë asgjë për betejën e vazhdueshme dhe luftën për uljen e informalitetit në ekonominë dhe shoqërinë tonë. Ky informalitet vlerësohet në mbi 33%, nga raportet e institucioneve nderkombetare. Raportet e FMN-së, Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian e vlerësojnë sektorin informal në Shqipëri nga 30 deri në 35% të PBB-së, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), vlerëson se 56.7 % e totalit të të punësuarve janë informalë.
    Buxheti 2024, pavarësisht nga shifrat absolute gjoja në rritje, në të vërtetë, në raport me prodhimin kombëtar, paraqet të ardhurat publike në ulje! Ato ulen nga 28.1% e PBB-së në vitin 2023, në 27.7% të PBB-së në vitin 2024.
    Pavarsisht përpjekjeve të qeverisë për të konsideruar të sukseseshme reformën fiskale, plani i të ardhurave i Buxhetit 2024, tregon pamundësinë e rritjes së kapacitetit të mbledhjes së tyre, për shkak të informalitetit të përhapur gjerësisht, të diferencimit të taksimit dhe të evazionit të lartë.
    Planifikimi i rritjes së të ardhurave tatimore do të duhej të ishte bërë, i bazuar në mirëadministrimin e taksave dhe taksave, në minimizimin e shpenzimeve të taksave dhe në uljen e evazionit dhe të informalitetit në ekonomi.
    Planifikimi i të ardhurave duhej të shoqërohej me një plan masash për të rritur të ardhurat, si rezultat i (i) uljes së informalitetit në ekonomi), (ii) uljes së informalitetit në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe (iii) uljes së evazionit fiskal.
    Shqipëria ka performancën më të ulët të mbledhjes të të ardhurave publike, krahasuar me vendet e rajonit. Shqipëria mbledh vetëm 28.1% të PBB-së, ndërsa mesatarja e rajonit është 38.1% e PBB-së dhe mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 44 përqind e PBB-së. Për vitin 2024, ekspertët e institucioneve ndërkombëtare parashikojnë se kjo performancë tepër e ulët të Shqipërisë në mbledhjen e të ardhurave do të përkeqësohet akoma dhe më shumë, përkundrejt mesatares së rajonit.
  14. Projektbuxheti 2024 ul investimet kapitale në ekonomi, në një kohë që vendi ka shumë nevojë për to. Një rënie të konsiderueshme e tregon buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Buxheti i vitit 2024 për këtë ministri është ulur nga 61.9 miliardë lekë (rreth 580 milionë euro) në vitin 2023, në 52.8 miliard lekë, ose rreth 500 milionë euro, në vitin 2024. Ose nga 2.7 % e PBB-
    së në vitin 2023, në 2.2% të PBB-së në vitin 2024. Në këtë mënyrë, zëri Investimet Publike, përfshirë Fondin e Rindërtimit, ulet me 76 milionë euro.
    Në nivel të investimeve publike kapitale, buxheti 2024 paraqet një risk të lartë, që nisja e projekteve të reja të pezullojë fondet për projektet në vijim, për mungesë fondesh, duke krijuar në këtë mënyrë detyrime të prapambetura.
  15. Buxheti 2024 nuk jep asgjë më shumë se vetëm 1 përqind të PBB-së, aq sa është detyrimi minimal ligjor, në formën e transfertave për pushtetin vendor. Në fondet e buxhetit qendror për të 61 bashkitë për vitin 2024, parashikohet të shpenzohen rreth 71 miliardë lekë për rrugë, ujësjellës, menaxhim mbetjesh, etj, ku gati gjysma e këtyre shpenzimeve do të jenë nga Buxheti i Shtetit, në formën e transfertave të pakushtëzuara, në vlerën totale të 36.5 miliardë lekëve.
    Buxheti 2024 nuk ofron asnjë analizë, mbi bazën e së cilës të jetë parashikuar mbulimi i rritjes së shpenzimeve buxhetore, kur, nëse i referohemi të dhënave të vitit 2022 dhe të dhënave të deritanishme, buxheti i pushtetit vendor është përkeqësuar ndjeshëm, të ardhurat kanë pësuar rënie dhe shpenzimet janë rritur.
    Buxheti i qeverise nuk ka identifikuar sektorët më në nevojë dhe nuk ka aktualisht një qasje strategjike dhe transparencë mbi performancën e pushtetit vendor. Ai nuk paraqet asnjë studim mbi nevojat reale që kanë sot të gjitha bashkitë, sidomos bashkitë e vogla, kryesisht ato rurale dhe me potenciale të ulëta të të ardhurave të tyre.
  16. Projektbuxheti 2024 ul pagesat për ish-pronarët dhe do të japë për ish-të përndjekurit politikë vetëm 11 milionë euro, vlerë kjo qesharake, për detyrimin që mbarë shoqëria jonë ka ndaj ish-të përndjekurve politikë. Me këtë ritëm, do të duheshin 30 vjet që të arrijmë të ezaurojmë faturën e plotë financiare ndaj shtresës më të goditur dhe më të përvuajtur të shoqërisë sonë!
    Konkluzion i Pikës I: Projekt-Buxheti 2024 nuk i përgjigjet nevojave aktuale të qytetarëve shqiptarë, nuk krijon siguri, mirëqenie sociale dhe nuk mbështet fokusin e gjoja boshtin zhvillimor, mbi të cilin po paraqitet dhe trumbetohet nëpër takime në rrethe nga Rama dhe pasuesit e tij.
    II. Projektbuxhet PPP-sh dhe inceneratorësh!
    Të gjithë sektorët që janë sektorët më të rëndësishëm për nivelin ekonomiko-social të vendit, buxheti 2024 parashikohet në ulje. Pra, e vërteta është se sekti Rama nuk shton fondet për arsimin, për të mbështetur bujqësinë shqiptare, apo për të rritur investimet në infrastrukturë, por financon me paratë e taksapaguesve koncesionet korruptive, thellon borxhin publik dhe shton punësimin e patronazhistëve, duke fryrë administratën shtetërore.
    Rama vërtet është i fiksuar pas inceneratorëve! Nuk kuptohet arsyeja përse në buxhetin për vitin 2024, janë parashikuar 1.2 miliardë lekë pagesa për inceneratorin e Tiranës, një incenerator ky i
    sekuestruar tashmë nga SPAK, përveç lidhjeve të pazgjidhshme të sektit Rama me elementët e inkriminuar dhe në ndjekje nga drejtësia.
    Shpenzimet për financimin e koncesioneve PPP me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit nga viti 2018-2024 kanë qenë 800 milionë euro dhe edhe për vitin 2024 do të vazhdojnë në rritje. Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten me 9.2%, nga 13.08 miliard lekë në vitin 2023 (rreth 124 milionë euro), në 14.29 miliard lekë (rreth 136 milionë euro) në vitin 2024.
    Cilat janë arsyet e kësaj rritjeje, në një kohë kur ky shtim përbën një risk të lartë fiskal për buxhetin dhe një borxh të fshehur për vitet në vijim? A ka lidhje kjo rritje me mungesën e publikimit të “Raportit të Performancës së Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik-Privat për vitin 2022”, raport që duhet të ishte publikuar me Raportin e konsoliduar të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2022?
    Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe në tërësi i gjithë sekti Rama, mbajnë përgjegjësi për këtë mungesë transparence dhe për mospërmbushjen e detyrimeve të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar.
    xxx
    Sekti Rama në qeverisje nuk i jep përgjigje asnjë prej çështjeve dhe pyetjeve të përmbajtura në pikat më sipër, që mund të ndihmonin të formatohej një buxhet social, për qytetarin dhe sfidat e zhvillimit të vendit për vitet që vijnë. Ky sekt shikon thjesht dhe vetëm t’u shërbejë oligarkëve, të korruptuarve të vet dhe të grabisë qytetarët, duke i zhytur ata akoma më shumë në mjerim, dëshpërim dhe mungesë perspektive.
Progres Raporti i BE-së bën fajtor Ramën për mosfunksionimin normal të Parlamentit

Progres Raporti i BE-së bën fajtor Ramën për mosfunksionimin normal të Parlamentit

Dje, Komisioni Evropian publikoi Progres Raportin e tij për Shqipërinë, për vitin 2023. Progres Raporti kritikon ashpër kryeministrin, për qëndrimin e tij ndaj kërkesave të opozitës, për të marrë pjesë në interpelancat e thirrura prej saj. Në faqen 9, Raporti cilëson se “Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji”. (Faqe 9 e Progres Raportit, paragrafi i katërt) https://neighbourhood enlargement.ec.europa.eu/system/files/2023-11/SWD_2023_690%20Albania%20report.pdf. Bashkimi Evropian e thellon më shumë kritikën dhe analizën e tij në Kapitullin “Themelet e procesit të integrimit”, Pika 2.1 “Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike”. Në faqën 9, paragrafi i fundit, Progres Raporti cilëson se “Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”. Në këtë cilësim të Komisionit Evropian, qëndron i gjithë morali dhe kuintesenca e aksionit të sotëm opozitar në Kuvend. Sekti Rama në qeverisje, duke manipuluar dhe praktikisht patronizuar drejtuesit e Kuvendit, ka minuar tërësisht dhe gati zëruar rolin dhe kontributin e opozitës, përmes mjetit të saj parlamentar më të fuqishëm për të mbajtur qeverisjen të përgjegjshme, që është komisioni hetimor i Kuvendit. Progres Raporti i Bashkimit Evropian përmend dy komisione parlamentarë të kërkuara nga Partia Demokratike, por në fakt janë tetë të tillë. Opozita është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë dhe ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi deputetët e Rithemelimit dhe grupi parlamentar i drejtuar nga kryetari Gazmend Bardhi, përbëjnë shumicën dërrmuese të deputetëve të opozitës. Po në Progres Raport, në fragmentin e katërt të faqes 9 të Raportit, Bashkimi Evropian jep edhe zgjidhjen reale të ngërçit të sotëm parlamentar në Shqipëri, duke rekomanduar që “Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit, për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës”. Opozita e drejtuar nga deputetët e Rithemelimit ka qenë gjithnjë për gjuhën e dialogut politik konstruktiv. Është shumica parlamentare dhe drejtuesit e Kuvendit, të komplekësuar nga Rama, që kanë injoruar dhe refuzuar në vijimësi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, të bazuara në Kushtetutë. Nëse kjo shumicë zgjedh të zbatojë rekomandimin e Bashkimit Evropian dhe të pranojë ngritjen e komisioneve parlamentare, opozita rikthehet menjëherë në rolin e saj të natyrshëm dhe të domosdoshëm në një demokraci, si kontrolluese dhe llogarikërkuese e qeverisjes, përmes aksionit parlamentar. Nëse shumica në Kuvend zgjedh statukuonë dhe të vijojë t’i bindet verbërisht sektit Rama, ajo nuk bën gjë tjetër, veçse i jep të ashtuquajturit “Lider Global” një fron si mbreti i pashpallur i Shqipërisë, duke i shërbyer verbërisht dhe duke u barrikaduar ne vazhdën e veprimeve të shëmtuara policore të ditëve të fundit, për t’u mohuar deputetëve të opozitës edhe të drejtën që të hyjnë fizikisht në mjediset e Kuvendit. Kjo vazhdë po formaton dhe vulos nga ora në orë në Shqipëri, republikën kryeministrore të Ramës së Parë.

Botuar në Gazeta më 9 Nëntor 2023

Marrëveshja e Ramës për klandestinët është vetë klandestine në Shqipëri

Marrëveshja e Ramës për klandestinët është vetë klandestine në Shqipëri

Edi Rama, kryetari i sektit në qeverisje në Shqipëri, në vizitën e tij në Romë nënshkroi me Kryeministrjen e Italisë Giorgia Meloni, marrëveshjen për krijimin në Shqipëri, përkatësisht në Shëngjin dhe në Gjadër, të dy qendrave pritjeje të refugjatëve që kapen në Itali dhe janë në pritje të miratimit ose jo të statusit si azilant.
Marrëveshja ka ngritur një frymë kundërshtimi, shqetësimi dhe pakënaqësie në Evropë dhe në të gjithë botën. Po përse?
Së pari, kjo marrëveshje është në kundërshtim flagrant me frymën dhe rregullat e Direktivës Nr. 2013/32/BE të Parlamentit dhe Këshillit Evropian të datës 26 qershor 2013 “Mbi procedurat e përbashkëta për dhënien ose refuzimin e statusit të refugjatit” (https://eur-lex.europa.eu/eli/dir/2013/32/oj).
Kjo Direktivë flet qartë. Vendi anëtar i Bashkimit Evropian, i cili pret në tokën e tij një të ardhur në mënyrë klandestine nga një vend jo-anëtar i Bashkimit Evropian, i kryen procedurat e dhënies ose refuzimit të statusit të azilantit brenda territorit të vet.
Pikërisht në frymën e kësaj Direktive, Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, u tha gazetarëve në Bruksel se “Nëse keni një anije brenda territorit, atëherë keni rekomandimin e procedurës së azilit te Direktives se Parlamentit Evropian, i cili zbatohet”.
Kjo nënkupton se kushdo që kapet në ujërat që i përkasin një vendi anëtar të BE-së, gëzon të drejtën të kërkojë azil atje, dhe jo të transferohet në një vend të tretë.
Sipas gazetës amerikane “Kohët e Los Anxhelosit” (https://www.latimes.com/world-nation/story/2023-11-07/migration-experts-say-italys-deal-to-have-albania-house-asylum-seekers-follows-worrying-trend), Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, sugjeroi se marrëveshja mund të rezultojë problematike, nëse Italia dërgon emigrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së, në një vend jo anëtar të BE-së.
Së dyti, Drejtoresha e Asociuar e Institutit të Politikave të Migracionit në Evropë, Camille Le Coz, cilësoi se “Marrëveshja Meloni-Rama është pjesë e një tendence më të gjerë drejt eksternalizimit të politikës ndaj emigrantëve”. Ajo vuri në dukje se Danimarka dhe Britania e Madhe, vende të cilat u përpoqën të zhvendosnin azilkërkuesit ne territoret e tyre në Ruandë, përpara se të ndërhynte një gjykatë apeli, deri më tani nuk kanë arritur të zbatojnë masa të ngjashme. “Eshtë një politikë që e shoh paksa teatrale, por që në praktikë nuk e shoh se si do të zbatohet”, theksoi Le Coz.
Ligjvënësit danezë dy vjet më parë, votuan në favor të krijimit të një qendre të pritjes së refugjatëve në Ruanda në Afrikë. Por ideja u kritikua si minuese e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe që atëherë është lënë në pritje. Britania e Madhe bëri një marrëveshje të ngjashme me Ruandën, e cila është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.
Së treti, ekspertët ndërkombëtarë të emigracionit shohin shumë çështje problematike ligjore dhe juridiksionale me propozimin e Italisë dhe marrëveshjen e nënshkruar në Romë. Për shembull, emigrantët e shpëtuar në det nga një anije italiane, gjenden teknikisht në territorin italian. Nëse ata njerëz zbarkojnë më pas në Shqipëri, ky akt bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me të drejtën europiane.
Marrëveshja, siç është përshkruar deri më tani, nuk trajton gjithashtu se si Shqipëria do të arrije të dërgoje emigrantët në vendet e tyre të origjinës, pas refuzimit të dhënies së statusit të refugjatit, kur ndërkohë vetë Italia e ka shumë të vështirë ta bëjë këtë.
Së katërti, në një deklaratë të ashpër në CNN, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit(IRC) u shpreh se marrëveshja “i jep një goditje të mëtejshme parimit të solidaritetit të BE-së”. Ekspertë të njohur të jurisdiksionit ndërkombëtar dhe migracionit shprehen se marrëveshja Meloni-Rama i bën jehonë marrëveshjes së diskutueshme të Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruanda, e cila ka qenë e zhytur në sfida ligjore që nga fillimi i saj. Sipas tyre, një pikepyetje e madhe lind mbi zbatimin e juridiksionit italian në Shqipëri, pasi mbetet e paqartë se si njerëzit mund të kenë akses në azil dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore, në një territor jashtë BE-së.
xxx
Për shumë ekspertë të ligjit ndërkombëtar dhe të Acquis Communautaire, marrëveshja Rama-Meloni përfaqëson një pakt monstruoz, i cili i shkel të gjitha ligjet ndërkombëtare për emigracionin, si dhe ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Ajo sfidon strukturat ligjore ekzistente dhe shpërfill kriteret me të cilat do të bëhet përzgjedhja e refugjatëve në anije. Nuk i përgjigjet pyetjes themelore se cila strukture do të sigurojë respektimin e të drejtave themelore të njeriut për refugjatët që do të trajtohen në anijet ushtarake italiane dhe që do t’i sjellin në Shqipëri? Marrëveshja nuk zgjidh se cili autoritet do të bëhet gjykatësi, në çdo rast, se si do të ndahen dhe trajtohen refugjatët nga vende të ndryshme.
Rama, i ashtuquajturi “Lider Global”, u shpreh në Romë se “Unë dhe Shqipëria po e nënshkruajmë këtë marrëveshje”. Jo more zotëri kryetar sekti! Ti nuk je Shqipëria!
Kjo marrëveshje për klandestinët është vetë klandestine këtu në Shqipëri! Ajo nuk është diskutuar as në Kuvend, as edhe madje në qeveri. Nuk është marrë opinioni i Komisionit Parlamentare të Sigurisë. Nuk është pyetur Këshilli i Sigurimit Kombëtar, i drejtuar nga Presidenti i Shqipërisë. Prandaj dhe kjo marrëveshje për qytetarët shqiptare është realisht një nulitet!

Botuar në Gazeta Sot më 8 Nëntor 2023