Reforma Zgjedhore, jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri

Reforma Zgjedhore, jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri

Raporti i OSBE\ODHIR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 ofroi 27 rekomandime për përafrimin e zgjedhjeve tek ne, në përputhje me standardet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. OSBE\ODHIR denoncoi rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor gjate zgjedhjeve të majit 2023, si dhe dyshimet për presion nga partia në pushtet mbi punonjës të sektorit publik. Të dyja strukturat ndërkombëtare monitoruese të zgjedhjeve tona, pohuan se rastet për blerje votash vazhdonin të ishin shqetësuese, duke kërkuar një hetim të pavarur për të gjitha pretendimet e opozitës për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve nga strukturat e pushtetit në qendër dhe në bazë, si dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore (Raporti OSBE, viti 2023). Kryefjala e zhvillimeve të sotme politike në vend duhet të jetë reforma zgjedhore. Kjo reformë është detyra kryesore dhe njëkohësisht përgjegjësia kryesore e historike e opozitës së bashkuar. Opozita e bashkuar ka detyrim sot ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë të kërkojë me forc1. Lejimin e koalicioneve parazgjedhore, si një mundësi që votat e qytetarëve dhe votat që jepen për partitë e vogla të mos shkojnë dëm, si dhe si kusht “sine qua non” për zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025;

2. Listat e hapura, të cilat PD duhet t’i kërkojë po ashtu me forcë;

3. Votimin e emigrantëve, i cili po rrezikon si proces të varroset edhe njëherë, nga hipokrizia, indiferenca dhe mosveprimi i sektit Rama në pushtet;

4. PD të mos lejojë në asnjë mënyrë depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Opozita duhet të këmbëngulë fort në çdo lloj komisioni apo nënkomision parlamentar për realizimin e katër kërkesave të mësipërme, duke qenë konsistente në kërkesat e saj dhe duke ia djegur Ramës çdo tentativë për të bërë sërish lojën e prishjes së marrëveshjeve, sikurse ndodhi me atë të 17 majit 2020, me deputetët e korporatave. Në lidhje me kërkesën e katërt, të gjithë qytetarët po e shohin se sa thellë në këta 11 vjet janë futur në kapilarët e pushtetit dhe të makinës administrative qendrore dhe vendore patronazhistët e Ramës. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore tani do të thotë kapitullim përballë armatës së trajnuar mirë dhe të gjithëndodhur të patronazhistëve. Fatet e zgjedhjeve të vitit 2025 nuk mund të lihen kurrsesi në duart e tyre. Po mbushet një vit nga raporti i OSBE/ODHIR dhe nuk ka lëvizur asgjë! Jo vetëm të 27 rekomandimet nuk janë shqyrtuar nga Komisioni Bipartizan, por as adresimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve dhe herësin nuk ka njohur trajtim politik. Tani, në mesin e marsit 2024, kur na ndan vetëm një vit e pak nga zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025, jemi kthyer shumë pas. Kjo është e papranueshme, skandaloze dhe përgjegjësinë e vetme dhe të plotë e ka sekti Rama në pushtet, me indiferencën dhe sabotimin e tij ndaj propozimeve dhe rrugëdaljeve që jep opozita. Ishte Rama ai që prishi marrëveshjen zgjedhore të 17 majit 2020, e cila konfirmonte koalicionet parazgjedhore dhe garantonte një garë të drejtë. Ishte Rama që deformoi plotësisht garën zgjedhore. Reforma Zgjedhore vazhdon të mbetet peng e marrëveshjes së vitit 2008 dhe opozita e bashkuar, me të gjithë peshën dhe kurajon e saj, duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje, e cila deformoi sistemin demokratik të votës, vulosi kryetarokracinë dhe e bëri kryeministrin mbret! Ajo solli pasoja shumë të rënda dhe të hidhura për demokracinë dhe themelet e shtetit shqiptar. Është koha për veprim nga ana e opozitës së bashkuar, sot më shumë së kurrë!

Botuar në Gazeta Sot më 18.03.2024

Devijimi i ujit të lumit të Vlorës, katastrofë sociale dhe ekologjike

Devijimi i ujit të lumit të Vlorës, katastrofë sociale dhe ekologjike

Projekti i ujësjellësit të ri për Bashkinë Himarës, duke devijuar ujin e lumit të Shushicës (lumit të Vlorës), konsiderohet nga të gjithë ekspertët e mjedisit dhe nga banorët e luginës së lumit të Vlorës, si kërcënim për ekosistemin dhe shkatërrim të mundësive për zhvillim ekonomik të zonës. Projekti i ujësjellësit të ri parashikon devijimin e ujit nga Lëpusha, burimi kryesor i Shushicës, drejt resorteve turistike të oligarkëve të Ramës në Himarë dhe Dhërmi, që, përmes ligjit famëkeq të Investimeve Strategjike, kanë përfituar tokë në bregdet me VKM-të e Ramës, duke shpronësuar banorët e Jugut të Shqipërisë. Uji është pasuria më e madhe që dhjetra fshatrat e luginës së lumit të Vlorës kanë. Deri tani, uji i Shushicës ose ndryshe i lumit të Vlorës, me vështirësi ka plotësuar kërkesat e komunitetit të kësaj lugine. Ai nuk mund kurrsesi të devijohet! Për të dërguar ujë tek oligarkët e vet në Himarë dhe Dhërmi, Rama është gati të shkatërrojë mundësitë ekonomike dhe ekosistemin e një zone tejet të populluar, sikurse janë dhjetra 30 fshatrat e bashkisë Himarë dhe të bashkisë Selenicë në luginën e lumit të Vlorës! Për këtë akt të pashembullt, kam bërë denoncim pranë Kuvendit. Më datën 21 shtator 2023, përcolla kërkesën e drejtë te banorëve të fshatrave Kuç, Kallarat, Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm, Mesaplik, Gumenicë, Kotë, Drashovicë, Mavrovë, Lapardha, Vodicë, Peshkëpi, Xhuherinë, Armen, Llakatund e Lubonjë, për anullimin e punimeve për marrjen e ujit në buronjat e Kuçit, për qëllime komunale në Bashkinë Himarë. Kjo kërkesë iu drejtua Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Kryetarit të Bashkisë Himarë, Prefektit të Qarkut Vlorë, Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit të Kuvendit, Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministrit të Mjedisit, Kryeminstrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës. Ujësjellësi i ri i Himarës po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si pjesë e Programit të Rehabilitimit të Ujësjellësavë Ruralë IV. Projektet e devijimit të lumit të Vlorës, nuk janë histori e re. Ato janë diskutuar disa herë gjatë 5 dekadave të fundit, por një ndërhyrje e tillë nuk është guxuar kurrë të realizohej deri tani, për shkak të katastrofës sociale dhe mjedisore që ajo shkakton. Ekspertët dhe shkencëtarët që merren prej vitesh me studimin e ekosistemit dhe specieve që jetojnë në ujërat e Vjosës dhe në degët e saj, kanë deklaruar se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të projektit të ndërtimit të Ujësjellësit të ri të Himarës është i gabuar dhe i pabazuar në prova shkencore. Profesor Friedrich Schiemer, një kërkues shkencor i njohur nga Universiteti i Vjenës në Austri, e cilësoi raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si “të gabuar dhe çorientues”. Ky raport, i realizuar në vitin 2020, ka shërbyer për lëshimin e lejes mjedisore për projektin, nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Raporti citon se në ujërat e Lumit të Vlorës nuk ka specie të rralla të rrezikuara që janë regjistruar, ndërkohë kur shkencëtarët dhe studjuesit vendas dhe të huaj, që merren prej vitesh me studimin e ujërave të Shushicës, raportojnë se, në fakt, ka qindra specie të rrezikuara në burim dhe në lumin e poshtëm të Vlorës. Raporti gabon, kur cilëson se projekti nuk ka ndërhyrje me ndonjë zonë të mbrojtur kombëtare. Ekspertët vendas dhe të huaj konfirmojnë të kundërtën. Zona e luginës së lumit të Vlorë, duke qenë Shushica një nga dy degët e lumit të Vjosës, është pjesë integrale e Parkut Kombëtar të Vjosës. Devijimi i ujit do të sillte katastrofë për komunitetin e 30 fshatrave. Banorët e këtij komuniteti nuk janë ftuar dhe nuk janë pyetur në asnjë prej takimeve konsultative, për zbatimin e projektit të Ujësjëllesit të ri të Himarës. Rama nuk pyet per konsultime me banorët e zonave që do të thajë për ujë, kur vjen puna t’u shërbejë oligarkëve të vet. Banorët e fshatrave të lumit të Vlorës, së bashku organizatat mjedisore, kanë organizuar deri tani gjashtë protesta në mbrojtje të kauzës së tyre. Protestat kundër kësaj katastrofe sociale dhe ekologjike, duhet të vazhdojnë dhe të jenë akoma dhe më të fuqishme, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e rrezikuar ekonomike dhe të ekosistemit të 30 fshatrave të luginës së lumit të Vlorës dhe mijëra banorëve të zonës.

Botuar në Gazeta Sot më 12.03.2024

Sekti Rama ndërsen oligarkët në zonat e mbrojtura natyrore dhe arkeologjike të vendit

Sekti Rama ndërsen oligarkët në zonat e mbrojtura natyrore dhe arkeologjike të vendit

Të enjten më 22 shkurt, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për kapriçot dhe dëshirat-ligje të Sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”. Në të kundërt, brenda javës së kaluar, sekti Rama, urdhëroi noterin e vet të rëndomtë, Kuvendin, të miratojë me shpejtësi në komisionet e veta dhe pastaj, në seancë plenare projektligjin më 22 shkurt. Në fillim, për të fshehur kokën dhe dorën e vet, sekti e paraqiti si projektligj, gjoja të propozuar nga dymbëdhjetë deputetë të shumicës, por, kur erdhën reagimet dhe sugjerimet e para bllokuese të nismës ligjore nga shoqatat mjedisore, e flaku tej maskën si nismë deputetësh, dhe me një ndryshim në projektligj, në formë “dhënie mendimi” nga Ministria e Mjedisit, i shkeli dhunshëm në Kuvend të treja këto kërkesa themelore të Bashkimit Evropian, për proceset ligjore që kanë të bëjnë me çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së. Rama dhe deputetët e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, praktikisht u tallën me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, me synimin që interesat e Shqipërisë dhe të BE-së për mjedisin në Shqipëri të mbroheshin, zhvilloi më 2 shkurt 2024 një vizitë në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, ku pas takimit me kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit, u shpreh se “U kërkova atyre të garantojnë që çdo ndryshim në kuadrin ligjor ekzistues për zonat e mbrojtura t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët”. Në fakt, ndryshimet përfundimtare në ligjin e mëparshëm të vitit 2017 u bënë në një mbledhje online të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, me votat vetëm të shumicës, pa debat dhe dëgjesa të organizatave mjedisore. Këto organizata nuk u lejuan të ishin të pranishme, edhe kur projektligji u miratua në Komisionin për Çështjet e Integrimit, në një kohë kur organizatat mjedisore kishin treguar në detaje shkeljet dhe kundërshtitë që kishin ndryshimet e propozuara në ligj, me direktivat e Komisionit Evropian në fushën e mjedisit! Ndryshimet në ligjin e 2017-ës përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre. Projektligji gjoja u erdhi ndër mend të dymbëdhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, nga një letër e disa kryebashkiakëve të Partisë Socialiste, që i paskan kërkuar Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e zonave të mbrojtura në territoret e bashkive të tyre. Në të vërtetë, sektit Rama në qeverisje dhe vetë Ramës ia kërkuan me ngulm oligarkët e vet, që të kishin duart e lira në ndërhyrjen dhe investimet në zonat e mbrojtura. Dhe Rama, duke nuhatur fitim të majmë, vuri në lëvizje në kohë rekord noterin e vet të rëndomtë, shumicën në Kuvend. Oligarkët e Ramës nuk janë nginjur akoma me të gjitha tokat e grabitura në jug dhe në bregdet, por tani i kërkuan dhe ia arritën të grabisin edhe zonat e mbrojtura me ligj. Madje, edhe pa miratuar këtë ligj, janë me dhjetra vilat e ngritura në mënyrë të paligjshme nga këta oligarkë, në zonën e mbrojtur arkeologjike të Butrintit, duke dëmtuar një mur të vjetër 1,700 vjeçar! Tani, deputetet e Ramës po i quajnë këto grabitje “vila dhe ndërtime ekologjike”. Në të vërtetë, sekti Rama, me këtë ligj të miratuar më 23 shkurt, po ligjëron krimin ekologjik mbi zonat e mbrojtura natyrore dhe arkeologjike të Shqipërisë.

Botuar në Gazeta Sot më 26.02.2024

25 arsyet pse qytetarët protestuan masivisht sot

25 arsyet pse qytetarët protestuan masivisht sot

Sot më 20 shkurt, në 33 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, qytetarët erdhën masivisht të gjitha anët e Shqipërisë, për të protestuar kundër abuzimeve dhe ligësive të panumurta të sektit Rama në pushtet. Në qendër të zhgënjimit total të tyre, ndaj premtimeve të këtij pushteti mashtrues, qëndrojnë dhjetra të këqija të mëdha që kanë shkretuar vendin dhe vrarë shpresën e shqiptarëve, si më poshtë:

1. Braktisja e frikshme e vendit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar themelor i boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për asnjë cens që organizohet në botë.

2. Shbërja e plotë e portit 2,700 vjeçar të Durrësit. Zerimi dhe zhvendosja e portit kryesor tregtar të vendit në Porto Romano, përmes një manovre shumë të vështirë teknike, pasi në Porto Romano ka cektësirë, për të pastruar paratë e korrupsionit dhe të oligarkëve të sektit Rama, përmes gjoja një investimi të një porti jahtesh dhe vilash, të një miliarderi arab.

3. Aventura me ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Braktisja e gjetjes së një investuesi të huaj strategjik për portin, gjoja se kreditë e buta të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe të donatorëve ndërkombëtarë kërkojnë kohë të livrohen dhe zgjedhja krejt e papërgjegjshme, për të përballuar koston mbi 2 miliardë euro të ndërtimit të portit të ri nga paratë e takspaguesve shqiptarë.

4. Rikthimi i lojrave të fatit, kësaj plage sociale dhe ekonomike, në formatin online. Pa pyetur fare për rrezikun e përhapjes masive të vesit të lojrave të fatit online në gjirin e të rinjve dhe madje edhe adoleshentëve, sekti Rama në pushtet miratoi ditët e fundit Ligjin për Lojrat e Fatit Online. Ky sekt qëndron tërësisht i verbuar nga makutëria për të bërë para, duke pastruar paratë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përmes një veprimtarie që pjell orë e çast varësi, varfërim dhe drama familjare.

5. Kanabizimi masiv i vendit. Sipas Raportit për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ” Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.

6. PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit.

7. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik .

8. Dorëzimi i interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

9. Dorëzimi i detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare.

10. Dyfishimi i borxhit publik. Në dhjetë vjet 2013-2023, borxhi publik i Shqipërisë(ai zyrtari dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP dhe detyrimeve të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 7 miliardë euro në mbi 14 miliardë euro!

11. Shpërdorimet galopante në investimet publike. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit!

12. Politika e fasadave. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik me qindra miliona euro në vit.

13. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.

14. Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnje nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar.

15. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal

në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global.

16. Goditja ndaj mediave. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore d he doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojn këto media.

17. Inkurajimi i grupeve kriminale dhe pastaj “të hanë kokat”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë dhjetë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR dhe e dëshmuar edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.18.

18. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i (sh)përdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti në pushtet

19. Shkatërrimi i bujqësisë. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 ishte më i ulët se ai i vitit 2023, në një kohë kur shpërdorimi i fondeve të IPARD II ka shtyrë Zyrën e Hetimit OLAF të Komisionit Evropian të bllokojë fondet e Programeve IPARD II dhe IPARD III të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

20. Mungesë e thekshme e mbrojtjes së shtresave të varfëra. Megjithë 900 milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitet 2022-2023, qeveria e sektit Rama vetëm rimbursoi pensionet në këto dy vite, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për 790 mijë pensionistë!

21. Mungese e mbrojtjes së biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në dy vitet e fundit eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 17 përqind, në krahasim me lekun në tregun vendas. Qeveria e sektit Rama vetëm u premton paketa ndihme e mbështetje eksportuesve, sidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

22. Propogandë arrogande dhe manipuluese gebelsiane. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra emisione, shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit Rama.

23. Grabitja e Butrintit përmes dhënies me koncesion. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.

24. Gllabërimi i Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimi i sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

25. Tentativa për të grabitur Shkollën Tregtare të Vlorës – shkolla simbol e Vlorës, që këtë vit feston 100 vjetorin e krijmit të saj ashtu siç vepruan edhe me dhënien e Portit të Vlorës për të ndërtuar pallate. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të kësaj porte kryesore ujore të vendit.

Me dhjetëra mijëra qytetarë mbushën sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër të këqijave të mësipërme dhe kundër dhjetra e qindra ligësive të tjera, që Rama, sekti dhe oligarkët e tij kanë mbi dhjetë vjet që ua imponojnë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

Botuar në Gazeta Sot më 20.02.2024

Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike
Projektligji i Partisë Demokratike ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, për mundësimin e votimit të emigrantëve me karta identiteti shqiptare të skaduara, si dhe me pasaportë ose letërnjoftim apo kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër, si dispozitë kalimtare, është ligjor dhe efektiv.

Ai synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.

I. Karta e skaduar e identitetit nuk duhet të shbëjë të drejtën për votim!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin, sipas të cilit, e drejta e votës i njihet çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njerin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, veçse kur ai heq dorë prej saj.”.

Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskriminimin. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën universale të votës.

Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tij në një formë të besueshme, ai/ajo ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qenë në listën e zgjedhësve, sa kohë që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës, dhe jo për ta zhbërë atë!

Nga ana tjetër, nëse analizojmë me kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me karta identiteti të skaduara.

Por nga viti 2023 e deri tani, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Raporti paraprak i NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, raport i cili mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024, evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me karta identiteti të skaduara, e dhënë kjo e konfirmar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, por sidomos ata jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit, për të rinovuar dokumentat e identifikimit. Rrjedhimisht, e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje të votojë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.

II. Dokumenti biometrik i vendit ku votojnë duhet të mundësojë votimin e emigrantëve!

Gjithashtu, numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/elektronik (pasaportë apo kartë identiteti/letërnjoftim), sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me to, duke nisur nga janari i vitit 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës, është i lartë.

Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë.

Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë, me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror, duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike.

Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që amendamenti i partisë Demokratike ndryshon, është miratuar në vitin 2008. Si e tillë, ajo nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (pozicion ligjor i njohur botërisht me termin “Out of country voting-në shqip, votimi jashtë vendit”).

Si e tillë, kjo dispozitë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Ajo përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.

Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, sikurse mundëson amendamenti i propozuar nga PD, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje të ulët në votime, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve, të cilëve, (i) u ka skaduar leternjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në emigracion, që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letënjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.

Me miratimin e këtij Projekligji të Partisë Demokratike dhe përfshirjen e dispozitës së tij në Kodin Zgjedhor, si dispozitë tranzitore, nuk do të ketë me pasiguri juridike lidhur me eventualitetin, nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për efekt të zgjedhjeve.

Kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6 mijë zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.

Duke kryer rregullimet ligjore drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohet jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që ata posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershrne të rregullave përkatëse.

Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007, me kerkesë të opozitës, në atë kohë të Partisë Socialiste, pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës, në mungesë të dokumentave të identifikimit të Republikës së Shqipërisë, situatë kjo sot e vlefshme për qindra mijëra zgjedhës.

Botuar në Gazeta Sot më 14.02.2025

INSTAT dhe Censi 2023 nën thundrën e sektit Rama

INSTAT dhe Censi 2023 nën thundrën e sektit Rama

  • Institucioni ka nisur të humbasë keq emrin e tij të mirë!
    Instituti Kombëtar i Statistikave(INSTAT) është një hallkë themelore dhe e pazëvendësueshme e sistemit tonë kombëtar të statistikave, të përbëre nga vetë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
    Vlerësoj kontributin e INSTAT ndër vite. Ky institucion ka njohur zhvillim të konsiderueshëm profesional dhe ka provuar të luajë një rol në rritje në vendim-marrjen ekonomikë të vendit, si në sektorin publik dhe atë privat, përmes produkteve periodike dhe serive të tij statistikore. INSTAT ka bërë përpjekje të gjenerojë informacion objektiv dhe të plotë sa të jetë e mundur më shumë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
    Institucioni ka punuar për hapjen dhe pastaj mbylljen sa më shpejt, të bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
    Një nga detyrat themelore të INSTAT është numërimi i popullsisë aktuale, i quajtur teknikisht Censi, për të mirëorientuar politikat e përfaqësimit në politikëbërje në Kuvend, ato të mbështetjes sociale dhe të nxitjes së punësimit, të ndalimit të hemorragjisë së largimit nga vendi, etj..
    Më 18 shtator 2023, më në fund, pas tre vitesh vonesë, INSTAT nisi censin e popullsisë dhe banesave. Në 6 javë, deri në fund të tetorit 2023, 16.5 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë u përdorën për të realizuar dhjetra mijëra intervista në shtëpitë e qytetarëve në mbarë vendin.
    Përgjigjet u morën nga 7 mijë e 500 intervistues të angazhuar nga INSTAT, të pajisur me tabletat dhe programin kompjuterik të duhur, për të rregjistruar në mënyrë elektronike të gjitha përgjigjet. Pyetësori me 100 pyetje synoi të ofronte të dhëna sa më të plota për popullsinë rezidente, për karakteristikat kryesore demografike dhe sociale, si dhe për strehimin, shëndetësinë, punësimin etj.
    Kaluan më shumë se tre muaj që ka përfunduar Censi dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion mbi të dhënat paraprake që duhej tashmë të ishin përpunuar nga INSTAT, për popullsinë rezidente të vendit.
    INSTAT nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi vonesën e publikimit të këtyre të dhënave paraprake të domosdoshme, duke u fshehur pas deklaratës se rezultatet e plota do t’i botojë në qershor 2024.
    Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk do të mund të shpallen përpara qershorit 2024 është e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë me 8 muaj vonesë dhe mbi praninë e presioneve politike që INSTAT ka marrë nga sekti Rama në qeverisje, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetoje përmes Censit, braktisjen masive të vendit!
    Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.
    Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të administruar informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet do të shpallen në qershor 2024? Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse ishin në kulmin e pandemisë nga Covid 19, rezultatet i shpallën pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj?
    Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT do japë tetë muaj më vonë, veçanërisht mbi numrin e sotëm të qytetarëve banues në Shqipëri, i cili do të dëshmonte braktisjen masive të vendit në dekadën e fundit. Thënë ndryshe, eksodin biblik të shqiptarëve në vitet 2014-2023 me mbi 900 mijë qytetarë të larguar!
    Të dhënat zyrtare të EUROSTAT me shtimin e konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë në të 28 vendet anetare të Bashkimit Evropian në dhjetë vitet e fundit, e konfirmojnë këtë dukuri, ndërsa sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar i shbërjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të fortë mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj.
    INSTAT, me heshtjen e tij të sotme, po kthehet në një institucion-rob të qeverisë Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur keqazi emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.
Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj
kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit
më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre
tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Wilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos
harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

Botuar në Gazeta Sot më 27 Janar 2024

Qeveria e re Polake-Profili

Qeveria e re Polake-Profili

Autori: Daniel Tilles, As. Prof. ne Histori, Universiteti i Krakov ne Poloni.

Gati dy muaj pas fitores së shumicës parlamentare në zgjedhjet e tetorit 2023, një koalicion i tre grupimeve politike: Koalicioni Qytetar Qendror (KO), qendra e djathte Vija e Tretë (Trzecia Droga) dhe E Majta (Lewica), ka formuar një qeveri të re, duke zëvendësuar partinë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS), që ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015.
Më 13 dhjetor, kabineti i ri u betua zyrtarisht përpara Presidentit Andrzej Duda.
Ministrat e rinj përfaqësojnë disa parti nga tre blloqet kryesore: KO ka 14 ministra, të cilët vijnë nga Platforma Qytetare (PO), Moderne (Nowoczesna) dhe Iniciativa Polake (Inicjatywa Polska); Vija e Tretë ka shtatë ministra të ndarë midis Partisë Popullore Polake (PSL) dhe Polonia 2050 (Polska 2050) dhe E Majta e Re (Nowa Lewica), e cila është pjesë e së majtës në Poloni, ka katër ministra.
Donald Tusk, 66 vjeç, kryeministër (PO/KO)
Tusk është ish-President i Këshillit të Evropës. Rikthimi i tij si kryeministër do të mirëpritet në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian, duke sjellë përfundimin e tetë viteve të marrëdhëniesh të ftohta me qeverinë e partisë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS).
Tusk pa dyshim do t’i përmirësojë këto marrëdhënie, duke kërkuar kompromis aty ku më më parë gjenerohej konfrontim. Tusk do të synojë të zhbëjë reformën gjyqësore, e cila solli shpesh përplasje ndërmjet Brukselit dhe Varshavës.
Megjithatë, ai nuk do të jetë lehtësisht i influencueshêm. Polonia sot është një vend tjetër në krahasim me atë që Tusk drejtoi më parë në vitet 2007-2014. Vjen më e fortë, më e pasur, më besimplotë. Roli i saj është bërë edhe më i rëndësishëm, që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.
Tusk mund të jetë një eurofil, por ai gjithashtu do të përfaqësojë skepticizmin polak, në çështje si integrimi më i thellë në BE, të cilin ai e quajti së fundmi “euro-entuziazëm naiv”.
Për më tepër, ai dhe koalicioni i partive që drejton do të ballafaqohen me tre fushata të tjera zgjedhore brenda 18 muajve të ardhshëm: zgjedhjet vendore dhe evropiane vitin e ardhshëm dhe zgjedhjet presidenciale në vitin 2025. Tusk vetë mund të kërkojë të kandidojë për t’u bërë President. Prandaj, do të jetë thelbësore për të që të shihet duke u ngritur në mbrojtje të interesave të Polonisë në arenën ndërkombëtare.
Ai nuk ka shumë gjasa të ketë një periudhë “muaj mjalti” me publikun polak. Sondazhet e opinionit publik kanë treguar herë pas here pak entuziazëm për të personalisht, duke përfshirë një sondazh të kësaj javë që zbuloi se vetëm 10% e polakëve mendojnë se ai do të jetë një kryeministër “i përkryer”, ndërsa 30% besojnë se ai do të jetë “tmerrësisht i keq”.
Tusk gjithashtu do të ballafaqohet me vështirësi në ruajtjen e unitetit, në një koalicion shumë të diversifikuar që ai drejton, duke përfshirë nga e majta shumë liberalë socialë, deri tek e djathta konservatore qendrore.
Władysław Kosiniak-Kamysz, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes (PSL/Vija e Tretë)
Edhe pse është relativisht i ri, duket sikur Kosiniak-Kamysz ka qenë në qeverisje gjithmonë. Ai është veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, duke u bërë Ministër i Punës në vitin 2011, kur ishte vetëm 30 vjeç. Katër vite më vonë, u bë kryetar i Partisë Popullore Polake(PSL), një pozicion që e ka mbajtur që atëherë, edhe pse ka pasuar disa rezultate të pakënaqshme zgjedhore.
Kosiniak-Kamysz ka përparuar pjesërisht, duke pasur mirëkuptim me të gjithë. Në fakt, edhe kryeministri i mëparshëm i PiS, Mateusz Morawiecki, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur partinë në pushtet – sugjeroi muajin e kaluar se do ishte i gatshëm të shërbejë në një qeveri drejtuar nga kryetari i PSL.
Megjithatë, roli i tij i ri në Ministrinë e Mbrojtjes do të kërkojë disa vendime të vështira. PiS po bën shpenzime ushtarake të jashtëzakonshme, të cilat kanë nisur para invazionit të Rusisë në Ukrainë dhe janë
përshpejtuar më pas. Kjo ka rritur shpenzimet për mbrojtjen këtë vit në 4% të GDP, nivelin më të lartë në NATO.
Opozita shpesh ka shprehur shqetësim për mënyrën se si disa prej këtyre parave po shpenzohen, megjithëse ka qëndruar e kujdesshme për të mos e vënë në pikëpyetje idenë se Polonia duhet të forcojë mbrojtjen e saj. Kosiniak-Kamysz mund të përballet me presion nga pjesë të tjera të qeverisë së re, për të pakësuar disa nga këto shpenzime, megjithatë një lëvizje e tillë mund të jetë një avantazh politik për PiS.
Krzysztof Gawkowski, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Marrëdhënieve Digjitale (E Majta e Re/E Majta)
Roli i dytë i zëvendëskryeministrit i është dhënë së Majtës, për të shpërblyer një të tretën e tre grupeve që formojnë koalicionin. Gawkowski ka shërbyer si kryetar i grupit parlamentar të së Majtës që nga viti 2019, por nuk është një figurë veçanërisht e shquar. Nuk ka gjasa që Gawkowski do të jetë shumë i dallueshëm në qeverinë e re, duke pasur parasysh se do të drejtojë një nga ministritë më pak të rëndësishme.
Radosław Sikorski, 60 vjeç, Ministër i Jashtëm (PO/KO)
Në vitet e fundit, PiS ka emëruar figura me profil të ulët si ministra të punëve të jashtme, me politikën e jashtme shpesh të drejtuar efektivisht nga zyra e kryeministrit ose selia e partisë.
Por Sikorski është një figurë vërtet e rëndësishme, me përvojë dhe lidhje të mira, i cili ka përfunduar studimet në Oxford. Ai shërbeu në të njëjtën rol për shtatë vjet në qeverinë e fundit të Tusk dhe si ministër i mbrojtjes gjatë një qeverie të drejtuar nga PiS në vitet 2005-2007, edhe pse tani është një kundërshtar i zjarrtë i ish-partisë së tij. Si Tusk, edhe Sikorski pa dyshim do të rimarrë dhe zgjerojë marrëdhëniet me partnerët evropianë të Polonisë.
Sikorski do të ketë sfidë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi PiS zhvilloi lidhje të ngushta me Uashingtonin, nën udhëheqjen e Trump dhe Biden, ndërsa në vitin 2014, u bënë publike regjistrime sekrete të Sikorskit, atëherë ministër i punëve të jashtme, duke thënë se “aleanca polako-amerikane është e pavlerë” dhe në të vërtetë “e dëmshme, sepse i jep Polonisë një ndjenjë të rreme të sigurisë”.
Vitin e kaluar, ai u kritikua gjerësisht për një mesazh në Twitter, në të cilin sugjeroi se SHBA ishte përgjegjëse për shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream. Një printim i postimit të tij përfundoi duke u paraqitur në Kombet e Bashkuara nga ambasadori i Rusisë.
Marrëdhëniet me SHBA-të pritet të mbeten miqësore nën administratën Biden. Por një rikthim i mundshëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, mund të shkaktojë tensione, duke marrë parasysh se qeveria e re polake, në kundërshtim me pararendësen e saj të djathtë populiste, nuk është në të njëjtën vijë ideologjike me Republikanët në SHBA.
Adam Bodnar, 46 vjeç, Ministër i Drejtësisë (Senator jopartisan, i zgjedhur si kandidat i KO)
Bodnar shërbeu si komisioner për të drejtat e njeriut të Polonisë nga viti 2015 deri në vitin 2021, një rol që e bëri të shquhej, sidomos për konfliktet e shpeshta me PiS gjatë kësaj kohe. Si një shkencëtar ligjor, Bodnar shpesh konfrontohej me qeverinë e mëparshme, në lidhje me sundimin e ligjit.
Megjithatë, si politikan, Bodnar është i ri. Kur u zgjodh me sukses për Senatin në tetor, ishte hera e parë që ai kishte qenë kandidat në zgjedhje. Ai do të ketë pak kohë për t’u përshtatur, pasi i është dhënë ndoshta detyra më e vështirë në qeverinë e re.
Qeveria e re ka premtuar të kthejë brapsht shumicën e aspekteve të reformës gjyqësore të ndërmarrë nga PiS. Por të shkulësh tetë vjetët e reformave komplekse, do të jetë e vështirë, jo vetëm teknikisht. Si, për shembull, të merret me mbi 2,000 gjyqtarët të emëruar nga Këshilli Kombëtar i Drejtësisë të reformuar ilegalisht dhe dhjetëra mijëra vendimet që ata kanë dhënë.
Do të jetë e vështirë edhe politikisht, pasi Presidenti Duda mund të vetojë çdo ligj të miratuar nga Parlamenti i ri, ndërsa shumica vazhdueshme (ligjërisht e emëruar) e gjyqtarëve të nominuar nga PiS në Gjykatën Kushtetuese, mundet gjithashtu t’i kthejë ligjet.
Vendimi për të vënë ministrinë e drejtësisë në duart e një figure relativisht jo-politike sugjeron një qëllim për depolitizimin e gjykatave. Megjithatë, PiS do të argumentojë se kjo thjesht do të thotë rivendosjen e pushtetit mbi sistemin gjyqësor, në duart e gjyqtarëve që janë thelbësisht të prirur në favor të koalicionit të ri të pushtetit dhe kundër PiS.
Për më tepër, Tusk e bëri të qartë në fjalimin e tij të fundit në Parlament, se një pjesë e rolit të Bodnar do të jetë të mbajë përgjegjëse qeverinë e mëparshme të PiS, duke siguruar që “korrupsioni, abuzimi i pushtetit dhe shkatërrimi i institucioneve polake të mos shkojnë pa ndëshkuar”. Ky proces pritet të jetë shumë politik.
Andrzej Domański, 42 vjeç, Ministër i Financës (PO/KO)
Ministri i ri i financës është një tjetër person i ri në politikë, i cili nuk ka qenë përfshirë më parë në politikë. Domański, një ekonomist, nuk është një emër apo fytyrë e njohur për shumicën e polakëve. Në të vërtetë, në momentin e këtij shkrimi, ai nuk ka asnjë shënim në Wikipedia.
Por ai është parë si një figurë kyçe në fushatën e zgjedhjeve të KO këtë vit, duke qenë autor i programit ekonomik të partisë. Vetë ai kandidoi në zgjedhje me sloganin: “Andrzej Domański – njeriu i ekonomisë”.
Domański do të ballafaqohet me një veprimtari balancimi të vështirë në rolin e tij të ri. Ndërsa PO ishte tradicionalisht një parti mjaft e lirë në treg, popullariteti dhe suksesi i politikave të shpenzimeve sociale të PiS i ka detyruar pothuajse të gjitha partitë e tjera të premtojnë qe do t’i mbajnë këto politika.
Megjithatë, ka shqetësime se në kushte ekonomike më pak të favorshme, këto dhurata mund të jenë më të vështira për t’u përballuar, ndërsa qeveria e re ka edhe premtimet e veta për shpenzime shtesë. Kështu që Domański mund të përballet me presion nga pjesë të KO dhe gjithashtu nga partia Polonia 2050, e cila është ekonomikisht liberale, për të frenuar shpenzimet sociale.
Barbara Nowacka, 48 vjeç, Ministre e Edukimit (Iniciativa Polake/KO)
Në vitin 2020, PiS kombinoi detyrat për shkollat dhe universitetet në një ministri të vetme – e udhëhequr nga figura ultrakonservatore e Przemysław Czarnek. Mirëpo qeveria e re tani i ka ndarë përsëri.
Nën udhëheqjen e Nowacka, një luftëtare e drejtpërdrejtë për të drejtat e grave që më parë, e cila ishte e lidhur me të majtën, mund të pritet një ndryshim radikal në shumë aspekte të politikave arsimore.
Ndërsa PiS kufizoi edukatën seksuale dhe përpjekjet për të mbrojtur fëmijët nga e ashtuquajtura “ideologji LGBT”, Nowacka, e cila është një mbështetëse e njohur e të drejtave LGBT, do të kthejë këto politika dhe do të ndjekë një axhendë progresive.
Ministrja e re do të përballet me shumë nga sfidat e njëjta si PiS, në veçanti, me gjetjen e të ardhurave për të përmirësuar financimin e dobët të sistemit arsimor. Sidomos, për të paguar rritjen 30% të pagave të mësuesve, që Tusk ka premtuar ta realizoje në 100 ditët e para.
Izabela Leszczyna, 61 vjeç, Ministre e Shëndetsisë (PO/KO)
Leszczyna është një tjetër veterane e qeverisë së mëparshme të Tuskut, duke shërbyer si zëvendësministre e financës nga viti 2013-15.
Ajo është një zgjedhje e pazakontë për ministre të shëndetësisë, duke marrë parasysh se nga viti 2000 çdo person që ka mbajtur këtë rol në Poloni në bazë të qëndrueshme, ka qenë mjek i kualifikuar (ose në një rast ish-kreu i fondit shtetëror të shëndetësisë). Si para-ardhësit e saj, Leszczyna do të përballet me sfidat e vazhdueshme të drejtimit të një sistemi shëndetësor të varfër, me numër të pakët të personelit dhe shpesh të vjetrëuar, që polakët e shpallin vazhdimisht në sondazhe si një nga shqetësimet më të mëdha të tyre, por të cilin qeveritë e radhës nuk kanë arritur ta përmirësojnë në mënyrë të konsiderueshme.
Paulina Hennig-Kloska, 46 vjeç, Ministre e Klimës dhe Mjedisit (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Ish-anëtare e parlamentit për partinë Modern, Hennig-Kloska ishte një nga anëtarët e parë të parlamentit që kaloi në vitin 2021 tek partia e re e formuar, Polonia 2050.
Ministria e saj tani pritet të ketë një rol shumë më të rëndësishëm, se sa në periudhën e PiS, një parti miqësore ndaj qymyrit, kur shpesh akuzohej se dëmton mjedisin, për shembull duke miratuar prerjen e drurëve në Pyllin e Białowieżës dhe duke dështuar në parandalimin e ndotjes së lumenjve.
Marrëveshja e koalicionit të qeverisë së re përmban zbatim të qartë të politikës kundër ndryshimeve të bëra nga njeriu në klimën dhe mjedisin, duke përfshirë nxitjen e burimeve të energjisë së rinovueshme. Ajo gjithashtu premton të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit natyror të Polonisë, si lumenj dhe pyje.
Roli i Hennig-Kloska në këto plitika ka filluar keq, pasi koalicioni u detyrua javën e kaluar të tërhiqte ligjin që lehtësonte rregullat për ndërtimin e parqeve të erës, pas shqetësimeve se do të lejohej konfiskimi i tokave private, për të ndërtuar turbina. Koalicioni theksoi se kjo nuk ishte rasti, por deklaroi se do të rishihte projektligjin, para se ta risjellë në Parlament.
Episodi – i cili përfaqësonte krizën e parë të qeverisë para se të kishte marrë detyrën zyrtarisht – ishte një mësim paralajmërues se sa e vështirë do të jetë për një koalicion të ndryshuar, që përfshin shumë politikanë të rinj, që të qeverisë. Ai tregoi gjithashtu se si PiS do të luajë një rol si një opozitë e fortë ndaj qeverisë së re.
Bartłomiej Sienkiewicz, 62 vjeç, Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare (PO/KO)
Sienkiewicz çshtë një tjetër veteran i Tusk, që shërbeu si ministër i brendshëm në vitet 2013-14, kur ai ishte, si Sikorski, një tjetër “yll” i regjistrimeve sekrete që u bënë publike në vitin 2014.
Sienkiewicz nuk ka qenë i angazhuar më parë në fushën e kulturës, megjithëse është stër-stërnipi i një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Polonisë, Henryk Sienkiewicz. Një raport i ri në media sugjeroi se Sienkiewicz është thjesht një emërim afat-shkurtër nga Tusk, për të caktuar një aleat të besuar për të pastruar shpejt çështjet e lëna nga PiS, para se të kandidojë në zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm.
Kjo do të përfshijë në veçanti mbikëqyrjen e “depolitizimit” të mediave publike, të cilat u bënë një zëdhënës i PiS gjatë tetë viteve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh se transmetuesit shtetërorë të Polonisë gjithmonë në një farë mase kanë qenë në ndikim të partive që janë në pushtet, shumë do ta shohin këtë proces jo si depolitizim, por thjesht si një formë të re politizimi.
Borys Budka, 45 vjeç, Ministër i Aseteve Shtetërore (PO/KO)
Budka ishte një ndër figurat që drejtoi pa sukses PO gjatë viteve të mbingarkuara nga ndryshimet, në një moment kur Tusk u largua për në Bruksel, në vitin 2014, deri në kthimin triumfal të tij në vitin 2021. Pasi u tërhoq për t’i bërë vend Tusk-ut, Budka shërbeu si kryetar i grupit parlamentar të KO.
Pozita që ai po merr tani është e rëndësishme, duke marrë parasysh madhësinë dhe ndikimin e firmave shtetërore polake, duke qene se shumica prej tyre janë ndër kompanitë më të mëdha në vend. Gjithashtu, gjatë tetë viteve të fundit, pozitat menaxheriale në shumicën e këtyre firmave janë mbushur me emërime politike të lidhura me PiS dhe vetë firmat shpesh janë përdorur për të mbështetur axhendën e partisë në pushtet.
Në krye të listës së Budkës, do të jetë gjigandi i energjisë së shtetit, Orlen. Kompania është zhvilluar shpejt në vitet e fundit si pjesë e përpjekjeve të PiS për ta bërë atë një lojtar ndërkombëtar. Këtë vit, ajo u bë një nga 50 kompanitë më të mëdha në Evropë.
Por nën udhëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Daniel Obajtek, një ish-kryetar komune i një qyteti të vogël i lidhur me PiS, ajo ka qenë gjithashtu shumë pranë dhe e mbështetur nga partia në pushtet – duke përfshirë blerjen e dhjetëra gazetave lokale, që janë përdorur për të promovuar axhendën e qeverisë.
Përveç politikës, Budka do të përballet edhe me sfidën e mbikëqyrjes së sektorit të energjisë së shtetit, për të realizuar largimin e vështirë nga burimet e karburanteve fosile, veçanërisht qymyrit, dhe për të drejtuar vendit drejt një të ardhme më të gjelbër, një proces që ka nisur nën qeverinë e PiS.
Marzena Czarnecka, mosha e paditur, Ministre e Industrisë (jopartizane)
Një emër i befasishëm për të drejtuar një ministri krejt të re, Czarnecka ka një profil publik kaq të ulët, saqë as mosha e saj nuk e dihet. Një shkencëtare ligjore, që ka drejtuar departamentin e transformimit të energjisë në Universitetin e Katowicës – kryeqyteti i Silesias, zonës së qymyrit të Polonisë, ajo do të drejtojë një ministri të krijuar në të njëjtin qytet. Do të jetë i vetmi departament qeveritar jashtë kryeqytetit.
Së bashku me Hennig-Kloska dhe Budka, Czarnecka do të luajë një rol kyç në mbikëqyrjen e tranzicionit të Polonisë nga burimi fosil, qymyri, tek energjitë e gjelbra. Teksa vendosja e ministrit në një zonë gërmimi duket si një lëvizje simbolike e mençur, mbetet të shihet nëse një akademike – edhe pse nga vetë rajoni- është personi i duhur për të trajtuar sindikatat e fuqishme të minierave në Poloni.
Marcin Kierwiński, 47 vjeç, Ministër i Brendshëm (PO/KO)
Një militant i palëkundur i PO, Kierwiński ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i partisë që nga viti 2020. Një figurë publike jo shumë e shquar, ai do të shihet si një dorë e sigurt në ministrinë e brendshme.
Sikurse në fusha të tjera të qeverisjes, një nga detyrat e tij të para do të jetë të eliminojë ndikimin e PiS në uniformat polake, veçanërisht në polici, e cila u ka shërbyer interesave të partisë PiS në pushtet. Shefi kombëtar i policisë, Jarosław Szymczyk, i cili e kishte mbajtur këtë pozicion që nga viti 2016, vendosi të shkojë në pension, para ardhjes së qeverisë së re.
Tomasz Siemoniak, 56 vjeç, Koordinator i Sherbimeve të Mbrojtjes (PO/KO)
Një veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, në të cilën shërbeu si Ministër i Mbrojtjes nga viti 2011-2015, Siemoniak do të ngarkohet me mbikqyrjen e një fushe tjetër të qeverisë, e vlerësuar si e politizuar nga PiS.
Në veçanti, qeveria e mëparshme u akuzua për përdorimin e softuerit spiun Pegasus, për të vëzhguar figura opozitare, duke përfshirë menaxherin e fushatës së zgjedhjeve të vitit 2019 të KO. Koalicioni i ardhshëm ka premtuar se hetimi i këtyre pretendimeve do të jetë një nga prioritetet e tij.
Agnieszka Dziemianowicz-Bąk, 39 vjeçe, Ministër për Familjen, Punën dhe Politikat Sociale (E Majta e Re/E Majta)
Dziemianowicz-Bąk është një yll në rritje i së majtës polake, duke e afirmuar veten si një performuese mediatike e zellshme dhe efektive. Eksperte në fushën e arsimit – teza e saj e doktoratës kishte titullin Përgjithësim – Rezistencë – Përcaktim: një kritikë radikale e arsimit në mendimin shoqëror perëndimor bashkëkohor – dikur ishte parashikuar si kandidate për të drejtuar ministrinë e arsimit.
Sikurse me ministrat e tjerë të së Majtës, Dziemianowicz-Bąk, një mbështetëse e zëshme e të drejtave të grave dhe të LGBT, do të ndjekë një axhendë sociale progresive në rolin e saj të ri, të paktën në masën që elementët më konservatorë të koalicionit i lejojnë këto ndryshime.
Czesław Siekierski, 71 vjeç, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (PSL/Vija e Tretë)
Anëtari më i vjetër i qeverisë së re, Siekierski është një politikan veteran, i cili u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 1997. Megjithatë, përveç një periudhe si zv.ministër i bujqësisë në periudhën 2001-2003, ai nuk ka përvojë në qeveri.
Aktiv për një kohë të gjatë në bujqësi, ai do të ketë detyrën të rikthejë marrëdhëniet me fermerët, një grup që tradicionalisht ka qenë i mbështetur në PiS, por që ka konflikte me qeverinë në vitet e fundit, sidomos në lidhje me importet e grurit ukrainas.
Duke pasur parasysh qëndrimin më pro-BE të koalicionit të ri, balancimi i interesave të fermerëve polakë me kërkesat e partnerëve evropianë mund të jetë edhe më i vështirë për qeverinë e ardhshme, në krahasim me PiS, e cila ishte e kënaqur, për shembull, për të ndaluar në mënyrë të njëanshme importin e grurit ukrainas, në kundërshtim me rregullat e tregtisë së BE.
Adam Szłapka, 39 vjeç, Ministër i Marrëdhenieve me BE (Modern/KO)
Marrëdhëniet me BE-në do t’i besohen pjesërisht Szłapka-s, kryetarit të Partisë Moderne. Megjithatë, si një figurë e re dhe me profil relativisht të ulët, Szłapka nuk pritet të ketë një rol të madh në përcaktimin e politikës së jashtme, e cila do të jetë fusha e Tusk dhe Sikorski.
Dariusz Klimczak, 43 vjeç, Ministër i Infrastrukturës (PSL/Vija e Tretë)
Megjithëse është një tjetër njeri i partisë me një profil mjaft të ulët, Klimczak do të ketë shumë punë në dorë. PiS ka lançuar disa projekte të infrastrukturës në shkallë të gjerë, në veçanti një “mega aeroport” dhe qendër transporti në Poloninë qendrore, si dhe një port kontenjerësh në Shchecin.
Koalicioni i ardhshëm ka premtuar të rishikojë të gjitha këto plane investimesh dhe ka shprehur gjithashtu skepticizëm të gjatë, në veçanti për planet e mega aeroportit. Megjithatë, tërheqja nga projekte që janë në një fazë të avancuar – aeroporti ka tashmë projektin gati dhe nvestitorë ndërkombëtarë të përcaktuar-, mund të jetë e vështirë dhe gjithashtu do të shfrytëzohej politikisht nga PiS.
PiS ka argumentuar me kohë se opozita përfaqëson interesat gjermane, duke përfshirë dhe dëshirën e Berlin-it për të penguar zhvillimin ekonomik të Polonisë. Çdo vendim i qeverisë së re për të shbërë projekte të mëdha të infrastrukturës, do të prezantohet nga PiS si dëshmi e këtyre pretendimeve.
Sławomir Nitras, 50 vjeç, Ministër i Sportit dhe Turizmit (PO/KO)
Si një ushtar i besueshëm i PO, Nitras është një deputet me një shërbim të gjatë, por nuk ka përvojë ekzekutive. I është caktuar një nga ministritë e vogla, megjithatë mund të luajë një rol të shquar, nëse qeveria e re ndjek ofertën e nisur nga PiS këtë vit, për të organizuar Lojërat Olimpike Verore të vitit 2036 në Poloni. I njohur për qëndrimin e tij të luftarak dhe deklaratat kontroversiale, Nitras gjithashtu pritet të mbajë një profil relativisht të lartë.
Krzysztof Hetman, 49 vjeç, Ministër i Zhvillimit dhe Teknologjisë (PSL/Vija e Tretë)
Hetman ka shërbyer më parë si zv.ministër i zhvillimi rajonal nga viti 2007-2010, në qeverinë e mëparshme të Tusk. Një emër i vogël, ai pritet të ketë detyrën të implementojë politikat, në vend të krijimit të tyre.
Katarzyna Pełczyńska-Nałęcz, 53 vjeçe, Ministër i Fondeve dhe Politikave Rajonale (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një akademike dhe ish-kërkuese shkencore, Pełczyńska-Nałęcz shërbeu për një kohë të shkurtër si zv.ministre e jashtme në periudhën 2012-2014 dhe më pas si ambasadore e Polonisë në Rusi, nga viti 2014-2016. Ajo ishte një figurë e hershme që iu bashkua Szymon Hołownia, themelues dhe udhëheqës i partisë Polonia 2050, duke punuar në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Një nga rolet kryesore të saj do të jetë ndihma në zhbllokimin dhe pastaj shpenzimin e fondeve të BE për Poloninë, të cilat ishin të ngurtësuara nën qeverinë e PiS, për shkak të shqetësimeve të Brukselit për sundimin e ligjit.
Dariusz Wieczorek, 58 vjeç, Ministër i Shkencave (E Majta e Re/E Majta)
Wieczorek, i cili ka shërbyer si deputet që nga viti 2019, është një figurë jo fort e njohur. Në fakt, që prej kohës kur doli lajmi se mund të bëhej ministër, shumica e raporteve në mediat polake janë përqendruar në faktin se ai ka qenë baterist në një grupin e rrokut heavy metal Vinders, që ishte aktiv në vitet 1980 dhe pastaj u riformua në vitin 2009.
Wieczorek nuk ka pjesëmarrje të mëparshme në shkencë ose arsim të lartë. Sikurse me Nowacka dhe sistemin shkollor, ai do të ketë detyrën të zhbëjë atë që qeveria e re e sheh si politizimin e universiteteve, nën qeverinë e PiS.
Katarzyna Kotula, 46 vjeçe, Ministre e Barazisë (E Majta e Re/E Majta)
Në këtë rol të sapo krijuar, Kotula – më parë talent tenisi ne fëmijëri si dhe mësuese anglishteje, e cila ka shërbyer në Parlament që nga viti 2019 – mund të pritet që, si ministra të tjerë nga E Majta, të ndjekë një axhendë sociale progresive.
Marzena Okła-Drewnowicz, 51 vjeçe, Ministre e Moshës së Tretë (PO/KO)
Një tjetër pozicion i ri i krijuar, që reflekton sfidat e rritura me të cilat Polonia përballet si një nga shoqëritë më të plakura në Europë. Okła-Drewnowicz është zëvendëskryetare e PO dhe ka shërbyer në Parlament që nga viti 2007, e përfshirë më së fundmi si zëvendëskryetare e Komitetit të Çështjeve të Pleqërisë, por që deri më tani nuk ka qenë një figurë e shquar.
Agnieszka Buczyńska, 37 vjeçe, Ministre per Shoqërinë Civile (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një tjetër ish-anëtare e stafit të fushatës presidenciale 2020 të Hołownia, karriera profesionale e mëparshme e Buczyńska ishte e përqendruar në sektorin e OJQ-ve. Ajo bëhet ministre, edhe pse është zgjedhur në Parlament për herë të parë në tetor 2023. Pozicioni i saj është një tjetër ministri e krijuar së fundmi dhe reflekton premtimin e qeverisë së re, për të përfshirë më tepër shoqërinë civile në procesin e vendimmarrjes.
Buczyńska ishte ndër ata që qëndronin në skenë me kryetarin e Gdańskut, Paweł Adamowicz, në vitin 2019 kur ai u sulmua për vdekje gjatë një koncerti bamirësie. Ajo më vonë i tha Gazeta Wyborcza-s se ky “makth” ishte një nga motivimet e saj për të hyrë në politikë dhe “kundërshtuar gjuhën e urrejtjes”.
Maciej Berek, 50 vjeç, Ministër pa portofol, me përgjegjësi per Mbikëqyrje Legjislative (jopartizan)
Berek ishte kryetar i Qendrës për Ligjin Qeveritar dhe sekretar i kabinetit gjatë gjithë kohës kur Tusk ishte kryeministër, para se të punonte si studjues ligjor, gjatë viteve të pasuara të sundimit të PiS. Roli i Berekut do të jetë të sigurojë “pastërti dhe transparencë në procesin legjislativ”, thotë Tusk.
Jan Grabiec, 51 vjeç, Ministër pa portofol dhe kryetar i Kancelarisë se Kryeministrit (PO/KO)
Një tjetër njeri i besueshëm i partisë, Grabiec ka qenë zëdhënësi i PO që nga viti 2016. Si një anë të veçantë e politikës polake, kreu i kabinetit të kryeministrit gjithashtu mbart rang ministri.
Burimi: https://notesfrompoland.com/2023/12/13/whos-who-in-polands-new-government/

Marrëzitë e një goditjeje të rëndë ndaj opozitës

Marrëzitë e një goditjeje të rëndë ndaj opozitës

Në vazhdën e goditjeve ndaj opozitës, për shkak të rimëkëmbjes dhe fillimit të bashkimit të saj, nën një aksion të vendosur dhe të mirëkoordinuar opozitar, Rama mendoi dhe nxitoi të godasë frymën dhe inspiruesin e opozitës reale të vendit, Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishën.
Për këtë, përdori dosjen e privatizimit të ish-terrenit të Klubit Sportiv Partizani, një procedurë e filluar që në vitin 1995. Kjo dosje, që për tre vitet e fundit qëndroi në sirtaret e qindra dosjeve të tjera të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, u bë kali i betejës i sektit Rama, për të goditur penalisht liderin e opozitës.
Goditja ndaj tij(sikurse janë shprehur këto ditë profesionistë të jurisprudencës shqiptare, opinionistë, gazetarë dhe analistë) është goditje ndaj opozitës dhe demokracisë shqiptare, pasi ajo po realizohet përmes disa shkeljeve-marrëzi ligjore e proceduriale, lehtësisht të zbërthyeshme dhe të paqëndrueshme në llogjikën e një gjykate të pavarur, por jo të një shteti të kapur, si ky i joni sot.

  1. Kryetari i Partisë Demokratike kufizohet në lirinë e tij, në shkelje flagrante të Kushtetutës
    Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Të dyja masat e kufizimit të lirisë së tij, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi i paraqitjes, duhet të kalonin për miratim në Kuvend, posaçërisht nëpërmjet Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve dhe më pas, me votim në seancë plenare. Asgjë e tillë, asnjë autorizim i Kuvendit nuk është marrë, në shkelje flagrante të Kushtetutës, Nenit 73, Pika 2 e tij, që cilëson se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
    Ky është një faj shumë i rëndë, i kryer vetëm për të sulmuar politikisht drejtuesin e opozitës së bashkuar dhe vrarë aksionin opozitar. Ai krijon precedentë shumë të rrezikshëm për subjekte të tjerë të mbrojtur me Kushtetutë, të cilët mund të goditen njëlloj në të ardhmen.
  2. Qytetari Jamarbër Malltezi merret i pandehur në cilësinë e “zyrtarit të lartë” apo të të zgjedhurit vendor, duke mos qenë një ditë të vetme të jetës së tij në pozicione të tilla!
    Qytetari Jamarbër Malltezi nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor. Si i tillë, ai nuk është subjekt i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet per “pastrimin e produkteve të veprës penale”. Në të gjithë akuzën e ngritur nuk kuptohet se cila është vepra penale që ky qytetar dhe anëtar i Kryesisë së PD-së, ka kryer. Çfarë
    trafiqesh të paligjshme ka realizuar ky qytetar, për t’i futur në kanalet e investimit të kryer në ish-terrenin e klubit sportiv Partizani?!
    Si mund të jetë krim dhe korrupsion galopant, fakti që pesë familje të vjetra tiranase marrin pronat e trashëguara brez pas brezi?!
  3. Në të gjithë tërësinë e dokumenteve dhe vendimeve të marra për privatizimin e ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani”, drejtuesi i Partisë Demokratike nuk e ka firmën e vet asgjëkundi!!
    Procesi i privatizimit të ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani” ka nisur në vitin 1995. Dokumentacioni i privatizimit ka kaluar në disa qeveri, shumica socialiste, të cilat kanë firmosur praktikën. Ka një korrespodencë me dhjetëra e qindra faqe të ministrive dhe institucioneve te tjera qendrore, në lidhje me privatizimin e këtij ish-terreni. Ka vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave për kthimin e kësaj prone, një vendim i vitit 1999 dhe tjetri i vitit 2002, të qeverisë së Fatos Nanos. Në të gjitha vendimet të pas vitit 2006, për këtë pronë, qofte dhe në një të vetëm nuk figuron firma e Sali Berishës.
    Në të kundërt, është Edi Rama ai, që, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka firmosur kthimin në truall ndërtimi të sheshit të Klubit “Partizani”!
    Vendimet e marra në kohën kur Kryeministri Berisha ka qenë në detyrë, jo vetëm nuk sollën ndryshime lehtësuese apo liberalizuese në tjetërsimin e pronës përmes privatizimit, por përkundrazi, përcaktuan kritere më shtrënguese. U abroguan apo anuluan me qindra vendime të gjykatave, ku njerëzit vërtetonin pronësinë me tre dëshmitarë në gjykatë, duke vendosur filtra dhe kritere rreptësisht të përcaktuara, që pronarët e vërtetë të marrin dhe të zhvillojnë pronën e tyre.
    Me llogjikën e akuzës, i vetmi faj i Jamarbër Malltezit, Drejtor Departamenti dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, i cili, në këto 10 vite opozite, ka kryer me dhjetra denoncime kundër korrupsionit qeveritar , veçanërisht në fushën e mjedisit dhe të infrastrukrurës, del se është dhëndërr i Sali Berishës, pasi, kur dhëndri i një kryeministri zhvillon investim në pronë të tij, ky quhet akt korruptiv?!
  4. Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Dr. Jamarbër Malltezi, ju nënshtrohen masave të sigurisë, pa trembur njeri, pa tentuar të largohen dhe pa prishur provat!
    Rregjimi i sektit Rama në qeverisje, ka ushtruar presionin përcaktues për vendosjen e masave të sigurisë me arrest dhe me detyrim paraqitje, edhe pse çështja kishte tre vjet e hapur dhe në këta tre vjet, si Kryetari i Partisë Demokratike dhe qytetari Jamarbër Malltezi nuk kanë tentuar të
    largohen, nuk kanë trembur njeri dhe nuk kanë prishur provat. Këto jane kritere dhe kushte strikte, të cilat i kërkon ligji, për të caktuar një masë sigurimi.
    Vendosja e masës së sigurimit me arrest për qytetarin Jamarbër Malltezi dhe me deyrim paraqitjeje dhe ndalim të lëvizjeve jashtë vendit, për Kryetarin e Partisë Demokratike, janë veprime absurde, përtej çdo llogjike të drejtësisë ligjore dhe penale. Ato përcaktojnë saktë dhe qartë, përpara të gjithë shqiptarëve, se sekti Rama po persekuton gjyqësisht Kryetarin e Partisë Demokratike, për të asgjësuar aksionin opozitar, duke nisur kështu shndërrimin e vendit tonë në diktature!
  5. Sali Berisha është Kryetari i Partisë Demokratike dhe simbol i rithemelimit të opozitës së vërtetë shqiptare. Duke goditur Sali Berishën, goditet per t’u asgjësuar, ringritja dhe konsolidimi i Partisë Demokratike
    Edi Rama nuk do të ketë sukses në tentativën e tij të zezë, për të goditur në asgjësim opozitarizmin e vërtetë në Shqipëri, për të mbytur frymën dhe zeruar zërin e opozitës reale të vendit. Sekti Rama në pushtet po kërkon sot ta japë si shembull goditjen ndaj Sali Berishës, për të trembur opozitarët e tjerë nesër, në çdo nivel ku janë dhe ku me kurajo zhvillojnë aktivitet politik, në këtë kohë shumë të vështirë për të bërë opozitë në Shqipëri.
    Qytetarët shpresojnë në ringritjen e fuqishme të opozitës dhe në mundjen dhe largimin e sektit Rama në qeverisje, pikërisht nga përkushtimi dhe angazhimi politik i Dr. Sali Berishës.
    xxx
    Në këto kushte, demokratët, në veçanti Grupi Parlamentar, kryesia e PD-së dhe drejtuesit e PD-së nëpër rrethe, në cilindo nivel, duhet të vazhdojnë të punojnë të kthjellët, pa harruar misionin e tyre. Opozita duhet të realizojë detyrimet dhe detyrat e saj opozitare, përballë qytetarëve që e kanë votuar dhe shpresojnë në të. Ajo duhet ta vijojë akoma dhe më e vendosur aksionin e saj, sepse vetëm me përmbysjen e rregjimit tashmë pothuajse diktatorial të sektit Rama, do të rivendoset demokracia e vërtetë dhe shteti i së drejtës tek ne.
Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Me atë që ndodhi sot në Kongresin e PS-se, u pa qartë se nuk ka më një parti socialiste. Ka vetëm një sulltan në krye të sektit në qeverisje.
Sekti ka autokratin Rama, i cili emëron qehajaj të rinj në çifligun e vet kur dhe si i do qejfi.
Një Kongres ku nuk u dëgjua një kritikë e vetme. Ku nuk u bë një bilanc i vetëm i ministrive të cilave po u ndërrohen drejtuesit.

Ku nuk u mbajt një raport i vetëm për punën e drejtuesve të porsahequr nga ministria e Financave, e Brendshme dhe e Mbrojtjes. Janë tre ministri shtylla të një qeverisjeje dhe nuk u përmend një arësye, një e vetme, pse drejtuesit e deritanishëm po largohen.

Opinioni publik dhe qytetarët nuk e morën vesh nëse këta ministra të hequr kanë punuar mirë apo keq. Thjesht ministrat-ushtarë u ndërruan si në një lojë shahu.
Vetëm sulltani i partisë ia lejoi vetes sërisht, si në shtator të një viti më parë, kënaqësinë perverse që të larguarit ministra nga detyra ta merrnin vesh shkarkimin e tyre “live”, drejtpërsëdrejti nga salla e kongresit të partisë së tyre.
Ngelet që herës tjetër Rama të bëjë ministër kalin e tij, si perandori romak Kaligula, ndërkohë që vijon të mbajë ministra dhe ministre me dosje korrupsioni. Një ministër duket si të jetë nipi i Kiço Mustaqit, akuzuar si agjent grek nga të vetët në vitet 90-të të shekullit të kaluar.

Rama prezantoi në të aushtuquajturin kongres një program qeverie me premtime-mashtrime të parealizuara. Premtoi uljen e borxhit publik nën 60 përqind, kur në fakt e dyfishoi borxhin për frymë. Njëlloj si premtimet e Enver Hoxhës në kongreset e Partisë së Punës.

Ky i sotmi nuk ishte kongresi i një partie që drejton vendin, por monologu i sulltanit të sektit në qeverisje. Qytetarët panë sot zero kongres të PS-së, por vetëm përçartjet e zgjatura të një mbreti lakuriq.