Një dëshmi e veçantë për 7 prillin 1939: Shqiptarët e pritën me luftë pushtimin fashist italian.

Një dëshmi e veçantë për 7 prillin 1939: Shqiptarët e pritën me luftë pushtimin fashist italian.

Poeti i shquar, vlonjati Fatos Arapi, në librin e tij “Kush ishte Vllas Arapi”, sjell një dëshmi të veçantë dhe domethënëse për qëndresën shqiptare gjatë pushtimit italian më 7 prill 1939.
Në shënimet e nxjerra nga libri “ Kush ishte Vllas Arapi”, përshkruhen me realizëm data e 7 prillit 1939, e zhvilluar në rrethinat e Vlorës, duke rrëzuar idenë se pushtimi u pranua pa rezistencë nga forcat ushtarake qeveritare. Përmes kujtimeve dhe rrëfimeve autentike, autori evidenton guximin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur atdheun.
Shënimet e përfshira janë marrë nga faqet 11–12 të librit dhe përbëjnë një burim të vecantë, që pasqyron jo vetëm faktet, por edhe përjetimet e pushtimit fashist në Shqipëri, e cila megjithatë si datë mbeti një simbol i qëndresës kombëtare.
***
Të Enjten e Madhe, më 6 prill 1939, të gjithë fëmijët u dërguan me ngut në Zvërnec me fshatarët që kishin ardhur për ditë pazari. Babai dhe Vllasi qëndruan në Vlorë; ata erdhën në fshat natën shumë vonë. Në qytet ishin bërë demonstrata përpara xhandarmërisë. Populli kërkonte armë për të luftuar kundër italianëve që po sulmonin Shqipërinë.
Vite më vonë, në Bibliotekën Kombëtare, duke lexuar kujtimet e gjeneralit italian Guxoni, gjeta të shkruar: ”A Valona Bestrovo, le nostre truppe sono state costrette a mantenere il contatto col nemico durante tutta la notte”.
Pra, kujtesa ime nuk më kishte gabuar.Beteja më e madhe frontale kundër trupave fashiste është zhvilluar më 7 dhe 8 prill 1939 në Bestrovë të Vlorës. (faqja 11)
Atë betejë e mbajtën në hije fashistët italianë, por edhe regjimi komunist i Tiranës. Me sa duket, për arsye se atje janë përleshur trupa të rregullta të ushtrisë së atëhershme shqiptare zogiste kundër italianëve. Shumë, shumë më vonë u ngrit në Bestrovë një lapidar i thjeshtë në kujtim të asaj lufte.
Një mbrëmje, në klubin e shkrimtarëve, fare rastësisht, ma ka treguar këtë ngjarje me gjithë pasion dhe vërtetësi dramatike aktori shkodran Pjetër Gjoka. Ai paskësh qenë atëherë infermier në batalionin “Kaptina” të ushtrisë shqiptare, nëse nuk gaboj, në Berat. Ky batalion mori urdhër prej Tiranës të nisej në mbrojtje të Vlorës. Gjatë rrugës ishin bashkuar vullnetarë nga Fieri e Lushnja, por mbrëmja i kishte zënë aty, te kodrat me ullinj të Bestrovës, dhe aty kishin hapur pozicione luftimi.
Lufta është bërë e ashpër kundër bersalierëve italianë, të cilët kërkonin të hapnin rrugën automobilistike. Ka të vrarë dhe në Berat ka fshatra me dëshmorë të kësaj beteje(faqja 12).