𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗺𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺 𝗶 𝘀𝗵𝘂𝗺𝗲𝗳𝗶𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗺𝗲 𝗴𝗮𝘇𝗶𝗻 𝗮𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲 𝗹𝗲𝗻𝗴𝘀𝗵𝗲𝗺 𝗻𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲!

𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗺𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺 𝗶 𝘀𝗵𝘂𝗺𝗲𝗳𝗶𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗺𝗲 𝗴𝗮𝘇𝗶𝗻 𝗮𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲 𝗹𝗲𝗻𝗴𝘀𝗵𝗲𝗺 𝗻𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲!

Memorandumi i nënshkruar më 28 prill 2026 në kryeministri mes ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtuesit të Grupit grek Aktor, kompani që hodhi në gjyq tetë vite më parë shtetin shqiptar dhe i mori dhjetra milionë euro dëmshpërblim, përbën një mashtrim të shumëfishtë të Ramës mbi gjoja një investim historik amerikan në Shqipëri, për arësyet e mëposhtme:
I. Rama: marrëveshje pë gazin amerikan pa asnjë amerikan!
Sikurse gazeta “Sot” ka denoncuar me kthjelltësi, kurajo dhe përgjegjësi ndaj së vërtetës për lexuesit e saj në shkrimin editorial të botuar më datë 1 maj 2026, më 28 prill 2026, në mjediset kryeministrisë, Rama u shiti shqiptarëve, në një mashtrim të rëndë të radhës, një marrëveshje për blerjen e gazit të lëngshëm amerikan në 20 vitet e ardhshme nga Shqipëria, si një gjoja “investim historik amerikan” prej 6 miliardë dollarësh!
Çfarë të bën përshtypje tek kjo lojë e madhe e paturpshme e Ramës, është fakti i thjeshtë, i kapur edhe nga gazeta “Sot”, se si ambasada amerikane në Tiranë, e cila është shumë e vëmendshme ndaj çdo investimi real amerikan në Shqipëri dhe del rregullisht me njoftim për shtyp në të njëjtën kohë, më 28 prill heshti. Heshti, ndaj një “investimi historik” amerikan prej 6 miliardë dollarësh! Dhe në ceremoninë e gjoja nënshkrimit të investimit, nuk ishte asnjë përfaqësues i ambasadës amerikane në Tiranë. Nuk ishte asnjë përfaqësues as edhe i vetë firmës së madhe amerikane “Venture Global”, me seli në Arlington të shtetit Virxhinia, në SHBA, të supozuar të kryejë pjesën dërrmuese të “investimit” prej 6 miliardë dollarësh në Shqipëri, në 20 vjet.
Në kulturën e biznesit, nëse një kompani shumëkombëshe kryen një investim strategjik në një vend kudo në botë, dërgon një përfaqësues të lartë të saj në nënshkrimin e angazhimit, në mos vetë drejtuesin e saj. Më 28 prill 2026, në Tiranë, në lojën e madhe mashtruese të Ramës, kompania amerikane “Venture Global” nuk kishte asnjë përfaqësues!
Ndërkohë që të njëjtën ditë, në Kroaci, ishin në nënshkrimin atje të investimit për gazin e lëngshëm amerikan në Kroaci, përfaqësuesit kryesorë të kompanisë amerikane “AAFS Infrastructure and Energy”.
Në Shqipëri ishte po…, drejtuesi i kompanisë greke Aktor, kompani e cila na hodhi në gjyq si shtet për kostot shtesë të rrugës Tiranë-Elbasan dhe që me vendimin e datës 1 shtator 2020 të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, na mori 44 milionë euro dëmshpërblim, së bashku me kompaninë tjetër greke “Copri”.
Rama luajti me ardhjen në Tiranë të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, për nënshkrimin e Shqipërisë me drejtuesin e kompanisë greke Aktor. Ambasadorja amerikane në Athinë, në kushtet e mungesës së përfaqësuesve zyrtarë të ambasadës amerikane në Shqipëri, ishte në kushtet e pamundësisë për të promovuar interesat e kapitalit amerikan në Shqipëri. Për më tepër që vetë ky kapital amerikan nuk kishte në ceremoninë e nënshkrimit asnjë përfaqësues!
Në Shqipëri, për fat të keq, ndryshe nga sa pretendon propaganda e çalë e Ramës, nuk do të ketë asnjë dollar investim direkt amerikan në sipërmarrjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG) amerikan. Thjesht kompania “Atlantic-See LNG Trade” (ku kompania greke Aktor zotëron 60 për qind të aksioneve) do ta blejë gazin LNG në SHBA, do ta sjellë në terminalin që po përshtatet në Greqi dhe pastaj do t’ia rishesë atë Shqipërisë, me një komision si ndërmjetëse. Dhe shqiptarët do të blejnë këtë gaz amerikan, përmes sekserit grek, në shifra dhe vlerë deri afër 6 miliardë dollarë gjatë 20 viteve të ardhshme.
Po të kishte investime amerikane në shifrën e 6 miliardë dollarëve, të paktën në marrëveshjen-memorandum të 28 prillit do të kishte një referim, përmendje apo qoftë edhe një detaj të vetëm, për investim real të kapitalit amerikan dhe të kompanive amerikane në portin e Vlorës, për të sjellë gazin LNG amerikan në Shqipëri. Ishte pikërisht momenti që këto investime, po të ishin, të përmendeshin. Por nuk u përmendën!
II. Memorandumi i 28 prillit, vazhdim i famëkeqit AMBO për Gjirin e Vlorës
Pas ardhjes në shtator 2022 të dy TEC-eve të amortizuara lundruese në Gjirin e Vlorës, dy bomba bërthamore ekologjike për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, ndërtimi i terminaleve lundruese të gazit të lëngshëm për 20 vitet e ardhshëm po projektohet si katastrofa e re madhore ekologjike e vendit, e thurur dhe ideuar nga Rama.
Kjo katastrofë ngjan si dy pika uji me dëmin fatal ekologjik që do të kishte shkaktuar naftësjellësit famëkeq AMBO, po të ishte zbatuar. Ai ishte një projekt që perfshinte tri shtete: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, për të sjellë naftën në Vlorë, nga pellgjet naftëmbajtëse të Rusisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit dhe Turkmenistanit. Rrjedhjet nga tubacionet e naftës, por edhe derdhjet që do të kishin anijet që do të hynin çdo ditë në gjirin e Vlorës, për t’u furnizuar me naftën e AMBO-s, do ta kishin shkatërruar përfundimisht ekosistemin e Perlës sonë të Adriatikut dhe gjasat për turizmin shqiptar.
Të njëjtin dëm ekologjik përgatitet të shkaktojë edhe terminali lundrues i gazit të lëngshëm në Vlorë, kësaj rradhe, i maskuar si gjoja investim amerikan.
Bashkimi Evropian po intensifikon politikat e tij për tranzicionin energjetik dhe uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile, duke përfshirë edhe gazin natyror të lëngshëm (LNG), i cili deri vonë konsiderohej një zgjidhje kalimtare pas krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Së fundmi, institucionet europiane dhe organizatat mjedisore po kërkojnë kufizim gradual të përdorimit të LNG-së për shkak të kostove të larta ekologjike që lidhen me prodhimin, transportin dhe konsumimin e tij.
Një nga shqetësimet kryesore të BE-së lidhet me procesin e lëngëzimit të gazit natyror, i cili kërkon konsum të madh energjie për ta ftohur gazin në rreth -162°C. Ky proces rrit ndjeshëm gjurmën e karbonit krahasuar me gazin natyror të transportuar me tubacione. Përveç kësaj, transporti i LNG-së realizohet me anije speciale që konsumojnë sasi të konsiderueshme karburanti dhe shtojnë emetimet globale.
Krejt ndryshe nga ajo që po synon të bëjë Rama në Vlorë, Bashkimi Evropian po përpiqet të shmangë krijimin e një varësie të re afatgjatë nga infrastruktura e gazit natyror të lëngshëm(LNG). Brukseli thotë me bindje dhe forcë se investimet e mëdha në terminale importi, depozita dhe rrjete shpërndarjeje rrezikojnë të “ngrijnë” përdorimin e gazit për dekada, duke ngadalësuar zhvillimin e energjive të rinovueshme si dielli, era, hidrogjeni i gjelbër dhe sistemet e ruajtjes së energjisë.
III. Rama: sekser i rëndomtë dhe i zellshëm i interesave greke në rajon
Themelimi i Atlantic-See LNG Trade në fund të vitit 2024 shënoi një ndryshim rrënjësor në strategjinë e furnizimit me gaz në Ballkan. Me një strukturë aksionere ku grupi grek Aktor zotëron 60%, përmes Aktor Energy dhe kompanisë tjetër greke DEPA Commercial, që mban 40% të aksioneve, kjo kompani nuk është thjesht një subjekt tregtar, por një mjet i fuqishëm i diplomacisë energjetike greke. Synimi i saj është shndërrimi i Greqisë dhe porteve të saj në një qendër energjetike për të gjithë rajonin. Por që Rama të shesë gjoja “shndërrimin e Vlorës” në qendër energjetike në rajon, përmes interesave greke, kjo është shumë e trashë për qytetarët tanë, që ta gëlltisin!
Për Shqipërinë, nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit me Atlantic-See LNG Trade në shkurt të vitit 2026, gjatë samitit në Washington, përfaqëson një lidhje të re organike me interesat greke, me Ramën që po luan rolin e një sekseri të rëndomtë e gjithë zell për Athinën.
Dhe në këtë aferë sekserllëku, pyetja themelore që ngrihet është: sa do të jetë kosto e këtij ndërmjetësimi për Shqipërinë? Ndërsa Atlantic-See LNG Trade siguron gazin nga prodhuesi amerikan “Venture Global” me kontrata afatgjata që fillojnë në vitin 2030, Shqipëria hyn në këtë zinxhir si një blerës fundor, duke paguar jo vetëm çmimin e gazit, por edhe marzhet e fitimit të kompanisë greke Aktor dhe tarifat e regazifikimit në terminalet greke!
Analisti i mirënjohur Robert Papa, në emisionin e tij “Fokus”, cilëson se “Micotaqis kërkon të ndotë Vlorën me TEC-e, koha e të cilëve ka perënduar, për të mos ndotur bregdetin grek”
Rama duhet të bëjë publike detajet e Memorandumit të nënshkruar në Washington në shkurt 2026 me kompaninë greke Atlantic-See LNG Trade. Veçanërisht, sa i përket formulës së çmimit të blerjes së gazit natyror të lëngshëm amerikan nga Shqipëria, duke filluar nga viti 2030.
xxx
Memorandumi i nënshkruar më 28 prill 2026 në Tiranë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Shqipër, hap një debat të ri mbi balancën mes sigurisë energjetike, interesave ekonomike dhe objektivave klimatikë europianë. Ndërsa mashtruesi Rama e shet këtë marrëveshje si një hap strategjik për diversifikimin energjetik dhe rritjen e rolit të vendit në rajon, në Bashkimin Evropian po shtohen shqetësimet mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve në gaz.
Një nga shqetësimet kryesore të BE-së lidhet me faktin se Europa po përpiqet të reduktojë gradualisht konsumin e gazit natyror, përfshirë LNG-në, në kuadër të objektivit për neutralitet klimatik. Në këtë kontekst, investimet në terminale, depozita dhe rrjete të reja gazi rrezikojnë të krijojnë asete të bllokuara, pra projekte që mund të humbin vlerën ekonomike, përpara se sa të amortizohen.
Rama me papërgjegjshmëri absolute nuk pyet për këto rreziqe në lojën e tij të mashtrimit të shumëfishtë, por për Shqipërinë dhe shqiptarët paradoksi është i dukshëm. Vendi ynë ka një profil energjetik pothuajse tërësisht të bazuar në burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike, kryesisht hidrocentrale dhe gjithnjë e më shumë ferma fotovoltaike. Kthimi tek gazi dhe zgjerimi drejt LNG-së vë në pikëpyetje totale avantazhin konkurrues që Shqipëria ka ndërtuar, si ekonomi me energji 100 përqind të pastër.