70 vite më parë, më 28 maj, lindi një nga heronjtë më të shquar të historisë sonë kombëtare, Heroi i Kosovës ,nderi i Kombit shqiptar, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci.

70 vite më parë, më 28 maj, lindi një nga heronjtë më të shquar të historisë sonë kombëtare, Heroi i Kosovës ,nderi i Kombit shqiptar, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci.

Sot, kujtojmë me nderim e krenari jo vetëm një luftëtar të madh të lirisë, por një figurë të rrallë njerëzore e kombëtare, një burrë të fjalës, të besës, të sakrificës dhe të idealit të shenjtë për çlirimin dhe dinjitetin e Kosovës.
Fehmi Lladrovci ishte ndër ata njerëz që historia i lind rrallë. Ai nuk jetoi për lavdi personale, por për lirinë e popullit të tij. Nuk luftoi për pushtet, por për dinjitetin kombëtar. Nuk e deshi jetën më shumë se atdheun. Përkundrazi, ai ishte i gatshëm ta jepte jetën në çdo çast për Kosovën e lirë.
Si komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, brigadë që më pas mori emrin e tij, Fehmiu u bë simbol i rezistencës, i organizimit dhe i luftës së drejtë çlirimtare. Ai ishte një nga komandantët më të respektuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm për trimërinë e tij, por edhe për urtësinë, largpamësinë dhe humanizmin që e karakterizonte.
Në kohën kur propaganda serbe përpiqej ta paraqiste UÇK-në si organizatë terroriste, Fehmi Lladrovci iu përgjigj botës me argumente, me qetësi dhe me dinjitet. Në intervistën e tij për BBC World në maj të vitit 1998, ai shprehu filozofinë politike dhe morale të luftës së UÇK-së. Kur gazetari anglez i tha:
“Për serbët ju jeni terroristë”,
Fehmiu iu përgjigj: “Le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë.”
Këto fjalë mbeten edhe sot dëshmi e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe e vizionit politik e njerëzor të heronjve të saj.
Një ditë para rënies heroike, Fehmi Lladrovci u tha bashkëluftëtarëve të tij:
“Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë që do të futet në analet e historisë.” Më 22 shtator 1998, në një betejë të pabarabartë kundër forcave serbe, ranë heroikisht komandanti Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, luftëtarja e lirisë, Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Ata nuk u ndanë as në jetë dhe as në luftë. Jetuan bashkë për idealin e lirisë dhe ranë bashkë për të njëjtin ideal, duke hyrë përgjithmonë në panteonin e pavdekësisë së kombit shqiptar.
Fehmiu dhe Xheva mbeten ndër figurat më emblematike të epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata ishin zëri i qëndresës, fytyra e sakrificës dhe simboli i dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.
Studiuesi, drejtuesi dhe veprimtari i çështjes kombëtare, z.Bedri Islami, në librin “Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme”, i përshkruan ata si njerëz që depërtuan deri në thellësinë e dhimbjes së Kosovës dhe u bënë pjesë e saj përjetësisht.
“Ai dhe Xheva, si pak kush tjetër, depërtuan deri thellë në dhimbjen e Kosovës derisa, përkohësisht, u bënë pjesë e dhimbjes së saj, e më pas, përjetësisht, pjesë e heqjes së saj.
Fisnikëria e shpirtit të Fehmiut dhe të Xhevës i çoi në rrugën e vështirë të sakrificës për popullin e tyre. Kushdo që i njihte apo largohej nga një takim me Fehmiun, ndihej më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i bindur në drejtësinë e kauzës kombëtare. Fehmiu ishte njeriu i fjalës së dhënë. I luftës dhe i qëndresës. I besës dhe i sakrificës. Ai jetoi, luftoi dhe ra heroikisht ashtu si kishte folur.”
Sot, monumenti madhështor i çiftit heroik Fehmi dhe Xhevë Lladrovci në Drenas qëndron si simbol krenarie për kombin shqiptar dhe si dëshmi e përjetshme e sakrificës së tyre sublime për lirinë e Kosovës.
Në këtë 70-vjetor të lindjes së Heroit Fehmi Lladrovci, përulemi me respekt para jetës dhe veprës së tij. Kujtimi për të nuk do të shuhet kurrë, sepse njerëz të tillë nuk i përkasin vetëm kohës së tyre ata i përkasin përjetësisë së kombit.
Lavdi e përjetshme Heroit Fehmi Lladrovci!