𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

Gjatë vitit 2025, Autoriteti i Konkurrencës është përballur me një sërë mangësish, që kanë ndikuar në efektivitetin dhe besueshmërinë e tij, si institucion përgjegjës për ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Edhe pse misioni ligjor i institucionit mbetet garantimi i funksionimit të tregjeve në mënyrë të hapur dhe konkurruese, zhvillimet e vitit 2025 kanë nxjerrë në pah kufizime të rëndësishme në veprimtarinë e tij.
I. Mungesë e pavarësisë reale institucionale
Një nga problemet më të theksuara edhe gjatë vitit 2025 ka qenë ndikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i faktorëve politikë dhe grupimeve ekonomike, në proceset hetimore dhe vendimmarrjen e Autoritetit. Kjo ka bërë që hetimet ndaj disa tregjeve të rëndësishme, si ai i karburanteve, i sigurimeve, i telefonisë celulare, apo i tregtisë me pakicë, të mos përfundojnë me masa konkrete, ose të mbyllen pa rezultate të dukshme.
Në jo pak raste, hetime të nisura ndaj kompanive të mëdha apo tregjeve të ndjeshme janë zvarritur, pezulluar ose mbyllur, pa arritur në përfundime konkrete, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të jashtme. Grupet e fuqishme ekonomike, të lidhura shpesh me interesa politike, kanë ushtruar presion edhe gjatë vitit të kaluar tek AK, për të shmangur masa ndëshkuese ose publikimin e rezultateve të hetimeve.
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës i garanton Autoritetit pavarësi në veprim, por mënyra e emërimit të anëtarëve të Këshillit të tij mbetet e politizuar. Edhe gjatë vitit 2025, ky mekanizëm u vu sërish në qendër të debatit publik, pasi vendimmarrja për pozicionet e disa anëtarëve të Këshillit reflektoi më shumë balancat politike, sesa kriteret profesionale. Kjo ka krijuar një varësi të ndjeshme institucionale ndaj pushtetit ekzekutiv, duke e bërë të vështirë që Autoriteti të veprojë kundër praktikave monopoliste apo bashkimeve që mund të cënojnë tregun, kur ato përfshijnë kompani të mbështetura nga politika.
Në disa sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni apo transporti, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime për përmirësimin e klimës konkurruese, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar nga institucionet përkatëse. Kjo tregon një mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe dobësi në mekanizmat e detyrimit për zbatimin e vendimeve apo këshillave të Autoritetit.
Një tregues tjetër i mungesës së pavarësisë reale ka qenë pasiviteti i Autoritetit të Konkurrëncës, përballë zhvillimeve të ndjeshme ekonomike. Ndërkohë që çmimet e disa ushqimeve bazë dhe shërbimeve publike u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2025, Autoriteti reagoi me vonesë, shpesh duke u mjaftuar me deklarata të përgjithshme, në vend të hetimeve të plota administrative. Kjo vonesë ka ulur efektin parandalues të veprimtarisë së tij dhe ka ndikuar negativisht në perceptimin publik për rolin mbrojtës të institucionit.
Ky qëndrim pasiv lidhet jo vetëm me mungesë kapacitetesh profesionale, por edhe me mungesën e vullnetit institucional të AK, për të sfiduar interesa të fuqishme ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në politikëbërje.
II. Mangësi të theksuara në burimet njerëzore, teknike dhe në digjitalizim
Një nga problemet më të mëdha gjatë vitit 2025 ka qenë stafi i reduktuar dhe mungesa e ekspertëve me përvojë në fushën e analizës ekonomike, konkurrencës dhe vlerësimit të tregjeve. Shumë sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni, tregu financiar apo ai ushqimor, kërkojnë analiza të thelluara dhe kompetenca teknike që Autoriteti nuk ka mundur t’i sigurojë, për shkak të burimeve njerëzore të pamjaftueshme.
Numri i specialistëve të konkurrencës dhe ekonomistëve të tregut ka mbetur i ulët, ndërsa lëvizjet e shpeshta të stafit drejt institucioneve të tjera publike apo sektorit privat kanë krijuar vakume profesionale, që nuk janë zëvendësuar në kohë. Si pasojë, shumë hetime administrative janë zvarritur ose mbyllur, pa rezultate të qarta. Kjo ka kufizuar aftësinë e AK për të kryer hetime të thelluara dhe për të ndjekur me efikasitet rastet e abuzimit me pozitën dominuese, apo marrëveshjeve të fshehta ndërmjet operatorëve.
Autoriteti i Konkurrencës ka vijuar të operojë me infrastrukturë teknologjike të kufizuar, që nuk përputhet me standardet moderne të analizës së tregut. Sistemet e vjetra të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave nuk i lejojnë institucionit të kryejë analiza të avancuara për sjelljen e çmimeve, marrëveshjet e mundshme të fshehta apo abuzimet me pozitën dominuese. Në mungesë të mjeteve analitike moderne, vlerësimet për strukturën dhe dinamikën e tregjeve janë mbështetur kryesisht në të dhëna manuale dhe raporte nga vetë subjektet që hetohen, çka e kufizon ndjeshëm saktësinë dhe objektivitetin e analizave.
Gjatë vitit 2025, Autoriteti ka avancuar shumë pak në drejtim të digjitalizimit të punës. Proceset e monitorimit të tregut, hetimeve administrative dhe raportimit vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë tradicionale, duke u mbështetur në dokumentacion manual dhe procedura burokratike. Mungesa e digjitalizimit dhe mjeteve analitike moderne ka bërë që proceset e monitorimit të tregjeve të mbeten të ngadalta dhe të pasakta.
Nga ana tjetër, mungesa e një platforme dixhitale të integruar për mbikëqyrjen e tregjeve e ka bërë të pamundur ndjekjen në kohë reale të ndryshimeve të çmimeve, bashkimeve ose marrëveshjeve tregtare.
Po ashtu, mungesa e transparencës online në publikimin e vendimeve dhe rekomandimeve ka kufizuar aksesin e publikut dhe të biznesit në informacionin institucional.
Në kuadër të integrimit evropian, Shqipëria është e detyruar të përputhë funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Megjithatë, gjatë vitit 2025, ky proces ka qenë i ngadalshëm pikërisht për shkak të kufizimeve njerëzore dhe teknike. Ndryshe nga homologët në vendet e rajonit, Autoriteti shqiptar i Konkurrencës ka pasur vështirësi në përdorimin e sistemeve digjitale për analizën e tregut, në ndërtimin e databazave të integruara dhe në trajnimin e stafit me metodat bashkëkohore të hetimit të praktikave monopoliste.
III. Transparencë e kufizuar dhe komunikim publik i dobët
Një tjetër aspekt problematik ka qenë transparenca e ulët në publikimin e vendimeve dhe rezultateve të hetimeve. Shumë nga raportet e vitit 2025 nuk janë shoqëruar me argumentim të plotë ligjor dhe ekonomik, çka ka vështirësuar llogaridhënien ndaj publikut dhe ka ulur besueshmërinë e institucionit.
Mungesa e komunikimit aktiv me median dhe me bizneset ka kontribuar në perceptimin e Autoritetit si një institucion pasiv dhe burokratik. Edhe gjatë vitit 2025, shumë nga hetimet e Autoritetit ndaj sektorëve strategjikë janë mbyllur me vendime të shkurtuara dhe me mungesë argumentimi të detajuar.
Shumica e publikimeve në faqen zyrtare janë kufizuar në njoftime të përgjithshme, pa zbuluar analizat ekonomike që justifikojnë konkluzionet, çka ka vështirësuar çdo kontroll publik mbi vendimmarrjen. Kjo praktikë ka krijuar perceptimin se Autoriteti operon me dy standarde: një për opinionin publik dhe një tjetër për subjektet që hetohen. Në një kohë kur transparenca dhe komunikimi janë thelbësore për besimin në institucionet publike, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2025 ka treguar një prani shumë të zbehtë në hapësirën publike, sidomos në atë televizive dhe në rrjetet sociale, edhe pse çështjet që trajton AK janë në interes të fortë të qytetarëve.
Konferencat për shtyp, deklaratat zyrtare dhe raportimet periodike kanë qenë të rralla dhe shpesh të vonuara, duke i lënë qytetarët dhe bizneset pa informacion të qartë mbi hetimet e nisura apo vendimet e marra. Edhe në raste të akuzave në media për marrëveshje të fshehta në tregje të ndjeshme, Autoriteti ka preferuar heshtjen institucionale, në vend të një qëndrimi reagues të qartë dhe profesional. Kjo qasje ka dobësuar ndjeshëm perceptimin e tij si një autoritet dhe mbrojtës aktiv i interesit publik.
xxx
Raporti vjetor i Autoritetit për vitin 2025 është formal dhe më shumë përmbledhës, sesa analitik. Ai ofron të dhëna të përgjithshme mbi numrin e hetimeve apo rekomandimeve, por i mungon analiza konkrete për ndikimin e vendimeve në treg dhe tek konsumatorët.
Pa një raport të thelluar dhe të qartë për publikun, transparenca e Autoritetit ka mbetur në nivel administrativ, pa krijuar realisht llogaridhënie apo ndjeshmëri shoqërore mbi rolin që luan ky institucion në mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit.
Mungesa e transparencës online dhe e komunikimit në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale e kanë bërë Autoritetin një institucion pak të dukshëm, që vepron në prapaskenë, pa shpjeguar publikisht rolin dhe ndikimin e tij në ekonomi.
Këto mangësi kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në perceptimin publik. Bizneset e vogla dhe konsumatorët e shohin Autoritetin si një institucion të largët, me rol të kufizuar praktik, ndërsa kompanitë e mëdha shpesh nuk e ndjejnë presionin e kontrollit të tij institucional.
Kur mungon transparenca, zbehet edhe efekti parandalues që duhet të ketë veprimtaria e Autoritetit të Konkurrëncës në treg. Pa komunikim të hapur dhe pa llogaridhënie, institucioni humbet besueshmërinë dhe ndikimin real në mbrojtjen e konkurrencës.