𝗠𝗮𝗸𝗿𝗼𝗮𝗻𝗮𝗹𝗶𝘇𝗮 𝗲 𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗽𝗲𝗿 𝗲𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶𝗻𝗲 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝘃𝗲𝗺𝗲𝗻𝗱𝗷𝗮 𝗷𝗼𝗻𝗲!

𝗠𝗮𝗸𝗿𝗼𝗮𝗻𝗮𝗹𝗶𝘇𝗮 𝗲 𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗽𝗲𝗿 𝗲𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶𝗻𝗲 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝘃𝗲𝗺𝗲𝗻𝗱𝗷𝗮 𝗷𝗼𝗻𝗲!

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) i vitit 2026 për klimën e investimeve tek ne(state.govuploads/2026/09/701264_2026-Albania-Investment-Climate-Statement.pdf ) e vendos ekonominë shqiptare përballë një sërë problematikash të thella dhe të mprehta strukturore dhe me origjinë politikë(mungesë e vullnetit politik), të cilat e kufizojnë ndjeshëm potencialin e saj për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më produktiv për shqiptarët.
Ndër problematikat e evidentuara në Raport, përfshihen korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, produktiviteti i ulët dhe ekonomia informale.
Këto nuk janë probleme të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato e kanë një bazë ushqimi të përhershëm abuziv, mungesën e vullnetit politik të sektit në qeverisje. Sipas DASH, ato krijojnë një zinxhir pasojash ekonomike: dobësojnë konkurrencën, rrisin kostot e të bërit biznes, ulin eficiencën e investimeve, favorizojnë informalitetin dhe e bëjnë më të vështirë kalimin e ekonomisë sonë, nga një model i mbështetur në konsum, ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme drejt një modeli me më shumë produktivitet, teknologji dhe vlerë të shtuar për qytetarët tanë.
I. DASH: korrupsioni, një kosto e madhe ekonomike dhe politike
DASH e cilëson hapur se korrupsioni mbetet një kosto e madhe ekonomike dhe politike për vendin. Korrupsioni nuk është vetëm problem institucional apo juridik. Ai ka një kosto të drejtpërdrejtë ekonomike.
Kur vendimmarrja publike ndikohet nga interesa të veçanta, kompanitë nuk konkurrojnë më vetëm mbi bazën e çmimit, cilësisë, inovacionit dhe eficiencës. DASH cilëson se kjo favorizon ndërmarrje vendase të caktuara dhe penalizon bizneset e tjera vendase të palidhura me politikën dhe investitorët e huaj.
DASH rendit ndër pasojat rritjen e kostos së projekteve, uljen e eficiencës së shpenzimeve publike, dobësimin e ndjeshëm të konkurrencës, frenimin e investimeve cilësore dhe uljen e besimit të sipërmarrjes.
II. Krimi i organizuar krijon ekonomi paralele
Raporti thekson se prania e krimit të organizuar në ekonominë e Shqipërisë krijon rrezikun e zhvillimit të aktiviteteve ekonomike që nuk funksionojnë sipas rregullave normale të tregut. Kapitali i krijuar nga veprimtari kriminale depërton në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si në ndërtim dhe në pasuri të paluajtshme, duke krijuar konkurrencë jo të barabartë me kapitalin që është krijuar në mënyrë të ligjshme.
Kjo është veçanërisht problematike në tregje ku qarkullojnë shuma të mëdha kapitali, si në ndërtim, pasuri të paluajtshme, turizëm, tregti, shërbime dhe transport.
DASH thekson se nëse një pjesë e kapitalit nuk i nënshtrohet të njëjtave rregulla si kapitali i ligjshëm, tregu humbet funksionin e tij normal konkurrues.
Raporti cilëson se pastrimi i parave është një nga problematikat më të rëndësishme për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria. Rreziku nuk lidhet vetëm me sistemin financiar. Paratë me origjinë të paligjshme kanë tentuar të integrohen në ekonominë formale, përmes investimeve, blerjeve të pasurive të paluajtshme, kompanive ose aktiviteteve të tjera.
Kjo ka sjellë një efekt të dyfishtë. Nga njëra anë, rrit aktivitetin ekonomik në mënyrë artificiale në disa sektorë. Nga ana tjetër, rrit çmimet, deformon konkurrencën dhe e zhvendos kapitalin e ligjshëm, i cili detyrohet të investojë në tregjet rajonale, si në Kosovë, Maqedoni të Veriut, ose edhe të emigrojë.
DASH thekson se konkurrenca e deformuar e ka dëmtuar biznesin e ndershëm. Nëse një kompani përballet me kosto, taksa, kontrolle dhe detyrime që nuk i përballon një konkurrent tjetër, atëherë tregu nuk funksionon në mënyrë eficente. Për Raportin, konkurrenca e deformuar ka disa pasoja të rënda. Së pari, dekurajon bizneset produktive. Së dyti, frenon investimet afatgjata. Së treti, ul presionin për inovacion. Së katërti, mund të favorizojë kompanitë që kanë akses më të madh te burimet administrative apo financiare dhe, së pesti, në periudhë afatgjatë ul produktivitetin e ekonomisë.
Prandaj dhe një ekonomi si e Shqipërisë mund të ketë rritje të PBB-së, por kjo nuk do të thotë se ka rritur në të njëjtën masë cilësinë e konkurrencës. Në të kundërt.
Për DASH, produktiviteti i ulët është një problem thelbësor. Nëse Shqipëria dëshiron të rrisë pagat në mënyrë të qëndrueshme, duhet të rrisë produktivitetin. Kjo është një nga sfidat më të rëndësishme të dekadës së ardhshme. Raporti cilëson se rritja e pagës nuk mund të mbështetet vetëm tek presioni i tregut të punës; ajo duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë tek rritja e vlerës së prodhuar nga çdo punonjës.
III. Ekonomia informale zvogëlon bazën e ekonomisë formale
Për DASH, informaliteti krijon një ekonomi me dy standarde. Biznesi formal paguan taksat, kontributet, respekton rregullat dhe përballon kostot administrative. Ndërkohë, biznesi informal mund të ketë avantazh pikërisht sepse shmang një pjesë të këtyre detyrimeve.
Kjo krijon konkurrencë të padrejtë dhe dëmton bizneset që respektojnë ligjin. Informaliteti gjithashtu zvogëlon të ardhurat tatimore, dobëson mbrojtjen sociale, cenon të drejtat e punonjësve, kufizon aksesin në financim dhe pengon formalizimin dhe rritjen e kompanive.
Për një ekonomi që synon integrimin europian, formalizimi duhet të jetë një objektiv i vazhdueshëm.
Raporti i DASH trajton dy profile themelore problematike të ekonomisë sonë. Zinxhirin Korrupsion → konkurrencë e deformuar → investime më pak eficiente dhe → produktivitet më i ulët, si dhe zinxhirin tjetër të sektit Rama: Krim i organizuar → pastrim parash → depërtim i kapitalit të paligjshëm dhe → deformim i tregut.
Për DASH, kjo tregon se Shqipëria nuk ka përballë shtatë probleme të ndara, por një problem të përbashkët madhor, të mungesës së cilësisë dhe qendrueshmërisë së zhvillimit ekonomik, për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
IV. A kthehet dot Raporti i DASH në një instrument të llogaridhënies publike?
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) i vitit 2026 për klimën e investimeve tek ne konkludon se korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, emigracioni, produktiviteti i ulët dhe informaliteti nuk janë vetëm probleme të administrimit tonë publik. Ato kanë pasoja konkrete mbi investimet, pagat, konkurrencën, financat publike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Nëse Shqipëria dëshiron të kalojë në një fazë të re zhvillimi, sfida nuk është vetëm të tërheqë më shumë kapital, turistë apo investime. Sfida është që kapitali të shkojë drejt aktiviteteve produktive, që bizneset të konkurrojnë mbi bazën e eficiencës dhe inovacionit dhe që fuqia punëtore të jetë më e kualifikuar.
Raporti i DASH nuk duhet të mbetet një dokument kalimtar, si shumë të tjerë nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që na monitorojnë. Detyrimi i parë i institucioneve shqiptare, në rradhë të parë i Kuvendit dhe Ekzekutivit, është që gjetjet e raportit të mos trajtohen si një dokument diplomatik që lexohet dhe më pas arkivohet. Ato duhet të kthehen në objektiva konkrete, në politika publike, në ndryshime ligjore, në reforma institucionale, në mekanizma monitorimi dhe në afate të matshme.
Një raport ndërkombëtar, aq më shumë që vjen nga DASH, ka vlerë reale vetëm nëse gjetjet e tij përdoren për të përmirësuar realitetin që ai përshkruan.
Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm institucioni që miraton ligjet e propozuara nga qeveria. Ai duhet të luajë një rol të rëndësishëm në analizimin e klimës së investimeve. Komisionet parlamentare për ekonominë, financat, integrimin europian dhe çështjet ligjore duhet të analizojnë në mënyrë të posaçme problematikat e evidentuara nga DASH.
Do të ishte me rëndësi që qeveria të raportojë periodikisht në Kuvend se çfarë problemesh janë identifikuar nga ky Raport, çfarë masash janë marrë, cilat rekomandime janë zbatuar, cilat nuk janë zbatuar dhe pse. Kjo do ta kthente raportin nga një dokument vlerësimi në një instrument të llogaridhënies publike.
Për fat të keq, shndërrimi i Raportit të DASH 2026 për klimën e investimeve tek ne nuk ka asnjë gjasë të kthehet në një instrument të llogaridhënies publike.
Problemet e thella që ai evidenton janë sot probleme të pazgjithshme, për shkak se në qeverisje qëndron një sekt abuziv dhe autokrat si sekti Rama. Pa e hequr qafe këtë sekt që ka 14 vite që ka kapur peng zhvillimin e vendit, potenciali ekonomik i Shqipërisë jo vetëm mbetet i pashfrytëzuar, por ekonomia jonë rrezikon të mbetet në një krizë permanente, pavarësisht rritjes ekonomike vjetore prej 3.5 përqind që nuk ngroh askënd tek ne.