Mendime mbi Reformën Zgjedhore

Mendime mbi Reformën Zgjedhore

I- Pro koalicioneve parazgjedhore, sepse: Koalicionet janë të rëndësishme jo vetëm për Partinë Demokratike (Rithemelimin), por në radhë të parë për vetë demokracinë! Sepse nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore të gjitha partitë opozitare të djathta dhe qendrës kanë mundësinë e asocimit politik maksimalist. Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, ndershmëria e barazia e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi drejt i vullneteve të tyre në qeverisjen qendrore. Në këtë mënyrë asnjë votë e opozitës nuk shkon dëm, si nga partitë e vogla të djathta ashtu edhe nga ato parti opozitare, të cilat mund të krijohen pak muaj përpara zgjedhjeve (të nxitura ose jo nga loja e pistë e Ramës). Le të mos harrojmë që në rast se do të ishin lejuar koalicionet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ashtu siç i kërkoi PD, opozita sot do të ishte në pushtet! Ndaj zhbërja e ndryshimeve kushtetuese që hoqën koalicionet dhe që u kaluan me ndihmën e opozitës “kërpëratë” duhet të jetë kërkesë e vazhdueshme dhe e panegociueshme e opozitës sot. Më hollësisht këtë çështje e kam theksuar në diskutimin tim në Parlament në 5 maj 2023 (Pse deputetët e Kuvendit, veçanërisht ne të opozitës, duhet të votojmë kundër paketës për rritjen e pagave.), paragrafi I.2: “Thika pas shpine në garat zgjedhore. … Ne si opozitë nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, për sa kohë nuk kryhet e plotë reforma zgjedhore në vend. Rama u tall më 2020 dhe 2021 me interesin madhor të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe me transparencë. Po me deputetët e kërpëratave, shkeli në prill 2021 marrëveshjen politike të qershorit 2020 për reformën zgjedhore, e cila dukej se kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pengimi i koalicioneve parazgjedhore ishte një thikë pas shpine ndaj përpjekjeve që bëri opozita, për të garantuar një garë të drejtë zgjedhore. Kjo thikë pas shpine solli deformimin e garës, dhe për rrjedhojë, edhe të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021… …Rama na goditi sërish më 2023 në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku, përmes makinacioneve, pengoi koalicionet parazgjedhore dhe i kushtëzoi ato, deri në përcaktimin e vulës apo siglës, apo, sikurse na ndodhi ne, deri në mosvendosjen e emrit të kryetarit të koalicionit në fletën e votimit…”

II- Pro listave të hapura, sepse:

Vetëm në këtë mënyrë sigurohet transparenca në zgjedhjet politike të kandidatëve për në Kuvendin e Shqipërisë. Shmanget në maksimum kryetarokracia dhe kandidatët e preferuar të kryetarit. Gjithashtu listat e hapura nënkuptojnë që duhet të zgjidhen për në Kuvendin e Shqipërisë ata kandidatë, të cilët gëzojnë mbështetjen, besimin dhe marrin përgjegjësinë përpara votuesve. Votimi i kandidatëve me lista të hapura do të rriste cilësinë e të zgjedhurve të Parlamentit, pasi deputetët që do të hyjnë në atë institucion do të duhet të kalojnë disa filtra jo vetëm të zgjidhen nga lidershipi i një partie. Deputetët e zgjedhur duhet të kalojnë “provën” reale te qytetarëve. Lista e hapur bën të mundur që kandidatët në listë të jenë në garë të ndershme edhe mes njëri- tjetrit. Listat e hapura rrisin cilësinë e sistemit, sepse në përzgjedhjen e atyre që do të shkojnë në Parlament, përveç vendimmarrjes së ardhur nga lidershipet e partive, efekt vendimmarrës ka edhe vetë qytetari me përzgjedhjen që vetë do të bëjë. Zhvillimi i Primareve, proces i cili në PD duhet të vazhdojë e të përmirësohet, do të ishte një lloj filtri pozitiv e me impakt të gjerë për kandidatët për deputetë të PD, pasi të korrigjohen dhe pak mangësi nga procesi i mëparshëm.
III- Zvogëlimi i numrit të deputetëve, sepse: Tkurrja e popullsisë ( përflitet në shifrat 1.700.000 banorë)duhet të na bëjë të reflektojmë që edhe numri i deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë të reduktohet, në maksimumi 100, në mënyrë që të rritet përfaqësimi cilësor në pushtetin ligjvënës dhe ky përfaqësim të jetë në raport të drejtë e të pranueshëm me popullsinë e vendit. Besoj se ulja e numrit të deputetëve do të kontribuojë në kthimin e dinjitetit të institucionit ligjvënës, pasi çdo parti do të synojë të zgjedhë paraprakisht kandidatë të spikatur. Njëherazi ky reduktim i numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë duhet të reflektohet edhe në administratën publike, e cila është rritur ndjeshëm në këto 11 vite të pushtetit të sektit Rama me pak specialiste e shumë patronazhistë dhe është e provuar tashmë që patronazhistët punojnë vetëm për partinë e sektin në pushtet duke keqpërdorur taksat e popullit.

IV- Vota e emigrantëve e domosdoshme, sepse: Partia Demokratike duhet të përpiqet për të garantuar dhe të këmbëngulën për votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e cilëson mohimin e të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve si antikushtetuese dhe shkelje të të drejtave themelore të tyre. Vota e emigrantëve nuk duhet të frikësojë politikën shqiptare. Askush nuk duhet ti frikësohet adresës politike të kësaj vote. Ajo është votë e njerëzve që duan vetëm Shqipërinë, prosperitetin dhe të mirën e saj…Natyrisht duhet të përcaktohen mirë modalitetet e regjistrimit të diasporës për pjesëmarrje në votime, sepse mund të ekzistojë rreziku që nëse regjistrohen nëpërmjet portalit e- Albania, të dhënat e tyre mund të keqpërdoren nga qeveria dhe vota e tyre të manipulohet. Mënyra se si do të llogaritet vota e tyre, në cilat qarqe, sa deputetë i korrespondojnë, etj është tjetër gjë, e cila diskutohet në një fazë të dytë.

Botuar në Gazeta Sot më 03.02.2024

Abuzimet flagrante me shtyrjen e dy ligjeve të qepura për oligarkët e Ramës

Abuzimet flagrante me shtyrjen e dy ligjeve të qepura për oligarkët e Ramës

Dy ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi shtyrjen e afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike” deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë.
Në bazë të këtij ligji, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe infrastrukturë rrugore. Shumë oligarkë të Ramës janë gjetur komod me këtë ligj, kanë përfituar pa cak dhe, edhe tani kur janë bërë nëntë vite që kanë vjelur favore, kërkojnë që ai të vazhdojë në pafundësi.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”.
Lind pyetja: pse qeveria nuk e ka sjellë që të gjashta herët vetë kërkësën për shtyrjen e ligjit të përgatitur prej saj, por ngarkon e mbingarkon deputetë të veçantë të shumicës parlamentare? Çfarë kërkon të fshehë, duke i nxjerrë gështenjat nga zjarri, përmes deputetëve të veçantë?
Është shumë e qartë pse qeveria nuk e paraqit vetë kërkesën. Rreket të shmangë llogaridhënien dhe transparencën për ecurinë dështake deri tani, të 55 projekteve që kanë marrë statusin e investimit strategjik dhe kanë shkelur me të dyja këmbët kërkesat dhe kushtet e miratimit të statusit, në nivel të investimit të kryer, punësimit të realizuar dhe dobive për komunitetet ku është investuar me këtë status.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime nga njerëz të afërt me qeverine, duke gjeneruar një parajsë të miratimit të ofertave të pakërkuara të oligarkëve.
Këto oferta-projekte nuk kanë qenë investime strategjike, por një maskim gjoja ligjor, për atë që realisht po ndodh për nëntë vite rradhazi tek ne, përmes këtij ligji: megavjedhje me ligje dhe procedura, në kurriz të qytetarëve pronarë në Bregdet dhe në zonat me atraksion turistik. Ligji ka ngjallur konflikte të forta sociale dhe ka rritur kostot e shoqërisë për kompensimin e ish-pronarëve. Kontratat janë dhënë pa asnjë garë, pa transparencë dhe pa asnjë mekanizëm monitorues të këtyre projekteve.
Shtyrja e ligjit gjashtë herë dhe mosardhja e qeverisë në Kuvend, për të mbrojtur shtyrjen, vërteton mungesën e favorizimit real të projekteve në sektorë strategjikë të ekonomisë, por thjesht ndërtimin nga njerëz afër qeverisë të objekteve në zona të ndryshme të vendit, në bregdet për tetë vitet e para dhe tani, ndërtime në zonat malore, ku toka do të jepet me 1 euro, përmes Paketës së Maleve.
Abuzimet me këtë ligj kanë qenë evidente në zonat bregdetare, ku ligji është përdorur për të mbështetur projekte ndërtimesh vilash private dhe jo kompleksesh turistike, sikurse ka ndodhur në Mal të Zi dhe Turqi.
Partia Demokratike që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, jo vetëm që do të abrogojë zgjatjet pa fund të këtij ligji abuziv, por do të kërkojë dhe nxisë realizimin e një auditimi të plotë dhe të pavarur të pasojave që ka prodhuar ligji, si dhe të mënyrës se si është zbatuar. Ajo, për rastet e abuzuara të vërtetuara, do të kërkojë vënien para përgjegjësisë ligjore të abuzuesve.
Ndërkohë, abuzimet me këtë ligj po zgjerohen edhe më shumë, me propozimin e fundit të një deputeti të shumicës, që deri në fund të vitit 2026, të gjitha resortet me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar, të vijojnë të bëjnë biznes pa taksa. Edhe kjo nismë ligjore për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua nga Komisioni i Ekonomisë dy ditë më parë. Ajo zgjeron abuzimin me Ligjin Nr. 55/2015 dhe përbën qokën e radhës për oligarkët e Rames, në prag të zgjedhjeve.
Përjashtimi nga taksat i investimeve me 4-5 yje, me kontratë me ‘brandet’ ndërkombëtare, u bë në vitin 2019 dhe janë 11 struktura turistike që deri tani e kanë përfituar këtë status. Me sa duhet, oreksi ka ardhur duke ngrënë dhe të gjithë oligarkët e Ramës kanë rendur pas gjetjes(blerjes) së një emri përfaqësues marke ndërkombëtare, për t’u pasuruar akoma dhe më shumë me një trajtim të padrejtë favorizues dhe parajse fiskale.
Praktikisht, përmes zgjatjes së këtij përjashtimi, favorizohen pa asnjë përfitim real të ekonomisë sonë, një pakicë hotelesh dhe resortesh, ndërsa shumica dërrmuese e strukturave të tjera turistike të vendit paguajnë rregullisht taksat. Edhe ky ligj hyn në armatën e madhe të ligjeve të qepura me porosi nga Rama dhe sekti i tij, ligje të cilat Partia Demokratike do t’i shfuqizojë të parat, sapo të vijë në pushtet, për t’ia kaluar pushtetin real interesave të qytetarëve, dhe jo oligarkëve.

Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?

Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?

Përse u cënua statusi i nënpunësve të sistemit te burgjeve?
Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?
Në rendin e ditës së fundit të Kuvendit për këte vit, ishte përfshirë për t’u diskutuar Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në lexim të parë, nga vetë emërtesa ligjore, pritshmëritë për mua si deputet ishin se kishim të bënim me një ndryshim për të përmirësuar kushtet dhe të drejtat e njeriut të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ndërsa, në brendësi projekligji i sjellë nuk përmban asnjë dispozitë në këtë drejtim, përkundrazi synon thjesht saktësimin e rregullimit të marrëdhënies së punës së nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duke kaluar në rregullimin e tyre sipas Kodit të Punës, si dhe krijimin e kushteve për plotësimin e vendeve vakante në pozicionet e punës në këto institucion.

Ne si deputet kemi përgjegjësi që kur propozojmë ndryshime në një ligj të kësaj natyre dhe para se të investohet Kuvendi në një proces legjislativ, të analizojmë mbi ecurinë dhe rezultatet e deritanishme të këtij ligji dhe nevojat për rregullim, në optikën e avancimit të të drejtave të njeriut. Kjo nuk do të thotë të përjashtojmë teknalite te tjera, por thelbi i ndërhyrjes të ketë si prioritet të drejtat e njeriut.

REKOMANDIMET E AVOKATIT TË POPULLIT

Nuk pashë asnjë dispozitë apo përmirësim ligjor që të reflektojë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit në këtë fushë. Janë një mori çështjesh dhe rekomandimesh nga Avokati i Popullit si:

Për trajtimin me shumëllojshmëri ushqimore;

Për marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e procedurës që duhet të ndiqet nga stafi mjekësor i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për përcaktimin e kohëzgjatjes së përdorimit të medikamenteve si dhe rekomandimeve të nevojshme për kontrolle apo veprime të mëtejshme në kartelën klinike të të burgosurit;

Marrjen e masave të nevojshme dhe të menjëhershme nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për përllogaritjen e një buxheti të dedikuar për të garantuar efektivisht të drejtën e të burgosurve për zhvillimin e arsimit të mesëm dhe të lartë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Madje, janë rekomanduar edhe përmirësime ligjore, që mazhoranca as nuk i ka marrë në konsideratë, si:

Marrja e masave të nevojshme që të rishikohet neni 3 “Përkufizime”, i ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve”, përkatësisht në pikën 1 të tij ku përkufizohen “Anëtarët e familjes”, në funksion të zgjerimit të këtij rrethi.

Marrjen e masave të nevojshme për garantimin e të drejtës të të burgosurve për të kryer biseda telefonike me anëtarët e familjes, të afërmit dhe në raste të veçanta me të tretët, sipas akteve ligjore në fuqi.

Problematika të tjera që kërkojnë vëmendjen e Kuvendit kanë të bëjnë me tenderat në raport çështjet e sigurisë dhe blerjen e medikamenteve

Rreth 85% e tenderave bëhen pa garë, me procedurën negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Rasti i burgut të Peqinit është ulëritës, ku ndonëse janë bërë tendera me qindra milionë lekë për kamera dhe përforcimin e infrastrukturës së sigurisë, u arrit të futej armë e të bëhej vrasje brenda burgut;

Në mënyrë të vazhdueshme është raportuar nga mediat se të dënuarve u mungojnë barnat mjeket, energji elektrike, pagesat e orëve të punë, ndonëse bëhen tendera për prokurimin e këtyre mallrave dhe shërbimeve;

Po zbatimi i kontratave. A ka kapacitete Drejtoria e Burgjeve për të monitoruar këto prokurime për të siguruar mallra dhe shërbime me cilësi.

KUSHTET E BURGJEVE

Pse nuk merren në konsideratë gjetjet dhe sugjerimet e monitoruesve ndërkombëtarë për kushtet e burgjeve.

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues (KPT) ka publikuar raportin e tij për vizitën e majit 2023 në Shqipëri. Objektivi kryesor i vizitës së KPT-së në Shqipëri në vitin 2023 ishte rishikimi i trajtimit dhe kushteve të paraburgimit të personave të mbajtur në paraburgim policor dhe në burgje. Në fokusin e vizitës ishte gjithashtu edhe situata e pacientëve psikiatrikë dhe e të burgosurve me çrregullime mendore. Delegacioni i KPT-së shqyrtoi gjithashtu, për herë të parë në Shqipëri që nga viti 2000, trajtimin e të strehuarve me aftësi të kufizuara intelektuale në institucionet e kujdesit social.

Gjetjet e vizitës së vitit 2023 theksojnë se sa i përket trajtimit të personave të ndaluar nga policia duket se ruhet, kërkohet ende veprime të tjera plotësuese për të çrrënjosur keqtrajtimin nga ana e policisë.

KPT-ja ka shprehur shqetësime të mëdha në lidhje me kushtet në paraburgim dhe trajtimin e të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur ose një masë trajtimi i detyrueshëm i urdhëruar nga gjykata, sipas nenit 46 të Kodit Penal, ose vendosja e përkohshme në një institucion psikiatrik (neni 239 i Kodit të Procedurës Penale);

Për sa i përket ofrimit të kujdesit shëndetësor për të dënuarit, bëhen rekomandime, ndër të tjera për të përforcuar burimet e personelit shëndetësor në IEVP-të e Fierit dhe të Peqinit, për të mundësuar vizita të rregullta nga një psikiatër në shumicën e IEVP-vë të vizituara dhe për të përforcuar ofrimin e kujdesit psikologjik për të dënuarit. Në veçanti, nga këto vizita u zbulua se në këto IEVP rezultoi se nuk qe realizuar asnjë aktivitet terapeutik apo profesional për pacientët.

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme të bëra në Spitalin e Burgut të Tiranës që nga vizita e mëparshme e KPT-së në vitin 2021, për shkak të strukturës së saj penitenciare, KPT-ja vazhdon të konsiderojë se kushtet e jetesës që u ofrohen pacientëve mbeten të papërshtatshme.

III. PËR TË MITURIT DHE GRATË

Çfarë informacioni kemi ne si deputet për kushtet e të miturve dhe grave në burgje. Sipas paragrafit 3 dhe 4 të nenit 5 të ligjit në fuqi parashikohet se:

Të miturit e burgosur trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre. Trajtimi mbështetet në interesin më të lartë të të miturit, të riintegrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të përsëritjes së veprave penale nga i mituri, në përputhje me kushtet dhe rregullat e parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur;

Gratë e burgosura trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore dhe pa diskriminim për çdo shkak të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, duke parandaluar çdo akt dhune me bazë gjinore, që sjell dëmtim fizik, seksual ose psikologjik, vuajtje ose çdo formë tjetër abuzimi e keqtrajtimi, që dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Por çfarë ndodh në realitet?

Përdorimi në mënyrë arbitrare i arrestit në burg ndaj të miturve ose në mënyrë të tejzgjatur vjen jo vetëm në kundërshtim me Standardet Ndërkombëtare, por gjithashtu dëmton zhvillimin psiko-social të të miturit, e privon atë nga e drejta për t’u rritur pranë familjes së tij, për t’u shkolluar njësoj si fëmijët e tjerë dhe gjithashtu e bën vulnerabël ndaj rrezikut të influencës së krimit. Rregullat Minimum Standard të Kombeve të Bashkuara për Administrimin e Drejtësisë për të Mitur (rregullat e Pekinit) parashikojnë se arresti në burg duhet të aplikohet si një masë e fundit për një afat kohor sa më të shkurtër të mundur. Këto rregulla inkurajojnë aplikimin e alternativave të ‘arrestit në burg’.

A funksionojnë shërbimet e specializuara në shërbim të grave shtatzëna dhe atyre me fëmijë në gji. Nëse po çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar më tej. Këto duhet të jenë objekt i propozimeve ligjore.

PËR SISTEMIN BIS-24

Tashmë u bë disa kohë që ë shtë miratuar regjimi i posaçëm i njohur si 41-bis sipas modelit italian ose i etiketuar edhe mediatikisht si burg brenda burgut. Natyrisht, me përmasat monstruoze që ka marrë krimi në Shqipëri bëhet edhe e nevojshme edhe vendosja e disa rregullave strikte.

Por, vendosja e rregullave duhet të analizohen edhe në raport me infrastrukturën e burgjeve për të garantuar që një regjim i tillë i rreptë të mos cenojë thelbin e të drejtave të njeriut. Janë një sërë vendimesh të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, lidhur me këtë regjim, të cilat kanë vendosur disa standarde për të balancuar dhe vendosur kriterin e proporcionalitetit për aplikimin e regjimit të posaçëm të sigurisë.

Prandaj, diskutimi dhe analiza që duhet bërë është nëse ecuria e deritanishme është në përputhje me standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore , Rregullat Europiane të Burgjeve të miratuara nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në 11 Janar 2006, Standardet minimale të Rregullave për Trajtimin e të Burgosurve (Nelson Mandela Rules) të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 17 Dhjetor 2015. Veçanërisht duhen vlerësuar rekomandimet e KPT për sistemin 41 -bis në Itali, gjatë vizitës së kryer në vendin fqini.

Është e lehtë për të kopjuar modele, por a kemi ne infraskturë të përshtatshme për të garantuar që ky model të jetë në proporcion me kufizimet e të drejtave të njeriut, në një kohë kur edhe ne regjimet e zakonshme vihen re kufizime të të drejtave.

DISKUTIMI PËR PUNËSIME PËR ZGJEDHJE

Por çfarë solli mazhoranca në ditën e fundit të vitit për ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”?

Në ambalazhin e një intepretimi të nenit 2 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, ju si mazhorancë, ju si sekt në pushtet në institucionet e sigurisë po krijoni pasiguri për punonjësit e burgjeve, duke i “internuar” në dispozitat e kontratave afatshkurtra të Kodit të Punës. Në një kohë kur ne duhet të synojmë të promovojmë përfshirjen në garancitë dhe mbrojtjen e ligjit të shërbimit civil të sa më shumë institucioneve, Qeveria Rama bën të kundërtën.

Ju me këto ndryshimë, po i shndërroni në të “burgosur politikë” punonjësit për t’i indimiduar e vendosur zinxhirët kontrollit në prag zgjedhjesh.

Jo vetëm kaq, por intriga që fshihet këtu lidhet drejtpërdrejte me punësimet për zgjedhjet e 14 majit që kuptohet nga vetë relacioni e Komisionit të Sigurisë, ku propozuezja thekson (citoj) se “Përmes ndryshimit të regjimit të marrëdhënies së punës së këtyre nëpunësve do të arrihet një plotësim më i shpejtë i vakancave, duke ndikuar direkt në rritjen e nëpunësve, normalizimin e ngarkesës së punës, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar dhe respektimit të të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve….(vijon)Nga ana tjetër, edhe procedura e rekrutimit të një nëpunësi civil kërkon një kohë mjaft të gjatë dhe nuk garanton shpejtësi në zëvendësimin e nëpunësve të larguar në një periudhë të shkurtër.

Çfarë është ky nxitim? Përgjigjen e thoni vet ju. Momentalisht janë 406 vende vakante. Pyetja që shtroj unë, a po na sillni këtu një ligj për të sjellë ortekun e patronazhistëve në administratën e burgjeve. A po cenohet siguria e burgjeve, duke shmangur garancitë e pastërtisë së figurës që ofronte ligji për shërbimin civil, për të nisur punësime pa kritere e pa filtra në institucione e sigurisë së lartë.

Shikoni institucionin e kadastrës, drejtoritë vendore. Edhe ato me Kod Pune janë dhe batërtia e ndryshimeve të punonjësve është e tillë saqe ka cenuar drejpëdrejt profesionalizmin dhe sigurinë juridike të pronësisë.

Prandaj, mazhoranca solli këtë ligj. Halli i saj janë zgjedhjet dhe ky propozim është shëmbëlltyra e sistemit të kapjes së shtetit, aq sa paranoja dhe frika e ka çuar deri te burgjet, ku tani pervecse jane mbushur nga krimi, po e mbushet edhe me krimin tuaj elektoral.

V.O. Me forcën e kartonit ndryshimet në ligjin e sipërcituar (në diskutimin që unë mbajta në Kuvend) kaluan duke u hapur rrugë punësimeve për ortekun e patronazhistëve dhe cënimin e statusit të nënpunësve aktualë.

Botuar në Gazeta Sot më 26.12.2024

Një Akt Normativ i stërvonuar!

Një Akt Normativ i stërvonuar!

Akti Normativ Nr. 4 datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar”, vërteton edhe njëherë qëndrimin e padrejtë, grotesk dhe imponues të sektit Rama ndaj biznesit në tërësi, por sidomos ndaj profesioneve të lira. Kjo administratë, e frymëzuar nga sekti Rama në qeverisje, në aventurizmin dhe diktatin e saj ndaj pjesës më krijuese të shoqërisë sonë, profesionistëve të lirë, nuk dëgjon të pranojë fajin me trajtimin diskriminues ndaj tyre, të nxjerrë lakuriq përpara shqiptarëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 27 qershor 2024.

1. Akti Normativ Nr. 4 kërkon të shpëtojë diçka që nuk shpëtohet!

Akti Normativ Nr. 4 përpiqet tani të shpëtojë çka nuk mund të shpëtohet: shkeljen flagrante të Kushtetutës ndaj 6541 profesionistëve të lirë, të cilët u detyruan t’i paguajnë shtetit 5 milionë euro, për shkak të miratimit dhe zbatimit të një ligji krejtësisht abuziv dhe antikushtetues. Sekti në fuqi duhet të mbahen përgjegjës juridikisht dhe materialisht për keqtrajtimin fiskal të mbi 29 mijë profesionistëve të lirë që nga janari i këtij viti, si dhe për humbjet e shkaktuara këtyre 6541 profesionistëve të lirë, nga ngrirja e fondeve të tyre në vlerën e përgjithshme 5 milionë euro për muaj me radhë.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë atë gjë të rëndë që ndodhi me aventurën e sektit në fuqi dhe administratës së tij tatimore në periudhën janar-qershor 2024. Ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” shkelën parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, si dhe cenuan parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike. Zbatimi i këtyre ndryshimeve për muaj me radhë krijoi pasiguri juridike për bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale. Nuk duhet të harrojmë që gjatë muajit prill të këtij viti, referuar të dhënave të QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit, depozituan kërkesë për pezullim aktiviteti 10,470 biznese të profesioneve të lira.

2. Skandal kolektivizimi i një gjoja “zgjidhjeje”-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë!

Trajtimi i diferencuar tatimor i profesioneve të lira, kundrejt bizneseve të tjera, që, deri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ju jepej kohë deri më 30 dhjetor 2029 të përshtaten me sistemin e ri fiskal, cenoi rëndë lirinë e veprimtarisë ekonomike. Gjykoj se dikush duhet mbajtur përgjegjës ligjërisht dhe administrativisht për këtë akt dhe ky dikush është sekti Rama në fuqi.

Ishte vërtet paradoksale dhe grotekse, në një kohë që zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat shkeli Kushtetutën, pasi diskriminoi qartazi tatimpaguesit, propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit socialistë e kanalizuan diskutimin në mënyrë hipokrite tek shmangia e detyrimeve nga profesionet e lira, që është nxitur nga hapësirat ligjore. Kjo paraqitej tërësisht e padrejtë dhe jo profesionale, pasi organet tatimore i kanë të gjitha mjetet, për të luftuar abuzuesit, dhe nuk kishte pse të kolektivizohej një zgjidhje-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë të ndershëm!

III. U rrezikua kolapsi i sistemit të taksapaguesve

Për rrjedhojë të kësaj politike fiskale diskriminuese, te 29 mije profesionistet e lire u vunë përpara vështirësish financiare për të parapaguar brenda 30 qershorit 2024 këstet e tatimit, duke rrezikuar kolapsin e sistemit të tatimpaguesve. Tani, ky Akt Normativ Nr. 4, grotesk dhe i pafytyrë, kërkon t’u vërë kapak abuzimeve të nisura që nga janari 2024, po nga një akt tjetër normativ! Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Që në janar 2024, në muajin e parë të zbatimit të ligjit kontrovers, kishte vakuum ligjor, paqartësi ligjore dhe mangësi për zbatimin e tij, të cilat dëmtuan të vetëpunësuarit e profesioneve të lira. Ekonomistët, kontabilistët dhe ekspertët kontabël të mbarë vendit mbetën të befasuar që ky parashikim ligjor nuk u zbatua nga administrata tatimore dhe u vendos parapagimi i tatimit, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj dhe orientimeve nëpërmjet trajnimeve të zhvilluara.

Kush mban përgjegjësi sot për këtë situatë groteske të krijuar nga mos-profesionalizmi dhe arroganca e administratës sonë tatimore, si dhe për rrezikimin e çuarjes në kolaps të sistemit të taksapaguesve? Jo vetëm përmbajtja juridike e njoftimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për llogaritjen e parapagimit ishte e gabuar, por edhe nuk u zbatua korrekt ligji i ri, që njihte zbritjen e shpenzimeve me 30% te te ardhurave. Kush do të paguajë për këto shkelje ligjore dhe etike të administratës ndaj profesionistëve të lirë?

xxx

Aventurizmi dhe papërgjegjshmëria ekstreme e sektit Rama në trajtimin ndaj biznesit të ndershëm, sidomos pjesës më krijuese dhe intektualë të tij, profesionistëve të lirë, nxjerr zbuluar gjendjen e mjeruar dhe absurde ku e ka katandisur Rama sistemin tonë tatimor. Partia Demokratike u paraqet shqiptareve nje alternative fiskale ndryshe, nje administrate fiskale dhe politike fiskale te ndershme dhe te orientuar nga ndihma për qytetarin taksapagues

Krahas taksës se sheshte 10 përqind, qe do te vendose drejtësinë tatimore dhe do te nxisë biznesin te investoje fitimin e tij dhe te hape me mijëra vende te reja pune,PD propozon krijimin e një karte të konsumatorit, që do të mundësojë rimbursimin e 100% të TVSH-së për produktet bazë të shportës për çdo pensionist dhe për çdo familje që është në vështirësi ekonomike.

Botuar në Gazeta Sot më 21.12.2024

Për kë bien këmbanat e FMN-së?

Për kë bien këmbanat e FMN-së?

Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN) përfaqëson një nga tre institucionet e dala nga Konferenca e Bretton Woods-it 80 vite më parë. Ai u themelua më 27 dhjetor 1945. Qëllimi primar i themelimit të tij ishte që të realizonte një bashkëpunim monetar mes vendeve të porsadala nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një stabilitet monetar e financiar të tyre, për të shpejtuar rritjen ekonomike dhe për të ngritur nivelin e punësimit në botë.
Profili historik dhe aktual i FMN-së
Roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar është unik dhe i pazëvendësueshëm në mbikqyrjen e sistemit monetar ndërkombëtar dhe në monitorimin e politikave ekonomike dhe financiare të 185 vendeve anëtare të tij.
Mbikqyrja e FMN-së ofron vlerësim të specializuar të zhvillimeve ekonomike dhe financiare globale dhe rajonale. Fondi jep po ashtu këshilla rreth rreziqeve që i kanosen stabilitetit dhe rritjes ekonomike të seicilit vend anëtar.
Fondi jep kontributin e tij në tre qasje të ndryshme. Së pari, ai mbikqyr dhe monitoron zhvillimet financiare dhe ekonomike globale, rajonale dhe të seicilit vend anëtar, duke dhënë këshilla profesionale mbi politikat e ndjekura nga shtetet e ndryshme, që synojnë të shmangin krizat ekonomike.
Së dyti, FMN u huazon para vendeve në vështirësi në bilancin e pagesave, për t’u dhënë financim të përkohshëm dhe suport në korrigjimin e problemeve akute që kanë.
Së treti, Fondi u jep vendeve asistencë teknike dhe trajnim në fushat e tij të ekspertizës.
FMN ka aplikuar mbikqyrjen dhe asistencën teknike në zhvillimin e standarteve dhe kodeve të praktikës së mirë, në fushat e saj të përgjegjësisë, duke kontribuar në forcimin e financave publike te shume vendeve ne bote. Fondi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.

11 vite këshilla të injoruara të FMN-së në Shqipëri!
FMN ka kontribuar ndjeshëm në periudhën e vështirë të tranzicionit 34 vjeçar të vendit tonë. Shqipëria u bë vend anëtar i FMN-së në vitin 1991. Në vitin 2014, pavarësisht se Fondit i mori hua 330 milionë euro për mbështetje buxhetore, sekti në qeverisje në Shqipëri e rrudhi dhe e pakësoi shumë rolin aktiv dhe gati përcaktues që ka patur FMN në vitet e mëparshme, duke e kufizuar bashkëpunimin me FMN-në në vetëm rolin e këshilluesit, sipas Nenit 4 të Marrëveshjes me FMN.
Gjatë këtyre 11 viteve të misioneve të tij faktmbledhëse, FMN ka kërkuar në vijimësi transparencë të plotë për menaxhimin e kontratave koncesionare dhe PPP, si dhe përfshirjen e pagesave të tyre në bilancin e Buxhetit të Shtetit të çdo viti buxhetor. Duke parë se, po ta bënte këtë, borxhi publik do të rritej ndjeshëm me gati 20 përqind të GDP-së, sekti në qeverisje e ka injoruar plotësisht këtë rekomandim të bazuar në praktikat më të mira dhe parimet e mirëqeverisjes së OECD-së.
FMN ka kërkuar transparencë edhe për fondet e rindërtimit, duke ripërsëritur kërkesën për të qenë pjesë e kontrollit të menaxhimit të financave publike, njëlloj si dhe për fondet për Pandeminë nga Covid-19.
Fondi ka tërhequr vëmendjen për risqet fiskale të shtuara në skemat e garancisë për sektorin privat dhe në mbështetjen pa kriter për sipërmarrjet shtetërore, si OSHEE, ujësjellësit, etj., duke theksuar se nevojitet reformë urgjente në sektorin e energjisë dhe ujit.
FMN ka kërkuar që vëmendja duhet të përqendrohet të dobësitë e sektorit të pasurive të paluajtshme, si dhe te risqet që paraqesin asetet virtuale të këtij sektori, duke i hapur rrugë pastrimit të parave.
Ka rekomanduar rishikimim e skemës së mbrojtjes sociale, e cila është më e ulëta në Ballkanin Perëndimor, për të ofruar një mbulim më të mirë, duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Asnjë nga këto rekomandime dhe këshilla shumë të vlefshme dhe aktuale të specialistëve të FMN-së nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria e Sektit Rama.
Asnjë rrugëzgjidhje e dhënë nga FMN për sistemin fiskal nuk është pranuar nga Rama
Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, sistemi ynë aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Ndryshimet e shpeshta në të kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit.
Fondi këshillon për një sistem tatimor më transparent, më të drejtë, më efikas dhe më të thjeshtë, i cili do ta bënte Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja. Edhe kjo qasje e ofruar nga FMN është injoruar totalisht.
Ekspertët e institucionit ndërkombëtar kanë propozuar që të hiqen përjashtimet e ndryshme të bëra me taksat, si tek arsimi privat, tek shëndetësia, etj.
FMN ka hedhur me të drejtë dyshime edhe mbi menaxhimin e vendimit për përjashtimin nga TVSH të bizneseve që kanë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë. Sipas Fondit, synimi për uljen e pragut ishte adresimi i informalitetit, por administrata tatimore nuk ka kapacitete për të monitoruar në mënyrë efektive këtë segment të madh të taksapaguesve. Për më tepër, ekzistojnë pragje të shumëfishta për sektorë të ndryshëm, te cilat minojnë thjeshtësinë e sistemit.
Institucioni ndërkombëtar që ka 34 vite që na këshillon, ka propozuar që përjashtimet e bëra për bizneset në sektorin e turizmit të rishikohen, pasi TVSH-ja për akomodimin në hotel është taksë që u takon të huajve, jo qytetarëve, dhe këta të fundit mund të jenë më pak të ndjeshëm ndaj një çmimi, nëse shërbimi i biznesit është unik.
FMN ka terhequr vemendjen qe te mos menaxhohet Buxheti i Shtetit permes akteve normative, si një rrugë që shmang shqyrtimin parlamentar të ndryshimeve në Buxhet dhe shton paqartësitë për objektivat, politikat dhe synimet e planit kryesor ekonomik të qeverisë dhe vendit.
xxx
Asnjë nga këto propozime të vlefshme dhe profesionale, nga këto këmbana alarmi për rrugën pa krye që ka marre disiplina buxhetore, financiare dhe fiskale e Shqipërisë nuk është marrë parasysh nga Rama.
Qeveria vijon me kokëfortësi të injorojë çdo konstatim dhe vërejtje të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e vendosur në rrugën e saj të aventurave fiskale dhe minimit të qendrueshmërisë së financave publike të vendit.

Botuar në Gazeta Sot më 13.12.2024

Edi Rama si Bashar al-Assad

Edi Rama si Bashar al-Assad

Në 9 dhjetor të vitit 2003, në OKB, 100 shtete, mes tyre edhe Shqipëria nënshkruan Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Sot, bilanci i vendit tonë në luftën kundër korrupsionit është sa i trishtë, aq edhe mjeran.
Renditemi ndër vendet më të korruptuara të Evropës!Cilësohemi sinarkoshtet .
Sekti Rama përfaqëson shtetin më të kapur në historinë e Shqipërisë, duke u mbështetur në tre shtylla:
a- në një rrjet marrëdhëniesh klienteliste,
b- në korrupsion endemik ,
c- në ligjet e bëra me porosi dhe gjyqësor të varur nga qeveria.
Në Shqipëri korrupsionin e gjejmë:
Korrupsion nëpërmjet Shtetit të kapur.
Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit, vendosja e rregullave që favorizojnë interesat private të beniaminëve të sektit, në dëm të interesit publik.

Grabitje e pasurive dhe fondeve publike, nëpërmjet alternimit të korrupsionit tradicional me hipotekimin e parasë së ardhshme të takspaguesve, në shërbim të detyrimeve nga PPP-të e nënshkruara me oligarkët.
Mungesa totale e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies.
Pandëshkueshmëria!
Drejtësia e kapur!
Goditja e pronës dhe e fjalës së lirë!

Rrënjosja e korrupsionit në jetën e përditshmërinë shqiptare si pasojë e nxitjes së grupeve dhe individëve të caktuar për t’u pasuruar vazhdimisht përmes shpërdorimit të detyrës dhe posteve publike.
9 dhjetori i Ditës Botërore Kundër Korrupsionit është një moment i trishtë për shtetin shqiptar dhe qytetarët e tij sot, ngaqë sekti që i qeveris po shuan dhe godet zërat kritikë dhe kundër, sipas porosive të Liderit Global, që vazhdon prej 12 vitesh të shmangë llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe transparencën dhe që do të vazhdojë të grabisë pa mëshirë shqiptarët, duke mbajtur në këmbë një sistem korruptiv, që na mban vite larg Europës.
Sot ky shtet i korruptuar po denoncohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë , jo vetëm nga opozita e Partisë Demokratike dhe segmente të tjera të shoqërisë shqiptare.
Për Ramën ka nisur numërimi mbrapsht ! Korrupsioni i sektit Rama po afron me fundin e turpshëm të tij, i njëjtë me të gjithë diktatorët nga E.Hoxha e R.Alia tek Sadam Hyseini e Bashar Al-Assadi !
Dhe Soros & Son nuk e shpëton dot!
Botuar në Gazeta Sot më 09.12.2024

Përfshirja e opozitës në diskutimet e projektbuxhetit: Domosdoshmëri për llogaridhënien dhe transparencën

Përfshirja e opozitës në diskutimet e projektbuxhetit: Domosdoshmëri për llogaridhënien dhe transparencën

Projektbuxheti i shtetit është një mekanizëm jetik që përcakton se si do të përdoren të ardhurat publike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, angazhimi i opozitës në debatet rreth projektbuxhetit nuk është vetëm një akt përfaqësimi, por një kontribut i domosdoshëm për të ofruar një perspektivë alternative dhe për të vënë në pah politikat qeveritare që kanë nevojë për përmirësim. Diskutimet mbi buxhetin duhet të shërbejnë si një platformë e hapur ku pozita dhe opozita përballen profesionalisht dhe politikisht. Megjithatë, është shqetësuese se aktualisht po shfaqen përpjekje të qarta për ta margjinalizuar rolin e opozitës, duke e zhvendosur dialogun nga një debat gjithëpërfshirës në një monolog të njëanshëm të udhëhequr nga një qeveri që ndjek vetëm interesat e saj politike. Përjashtimet e përsëritura prej 40 dhe 60 ditësh të opozitës janë tregues i qartë i kësaj prirjeje.

Për opozitën, përjashtimi nga ky proces i rëndësishëm nënkupton kufizimin e të drejtës për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie. Roli i opozitës në procesin buxhetor përbën një nga parimet themelore të mirëqeverisjes, të njohura dhe të vlerësuara në çdo demokraci funksionale. Një udhëheqje që e injoron këtë rol, siç po ndodh aktualisht, synon të dobësojë institucionet dhe të minimizojë debatin demokratik.

Angazhimi i opozitës në diskutimet për projektbuxhetin është një mundësi për të shpalosur para publikut programin e saj për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ashtu siç dhe po merr pjesë në komisionet hetimore për të siguruar llogaridhënie, ajo duhet të vazhdojë të angazhohet aktivisht edhe në këto diskutime të rëndësishme buxhetore.

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ky është një moment kyç për opozitën që të prezantojë qartësisht alternativat e saj, të forcojë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e politikave fiskale dhe sociale të vendit. Ky angazhim do të shfaqet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, përmes ngritjes së çështjeve të rëndësishme si rritja e pensioneve, përkrahja për grupet më në nevojë, përfundimi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurvë politikë dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.

Këto janë çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe shërbejnë për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi që respekton interesat e qytetarëve dhe promovon menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.

Për më tepër, gjatë këtyre 11 viteve në pushtet, Qeveria Rama ka keqpërdorur buxhetin, financat dhe pasurinë publike në mënyra që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndaj të cilave opozita e ka ngritur zërin gjithmonë. Kjo situatë ka çuar në një mungesë të theksuar transparence dhe llogaridhënie, duke përbërë një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Edhe pse mjetet e protestës dhe mosbindjes civile janë pjesë e traditës demokratike dhe do të vazhdojnë të përdoren, përfshirja në diskutimet e buxhetit i jep opozitës një mundësi unike për të shpalosur para publikut pjesë nga programi i saj. Me zgjedhjet vetëm disa muaj larg, ky angazhim është një rast i rëndësishëm për të prezantuar zgjidhjet e saj të prekshme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënyrë, opozita jo vetëm që ofron një vizion të ndryshëm për të ardhmen, por edhe forcon besimin e qytetarëve në demokraci dhe në funksionimin e Kuvendit si institucion përfaqësues dhe i hapur ndaj debatit të mirëfilltë.

Për më tepër, angazhimi i opozitës në këto diskutime do të kontribuojë në një qasje më të gjerë për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo do të theksojë rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës si elemente kyçe për arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë. Me këtë angazhim, opozita do të sigurojë që zëri i saj të ketë ndikim, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi politik ku të gjitha palët bashkëpunojnë për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Botuar në Gazeta Sot më 04.11.2024

Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Formula e presidentit Rugova: Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-në, do ta qetësonte këtë pjesë ( Ballkanin)të Evropës e të botës!
Sot, në 2 dhjetor do të festonim 80 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, i lindur në Cerrcë të komunës së Istogut. Në 1945 komunistët jugosllavë i pushkatojnë babanë dhe gjyshin, për shkak se ishin shquar si luftëtarë nacionalistë kundër çetnikëve serbë.
Diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971.
Ishte vetën 24 vjeç kur Ibrahim Rugova do të shkruante esenë e tij të parë për themeluesin e shtetit shqiptar, Atin e Kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën.
Më 1984 mbrojti doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Në 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist të Miloshevicit. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e themeluar dhe drejtuar prej tij,LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në banesën e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi së bashku me familjen e tij në arrest shtëpie, por në asnjë çast nuk e gjunjëzoi dot presidentin-simbol.Pas më shumë se një muaj, falë presionit ndërkombëtar Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999. Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë kur mendimit dhe aksionit politik të presidentit Rugova iu shtua si uragan lufta e armatosur e UÇK-së e drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm Adem Jashari, drejtuesi politik Hashim Thaçi dhe luftëtarët e lirisë që me ndihmën thelbësore dhe përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, i sollën lirinë Kosovës. Për këtë Liri, ne shqiptarët u jemi përjetësisht si komb mirënjohës dhe borxhlinj Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbështetura nga ndërkombëtarët në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është nderuar si në gjallje, ashtu edhe pas vdekjes me çmime të shumta nga vende, universitete, akademi ,institucione e personalitetet më të larta politikenë mbarë botën.
I quajtur “babai i pavarësisë së Kosovës”,
“Gandi shqiptar”,rilindasi i fundit,Rugova ndërroi jetë në janar 2006 kur ishte në mandatin e tij të dytë si president. Në këtë kohë, ai po finalizonte mendimin dhe veprimin e përhershëm të tij politik në negociatat e drejtuara nga OKB-ja me Serbinë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, që çoi në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008, me mbështetjen e plotë të ShBA-së.
Dr. Rugova ishte politikan vizionar. Trinomi i tij: Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën mbështetej në tre parime dhe synime:

  1. Do të bëjmë pajtimin e brendshëm (duke njohur mëritë dhe ndasitë shqiptare),
  2. Në Ballkan popujt janë të njëjtë (në numër), (me këtë theksonte barazpeshën në rajon- serbët në numër të përafërt me shqiptarët),
  3. Kosova e integruar në BE e NATO, me miqësi të përhershme me SHBA, (duke theksuar këtë vizion si domosdoshmëri dhe program politik të Kosovës).
    Prof.Dr.Ibrahim Berisha, politologu, sociologu, kulturologu i shquar, bashkëpuntor prej vitesh I Presidentit Rugova qysh nga themelimi I LDK-së në 1989 e në çdo pozicion e aksion politik deri në ditët e fundit të Presidentit Rugova, në Konferencën Shkencore Jubilare “ Dr.Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë”, mbajtur në Tiranë më 30 nëntor 2024,organizuar dhe drejtuar suksesshëm nga Prof.Dr.Enver Bytyci u shpreh :“Diskursi politik i Ibrahim Rugovës shquhej për tonin e tij, vizionin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjen për të ndërtuar një konsensus kombëtar.Ai përdorte një gjuhë diplomatike dhe bashkuese, duke apeluar për unitet kombëtar dhe duke shmangur retorikën polarizuese. Rugova theksonte rëndësinë e dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke i vendosur interesat kombëtare mbi ato partiake. Diskursi i tij politik ishte i rrënjosur në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, duke e portretizuar shiptarët si një komb dhe Kosovën si një shtet të denjë për Pavarësi”.
    Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij ne Konferencën Shkencore Jubilare “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë” u shpreh se : “nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.Dr.Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij dhe se ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan.Rugova misionar ishte Rugova I pathyeshëm”.
    Prof.Dr.Sali Berisha theksoi ne fjalen e tij se:”Ibrahim Rugova ishte ndërtuesi i pavarësisë së Kosovës, ishte ideatori i saj. ai ishte faktori kryesor i garancive për një Kosovë demokratike”.
    Dr. Ibrahim Rugova ishte një njeri që i bashkoi shqiptarët e Kosovës rreth idesë së Lirisë dhe Pavarësisë dhe krijoi ura të forta miqësie me shtetet europiane dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Siç e cilëson ish- presidenti i Kosovës Prof.Dr. Fatmir Sejdiu: “Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, dr. Ibrahim Rugova ka lënë pas një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.”
    Për dr. Ibrahim Rugovën janë shprehur me respekt të veçantë të gjithë presidentët e mëvonshën të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar si: “Burrështetasin e parë shqiptar dhe presidentin Historik të Kosovës!”
    Presidenti Ibrahim Rugova ishte profet i kombit shqiptar, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, kolosi dhe atdhetari më i devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
    Siç e thekson studiuesi i njohur, akademik Sabri Hamiti në “Memento për Rugovën”, “Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti Flamurin. Edhe më thellë me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. E së fundmi, me Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar) që bashkonte predikimin e mirësisë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.”
    Rugova e donte Kosovën. E kishte në shpirt, në zemër, në ëndrrat, në lutjet e tij.
    Dhe se fundi po ricitoj një vlerësim të thënë në promovimin e veprës së plotë të Presidentit Rugova, në cilësinë e Ministrit të Kulturës në qeverinë Betishanë vitin 2005: “Pas Skënderbeut në çetën e profetëve të kombit,Dr.Ibrahim Rugova dhe Ismail Qemal Vlora zënë të parin vend”, si arkitekt të dy shteteve të pavarura shqiptare në Ballkan ,të lidhura shpirtërisht dhe kombëtarisht nën
    idealin më të lartë të kombit shqiptar!
    Në mbyllje të këtij shkrimi modest po përcjell lutjen e tij për Kosovën, në 12 qershor 1999:
    “Të lutemi o Zot
    Për lirinë që na fale
    Të lutemi, o Zot
    Për kthimin tonë
    Në Kosovën tonë
    Në tokën tonë
    Të falemi ty
    Për këtë mrekulli
    O Zot!”

Botuar në Gazeta Sot më 02.12.2024

Hua 120 milionë euro që rëndon financat e vendit

Hua 120 milionë euro që rëndon financat e vendit

Sigurisht që në nivel të ekonomisë së gjelbër, jo ndotëse të rëndë të mjedisit tonë dhe jo eksportuese të mallrave toksike, sikurse ka ndodhur me skandalin e fundit qeveritar në Portin e Durrësit, ne kemi mangësi dhe hendeqe të mëdha. Për këtë arësye, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë”, i cili do të mundësojë financimin e programit të mësipërm nëpërmjet akordimit të një huaje, në shumën 120 milionë euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim, do të përbënte një nismë për t’u përshëndetur e mbështetur, po të mos jepej në duart e qeverisë për shpenzimet e buxhetit dhe po të kishte sekti në qeverisje më shumë se dyfishuar në 11 vjet borxhin publik të vendit për frymë.

Problematika parësore me këtë projektligj nuk qëndron tek ndihma e ofruar në formën e huasë koncesionale nga një institucion donator si Agjencia Franceze për Zhvillim, pavarësisht se kjo kredi nuk është krejtësisht “e butë”, pasi afatin e shlyerjes e ka sa gjysma e kredive të buta, vetëm 12 vjet, dhe jo 20-35 vjet, sikurse e kanë huatë e dhëna nga institucionet e tjera donatore, si Banka Botërore, banka gjermane me kapital shtetëror KfW, BERZH, Banka Evropiane e Investimeve, etj. Veçojnë sidomos huatë e buta të bankës gjermane me kapital shtetëror KfW, e cila është e pranishme në mjaft projekte me impakt të fortë ekonomik dhe social në shumë zona të vendit. Ne problemin madhor e kemi brenda vetes, me papërgjegjësinë dhe aventurat fiskale e financiare të qeverisë së sotme, që administron Buxhetin e Shtetit dhe që më 28 gusht 2024 miratoi Aktin Normativ Nr. 3 të saj, duke shkelur haptazi Nenin 7 të Kushtetutës, për ndarjen e pushtetit ekzekutiv nga ai legjislativ.

Mbështetje buxhetore për menaxhimin më të papërgjegjshëm të Buxhetit të Shtetit në tre dekadat e fundit!

Problematika thelbësore e pranimit të kësaj kredie koncesionare ka të bëjë me faktin që kjo hua jepet në formën e mbështetjes buxhetore, pra shkon për financimin e përgjithshëm të buxhetit të shtetit dhe defiçitit të përgjithshëm të tij. Fakti më demaskues është që nuk ka projekte konkrete që të shoqërojnë këtë marrëveshje huaje. Kjo kredi koncesionare i jepet një qeverie që në 11 vjet e ka dyfishuar borxhin publik për frymë të vendit. Që nuk bën asgjë për promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përkundrazi. Kjo qeveri ka thelluar pabarazinë shoqërore dhe ekonomike të shqiptarëve. Koefiçienti GINI i pabarazisë për Shqipërinë është më i larti në rajon dhe ndër më të lartët në Evropë. Sipas Marrëveshjes për kredinë, kjo hua jepet për të nxitur konsumin dhe prodhimin e përgjegjshëm në vend, duke siguruar modele të qendrueshme të konsumit dhe prodhimit.

Qeveria që kemi mbi krye në këta 11 vjet, nuk ka siguruar deri tani asnjë model të qendrueshëm prodhimi dhe konsumi. Nuk ka parë asnjëherë nga ekonomia prodhuese e vendit dhe nga eksporti, por vetëm i ka dëmtuar të dy këta motorrë zhvillimi, duke ua lënë të lira tregjet dhe duke favorizuar oligarkët e sektit Rama në pothuajse të gjithë tenderat shtetërorë, në dëm dhe rrënim të biznesit prodhues dhe eksportues të vendit sidomos të industrisë eksportuese fason të tekstileve dhe këpucëve. Qeveria e sotme nuk ka forcuar në asnjë nga këto 11 vite, qendrueshmërinë dhe kapacitetet përshtatëse të vendit ndaj rreziqeve që lidhen me klimën dhe katastrofat natyrore, por përkundrazi, e ka lënë vendin, fermerët dhe gjithë popullsinë në mëshirë të përmbytjeve në dimër dhe zjarreve të mëdha nga thatësira e tejzgjatur në verë. Vendi ka sot vetëm gjysmën e fondit pyjor që kishte tre dekada më parë, me ekosisteme tokësore dhe ujore të dëmtuara keqazi dhe me pyje të keqmenaxhuar. Për të gjitha këto arësye, ngre tre pyetje thelbësore për moralin e marrjes së kësaj kredie koncesionare nga sekti në qeverisje sot:

1. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro për Buxhetin e Shtetit për të nxitur konsumin, duke siguruar modele të qendrueshme të konsumit, kur mbështetja buxhetore për kategoritë në nevojë gjatë Pandemisë së Covid-19 ka qenë më e ulta në rajon?

2. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro per Buxhetin e Shtetit për rritjen e numrit të qyteteve që miratojnë dhe zbatojnë politika dhe plane të integruara drejt përfshirjes dhe efikasitetit të burimeve, kur kjo qeveri ka lënë në mes të rrugës Reformën Administrative dhe Territoriale të nisur në vitin 2015, duke krijuar një kaos të paparë dhe borxhe pafund në menaxhimin e 61 bashkive, disa prej të cilave të stërmëdha dhe pa kapacitetet e duhura njerëzore dhe financiare?

3. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro për Buxhetin e Shtetit për mbrojtjen, rimëkëmbjen dhe nxitjen e shfrytëzimit të qendrueshëm të ekosistemeve tokësore, kur ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura synojnë shkatërrimin e ekosistemeve të parqeve tona natyrore? Ne po marrim një hua të pambështetur nga projekte konkrete.

Shqipëria sot ka një sipërfaqe rekord të tokës djerrë dhe të papunuar prej më shumë se 100 mijë ha dhe ka humbur shumë në biodiversitetin e mrekullueshëm të saj. Për t’i shërbyer oligarkëve të Ramës, qeveria nuk ndalet në shkretimin edhe të të gjitha fshatrave të Lumit të Vlorës, duke projektuar devijimin e lumit të Shushicës, për t’u çuar ujë resorteve turistike të oligarkëve në Himarë.

Një borxh publik për frymë 2.5 herë më i lartë se 11 vite më parë!

Kredia koncesionare prej 120 milionë euro e Agjencise Franceze të Zhvillimit i jepet një qeverie që në 11 vjet e ka më shumë se dyfishuar borxhin për frymë të vendit, përmes aventurave të saj fiskale dhe financiare. Në vitin 2013, borxhi publik për frymë për çdo qytetar ishte 2,237 euro. Në vitin 2024 është 5,647 euro për frymë, me një rritje 2.5 herë! Pavarësisht se në dy vitet e fundit, kryesisht për shkak të mbiçmimit të lekut në tregun valutor, stoku i borxhit publik, në raport me PBB-në është ulur, kosto e borxhit, paratë që shqiptarët nga taksat e tyre paguajnë për interesat e këtij borxhi janë rritur. Për këtë vit, sekti i papërgjegjshëm në qeverisjen e Shqipërisë ka planifikuar rreth 13.3 miliardë lekë më shumë shpenzime për interesat e borxhit publik të vendit, në krahasim me vitin 2023, ose 133 milionë euro më shumë nga taksat tona. Rritja e pretenduar ekonomike e këtyre viteve 2021-2024 nuk sjell perspektivë tek njerëzit më në nevojë dhe tek qytetarët e thjeshtë, të cilët e kanë humbur përfundimisht shpresën për përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike.

Kur qeveria emeton borxh me norma më të larta interesi, kjo automatikisht sjell kosto më të larta të shërbimit të borxhit, pavarësisht uljes së nivelit të stokut të borxhit në vitet e fundit. Pavarësisht se qeveria pretendon se borxhi është ulur, rritja e ndjeshme e shpenzimeve për interesa të borxhit tregon se ulja e borxhit nuk është aq efektive sa paraqitet. Kjo nënkupton që, megjithëse borxhi publik nominalisht është ulur, shpenzimet e shërbimit të tij po shtohen, duke vendosur një barrë më të rëndë mbi buxhetin. Në këto kushte, marrja e një kredie të re koncesionale prej 120 milionë euro, kur në 12 vitet e ardhshme do të duhet t’i kthejmë kreditorit edhe 42 milionë euro më shumë, i rëndon financat publike të vendit dhe përbën papërgjegjshmërinë financiare të rradhës së sektit Rama në qeverisje.

Botuar në Gazeta Sot më 23.09.2024