Paaftësia në mbikëqyrje e AKEP-it

Paaftësia në mbikëqyrje e AKEP-it

Jam i detyruar të votoj kundër Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për arsyet e mëposhtme:
Qytetarët pesëfishojnë ankesat, AKEP vendos një gjobë…10 milionë lekë!
Sipas informacionit nga vetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar u depozituan në këtë institucion 2,123 ankesa nga pajtimtarët e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, në krahasim me 415 ankesa të paraqitura në vitin 2022. Edhe pse ankesat e përdoruesve pranë AKEP, në lidhje me refuzimin e kërkesave për bartjen e numrit celular nga operatori transferues, me mbifaturime, me pengesat apo vonesat për mbylljen e kontratës apo kalimin nga plane tarifore paspagesë në ato me parapagesë, etj., u pesëfishuan gjatë vitit 2023, institucioni veproi shumë me vonesë, duke vendosur një gjobë ndaj një prej dy kompanive të shërbimeve celulare në vend, tek e cila përqendroheshin 90 përqind e ankesave të qytetarëve, vetëm në nëntor 2023. Masa e gjobës prej 10 milionë lekësh ishte shumë e vogël, gati simbolike, për një operator që qarkullon me dhjetëra milionë euro në muaj. Shumë pak për një detyrë madhore që kishte AKEP vitin e kaluar dhe e ka edhe këtë vit e më tej, atë të kontrollit të rreptë dhe të detajuar të procesit që solli një situatë duopol në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.

AKEP, i paaftë të mbikëqyrë si duhet situatën duopol

AKEP u tregua i paaftë të mbikëqyrte plotësisht dhe me profesionalizëm të lartë procesin e ndërlikuar teknik të bashkimi mes dy ish-operatorëve në treg, proces që u reflektua edhe me shumë probleme në shërbimin për klientët. Që prej fillimit të vitit të kaluar, tregu i telefonisë celulare në vend ka vetëm dy operatorë, pas bashkimit me përthithje te operatorëve One Telecommunications dhe Albtelekom. Kjo situatë shtron rreziqe për rritjen e çmimeve nga dy operatorët e mbetur, për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit, madje, në shumë raste, edhe duke e dëmtuar atë. Edhe pse tërësisht i ndërgjegjësuar për këto rreziqe, sidomos për praninë e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet operatorëve në treg, nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që impaktojë drejtpërdrejt shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, AKEP nuk ka vepruar energjikisht për parandalimin dhe mënjanimin e tyre. Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar në tregun celular, ndikohet edhe nga faza e maturimit të këtij tregu, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore, të cilën aktualisht e zotërojnë dy operatoret aktuale. AKEP justifikohet për mosveprimin e tij rregullues, me mangësitë e kuadrit ligjor aktual, i cili nuk i mundëson instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në tregun me pakicë të komunikimeve celulare legjislacionit, kur duhet te ishte vete ky institucion promotor i ndryshimeve përkatëse ligjore! Vitin e kaluar u hodh për konsultim ligji i ri “Për komunikimet elektronike”. AKEP nuk provoi me të gjitha mundësitë e tij lobuese që ligji të miratohej brenda vitit 2023 dhe nuk doli asnjëherë publikisht me fushatë sensibilizuese dhe mesazhe të forta, për domosdoshmërinë e miratimit sa më parë të ligjit të ri. Ky ligj u miratua vetëm ditët e fundit dhe kjo vonesë përbën një dështim të madh të AKEP. Le të shpresojmë që ligji i ri i sapomiratuar, do të zbatohet me ekzigjencë nga operatorët në treg dhe do të mbikëqyret me profesionalizëm dhe përkushtim nga AKEP. Legjislacioni i Bashkimit Europian parashikon se një rregullim ex ante (paraprak) i tregjeve të komunikimit mund të justifikohet, në rastet kur përmbushet testi i tri kritereve: (i) ekzistenca e barrierave hyrëse dhe jo kalimtare për hyrjen e konkurrentëve të rinj; (ii) një strukturë tregu që nuk është e orientuar ndaj konkurrencës efektive dhe (iii) pamjaftueshmëria e ligjit të konkurrencës për të adresuar problemet e tregut. Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar disa herë AKEP në dekadën e fundit te punoje për vendosjen në rregullim të tregut celular me pakicë, AKEP e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë, me argumentin e pabazë se testi i tre kritereve nuk e justifikonte një ndërhyrje të tillë.

AKEP, tërësisht i përgjumur ndaj sfidës së teknologjisë 5G!

Zbatimi në Shqipëri i teknologjisë 5G duhet të ketë si përmasë kryesore respektimin e obligimeve tona në fushën e sigurisë si vend anëtar i NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-ve. AKEP, edhe gjatë vitit të kaluar, ka qëndruar indiferent ndaj rekomandimit për ngritjen e një Komiteti Kombëtar për vlerësimin e investimeve strategjike për teknologjinë 5G. Në këtë Komitet duhet të ketë përfaqësues jo vetëm të fushës ekonomike, por edhe të fushave të sigurisë, informatike, mbrojtjes etj. Për këtë duhet miratuar një bazë e posaçme ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti duhet të përfshijnë, ndër të tjera, (1) vlerësimin nëse ofruesit e teknologjisë 5G janë subjekt i kontrollit nga një qeveri e huaj, pa një proces të pavarur gjyqësor; (2) vlerësimin nëse furnitorët e rrjetit dhe ofruesit e shërbimit financohen në mënyrë transparente, duke përdorur praktikat më të mira në prokurim, investim dhe kontraktim; (3) vlerësimin nëse ofruesit e shërbimit kanë pronësi, partneritet dhe struktura qeverisëse koorporative transparente; (4) vlerësimin nëse ofruesit janë shembull i inovacionit dhe respektit për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale; si dhe (5) vlerësimin e riskut dhe sigurisë që ofruesit dhe teknologjitë e rrjetit krijojnë një mjedis të sigurt, pavarësi nga ndikimi qeveritar dhe pajtueshmëri me standardet e industrisë. Aksioma e punës së këtij Komiteti duhet të jetë respektimi i statusit tonë si vend anëtar i NATO-s, konsideruar si investimi më i madh strategjik në fushën e sigurisë kombëtare, që Shqipëria ka arritur në ekzistencën e vet si shtet. AKEP ende është shumë mbrapa për rekomandimin me forcë të masave emergjente të ruajtjes së teknologjisë së informacionit të instaluar në strukturat tona kryesore qeveritare dhe shtetërore në tërësi, nga sulmet kibernetike dhe piratereske, edhe pse shumë struktura nevralgjike si INSTAT, portali “e Albania, etj., kanë qenë objekt dhe janë dëmtuar nga këto sulme vitin e kaluar dhe këtë vit. AKEP i mungon strategjia dhe planet e veprimit për zhvillimin dhe zbatimin e duhur të teknologjive të reja të informacionit. Modalitetet e përdorimit të internetit në administratën publike kanë treguar mungesë procedurash për administrimin e incidenteve në platformat kompjuterike dhe rrjetat e tyre; përdorim jo të përshtatshëm të trafikut të internetit dhe mungesë kontrollesh ndaj përdoruesve, duke shtuar rrezikun e cenimit të të dhënave. Me kalimin e infrastrukturës celulare nga rrjeti 4G në atë 5G, jo vetëm përdorimi, por krejt ekonomia jonë mund dhe duhet të riorganizohet rreth teknologjisë më moderne, si shtyllë kurrizore e saj. Teknologjia 5G premton inteligjencë artificiale, mjete autonome transporti, civile dhe ushtarake, si dhe qytete smart, etj. Një teknologji e tillë nuk është thjesht një motor ekonomik, që do të shtojë forcën tërheqëse drejt rritjes ekonomike. Në duart e gabuara, ajo mund të shndërrohet në një instrument kontrolli dhe cenimi fatal sigurie. AKEP ende nuk është gati dhe nuk ka strategjinë e duhur, për të na dhënë siguri të arsyeshme të përdorimit të teknologjisë 5G. Kjo është arsyeja kryesore, pse kjo teknologji e së sotmes dhe së ardhmes nuk ka hyrë tek ne dhe nuk do të hyjë, për fat të keq, edhe për një periudhë tjetër të gjatë, edhe për shkak të mosreagimit dhe mosveprimit në kohën e duhur të AKEP.

Botuar në Gazeta Sot më 29.06.2024

25 vjet-Kosova e lirë

12 qershori është një ditë e shenjtë për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. 25 vite më parë përfundoi Lufta e Kosovës, dhe iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë i parapriu një lufte të ashpër mes UÇK-së dhe forcave serbe. Në 12 qershor 1999 në Kosovë hynë rreth 50.000 trupa të KFOR-it nga 39 shtete duke bërë që Millosheviçi dhe regjimi i tij të dorëzoheshin përpara SHBA dhe NATO-s duke i dhënë shpresë dhe jetë shtetit më të ri në Evropë dhe duke ngjallur shpresat për pavarësi. 25 vite më parë Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo kosovar luftoi e sakrifikoi, është prova se sa e shenjtë dhe e shtrenjtë është Liria, Pavarësia e prosperiteti. 12 qershori është dita e nderimit të sakrificave, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së, Presidentit historik Ibrahim Rugova, Komandantit të Përgjithshëm Adem Jashari, heronjve Fehmi Lladrovci, Adem Demaçi, Hashim Thaci, Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, etj, të cilët me luftën e tyre hodhën themelet e shtetit të ri kosovar, të ndërtuar sipas postulatit të famshëm të presidentit Rugova: “Një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit të Kosovës.” Sot është dita të shprehim mirënjohjen më të thellë për presidentin Klinton, Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, kryeministrin britanik Tony Blair e të gjithë ata liderë amerikanë e europianë, të cilët mbështetën e udhëhoqën forcat e NATO-s në luftën e Kosovës dhe që u vunë në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë. Sot, 25 vite më pas, sfidat janë edhe më të mëdha jo vetëm për forcimin e demokracisë në Kosovë por edhe për integrimin e plotë në BE e NATO. Siç thekson dhe kryetari e lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri, Prof.Dr.Sali Berisha se: “Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitetktit të saj, politikanit vizionar dhe mendje ndritur të kombit shqiptar, Presidenitit Ibrahim Rugova, Gandit të Europës që endi në shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve të Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike të njeriut të civilizuar, lirinë dhe pavarësinë e vendit. Presidenti Rugova themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbarë. Ai paraqiti dhe mbrojti me vendosmëri dhe vizion në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të botës çështjen e drejtë të popullit të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Ai arriti ta shndërroje këtë kauzë në çështje kryesore të axhendës të SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!”. Në mbyllje të këtij postimi po përcjell lutjen e Dr.Ibrahim Rugovës për Kosovën, në 12 qershor 1999:
“Të lutemi o Zot

Botuar në Gazeta Sot më 12.06.2024

Mirënjohje për TIKA-n!

Mirënjohje për TIKA-n!

Popullin turk dhe popullin shqiptar i lidh një miqësi tradicionale dhe lidhje historike, shpirtërore e kulturore që shtrihen ndër shekuj. Mbi të gjitha, shqiptarët ushqejnë për babain e kombit turk, Mustafa Qemal Ataturkun, një personalitet i përmasave botërore, një dashuri dhe admirim të madh. Janë me dhjetra titujt e librave në shqip kushtuar Ataturkut, si dhe ka shumë aktivitete të zhvilluara në Shqipëri, për njohjen e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në themelimin dhe zhvillimin e Turqisë moderne. Mbi këtë bazë, përshëndes projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillim, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Turqisë dhe caktimin e statusit juridik dhe administrativ të zyrës në Shqipëri të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)”, si një veprim që do të shtojë bashkëpunimin ekonomik, arsimor, social e kulturor mes Shqipërisë dhe TurqisëMbi 600 projekte të TIKA-s në Shqipëri

Populli shqiptar dhe institucionet e Shtetit të Shqipërisë do t’i jenë thellësisht mirënjohëse popullit dhe Shtetit turk, për ndihmën e pakursyer në përballimin e periudhës së vështirë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, apo pas trazirave të vitit 1997. Ndihma turke për Shqipërinë ka qenë konstante dhe një shprehje e përqëndruar e saj është pikërisht aktiviteti 28 vjeçar i TIKA-s tek ne, me mbi 600 projekte të realizuara deri tani. TIKA është një nga donatorët kryesorë në vendin tonë, që ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, në tre dekadat e fundit. Projektet zhvillimore të TIKA-s kanë pasur për qëllim transformimin dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit, rindërtimin e infrastrukturës institucionale, përmirësimin e kapaciteteve administrative, forcimin e sektorëve të prodhimit dhe rritjen e kapaciteteve të punësimit, zhvillimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore dhe ringjalljen e turizmit.

Projektet e TIKA-s nuk njohin limit, në të gjitha fushat e ekonomisë dhe shoqërisë

Me fondet e TIKA-s janë rehabilituar ujësjellës, kopshte e shkolla, janë ndërtuar spitale, duke u pajisur me aparatura moderne, janë trajnuar mjekë, por edhe punon­jës të policisë, janë ndihmuar familje në nevojë dhe fëmijë jetimë, blegtorë, bujq dhe bletërritës në zona të largëta të vendit. Sektorët ku TIKA jep kontribut janë kryesisht shëndetë­sia, arsimi dhe turizmi, por agjencia mbështet dhe mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, zhvillimin e T.I., kulturës, sportit, medias, bujqësisë, si dhe projekte në ndihmë të personave invalidë, apo me aftësi të kufizuara fizike. Projektet e TIKA-s nuk njohin limit. TIKA, projektet dhe aktivitetet e së cilës kanë vazhduar të rriten me kohen, ka zbatuar 52 projekte në sektorin e shëndetësisë, nga rinovimi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e deri te krijimi i laboratorëve të analizave mjekësore dhe ofrimi i mbështetjes kompjuterike, si dhe 302 projekte në fushën e bashkëpunimit social dhe kulturor dhe zhvillimit të infrastrukturës administrative dhe civile. Me rëndësinë që i ka dhënë fushës së arsimit në Shqipëri, agjencia turke kryen projekte për ndërtimin e shkollave, rinovimin e gjerë të çerdheve, shkollave dhe konvikteve ekzistuese, si dhe ofrimin e pajisjeve, duke përfshirë infrastrukturën teknike dhe mobilimin e institucioneve arsimore. Në këtë kuadër, deri tani, në të gjithë vendin janë realizuar 131 projekte në fushën e arsimit. Projekti i 131-të, i realizuar këtë vit, kishte të bënte me ngritjen dhe kompletimin me pajisje dhe materiale laboratorike të laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Këto laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat e arsimit në Shqipëri, një model që TIKA zotohet ta aplikojë edhe në struktura të tjera arsimore. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë në Shqipëri, ku në projektin e vitit të kaluar, ka shpërndarë motokultivatorë për 33 familje të fëmijëve jetimë në Lushnjë. Gjatë këtij viti, nga projekti i TIKA-s po ndihmohen 50 familje në nevojë, me farëra fasule, misri, jonxhe dhe pleh kimik, në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Në këto afro tre dekada bashkëpunimi, ndër projektet më të mëdha sociale të TIKA përmend Qendrën e Dializës për Fëmijë, e vetmja në Shqipëri dhe Bankën e Gjakut në Vlorë. Për mua, gjatë kohës kur shërbeja me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mori një vlerë të veçantë projekti i realizuar nga TIKA, për mundësimin e trajnimit të dhjetra e dhjetra audituesve tanë pranë institucionit modern të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, përgjatë dy viteve 2013-2014, duke sjellë rritjen e dukshme të kapaciteteve audituese të stafit, në një periudhë sfidash dhe ndryshimi të pandërprerë për institucionin.

TIKA zgjeron dukshëm ndihmën dhe projektet në Shqipëri

Vërej me kënaqësi që fushat e paracaktuara të bashkëpunimit në marrëveshjen e re janë zgjeruar, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe pylltarisë, mbrojtjen e mjedisit, agroindustrinë dhe sigurinë ushqimore, ujin dhe higjienizimin, zhvillimin rural dhe nxitjen e industrive cilësore, të mirëbazuara, përfshirëse dhe të qëndrueshme, shëndetësinë, mbështetjen për uljen e varfërisë, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen për grupet vulnerabël, arsimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e inovacionit e të teknologjisë, turizmin, bashkëpunimin në fushën detare, si dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale e administrative, qendrore e vendore. Mbështetja teknike nga TIKA do të jepet në formën e transferimit të know-how, trajnimit të stafit, aktiviteteve konsultuese, sigurimit të pajisjeve, shërbimeve, teknologjive të reja, ndërsa asistenca financiare do të jepet në formën e granteve për mallra, materiale dhe pajisje të nevojshme për realizimin e projekteve apo shërbimeve të caktuara. Jam i sigurt se programet e zhvillimit, në kuadrin e kësaj ndihme bujare të popullit dhe qeverisë turke, do të kontribuojnë në zhvillimin konkret social dhe ekonomik të vendit. Lidhur me statusin e zyrës përfaqësuese të bashkëpunimit turk në Shqipëri, gjykoj se do të ishte mirë që TIKA-s, krahas përjashtimeve, privilegjeve dhe imuniteteve, që i njihen, bazuar në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, lidhur me mjetet e transportit, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, llogaritë bankare, interesin dhe transferimin (remitancat), vizat dhe lejet e qëndrimit për zyrtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes së stafit, të përfshiheshin dhe përjashtimi nga TVSH për mallrat dhe shërbimet që TIKA porosit të vijnë në Shqipëri, në realizimin e projekteve të saj këtu…

Botuar në Gazeta Sot më 07.06.2024

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të mbrojë qytetarët

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të mbrojë qytetarët

Gjatë vitit të kaluar, megjithë përpjekjet e bëra, sikurse rezulton edhe nga Raporti Vjetor 2023 i institucionit, gjykoj se, për fat të keq, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij në mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet në treg dhe me tenderat publikë, kryesisht për katër arësyet e mëposhtme.

Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të kufizojë marrëveshjet e ndaluara në ofertat për tenderat publikë, duke mos parandaluar dhjetra miliona euro dëm

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë edhe gjatë vitit 2023 denoncime të shumta, për rastet kur kompanitë private pjesëmarrëse në tendera shtetërorë, bashkëpunojnë me vetëdije përpara tenderit në ofertat që japin, duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg. Ka bërë deri tani të dy sytë qorr dhe veshët shurdh! Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të fshihet pas mungesave të sotme të përkufizimeve në ligjin e konkurrencës, të marrëveshjeve paraprake në oferta. Rastet janë të shumta dhe po bëhen dominuese në tenderat shtetërorë me vlera të mëdha, ku kompanitë private, gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për entet shtetërore, pasi situata kartel në këto raste është e qartë.

Autoriteti i Konkurrencës (AK) i njeh mirë format e marrëveshjes në oferta në tenderat shtetërorë, të cilat mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë, sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë, e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë, e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor. AK i njeh mirë edhe rastet e ofertave të përmbajtura, kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë, apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur, në mënyrë që oferta e paracaktuar fituese në marrëveshje, të pranohet si e tillë.

AK njeh edhe ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre, sipas një radhe të caktuar. Po ashtu, njeh edhe ndarjen e tregut në tenderat publikë, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë një pjesë të tregut dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike të vendit. Edhe pse i njeh mirë parregullsitë e mësipërme të vërtetuara në pjesën dërrmuese të tenderave shteterorë me fond limit mbi 100 milionë lekë, Autoriteti i Konkurrencës ka zgjedhur të lërë të qetë me dhjetra e qindra tendera të tillë, duke kontribuar në dëmin ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në nivel me dhjetra miliona euro në oferta të rritura artifiacialisht dhe shmangjen e konkurrencës, me frikën se hetimet e tij në marrëveshjet paraprake në oferta, do të shqetësojnë shumë drejtues publikë të lartë, deri kupolën e sektit Rama.

Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të rregullojë tregun duopol të telefonisë celulare

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në rregullimin e situatës duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare përgjatë vitit 2023 dhe këtij viti, megjithë denoncimet, shqetësimet dhe ankesat e parreshtura të qytetarëve, një pjesë të përcjella nga mediat e vendit. Situata duopol verifikohet kur në një treg të caktuar operojnë vetëm 2 operatorë, të cilët e shtrembërojnë tregun, si në rastin e Shqipërisë me dy kompanitë celulare.

Në tregun duopol, kompanitë i vendosin çmimet e tyre në marrëveshje me njëra tjetrën, duke shmangur konkurrencën e lirë dhe rënduar konsumatorin final, që janë mbi një milionë e tetëqind mijë qytetarë që banojnë në Shqipëri. Ankesat e qytetarëve dëshmojnë se si në një treg të tillë, dy operatorët ofrojnë shërbime nën kosto, fillimisht duke e bërë tepër të vështirë hyrjen në treg të operatorëve të tjerë. Më pas, për të rikuperuar humbjet e shitjeve nën kosto, këto kompani rrisin artificialisht çmimet e paketave të tyre në shifra të larta, njëherë që kanë siguruar klientelën. Qytetarët konsumatorë, duke mos patur alternativa të tjera, detyrohen të paguajnë çmimet e vendosura me marrëveshje nga duopoli.

Asnjë marrëveshje të tillë AK nuk ka qenë i aftë të zbulojë dhe hetojë, edhe pse denoncimet e qytetarëve ishin të qarta. Rritja artificiale e çmimeve sjell në këtë treg edhe mungesën e inovacionit dhe ofrimit të shërbimeve të reja e më të mira për abonentët, pasi duke mos patur konkurrencë, firmat në duopol nuk kanë asnjë interes të zhvillojnë më tej shërbimin. Duopoli është rast thuajse unik për tregjet celulare, jo vetëm në Europën e Bashkuar, por edhe në rajonin tonë. Nëse analizojmë vendet e Ballkanit, shohim se Rumania dhe Sllovenia kanë 4 operatorë të telefonisë së lëvizshme. Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi , Serbia dhe së fundmi edhe Maqedonia e Veriut kanë secila nga 3 operatorë. Vetëm Shqipëria ka 2 operatorë!

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të rregullojë tregun bankar dhe jo bankar të kredive dhe mikrokredive

AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Institucioni duhet të kishte rrokur inisiativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arësyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor.

Autoriteti i Konkurrencës duhej të kishte mbikqyrur më me kujdes dhe fokus tregun e kreditit bankar dhe tregun e ndërmjetësve financiarë, të cilët mobilizojnë kursimet e shqiptarëve për një zhvillim më të qendrueshëm të vendit, pasi kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta. AK duhej të kishte punuar që të reduktohet ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare, por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve.

Në këto tregje shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës ka një përgjegjësi dhe mision të qartë, në mbrojtje të qytetarit-konsumator dhe klient. AK në asnjë rast nuk zbatoi praktikën e njohur, të ndjekur rëndom nga shumë struktura simotra perëndimore të tij, të njoftimeve dhe të paralajmërimeve, të bera publike, ndaj operatorëve abuzues në treg, për të rritur presionin dhe për t’i frenuar ata në vijimin e abuzimit.

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të parandalojë dhe të luftojë situatat kartel në shumë tregje kryesore

Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrences e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese, gjatë vitit 2023, institucioni duhej të kishte provuar më fort dhe me efektivitet të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, bazuar edhe në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit. Këto situata, të tipit monopol dhe oligopol, janë lënë të zhvillohen nga Autoriteti i Konkurrencës si metastaza kanceri, duke kapur të gjithë ekonominë tonë.

AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2023, në mos edhe me një ritëm më të shtuar. Këto marrëveshje, kanë arritur që të dëmtojnë mirëfunksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe rëndë konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel. Hetimet e thelluara nga Autoriteti i Konkurrencës në disa tregje prodhimi dhe tregtimi duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. Mungesa e gjobave shembullore në këto hetime të thelluara është shenjë e dobësisë së punës së AK.

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Përmend sërisht situatën kartel të provuar plotësisht në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht.

Në tërësi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e nje grushti kompanish te perkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë. Këto përbëjnë arësyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga sekti qeverisës në pushtet, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.

Botuar në Gazeta Sot më 23.07.2024

Dhjetë fakte mbi falsitetin e Rezolutës antikorrupsion të sektit Rama

Dhjetë fakte mbi falsitetin e Rezolutës antikorrupsion të sektit Rama

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen do t’i kalojë të hënën Kuvendit për votim. Opozita dhe mbarë qytetarët shqiptarë duhen të distancohen me forcë nga propaganda gëlbelsiane e Ramës, që synon gjoja të denoncoje korrupsionin galopant, të cilin ka njëmbëdhjetë vjet që po e realizon dhe orkestron po vetë. Dhjetë arsyet e falsitetit dhe hipokrizisësërezolutës parlamentare të PS-sëpër të luftuar korrupsionin janë: Uzurpimi i institucioneve të pavarura dhe i “Drejtësisë së Re”. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe keqpërdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i shpërdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga Rama dhe klonët e tij në pushtet Korruptimi i segmenteve të caktuara të opozitës nga viti 2017 e deri më sot, për të dobësuar dhe demotivuar opozitën, në përqëndrimin e të gjitha forcave të saj në luftën ndaj korrupsionit galopant të qeverisë dhe në ofrimin e një alternative të re. Goditja selektive ndaj opozitës, bllokimi i vulës së Partisë Demokratike dhe goditja e sulmi i egër ndaj Rithemelimit dhe aksionit të saj. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global. Goditja e paprecedent ndaj opozitës, duke realizuar izolimin e liderit të saj Prof.Dr. Sali Berisha, pa fakte dhe në rrugë antikushtetuese. Burgosja politike e liderit të opozitës është ideuar dhe urdhëruar nga Edi Rama. Moslejimi i opozitës për të realizuar koalicionet para-elektorale, duke bllokuar Reformën Zgjedhore.Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnjë nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar. Ishte Rama ai që instaloi në vend antikulturën e papërgjegjshmërisë, duke bllokuar transparencën dhe llogaridhënien. Sipas formulës sëstudiuesit të mirënjohur të luftës kundër korrupsionit, Robert Klitgaard, korrupsioni ndjek formulën e: K = M + S – P ku K është korrupsioni, M monopoli, S sasia që mund të përfitohet nga korrupsioni (e quajtur ndryshe fuqia diskrecionale e korrupsionit, liria e veprimit të tij) dhe P përgjegjshmëria, llogaridhënia. Korrupsioni është i barabartë me monopolin, plus liri veprimi, minus llogaridhënien. Ishte pikërisht Rama dhe sekti i tij, që me mungesën gati të plotë të llogaridhënies dhe shitjes së propogandës për transparencë, forcuan dhe betonuan korrupsionin, duke e kthyer në sistem në Shqipëri. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar.Transparency International arrin në përfundimin se kapja e shtetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm dhe rendit plot 9 ligje që dyshohen se janë bërë me porosi, si ligji special për Teatrin, ligji për mediat audiovizive, ligji për lojërat e fatit, për lotarinë kombëtare, ligji për koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania Air Albania, apo mbi oferta të pakërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, etj., të cilat miratohen me shpejtësi nga një shumic tërësisht e nështruar në Parlament, në mungesë të transparencës dhe konsultimeve publike. Sipas raportit të Transparency International, Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut. Listës së ligjeve të denoncuara nga Transparency International si të kapura, apo të qepura, i duhen shtuar Ligji 20/2020 i masakrëssë tokave, Ligji i Investimeve Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, etj. Abuzim dhe shpërdorimet galopante në investimet publike.Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit! Korrupsion politik nderkombetar me nismen “Open Balkan”. Kjo nismë ishte karshillëk dhe në kundërshtim të plotë me Procesin e Berlinit, ideuar nga Gjermania dhe BE.Vuçiç dhe vasali i tij Rama i përpoqën më kot, pasi forcat progresiste në Ballkan, BE dhe SHBA nuk e lejuan implementimin e “Open Balkan”, këtij projekti neotitist, që synonte izolimin e Kosovës dhe zgjatimin i hegjemoninsë ruse në rajonin tonë. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH. Abuzimi masiv me PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime. Në shumicën dërrmuese të tyre, ato përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit te Shqiperise. Shembull tipi janë kontratat PPP të inceneratorëve, ku shteti i merr të gjitha risqet dhe dëmi ekonomik paraqitet në nivele dhjetra milionë euro. Mungesa e plotë e mbrojtjes ndaj biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në tre vitet e fundit 2022-2024, eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 20 përqind, në krahasim me lekun, në tregun vendas. Qeveria vetëm u premton mbështetje eksportuesve, por nuk ben asgje per ta. Vonon aplikimin e te ashtuquajtures “garanci sovrane” per sektorin e manifaktures, edhe tani, pasi u vonua tre vjet per te “ndihmuar fasonistetsidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

Botuar në Gazeta Sot më 27.05.2024

Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

Autokrati Rama i ka prerë krahët lirisë së informacionit!

Sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët dhe mbarë vendi ynë, vijnë kokëulur në bilancin e lirisë së të shprehurit dhe mungesës së censurës, të hapur apo të fshehtë, për të thënë atë që mendon në Shqipëri.

Në mbarë botën e qytetëruar, të zhvilluar dhe demokratike, shtypi dhe media e lirë konsiderohen si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e qeverisjes mbi fondet publike dhe mbi të drejtat themelore të njeriut.

Shtypi dhe media e lirë përfaqësojnë realisht lirinë e shprehjes në një vend. Mungesa e lirisë së shtypit dhe medias ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Kjo është njëra nga liritë e para dhe përcaktuese shoq?rore e politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, si shtyllë e vetë demokracisë ruhet, vetëm nëse qarkullon informacioni i lirë, objektiv dhe i ndershëm.

Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë , qofshin ato totalitare apo autokrate, gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve të lirisë së informacionit.

Këtë ka bërë edhe sekti Rama në pushtet, duke blerë pjesën më të madhe të mediave tradicionale dhe online, përmes dhënies së tenderave shtetërorë, projekteve me fonde publike dhe qindra lidhjeve dhe “favoreve” të tjera okulte.

Dita Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit përfaqëson një m?nyr? dhe nj? nga mjetet për të zbuluar problemet jetike për një demokraci të brishtë si kjo e jona, ku autokrati Rama përdor sektin e tij në pushtet, për të kontrolluar fiskalisht në mënyrë selektive dhe të hapur mediat e lira dhe kritikuese ndaj tij, ndërkohë që favorizon me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm ato media që shiten për tendera publikë dhe leje ndërtimi dhe që i fërkojnë krahët.

Influencën dhe ndikimin abuziv të pushtetit në Shqipëri, mbi mediat, opinionin publik dhe vetë qytetarët, e ka denoncuar vitet e fundit fuqishëm organizata ndërkombëtare prestigjoze Freedom House.

Kjo organizatë, e cila mat lirinë e medias dhe të të shprehurit të lirë dhe pa censurë të gazetarëve në të gjitha vendet e botës, ka denoncuar fuqishëm skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve shqiptarë, të grumbulluara nga serveri i Partisë Socialiste.

Freedom House e ka cilësuar praktikën e grumbullimit të të dhënave personale sensitive të popullatës, si numri i kartës së identitetit, numri i llogarisë bankare, targa e makinës, etj., si një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarit dhe sprovë për manipulim të pozicionit të tij shoqëror, për interes të ndikimit zgjedhor mbi qytetarin.

Freedom House ka konstatuar se të dhënat sensitive të 910 mijë qytetarëve të Shqipërisë ishin grumbulluar në serverin e patronazhistëve të Ramës dhe, për më tepër, ishin siguruar nga një portal qeveritar e-Albania, i cili ofron shërbime publike online, duke shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikurse përmendet në raportin e organizatës, Partia Socialiste fillimisht e mohoi ekzistencën e kësaj baze të dhënash, por kryeministri Rama më vonë e pranoi se partia e tij, që nga viti 2009, kishte mbajtur një bazë të dhënash të brendshme, duke mbledhur informacione, në kuadër të të ashtuquajturit “sistem i patronazhit”.

Freedom House ka denoncuar fuqishëm mekanizmin okult shtetëror të ngritur nga sekti Rama në pushtet, për të influencuar qytetarët permes patronazhistëve, duke disponuar dhe keqpërdorur të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Freedom House thekson se shkeljet tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale. Organizata ndërkombëtare shprehet e keqardhur që ndaj skandalit të patronazhistëve me të dhënat sensitive të qytetarëve, nuk u nis asnjë hetim i organeve ligjzbatuese. Madje, organizata cilëson se nuk u arrit të organizohej as edhe një dëgjesë publike në Parlamentin e Shqipërisë, lidhur me mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo i trajtojnë të dhënat personale sensitive të qytetarëve.

Botuar në Gazeta Sot më 03.05.2024

“Open Data Albania”, Instituti në dobi të transparencës dhe llogaridhënies

“Open Data Albania”, Instituti në dobi të transparencës dhe llogaridhënies

Prej muajit shkurt 2024, organizata e mirënjohur me integritet dhe kurajoze e shoqërisë civile, Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), e cila menaxhon portalin e mirënjohur Open Data Albania dhe është zotëruese dhe zhvilluese e projektit Open Spending Albania, ku denoncohen praktikat abuzive dhe korruptive të qeverisjes, ndodhet në vështirësi për fonde për mirëmbajtjen, përditësimin, zhvillimin dhe pagesën për hapësirën server. Open Spending Data është instrument i krijuar nga ekipi programues, ekonomistë dhe aktiviste antikorruspion pranë AIS/Open Data Albania. Njëlloj si Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Open Data Albania, ai drejtohet nga Aranita Brahja, themeluesja e AIS dhe profesionistja , që me dijet dhe karakterin e saj, do të ishte dinjitoze në çdo pozicion të lartë të institucioneve qeveritare të vendit. Projekti rrezikon mbylljen e bazës së të dhënave, Database të Open Spending Albania, çka do të sillte pasoja të rënda në mungesën e transparencës, llogaridhënies, aktivizmit dhe veprimtarive anti-korrupsion. Open Spending Albania-shpresë e qytetarëve për të bërë transparencë me paratë e Shtetit Portali i AIS(më parë me emrin Open Data Albania) ka përfaqësuar në këta 12 vjet një nga instrumentet më të rëndësishëm dhe efektivë për transparencë, mirëqeverisje dhe antikorrupsion. Përmes Open Spending Albania, qytetarët kuptojnë se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Open Spending zbardh dhe e bën të aksesueshme çdo pagesë nga institucionet buxhetore te Shtetit, drejt kontraktorëve privatë, që nga viti 2012 e në vijim. Përmes kryqëzimit të të dhënave, analizave dhe krahasimeve që ofron Open Spending Albania, jo vetëm ekonomistët dhe gazetarët, por edhe qytetarët mund të kuptojnë abuzimet dhe aktet korruptive të qeverisjes së sotme. Gazetarët investigative dhe aktivistët më të guximshëm në vend i përdorin të dhënat e Thesarit të Shtetit, të ofruara me qartësi, profesionalizëm dhe transparencë të plotë nga Open Spending Albania, për të denoncuar raste keqpërdorimi, korrupsioni, klientelizmi dhe konflikti interesi nga institucionet publike qendrore dhe vendore. Shumë raste të abuzimeve publike, edhe ato në periudha zgjedhore, janë zbardhur përmes shifrave dhe transparencës së mundësuar nga kjo bazë e mirë-strukturuar të dhënash. Në një rast, transparenca në pagesat e Thesarit të Shtetit çoi në inicimin e një procesi për heqje të Mandatit të Deputetit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të konfliktit të hapur të interesit. Sekti Rama: bllokim absolut fondesh shtetërore dhe presion okult mbi ndërkombëtarët. Duke fuqizuar publikun, aktivistët dhe luftën antikorrupsion, me të dhëna transparente për raste flagrante abuzive, AIS/Open Data Albania deri tani, ka marrë shpesh pakënaqësi të theksuara nga njerëz në pushtet dhe biznese pranë tyre. Instituti Shqiptar i Shkencës ka pësuar edhe tentativa për sulme kibernetike, për fat, të dështuara. Duke parë këtë aktivitet që gjeneron orë e çast llogaridhënie dhe investigime për të zbuluar korrupsionin, sekti Rama në pushtet ka provuar me të gjitha mjetet e hapura dhe okulte të pengojë aktivitetin e Institutit Shqiptar të Shkencës. Sekti në qeverisje AIS dhe projektit Open Spending Albania ia ka bllokuar tërësisht aksesin në fonde dhe programe shtetërore, pavarësisht se Instituti Shqiptar i Shkencës ka aplikuar gjithmonë me profesionalizëm dhe korrektësi. Ndërkohë, nuk është ndalur me kaq. Sekti Rama ka arritur të kompleksojë edhe donatorët perëndimorë në vend, që kanë kuptuar ose u është dhënë të kuptohet, diku hapur e diku pak fshehur, se mbështetja e tyre ndaj projekteve dhe aktiviteteve të reja të Open Spending Albania nuk “shihet me sy të mirë” nga Rama dhe të tijtë. Një rezultat i drejtpërdrejtë i presionit okult të Ramës është se sot, edhe pse nevojiten më shumë se kurrë, janë shumë të pakta ose mungojnë tërësisht projektet me para të taksapaguesve të vendeve Perëndimore, për të forcuar transparencën, llogaridhënien dhe kulturën watchdog në Shqipëri. Instituti Shqiptar i Shkencës kërkon ndihmën e opinionit publik shqiptar, për të mos lejuar mbylljen e Open Spending Albania, një nga instrumentet më të rëndësishëm në forcimin e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies dhe në luftën ndaj korrupsionit dhe antikulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Lufta antikorupsion, aktivizmi dhe fuqizimi i veprimtarëve watchdog tek ne mbeten detyra thelbësore të opozitës dhe mbarë shoqërisë sonë sot. Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja të saj kanë ende punë për të konsoliduar rezultatet kundër keqqeverisjes dhe pandërshkushmërisë së funksionarëve të lartë publikë. Për të kontribuar në këtë mision dhe sfidë, qeveria, në vend që të shpërdorojë fondet e saj për patronazhistët me kollare, duhet të ndihmojë Institutin Shqiptar të Shkencës dhe projektin e tij themeltar Open Spending Albania, nga fondet që mbështet shoqërinë civile. Së dyti, Institucioni Suprem i Auditit, i cili iu është referuar dhe i ka përdorur shpesh gjetjet e Open Spending Albania në auditimet e tij, duhet t’i trajtojë financiarisht si ekspertë të jashtëm me pagesë, konform kornizave ligjore dhe standarteve të INTOSAI-t, ekspertët e AIS dhe Open Data. Me të gjitha forcat tona, ne duhet të denoncojmë dhe të ushtrojmë ndikim dhe pranë ambasadave perëndimore në Tiranë dhe institucioneve donatore në Shqipëri, si opozitë, media dhe aktivistë të luftës antikorrupsion, që veprimtarisë së vyer të Institutit Shqiptar të Shkencës dhe projektit Open Spending Albania të mos i mbyllen dyert përgjithmonë!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 22.04.2024

Integrimi i vendit ka ngelur në cektinë!

Integrimi i vendit ka ngelur në cektinë!

Një shtet që aspiron anëtarësimin e shpejte në BE, duhet të përmbushë ne kohe dhe plotesisht kërkesat e Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të ndërmarrë reforma konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor.

Vlerësoj Raportin Vjetor 2023 të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, në nivel të takimeve periodike dhe ndërgjegjësuese që ka organizuar gjatë vitit të kaluar, të informacionit që ka dhënë dhe përpjekjeve për të ndihmuar zbatimin e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, e gjykoj shumë problematik rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, edhe përgjatë vitit 2023 dhe në muajt e parë të këtij viti, për një sërë dështimesh serioze dhe të rënda, si më poshtë:

I. Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe reale për qytetarët

Mungesa e shtetit ligjor përbën burimin që ushqen disa prej plagëve kryesore, prej të cilave tashmë po vuan, për më shumë se një dekadë, demokracia jonë e brishtë dhe shoqëria shqiptare, si (i) emigrimi masiv, që po sjell boshatisjen e vendit; (ii) kapja e shtetit nga grupe të caktuara të biznesit, e denoncuar nga Transparency International, DASH, etj.; (iii) demonizimi dhe konsiderimi i opozitës si armike; (iv) goditja selektive ndaj mediave, (v) indiferenca dhe mungesë e theksuar e mbrojtjes së shtresave të varfëra të popullsisë, etj. Po i shtjelloj më poshtë këto plage dhe arësye themelore, pse integrimi i vendit ka ngelur në cektinë:

(i) Braktisja e frikshme e vendit. Mungesa e një demokracie funksionale dhe reale për qytetarët është arësyeja kryesore e largimit të tyre masiv nga vendi. Në vitet e sektit Rama në pushtet, jo vetëm u larguan të rinjtë, por edhe profesionistët dhe sipërmarrësit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë, që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktarë themelorë të boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisjes masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për cilindo cens që organizohet në botë.

(ii) Kapja e shtetit nga grupe të caktuara të biznesit (më saktë, oligarkë pranë Ramës), e denoncuar nga Transparency International, DASH, etj. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria ve­çon në rajon, në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, abuzimet masive me Ligjin e Investimeve Strategjike, të shtyrë për herë të pestë si afat deri në 31 dhjetor 2024, si dhe ndryshimet e marsit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që i hapin rrugë abuzimeve të oligarkëve të Ramës me ndërtime edhe në këto zona.

(iii) Demonizimi dhe konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale, izolimi në Kuvend dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme, nga vetë i ashtuquajturi Lider Global, Rama.

(iv) Goditja selektive ndaj mediave. Për sektin Rama në qeverisje, nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë ndaj shtypit dhe portaleve të lira. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj vetë mediave dhe ndaj kompanive që i financojnë këto media.

(v) Indiferenca dhe mungesa e theksuar e mbrojtjes së shtresave të varfëra të popullsise. Megjithë propogandën e shfrenuar për gjoja fytyrën humane dhe sociale të buxhetit të shtetit, të përgatitur nga sekti në qeverisje, megjithë qindra milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitin 2023, qeveria vetëm i rimbursoi pensionet në vitet shumë të vështira 2022-2023, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për të 717 mijë pensionistët e vendit.

Në stadin aktual të zhvillimit të demokracisë shqiptare, mungesa e shtetit ligjor është kthyer në pengesen më madhore, me të cilën përballet shoqëria jone, në rrugën që rrezikon të zgjatet pambarimisht, drejt përmbushjes së standardeve për integrimin europian.

II. Kemi dështuar të garantojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura

Edhe gjatë vitit 2023, rastet e zhvlerësimit kostant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të institucioneve te pavarura te vendit kane qene te shumta. Rasti ndër më flagrantët ishte ai i shpërdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët!”, duke ikur me dhjetra e qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti Rama në pushtet.

III. Kemi dështuar të garantojmë krijimin e një tregu konkurrues dhe realizimin e politikave të duhura fiskale për sipërmarrjen vendase dhe të huaj

Më 14 shkurt 2023, ECOFIN, Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, i perbere nga ministrat e Financave dhe Ekonomisë së Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian(strukture pergjegjese për politikën e BE-së në tre fusha : politika ekonomike, politika të taksave dhe rregullimi i shërbimeve financiare), e futi Shqipërinë në listën e vendeve, legjislacionet e të cilave nuk janë bashkëpunuese për politikat fiskale, duke e mbajtur në monitorim të rreptë për çështjet fiskale.

Kjo është shumë keq për imazhin e financave tona publike. Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor, sidomos dy sprovat për amnistinë fiskale, të dyshuara për favorizime grupesh të caktuara biznesi dhe krijim pabarazie të theksuar tatimore, po na vonojnë dukshëm në rrugën e integrimit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një material të përgatitur nga eksperte të tij, posaçërisht për projektligjin qeveritar mbi faljen fiskale dhe penale, thekson, ndër të tjera, se (i) objekti i amnistisë shkon përtej asaj të legjislacionit të ngjashëm të zbatuar në vende të tjera; (ii) projektligji rrezikon të sigurojë mosndëshkim të panevojshëm për subjektet që posedojnë pasuri të paligjshme; (iii) ekziston rreziku që projektligji të krijojë një “dritare mundësie” për evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të pista dhe se(iv) draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i aseteve të pritshme që do të formalizohen dhe të ardhurat e pritshme që do të gjenerohen.

IV. Kemi dështuar me turp në përthithjen e plotë të fondeve IPARD II, duke shkaktuar pezullimin e tyre dhe duke vënë në pikëpyetje akordimin për Shqipërinë të fondeve të IPARD III!

Në korrik 2023, Komisioni Europian vendosi të pezullojë për një kohë të pacaktuar grantet për bujqësinë shqiptare dhe zhvillimin rural të vendit, të cilat po akordoheshin në zbatim të programit IPARD II.

Kur kanë kaluar nëntë muaj nga ky pezullim dhe nuk ka asgjë konkrete për rifillimin e financimeve, mos-akordimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin tonë rural përbën një lajm të keq kombëtar, sidomos për fermerët dhe përpunuesit që kanë patur plane investimi dhe një pjesë e mire e tyre i kanë filluar investimet, në pritje të akordimit të fondeve, duke rrezikuar tashmë seriozisht realizimin e tyre.

Nga ana tjetër, pezullimi i fondeve të IPARD II ndikon ndjeshëm në imazhin e përpjekjeve tona për integrim. Për fat të keq, për këtë problem të mprehtë nuk gjeta as edhe një frazë të vetme konsiderimi në Raportin Vjetor 2023 të KKIE.

Në rast se autoritetet tona, në rradhë të parë AZHBR, do të gjenden në shkelje, atëhere qeveria shqiptare, bazuar në një nen të veçantë të MSA-së, detyrohet të rikthejë të gjithë fondin e disbursuar deri tani nga IPARD II, që është në nivelin 51 milionë euro, ndërsa subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor.

Që prej marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe programin IPARD III, me një vlerë prej 146 milionë eurosh. Ende nuk është hedhur asnjë hap i mëtejshëm, për vënien e tij në jetë. Autoriteteve tona nuk iu është dhënë ende riakreditimi dhe, për pasojë, nuk mund të hapet as thirrja e parë e IPARD III në Shqipëri.

Në vend të heshtjes totale fajtore të qeverisë së sektit Rama, kjo gjendje ka nevojë për reflektim dhe për adresim me përparësi kombëtare të kësaj çështjeje, duke përcjellë në Bruksel gadishmërinë e plotë të shtetit shqiptar, për të ndihmuar në zbardhjen e dyshimeve të ngritura nga OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian, në lidhje me praninë e disa projekteve fantazmë, të financuara nga AZHBR, edhe me paratë e taksapaguesve të BE-së.

Ndërkohë, projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi të mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.

Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2023, si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA, mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 12 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE, përmes realizimit të këtyre projekteve, vijon të jetë i dobët.

Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në (i) një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese, (ii) shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës dhe ne (iii) asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale.
xxx
Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të procesit te integrimit te plote te vendit ne Bashkimin Evropian.

Botuar në Gazeta Sot më 13.04.2024

Për një politikë dinjitoze të sigurimeve shoqërore

Për një politikë dinjitoze të sigurimeve shoqërore

Sikurse kam bërë edhe më parë, dhe kështu ka vepruar e gjithë opozita shqiptare, përshëndes marrëveshjen e 6 shkurtit 2024 me qeverinë italiane, për njohjen e së drejtës së pensionit dhe dhënien e tij për qytetarët shqiptarë që kanë kontribuar me punën e tyre në sigurimet shoqërore italiane, si dhe votoj Projektligjin për Ratifikimin e kësaj marrëveshje. Uroj që një marrëveshje e tille të shtrihet edhe me Greqinë dhe me shtete të tjera, ku kemi një komunitet të madh të emigrantëve tanë. Por krahas kësaj, nuk mund të mos tërheq vëmendjen dhe theksoj disa probleme të mprehta që po kalon sot politika jonë e sigurimeve shoqërore në vend, si dhe përpjekjet për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë një pension dinjitoz në vendin e tyre.

Reforma e pensioneve: në vendnumëro dhe në një cektinë të rrezikshme

Skema e pensioneve në Shqipëri u reformua për herë të fundit në janar të vitit 2015, me rritje të moshës së pensionit dhe ulje të masës së përfitimit. Kjo skemë ka prodhuar pensione të pjesshme në 48 përqind, në gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të pensionistëve, që sot është mbi 710 mijë vetë. Reforma aktuale përfundon në vitin 2025. Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria është vendi i katërt në Evropë që po plaket më me shpejtësi, pas Maltës, Italisë dhe Spanjës. Numri i pensionistëve pritet të rritet më tej përgjatë viteve të ardhshme, për shkak të strukturës moshore të popullsisë, nivelit të lartë të emigrimit të popullsisë së aftë për punë, ndërsa numri i kontribuesve në skemën shtetërore të pensioneve parashikohet të mos pësojë rritje, madje edhe mund të ulet, në varësi të tregut të punës dhe të nivelit të emigrimit. Financimi nga buxheti i shtetit për të balancuar buxhetin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore mbetet ende shumë i lartë, duke reflektuar një nivel mbulimi jashtëzakonisht të ulët të skemës, nga të ardhurat nga kontributet. Skema e pensioneve vijon të ketë një defiçit vjetor shumë shqetësues, duke e detyruar Buxhetin e Shtetit të heqë një pjesë të mirë të taksave të taksapaguesve shqiptarë, për të financuar dhe mbajtur në këmbë Skemën.

Qeveria i gëzohet uljes së defiçitit të përgjithshëm të Skemës në dy vitet e fundit, për shkak të rritjes së pagës minimale. Ndërkohë, ajo që ka më shumë rëndësi, masa e pensionit nuk është rritur! Në vitin 2022, pensionisti i qytetit në Shqipëri mori një përfitim mesatar prej 18,615 lekësh në vitin 2022, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 1%, në krahasim me përfitimin mesatar të vitit 2021, kur ishte 18,485 lekë, sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të publikuara së fundmi. Inflacioni mesatar ishte 6.7% për vitin 2022, periudhë kur përfitimet mesatare të pensionistëve urbanë u rritën me vetëm 1%. Vërtet këtë vit pensionet e zonave rurale patën një rritje me 7%, por të ardhurat mujore për të 91 mijë pensionistë ruralë të Shqipërisë janë vetëm 10,888 lekë! Në nivel të pensionit mesatar, vitin e kaluar na e ka kaluar edhe Kosova. Jemi në vendin e fundit në rajon, për masën e pensionit. Pensioni mesatar tek ne është 187 mijë lekë në muaj, ose vetëm 187 euro. Kjo e ardhur për një familje me dy pensionistë si kryefamiljarë përfaqëson vështirësi të jashtëzakonshme dhe afër mjerimit! Për këtë vit dhe në vitet e ardhshme, defiçiti i përgjithshëm i skemës së pensioneve pritet vetëm të përkeqësohet, pasi paga minimale nuk mund të rritet më dhe me dhjetra mijëra kontribuues në skemë priten t’i largohen vendit çdo vit, në emigracion. Në këtë situatë, reforma dhjetëvjeçare e deritanishme e pensioneve ndodhet në vendnumëro dhe po i afrohet një cektinë shumë të rrezikshme. Vendi ka nevojë parësore tani për një reformë radikale në fushën e pensioneve, pa pritur fundin e vitit 2025.

Politikë skandaloze pensionesh dhe sociale, me mungesën e përcaktimit zyrtar të Minimumit Jetik

Kam dy vite radhazi, që në Kuvend paraqes propozimin për amendimin e Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjeve të Buxhetit të Shtetit për vitet 2023 dhe 2024, në pjesën e Sigurimeve Shoqërore, duke shtuar përcaktimin zyrtar të Minimumit Jetik, si më poshtë: “Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit në vijim, qeveria të përcaktojë Minimumin Jetik Zyrtar, në bazë të studimeve dhe anketave të deritanishme, të kryera nga Instituti i Statistikave. Duke filluar nga korriku i vitit në vijim, gjatë gjithë gjashtëmujorit të dytë dhe për buxhetet e viteve të tjera, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe për familjet në skemën e asistencës sociale, të indeksohen (plotësohen), deri në respektimin e Minimumit Jetik Zyrtar”. Vakuumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik zyrtar duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, si dhe t’u ofrohen garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës. Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian, pasi secili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit.

Për ne, integrimi evropian, si paradigmë e vetmja dhe e patjetërsueshme zhvillimi, duhet të jetë një koncept i kristalizuar në politikën tonë dhe në korpusin tonë legjislativ. Minimumi Jetik Zyrtar duhet të përbëjë një shtyllë dhe pjesë thelbësore të zhvillimit ekonomik, social e shoqëror në tërësi. Ngre pyetjen: ku janë planet tona për garantimin qytetarëve tanë, në radhë parë pensionistëve tanë dhe atyre nën asistencë sociale, të një jetese dinjitoze, në respekt të parimeve të zhvillimit shoqëror të Bashkimit Evropian, me të cilin po bisedojmë që të anëtarësohemi? Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Nga analiza e legjislacionit shqiptar në tërësi, rezulton se minimumi jetik është një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Vakumi ligjor i përcaktimit të Minimumit Jetik duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe të sigurohen garancitë e qytetarëve në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës. Mungesa e përkufizimit të minimumit jetik zyrtar në legjislacionin për mbrojtjen sociale, ndikon negativisht në hartimin e politikave të përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbrojtjen sociale, si dhe në masën e duhur të pensioneve në fshat dhe qytet.

Varësia e ISSH duhet të vijojë të ngelet nga Ministria e Financave

Skemat e sigurimeve shoqërore janë skema tipike financiare-mbledhje të ardhurash, investime dhe pagesa. Ato, gjatë ushtrimit të aktivitetit realizojnë mbrojtje shoqërore. Megjithëse në praktikë konsiderohen si skema të mbrojtjes shoqërore, në funksionim janë institucione financiare që japin përfitime, vetëm bazuar në pjesëmarrje. Ato nuk ofrojnë mbrojtje shoqërore sipas nevojës siç janë skemat sociale që mbrojnë të varfrit, personat me aftësi të kufizuar apo grupe të tjera vulnerabël. Skemat e pensioneve në veçanti dhe skemat e sigurimeve shoqërore janë shumë të rëndësishme në shtetin e të drejtës pasi ofrojnë mbulim për gjithë popullatën në stade të ndryshme të ciklit jetësor. Konkretisht, skema shqiptare e pensioneve është defiçitare dhe gjithë defiçiti mbulohet nga të ardhurat e taksimit të përgjithshëm, që mblidhen nga buxheti i shtetit, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave. Financimet e Buxhetit të Shtetit nuk janë të lidhur me punën dhe punësimin, por janë transferta të pastra financiare. Tavanet e shpenzimeve vjetore dhe afatmesme të ISSH përcaktohen nga Ministria e Financave, nëpërmjet një bashkëpunimi dhe diskutimi të përhershëm dhe intensiv, duke e theksuar më tepër statusin financiar që ka ISSH. Krahas financimit dhe buxhetimit, e gjithë arkitektura pagesave e ISSH është e lidhur ngushtësisht me sistemin e pagesave të Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit.

Çdo ditë ISSH financohet nga Ministria dhe Thesari në mënyrë të drejtpërdrejtë, si institucion varësie duke shmangur vonesat në pagesa, por duke realizuar edhe një menaxhim të mirë të cash-it të Thesarit. Kalimi në varësi të një ministrie tjetër do të krijonte vështirësi në financim të pagesave ditore dhe rakordimeve të fondeve, që janë shumë të mëdha. Varësia nga MoF mundëson buxhetimi më të mirë, financim më të sigurtë dhe të shpejtë për ISSH-në, adresim më të mirë të politikave sociale jo kontributive, raportim korrekt në qeveri dhe Kuvend, auditim të saktë dhe në kohë të pasqyrave financiare, si dhe menaxhim të mirë të cash floë-t. Në vazhdën e eksperimentit të rrezikshëm që u ndërmor disa vite më parë nga sekti Rama në pushtet, me krijimin e superministrisë së Financave dhe Ekonomise, një krijesë e panatyrshme qeveritare, pse mblidhte bashkë dy ministri në konflikt të hapur interesi me njëra-tjetrën, edhe kalimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërorë në vartësinë e Ministrisë së Ekonomisë, është sa i rrezikshëm, aq edhe aventurë. Ne duhet ta ruajmë pavarësinë aktuale të ISSH-së, si vepruese dhe në drejtim të gjenerimit të politikave të institucionit.

Botuar në Gazeta Sot më 18.05.2024

Koncesionet e Edi Ramës, abuzim i rëndë me paratë e taksapaguesve shqiptarë

Koncesionet e Edi Ramës, abuzim i rëndë me paratë e taksapaguesve shqiptarë

Në tetë vitet e fundit 2017-2024, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, sekti Rama në qeverisje u ka dhënë dhe po u jep oligarkëve të vet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë rreth 86 miliardë lekë, ose 827 milionë euro, për 12 kontrata koncesionare që janë aktive. Vetëm për këtë vit, pagesat për koncesionet dhe PPP-të aktive do të arrijnë në 14.3 miliardë lekë, ose 138 milionë euro. Këto pagesa përbëjnë nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në disbursimet e Buxhetit të Shtetit për koncesionet dhe PPP-të. Ato janë në rritje me 9.3 përqind, në krahasim me vitin 2023. Si rezultat i vëzhgimeve dhe problematikave të grumbulluara nga ndërkombëtarët në periudhën 2017-2022, klasifikimi i PPP-ve me nivelin më të lartë të rrezikut për ndikimin në buxhet u bë në Deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN-së në 13 dhjetor 2022, pas vizitës së stafit teknik të Fondit në Tiranë dhe raportit që e shoqëroi këtë deklaratë. “Projektet e keq-hartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit” paralajmëroi FMN. Sekti Rama në pushtet, i hipnotizuar nga dhjetra e qindra milionë eurot e përfitimeve okulte prej 12 koncesioneve dhe PPP-ve që gjeneroi në tetë vitet e fundit, nuk reagoi, duke injoruar totalisht kundërshtimet e forta nga institucionet financiare ndërkombëtare, dhe konkretisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, BERZH, etj. Të gjitha këto institucione kanë kërkuar që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve te koncesioneve dhe PPP-ve, si dhe të ndalohej praktika abuzive e konsiderimit të ofertave të pakërkuara nga ana e subjekteve private, për koncesionet dhe PPP-të, praktikë të cilën e vijoi me kokëfortesi sekti Rama, deri në janar 2019, pavarësisht se kundër saj dhe kontratave problematike të koncesioneve dhe PPP-ve, institucionet ndërkombëtare kishin rreth tre vjet që shpreheshin. Vitin e kaluar, shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun deklaroi me forcë në një intervistë se “Ne mbetemi të shqetësuar për rreziqet e PPP-ve, të vlerësuara në rreth 40% të PBB-së së vitit 2022, bazuar në vlerën e kontratave të projekteve ekzistuese dhe atyre në proces. Kuadri për koordinimin dhe menaxhimin e PPP-ve vazhdon të vuajë nga dobësi të mëdha dhe mbetet e paqartë se sa të zgjeruara janë rreziqet fiskale. Prioritet urgjent për Shqipërinë është përafrimi i kornizave të menaxhimit të PPP-ve dhe investimeve publike, si dhe integrimi i tyre i plotë në ciklin normal të buxhetit”. Edhe sot mungon një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve të projekteve koncesionare dhe PPP-ve të sektit në qeverisje, ndërkohë që Rama nuk ka ndërmend as sot as kurrë, që t’i integrojë koncesionet dhe PPP-të e tij në ciklin normal të Buxhetit të Shtetit dhe detyrimeve që rrjedhin prej tij. Të ndara sipas sektorëve, në koncesionet dhe PPP-të e tetë viteve të fundit të sektit Rama, pjesën e luanit me rreth 31 miliardë lekë, ose 298 milionë euro, ose 36 përqind të totalit, e kanë marrë dhe po e marrin katër koncesionet e shëndetësisë , sterilizimi, “check up”, laboratorët dhe dializa. Sekti Rama ka dhënë dhe vijon të japë rreth 14 miliardë lekë, ose 135 milionë euro, ose 17 përqind të totalit të fondeve, për inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, edhe pse këta inceneratorë janë nën hetim, madje ai i Tiranës ndodhet edhe nën sekuestro! Nga 12 koncesionet dhe PPP-të ende aktive, për pesë prej tyre, tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi, është hapur hetim zyrtar, me akuza që variojnë nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri të pastrim parash. Ndërkohë ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve. Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti edhe gjatë këtij viti, për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024, është rreth 40 miliardë lekë, ose mbi 384 milionë euro, që përbën afër gjysmën(47 përqind) e pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet dhe PPP-të aktive! Kjo përbën “kryeveprën” e zezë korruptive të sektit Rama, diçka të pahasur më parë në komunitetin e shteteve që qeverisen nga ligji kudo në botë. Një qeveri e korruptuar si kjo e Ramës, ka dhënë 12 koncesione dhe PPP në tetë vitet e fundit, ku gjysma prej të cilave me gati gjysmën e vlerës së parasë publike të angazhuar dhe shpenzuar, ka përfunduar nën hetim dhe sekuestro! Vetëm opozita e bashkuar dhe qytetarët mund t’i thonë “Ndal!” kësaj vale të jashtëzakonshme korrupsioni dhe abuzimi me paranë publike, me protestat e tyre të fuqishme përpara Bashkisë së Tiranës, emblema e metastazave të inceneratorëve të sektit Rama.


Botuar në Gazeta Sot më 10.04.2024