Vizita e Presidentit Duda forcon NATO-n në Ballkan

Vizita e Presidentit Duda forcon NATO-n në Ballkan

Nga Bujar Leskaj
Sot dhe nesër, Presidenti polak Andrzej Duda zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri, i ftuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj. Një ftesë mëse e goditur, pasi kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm, jo vetëm për marrëdhëniet miqësore mes Shqipërise dhe Polonisë, por edhe në rajon.
Polonia është vend aleat i fuqishëm i NATO-s në Evropë dhe fuqia e katërt ushtarake e Evropës. Ajo përfaqëson edhe ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Evropian. Që nga anëtarësimi i Polonisë në NATO në vitin 1999, vendi ka modernizuar ushtrinë e tij, ka rritur kapacitetet dhe mjetet luftarake të fjalës së fundit, me trupa të mirëtrajnuara nga specialistët e NATO-s.
Janë pesë arësye kryesore, pse kjo vizitë i shërben fort vendit tonë. Le t’i rendisim ato.
I. Duda, pasardhës i denjë i Presidentëve Walesa dhe Kaczynski
Presidenti polak Lech Walesa, drejtuesi i lëvizjes historike Solidarnost që shpejtoi rrëzimin e komunizmit në Evropë, përfaqësonte një barrierë të fortë ndaj ideologjisë dhe influencës së Rusisë sovjetike, ndërsa Lech Kaczynski, Presidenti i vrarë i Polonisë në një aksident ajror në vitin 2010, në rrethana të dyshimta, si dhe arkitekti i Polonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka thënë se vendi i tij duhet të bëhet “më i vetë-mjaftueshëm ushtarakisht, për të kundërshtuar revanshizmin rus”.
Presidenti Kaczynski ishte përfaqësuesi më i fuqishëm i linjës kundër ndikimit të revanshist rus në Poloni dhe në tërësi në Evropën Lindore. Sot kjo linjë është mbizotëruese në shtetin dhe qeverinë polake, sidomos përmes personalitetit të Presidentit Duda, duke parë dhe kërcënimin e shtuar që vjen nga agresioni i Putin në Ukrainë.
Presidenti Andrzej Duda është pasardhës i denjë i dy Presidentëve Walesa dhe Kaczynski, si dhe mik i madh i Shqipërisë. Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provomuese e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Presidenti polak profilizon veten dhe vendin e tij, Poloninë si përkrahës të zellshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ose si një “vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Evropës së Bashkuar”, sikurse shprehet Duda. Për të, politika është një shërbim për njerëzit. Jo vetëm përkrahësit, por edhe shumë qytetarë të pa-angazhuar politikisht në vendin e tij, e shohin Dudën si konfirmin të vlerave të familjes polake.
II. Polonia- shtyllë e NATO-s në Evropë
Qeveria polake ka deklaruar se shpenzimet ushtarake për këtë vit po të rriten në 4 përqind të Prodhimit Bruto të Vendit (PBB). Kjo shifër përbën nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake vjetore, krahasuar me prodhimin kombëtar, mes të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.
Presidenti dhe qeveria polake synojnë të blejnë sistemet raketore HIMARS nga SHBA-të. Polakët kanë nënshkruar me Shtetet e Bashkuara kontrata për furnizimin me 32 avionë luftarakë F-35, 366 tanke Abrams dhe sisteme antiraketë Patriot. Varshava gjithashtu ka nënshkruar një kontratë me Turqinë për furnizimin e dronëve Bayraktar.
Ne kemi shumë për të përfituar nga përvoja ushtarake polake, sidomos me perpjekjet e fundit të qeverisë polake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Presidenti Duda dhe polakët në tërësi janë shumë të qartë për revanshizmin perandorak rus. Kjo qartësi mund dhe duhet t’u shërbejë politikanëve tanë të mos ushqejnë iluzione ndaj rolit të Serbisë në rajonin tonë. Rusia është dhe mbetet aleati më i madh politik dhe ushtarak i Serbisë. Rusia e Putin ushqen aspirata te thella hegjemoniste dhe revanshiste karshi vendeve te Ballkanit. Asnjë nismë që i shërben politikës ekspansioniste të Rusisë në rajon, qoftë edhe e mbuluar me petkat e liberalizimit tregtar, si ajo e Ballkanit të Hapur, nuk duhet të përkrahet nga partitë tona politike dhe politikanët tanë.
III. Polonia, aleati numër një i Ukrainës në Evropë
Që nga fillimi i agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Polonia ka treguar solidaritet të fortë me Ukrainën. Mbi 6 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin polak në kërkim të sigurisë dhe mbi 1,5 milionë prej tyre kanë marrë statusin e azilit në Poloni, ku janë mikpritur nga shteti, qeveria dhe qytetarët polakë.
Qeveria e ketij vendi dhe mbare shoqeria polake mbështet kursin politik të Ukrainës për në NATO dhe BE. Qytetarët polakë janë të angazhuar në mënyrë aktive për të ndihmuar Ukrainën. Iniciativat vullnetare, të tilla si fushata popullore për mbledhjen e fondeve për të blerë dronët luftarakë Bayraktar për Ukrainën, kanë frymëzuar dhe motivuar si ushtrinë ukrainase, ashtu edhe civilët.
Duke qenë një aleate e vendosur e Ukrainës, Polonia po bën histori, pasi Ukraina po mbron lirinë dhe demokracinë botërore, ndërsa Rusia e Putin lufton për ambicie dhe diktaturë neo-perandorake. Parlamenti polak miratoi një ligj për statusin special të ukrainasve në Poloni në qershor 2022, duke vendosur garanci ligjore dhe sociale për qytetarët ukrainas që banojnë në Poloni.
Në kuadër të pajisjes së Ukrainës me armë moderne mbrojtjeje, qeveria polake është angazhuar dhe shumë shpejt do të furnizojë Ukrainën me 14 tanke luftarake Leopard 2.
IV. Duda dhe Polonia, mbështetës të vendosur të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Presidenca polake e procesit të Berlinit e ndihmoi Shqipërinë për të forcuar pozicionin e saj në paketën e mbështetjes së axhendës së Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos pas Sesionit Plenar të Poznanit, në korrik 2019, duke ruajtur interesin e BE-së për të përgatitur Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohet familjes së madhe.
Presidenti polak Andrzej Duda është një përkrahës i palëkundur i procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Brijunit në maj 2019, Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Evropën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Parlamenti i ri Evropian, Komisioni i ri Evropian që do të ngrihet së shpejti, nuk do të shqetësohen vetëm nga fakti që britanikët i thanë jo BE-së. Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”.
V. Zhvillimi ekonomik Shqipëri-Poloni
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe. Edhe pse vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve është modest, diçka më shumë se 108 milionë euro për vitin 2022, potencialet janë të mëdha dhe në fushën e investimeve ka shumë mundësi për rritje. Presidenti Duda sjell sot dhe nesër në Tiranë një grup investuesish të fuqishëm polakë. Sot, në pjesën e dytë të ditës, Presidenti Duda dhe Presidenti Begaj do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet. Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi biznesesh kryesore polake, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë gjithnje e më të interesuar për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
Nga ana tjetër, Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Në kater vitet e fundit, rreth 320 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë, duke përbërë grupin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, pas diasporës shqiptare. Sipas operatorëve turistikë, pronotimet e turistëve polakë për këtë vit kanë përqindjen më të madhe të rritjes, nga shtetet që kemi turizëm të organizuar në sezonin e verës.
xx
Të pesë këto arësye janë të plota, për të kuptuar dobitë e vizitës së Presidentit polak sot dhe nesër në vendin tonë, si dhe për t’u ndjerë optimist për të ardhmen e forcimit të NATO-s në rajonin tonë, por edhe të bashkëpunimit të frytshëm politik, ushtarak dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Drejt BE, një hap para, dy hapa mbrapa!

Drejt BE, një hap para, dy hapa mbrapa!

Një shtet që aspiron anëtarësimin e shpejte në BE, duhet të përmbushë ne kohe dhe plotësisht kërkesat e Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të ndërmarrë reforma konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor. Vlerësoj Raportin Vjetor 2022 të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, ne nivel te informacionit qe ka dhënë dhe përpjekjeve për zbatimin e detyrimeve te Shqipërisë ne procesin e anëtarësimit ne Bashkimin Evropian, sidomos pas çeljes se bisedimeve te anëtarësimit ne korrik 2022. Ndërkohë, e gjykoj shume problematik udhëtimin e Shqipërisë drejt BE-se, edhe përgjatë vitit 2022, për arsyet si me poshte:
I. Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe reale për familjet shqiptare dhe sipërmarrjet tona
Mungesa e shtetit ligjor përbën burimin që ushqen disa prej plagëve kryesore prej të cilave tashmë po vuan për me shume se nje dekade demokracia jone e brishtë dhe shoqëria shqiptare, si (i) emigrimi masiv qe po sjell boshatisjen e vendit; (ii) niveli me i ulet i pagave, pensioneve dhe ndihmës sociale ne Ballkan, si dhe ndër më të ultit ne Evrope; (iii) kapja e shtetit nga grupe te caktuara te biznesit, e denoncuar nga Transparency International; etj. Një përfundim i tillë i dështimit total të vendosjes se nje demokracie funksionale konfirmohet nga studimet e ndërmarra nga fondacione te shumta të huaja në vendin tonë. Një konsiderate te tille ndan edhe pjesa më e madhe e opinioni publik shqiptar. Në stadin aktual të zhvillimit të demokracisë shqiptare, mungesa e shtetit ligjor është kthyer në sfidën më madhore me të cilën përballet shoqëria. Një sfidë nga e cila varet në një masë a një tjetër, edhe vetë zgjidhja e problemeve të mprehta të tjera që ka vendi. Mungesa e shtetit ligjor përbën po ashtu, një ndër pengesat kryesore që vendi do duhet të kapërcejë, në rrugën drejt përmbushjes së standardeve për integrimin e plotë europian.
II. Kemi dështuar të garantojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura
Gjatë vitit 2022, rastet e zhvlerësimit konstant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të institucioneve te pavarura te vendit kane qene te shumta. Rasti ndër më flagrantët ishte ai i keqpërdorimit të Autoritetit të Dosjeve në sulmin e paprecedent dhe të turpshëm ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta. Minimin e pavarësisë dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit dhe imazhit të institucionit e kanë pësuar rregullisht edhe Enti Rregullator i Energjisë(ERE), sidomos në fund të shtatorit 2022, për vendimin e rritjes së çmimit të kilovat-orës, si dhe AMA, Autoriteti i Konkurrencës, etj.
III. Kemi dështuar të garantojmë krijimin e një tregu konkurrues dhe realizimin e politikave të duhura fiskale për sipërmarrjen vendase dhe të huaj që vepron ne Shqipëri
Më 14 shkurt 2023, ECOFIN, Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, i përberë nga ministrat e Financave dhe Ekonomisë së Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian(strukture përgjegjëse për politikën e BE-së në tre fusha : politika ekonomike, politika të taksave dhe rregullimi i shërbimeve financiare), e futi Shqipërinë në listën e vendeve, legjislacionet e të cilave nuk janë bashkëpunuese për politikat fiskale, duke e mbajtur në monitorim të rreptë për çështjet fiskale. Kjo është shumë keq për imazhin e financave tona publike. Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor, të dyshuara për favorizime grupesh të caktuara biznesi dhe krijim pabarazie të theksuar tatimore, si rasti i uljes së dividentit për aksionerët nga 15 përqind në 8 përqind në dhjetor 2018, apo projektligji për amnistinë fiskale dhe penale, i paraqitur dy herë në Kuvend në qershor 2020 dhe në qershor-korrik 2022, po na vonojnë dukshëm në rrugën e integrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një material të përgatitur nga eksperte të tij, posaçërisht për projektligjin qeveritar mbi faljen fiskale dhe penale, thekson, ndër të tjera, se (i) objekti i amnistisë shkon përtej asaj të legjislacionit të ngjashëm të zbatuar në vende të tjera; (ii) projektligji rrezikon të sigurojë mosndëshkim të panevojshëm për subjektet që posedojnë pasuri të paligjshme; (iii) ekziston rreziku që projektligji të krijojë një “dritare mundësie” për evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të pista dhe se(iv) draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i aseteve të pritshme që do të formalizohen dhe të ardhurat e pritshme që do të gjenerohen.
IV. Kemi dështuar në përthithjen e fondeve IPA
Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë. Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022, si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshiruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE, permes realizimit te këtyre projekteve, vijon të jetë i dobët. Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në (i) një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese, (ii) shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikëqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës dhe ne (iii) Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale.
Xx
Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të procesit te integrimit te plote te vendit ne Bashkimin Evropian.

Botuar në Gazeta Sot më 24 Shkurt 2023

Çfarë e lidh sektin në qeveri me Vlorën?

Çfarë e lidh sektin në qeveri me Vlorën?

Asgjë, përveç betonizimit, prishjes, “ndreqjes”, rrëmbimit dhe pasurimit të vetes dhe oligarkëve pranë tij me pasurinë e Vlorës, vlonjatëve e Shqipërisë.
Sepse një vit pas grabitjes së mandatit të tretë, Edi Rama në krye të sektit të tij, po vazhdon me të njëjtën logjikë e politikë siç përfundoi dy mandatet e para.
Me investime të dyshimta, grabitje e tjetërsim të pronës private e publike, përmes skemave korruptive dhe ndoshta pa logjike ekonomike; me koncesione e PPP për klientët e sektit të tij, konçesione e PPP që paguhen shtrenjtë nga taksapaguesit shqiptarë, me varfërim të banorëve të Vlorës, Selenicës e Orikumit.
Edhe pse në vitet e fundit, Vlora ka njohur shumë investime në infrastrukturën rrugore, (gjithmonë sipas propagandës së qeverisë së Rilindjes) Vlora dhe lagjet e saj periferike, njësitë e saj administrative, si edhe fshatrat e bashkisë Selenicë, vazhdojnë të paraqesin problematika të theksuara sa i përket rrugëve, furnizimit me ujë të pijshëm, etj.
Natyrisht që mungesa e vëmendjes totale e institucioneve qendrore dhe vendore (përjashtojmë këtu asfaltin elektoral sa here jemi në prag zgjedhjesh) është programi i vetëm që është implementuar këto 10 vite, kryesisht në njësitë administrative të Bashkisë Selenicë, njësitë administrative dhe në lagjet periferike të bashkisë Vlorë.
Që prej hyrjes së qytetit shfaqet një panoramë aspak normale: një numër i madh rrugësh dhe lagjesh të qytetit të Vlorës të lëna në harresë totale nga institucionet vendore, lagje me rrugë të amortizuara, shpesh herë të paasfaltuara, pa ndriçim e pa kanalizime. Pamje të tilla të shoqërojnë gjatë gjithë qytetit, sigurisht jo në Lungomare apo në bulevardin Vlorës- Skelë.
Ujësjellësit janë premtime shterpë, edhe pse për to flitet sa here ka zgjedhje. Në shumicën e fshatrave të Bashkisë Selenicë, në njësitë administrative të Bashkisë Vlorë, në shumicën e lagjeve të Vlorës, furnizimi me ujë të pijshëm që nuk pihet është me orar.
Njësitë si Orikumi dhe Radhima, zona me turizëm të lartë gjatë muajve të verës përsëri vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, por edhe e energjisë elektrike, sa herë që prishet pak koha.
I njëjti problem është edhe për fshatrat Babicë e Madhe, Babicë e Vogël, Alikokë, Xhyherinë e Kaninë, ku përveç mungesës së ujit, rrugëve dhe kanalizimeve, këto fshatra ende vuajnë mungesën e ndriçimit, pasi energjia elektrike u ndërpritet disa herë gjatë ditës.
Fshatrat e njësise administrative Qendër (Cerkovinë, Trevllazër, Panaja, Skrofotinë, Novoselë, Akërni, Bishan) si kultivuese të ullirit dhe prodhuese të njohura të vajit të ullirit dhe vreshtarisë, prej vitesh nuk po njohin asnjë ndihmë, subvencione, grante apo mbështetje financiare nga shteti.
Në fshatrat Alikokë, Babicë, Xhyherinë, Kaninë, qindra banorë, të prekur nga kalimi i By-passit ende nuk janë dëmshpërblyer, për shkak të burokracisë dhe ineficencës dhe korrupsionit të institucioneve.
Nga takimet që kam pasur me banorë të këtyre zonave disa nga problemet e tyre të mprehta janë:

  1. Selenica, prej vitesh kërkon ndërtimin e Lotit 4 dhe urës që e lidh me aksin Levan- Tepelenë.
  2. Segmenti rrugor rreth 20 km i gjatë, i cili fillon nga rruga e Lumit të Vlorës më pas për 9 km në Velçë, Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj dhe përfundon në Vërmik është totalisht i amortizuar. Mungesa e investimeve, mungesa e aksesit që këto fshatra kanë, ka sjellë braktisjen nga banorët. Dikur kanë qenë mbi 1000 familje, sot as 400.
  3. Fshatrat e Selenicës, kanë rrugë totalisht të parehabilituara, totalisht të amortizuara, ashtu siç është segmenti rrugor që fillon nga Vllahina dhe përfundon në Amonicë dhe më pas lidhet edhe me Sevasterin!
    Rruga sot është bërë shkak që fshatrat si Gërneci, Mallkeqi, Lezhan, Amonica të jenë pothuajse të izoluara e të lëna në varfëri.
  4. 25 km rrugë e cila fillon në Vllahinë dhe përfundon në Poçem. Segment rrugor i cili lidhet më pas me Levan-Tepelenë, teksa fare mirë mund të shërbente si një “korridor” për fshatrat dhe vetë Vlorën. Sot rruga gjendet në të njëjtën gjendje si në kohën e sistemit komunist. Pavarësisht ndërrimit të qeverive dhe pushtetit lokal në Selenicë, askush nuk është kujtuar për të. Mbi 2000 familje të izoluara.
  5. Djetëra puse nafte në fshatrat Kocul dhe Gorisht. Miliona lekë të përfituara nga shitja e saj, nga të cilat asnjë lek nuk investohet për fshatrat në fjalë. Rinia largohet çdo ditë, sepse mungojnë vendet e punës dhe perspektiva.
  6. Shumica e fshatrave të Bashkisë Selenicë furnizohen me më pak se 30 minuta ujë në ditë. Banorët mundohen të furnizohen me ujë si në mesjetë ndërkohë që Ujësjellësi është kthyer në institucion ku vegjetojnë rrogëtarët militantë të sektit në pushtet.
  7. Mbetjet urbane digjen nëpër fshatra dhe ndotja është një tjetër problem për banorët dhe ekosistemin e zonave.
  8. Reshjet e dendura të shiut dëshmojnë edhe për të tjera problematika shqetësuese. Akset rrugore dëmtohen nga rrëshqitja e gurëve dhe e dherave, nga gërryerja rrugëve që lidhin fshatrat si në rastin e njësisë Sevaster me qytetin e Vlorës.
    10- Rruga e Armenit, fillon prej hyrjes së Picarit dhe përfundon në qendër të fshatit. Jo më tepër se 2 km rrugë e cila ndër vite nuk ka parë asnjë investim. Segmenti rrugor gjithë gropa është kthyer tashmë në gangrenën e banorëve të zonë dhe drejtuesve të automjeteve. Për shkak të rrugës rreth 300 familje izolohen, duke shmangur shpeshherë lëvizjet e tyre drejt Selenicës apo Vlorës.
    11- Fshati Akërni 20 km larg Vlorës, ka probleme te theksuara në funizimin me ujë të pijshëm, megjithëse kjo zonë është shumë pranë vendit ku zbatohet projekti i aeroportit të Vlorës dhe Ujësjellësi i zonës dhe stacioni i pompave të funizimit me ujë ndodhet vetëm 1.5 km larg fshatit.

Të nderuar kolegë!
Këto ishin disa nga problematikat, të cilat kam hasur e më kanë parashtruar qytetarët vlonjatë e banorët e zonës së Selenicës.
Problemet janë të shumta, bëhen edhe më të mprehta kur mungon dëshira dhe vullneti i mirë për t’u zgjidhur.

Shënim: Këtë fjalë kisha menduar ta përcillja në Kuvend, në pikën cështje jashtë rendit të ditës, por nuk arrita për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit zj. Lindita Nikolla.

Kërcënimi mbi pavarësinë institucionale të INSTAT

Kërcënimi mbi pavarësinë institucionale të INSTAT

Diskutim lidhur me Projektvendimin për miratimin e Planit vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026”

Përshëndes dhe vlerësoj Planin vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026, sikurse rreth një vit më parë, në shkurt 2022, kam përshëndetur dhe vlerësuar këtë Program, të përgatitur, përmes një pune sa voluminoze, aq edhe serioze dhe profesionale, nga Instituti i Statistikave(INSTAT),.
INSTAT këto vite ka patur zhvillim të konsiderueshëm dhe po provon të luajë një rol në rritje, nëpërmjet produkteve dhe serive të tij statistikore, për hartimin e politikave te duhura ekonomike publike, sa më të bazuara në informacion objektiv dhe të plotë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
Theksoj veçanërisht përpjekjet e INSTAT për hapjen dhe pastaj mbylljen e bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe pastaj njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
Është detyra ime si deputet, që, krahas vlerësimeve të merituara, të tërheq vëmendjen lidhur me dobësitë dhe kërcënimet ndaj punës së INSTAT, mbështetur në analizën SWOT të institucionit, si dhe mangësitë që sollën mosrealizimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave gjatë vitit 2022, për probleme në prokurim. Mangësi që mund të përsëritën në mënyrë kërcënuese edhe këtë vit.
Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend për vitin e kaluar, mbeti peng i një tenderi. Censi i Popullsisë dhe Banesave u shty, si pasojë e mossigurimit të tabletëve, mjeteve elektronike për realizimin e një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe monitorimit të informacionit në terren.
Kjo është një vonesë e qëllimshme dhe strumbullari i saj kryesor ka qenë qeveria dhe stepja e saj përpara dokumentimit, nëpërmjet censit, të boshatisjes së frikshme të vendit. Në një kohë kur duhej të ishte qeveria e interesuara kryesore që censi të realizohej sa më shpejt, pasi informacioni i plotë për numrin e popullsisë dhe të banesave, do t’i mundësonte marrjen e vendimeve sa më të drejta e të dobishme për qytetarët.
I. Dobësitë madhore që kërcënojnë prodhimin statistikor
Në analizën e tij SWOT, INSTAT cilëson me të drejtë si mangësi kryesore burimet e pamjaftueshme që ka në dispozicion.
a. Mungesa kronike e fondeve ia ka vështirësuar institucionit realizimin e objektivave të tij. Për censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë ëurosh. Kjo shumë do të financohej në masën 52% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Bashkimi Europian u ofrua me 31% të totalit dhe për 17% u ofruan donatorë të tjerë. Por shtyrjet që iu bënë procesit për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin e vitit 2018, ndërkohë që çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT ka ngecur në qerthullin e tenderave dhe pamjaftueshmërisë së fondeve për të bërë statistikën e re kryesore të popullsisë dhe banesave.
b. Vetë INSTAT cilëson si dobësi themelore burimet e pamjaftueshme njerëzore, të cilat nuk ia mundësojnë përmbushjen e kërkesave në rritje për statistika zyrtare. Lëvizja, largimi i stafit ekspert ka qenë e lartë dhe politikat e motivimit të institucionit, në rradhë të parë motivimi financiar, nuk kanë mjaftuar për të minimizuar largimet. Kjo ka sjellë në vonesa në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare dhe ka ngritur pikëpyetje për cilësinë e prodhimit statistikor. Edhe pse INSTAT ka investuar në vite për rritjen e aftësive profesionale të ekspertëve të tij, mundi dhe fondet kane rezultuar jo efektivë, pasi një pjesë jo e vogël e tyre është përthithur nga sektori privat, ose është larguar në emigracion. Qeveria duhet të shikojë me përparësi rritjen e nivelit të pagave të ekspertëve të stafit të INSTAT dhe të ekspertizës së jashtme që institucioni kontrakton.
c. INSTAT thekson se sistemi i trajnimit të stafit të tij nuk paraqitet i konsoliduar dhe nuk është i zhvilluar akoma në formë të tillë, që të ndikojë sa duhet në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale. Kjo ndodh në një kohë kur shkenca dhe industria e prodhimit të statistikave zyrtare është zhvilluar me ritme të shpejta në botë dhe sidomos në Evropë dhe risitë në teknologjinë e informacionit statistikor prezantohen e përthithen me një ritëm marramendës, nga statistikat zyrtare të vendeve anëtare të BE dhe nga EUROSTAT .
d. Tek ne mungon auditi i mirëfilltë statistikor. INSTAT, nën cilësinë e institucionit përgjegjës për të garantuar zbatueshmërinë e parimeve statistikore, nuk zotëron kontroll të mjaftueshëm mbi cilësinë e të dhënave të ofruara nga institucionet publike dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare, në rradhë të parë mbi saktësinë, përpikmërinë, afatin kohor, etj. Të dhënat jo të plota që INSTAT merr ndikojnë në cilësine e produktit përfundimtar të tij. Është domosdoshmëri krijimi i një sektori të auditit statistikor pranë INSTAT, me degëzime në institucionet kryesore publike qendrore dhe vendore, për të garantuar cilësinë dhe plotësinë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT.
e. Edukimi i mangët statistikor. Mangësitë në njohuritë statistikore ndikojnë negativisht në interpretimin e drejtë të treguesve statistikorë nga grupet e interesit, siç janë përdoruesit: institucionet qendrore dhe vendore publike, kompanitë e konsoliduara të biznesit dhe media. Për të mbushur këtë boshllëk, trajnimi i përdoruesve për fusha të ndryshme të statistikës do të ndikonte në rritjen e shkallës së interpretimit dhe analizave të informacionit statistikor.
f. Forma të pamjaftueshme komunikimi me palët e interesit. Ka mosbesim të përhapur të sektorit privat dhe të qytetarëve në deklarimin e të dhënave që mbledh dhe kërkohen prej INSTAT. Po ashtu, edhe bashkëpunimi i tyre në vrojtimet statistikore, ku garantohet ruajtja e konfidencialitetit, është minimal. INSTAT duhet të diversifikojë e zhvillojë format e komunikimit me palët e interesit, duke punuar veçanërisht për një komunikim më të mirë me institucionet që sigurojnë të dhënat administrative.
INSTAT, në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët, duhet të synojë që të rrisë transparencën për të dhënat statistikore, mënyrën si ato sigurohen dhe kriteret e objektivitetit statistikor, duke organizuar fushata sensibilizimi në çdo nivel, veçanërisht në sipërmarrjet dhe institucionet e sektorit privat. Duke nënkuptuar dhe përfshirjen e biznesit privat në këtë proces, duke inkurajuar rritjen e rolit të dhomave të tregtisë dhe industrisë, nëpërmjet botimeve të ndryshme, faqeve në internet, katalogjeve apo vjetarëve specifikë, përfshirjes së të dhënave rajonale e kombëtare lidhur me ndërmarrjet private, llojin e sasinë e prodhimeve apo të shërbimeve, shkallën e punësimit, nivelin e teknologjive të përdorura, etj.
g. Shpërndarja jo efektive e informacionit statistikor. Nga analiza SWOT e institucionit, del qartë se disponimi i një kalendari publikimi nuk është i mjaftueshëm, për të patur një politikë koherente të shpërndarjes së statistikave zyrtare. Është e domosdoshme të ndërmerren fushata informimi dhe ndërgjegjësimi dhe qeveria duhet të ndihmojë me akordimin e fondeve të duhura për institucionin, por edhe vetë INSTAT duhet të aplikojë për fonde pranë Ministrisë së Financave, me një program të plotë, të qartë e gjithëpërfshirës, për rritjen e kanaleve të komunikimit dhe përcjelljes së prodhimit statistikor, imazhit, si dhe nivelit të pranueshmërisë dhe besueshmërisë së INSTAT. Institucioni e ka domosdoshmëri që prodhimi i tij statistikor të vendoset i gjithi në një format të lexueshem dhe konciz PDF, lehtësisht të përdorshëm nga palet e interesit.
II. Të gjithë duhet të ndihmojmë dhe jo të pengojmë INSTAT!
Duhet ta pranojmë të gjithë se sistemi ynë i llogarive kombëtare është ende shumë i mangët. Një pjesë e të dhënave të raportuara, përfshi PPB, paraqiten jo rrallë herë si vlerësime, dhe jo matje faktike. Një pjesë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT vjen i cunguar në kohë dhe në fushat që ai mbulon.
Në këto kushte të vështira të punës së INSTAT dhe të sfidave të mëdha që këtë institucion serioz dhe profesional e presin për këtë vit, të gjithë NE, institucionet e tjera, duke filluar nga Kuvendi, por edhe qeveria dhe institucionet qendrore dhe vendore, publiku dhe media, duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar INSTAT. Në rradhë të parë, ne duhet të kontribuojmë në plotësimin e mangësive, me të cilat përballet ky institucion.
Si kërcënim kryesor per efektivitetin dhe efiçiencën e produktit statistikor të INSTAT, shoh mungesën e garancive të plota për pavarësinë e këtij institucioni statistikor thelbësor për vendim-marrjen publike. Personalisht, e quaj jetike dhe të domosdoshme këtë pavarësi. Pavarësia e institucioneve statistikore, aq më tepër e të dhënave statistikore, ndaj politikës dhe ndikimit të saj të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, merr sot një rëndësi akoma më të madhe se në të shkuarën, krahas transparencës dhe pavarësisë brenda dhe jashtë sistemit statistikor dhe ndërthurjes shumëpërmasore të tij. Ruajeni pavarësinë institucionale. Ruhuni nga patronazhistët dhe mos i bashkoni me administratën profesionale të INSTAT, se do jua hanë si mola institucionin. Shpresoj të mos i keni angazhuar deri tani, nga presioni i sektit Rama.Pavarësia e INSTAT nga ndërhyrjet apo interesat e ngushta qeveritare, paraqitet si domosdoshmëri dhe kusht “sine qua non” për besueshmërinë e produkteve të institucionit.
Bëj thirrje për zbatimin serioz dhe me përgjegjësi të detyrimeve që na rrjedhin të gjithë institucioneve shtetërore nga ky Plan vjetor 2023. Moszbatimi i këtyre detyrimeve, mosrespektimi i afateve kohore për dërgimin e të dhënave dhe informacioni jo i plotë nga njësitë statistikore dhe siguruesit e të dhënave administrative, do të sillte jo vetëm vonesë në realizimin e produkteve statistikore sipas afateve të parashikuara, por edhe mangësi në sasinë dhe cilësinë e treguesve.
Nga ana tjetër, mungesa e strukturave statistikore si dhe rishikimi i herëpashershëm i strukturës organizative në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera që sigurojnë të dhënat administrative, rrezikon zbatimin cilësor të këtij Programi.
Kurse mosadresimi dhe mungesa në vijimësi e burimeve financiare dhe njerëzore të domosdoshme për INSTAT, do të sillte mosrealizimin e aktiviteteve, të cilat janë për t’u përshëndetur si nisma me standarde, si dhe mosplotësimin e Planit vjetor 2023 dhe moskryerjen e vrojtimeve të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare 2022-2026.
Shënim: Ky diskutim nuk u mbajt, për shkak të situatës së krijuar në dhe për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, zj. Lindita Nikolla

Botuar në Gazeta Sot më dt. 31 Janar 2023

Për Çetën Plakë të Vlorës, Gjormin dhe bijtë e tij, Neki Ymerin dhe Sadik Premten flet historia!

Për Çetën Plakë të Vlorës, Gjormin dhe bijtë e tij, Neki Ymerin dhe Sadik Premten flet historia!

Sot 4 dhjetor 2022 mbushen 80 vjet nga themelimi i Çetës Plakë të Vlorës. Sikurse e thekson studjuesi Kastriot Kapaj, bir i Gjormit, “Çeta Plakë në formë ishte komuniste, ndërsa në përmbajtje ishte nacionaliste, duke mos iu larguar traditave të trevave vlonjate. Veprimtaria luftarake e saj, fitorja triumfuese në çdo përpjekje me pushtuesin, iu futi frikën në palcë komunistëve serbë, kur ju kërkoi largimin dhe mos-ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë”(Libri “Për Gjormin flet historia”, faqe 166 fragmenti i dytë).
Historiografia shqiptare i ka një “borxh” të madh Gjormit, Sadik Premtes, Neki Ymerit, Xhafer Dalanit dhe dhjetëra djemve të tjerë të Gjormit, që u rreshtuan në Çetën Plakë të Vlorës, që më 4 dhjetor 1942, ditën e parë të formimit të saj. Ajo ende nuk u ka kushtuar vëmendjen e duhur atyre ngjarjeve historike që ndodhën në Gjorm gjatë Luftës Antifashiste. Historia e asaj kohe ka nevojë për vështrim më të thellë për veprimtarinë e këtij fshati heroik, që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi largimin e influencës serbe të Dushan Mugoshës nga kjo parti, në emër të idealizmit dhe të një të majte evropiane.
Gjormi ishte fshati i parë në krahinën e Vlorës, që u mobilizua në luftë kundër pushtuesit fashist. Sadik Premtja dhe Neki Ymeri e kthyen vendlindjen e tyre në bazën e parë të Lëvizjes Antifashiste. Duke qenë gjithë fshati i mobilizuar për luftën, bazat e para të luftës në këtë fshat ishin familjet e Muço Sherifit dhe Esat Sherifit, Neki Ymerit, Qani Shenaj, Zagoll Shenaj, Xhafer Dalanit, Lulo dhe Xhebro Lulaj, Sadik Premtja, Alliajt, Kapajt, etj.
Falë cilësive oratorike, organizative, trimërisë dhe trashëgimisë familjare të Neki Ymerit, ai u zgjodh komandant i njësitit të parë partizan, Çetës Plakë, të cilën e udhëhoqi sa qe gjallë në 24 aksione kundër fashizmit dhe të gjitha me fitore: në Tiranë, Vlorë, Përroi i Silorakut, Selenicë, në Qafë të Pullumbit, në Mal të Bardhë, tek Ura e Gjormit, në Ujë të Ftohtë Vlorë, në Mavrovë, në Radhimë, ku dogji të gjitha depot e armikut, në Luftën e Gjormit kundër forcave të shumta të fashistëve italianë dhe mercenarëve të Halil Alisë.
Në disa prej betejave të rëndësishme, çeta Plakë dhe çeta territoriale e Gjormit kanë bashkëpunuar dhe me çetën nacionaliste të Hysni Lepenicës dhe me çetat territoriale të lumit të Vlorës, të drejtuar ose jo nga komunistët(jemi përpara gushtit 1943, kur nuk kishin filluar vëllavrasjet).
Komiteti i Qarkorit Komunist të Vlorës, duke shkruar për aksionet kundër fashizmit thekson se: “Në ballë të luftës prin komandanti ushtarak dhe zëvendës i tij është komisari politik”. Populli i njihte Çetës Plakë të Neki Ymerit, që ai komandoi dhe vetëm fitoi kudo ku luftoi, 24 aksione, të cilat për 50 vjet historiografia komuniste ia mohoi.
Çeta Plakë, nën komandën e Neki Ymerit u bë tmerr për armikun. Komisar i çetës u caktua një tjetër trim nga Tragjasi dhe që e njihte artin ushtarak, Qazim Çakërri.
Nga Gjormi, në Çetën Plakë kanë marrë pjesë 26 djem, nga 41 partizanë që kishte çeta ditën e parë të formimit. Nga 26 djem të Gjormit, 20 djem u vranë, 6 të tjerë, në ditët e fundit të vitit 1944, u arratisën jashtë shtetit, të ndjekur nga shokët e tyre komunistë për t`i vrarë!
Ndër ta përmendim: Lulo Shaipi, Qani Shenaj, Arap Shenaj, Xhafer Dalani, Selam Emini, Bako Tafili, Nimet Mita – Fterra, Veip Kapaj, Hamdi Lazaj, Hasan Premtja, Feti Premtja, Gjysh Premtja, etj.
Lufta e Gjormit më 31 dhjetor 1942 dhe 1 janar 1943, krahas vlerave të larta patriotike që mbart, çshtë gjithashtu një dëshmi e pabesisë së Mehmet Shehut ndaj Gjormit, çetave partizane dhe çetave balliste të tij, që morën pjesë në këtë betejë, me urdhrin antikombëtar që dha për tërheqjen e forcave, kur ata ishin drejt fitores(u vra komandanti i forcave italiane). Kjo tërheqje solli djegjen e fshatit Gjorm dhe raprezaljet e fashistëve dhe forcave mercenare kolaboracioniste.
Sadik Premtja e Neki Ymeri, bij të denjë të këtij fshati, si dhe shokët që i pasuan ata, ishin produkt i patriotizmit dhe shpirtit luftarak të një krahine të tërë, fshatrave të Lumit të Vlorës, që luftoi dhe sakrifikoi gjithshka, për liri e demokraci. Ata kanë patur një jetë pritash, pusish e atentatesh, të përgatitura në mënyrë mafioze nga sivëllezërit e tyre komunistë. Lavdi dhe mirënjohje të përjetshme këtyre heronjve të ëndrrës së popullit shqiptar për një jetë më të mirë!

Botuar në Gazeta Sot, më 3 Dhjetor 2022

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

Më në fund, megjithëse me vonesë, Partia Demokratike përcaktoi datën 12 Nëntor për fillimin e protestave, së bashku me Partinë e Lirisë dhe të gjitha forcat e tjera opozitare shqiptare.
Protesta, të cilat duhet dhe do të jenë të vazhdueshme deri në rrëzimin e këtij sekti arrogant!
Cilido demokrat, cilido shqiptar ka nga një arsye për të protestuar dhe të gjitha arsyet së bashku, përbëjnë etjen e një populli që nuk pajtohet me keqqeverisjen, mashtrimin, mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies nga sekti Rama në pushtet.
Secili prej nesh do të protestojë kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; do të protestojë kundër sektit, që në nëntë vjet largoi 27% të shqiptarëve dhe mburret për këtë; do të protestojë kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…
Do të protestojmë kundër armiqve të votës së lirë, kundër plaçkitësve të paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës.
Sepse protestat janë i vetmi mjet që të kujtohemi se jetojmë në demokraci, vetëm protestat na kanë ngelur për t’u përballur me këtë sekt armiqësor ndaj shqiptarëve, që keqqeveris, pa përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie.
Mosbindja civile dhe protestat janë mjete demokratike për të refuzuar çdo formë të qeverisjes dhe vendimmarrjeve diktatoriale dhe tregues i shëndetit të shoqërisë dhe, si të tilla, një ndër gjërat më të mira që mund t’i ndodhin një shoqërie demokratike.
Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur dhe kanë një kryeministër harbut që ka mbi dy dekada në majë të pushtetit dhe intimidon shqiptarët.
Shqiptarët nuk janë pa dinjitet; do ta dëshmojnë me protestat, reagimin e tyre dhe përballjen finale me këtë regjim.
Shqiptarët janë të kthjellët, kanë guxim, mendim, energji; dinë të organizohen e të reagojnë.
Çfarë do t’i ngelet sektit armiqësor në qeveri përballë një reagimi të tillë qytetar?
Do të vazhdonte të ishte kaq arrogant, hajdut e armiqësor me popullin?
Jo!
Përballë reagimit masiv të shqiptarëve, sektit Rama do t’i ngeleshin veçse disfata, frika, zmbrapsja, arratisja.
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një rrugaçi të veshur me pushtet që të vret, duhet të veprosh!
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një sekti kriminal, duhet të luftosh!
Një kryeministër arrogant e cinik e rrëzon!
Sado i ashpër të jetë një regjim, populli reagon!
Sado arrogant të jetë një regjim, populli fiton!
Sado të kërcasë dhëmbët sekti Rama, populli e përmbys!
Demokratët dinë të fitojnë ndaj së keqes dhe nuk do ta lejojnë fyerjen, nëpërkëmbjen.
Arrogancës së regjimit antishqiptar i përgjigjemi me protesta demokratike!

Botuar në Gazeta Panorama më 26 Tetor 2022

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Në një kohë kur qytetarët dhe biznesi me të drejtë kërkojnë lehtësira fiskale për të përballur inflacionin galopant që që mbërthyer vendin, në një kohë kur të gjitha shtetet rrotull nesh realizojnë përjashtime fiskale, ulje të taksave, sidomos të nivelit të TVSH-së mbi produkte jetike për popullatën dhe biznesin. sekti në pushtet bën publik disa propozime të paketës fiskale 2023, duke mos e përfshirë qëllimisht paketën në diskutimet e nisura në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023.
Duket se sekti po taton reagimin popullor dhe të biznesit, për të vendosur sa do ta forcojë “kërbaçin” e gjobave të rritura.
Biznesi, i shokuar nga nisma për dhjetëfishim gjobe!
Një nga këto propozime, që ka sjelle reagimin e menjëhershëm shqetësues dhe gati të shokuar, të shoqatave të konsoliduara të biznesit, është dhjetëfishimi i gjobës ndaj bizneseve të mëdha(të rregjistruara si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe TVSH), nëse ato për herë të dytë nuk lëshojnë faturë për mallrat dhe shërbimet që blejnë dhe shesin.
Gjoba për to shkon 1.500.000 lekë dhe përbën gjobën më të lartë fiskale që është parashikuar ndonjëherë për bizneset, në historinë e pas tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe nënpagim të tyre në listëpagesat.
Biznesi shprehet se kriza e çmimeve e ka vënë sipërmarrjen përballë sfidave të mëdha. Industritë prodhuese po përballen me kosto që shkojnë mbi 50 përqind të çmimeve të mëparshme. Sipërmarrja ndihet e befasuar me një paketë fiskale që i vjen si thikë pas shpine, ndërkohë që ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale, sidomos në ndihmë të biznesit prodhues. Paketa fiskale jo vetëm që nuk ndihmon, por është e fokusuar në shumëfishimin e penaliteteve e gjobave. Shumëfishimi i gjobave është i pakuptimtë. Në asnjë shtet në kohë krize, nuk aplikohen gjoba që janë 10-fish në dëm të sipërmarrjes. Madje as në periudha të një rritjeje të fuqishme ekonomike. Shoqatat e biznesit kërkojnë me një zë që qeveria të ndërmarrë një paketë të strukturuar, duke u përqendruar në mbështetjen direkte ndaj industrive prodhuese dhe biznesit në tërësi. Kërkojnë të ketë ulje të ngarkesës fiskale.
“Reforma” fiskale e ndëshkimeve shumëfish: një nonsens
“Reforma” e ndëshkimeve, e nënkuptuar nga informacionet e deritanishme të bëra publike nga paketa fiskale 2023, kërkon të ligjërohet me argumentin se ashpërsimi i gjobave synon parandalimin e evazionit fiskal. Gjoja, synon nxitjen e “frikësimit” të tatimpaguesit për një rritje të nivelit të pajtueshmërisë tatimore. Kjo taktikë mund të jepte efekt, nëse do të kryheshin disa veprime të domozdoshme paraprake, të tilla si (i) analiza e administrimit të tatimeve, ku duhet konkluduar çfarë nuk funksionon me modelin aktual të pajtueshmërisë vullnetare dhe (ii) gjetja e mospërputhjeve dhe gabimeve me strategjinë e administrimit tatimor në tërësi. Pasi kryhet analiza, ajo orienton edhe logjikën e qasjes dhe fokusit strategjik në politikën fiskale. Gjobat duhen reformuar si funksion plotësues i një politike për nxitje të pajtueshmërisë vullnetare dhe jo si shkop që valëvitet, nëpërmjet forcës së shtuar.
Një qasje e bazuar në ndëshkime të rënda ndaj gabimeve të sipërmarrjes me pajtueshmërinë tatimore nuk do të funksionojë kurrë, për shkak të kostove relativisht të larta administrative të qasjes, si dhe paaftësisë së administratës sonë tatimore për të zbatuar ndëshkimet me drejtësi dhe në mënyrë uniforme, pa përzgjedhje dhe diferencim politik.
Një sistem gjobash tatimore që promovon trëmbjen e tatimpaguesve, duke mos u matur me logjikën e duhur të pajtueshmërisë tatimore, sikure në fakt po zbatohet prej shumë vitesh nga sekti në fuqi(tani rrezikon të jetë “trëmbje” e shumëfishuar), është i pakuptimtë.
Pse Rama u tregon dhëmbët bizneseve?
Por çfarë nënkuptojnë këto gjoba të rritura? Rritja disa herë e gjobave tatimore për lloje të ndryshme kundravajtjesh tatimore përbën shqetësim kryesor publik. Jemi në një kohë që paketa fiskale duhej të shërbente si një bazë diskutimesh dhe propozimesh, jo vetëm për gjobat dhe sanksionet, por për të ulur taksa si TVSH dhe akciza nga produkte tejet sensitive për nivelin e jetesës të mbi 627 mijë qytetarëve të llogaritur nga INSTAT, me të ardhura nën kufirin e varfërisë ose me të ardhura të pakta.
Paketa fiskale duhej të pasqyronte të gjithë kërkesave dhe nevojat e biznesit dhe individëve tatimpagues, lidhur me thjeshtimin e sistemit tatimor dhe eliminimin e ndërhyrjeve të shpeshta në ligjet tatimore, të cilat çorientojnë biznesin dhe rrisin stokun e kundravajtjeve dhe dhjetëra mijëra gjobave nga mosnjohja e ndryshimeve të reja fiskale prej operatorëve ekonomikë.
Sekti Rama trumbeton se gjobat e rritura me herë do të rrisin disiplinën fiskale dhe shmangin evazionin, mirëpo në kushtet e një sistemi tatimor të dobët dhe një patronazhi politik të fortë në të gjitha hallkat e strukturës fiskale, morali i një politike tatimore mbetet i shkëputur si instrument dhe kthehet në të kundërtën e tij.
Zgjedhjet vendore po afrohen dhe Rama kërkon të trembë bizneset e mëdha me gjobat e dhjetëfishuara, që këto t’i nënshtrohen kërkesave për të financuar fushatën e tij zgjedhore, ose ndryshe do të përballen me rrënim të aktivitetit, nga gjobat më të rënda të para ndonjëherë në periudhën e tranzicionit shqiptar.
Me paketën fiskale 2023, Rama u kërkon bizneseve të mëdha “të kolliten” dhe të “kolliten mirë”, për të përkrahur financiarisht kandidatët e sektit për kryetarë bashkish.
Veprimet e administratës me “sëpatën” e gjobave në dorë, gjoja në emër të forcimit të disiplinës fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal, në të vërtetë minojnë gjoja “objektivat” që qeveria e sektit Rama i ka vendosur vetës për një sistem të thjeshtë, të ndershëm dhe efiçient fiskal. Gjobat tejet të larta jo vetëm që nuk mbështesin respektimin e parimeve të taksimit, por përcaktojnë sjelljen e tatimorëve drejt një orientimi të gabuar.
Sikurse e ka thënë me plot të drejtë studjuesi i njohur i teorive të taksimit Gary Becker, “Gjobat e larta në një administratë të dobët fiskale mund të japin efekt të kundërt. Nga njëra anë, ato rrezikojnë të rrisin dëshirën dhe oreksin për t’iu shmangur detyrimit fiskal nga subjektet tatimpaguese, nga ana tjetër rrezikojnë të pasurojnë me zor punonjësit e administratës tatimore në kontakt të drejtpërdrejtë me biznesin, për shkak të përpjekjeve të këtij të fundit, për t’iu shmangur me çdo mënyrë marrjes së gjobës së lartë, për shkak të kundravajtjes që ka kryer”.
Pikërisht këto dy gjëra do të ndodhin me rrebeshin e gjobave të larta të sektit Rama në paketën fiskale për vitin tjetër. Së pari, bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë financime të fshehta dhe të hapura për kandidatët për kryetarë bashkie të sektit. Së dyti, zarfat nën dorë të dhëna tatimorëve do të rriten shumëfish, ndoshta shumë më tepër se sa rritja e vetë gjobave.

Botuar në Gazeta Panorama dhe Gazeta Sot me 22 Tetor 2022

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Për më shumë se një dekadë, me qindra projekte nga fondet IPA, programet IPA I dhe IPA II, kanë kontribuar në asistencën ndaj tranzicionit dhe ngritjen institucionale, në zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore, reformën në drejtësi dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Duke mbështetur plotësisht ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA II)” dhe vleresuar asistencën e re IPA III (2021- 2027), e cila do të jepet në përputhje me kuadrin e politikës së zgjerimit të përcaktuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, në partneritet me përfituesin, dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.
Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022(https://ëëë.rcc.int/pubs/142/balkan-barometer-2022–infographics), si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i dobët.
Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në:
I.Një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese
Në terësi, sfida e decentralizimit të menaxhimit të fondeve IPA dhe rritjes së përgjegjësive dhe detyrave të strukturave shtetërore të vendit përfitues, nuk ka sjellë angazhimin e shpresuar nga institucionet tona shtetërore dhe entet menaxhuese.
Këto të fundit, nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë si duhet veprimtarinë e tyre, për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare të projekteve përkatës. Nuk kemi arritur të sigurojmë angazhimin efektiv të strukturave të dedikuara dhe kapacitetet e duhura realizuese dhe absorbuese të projekteve IPA.
Bashkëpunimi institucional për realizimin e projekteve IPA, si në nivel ministrish të linjës dhe institucioneve të tjera qendrore, ashtu dhe në nivel vendor, është parë në shumë raste si një detyrë dytësore dhe shtesë e kompetencave primare të institucioneve, ndërkohë që integrimi evropian, duke përfshirë gjenerimin dhe zbatimin e fondeve IPA, duhet të konsiderohet si një qasje unike zhvillimi.
II.Shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës
Ka ndodhur shumë shpesh dhe është kthyer në një sëmundje kronike, shtyrja e afateve të disbursimeve, duke sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, si dhe duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projekteve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, në shumë raste, nuk kanë bërë një planifikim në vite dhe nuk kanë patur një plan veprimi konkret, për përfundimin në kohë të disbursimeve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, ne shume raste nuk kanë realizuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve dhe shërbimeve te konsulencës, duke sjellë, për pasojë, dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të vëllimit të punimeve dhe vonesa të tejzgjatura dhe të paargumentuara, në realizimin e komponentëve të veçantë, si dhe të projekteve në tërësi.
Keto mangesi ne zbatimin e projekteve te programit IPA III duhen adresuar urgjentisht dhe mitiguar e minimizuar.
III.Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale
Njësitë e menaxhimit të projekteve IPA, në shumë nga projektet, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave, kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara.
Keto njesi nuk kanë bërë asnjehere një analizë e hollësishme, sa here janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, analize ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk kanë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara.
Në shumë nga projektet IPA, njësitë e zbatimit të projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar, pasi përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivim.
xx
Për projektet IPA, ka munguar transparenca dhe auditimi i tyre. Mjafton të kujtoj këtu, se, në rast se shikoni ëeb-in e Agjencisë së Auditimit të Fondeve të Asistencës së Huaj, të krijuar në vitin 2016, raportimi ka ngelur në Raportet Vjetore të viteve 2018-2019. Duke mos realizuar koordinimin e duhur dhe angazhimin e plotë në realizimin e projekteve IPA, pala shqiptare në përgjithësi dhe ministritë e linjës në veçanti, kanë dëshmuar:

  1. Pasivitet të theksuar në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane, sesa në punë;
  2. Menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, njësi të dedikuara IPA në përputhje me prioritetin politik e social, monitorim eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;
  3. Proces të mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.
  4. Mungesë të burimeve njerëzore të mirë-trajnuar në ministritë e linjës (për shkak se procedurat e rekrutimit të stafit të ri janë të gjata, si dhe largimi i stafit nga puna);
  5. Mungesë të komunikimit dhe koordinimit brenda administratës qendrore, veçanërisht në rastet kur një projekt përfshin më shumë se një përfitues;
  6. Informacion të limituar nga ana e nivelit të lartë drejtues të institucioneve përfituese, lidhur me programimin dhe zbatimin e fondeve IPA;
  7. Ndryshimet në qeveri prekin njerëzit që janë trajnuar tashmë, mbi mbështetjen dhe mekanizmat e mbështetjes së BE-së;
  8. Mungesë të politikave për të motivuar stafin. Për shkak të vështirësive gjatë programimit të projekteve IPA si dhe kërkesave të tregut të brendshëm për shkrim projektesh, stafi i IPA-s në ministritë e linjës ka braktisur administratën publike;
  9. Përfshirje e ulët e grupeve të tjera të interesit, si organizatat e shoqërisë civile dhe stafit të qeverisjes vendore;
  10. Mungesë të përshkrimit të qartë të punës të dedikuar vetëm për programimin e IPA-s. Në shumë raste, ekspertët në ministritë e linjës nuk kanë kohë për t’i dedikuar shkrimit të projektit IPA, për shkak të detyrave të tjera që duhet të përmbushin, etj.
    Mangësitë e mësipërme i përmend, me qëllim që Agjencia e re e krijuar t’i reflektojë në punën e saj, në zbatimin e Projekteve IPA III.
    Ne në Komisionin e Ekonomisë kërkuam informacion për implementimin e projekteve të IPA II. Agjencia e e re SASPAK u tregua korrekte dhe na përcolli informacionin. Sipas këtij informacioni, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, për projektet IPA II 2014-2020, nga 540 milionë euro janë realizuar 45%, në një kohë kur, sipas afateve normale të IPA +2 vjet, këto projekte duhej të ishin realizuar 100%. Këto shifra vërtetojnë të gjitha mangësitë që kam përmendur në fillim.
    Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të projekteve ekzistues dhe shtim të stokut të projekt-ideve për ndërhyrje të fondeve IPA në të ardhmen, në dobi të rritjes së imazhit të vendit tonë, si një vend i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në rrugën e tij të integrimit, si dhe gjenerues i aftë projekt-idesh të realizueshme, në kuadrin e financimeve nga paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.Botuar në Gazeta Sot më dt. 17.09.2022
Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Në 12 shtator mijëra nxënës do të ulen në bangat e shkollës. Normalisht atyre u takon urim, por këtë vit në bangat e shkollave shqiptare të arsimit fillor, të mesëm të ulët e të mesëm të lartë do të ulen shumë më pak nxënës nga viti i kaluar. Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme. Pasi, sipas të dhënave të publikuara edhe në mediet kombëtare (TV KLAN, prej nga janë marrë edhe fotografitë ilustruese) këtë vit në shkollat shqiptare do të ketë 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, është edhe shpopullimi për arsye emigrimi, por edhe largimi i të rinjve, që po thellon një plagë 30 vjeçare për shoqërinë tonë! Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… “Politikat arsimore” të qeverisë së sektit Rama në pushtet kanë 9 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën. Në 9 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 500.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Në 9 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën. Vetëm këtë vit nga 31.000 maturantë, 11.000 kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit, normalisht nxënësit ekselentë, të cilët shumë shpejt do të pasohen nga familjet e tyre për të mos u rikthyer më në Shqipëri. Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre… Pavarësisht gjendjes, nxënësve në mbarë Shqipërinë u uroj suksese në rrugën e dijes këtë vit të ri shkollor!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 12.09.2022

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Më 12 qershor 2006, 16 vite më parë, Shqipëria firmoste Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit(MSA). Në periudhën 2006-Në sajë edhe të punës dhe kontributit të Partisë Demokratike gjatë viteve 2006-2012, procesi i integrimit kishte ecur mirë dhe negociatat për anëtarësim mund dhe duhej të ishin hapur që në vitin 2013, 9 vite më parë, kur edhe Bashkimi Evropian ishte gati për ta ndërmarrë atë hap. Në shkurt 2013, Komisioneri i atëhershëm Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, i bëri thirrje opozitës të miratojë tri ligjet e integrimit, si kushtin themelor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vitin 2013, drejtuesi i opozitës së atëhershme, Edi Rama, kryetari i sektit që po ravijëzohej dhe uzurpoi PS dhe pastaj drejtimin e te gjithe vendit, bëri gjithçka për të penguar integrimin dhe për të mos votuar 3 ligjet e paketës së 12 prioriteteve të BE-së, me pretekstin e kryetarit të Qarkut të Fierit! (Vërtet, e mban mend njeri emrin dhe veprat e këtij kryetari qarku?!…).
Puna fillon tani
Më 19 korrik 2022 u çelën zyrtarisht negociatat, pasi 27 vendet anëtare të BE-së votuan unanimisht pro për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një ditë e mirë për të gjithë ne, për Shqipërinë, për realizimin e ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Kjo ditë e mirë u prish nga megalomania e Ramës, që nuk ftoi asnjë përfaqësues nga opozita në Konferencën Ndërqeveritare dhe, në adresimin e tij në Bruksel, gjeti momentin të kritikojë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian është institucioni garant i progresit të një vendi që i hapet drita jeshile e bisedimeve për anëtarësim. Ekspertët e tij kanë një eksperiencë të madhe negociatash, të akumuluar në vite përmes qindra e mijëra raundeve të bisedimeve për anëtarësim të dhjetra vendeve që tani janë Shtete Anëtare të BE-së. Komisioni garanton monitorim të rreptë dhe nga shumë afër, të ecurisë së progresit. Gjithëpërfshirja duhet të jetë deviza jonë në procesin e integrimit. Aty ku Acquis(legjislacioni komunitar) do të ketë implementim më të gjerë, opozita, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile duhen ftuar në tavolinë. Qeveria nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në pronare e procesit. Nuk funksionon kështu në BE. Acquis, korpusi legjislativ i Bashkimit Evropian përmban 135 mijë faqe. Rreth 70 % e Acquis do të implementohet në nivel vendor. Kërkohet përfshirje më e lartë e institucioneve të pavarura dhe e pushtetit vendor. Ky proces integrues do të jetë tejet i gjatë, sfidues dhe i komplikuar.
Kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan
Rama nuk e do monitorimin e rrepte dhe t’i tregojnë çfarë duhet bërë për ta merituar anëtarësimin. Ai kërkon ta lënë të lirë të veprojë si të dojë. Prandaj është bërë kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan. E ka rrëmbyer flamurin e kritizerit, me një synim të qartë, ta lënë të qetë ta qeverisë Shqipërinë si një sulltanat. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Opozita nuk duhet të provokohet dhe kompleksohet nga qëndrimet e Ramës, por të shikojë të zbatojë detyrat e saj në procesin e integrimit.
Natyra e negociatave
Procesi do të jetë shumë i vështirë dhe rruga përpara nesh do të jetë e tatëpjetë. Për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra. Acquis comunitaire nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Evropian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jurisprudencën e Gjykatës së drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së. Pranimi i «acquis» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e BE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit. Secili kapitull diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli i Evropës dhe vendi qe i jane çelur negociatat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së, për të përcaktuar dallimet mes të dyjave. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për ‚kapitujt? e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime. Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet qe u jane çelur bisedimet për anëtarësim kanë për të bindur BE-në se administrata e vendit të tyre është e afte dhe e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësohen nga ministri apo ambasadori në BE i shtetit anëtar që ka Presidencën e BE-së dhe vendit që i janë çelur negociatat, i cili përfaqësohet nga ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose kryenegociatori. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Për secilin prej kapitujve, përcaktohen qëndrime të përbashkëta diskutimi. Kur bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, Shqipëria mund t’i bashkohet BE-së. Pas mbylljes së bisedimeve për të gjithë kapitujt, rezultatet e bisedimeve vendosen në një traktat anëtarësimi. Sipas rastit, sistemi i masave kalimtare u jep mundësi diskutimeve të mbyllen, edhe nëse nuk është realizuar tërësisht harmonizimi i Acquis.
Elementet e negociatave
Bisedimet për çdo kapitull bazohen në elementet e mëposhtme: Shqyrtimi (në anglisht, “Screening”. Komisioni Evropian, së bashku me vendin që i janë çelur negociatat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave të çdo kapitulli, për të përcaktuar përgatitjen e vendit. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza. Faza shpjeguese është faza ku vendi që i janë çelur negociatat mëson rreth kërkesave që duhet të plotësojë. Komisioni Evropian e paraqet “Acquis”, bazuar në një listë aktesh ligjore. Takimet shpjeguese mund të zgjasin nga 1 deri në 9 ditë pune për kapitujt më voluminozë, të tilla si bujqësia apo mjedisi. Shqyrtimi dypalësh është faza ku vendi që i janë çelur negociatat testohet për nivelin e të kuptuarit dhe gatishmërinë e administratës së tij për të plotësuar detyrimet. Vendi shpreh qëndrimin e vet, nëse e pranon ose jo acquis dhe nëse do të mund ta zbatojë atë menjëherë apo në një të ardhme. Ekspertë nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e grupeve të punës paraqesin nivelin e harmonizimit të legjislacionit vendas me Acquis. Gjatë prezantimeve mund të identifikohen probleme të mundshme për zbatimin e Acquis ose Komisioni Evropian mund të kërkojë informacion shtesë në formë të shkruar. Takimet mbahen në Bruksel. Në rastin e Kroacisë, shqyrtimi për të gjithë kapitujt zgjati 1 vit. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni Evropian ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë). Standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, zakonisht i referohen kuadrit ligjor apo strategjik të nevojshëm për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit, ndërsa standardet për mbylljen e një kapitulli i referohen nivelit të zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Negociatat na takojnë të gjithëve
Pas konfirmimit nga ana e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare që standardet e hapjes janë plotësuar, Presidenca e BE-së i dërgon letër shtetit që i janë çelur negociatat, që të paraqesë pozicionin e vet negociues për kapitullin përkatës. I njëjti parim zbatohet edhe kur janë vendosur standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, si dhe kur nuk ka standarde shtesë. Përpara fillimit të bisedimeve, vendi që i janë çelur negociatat duhet të paraqesë pozicionin e tij negociues dhe BE duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët mbi të. Për përgatitjen e një drafti final të një pozicioni negociues, kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertizës dhe burimeve të mundshme; marrja në konsideratë e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve për të dhënë një pasqyrë të plotë të të gjitha çështjeve kryesore me interes kombëtar, dhe se si harmonizimi në këtë kapitull do të reflektojë në politikën kombëtare. Kërkohen konsultime jozyrtare me Komisionin Evropian, sidomos nëse standardet për hapjen janë përmbushur. Pozicionet negociuese janë një proces delikat, si në aspektin procedurial, ashtu dhe atë substancial/thelbësor. Ato përgatiten bashkërisht nga anëtarët e grupeve të punës, duke synuar përfshirjen e gjerë të ekspertizës nga administrata publike apo shoqëria civile, përpara se të miratohen përfundimisht nga Qeveria. Pas miratimit të versionit final nga Qeveria, pozicioni negociues i dërgohet Presidencës së Këshillit të BE-së, nëpërmjet Misionit në Bruksel të vendit që i janë çelur negociatat. Ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ja përse bisedimet e anëtarësimit na takojnë të gjithëve dhe në to duhet të përfshihen aktivisht opozita dhe ekspertët e saj, si dhe shoqëria civile dhe ekspertët e saj. Është hapur vërtet një kapitull i ri dhe jemi të gjithë përpara sprovave të mëdha. Opozita dhe Partia Demokratike duhet dhe do ta bëjnë punën dhe pjesën që u takon atyre, për të shkuar dinjitozë e me kokën lart në BE, jo me propagandë boshe, jo me fasada, si ato që propagandon, ngre e ndërton çdo ditë sekti në pushtet. Integrimi na takon të gjithëve si qytetarë. Ai nuk mund dhe nuk do të ngelet peng i kapriçove të Liderit Global.

Botuar ne Gazeta Sot me dt. 23.07.2022