146 vite nga lindja e iluministit, politikanit, përkthyesit, publicistit, filozofit, atdhetarit të madh, veprimtarit të çështjes sonë kombëtare, Mid’hat Frashëri.
Mid’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880, në Janinë, pinjoll i familjes së shquar të Frashëllinjve (djali i patriotit Abdyl Frashëri).
Mid’hat Frashëri i ka shërbyer kombit si veprimtar i Rilindjes Kombëtare, pjesëmarrës dhe bashkëkryetar i Kongresit të Manastirit,
Firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesë e kabinetit qeverisës së Ismail Qemal Bej Vlorës si ministër, diplomat i shtetit shqiptar, mbrojtës i flaktë i interesave të Çamërisë dhe Kosovës, kryetar i organizatës së Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizator dhe drejtues i Konferencës së Mukjes/Marrëveshjes në Mukje gusht 1943, (fatkeqësisht e shkatërruar nga serbët Popoviçi/Mugosha dhe vegla e tyre E.Hoxha), dhe kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbas Luftës së Dytë Botërore.
Mid’hat Frashëri si kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” vendosi kriterin e vetëm se ky bashkim ishte i hapur për çdo antikomunist por nuk do të ishte anëtar askush që kishte bashkëpunuar me fashizmin apo nazismin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në botën e letrave, i njohur me emrin Lumo Skëndo, ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog, qysh nga viti 1900.
Nga gjysma e dytë e viteve ‘30 ishte shqiptari me bibliotekën (dhe librarinë “Lumo Skëndo”) më të madhe në Shqipëri. Gjithë koleksionin e bibliotekës së tij private, përmes një testamenti të kohës vendosi t’ja dhuronte Institutit të Albanologjisë.
Korpusi i plotë i veprave të tij në mbi 10 vëllime, është mbledhur e përgatitur nga studiuesi i apasionuar i historisë dhe politikës Prof.Uran Butka dhe është botuar nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”. Prof.Uran Butka ka botuar dhe librin mbi jetën dhe veprimtarinë e Mid’hat Frashërit: “Gjeniu i Kombit” si dhe “Mukja-shansi i bashkimit, peng i tradhëtisë”.
Në vitin 2006 kisha nderin dhe privilegjin, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të krijoja çmimin e bibliofilisë me emrin letraro-publicistik të Mid’hat Frashërit, çmimi “Lumo Skëndo”, çmim i cili falë emrit të madh, Lumo Skëndo i ka rezistuar kohës.
Gjithashtu në këto vite, Ministria e Kulturës mbështeti botimin e veprës “Gjeniu i Kohës”, si dhe në një ambient të veçantë të Muzeut Historik Kombëtar u hap biblioteka “Lumo Skëndo”, e cila fatkeqësisht u mbyll nga ministrat pasardhës.
Figura e tij e madhe kombëtare, poliedrike u është imponuar në ditët e sotme dhe pasardhësve të kundërshtarëve të tij politik ‘41-‘44 & ‘44-‘90.
I paharruar Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo), Gjeniu i Kombit, apostull i shqiptarizmës dhe Shqipërisë !