5 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë.
Sot është data 5 tetor, data kur fillon viti i ri akademik, është dita kur studentët janë ulur në auditoret e universiteteve në vendin tonë.
Sot, me këto politika që sekti Rama ka ndjekur, për fat të keq arsimi është zhvlerësuar dhe nuk është prioritet kombëtar.
Në universitetet tona këtë vit janë regjistruar 32% më pak studentë se në vitin 2012 dhe janë 18% më pak studentë se në vitin e kaluar.
Në programin që u trumbetua me të madhe në 2013, në programin e Rilindjes, që vetëm rilindje nuk është për arsimin dhe për gjithë ekonominë, theksohej që shpenzimet për arsimin do shkonin në 5% të GDP. Ende sot pas 13 viteve në pushtet buxheti për arsimin është në nivelin 2.5% të GDP.Ky nivel e rendit Shqipërinë ndër vendet me financimin më të ulët për arsimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku mesatarja luhatet pranë 3.9% (psh Kosova me rreth 4.6% dhe Serbia mbi 4%)
Në Shqipëri ne duhet të pranojmë që arsimi është në krizë.
Universiteti i Vlorës këto vite po zvogëlohet e po zvogëlohet nga dita në ditë, pasi nuk ma lejon ndërgjegjja të them fjalën tjetër se ku mund të shkojë universiteti i Vlorës pas disa vitesh, pavarësisht punës dhe përpjekjeve të stafit pedagogjik e studentëve. Në raport me vitin 2012, niveli i numrit të studentëve ka rënë deri ne 50%. Universiteti i Vlorës, veç Infermierisë së Përgjithshme, të gjitha degët e tjera janë nën kuota regjistrimesh, duke bërë që të shkojnë drejt mbylljes degët e mësuesisë dhe Gjuhët e huaja. Kriza është ulur këmbëkryq, pasi në të gjitha degët, regjistrimet nuk janë të kënaqshme, janë regjistrime me shumë pak studentë për degë, ndërkohë që ka disa dhjetëra pedagogë. Ndërkohë që Universiteti i Vlorës është në krizë për studentë dhe shumë programe janë drejt mbylljes, asnjë politikë nxitëse nuk ka për afrimin e studentëve në këtë universitet.
Po ashtu nga ana tjetër fenomeni është shqetësues në të gjitha nivelet e arsimit në qarkun e Vlorës. Shkolla të shumta në kushte mjerane, ose të mbyllura për shkak të mungesës së nxënësve.
Problemet e arsimit nuk duhet të jenë thjesht çështje politikash, por qëllime me objektiva të qarta. Sepse arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi.
Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria.
Është tragjike kur shikon nga politika që problemet e arsimit i trajton thjesht si çështje politikash dhe jo si qëllime me objektiva të qarta.
Do të dëshiroja këtu të citoja, Prof. Ndriçim Kulla, i cili shkruan: “Arsimi i ri, që duhet të zëvëndësojë arsimimin e dështuar të Edi Ramës duhet të ndryshojë nga qëlllimi i qartë që duhet të ketë. Ai duhet që të jetë një arsimim, i cili duhet të ndryshojë në mënyrë krejtësisht cilësore përmirësimin e arsimimit në vazhdimësi. Ai duhet të jetë një arsimim që duhet të përfshijë ose të forcojë në mësimdhënie edukimin pedagogjik, edukimin e munguar krejtësisht patriotik, edukimin familjar, por edhe edukimin europian.”
Si deputet i Vlorë i Partisë Demokratike insistoj që Universiteti i Vlorës të jetë në vëmendjen e qeverisë, duke përpiluar strategji, liri akademike e autonomi financiare.
Gjithashtu duhet të ketë një rritje të konsiderueshme të buxhetit shtetëror për UV “Ismail Qemali” për mësimdhënien, kërkimin shkencor, laboratorët, përmirësimin e kapaciteteve mësimore, pedagogjike dhe kërkimin shkencor.
Promovimi i degëve dhe studimeve akademike për të cilat ka më shumë nevojë ekonomia rajonale dhe sektorë te tjere strategjikë, siç është turizmi, ekonomia, inxhinieria navale, mekanike e elektrike, teknologjia e informacionit, shkencat detare, matematika, fizika, mësuesia, etj, do të ishin disa nga masat që mund të ndërmerreshin për të ndalur jo vetëm hemoragjinë studentore, por edhe për të pasur një brez të arsimuar e mirëarsimuar në të ardhmen.
Duhen kthyer sytë sa më shpejt sot nga arsimi, pasi një arsim i keq sot, prodhon një shoqëri të dështuar nesër.
Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme.