Sot, më 24 janar 2026, së bashku me anëtarë të kryesisë së PD Vlorë dhe qytetarë vlonjatë, zhvilluam ceremoninë përkujtimore të 107-vjetorit të ndarjes nga jeta të Atit të Kombit, Ismail Qemal Vlorës. Me këtë rast vendosëm kurora me lule pranë varrit monumental të Atit të Kombit në qytetin e Vlorës.
Kanë kaluar 107 vite nga 24 janari i vitit 1919, kur Ismail Qemal Vlora, Ati i Kombit shqiptar, themeluesi i shtetit dhe babai i Pavarësisë, kaloi në përjetësi, duke hyrë në panteonin e lavdisë shqiptare dhe në altarin e pavdekshëm të heronjve të shtetit shqiptar.
Ismail Qemali ka qenë, është dhe do të mbetet një personalitet i padiskutueshëm i Rilindjes Kombëtare. Ai ishte dhe mbetet një figurë e rrallë e kombit shqiptar, që finalizoi përpjekjet shekullore dhe luftërat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorën e tij të dashur. Ai jo vetëm e realizoi Pavarësinë, por hodhi themelet e shtetit shqiptar.
Emri i tij i vërtetë është: Nëntor 28!
Më 24 janar 1919, Ismail Qemal Vlora kaloi në përjetësi për të hyrë e qëndruar përgjithmonë në altarin e pavdekshmërisë së kujtesës sonë kombëtare, si personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, figura më e dashur dhe karizmatike e shqiptarëve.
Te Ai bashkohen në një: Njeriu, Shtetari dhe Pavdekësia.
Kryevepra e tij mbetet Themelimi i Shtetit Shqiptar, sepse Ismail Qemal Vlora kurrë nuk i keqpërdori ndjenjat kombëtare për interesa politike dhe bëri atë që pakkush mund ta bënte: shpalli Pavarësinë.
Ai është politikani i parë shqiptar që vuri Shqipërinë mbi egon personale, mirësinë, tolerancën dhe dashurinë mbi keqkuptimet; themeloi debatin publik dhe institucionin e dorëheqjes, edhe pse nuk e meritonte të largohej.
Emri i Ismail Qemal Vlorës është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai mbetet protagonisti kryesor i përpjekjeve kolosale politike dhe diplomatike në kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në historinë e popullit shqiptar, emri i Ismail Qemal Vlorës do të mbetet përgjithmonë i shënuar si Ati i Kombit.
Dhe për kryeveprën e tij, Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, populli shqiptar këndon me krenari:“Emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!”