Goditja e Ramës ndaj opozitës vë demokracinë në rrezik!

Goditja e Ramës ndaj opozitës vë demokracinë në rrezik!

Duke parë i tmerruar ngritjen në këmbë të opozitës dhe nisjen e bashkimit të saj, Rama po e (keq)përdor sot shumicën socialiste të Kuvendit, jo vetëm si noter të rëndomtë të ligjeve të tij të kapura, të denoncuara botërisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Transparency International, por si mburojë dhe armë, për të asgjësuar opozitarizmin në Shqipëri, duke mos i mundësuar opozitës reale ngritjen e komisioneve parlamentare.
I. Sekti Rama kërkon asgjësimin e opozitës reale të vendit
Tentativat e sektit Rama në qeverisje, për të anihiluar opozitën e vendit kanë kulmuar në javën e fundit, ndërkohë që opozita, kësaj rradhe në bashkim e sipër, ka kërkuar me këmbëngulje në Kuvend ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, si një e drejtë legjitime e kushtetuese, në themel të demokracisë në vendin tonë.
Bashkimi gradual i opozitës, i cili po ndodh kohët e fundit, e ka tmerruar sektin Rama në qeverisje. Si kundërpërgjigje, Rama përgatiti dhe injektoi masat më ekstreme ndaj opozitës së bashkuar në Kuvend.
Katër ditë më parë, deputetët e opozitës përjashtohen në masë(26 deputetë të saj) nga punimet e Kuvendit, pse vijuan të kërkojnë me këmbëngulje ndryshimin e përbërjes nga opozita të Komisionit për Reformen Zgjedhore, një komision ky i ngritur që në shkurt 2022, i cili nuk ka bërë asgjë në tre mandate 6-mujore të tij.
Opozita ka kërkuar rigjenerimin e Komisionit për Reformen Zgjedhore, në mënyrë që puna e tij të çojë vërtet në dhënien fund të administratës zgjedhore politike, të administratës zgjedhore të përfaqësuesve të partive, për ta shndërruar administratën zgjedhore në një administrate të depolitizuar, që i shërben vetëm procesit dhe që respekton ligjin.
Sekti Rama në qeverisje, e ka snobuar në vijimësi këtë kërkesë të artikuluar me forcë jo vetëm nga opozita, por edhe nga raportet e fundit të misioneve të OSBE-ODHIR-it, duke e nënshtruar tërësisht Parlamentin dhe prodhuar pagojësinë dhe pafuqinë e plotë të deputetëve të shumicës parlamentare, për ta shtyrë përpara reformën zgjedhore.
Që nga janari i ketij viti, opozita vijoi të kërkojë me këmbëngulje ngritjen e një komisioni parlamentar, për hetimin e përfshirjes së kryeministrit Rama në aferën Charles McGonigal, një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, i cili po hetohet në SHBA nën akuzën se ka marrë shuma të mëdha parash nga një oligark rus dhe nga një sipërmarrës shqiptar me banim në SHBA, si dhe ka përfituar udhëtime me shpenzime të mbuluara në Tiranë dhe vende të tjera në Ballkan. Korruptimi i një zyrtari amerikan të lartë të FBI-së, për të sajuar akuza dhe rrethana të rreme për kundërshtarët politikë, është jo vetëm krim, por dhe akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.
Asnjë kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista, për të korruptuar zyrtarë amerikanë, që këta t’i shërbejnë për të goditur kundërshtarët e tij politikë në vendin e tij. Si përgjigje, deputetët e opozitës morën përjashtimin nga punimet e Kuvendit, gjoja në emër të pengimit të punimeve normale të tij.
Deputetët e opozitës kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për hetimin e përdorimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, pas skandalit të madh të patronazhistëve dhe shfrytëzimit të të dhënave sensitive dhe konfidenciale të të gjithë shqiptarëve(numri i tyre i kartës së identitetit, i telefonit celular, i llogarisë bankare, i targës
së makinës, etj.) për qëllimet zgjedhore të partisë në pushtet. Edhe kjo kërkesë u refuzua nga sekti Rama në pushtet dhe, si pergjigje, deputetët e opozitës morën përjashtimin nga Kuvendi.
Opozita duhet të kërkojë me këmbëngulje ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për procedurat e dhënies së investimeve strategjike, pas abuzimeve të panumurta dhe keqperdorimit masiv të evidentuar gjerësisht, të Ligjit famëkeq Nr. 55/2015, për Investimet Strategjike, duke ua marrë me forcë tokën në bregdet qytetarëve, zotërues të ligjshëm të titujve të pronësisë.
Deputetët e opozitës janë në të drejtën e tyre kushtetuese për t’i ngritur këto komisione, pasi ata që kërkojnë ngritjen e tyre dhe ndryshimin e përbërjes nga opozita të Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, janë më shumë se një e katërta e Kuvendit. Neni 77 i Kushtetutës, Pika 2 e tij, e thotë shprehimisht se “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Por Rama, ky i ashtuquajtur “Lider Global”, nuk e ka për asgjë të shkelë Kushtetutën e vendit dhe të bllokojë nismat parlamentare të opozitës, duke provuar, ose ta nënshtrojë, ose ta asgjësojë atë. Veç, kësaj rradhe, i ka hasur sharra në gozhdë!
II. Rama përdor fishekun e fundit: policinë!
Rama, duke e urryer gjenetikisht opozitën, nuk ndalet përpara asnjë mjeti, për të nënshtruar dhe stopuar aksionin opozitar. Pasi i ka provuar të gjitha, që të blejë, të trullosë, të paralizojë dhe të kompleksojë opozitën, parmbrëmë përdori fishekun e fundit, policinë.
Parmbrëmë, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike dhe i opozitës së vërtetë të vendit, Prof. Dr. Sali Berisha, ishte në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, dy përfaqësues të Policisë së Shtetit hynë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, në prani të kamerave televizive. Ky pseudo-“spektakël policor” dhe demonstrim force, tregoi natyrën e shtetit policor të Ramës dhe i ka revoltuar të gjithë shqiptarët.
Si mund të shkojë Policia e Shtetit në selinë e partisë politike kryesore opozitare të vendit, për të zbatuar një masë për detyrim paraqitje të Kryetarit të Partisë Demokratike, e cila nuk është aspak ligjore, por atentat, sulm politik?!
Masa e cënimit të lirisë të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, pa miratimin e Kuvendit të Shqipërisë, përbën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe pikërisht të Nenit 73, Pika 2 e tij, që shprehimisht cilëson se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Policia e Shtetit nuk ishte as në anën e ligjit, as në frymën e ligjit, me inkursionin e parmbrëmshëm në selinë e Partisë Demokratike, por u shndërrua në një vegël qorre të sektit Rama në qeverisje.
Procedura ligjore nuk lejon as edhe një banese delikuenti të kontrollohet pas orës 20.00 të darkës deri në 7 të mëngjesit, e jo më të ketë prani policore në një seli partie politike!
Kjo lëvizje vjen, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar dy ditë më parë, se deputetët e opozitës janë gati dhe do të hyjnë edhe në grevë urie në Kuvend, që të respektohen të drejtat e tyre legjitime dhe kushtetuese, për ngritjen e komisioneve parlamentare.
Perspektiva e opozitës në grevë urie në Kuvend, ka tmerruar dhe njëkohësisht tërbuar Ramën. I ashtuquajturi “Lider Global” parashikon humbje masive pikësh në sytë e ndërkombëtarëve
dhe ndërgjegjësim të tyre për mungesën flagrante të demokracisë funksionale dhe kapjen e plotë të shtetit në Shqipëri, nga oligarkët e sektit Rama në qeverisje, çfarë opozita reale e vendit me në krye Prof. Dr. Sali Berishën ka vite që e denoncon .
Rama nuk po di ç’të bëjë më dhe po përdor Policinë e Shtetit, si mjetin-fishek të fundit, për të trembur dhe stopuar opozitën. E ka të kotë!
Aksioni opozitar do të vijojë i fuqishëm dhe syhapës për të gjithë shqiptarët, lidhur me rregjimin policor që klika Rama në pushtet po tenton të instalojë. Deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në çdo seancë të Kuvendit, duke denoncuar bllokimin e një pjese thelbësore të punës së tij nga ana e sektit Rama: ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Rama le të dërgojë policinë, kësaj rradhe në Kuvend, për të ndaluar deputetët e opozitës.
xxx
Nuk ka më kthim mbrapa, me një rregjim që vetëm kërkon të trullosë me propogandë virtuale e koreografi tubimesh shqiptarët, ndërkohë që i grabit dhe i detyron ata të largohen masivisht nga vendi.
Përballja me regjimin e Ramës, që do të mbysë dhe anihilojë opozitën e vërtetë të vendit,sot është rruga e çdo njeriu të lirë që lirisë i thotë liri, dhe demokracisë i thotë demokraci!

Kuvendi krah Kosovës, por Rama krah Vuçiç!

Kuvendi krah Kosovës, por Rama krah Vuçiç!

U bë shumë mirë që, si deputetë të Kuvendit, miratojmë një Rezolutë të përbashkët të Parlamentit të Shqipërisë, për të dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit mbi Kosovën dhe për të mbështetur totalisht Rezolutën e Parlamentit të Kosovës, edhe pse me dy javë vonesë. Edhe pse të vonuar, po tregojmë pjekurinë që kërkohet prej nesh, si deputetë të Kuvendit, dhe po kryejmë detyrën tonë për çështjen kombëtare, të cilën nuk duhet kurrë ta anashkalojmë. Në të kundërt, atë duhet ta përfshijmë me bindje të plotë dhe përkushtim në axhendat tona politike, duke ju bërë krah Kosovës, dhe jo duke e larguar me qëndrime paternaliste që nuk i shërbejnë çështjes kombëtare. Sot më shumë se në çdo ditë tjetër, ia vlen të reflektojmë dhe të kuptojmë në thellësi se çfarë ishte ky akt i pashembullt terrorizmi shtetëror kundër Kosovës.
Më 24 shtator donte të fliste Beogradi, dhe, pas altoparlantit Vuçiç, Kremlini
Kjo ngjarje ishte në vijim të veprimeve të mëparshme të Republikës së Serbisë, për mosnjohjen e Kosovës si Republikë të e pavarur dhe sovrane në të gjithë territorin e saj. Qytetarët e Kosovës i njohin më mirë se ne provokimet e ndodhura në tokën kosovare. Bllokimet e rrugëve, grupet e armatosura, sulmet e dhunshme, krijimin e mjedisit të frikës edhe ndaj popullsisë civile serbe. Është kjo popullsi që e di më mirë nga të gjithë, se ajo që ka ndodhur në muajt e fundit ishte preludi i një agresioni të ardhshëm. Kjo popullsi e di se sa mijëra shqiptarë janë shpërngulur me dhunë nga Veriu i Kosovës, sidomos nga Mitrovica. Ajo është e vetëdijshme se politika e Beogradit nuk kërkon thjesht krijimin e një Asosacioni, por fillimisht autonomi për pakicat serbe, që pastaj të kalohet në boshnjakëzim të Veriut të Kosovës dhe në rrëmbimin e Trepçes dhe të Ujmanit, këto pasuri kyçe për ekonominë e sotme dhe të ardhme të Kosovës. Sulmi ndaj policisë së Kosovës u bë me një synim të qartë, për të zaptuar Veriun e Kosovës. Përfaqësonte nisjen e planit të forcave më të errta e destruktive në Serbi, në koordinim të plotë me Kremlinin, për të ndarë Kosovën dhe futur në krizë Ballkanin. Krye-objektivi ishte të realizohej lëvizja e parë konkrete dhe e rëndësishme kundër interesit të NATO-s në Ballkan, për një rajon të stabilizuar. Sulmi ishte pjesë e natyrshme dhe integrale e një strategjie dhe plani të hartuar prej shumë kohësh më parë nga Kremlini, zbatues i zellshëm i së cilës u bë drejtuesi aktual i Serbisë, ish-Ministri i Informacionit të Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Dështimi i tanishëm i kësaj strategjie dhe i këtij plani ishte, së pari, meritë e policisë së Kosovës dhe së dyti, e ndikimit përcaktues të faktorit euroatlantik në rajon. Megjithëse dështoi me turp, sprova tregoi se Serbia e ngjyrave të theksuara shovene dhe drejtuesi i saj i sotëm Vuçiç, nuk heqin dorë nga strategjia e ashtuquajtur ‘bota serbe”. e marrjes nën kontroll “de facto” të vendeve të Ballkanit, siç është rasti i Veriut të Kosovës, apo ai i mëparshëm në kohë, i ndërhyrjeve destabilizuese në Mal të Zi, ndërhyrjeve permanente në Bosnje-Hercegovinë. Sikurse e kanë vërejtur me të drejtë analistë të njohur ndërkombëtarë dhe institucione evropiane prestigjoze të sigurisë, përmes bandave te paraushtarakeve, që mund të ktheheshin shumë shpejt në reparte të armatosura, sipas një plani të detajuar nga instituti i veçantë për Kosovën pranë Presidencës Serbe, objektivi ishte dështimi përfundimtar i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa prodhuar asnjë zgjidhje të mundshme dhe të qëndrueshme, testimi i reagimit të forcave dhe politikës ndërkombëtare në rajon ndaj dhunës së organizuar, dhe, së fundmi e gradualisht, krijimi i kushteve për shkëputje të dhunshme të Veriut të Kosovës. Për këtë, qeverisë në Beograd i duheshin incidentet e dhunshme, pasi kishte dhe ka nevojë, për alibinë e saj politike, qe të tregojë se qeveria në Prishtinë është strukturë e dhunshme dhe asaj nuk mund kurrsesi t’i besohet. Synimi madhor i Vuçiç dhe qeverisë serbe është që ta largojë Perëndimin nga Kosova dhe kosovarët. Që të tregojë se qeveria Kurti po ushtron terror mbi pakicën serbe dhe është e pamundur bashkëjetesa, edhe pse në realitet, pakica serbe në Kosovë ka të drejta kolektive më shumë nga çdo pakicë tjetër në Ballkan. Ne nuk mund dhe nuk duhet të merakosemi, sikurse bëri drejtuesi i sektit që sot qeveris vendin, se përse Serbia shpalli ditë zie për paraushtarakët e vrarë në sulmin terrorist në Kosovë, pasi me kete akt, qeveria e Beogradit dhe Vuçiç demaskuan veten e tyre si bashkëautorë. Ne duhet të analizojme thellë dhe të shohim me qartësi planin agresiv për terrorin që do të ushtrohej në Veri të Kosovës, si dhe kush qëndron realisht pas kësaj strategjie dhe plani veprimi. Qëllimi i qeverisë së Beogradit me provokimin në Banjskë, ku rruga u bllokua nga dy kamionë pa targa dhe ku u vra heroi i Kosovës dhe policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte që të tatonte reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian pas dhunës. Do ta ndihmonte faktori ndërkombëtar policinë e Kosovës, do të kishte më shumë vëmendje në luftën kundër krimit të organizuar që strehohet në bandat çetnike serbe? Në luftën e Kosovës në vitin 1999, ku rregjimi ushtarak i Millosheviçit kreu genocid, forcat ushtarake dhe policore serbe u mbështetën fuqimisht nga forcat paraushtarake dhe bandat çetnike serbe. Ndoshta një e treta e forcave që bënë kërdinë në Kosovë, ishin paraushtarakë dhe banda terroriste. Beogradi ka përvojë me këto banda. I ka nën kontroll dhe i ka përdorur shpesh, si i përdori më 24 shtator. Për më tepër që tani, ish-ministri i Millosheviçit është njeriu i pushtetshëm dhe President i Serbisë. Këto të gjitha janë fakte kokëfortë, që duhet ta bëjnë të qartë për të gjithë ne, se agresorët në Banjskë kishin mandatin nga qeveria serbe në Beograd, kishin frymëzuesin dhe liderin e tyre shpirtëror në personin e kreut të qeverisë në Beograd, në figurën e Aleksander Vuçiç. Se me kryerjen me sukses të provokimit dhe sulmit terrorist, me pështjellimin e gjendjes në Kosovë, pas altoparlantit shovinist serb Vuçiç, qëndronte Kremlini, me interesat e tij jetike të nisjes së konfliktit dhe plasjes së shkëndijës në Ballkan. Kremlini nuk e ka harruar kurrë se me një vrasje arqiduke në Ballkan në vitin e largët 1914, shpërtheu Lufta e Parë BotërorePaternalizmi i Ramës ndaj Kosovës: minë me sahat për çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar
Ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim me Parlamentin e Kosovës, pasi jo vetëm e tashmja është dëshmi e pakundërshtueshme e pozicionimit të drejtë të qeverise Kurti, e mbështetur dhe nga reagimi i faktorit ndërkombëtar që njëzëri dënoi aktin terrorist në Banjskë dhe kërkoi të kapeshin fajtorët, por edhe e ardhmja duhet të ketë të njëjtin emër për integritetin e Kosovës së Presidentit historik Rugova, komandantëve dhe heronjve të UÇK-së Adem Jashari dhe Fehmi Lladrovci, simbolit të rezistencës Adem Demaçi, si dhe drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Ramush Haradinaj, Bedri Islami, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Lutfi Hazirit të LDK-së, Dritan Goxhaj të Vetëvendosjes, etj., etj… Deri tani, për fat të keq, i ashtuquajturi Lider Rajonal dhe kreu i sektit qeverises tek ne, ka punuar në dëm të çështjes kombëtare, në tre momente shumë delikate për këtë çështje.
Së pari, Rama ka përkrahur idenë e vjetër titiste të Ballkanit të Hapur, të sjellë nga Vuçiç katër vite më parë. Kjo ide dhe ky plan arriti pjesërisht ta dëmtojë dhe izolojë Kosovën jo vetëm ekonomikisht për këta vite, por edhe deri diku politikisht, për t’u shkërmoqur dhe harruar tashmë, me protagonizmin e rigjetur të Procesit të Berlinit.
Së dyti, ka acaruar dhe ftohur marrëdhëniet me qeveritë e Kosovës në vijimësi, duke kulmuar me bojkotimin e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në 24 qershor të këtij viti në Prizren. Bojkotimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë përbën një njollë të zezë në historinë e shtetit shqiptar.
Së treti, Rama ka hezituar të dënojë hapur qeverinë serbe dhe Presidentin e Serbisë Vuçiç, për përgjegjësine dhe implikimin e drejtpërdrejtë të tyre në aktin terrorist të 24 shtatorit. Ky hezitim ka shkuar deri aty, sa në intervistën në gazetën “Financial Times” të datës 3 tetor, “Lideri Global” arrin të cilësojë Veriun e Kosovës si “tokë të askujt”(?!).
Veriu i Kosovës, kjo zonë që çuditërisht Rama ngulmon njëlloj si Vuçiç, për Asociacionin pa kushte në favor të pakicës serbe, përveç historisë dhe trimërisë, me kolosë të patriotizmit shqiptar, si Isa Boletini dhe Afrim Bunjaku, është edhe toka e pasurive të veçanta të Kosovës, Trepçës së famshme dhe liqenit të Ujmanit.
Pyesim: përse duhet të artikulojë kryeministri i Shqipërisë këtë tezë absurde? Ne duhet të vëmë gishtin me kthjelltësi dhe kurajo tek burimi i krimit dhe tek koka e terrorizmit në Kosovë, që është shovinizmi ekstrem serb brenda qeverisë së sotme në Beograd dhe brenda kokës së Vuçiç.
Sa për karshillëkun dhe paternalizmin e Ramës, atë e ka përshkruar me aq vërtetësi studjuesi Enver Bytyçi në veprën e tij studimore monografike “Gjeopolitika ruse në Evropën Lindore dhe Juglindore”, ku në faqet 578-579, cilëson se “E gjitha ndodhi, sepse afrimi në linjën Tiranë-Beograd u shoqërua me një lloj paternalizmi të qeverisë së Shqipërisë ndaj asaj të Kosovës…Detyra e liderëve politikë është fryma e solidaritetit, bashkëpunimit, marrëdhënies korrekte, transparencës midis të dyja vendeve dhe institucioneve të tyre.
Kësaj rradhe, paternalizmi erdhi në formë brutale dhe arrogante. Mesazhi që jepte kryeministri i Shqipërisë ishte se “Unë vendos për gjithshka dhe ju politikanët e Prishtinës duhet të pranoni zgjidhjen!”. Mungoi transparenca dhe bashkëbisedimet e bashkëpunimit midis të dyja kryeqyteteve… Këtë lloj paternalizmi Serbia e kishte kërkuar shumë kohë më parë.”

[Faqe 578]

.
“Përçarja e faktorit politik shqiptar në rajon e ka dobësuar rolin e tij dhe ka forcuar pozitën gjeopolitike të kundërshtarëve pro-rusë në Ballkan”

[Faqe 579]

.
Ndërsa politikani, studjuesi dhe publicisti i njohur Bedri Islami, themelues dhe kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, që krijoi UÇK-në, në librin e tij “Përjetësi e dyfishtë”, përshkruan takimin e heroit legjendar të UÇK-së, Fehmi Lladrovci me një ministër të jashtëm të qeverisë Nano dhe një ambasador në janar të vitit 1998, ku, hezitimit të ministrit për të mbështetur luftën e UÇK-së dhe për ta zbutur atë, në emër të gjoja stabilitetit në rajon, komandant Lladrovci i jep mesazhin e prerë: “Lufta është më afër nga sa mund ta mendoni ju… Ne presim që qeveria e shtetit shqiptar të bëjë detyrën e saj. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam asnjë e keqe t’i vijë asaj, por kjo është në të mirën e krejt kombit.
Nëse ju nuk bëni detyrën tuaj dhe e pengoni luftën çlirimtare të vëllezërve tuaj në Kosovë, atëhere ju do të bëni tradhti kombëtare”

[faqe 405]

. Duke votur sot këtë Rezulutë, ne shkojmë në një zë me Kosovën dhe qëndrimin dhe Rezolutën e Parlamentit të Kosovës, por ky është një hap, që duhet të shoqërohet me veprime më intensive, që kontribuojnë drejtpërsëdrejti për Kosovën, si shtimi i njohjeve për Kosovën si shtet, lobimi për anëtarësimin sa më shpejt të Kosovës në NATO, lobimi për të hequr kufizimet e BE ndaj Kosovës dhe për t’u vendosur ato ndaj Serbisë agresore. Ne duhet të kërkojmë që të ecet sipas formulave të SHBA-ve për Kosovën. SHBA-të janë aleati më i madh strategjik i kombit shqiptar. Ne duhet të punojmë që të realizohen ato kërkesa të drejta të komunitetit ndërkombëtar, që për Asociacionin, në rradhë të parë duhet të kushtëzohet Serbia, dhe pastaj Kosova. Dhe mbi të gjitha, që Kosova, de facto e pavarur nga qershori i vitit 1999, në formulën rugoviane të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, “Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”. Kjo formulë ka qenë, është dhe do të mbetet një program politik dhe kombëtar i Ibrahim Rugovës, i drejtuesve aktualë të Kosovës, i atyre që janë në Prishtinë në pushtet dhe në opozitë, i politikanëve të Kosovës, përfshirë dhe ata që janë në Hagë, me besimin dhe urimin që janë dhe do të dalin të pafajshëm, si dhe i Shqipërisë. Miratimi sot i Rezolutës nga të gjithë ne është kuptimplotë dhe le të shërbejë për të na bërë më të përgjegjshëm ndaj çështjes kombëtare, përmes një strategjie të përbashkët të të dyja vendeve. Kjo fillon nga detyra e parë e qeverisë së Shqipërisë, që t’i rikthehet mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive, e cila u anullua padrejtësisht më 24 qershor.
xxx
Adem Demaçi ishte simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, flamurtari i lirisë dhe i çështjes sonë kombëtare. Dua ta mbyll, duke sjellë një pjesë nga fjala e tij dhjetë vite më parë, më 12 tetor 2013:” Mua më dhemb zemra kur kujtohem që ende ka të atillë që mundohen të pengojnë procesin e një bashkimi shpirtëror e kulturor të shqiptarëve në të gjitha viset, që endemi, shtyhemi kush, kujt e si, ende jemi të varur , të prekur e të penguar herë nga grekët, herë nga serbët, herë nga agjenturat e tyre që të mos faktorizohen e bashkohen shqiptarët,, sepse të gjithë ata na kanë borxh, të gjithë ata që na kanë marrë copat e tokave tona, copat e trupit tonë, shpirtin tonë, dhe nuk janë të interesuar që shqiptarët të përparojnë, nuk janë të interesuar që shqiptarët të faktorizohen, që shqiptarët të bashkohen e të kenë një zë”.

Botuar në Gazeta Sot më 13 Tetor 2023

Çdo hua e marrë thellon borxhin për fëmijët tanë!

Çdo hua e marrë thellon borxhin për fëmijët tanë!

Në seancën në Kuvend, ku u votua Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shumë faza””, votova kundër, pavarësisht qëllimeve të larta dhe të dobishme të ndihmës me kredi të butë nga BERZH-i, krahu financiar i Bankës Botërore. Edhe pse programi synon implementimin e studimeve të fizibilitetit dhe projekteve të detajuara për rikonstruksione të thella dhe të mesme të urave ekzistuese, urave të reja dhe veprave të artit në rrjetin rrugor kombëtar, të cila janë më të rrezikuarat nga faktorët madhorë, si tërmetet, përmbytjet apo ndryshimet klimaterike, kjo kredi e butë rrezikon shumë të keqmenaxhohet dhe ta rëndojë situatën e financave publike të Shqipërisë, për dy arësye themelore si më poshtë:
51.6 milionë euro të husasë së butë i besohen një enti publik tejet problematik në menaxhimin e parave të takspaguesve shqiptarë
Kemi shembuj shumë shqetësues të mosrespektimit të ligjit shqiptar të prokurimeve, nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, entit publik të përzgjedhur nga projektligji për të administruar huan. Edhe gjatë tre viteve të fundit 2021-2023, janë të panumurta denoncimet në media të shkeljeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Mediat kanë denoncuar abuzimet e ARRSH-së në tenderat për ndërtimin e rrugëve, si ai i Tunelit të Llogarasë, të tenderuar tri herë, ku firma shqiptare dha një ofertë 30 milionë euro më të ulët dhe fitoi një konsorcium i huaj, i cili zgjodhi si partner nënkontraktor pikërisht firmën shqiptare me ofertën më të ulët. Janë abuzivë tenderi për Mbikalimin në TEG, ku firma fituese dha një ofertë 6 milionë euro më të shtrenjtë, tenderi për Rrugën Maliq-Strelcë, ku doli fituese oferta 1 milionë euro më e lartë, tenderi për Rindërtimin e Rrugës së Porto-Romanos, i cili refuzoi të tri ofertat më të ulta, pa respektuar kriteret përzgjedhëse, tenderi 12 milionë euro për mirambajtjen e rrugëve në Jug të vendit, etj. Në total, nëse, gjatë drejtimit të vendit nga Prof. Dr. Sali Berisha, rrugët kushtonin mesatarisht 950 mijë euro për kilometër (duke marrë në konsideratë të gjitha parametrat e vështirësive të rrugëve dhe numrit të veprave të artit në to), sekti Rama në qeverisje, përmes ARSH-së, sot e tashmë 10 vjet, po e kontrakton katër herë më shtrenjt 1 km rrugë të parametrave të ngjashme! Një ndër megaskandalet e fundit të ARSH, e përfaqëson ai i marsit të këtij viti, ku ky ent i jep kontratën për monitorimin me kamera të trafikut në rrugët nacionale nga Tirana deri ne Vlorë, si dhe akset Tiranë-Elbasan dhe Tiranë- Rinas, në vleren 19 milione euro, për ndërtimin e 200 km të parë të Qendrës së Monitorimit të Trafikut. një bashkimi operatorësh klientë-oligarkë të sektit Rama, në një kohë që kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tendër, të cilat kishin ofruar 3 milionë euro më pak, përjashtohen me pretekste të pabazuara në ligj. Rrugët e ndërtuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar përfaqësojnë një “masterpiece”, “kryeveprën” e abuzimit dhe korrupsionit të sektit Rama. Pothuajse të gjithë tenderat e ARSH karakterizohen nga përqëndrim fondesh në pak biznese ndërtimi, kliente dhe favorite të qeverisë qendrore. Këto prokurime kanë skualifikime shumë të dyshimta të operatorëve që ofrojnë vlera më të ulëta, duke lënë fituese oferta të larta dhe shumë pranë fondit limit. Pothuajse çdo lot i ri i rrugëve dhe veprave të tjera të ndërtimit që prokuron ARSH, kontraktohet një herë, pastaj, gjoja për shkak të vështirësive dhe të të papriturave të hasura në realizimin e veprës, nënshkruhet një kontrate shtesë punimesh, në nivele gjithnjë disa milionë euro, mbi fondin limit të paracaktuar dhe pothuajse gjithnjë, të arritur në nivele 98-99% të fondit limit, që me kontratën e parë! Tenderat e ARSH “shkëlqejnë” mbi prokurimet e bashkive, për sa i takon mungesës së konkurrencës, anullimeve të përsëritura, negocimeve të drejtpërdrejta dhe mos-respektimit të afateve. Për fat të keq, ARSH si ent publik, është i njohur në Shqipëri për aplikimin e standardeve të dyfishta në përzgjedhjen e kompanive fituese, me një aureolë negative skandalesh, pothuajse ne te gjitha garat e zhvilluara prej tij. Me një fjalë, është enti shtetëror me kredencialet më të këqija për t’i besuar punë dhe fonde, ose, si i thotë populli, ujkut mëlçitë në qafë nuk i vihen!
Situata e sotme e borxhit real publik të Shqipërisë e bën shumë të vështirë marrjen e huave të reja, qoftë edhe të buta
Projektligji që u diskutua dhe u miratua në Kuvend, përfaqëson një hua të re prej 51.6 milionë eurosh, që shteti ynë po merr dhe që duhet ta shlyejë deri në vitin 2042. Krahas arësyes që paraqita më lart, një arësye tjeter madhore për të qenë skeptik ndaj marrjes së kësaj huaje të re, është situata tejet shqetësuese e borxhit publik të Shqipërisë. Sipas raporti të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, për këtë vit 2023, vendi pritet të ketë një nivel të borxhit publik prej 73.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që vlerësohet si më i larti në rajon. Shqipëria po ecën me ritme më të ulëta sesa fqinjët, në drejtim të konsolidimit fiskal, që nënkupton uljen e ngadaltë të borxhit publik, në një të ardhme afatmesme. Në rajon, në vitin 2020, nivelin më të lartë të borxhit e kishte Mali i Zi, në 105.3% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria, në rreth 76% të PBB-së. Pas kalimit të fazës emergjente të shkaktuar nga Covid-19, të gjitha vendet rendën drejt konsolidimit fiskal, që nënkupton frenimin e shpenzimeve jo të domosdoshme dhe përmirësimin e rendimentit të të ardhurave buxhetore. Por kjo nuk ndodhi me ne, për fat të keq. FMN e ka këshilluar vazhdimisht qeverinë shqiptare që të jetë e kujdesshme me shpenzimet dhe të përshpejtojë procesin e konsolidimit fiskal, por sekti Rama në qeverisje nuk e ka dëgjuar këtë këshillë të vyer. Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze, të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe për të rritur kontingjencën. Fondi Monetar Ndërkombëtar, përvese e ka konsideruar borxhin e ri të Shqipërisë të ekzagjeruar, i ka kërkuar qeverisë shqiptare të zbatojë sa më shpejt një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat buxhetore. Shqetësimi i institucioneve financiare ndërkombëtare ka qenë dhe borxhi i fshehur, që rrjedh si nga partneritetet publike private (PPP), detyrimet e të cilave regjistrohen vetëm për vitin korent, ashtu dhe nga detyrimet e prapambetura dhe faturat e arbirtrazhit (humbjeve gjyqësore ndaj kompanive me të cilat qeveria ka pasur konflikte). Në vitin 2021, borxhi publik i vendit tonë theu sërisht rekordin historik të vitit 2020, duke arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, në 78.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Stoku në vlerë i borxhit arriti në 1,38 triliardë lekë, me një rritje 1,5 miliardë lekë (1.3 miliardë euro), në raport me vitin e kaluar. Ky është zgjerimi vjetor më i lartë i ndërmarrë nga qeveritë shqiptare ndër vite. Në fund të vitit 2021, çdo shqiptar kishte 3,850 euro borxh. Sipas platformës “Open Data Albania” (https://ndiqparate.al/?p=19031), një burim serioz informacioni dhe analizash, stoku i borxhit publik pritet të arrijë vlerën 1 470 miliardë lekëve ose 13.9 miliardë eurove, deri në fund të këtij viti, pa marrë në konsideratë efektet e kursit të këmbimit. Edhe pse, në fund të vitit 2022, stoku total zyrtari borxhit publik, duke mos përfshirë detyrimet e fshehura të permendura dhe nga FMN, vetëm për shkak të nënçmimit të euros në tregun tonë të brendshëm, ishte në nivelin 67% të PBB-së, pra më poshtë se piku prej 74.5% në vitin 2020 dhe rekordit të vitit 2021, ky tregues është ende shumë larg parimit fiskal të nivelit të borxhit, që sipas Strategjisë Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2022 – 2026, duhet të jetë në nivelin 45% të PBB-së.
Sekti Rama në pushtet e ka shtuar borxhin më shumë se rritja ekonomike!
E vërteta është se gjatë tre viteve të fundit 2021-2023, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit. Shtesa në borxh është autorizuar nga sekti Rama në qeverisje, për të financuar disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë, etj., ende pa sheshuar efektet direkte të tre krizave të fundit, tërmetit të 26 nëndorit 2019, Pandemisë nga Covid-19 dhe inflacionit shumë të lartë, të shkaktuar nga invazioni i Putin në Ukrainë. Zgjerimi i borxhit u bë kryesisht me akte normative, duke thyer rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin publik. Kredia e fundit masive që qeveria ka marrë është Eurobondi i gjashtë, me vlerë 600 milionë euro, i emetuar në qershor 2023. Mund të kishte zgjedhur të merrte hua në tregun e brendshëm, përmes emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve, pasi ky treg është mjaft likuid dhe përmban fonde të lira të paangazhuara, me herë më të larta nga shuma 600 milionë euro që qeveria mori në tregun e jashtëm të kapitaleve dhe me një përqindje të lartë interesi. Marrja e kësaj kredie të re në valutë e rëndon pozicionin e borxhit tonë publik, i cili ka arritur në nivelin e pothuajse 14 miliardë eurove dhe, në vlere relative, renditet tashmë i pari ndër borxhet më të lartë publikë të vendeve të rajonit, duke ia kaluar dhe atij të Malit të Zi. Pavarësisht nga deklaratat e qeverisë, që rreken të provojnë se borxhi është ulur, bazuar në nënçmimin e euros në tregun tonë të brendshëm, në fakt, stoku i borxhit është i gjithi aty. Ka lëvizur në ulje vetëm vlera kontabël e tij, për shkak se borxhi publik i Shqipërisë mbahet në monedhën kombëtare, lekun. Në realitet, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë rritur me ritme më të ulëta se sa borxhi për frymë, duke përbërë një minë të vërtetë me sahat për qëndrueshmërinë e financave tona publike. Nga ana tjetër, në shifrat zyrtare të borxhit nuk përfshihen detyrimet ndaj rimbursimit të TVSH dhe detyrimet e tjera të prapambetura të qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, të akumuluara në vitet e fundit, në nivele shumë shqetësuese, pagesat ndaj humbjes së gjyqeve ndërkombëtare dhe pagesat ndaj PPP-ve, të cilat, në total, e rrisin borxhin publik deri në nivelet pranë 100 përqind të Prodhimit Kombëtar!
xxx
Këto janë aresyet që më shtynë ta votoja kundër Projektligjin. Ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm me çdo hua të re që marrim, pasi ato, edhe kur janë kredi të buta, vetëm e thellojnë edhe më tej borxhin publik, të cilin do të ishte papërgjegjshmëri fatale t’ua linim fëmijëvë tanë, në përmasa kaq të rrezikshme për qëndrueshmërinë e financave tona publike.

Botuar në Gazeta Sot më 11 Tetor 2023

Politika sociale cinike të qeverisë

Politika sociale cinike të qeverisë

Me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë””, po bëni një gabim të rëndë. Po bëni shumë gabim që hiqni bonusin e fëmijës së porsalindur për familjet e emigrantëve. Me një pretekst sa aburd, aq edhe cinik, se gjoja trajtimin për fëmijët njomakë emigrantët e marrin në shtetin ku emigrojnë. Kjo nuk është e vërtetë për të gjitha rastet e emigrimit, por edhe sikur të ishte, kontributi i emigrantëve në ekonominë e vendit është i nivelit të mbi 1 miliardë eurove çdo vit. Kurse ju, me paturpësi po i “qani hallin” buxhetit, pse nga fondi vjetor prej 30 milionë eurosh që shpenzohet për programin e bebes, një pjesë, që nuk është pjesa më e madhe e tij, shkon për fëmijët e porsalindur të emigrantëve. Kjo nuk është as e ndershme, as edhe e moralshme. Në vend që të rrisni bonusin për lindjen e foshnjës, po jua hiqni këtë trajtim emigrantëve. Deri tani, sekti Rama në qeverisje, që ka përfaqësuar Shtetin, është tallur me emigrantët. Dua të rendis këtu disa arësye themelore, pse jeni tallur:
Së pari, u keni premtuar me butafori e mburrje pjesëmarrje me votim elektronik apo me postë, në zgjedhjet e përgjithshme të vendit në vitin 2021. Nuk e keni realizuar këtë premtim. Keni luajtur në mënyrë të paskrupullt hipokrizi politike me emigrantët.
Në muajt përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, gjoja e përforcuat idenë e votimit të emigrantëve në shtetin ku jetojnë e banojnë, kur e dinit shumë mirë që, për periudhën e mbetur, nuk mund të plotësoheshin kushtet teknike që të organizohej votimi elektronik apo me postë i emigrantëve, në shtetet ku jetojnë. Pjesëmarrja e emigrantëve në votimet e përgjithshme është një e drejtë kushtetuese dhe ju e keni shkelur me fodullëk dhe papërgjegjshmëri këtë të drejtë.
Së dyti, si qeveri, i keni lënë në mëshirë të fatit dhe nuk i keni ndihmuar emigrantët, kudo ku ata janë. Asnjë ambasadë e shtetit shqiptar nuk disponon një bazë të plotë të dhënash, për emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, në vendin ku kjo ambasadë qëndron. Ose nuk ka bazë të dhënash fare, ose ka disa lista krejt të pjesshme, qesharake dhe jo përfaqësuese për komunitetin e emigrantëve. Janë vetë emigrantët që lidhen me ambasadat tona, kur u duhet një dokument apo informacion dhe gjejnë vonesa skandaloze, apo indiferencë të plotë. Gjejnë trajtim e vëmendje, vetëm në rastet kur paguajnë nën dorë.
Së treti, si qeveri, në 10 vite nuk gjeneruat asnjë program serioz për ndihmën ndaj emigrantëve që kthehen, që të riintegrohen në atdhe. Në të kundërt, me një politikë të mbrapshtë fiskale, keni vështirësuar ri-integrimin e emigrantëve që kanë investuar kursimet e tyre të jetës në serrat në bujqësi dhe që janë ngarkuar edhe me kredi nga bankat, duke i detyruar shumë syresh që të rikthehen në vendin e emigrimit.
Së katërti, në këta dhjetë vjet, keni ndihmuar pak ose aspak që fëmijët e emigrantëve, brezi i dytë e i tretë të mësojnë gjuhën shqipe, historinë e popullit tonë. Kjo nuk është neglizhencë, por krim që i bëhet ndërgjegjes kombëtare. E krijuat vetë një ministër shteti për emigracionin dhe po vetë e hoqët dhe e zeruat si strukturë pas prillit të vitit 2021, edhe pse emigrantët ishin mësuar ta kishin disi një pikë referimi.
Së pesti, problemi më madhor ekonomik i emigrantëve tanë është që të njihet reciprokriteti i së drejtës së sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Shteti dhe qeveria jonë duhet të nënshkruajnë me çdo shtet, në të cilin punojnë dhe jetojnë emigrantë shqiptarë, një marrëveshje të shkëmbimit reciprok të kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Kjo do të thotë, që emigranti shqiptar të ketë të drejtën që të zgjedhë vendin ku do të marrë pension dhe të drejtën që të transferojë sigurimet shoqërore, që ka kontribuar, në atë shtet që ai preferon që të nxjerrë pensionin e vet. Sa marrëveshje të tilla keni lidhur në këta dhjetë vite? Ku janë përpjekjet tuaja të përsëritura ndër vite, për të realizuar një marrëveshje të tillë me shtetin fqinj grek, në një kohë që kemi mbi 500 mijë emigrantë atje? Apo e keni harruar këtë detyrë dhe mision madhor që keni si qeveri?
Cinizëm vrastar me qindra e mijëra familjet që keni përjashtuar nga ndihma ekonomike
Prej kohësh e keni denatyruar skemën e ndihmës ekonomike, duke mos e çuar tek më të varfrit dhe ata më në nevojë. Sipas një konstatimi të një raporti të Bankës Botërore(https://documents1.ëorldbank.org/curated/en/700701590958868545/pdf/AL-P122233-IBRD81410-Social-Assistance-Modernization-Project-Part-2-Auditors-report-FY2018-English.pdf ),70 përqind e familjeve më të varfra në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Të dhënat janë bërë publike në një raport auditimi mbi projektin e modernizimit të asistencës sociale. Raporti ka analizuar familjet që përbëjnë 10 përqindëshin më të varfër të popullsisë, ose 75 mijë familjet më të varfra të vendit. Sipas tij, vetëm një e treta e tyre janë të mbuluara nga ndihma ekonomike, ndërsa pjesa tjetër jo. Ju keni përjashtuar pa ju dridhur as dora, as edhe shpirti(në keni një të tillë), me qindra persona dhe familje që kanë anëtarët e tyre invalidë pune. Keni përjashtuar nga KEMP-i me qindra e ndoshta mijëra të tjerë, që e meritojnë trajtimin e KEMP. U keni mohuar ndihmën ekonomike personave kujdestarë të personave me aftësi të kufizuar. Keni abuzuar me pikavarazhin për marrjen e ndihmës ekonomike. Lista e abuzimeve tuaja me skemën e ndihmës ekonomike është e pafundme. Ju që keni përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, familje tejet të varfëra, vetëm pse kanë një lavatriçe, apo televizor në shtëpi, duhet të dini se lavatriçja dhe televizori janë brenda standardit të arësyeshëm për jetesë dinjitoze, dhe jo indikatorë të mungesës së varfërisë!
Kryeabuzimi juaj social: mosmiratimi i ligjit për caktimin e minimumit jetik zyrtar!
Në qershor të këtij viti, opozita dorëzoi në Kuvend projektligjin për vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, si një domosdoshmëri jetike, për të nxjerrë qytetaret tane nje here e pergjithmone nga varfëria ekstreme. Nga ky minimum jetik zyrtar, do te përfitonin me dhjetra mijëra qytetarë qe ndodhen në ndihmë ekonomike, në papunësi dhe në pension. Deri tani kemi vetem indiference dhe mosreagim te plote nga ana juaj. Ju nuk doni ta përcaktoni minimumin jetik zyrtar. Kurrsesi jo! Këtë kam theksuar dhe në interpelancën që organizova në Kuvend në mars të këtij viti pikërisht për këtë detyrë madhore. Shqipëria, vendi ynë është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka në legjislacionin e saj përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, si një masë të domosdoshme dhe efektive që ndihmon Shtetin dhe vendim-marrësit publikë kryesorë të tij, për të planifikuar dhe zbatuar më drejt dhe më duhur politikat sociale në mbështetje të shtresave më vulnerabël të popullsisë. Ju mazhoranca, i kishit gjasat e plota ta miratonit Minimumin Jetik Zyrtar në vitin 2016, kur, me nismën e Avokatit të Popullit, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike(ACER), nën drejtimin e studjuesit dhe ekonomistit të njohur Zef Preçi, realizoi studimin me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese”( https://ëëë.avokatipopullit.gov.al/media/manager/ëebsite/reports/LLOGARITJA%20E%20MINIMUMIT%20JETIK%20N%C3%8B%20SHQIP%C3%8BRI.pdf). Në programin tuaj të parë qeverisës 2014-2017, kishit përcaktuar si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri.
Kishit studimin e plotë shkencor nga ACER dhe Avokati i Popullit, si dhe mbështetjen e plotë të opinionit publik dhe qytetarëve. Studimi i ACER përcaktonte një minimum jetik për qytetar mbi 18,000 lekë, bazuar në kritere të forta shkencore matjeje. Sot, sipas matjeve te drejta te opozites, ky minimum ka aritur ne 200 euro. Pse nuk e përcaktuat atëhere me ligj minimumin jetik zyrtar? Pse nuk përfshitë INSTAT në kërkimin shkencor modern për varfërinë e shqiptarëve, por e latë të numëronte televizorin dhe lavatriçen në shtëpitë e të varfërvë, për t’i deklaruar të padenjë për ndihmën shtetërore? E refuzuat llogaritjen zyrtare të minimmit jetik, ndryshe nga sa vepron çdo qeveri dhe shtet i përgjegjshëm evropian, sepse kishit nisur të ëndërronit që në vitin 2016 për investimet 1 miliardë euro me PPP. Të cilat i shumëfishuat në periudhën e artë të PPP-ve tuaja, në vitet 2017-2019, kur futët duart në xhepat e shqiptarëve edhe për 13 vite të ardhshme, përmes taksave që jeni të detyruar të rrisni, për të përballuar pagesat e Buxhetit të Shtetit ndaj kontratave me partneritet publik-privat, që çdo vit pas 2017-ës dhe janë bërë gjashtë të tillë, po i tejkalojnë rregullisht të 100 milionë eurot. Kjo është arësyeja pse nuk ju mjaftojnë paratë për detyrimet financiare që lindin nga skemat e duhura të kompensimit të varfërisë, që imponon përcaktimi zyrtarisht dhe me ligj i minimumit jetik. Nuk vlerësoni zyrtarisht minimumin jetik të popullatës, sepse ju duhet të angazhoheni të kompensoni varfërinë masive të shqiptarëve, të thelluar nga tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe inflacioni tejet i lartë, i shkaktuar nga invazioni i Putin në Ukrainë. Ju duhet dhe e keni të domosdoshme, me minimumin jetik t? përcaktuar, që të angazhoheni në programin social të të ardhurave të garantuara për qytetarin, sikurse quhet dhe zbatohet gjerësisht kudo në botën e qytetëruar dhe humane. Por ju nuk jeni as humanë, as edhe të qytetëruar, për fatin e keq të shqiptarëve, që tani po i qeverisni.

Botuar në Gazeta Sot më 6 Tetor 2023

2 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë

2 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë

Në 2 tetor filloi viti i ri akademik. 2 tetori është dita kur studentët janë ulur në auditoret e universiteteve në vendin tonë. Por, studentët e mjekësisë, e bojkotuan totalisht fillimin e vitit akademik. Po ashtu edhe studentët e universiteteve në Shqipëri në heshtje e kanë bojkotuar mësimin. Si për koincidencë në 2 tetor në Kuvend diskutojmë për problemet e elektoratit. Natyrisht që arsimi dhe ai i lartë janë një problem shqetësues për cilindo nga ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në krye të herës dua të ritheksoj se votimi në fund të korrikut i ligjit antikushtetues, që i detyronte studentët e mjekësisë që mbas përfundimit të studimeve të qëndronin për të punuar me detyrim për pesë vite në Shqipëri duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Dhe, jo vetëm deputetët e mazhorancës që e votuan, por edhe ne deputetët e opozitës që nuk patëm mundësi ta frenonim me argumentet tona, por edhe që nuk po e vazhdojmë si kauzë. Unë përfitoj që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që këtë ligj antikushtetues, në kundërshtim të plotë me frymën e të drejtave të njeriut dhe, veçanërisht frymën e të drejtave të qytetarëve, të studentëve për t’u arsimuar në mënyrë të lirë dhe të pakushtëzuar, duhet ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese. Sot më tërhoqi vëmendjen pohimi i një studenti protestues: “Ne nuk kemi ende një kontratë dhe ende nuk ka dalë kostoja. Nuk po e gjykojmë të drejtë të nënshkruajmë këtë kontratë. Ne kërkojmë që të shfuqizohet ligji për detyrimin e studentëve të mjekësisë për kontratën e punës dhe ne këtë çështje do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese!”. Siç e theksova edhe më sipër ne si deputetë duhet t’u bashkohemi, pse jo, edhe t’i paraprijmë. Por po kthehem tek një fakt i dhimbshëm për mua si qytetar vlonjat. Universiteti i Vlorës këto vite po zvogëlohet e po zvogëlohet nga dita në ditë, pasi nuk ma lejon ndërgjegjja të them fjalën tjetër se ku mund të shkojë universiteti i Vlorës pas disa vitesh, pavarësisht punës dhe përpjekjeve të stafit pedagogjik e studentëve. Në këtë universitet këtë vit akademik kemi degë të tilla si kimia, fizika dhe gjuha italiane, të cilat përfundimisht nuk do të hapen. Dega e matematikës është me katër studentë. Janë të pakët edhe studentët e regjistruar në degët e mësuesisë dhe sociologjisë. Ka vetëm një zhvillim pozitiv që janë të shumtë studentët në degën e Infermierisë dhe të Mamisë, por shumica e tyre arsimimin në këto degë e shikojnë si pasaportë për t’u larguar jashtë shtetit pas përfundimit të studimeve. Sot, me këto politika që sekti Rama po ndjek, arsimi është zhvlerësuar, dhe nuk po trajtohet si prioritet kombëtar. Në universitetet tona këtë vit janë regjistruar 50% më pak studentë se në vitin 2012 dhe janë 15% më pak studentë se në vitin e kaluar. E ripashë programin që trumbetoi Rama me të madhe në 2013, në programin e Rilindjes, që vetëm rilindje nuk është për arsimin dhe për gjithë ekonominë. Por po i kthehem arsimit: Theksonit që do kalonit shpenzimet për arsimin në 5% të GDP. Ende sot pas 10 viteve në pushtet ju jeni në 2.2% të GDP. Në Shqipëri ne duhet të pranojmë që arsimi është në krizë. Qeveria në vend që të bëjë ndryshime thelbësore në ligjin për arsimin bën vetëm retushime, si ai ligji famëkeq për studentët e mjekësisë në fund të korrikut, një ligj tërësisht regresist. Ligje, të cilat nuk prekin thelbin e problemeve dhe nuk janë politika afatgjata, por janë politika dritëshkurtra. Nuk e lidhin problemin e madh me rrjedhjen në arsim që ne kemi me problemim madhor të shpopullimit të vendit. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre, por ata që nuk kanë mundësi financiare e zgjedhin edhe vetëm. Mijëra të rinj të moshës 18-27 vjeç po kështu bëjnë të njëjtën gjë. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… Mësuesit janë lënë vetëm në gjithçka, shtypen, depersonalizohen duke u ngarkuar me burokraci të panevojshme, e cila ndikon edhe në cilësinë e mësimdhënies. Nëse ju riktheni TVSH në arsim, prindërit do të detyrohen së shpejti të paguajnë 20% më tepër për shkollimin e fëmijëve të tyre. Nga ana tjetër, dhe këtë dua ta theksoj, diskriminimin e mësuesve në arsimin privat e shikoj edhe tek fakti që këta mësues paguhen si punëtorë të pakualifikuar me sigurime minimale dhe paguhen jo 12, por 10 muaj, duke mos përfituar periudhën korrik- gusht që është periudha e pushimeve të shkollës. Sekti Rama ka dështuar me politikat arsimore. Unë kam disa shifra të maturës shtetërore, kam disa shifra të tjera që tregojnë të se çfarë sollën politikat e sektit Rama. Në Maturën Shtetërore 2013, morën pjesë rreth 46.000 maturantë, ndërsa në maturën 2023, afërsisht 28.000 maturantë, ose 18.000 maturantë më pak. Ose në vitin 2022- 2023 në shkollat shqiptare kishte 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqitare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme.
Si ishte gjendja këtë vit mësimor që sapo u mbyll në Vlorë?
1662 më pak nxënës se vitin e kaluar arsimor! Në vitin shkollor 2022-2023 për arsimin parauniversitar në shkollat e qarkut Vlorë numri i nxënësve ishte 12.300. Sipas Zyrës Arsimore Vlorë, vitin e kaluar, shifra ishte 13.962, pra, këtë vit të ketë 1662 nxënës më pak. Në këtë vit arsimor në shkollë shifrat e nxënësve janë përsëri në rënie. Në vitin arsimor 2023-2024 në Vlorë janë regjistruar në klasën e parë të arsimit fillor 1004 nxënës. Ndërkohë që sivjet në klasën e 10-të janë regjistruar 948 nxënës. Shifrat në krahasim me vitin e kaluar tregojnë një rënie drastike të numrit të nxënësve, me pasojë edhe mbylljen e shkollave apo klasave. Vjet në Vlorë u hapën 800 klasa të para dhe 617 klasa të dhjeta. Imagjinoni që pas dy vitesh nga 617 klasa të dhjeta sa do të jenë klasat e maturës. Natyrisht e logjikisht më pak. Por situata është akoma edhe më alarmante. Shumë shkolla nëpër fshatra janë mbyllur totalisht ose gjysmëfunksionojnë. Këtë problem e kam ngritur edhe më parë në Kuvend. Në Vlorë, shkolla e Muzikës dhe shkolla “Mustafa Qemal Ataturk” po shkojnë drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve të regjistruar. Prandaj urgjentisht për arsimin duhet të punojmë të gjithë. Arsimi duhet të kthehet patjetër në prioritet kombëtar. Sot, pasi nesër do të jetë vonë!

Botuar në Gazeta Sot më 4 Tetor 2023

25 vite nga rënia e komandantit legjendar, Fehmi Lladrovci

25 vite nga rënia e komandantit legjendar, Fehmi Lladrovci

25 vite më parë, një ditë përpara se të jepte jetën së bashku me bashkëshorten e tij Xhevën, komandanti legjendar, Fehmi Lladrovci u tha bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së: “Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë.”
Të nesërmen në 22 shtator 1998, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, luftëtarja sypatrembur, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, ranë heroikisht, në një betejë të pabarabartë me forcat serbe.
Heronjtë e eposit të qëndresës së Kosovës, Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike e të njohura të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, gjithashtu komandant Fehmi Lladrovci dhe nje luftetar i shquar i Kroacise .
Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit kjo brigadë mori pas rënies së tij heroike.
Fehmi Lladrovci nuk ishte vetëm luftëtar. Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë gazetarit anglez të BBC World, në maj të vitit 1998, shpreh tërë filozofinë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarimit të gazetarit të huaj se: “…për serbët ju jeni terroristë”, Fehmiu, do t’ia kthejë:
“Mirë, le të argumentojnë serbët vetëm një akt të terrorizmit të ushtruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndërsa ne mund t’i numërojmë mijëra raste të terrorit të bërë nga falangat serbe mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Le të tregojnë ata vetëm një njeri të pafajshëm , i cili është vrarë nga UÇK-ja, një njeri të paarmatosur, një fëmijë apo një grua, kudoqofshin ata në territorin e Kosovës. Armët nuk i kemi marrë në dorë për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit serb dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë”.
Ndërsa pyetjes së këtij gazetari se: “A do të vdiste për Kosovën?”, ai, me një buzëqeshje karakteristike, do t’i përgjigjej: “Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua!”
Për Fehmi Lladrovcin, bashkëshorten e tij, Xhevën dhe epopenë e UÇK-së, studiuesi, gazetari, shkrimtari, ish- kryetari i LPK, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare dhe drejtues i UÇK, z. Bedri Islami ka shkruar librin “Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme”.
Ne komunen Drenas eshte vendosur Monumenti madheshtor i heronjve , çiftit Lladrovci në Sheshin e Madh të heronjve te kombit .
Shpresojmë që shumë shpejt në bashkëpunim me pushtetin lokal të vendosim një përmendore e tyre të edhe në qytetin e Vlorës.

Botuar në Gazeta Sot 22 Shtator 2023

Projektligj që nuk duhet votuar

Projektligj që nuk duhet votuar

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, bazohet mbi një propozim të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve të saj dhe të anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në masën dyfish, krahasuar me pagën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Nenit 124 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Projektligji që po diskutojmë është në kundërshtim flagrant me frymën e Kushtetutës, për arësyet si më poshtë:
Rritja e pagave të GJK, në një nivel absurd dhe të pabazuar në hierarkinë e pagave në Shtet
Rritja e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në nivelin 96 përqind(pra gati njësoj) të pagës së Presidentit të Republikës dhe me 58 përqind shtesë mbi këtë pagë, e justifikuar në projektligj për shkak të natyrës së veçantë të punës(?!), në tejkalim të ndjeshëm me 0.5 herë pagën e referencës së Presidentit të Republikës, është dukshëm absurde dhe e pabazuar në hierarkinë kushtetuese të pagave në administratën shtetërore. Kjo rritje përfaqëson karotën e sektit Rama për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ajo u kundërshtua me forcë nga juristë të njohur dhe personalitete të politikës majtas dhe djathtas, si Fatmir Xhafa dhe Oerd Bylykbashi. Deputeti Xhafaj i cilësoi të paqarta argumentet dhe kriteret, mbi të cilat është justifikuar ngritja e pagave të gjyqtarëve kushtetues në projektligj. Sipas tij, nga “natyra e veçantë e punës së tyre, nuk kuptohet çfarë vështirësie kanë këta gjyqtarë, në raport me gjykatësit e luftës kundër korrupsionit, që të kenë një shtesë 58 përqind, përtej pagës me koefiçient 0.96, në raport me Presidentin e Republikës! Deputeti Xhafa pyet me të drejtë dhe me ironi se mos vallë kanë dënuar me burgim të përjetshëm ndonjë mafioz këta gjyqtarë, për të merituar këtë rritje. Nga ana tjetër, zoti Xhafa cilëson se funksionet kontrolluese të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të justifikojnë një ngritje kaq të madhe page, se funksione të tilla kanë edhe institucione të tjera kushtetuese të kontrollit dhe asnjë anëtar i këtyre institucioneve nuk ka një pagë të afërt as me gjysmën e pagës 664 mijë lekë në muaj të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton ky projektligj. Z. Bylykbashi e cilësoi si të jashtëzakonshëm diferencimin e pagës qe ky projektligj bën për gjyqtarët kushtetues dhe e emërtoi projektligjin si klientelist, që ka për synim që Gjykata Kushtetuese të vetëlidhë sytë në të ardhmen, pasi nuk kemi të bëjmë me një gjykatë që vlerëson mbi prova, por që interpreton me fjalë. “Shkëmbimi i favoreve mes qeverisë dhe Gjykatës nënkupton që pas kësaj, asnjë ligj i qeverisë nuk do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh z. Bylykbashi.
Asnjë pagë në shtet nuk duhet të jetë mbi pagën e Presidentit të Republikës!
Në frymën e Kushtetutës dhe të orientimit nga ajo të piramidës së pagave në administratën publike, asnjë pagë në shtet nuk duhet të jetë mbi pagën e Presidentit të Republikës, figurës më të lartë të Shtetit. Deri tani, piramida e deformuar e pagave në shtet ka dëmtuar rëndë hierarkinë profesionale dhe meritokracinë në administratën tonë shtetërore. Ne si deputetë gabuam, kur i rritëm pagat tona në mënyrë jo proporcionale me rritjen e përgjithshme të pagave në administratën publike dhe pranuam karrotën e sektit Rama. Praktikisht, qeveria na bleu. U ulëm shumë në sytë e qytetarëve dhe në perceptimin publik të misionit dhe moralit të punës sonë. Është gabim që duhet ta korrigjojmë. Nëse e miratojmë këtë projektligj, po e thellojmë këtë gabim dhe kjo është e pafalshme, pasi po kompromentojmë një institucion jetik si Gjykata Kushtetuese dhe po prishim piramidën e pagave shtetërore akoma dhe më shumë, ndërkohë që nuk vendosim gishtin në plagë, tek domosdoshmëria e rritjes së pensioneve, pagës minimale dhe e percaktimit te minimumit jetik. Vendi nuk ka nevojë dhe domosdoshmëri dyfishimin e rrogave tona apo të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por luftimin me sukses të varfërisë masive, duke rritur pensionet, pagat minimale dhe asistencën sociale, për ata që jetojnë nën minimumin jetik. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk e ka të zyrtarizuar dhe të percaktuar me ligj minimumin jetik dhe për këtë duhet të turpërohemi të gjithë!
Gjykata e sotme Kushtetuese, më e dobta e 33 viteve të fundit
Nga e gjithë reforma në drejtësi, institucioni më i dobët doli Gjykata e sotme Kushtetuese! Ajo ka një ndryshim të madh nga gjykata kushtetuese e mëparshme, qe kishte kthyer, si jo ne perputhje me kushtetutën, një sërë ligjesh të qeverisë Berisha dhe qeverisë Rama. Mjafton të kujtojmë vendimin Nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese të dt. 15.04.2010, për shfuqizimin e marrëveshjes “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e detit me Greqinë, me një vendim unanim. Mund të kujtojmë edhe pezullimin nga Gjykata Kushtetuese më datë 2 korrik 2021, të ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe rrëzimin e ligjit special PPP për këtë pasuri kombëtare. Po çfarë t’i kujtojmë trupës së sotme të Gjykatës Kushtetuese? Një pafuqi, pagojësi dhe mungesë të theksuar kurajoje profesionale dhe civile, në të gjitha rastet me interes kombëtar, kur është thirrur për të interpretuar Kushtetutën? Këtë t’i kujtojmë? T’i kujtojmë rrëzimin më 16 korrik 2023 të kërkesës se opozitës për anulimin e marrëveshjes për projektin abuziv prej 2.1 miliardë euro “Durrës Yachts& Marine” në Portin e Durrësit? T’i kujtojmë refuzimin nga kjo Gjykatë më 28 tetor 2022, të konsiderimit të pretendimit të opozitës se është cenuar e drejta e saj kushtetuese, për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike”, i cili bashkë me ligjin famëkeq Nr. 2020 kanë grabitur dhe po grabisin pronat e qytetarëve në bregdet dhe gjithkund? Apo trajtimin e pjesshëm dhe vonesën nëndëmujore në kalimin në seancë publike të kërkesës së shoqërisë civile për të rrëzuar Ligjin Nr. 50/2022 mbi menaxhimin e Parkut të Butrintit nga një fondacion privat, edhe pse Parku i Butrintit është pasuri kombëtare dhe e ardhmja e pasigurtë e tij prek të gjithë shqiptarët? Theksoj se ende kjo seancë publike nuk është zhvilluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Çfare pret akoma ajo? Këto janë disa arësye (ka dhe shumë të tjera), pse gjykoj se Gjykata Kushtetuese që kemi sot, është profesionalisht struktura më e dobët e gjyqësorit, që nga viti 1990 e deri sot. Shumica e anëtarëve të saj janë profesionalisht në një nivel të ulët. Mendoni një moment të krahasoni kryetaren aktuale, e cila nuk ka asnjë ditë eksperiencë pune si gjyqtare (pasi më parë ka qenë drejtore në një drejtori juridike të një institucioni), me një profesoreshë të nderuar të jurisprudencës shqiptare, si Aurela Anastasi! Për shkak të kësaj trupe gati anonime që kemi sot, Gjykata ndodhet në pozicionin më të ulët të veprimtarisë së saj, me heshtjen, profesionalizmin e pakët dhe moskurajon civile, për të trajtuar dhe interpretuar në frymën e Kushtetutës, tema të nxehta me interes kombëtar.
xxx
Mendoni njëherë ç’do mendojnë dhe si do të ndihen qytetarët, kur të mësojnë se paga mujore e një gjyqtari të kushtetueses ka arritur në 664 mijë lekë! Arësyeja e vetme për këtë rritje krejtësisht të paargumentuar dhe të pabazuar të pagës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, qëndron në blerjen e kësaj Gjykate nga sekti Rama në qeverisje, qëndron në mbrojtjen që Rama dhe sekti i tij duan t’i bëjnë vetes për shkeljet flagrante të Kushtetutës me ligjet e qepura për oligarkët , duke mbitrajtuar financiarisht, me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe në deformim të hapur të piramidës shtetërore të pagave, një Gjykatë të pagojë dhe të pakurajë, nga ana profesionale dhe qytetare.

Botuar në Gazeta Sot më 16 Shtator 2023

Shkruar nga Bujar Leskaj 4 Shtator 2023

Shkruar nga Bujar Leskaj 4 Shtator 2023

Dje, në 3 shtator 2023, ishte 103 vjetori i Luftës së Vlorës, një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, por edhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Është për të ardhur keq që në këtë 103 vjetor të Epopesë së Vlorës, kjo ngjarje e lavdishme kaloi pa asnjë aktivitet nga pushteti vendor. Madje as nga pushteti qendror dhe Ministria e Mbrojtjes, nuk pati asnjë kujtesë, sepse Rama dhe të ngjashmit e tij e kujtojnë Luftën e Vlorës vetëm në kohë fushatash. Por Lufta e Vlorës shkon përtej interesave meskine të pushtetit. Lufta e Vlorës ishte një luftë, ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush. Ajo zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Si dje, në 3 shtator 1920, të shoqëruara nga tingujt e bandës së Shoqatës “Vatra” në SHBA, e cila kishte kompozuar vargjet e poetit tonë të madh, Ali Asllani: “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora”, çetat që morën pjesë në Luftën e Vlorës parakaluan në rrugët e qytetit, të kryesuara nga çeta e Velçës, e cila kishte numrin më të madh të dëshmorëve! Lufta e Vlorës konsolidoi Pavarësinë e Shqipërisë, ideuar e zbatuar nga Ati ynë i Kombit në 28 nëntor 1912, Ismail Qemal Vlora. Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Ati i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920). Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush. Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane. Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e mëtejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte. Fitorja e Luftës së Vlorës festohet dhe duhet të festohet nga vlonjatët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore. Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.) Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë. Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sot, në 103 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj. Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare: Osmën Haxhiu, busti i të cilit, ndonëse me shumë vonesë u vendos vjet pranë bashkisë. Sot do të doja të kujtoja me veneracion dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë. Ndiej keqardhje që përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, ende nuk po vendoset në Vlorë! Sepse drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë! Kjo do/duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet.
Kronologjia e Luftës së Vlorës, “Termopileve shqiptare”:

  • 21 janar 1920: Kongresi i Lushnjës, në të cilin u vendos sovraniteti i shtetit shqiptar.
  • Në 10 mars 1920 përfaqësuesit e Vlorës, të entusiazmuar nga vendimet e Kongresit të Lushnjes, formuan Komitetin “Mbrojtjes Kombëtare” dhe vendosën që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë.
  • Pushtuesi italian në 9 maj bëri arrestime midis organizatorëve të rezistencës dhe në 16 maj shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Vlorë.
  • Pushtuesi më 18 maj 1920 burgos patriotët Jani Minga, Muço Sharra, Dom Mark Vasa, etj.
  • Në 18 maj në Mesaplik zhvillohet një mbledhje e madhe, ku vendoset të luftojnë me Italinë.
  • Pas 3 – 4 ditëve mbahet një tjetër mbledhje në Dërras të Beunit, ku morën pjesë krahina e Mesaplikut dhe e Kudhësit. Edhe këtu u kërkua të luftohej me pushtuesin.
  • Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” i bëri thirrje parësisë së Vlorës të mblidheshin në një kuvend në Barçallla të Dukatit në 29 maj 1920.
  • Kuvendi i Barçallasë vendosi një zëri fillimin e luftës deri në shuarje të njerës palë. Për drejtimin e luftës kuvendi zgjodhi një këshill kombëtar prej 30 vetash nga i cili doli Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetash.
  • Për drejtimin e luftës u emërua edhe Shtabi i Luftës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Luftës u emërua major Ahmet Lepenica, i cili në qershor kalon nënkomandant i përgjithshëm, pas emërimit të Qazim Koculit Komandant i Përgjithshëm.
  • Më 3 qershor 1920 nga Beuni, Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare”, i drejtoi komandës së trupave pushtuese në Vlorë një ultimatum ku kërkonin tërheqjen e trupave italiane deri në 4 qershor, të cilin e përcolli te komanda italiane Mehmet Selim Mallkeqi.
  • Pasi nuk erdhi asnjë përgjigje, mbrëmjen e 4 qershorit forcat shqiptare sulmuan dhe çarmatosën të gjitha postat e karabinerisë dhe karabinerët i mbajtën rob.
  • Më 5 qershor 1920 sulmohen njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të cilat u shpartalluan plotësisht. Italianët lanë 700 të vrarë dhe 1500 robër.
  • Më 9 qershor 1920 Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare” i dërgon komandës italiane një promemorie të dytë ku kërkohej largimi i pushtuesve.
  • Komanda italiane nuk iu përgjigj promemories, prandaj Komiteti dhe Shtabi i Luftës vendosi të sulmojë Vlorën më 11 qershor.
  • Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, pas malit Barçalla në Dukat, malit të Beunit në Vajzë, në fazën e dytë të luftimeve, rreth datës 15 qershor e vendosi selinë e tij në Drashovicë. Drashovica shpallet prefekturë dhe Vlora nënprefekturë që varej nga Drashovica. Prefekt emërohet Qazim Kokoshi. Neki Xheneti u emërua kryetar i Gjykatës. Avdul Kuçi, emërohet Prokuror i Përgjithshëm.
  • Në 22 korrik 1920 forcat shqiptare sulmojnë për herë të dytë Vlorën.
  • Sulmi i forcave shqiptare që shpërtheu i furishëm më 22 – 23 korrik 1920 e detyroi ushtrinë italiane të kapitullonte.
  • Më 17 gusht 1920 repartet e xhandarmërisë shqiptare hynë në Vlorë dhe morën në dorëzim administratën.
  • Më 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)
  • Më 3 shtator u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Vlonjatët e festuan gjithmonë me po atë rëndësi që i jepej edhe 28 nëntorit 1912 dhe kishin te drejtë.3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
  • Flamuri i fitores u vendos të ngrihet po atë ditë, mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sot 103 vjet më pas, ne përulemi me nderimet më të thella përpara dëshmorëve të Luftës së Vlorës, çetave nga çdo fshat i Lumit të Vlorës, nga Labëria dhe të gjitha krahinat e Shaipërisë, 12 anëtarëve te Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye Osman Haxhiun ose Osman Nurin siç i thoshte populli dhe komandantëve të përgjithshëm të Trupave Kombëtare, Major Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi, kapedanit Sali Vranishti, heronjve, Zigur Lelo, Selam Musa Salaria, Kanan Maze, Sado Koshena, Mehmet Mallkeqi dhe dhjetëra komandantëve te tjerë, që dhanë jetën për Shqipërinë! Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri! Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime të qëllimshme për arsye politike. Do të duhej të vinte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këtë Luftë – Epope. Gjithashtu gjej rast të vlerësoj studiuesit e historianët, Ago Agaj, që me librin e tij himn për Luftën e Vlorës paraqet një histori të gjallë e të vërtetë të asaj epoke si pjesëmarës e dëshmitar i gjallë;Profesor Bardhosh Gaçe, studiuesit Enver Memishaj (Lepenica), Prof. Dr. Muhin Çami, Viron Koka, Albert Habazaj e shumë historianë e publicistë të tjerë, të cilët kanë vlerësuar këtë ngjarje kaq të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Lufta e Vlorës duhet të përkujtohet gjithmonë, çdo vit, si ngjarja më e dytë më e rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë në harkun kohor të viteve 1912 -1944. Lufta e Vlorës është skalitur në ndërgjegjen kombëtare e në Historinë tonë, si një ngjarje historike dhe me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për konsolidimin e Pavarësisë, ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920! Gjithmonë jemi dhe u mbetemi borxh Luftës së Vlorës 1920 dhe Heronjve të saj!
Tre eurobonde në katër vjet!

Tre eurobonde në katër vjet!

Në qershor 2023, vetëm 18 muaj pas marrjes së eurobondit të pestë në nëndor 2021, pa ndonjë emergjencë të dukshme, qeveria shqiptare bleu një borxh të ri prej 600 milionë eurosh, eurobondin e gjashtë.
Në vend që të merrte hua të lirë në tregun e brendshëm dhe të përdorte fondet e shumta të lira në këtë treg në duar të bankave dhe qytetarëve, qeveria zgjodhi të merrte hua në tregun e jashtëm. Huaja e re e jashtme u sigurua me një kosto 60 përqind më të lartë se huaja e nëndorit 2021(interesi 6.1 përqind, ne krahasim me interesin 3.75%), për t’u shlyer për gjysmën e kohës së eurobondit të pestë. Ajo përfaqëson huanë e dyte më të shtrenjtë në historinë e eurobondeve të Shqipërisë, pas asaj të marrë në kulmin e krizës financiare botërore, në vitin 2012.
Me eurobondin e gjashtë, qeveria e sektit Rama dëshmoi papërgjegjshmërinë e saj kriminale në menaxhimin e borxhit publik, pasi Shqipëria deri tani ka shlyer vetëm dy eurobondet e parë, ndërkohë që ka katër të tjerë për të shlyer, duke akumuluar një borxh prej 3.4 miliardë eurosh.
Katër eurobondet për t’u shlyer janë:
I. Eurobond-i i tretë, i emetuar në tetor të vitit 2018, në vlerë prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.55 %.
II. Eurobond-i i katërt, i emetuar në qershor te vitit 2020, në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim po 7-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
III. Eurobond-i i pestë, i emetuar në nëndor të vitit 2021, po në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim 10-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
IV. Eurobond-i i gjashte, i emetuar në qershor 2023, në vlere 600 milione euro, me maturim 5-vjeçar dhe normë interesi 6.125 %.
Edhe eurobondin e gjashtë, këtë borxh të ri të marrë, qeveria nuk po e investon në aktivitete që sjellin një kthim të shpejtë nga investimi, prej të cilave mund të shlyhet borxhi. Ky është borxh i siguruar për të shlyer këstet e borxheve të vjetër që po maturohen dhe për mbështetjen e përgjithshme buxhetore (p.sh. për financimin e defiçiteve).
Shlyerja e tij, pothuajse pa dyshim, do të financohet nga rritja e borxhit të ri, në një mjedis normash interesi ne tregjet ndërkombëtare, që mund të jetë dukshëm më i rënduar se i sotmi.
Morëm tre eurobonde në katër vitet e fundit! Kjo duhet të na shqetësojë seriozisht. Në harkun e 5-6 viteve të fundit, interesat e borxhit të jashtëm të qeverisë shqiptare janë më shumë se dyfishuar!. Nga diçka më pak se 100 milionë euro në vitin 2017, në rreth 200 milionë euro për këtë vit, si pasojë e marrjes së njëpasnjëshme të huave në tregjet e huaja.

Botuar në Tirana Diplomat më 11.07.2023

Dhimbja e Vlorës për Arsimin Parauniversitar

Dhimbja e Vlorës për Arsimin Parauniversitar

Sistemi ynë arsimor, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit pësoi ndryshime dhe tronditje të mëdha, kryesisht fizike dhe psiko-sociale duke penguar krijimin e kushteve të domosdoshme për një aktivitet mësimor normal. Në impostimin krejtësisht të ri të aktorëve të sistemit (nxënës-mësues-administratë-familje-komunitet) lind nevoja për rregulla të reja loje. Ekspozimi ndaj ekonomisë së tregut krijoi një skenë shumë më të komplikuar. Sistemi aktual karakterizohet nga një përzierje elementësh përmbajtësorë, menaxherialë dhe zhvillimorë, tipikë për një periudhë tranzicioni, por teorikisht duke tentuar drejt një sistemi të hapur e demokratik. Në Shqipëri? Arsimi është në krizë. Ju sot vini këtu dhe në vend që të bëni ndryshime thelbësore në ligjin për arsimin bëni vetëm retushime, të cilat nuk e prekin thelbin dhe nuk janë politika afatgjate. Strategjia Kombëtare e Arsimit, sikundër deklarohet, ka vizion një “Sistem arsimor gjithëpërfshirës dhe të bazuar në parimet e barazisë dhe mësimit gjatë gjithë jetës, që mundëson formimin cilësor të të gjithë individëve, duke kontribuar në mirëqenien personale të tyre, si dhe në forcimin e demokracisë dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, ku objektiv specifik është: Gjithëpërfshirja dhe barazia në arsim. Në këtë kontekst, gjithëpërfshirja dhe arsimimi cilësor i nxënësve pavarësisht se në cilën zonë të Shqipërisë gjenden është detyrim kushtetues. Po! Është mirë koncepti dhe implementimi i Shkollave të Bashkuara. Nisur nga numri i ulët i nxënësve në disa shkolla të zonave rurale krijimi i këtyre shkollave është e nevojshme, sepse për shkak të mosplotësimit të kufirit minimal të numrit të nxënësve në shkollë në disa zona nxënësit dhe fëmijët, ose ngelen të paarsimuar, ose migrojnë brenda ose jashtë Shqipërisë, duke sjellë pasoja të tjera të rënda afatgjata, ekonomike e sociale. Shteti është i detyruar të ofrojë arsim për fëmijët Republikën e Shqipërisë, si një e drejtë e kushtetuese e sanksionuar në legjislacionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. E ripërsëris: Të gjithë ne e dimë që sistemi arsimor në Shqipëri është në krizë të thellë, por çështja është se si të dalim nga kjo krizë. Për t’i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor nuk mjafton vetëm të analizohet dhe proklamohet, por edhe të veprohet konkretisht. Të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë nga Shqipëria. Degët e mësuesisë nuk po preferohen më dhe në shumë universite janë duke u mbyllur. Mësuesit janë lënë vetëm në gjithçka dhe janë peng i politikës së këtij sekti, duke u ngarkuar me burokraci të panevojshme, e cila ndikon edhenë cilësinëemësimdhënies.
E pra: sipas BB:

  1. Ndryshimin e bën një mësues i mirë.
  2. Të kesh një infrastrukturë të mirë shkollore.
    Sekti në pushtet ka dështuar me arsimin, madje dështimin mundohet ta paraqesë si sukses dhe shtypjen e depersonalizimin e mësuesve si risi. Mësuesit e vënë nën presion kanë pagat më qesharake, të cilat nuk janë rritur kaq vite dhe janë objekt e subjekt i trysnisë së qeverisë, patronazhistëve, prindërve e nxënësve. Sekti Rama ka dështuar me pedagogët, të cilët kanë pagat më të ulëta në rajon. Sekti Rama ka dështuar me politikat, të cilat do të stimulonin nxënësit e studentët ekselentë dhe të garantonte qëndrimin apo kthimin e tyre në Shqipëri. Sistemi arsimor i dështuar në Shqipëri nxit largimin, zbrazjen, plakjen dhe varfërinë e Shqipërisë. Në rast se u referohemi shifrave, ato janë tronditëse. Në Maturën Shtetërore 2013, morën pjese rreth 46.000 maturante, ndërsa në maturën 2015, afërsisht 40.000.
    40.000 maturante ishin para 8 vjetëve (2015) – 28.000 maturantë këtë vit(2023) = 12.000 maturantë më pak, më saktë, 30% më pak.
    Po ta krahasosh kete shifër me 46.000 në vitin 2013, i bie që sot kemi 18.000 maturantë më pak, afro 30% më pak se sa viti 2013.
    18.000 : 10 = 1.800 maturante me pak çdo vit.
    Mendoni se cfare mund të ndodhë pas 5 ose 10 ose … X… viteve.
    A thua kaq ka rënë numri i lindjeve nga viti ne vit?!
    INSTAT, mund te na sqarojë për këtë gjë, por besoj se nuk është vetëm rënia e lindshmërisë.
    Është shpopullimi si agjendë!
    Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri.
    Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme. Pasi, sipas të dhënave të publikuara edhe në mediet kombëtare në vitin 2022- 2023 në shkollat shqiptare kishte 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Sipas të dhënave të instat në vitin 2017- 2018 kishim 153 nxënës për 1000 banorë, në vitin 2021-22 kishim 136 nxënës për 1000 banorë. Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, është edhe shpopullimi për arsye emigrimi, por edhe largimi i të rinjve, që po thellon një plagë 30 vjeçare për shoqërinë tonë! Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… “Politikat arsimore” të sektit Rama në pushtet kanë 10 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën. Në 10 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 500.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Në 10 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën. Vetëm këtë vit nga 31.000 maturantë, 11.000 kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit, normalisht nxënësit ekselentë, të cilët shumë shpejt do të pasohen nga familjet e tyre për të mos u rikthyer më në Shqipëri. Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre…
    Si ishte gjendja këtë vit mësimor që sapo u mbyll në Vlorë? 1662 më pak nxënës se vitin e kaluar arsimor!
    Në vitin shkollor 2022-2023 për arsimin parauniversitar në shkollat e qarkut Vlorë numri i nxënësve ishte 12.300. Sipas Zyrës Arsimore Vlorë, vitin e kaluar, shifra ishte 13.962, duke dëshmuar që këtë vit të ketë 1662 nxënës më pak. Në Vlorë dominon arsimi publik, ku vetëm 15% arsimit është privat me gjithsej 43 shkolla publike dhe 11 private. 800 janë klasat e para, ndërsa 617 klasat e dhjeta. Diferencën bëjeni vetë! Më pak nxënës regjistrohen në gjimnaz. Disa, sepse nuk duan ta vazhdojnë shkollën, shumë për arsye ekonomike dhe pjesa më e madhe për arsye shpopullimi, emigrimi të detyruar jashtë vendit për të mos u kthyer më. Imagjinoni që pas dy vitesh nga 617 klasatë dhjeta që ishin këtë vit shkollor, sa do të jenë klasat e maturës. Natyrisht e logjikisht më pak. Për shkollat që kane numër të ulët, sipas ZVA Vlorë po shihet mundësia e krijimit të shkollave të bashkuara, përkatësisht Memo Metaj në fshatin Kuc, Faslli Dano në Llakatund, shkolla e Orikumit, Shaban Demiraj në Vlorë. Por situata është akoma edhe më alarmante. Sipas të dhënave zyrtare, vitet e fundit shumë shkolla nëpër fshatra janë mbyllur totalisht ose gjysmëfunksionojnë:
  3. Dukat i Vjetër mbyllur
  4. Tragjas mbyllur
  5. Radhimë mbyllur
  6. Sherishtë mbyllur
  7. Mekat mbyllur
  8. Kërkovë ka mbetur vetëm 1 klasë e përbashkët
  9. Mifol mbyllur
  10. Kaninë me klasa të përbashkëta
  11. Kocul (mbetur shkolla fillore)
  12. Gërrnec mbyllur
  13. Mallkeq mbyllur
  14. Gorrisht mbyllur
  15. Vranisht mbyllu
  16. Mesaplik mbyllur
  17. Lapardha mbyllur
  18. Treblovë vetëm 1 klasë e përbashkët
  19. Velçë me klasa të përbashkëta
  20. Ramicë, Matogjin, Bashaj mbyllur
    1. Shkolla e Muzikës Vlorë drejt mbylljes
      E shikoni sa e rëndë është situata? Është më e rëndë se sa analfabetizëm funksional.  Botuar në Gazeta Sot më 22 Qershor 2023