𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗸𝗮 𝗱𝗲𝘁𝘆𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗸𝘂𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘁𝗮 𝗻𝗴𝗿𝗲𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗶𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶𝗻 𝗵𝗲𝘁𝗶𝗺𝗼𝗿 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝗦𝗛𝗜𝗦𝗛!

𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗸𝗮 𝗱𝗲𝘁𝘆𝗿𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗸𝘂𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘁𝗮 𝗻𝗴𝗿𝗲𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗶𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶𝗻 𝗵𝗲𝘁𝗶𝗺𝗼𝗿 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝗦𝗛𝗜𝗦𝗛!

Skandali me çështjen Vlora Hyseni dhe cënimin e sigurisë kombëtare nuk ka pse dhe nuk duhet të reduktohet me batutat për shuarjen e radarëve të Shtetit në rrjetet sociale dhe në emisionet televizive!
Kuvendi ka detyrimin e thellë të ushtrojë kontrollin e tij parlamentar, për të kuptuar në thellësi, përmes informacionit që Kushtetuta e autorizon përmes një komisioni të posaçëm parlamentar që të zotërojë, nëse ka pasur cenim të mekanizmave të sigurisë kombëtare dhe dobësi të theksuar në funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror(SHISH).
Sigurisht, një komision hetimor parlamentar nuk mund dhe nuk ka pse të zëvendësojë SPAK-un, gjykatat apo hetimin penal. Mirëpo, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të hetojë përgjegjësinë politike dhe institucionale në megaskandalin Vlora Hyseni, mënyrën se si kanë funksionuar mekanizmat e kontrollit dhe nëse SHISH, apo institucionet e tjera shtetërore, në rradhë të parë, institucioni i kryeministrit, kanë zbatuar detyrimet e tyre ligjore.
1. Pse çështja e SHISH-it është çështje e sigurisë kombëtare?
Shërbimi Informativ i Shtetit është pjesë themeltare e arkitekturës së sigurisë kombëtare, pasi ai mbledh, analizon dhe përcjell informacion që mund të lidhet me kërcënime ndaj Shtetit, institucioneve demokratike, rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit.
Për këtë arsye, çdo dyshim serioz për dobësi në drejtimin, kontrollin, ruajtjen e informacionit apo përdorimin e kompetencave të një institucioni të tillë duhet të shqyrtohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të plotë.
Hetimi penal ka një objekt të përcaktuar: të zbulojë nëse janë kryer vepra penale, nga kush dhe në çfarë rrethanash. Në asnjë rrethanë ai nuk mund të zëvendësojë hetimin parlamentar, i cili ka një tjetër funksion themelor për interesat e Shtetit.
Komisioni hetues parlamentar do të kërkojë përgjigje për pyetje të tilla: Si funksionuan mekanizmat e kontrollit në rastin Vlora Hyseni?, A kishte sinjale paralajmëruese?, A u raportuan ato?, A u morën masa? A funksionuan strukturat e kontrollit të brendshëm? A kishte dobësi në procedurat e klasifikimit dhe mbrojtjes së informacionit dhe sa kishin depërtuar dhe ndikuar përfaqësues të krimit të organizuar në vendim-marrjen e SHISH?
Këto janë pyetje që nuk kanë se si dhe nuk mund të reduktohen vetëm në përgjegjësinë penale të një personi, qofte kjo dhe ish-drejtuesja e SHISH.
Kuvendi nuk është vetëm organi që miraton ligje. Ai ka edhe një funksion themelor të kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin dhe institucionet shtetërore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ky kontroll është veçanërisht i rëndësishëm për institucionet e sigurisë, sepse natyra e tyre e mbyllur dhe niveli i lartë i sekretit shtetëror krijojnë rrezikun që kontrolli publik i zakonshëm të jetë i pamjaftueshëm. Dhe pikërisht për këtë arsye ekziston kontrolli parlamentar i specializuar.
II. Pse një komision hetimor është i domosdoshëm?
Mega-skandali Vlora Hyseni, jo vetëm që ka tronditur opinionin publik dhe besimin e partnerëve tanë strategjikë, por edhe ka ngritur dyshime serioze dhe të bazuara për funksionimin e SHISH. Komisioni hetimor parlamentar do të shërbejë për të përcaktuar çfarë ndodhi, si ndodhi dhe pse mekanizmat e kontrollit nuk e parandaluan apo zbuluan në kohë problemin madhor.
Përmes komisionit hetimor, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të shqyrtojë mekanizmat e kontrollit të brendshëm të SHISH, procedurat e sigurisë dhe të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, procedurat e emërimit dhe të kontrollit të drejtuesve, mënyrën e raportimit tek institucionet përgjegjëse, zbatimin e rregullave për konfliktin e interesit dhe sigurinë, si dhe nëse ka pasur sinjale paralajmëruese dhe si janë trajtuar ato. Komisioni parlamentar përcakton edhe nëse duhen ndryshime ligjore apo organizative për SHISH-in.
Komisioni hetimor parlamentar duhet dhe do të punojë paralelisht me drejtësinë, pa cenuar hetimin penal, provat e klasifikuara apo procesin gjyqësor. Kuvendi ka përgjegjësi politike, institucionale dhe ligjvënëse që ta ngrejë këtë komision, sikurse e ka kërkuar dhe përcaktuar opozita e Partisë Demokratike.
Përgjegjësia jonë, e Ne, deputetëve, është akoma dhe më e madhe, kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare. Shurdhëria dhe pagojësia e kolegëve deputetë të shumicës në lidhje me mega-skandalin Vora Hyseni dhe cenimin e sigurisë kombëtare është, për fat të keq, një papërgjegjësi madhor, kur në stekë është detyrimi kushtetues për të garantuar që institucionet e sigurisë të funksionojnë sipas ligjit dhe nën kontroll demokratik.
Kjo, pasi, nëse deputetët e Kuvendit marrin informacion për një problem serioz, si mega-skandali Vlora Hyseni dhe nuk e shqyrtojnë, atëherë vetë mekanizmi demokratik i kontrollit humbet plotësisht efektivitetin e tij.
III. Çfarë na mëson rasti Günter Guillaume në Gjermaninë Perëndimore:
Një nga shembujt më domethënës ndërkombëtarë për reagimin ndaj një skandali që cenon sigurinë kombëtare është “Çështja Guillaume” në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1974. Günter Guillaume ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt të kancelarit të atëhershëm të RFGJ-së, Willy Brandt. Më vonë u zbulua se ai ishte agjent i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, Stasi.
Rasti shkaktoi një krizë të rëndë politike dhe institucionale dhe kontribuoi në dorëheqjen e Willy Brandt nga posti i kancelarit në maj 1974.
Ky rast është jashtëzakonisht domethënës, pasi dëshmon se si dobësitë në sistemin e sigurisë dhe të verifikimit mund të arrijnë deri në nivelet më të larta të shtetit. Klasa politike e Gjermanisë Perëndimore reagoi me përgjegjësi dhe kancelari Willy Brandt u detyrua të jepte dorëheqjen
Mësimi i parë nga ky rast është se sa herë cenohet seriozisht siguria kombëtare, institucionet kryesore të Shtetit duhet të reagojnë me vendosmëri dhe përgjegjësi, si dhe kërkimi i llogarisë publike duhet të shkojë deri në dorëheqjen e personit më të lartë përgjegjës.
Së dyti, sistemet moderne të sigurisë duhet të kenë kontrolle të shumëfishta, verifikim të vazhdueshëm dhe mekanizma që zbulojnë sinjalet e rrezikut. Rasti Guillaume dëshmoi për një parim të rëndësishëm të shtetit demokratik: institucionet e sigurisë nuk mund të bazohen vetëm te besimi personal. Në demokraci, siguria duhet të ndërtohet mbi procedura, kontrolle, verifikime dhe përgjegjësi institucionale. Kjo vlen edhe për Shqipërinë tonë.
Nuk mjafton që drejtuesit e institucioneve të sigurisë të kenë besimin politik të qeverisë. Duhet të ekzistojnë mekanizma të pavarur dhe profesionalë që garantojnë integritetin e sistemit.
Mësimi i tretë kyç është se kontrolli parlamentar është pjesë e sigurisë kombëtare. Përvoja ndërkombëtare ka treguar në mënyrë të vazhdueshme dhe bindëse se kontrolli parlamentar nuk është pengesë për inteligjencën. Përkundrazi, kontrolli demokratik e rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e shërbimeve të inteligjencës.
Një shërbim informativ që kontrollohet në mënyrë profesionale nga institucione demokratike është më i besueshëm për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Mësimi i katërt që marrim nga “Çështja Guillaume” ka të bëjë me faktin se problemet e inteligjencës mund të kenë pasoja politike shumë më të mëdha. Rasti Guillaume nuk ishte thjesht një histori spiunazhi. Ai u shndërrua në një krizë të madhe politike dhe institucionale për Gjermaninë Perëndimore.
Kjo duhet të jetë një leksion i çmuar për ne: problemet e sigurisë kombëtare nuk mund të trajtohen si probleme të brendshme të një institucioni! Nëse dobësitë janë reale, ato mund të ndikojnë te qeveria, parlamenti, partnerët ndërkombëtarë dhe besimi i publikut. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shkëmben informacion sensitiv me partnerët e saj. Besimi në sistemin kombëtar të inteligjencës është, për rrjedhojë, edhe një çështje e sigurisë kombëtare dhe kolektive të vendit.
xxx
Çështja e SHISH dhe e ish-drejtueses së tij, Vlora Hyseni duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi institucional, jo me logjikë partiake. Ngritja e një komisioni hetimor parlamentar paraqitet zgjidhja e vetme, për të zbardhur përgjegjësitë institucionale dhe për të propozuar reforma.
Kuvendi nuk duhet të hetojë për të zëvendësuar drejtësinë. Duhet të hetojë për të përmbushur detyrën e vet të kontrollit demokratik.
Një shtet demokratik nuk forcohet duke fshehur problemet e institucioneve të sigurisë. Forcohet duke i identifikuar, hetuar, korrigjuar dhe parandaluar që të përsëriten.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲, 𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝘇𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗽𝗮𝗿𝗮𝗸𝗼𝗵𝘀𝗵𝗺𝗲

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲, 𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝘇𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗽𝗮𝗿𝗮𝗸𝗼𝗵𝘀𝗵𝗺𝗲

Protesta qytetare që ka hyrë në ditën e 128-të nuk mund të trajtohet më si një episod kalimtar politik. Kohëzgjatja e saj tregon se ekziston një pakënaqësi e jashtëzakonshme në vend, që kërkon përgjigje institucionale.
Kuvendi ka përgjegjësi të dëgjojë, të diskutojë dhe të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve. Në një demokraci funksionale, protesta është një nga format më të rëndësishme, përmes të cilës qytetarët i kërkojnë institucioneve llogaridhënie. Për këtë arsye, përgjigjja ndaj saj nuk duhet të jetë vetëm retorike. Ajo duhet të jetë parlamentare, institucionale, korrekte dhe konkrete.
I. 128 ditë protestë: sinjal që Kuvendi nuk duhet ta injorojë
Një protestë që vazhdon për 128 ditë rradhazi, tregon se një pjesë e mirë e qytetarëve nuk e konsideron dialogun institucional ekzistues të mjaftueshëm.
Në këto kushte, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “Sa protestues janë?”. Pyetja më e rëndësishme është “Pse kjo pakënaqësi po vazhdon dhe pse institucionet nuk kanë arritur ende të krijojnë një kanal bindës dialogu?”
Hapi më i arsyeshëm është që Kuvendi të zhvillojë një diskutim parlamentar të posaçëm mbi kërkesat e protestës qytetare. Dhe ky diskutim nuk duhet të jetë formal.
Diskutimi duhet të ketë:
– paraqitje të kërkesave të protestuesve;
– dëgjim të përfaqësuesve të tyre;
– dëgjim të qëndrimit të qeverisë;
– diskutim nga grupet parlamentare;
– ekspertizë kushtetuese dhe zgjedhore;
– si dhe përfundime dhe rekomandime konkrete.
Nëse Kuvendi nuk është dakord me një kërkesë, duhet të shpjegojë publikisht arsyet. Edhe refuzimi demokratik duhet të jetë i argumentuar.
II. Gjendja politike e agravuar kërkon një qasje të re
Mega-skandali Vlora Hyseni dhe i SHISH-it, si dhe aferat nën hetim të KAYO-s, kanë shtuar shqetësimet publike mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet e sigurisë, administrimit shtetëror dhe kontrollit institucional.
Kërkesa për një qeveri teknike pa anëtarë partiakë, duhet të diskutohet politikisht. Një nga kërkesat më të rëndësishme të protestuesve, që lidhet me krizën politike, është ideja e një qeverie teknike, me mandat të kufizuar dhe me objektiv kryesor garantimin e një procesi të besueshëm zgjedhor.
Nëse kjo kërkesë hidhet në tryezën politike, ajo duhet të diskutohet seriozisht, dhe jo të refuzohet automatikisht. Qeveria teknike do të kishte si mision garantimin e neutralitetit të administratës, reformimin e kuadrit zgjedhor, garantimin e kushteve të barabarta për partitë, forcimin e institucioneve zgjedhore dhe përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.
Po pse kërkohet një qeveri pa anëtarë partiakë? Logjika e kësaj kërkese është krijimi i një besimi minimal politik. Nëse të gjithë anëtarët e një qeverie teknike do të ishin figura të lidhura drejtpërdrejt me partitë politike, do të ishte e vështirë të bindeshin palët se administrata po vepron në mënyrë neutrale.
III. Kodi i ri dhe reforma zgjedhore janë thelbësore në këtë situatë
Një qeveri teknike, nëse do të krijohej, nuk do të kishte kuptim pa një objektiv të qartë reformues. Një nga objektivat kryesore duhet të jetë një Kod i ri Zgjedhor, i ndërtuar për të rritur besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor.
Kodi i ri duhet të përmbajë domosdoshmërisht një sistem proporcional me listë të hapur kandidatësh për deputetë. Qytetarëve u duhen sot më shumë se kurrë deputetë të popullit dhe lista të hapura. Jo lista gjysëm të mbyllura të kryetarëve të partive, që deformuan keqazi përfaqësimin e deputetëve tek qytetarët, pas vitit 2008.
Përfaqësuesit e protestës qytetare katërmujore permanente duhet të vendosin për çdo çështje të tashme dhe të ardhshme politike, krahas partive politike.
Rama ka 83 mandate të kompromentuara, tërësisht të diskredituara, pas një procesi korruptiv zgjedhor të 11 qershorit 2025. Ai nuk mund të flasë në emër të numrave të shumicës parlamentare.
Kodi i ri zgjedhur duhet të trajtojë në mënyrë të plotë çështje si administrimin zgjedhor, financimin e fushatave, përdorimin e burimeve publike, transparencën e financimit politik, mekanizmat e kontrollit, ankesat dhe apelimet, përdorimin e teknologjisë, garantimin e konkurrencës së ndershme, aksesin e barabartë të subjekteve politike dhe parandalimin e keqpërdorimit të administratës, siç ka ndodhur rëndom këto 14 vitet e fundit.
Për rikthimin e besimit, reforma zgjedhore duhet të bëhet me pjesëmarrjen e partive, përfaqësuesve të protestës qytetare, ekspertëve, shoqërisë civile, akademikëve dhe organizatave që monitorojnë zgjedhjet.
Procesi duhet të jetë transparent dhe konsultues. Kodi zgjedhor duhet të jetë produkt i një konsensusi sa më të gjerë, jo i shumicës parlamentare të rradhës.
IV. Pse zgjedhjet pas një viti mund të shërbejnë si objektiv politik?
Propozimi për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme pas një viti duhet të shihet si një periudhë kompromisi. Një vit do të krijonte kohë për krijimin e një qeverie me mandat të kufizuar, për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, konsultimin publik, ndryshimet ligjore, përgatitjen e administratës zgjedhore, testimin e mekanizmave të rinj dhe përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo duhet të bëhet vetëm brenda kuadrit kushtetues dhe përmes një marrëveshjeje politike të qartë.
Qëllimi është rikthimi i besimit dhe ky është një dallim shumë i rëndësishëm. Një proces i tillë nuk duhet të perceptohet si një mekanizëm për t’i dhënë avantazh një force politike kundrejt një tjetre. Objektivi është që të krijohen rregulla që pranohen nga të gjithë dhe një proces zgjedhor, rezultati i të cilit të jetë më i besueshëm për qytetarët dhe subjektet politike.
Në një demokraci, legjitimiteti i zgjedhjeve është po aq i rëndësishëm sa rezultati i tyre. Nëse protestuesit janë në rrugë dhe partitë janë në konflikt, Kuvendi duhet të jetë vendi ku konflikti politik përkthehet në debat institucional. Kjo është pikërisht arsyeja pse ekziston Parlamenti.
Kuvendi duhet të dëgjojë protestuesit, opozitën, qeverinë dhe shoqërinë civile dhe t’i kthejë kërkesat politike në alternativa konkrete. Nëse kjo nuk ndodh, protesta dhe konflikti politik rrezikojnë të thellohen tek ne.
Një krizë politike nuk zgjidhet vetëm me shumicë votash. Një shumicë parlamentare e ndërtuar me vota të vjedhura apo të grabitura, nuk ka legjitimitet politik. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ndjen se nuk dëgjohet, përgjigjja duhet të jetë një dhe vetëm një: dialogu.
Në një situatë kaq të tensionuar si e sotmja, Kuvendi mund dhe duhet të dalë me një paketë veprimesh, e cila duhet të fillojë me një seancë të posaçme për kërkesat e protestuesve.
Së dyti, Kuvendi duhet të mundësojë krijimin e një tryeze të dialogut politik dhe qytetar.
Së treti, ai duhet të shqyrtojë mundësinë për një marrëveshje politike mbi reformën zgjedhore.
Së katërti, Kuvendi duhet të iniciojë një proces të posaçëm për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor.
xxx
Nëse një protestë vazhdon për muaj të tërë dhe institucionet nuk reagojnë me një proces serioz dialogu, rreziku është që mosbesimi të kthehet në permanent. Kjo dëmton rëndë stabilitetin politik të vendit, klimën e biznesit, imazhin ndërkombëtar, investimet, funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Zgjidhja mund dhe duhet të vijë vetëm nga Kuvendi!
5 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë.

5 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë.

5 tetori, fillimi i vitit të ri akademik dhe dështimi i politikave arsimore të qeverisë.
Sot është data 5 tetor, data kur fillon viti i ri akademik, është dita kur studentët janë ulur në auditoret e universiteteve në vendin tonë.
Sot, me këto politika që sekti Rama ka ndjekur, për fat të keq arsimi është zhvlerësuar dhe nuk është prioritet kombëtar.
Në universitetet tona këtë vit janë regjistruar 32% më pak studentë se në vitin 2012 dhe janë 18% më pak studentë se në vitin e kaluar.
Në programin që u trumbetua me të madhe në 2013, në programin e Rilindjes, që vetëm rilindje nuk është për arsimin dhe për gjithë ekonominë, theksohej që shpenzimet për arsimin do shkonin në 5% të GDP. Ende sot pas 13 viteve në pushtet buxheti për arsimin është në nivelin 2.5% të GDP.Ky nivel e rendit Shqipërinë ndër vendet me financimin më të ulët për arsimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku mesatarja luhatet pranë 3.9% (psh Kosova me rreth 4.6% dhe Serbia mbi 4%)
Në Shqipëri ne duhet të pranojmë që arsimi është në krizë.
Universiteti i Vlorës këto vite po zvogëlohet e po zvogëlohet nga dita në ditë, pasi nuk ma lejon ndërgjegjja të them fjalën tjetër se ku mund të shkojë universiteti i Vlorës pas disa vitesh, pavarësisht punës dhe përpjekjeve të stafit pedagogjik e studentëve. Në raport me vitin 2012, niveli i numrit të studentëve ka rënë deri ne 50%. Universiteti i Vlorës, veç Infermierisë së Përgjithshme, të gjitha degët e tjera janë nën kuota regjistrimesh, duke bërë që të shkojnë drejt mbylljes degët e mësuesisë dhe Gjuhët e huaja. Kriza është ulur këmbëkryq, pasi në të gjitha degët, regjistrimet nuk janë të kënaqshme, janë regjistrime me shumë pak studentë për degë, ndërkohë që ka disa dhjetëra pedagogë. Ndërkohë që Universiteti i Vlorës është në krizë për studentë dhe shumë programe janë drejt mbylljes, asnjë politikë nxitëse nuk ka për afrimin e studentëve në këtë universitet.
Po ashtu nga ana tjetër fenomeni është shqetësues në të gjitha nivelet e arsimit në qarkun e Vlorës. Shkolla të shumta në kushte mjerane, ose të mbyllura për shkak të mungesës së nxënësve.
Problemet e arsimit nuk duhet të jenë thjesht çështje politikash, por qëllime me objektiva të qarta. Sepse arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi.
Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria.
Është tragjike kur shikon nga politika që problemet e arsimit i trajton thjesht si çështje politikash dhe jo si qëllime me objektiva të qarta.
Do të dëshiroja këtu të citoja, Prof. Ndriçim Kulla, i cili shkruan: “Arsimi i ri, që duhet të zëvëndësojë arsimimin e dështuar të Edi Ramës duhet të ndryshojë nga qëlllimi i qartë që duhet të ketë. Ai duhet që të jetë një arsimim, i cili duhet të ndryshojë në mënyrë krejtësisht cilësore përmirësimin e arsimimit në vazhdimësi. Ai duhet të jetë një arsimim që duhet të përfshijë ose të forcojë në mësimdhënie edukimin pedagogjik, edukimin e munguar krejtësisht patriotik, edukimin familjar, por edhe edukimin europian.”
Si deputet i Vlorë i Partisë Demokratike insistoj që Universiteti i Vlorës të jetë në vëmendjen e qeverisë, duke përpiluar strategji, liri akademike e autonomi financiare.
Gjithashtu duhet të ketë një rritje të konsiderueshme të buxhetit shtetëror për UV “Ismail Qemali” për mësimdhënien, kërkimin shkencor, laboratorët, përmirësimin e kapaciteteve mësimore, pedagogjike dhe kërkimin shkencor.
Promovimi i degëve dhe studimeve akademike për të cilat ka më shumë nevojë ekonomia rajonale dhe sektorë te tjere strategjikë, siç është turizmi, ekonomia, inxhinieria navale, mekanike e elektrike, teknologjia e informacionit, shkencat detare, matematika, fizika, mësuesia, etj, do të ishin disa nga masat që mund të ndërmerreshin për të ndalur jo vetëm hemoragjinë studentore, por edhe për të pasur një brez të arsimuar e mirëarsimuar në të ardhmen.
Duhen kthyer sytë sa më shpejt sot nga arsimi, pasi një arsim i keq sot, prodhon një shoqëri të dështuar nesër.
Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme.
𝗠𝗮𝗸𝗿𝗼𝗮𝗻𝗮𝗹𝗶𝘇𝗮 𝗲 𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗽𝗲𝗿 𝗲𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶𝗻𝗲 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝘃𝗲𝗺𝗲𝗻𝗱𝗷𝗮 𝗷𝗼𝗻𝗲!

𝗠𝗮𝗸𝗿𝗼𝗮𝗻𝗮𝗹𝗶𝘇𝗮 𝗲 𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗽𝗲𝗿 𝗲𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶𝗻𝗲 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝘃𝗲𝗺𝗲𝗻𝗱𝗷𝗮 𝗷𝗼𝗻𝗲!

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) i vitit 2026 për klimën e investimeve tek ne(state.govuploads/2026/09/701264_2026-Albania-Investment-Climate-Statement.pdf ) e vendos ekonominë shqiptare përballë një sërë problematikash të thella dhe të mprehta strukturore dhe me origjinë politikë(mungesë e vullnetit politik), të cilat e kufizojnë ndjeshëm potencialin e saj për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më produktiv për shqiptarët.
Ndër problematikat e evidentuara në Raport, përfshihen korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, produktiviteti i ulët dhe ekonomia informale.
Këto nuk janë probleme të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato e kanë një bazë ushqimi të përhershëm abuziv, mungesën e vullnetit politik të sektit në qeverisje. Sipas DASH, ato krijojnë një zinxhir pasojash ekonomike: dobësojnë konkurrencën, rrisin kostot e të bërit biznes, ulin eficiencën e investimeve, favorizojnë informalitetin dhe e bëjnë më të vështirë kalimin e ekonomisë sonë, nga një model i mbështetur në konsum, ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme drejt një modeli me më shumë produktivitet, teknologji dhe vlerë të shtuar për qytetarët tanë.
I. DASH: korrupsioni, një kosto e madhe ekonomike dhe politike
DASH e cilëson hapur se korrupsioni mbetet një kosto e madhe ekonomike dhe politike për vendin. Korrupsioni nuk është vetëm problem institucional apo juridik. Ai ka një kosto të drejtpërdrejtë ekonomike.
Kur vendimmarrja publike ndikohet nga interesa të veçanta, kompanitë nuk konkurrojnë më vetëm mbi bazën e çmimit, cilësisë, inovacionit dhe eficiencës. DASH cilëson se kjo favorizon ndërmarrje vendase të caktuara dhe penalizon bizneset e tjera vendase të palidhura me politikën dhe investitorët e huaj.
DASH rendit ndër pasojat rritjen e kostos së projekteve, uljen e eficiencës së shpenzimeve publike, dobësimin e ndjeshëm të konkurrencës, frenimin e investimeve cilësore dhe uljen e besimit të sipërmarrjes.
II. Krimi i organizuar krijon ekonomi paralele
Raporti thekson se prania e krimit të organizuar në ekonominë e Shqipërisë krijon rrezikun e zhvillimit të aktiviteteve ekonomike që nuk funksionojnë sipas rregullave normale të tregut. Kapitali i krijuar nga veprimtari kriminale depërton në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si në ndërtim dhe në pasuri të paluajtshme, duke krijuar konkurrencë jo të barabartë me kapitalin që është krijuar në mënyrë të ligjshme.
Kjo është veçanërisht problematike në tregje ku qarkullojnë shuma të mëdha kapitali, si në ndërtim, pasuri të paluajtshme, turizëm, tregti, shërbime dhe transport.
DASH thekson se nëse një pjesë e kapitalit nuk i nënshtrohet të njëjtave rregulla si kapitali i ligjshëm, tregu humbet funksionin e tij normal konkurrues.
Raporti cilëson se pastrimi i parave është një nga problematikat më të rëndësishme për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria. Rreziku nuk lidhet vetëm me sistemin financiar. Paratë me origjinë të paligjshme kanë tentuar të integrohen në ekonominë formale, përmes investimeve, blerjeve të pasurive të paluajtshme, kompanive ose aktiviteteve të tjera.
Kjo ka sjellë një efekt të dyfishtë. Nga njëra anë, rrit aktivitetin ekonomik në mënyrë artificiale në disa sektorë. Nga ana tjetër, rrit çmimet, deformon konkurrencën dhe e zhvendos kapitalin e ligjshëm, i cili detyrohet të investojë në tregjet rajonale, si në Kosovë, Maqedoni të Veriut, ose edhe të emigrojë.
DASH thekson se konkurrenca e deformuar e ka dëmtuar biznesin e ndershëm. Nëse një kompani përballet me kosto, taksa, kontrolle dhe detyrime që nuk i përballon një konkurrent tjetër, atëherë tregu nuk funksionon në mënyrë eficente. Për Raportin, konkurrenca e deformuar ka disa pasoja të rënda. Së pari, dekurajon bizneset produktive. Së dyti, frenon investimet afatgjata. Së treti, ul presionin për inovacion. Së katërti, mund të favorizojë kompanitë që kanë akses më të madh te burimet administrative apo financiare dhe, së pesti, në periudhë afatgjatë ul produktivitetin e ekonomisë.
Prandaj dhe një ekonomi si e Shqipërisë mund të ketë rritje të PBB-së, por kjo nuk do të thotë se ka rritur në të njëjtën masë cilësinë e konkurrencës. Në të kundërt.
Për DASH, produktiviteti i ulët është një problem thelbësor. Nëse Shqipëria dëshiron të rrisë pagat në mënyrë të qëndrueshme, duhet të rrisë produktivitetin. Kjo është një nga sfidat më të rëndësishme të dekadës së ardhshme. Raporti cilëson se rritja e pagës nuk mund të mbështetet vetëm tek presioni i tregut të punës; ajo duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë tek rritja e vlerës së prodhuar nga çdo punonjës.
III. Ekonomia informale zvogëlon bazën e ekonomisë formale
Për DASH, informaliteti krijon një ekonomi me dy standarde. Biznesi formal paguan taksat, kontributet, respekton rregullat dhe përballon kostot administrative. Ndërkohë, biznesi informal mund të ketë avantazh pikërisht sepse shmang një pjesë të këtyre detyrimeve.
Kjo krijon konkurrencë të padrejtë dhe dëmton bizneset që respektojnë ligjin. Informaliteti gjithashtu zvogëlon të ardhurat tatimore, dobëson mbrojtjen sociale, cenon të drejtat e punonjësve, kufizon aksesin në financim dhe pengon formalizimin dhe rritjen e kompanive.
Për një ekonomi që synon integrimin europian, formalizimi duhet të jetë një objektiv i vazhdueshëm.
Raporti i DASH trajton dy profile themelore problematike të ekonomisë sonë. Zinxhirin Korrupsion → konkurrencë e deformuar → investime më pak eficiente dhe → produktivitet më i ulët, si dhe zinxhirin tjetër të sektit Rama: Krim i organizuar → pastrim parash → depërtim i kapitalit të paligjshëm dhe → deformim i tregut.
Për DASH, kjo tregon se Shqipëria nuk ka përballë shtatë probleme të ndara, por një problem të përbashkët madhor, të mungesës së cilësisë dhe qendrueshmërisë së zhvillimit ekonomik, për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
IV. A kthehet dot Raporti i DASH në një instrument të llogaridhënies publike?
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) i vitit 2026 për klimën e investimeve tek ne konkludon se korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca e deformuar, emigracioni, produktiviteti i ulët dhe informaliteti nuk janë vetëm probleme të administrimit tonë publik. Ato kanë pasoja konkrete mbi investimet, pagat, konkurrencën, financat publike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Nëse Shqipëria dëshiron të kalojë në një fazë të re zhvillimi, sfida nuk është vetëm të tërheqë më shumë kapital, turistë apo investime. Sfida është që kapitali të shkojë drejt aktiviteteve produktive, që bizneset të konkurrojnë mbi bazën e eficiencës dhe inovacionit dhe që fuqia punëtore të jetë më e kualifikuar.
Raporti i DASH nuk duhet të mbetet një dokument kalimtar, si shumë të tjerë nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që na monitorojnë. Detyrimi i parë i institucioneve shqiptare, në rradhë të parë i Kuvendit dhe Ekzekutivit, është që gjetjet e raportit të mos trajtohen si një dokument diplomatik që lexohet dhe më pas arkivohet. Ato duhet të kthehen në objektiva konkrete, në politika publike, në ndryshime ligjore, në reforma institucionale, në mekanizma monitorimi dhe në afate të matshme.
Një raport ndërkombëtar, aq më shumë që vjen nga DASH, ka vlerë reale vetëm nëse gjetjet e tij përdoren për të përmirësuar realitetin që ai përshkruan.
Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm institucioni që miraton ligjet e propozuara nga qeveria. Ai duhet të luajë një rol të rëndësishëm në analizimin e klimës së investimeve. Komisionet parlamentare për ekonominë, financat, integrimin europian dhe çështjet ligjore duhet të analizojnë në mënyrë të posaçme problematikat e evidentuara nga DASH.
Do të ishte me rëndësi që qeveria të raportojë periodikisht në Kuvend se çfarë problemesh janë identifikuar nga ky Raport, çfarë masash janë marrë, cilat rekomandime janë zbatuar, cilat nuk janë zbatuar dhe pse. Kjo do ta kthente raportin nga një dokument vlerësimi në një instrument të llogaridhënies publike.
Për fat të keq, shndërrimi i Raportit të DASH 2026 për klimën e investimeve tek ne nuk ka asnjë gjasë të kthehet në një instrument të llogaridhënies publike.
Problemet e thella që ai evidenton janë sot probleme të pazgjithshme, për shkak se në qeverisje qëndron një sekt abuziv dhe autokrat si sekti Rama. Pa e hequr qafe këtë sekt që ka 14 vite që ka kapur peng zhvillimin e vendit, potenciali ekonomik i Shqipërisë jo vetëm mbetet i pashfrytëzuar, por ekonomia jonë rrezikon të mbetet në një krizë permanente, pavarësisht rritjes ekonomike vjetore prej 3.5 përqind që nuk ngroh askënd tek ne.
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë

Dje, datë 29 shtator 2026, në Lekbibaj-Tropojë mora pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, nën kujdesin e veçantë të nënkryetarit të kësaj shoqate, avokatit të përkushtuar i kësaj kauze av. Gjelosh Progni, në kujtim të qëndresës antikomuniste të Nikaj-Mërturit dhe Malësisë së Gjakovës.
29 Shtatori përkujtohet nga populli i Tropojës dhe nga e gjithë Malësia e Gjakovës si një ditë e shënuar, në nderim të viktimave të diktaturës komuniste.
Më 29 shtator 1946, në prani të rreth dy mijë burrave të Nikaj-Mërturit, u ekzekutuan Fetë Sadiku dhe Ukë Çuni, dy malësorë të cilët u kthyen në simbole të qëndresës antikomuniste. Ekzekutimi i tyre ishte pjesë e përpjekjes së regjimit komunist për të nënshtruar një krahinë të tërë, të njohur për traditat, besën, patriotizmin dhe qëndresën e saj.
Gjatë ceremonisë u evokua qëndresa antikomuniste e 29 shtatorit 1946, si dhe kujtimi i 46 malësorëve trima që u përballën me regjimin komunist.
Duke falënderuar organizatorët, në fjalën time shpreha një veneracion të thellë për kujtimin e burrit të urtë, fisnikut, qëndrestarit në burgjet e komunizmit, malësorit të mençur, Rexhep Ukë Goxhit. Pas 10 viteve vuajtje dhe dënim në burgjet e komunizmit, në momentin që priste të lirohej, pasi nuk përfitoi nga një amnisti e rreme që organizonte regjimi në atë kohë, ai u vra pabesisht nga diktatura. U vra me një synim: për shkakun se nuk u thye, nuk u mposht në asnjë rrethanë përpara diktaturës komuniste. Nuk ishte një vrasje e thjeshtë. Ishte një vrasje nga regjimi i egër komunist që kishte filluar të përhapej egërsisht në ato vite.
Të burgosurit politikë që, në shumë raste, diktatura nuk arrinte t’i thyente, i godiste në forma të tilla edhe brenda burgjeve. Prandaj, ne përulemi me respekt përpara fisnikut dhe kujtimit të Rexhep Goxhit, duke i uruar suksese djalit të tij, Perlatit, dhe gjithë familjes së tij të nderuar, që të mbajnë lart emrin dhe kujtimin e babait.
Njëherazi, falënderova shoqatën për vlerësimin që i bën një heroi të gjallë, simbolit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri, tropojanit trim, demokratit e fisnikut, burrit të fortë, Haki Adem Hoxha.
Haki Adem Hoxha, së bashku me vëllezërit e tij, për dhjetëra vite ka rezistuar ndaj diktaturës komuniste dhe ka qëndruar me dinjitet në burgjet komuniste, me karakter të fortë dhe trimëri.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, shoqata vlerësoi: Fetë Sadik Gjonin– pas vdekjes; Ukë Çun Qehaja – pas vdekjes; Zef Mark Gjonpalin – pas vdekjes, dhe vëllezërit e tij, për qëndresën dhe luftën me armë kundër diktaturës komuniste në vitin 1946; Abdyl Qerim Mulosmanin – pas vdekjes; Rexhep Ukë Gocin – pas vdekjes, si dhe dy heronjtë e gjallë Shaqir Nuredin Gjocajn dhe Haki Adem Hoxhajn
Këta që ne nderojmë sot, malësorët trima të Nikaj-Mërturit, qëndrestarët në burgjet komuniste, zgjodhën të ishin me karakter të fortë.Zgjodhën të ishin qëndrestarë. Zgjodhën të ishin kurajozë dhe ballëlartë në raport me historinë. Dhe historia e Shqipërisë, jo vetëm historia e qëndresës antikomuniste, flet dhe do të flasë për ta.
Në atë memorial që kujton rezistencën antikomuniste të Nikaj-Mërtirajt, në atë pllakë të thjeshtë, janë qindra vite gjaku dhe sakrifice. Janë jetë të marra padrejtësisht nga diktatura gjakatare komuniste.
Është një qëndresë që na bën të gjithëve krenarë, nga Konispoli deri në Preshevë, sepse është pjesë e historisë sonë, e kujtesës sonë dhe e dinjitetit të kombit shqiptar. Kujtimi i tyre është detyrim për ne dhe për brezat që vijnë.
Ky 80-vjetor është një datë para së cilës jo thjesht duhet të përulemi me respekt, por duhet t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes sonë. Duhet t’i bëjmë thirrje gjithë politikës shqiptare. Duhet të punojmë fort me të rinjtë, që të kujtojmë për të mos harruar.
Nuk ndërtohet demokracia mbështetur mbi harresën. Demokracia ndërtohet dhe forcohet vetëm mbi kujtesën dhe, veçanërisht, mbi kujtesën e qëndresës antikomuniste të atyre heronjve të viteve ’44, ’45, ’46, por edhe të viteve ’70, ’80 dhe ’90.
Është pikërisht kjo kujtesë ajo që forcon shtatin e kombit shqiptar; një komb i cili tashmë po zhvillohet dhe forcohet në dy shtetet e pavarura, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe që gjithmonë kanë një objektiv strategjik të përbashkët.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, z. Et’hem Fezollari; nënkryetari i shoqatës, av. Gjovalin Progni; deputetja znj. Marjana Koçeku; kryetari i degës së Shoqatës për Tropojën, z. Shpend Mulosmani; heroi i gjallë i qëndresës antikomuniste Haki Adem Hoxhaj; përfaqësuesi i familjarëve të ish-të përndjekurve politikë, z. Gjin Gjoni, ushtarak i lartë i Policisë, tashmë në pension dhe nipi i të pushkatuarit pa gjyq, Fet Sadik Gjoni; ish-i përndjekuri politik, z. Perlat Goxhaj; kryetari i degës së Shoqatës për Librazhdin z. Bujar Vreto; znj. Lina Guri, mbesa e një të pushkatuari pa gjyq dhe drejtoreshë e Shkollës së Mesme “Karl Gega” në Lezhë; z. Selami Zalli, Drejtor i Përgjithshëm i AIDSSH-së; z. Besard Ndoja, Kryetar i Njësisë Administrative Lekbibaj; si dhe drejtuesit e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, z. Skënder Vrioni, z. Gjergj Marku dhe z. Altin Hoxha.
𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗳𝗹𝗲𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗹𝗮𝗴𝗲𝘁 𝗾𝗲 𝗶𝗮 𝗸𝗮 𝗯𝗲𝗿𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝘀 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲!

𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗳𝗹𝗲𝘁 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗹𝗮𝗴𝗲𝘁 𝗾𝗲 𝗶𝗮 𝗸𝗮 𝗯𝗲𝗿𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝘀 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲!

Pas 13 vitesh në pushtet, kryetari i sektit në pushtet foli sot për tri plagë të administratës dhe të shtetit shqiptar: administratën labirint, mungesën e memories institucionale dhe bindjen se njohja vlen më shumë se merita.
Nëse këto janë vërtet tri plagët kryesore të administratës publike shqiptare sot, atëherë pyetja e pashmangshme është: Kush e ndërtoi këtë administratë gjatë 13 viteve të qeverisjes së sektit Rama?
Tre plagët nuk janë probleme që kanë lindur dje. Nuk janë dukuri të trashëguara nga një qeverisje e para 13 vitesh. Janë plagë që vetë kryeministri dhe sekti i tij ia kanë infliktuar administratës publike, pas një periudhe të gjatë qeverisjeje.
Rama pranoi se administrata publike është shndërruar në një labirint për qytetarin. Por një labirint nuk krijohet vetvetiu. Ai krijohet nga rregulla të komplikuara qëllimisht, për tբ nxitur zhvatjen dhe korrupsionin. Labirinti krijohet nga procedura të mbivendosura, institucione që qëllimisht nuk komunikojnë hapur dhe si duhet me njëri-tjetrin, për ta rrjepur pulën-qytetar seicili në grazhdin e vet. Labirinti është krijim i një antikulture administrative, ku qytetarit i del përpara patronazhisti-përfaqësues institucioni, për fitim pikësh zgjedhore për marrjen e votës, ndryshe qytetari mund të vazhdojë të endet si beduini në shkretëtirë, për të gjetur zyrën që duhet t’i zgjidhë problemin.
Plaga e dytë e pranuar nga Rama është mungesa e memories institucionale. Dhe përsëri pyetja politike është e thjeshtë: Pas 13 vitesh në qeverisje, pse administrata publike ende nuk e ka fituar këtë kujtesë institucionale?
Një qeveri që pretendon se ka investuar fuqishëm në teknologji (me skandale si Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, & co., parku teknologjik Durana, etj.), duhej ta kishte shndërruar digjitalizimin jo vetëm në një mënyrë për të ofruar shërbime online, por edhe në një mekanizëm për të krijuar memorien elektronike të shtetit. Pse sekti Rama nuk e ka bërë ende, edhe pse për digjitalizimin në 10 vitet e fundit janë shpenzuar me qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve?!
“Lideri Global” përmendi sot edhe plagën e tretë: në kët shtet të sektit të tij “Njohja vlen më shumë se merita”. Lind pyetja: është thjesht dhe vetëm plagë, apo aktakuzë për veten dhe sektin tënd?!
Kjo është një plagë që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te shteti. Nëse një i ri me arsim, aftësi dhe rezultate beson se për të hyrë apo avancuar në administratë duhet të ketë lidhje politike, familjare apo personale, atëherë sistemi i meritës është në krizë. Dhe patronazhistët e Ramës dhe sektit të tij në pushtet janë fytyra dhe shkaku i kësaj krize të thellë besimi.
Në këta 13 vite, Rama dhe sekti i tij nuk kanë punësuar askënd që nuk ka “njohje”, por ka meritë. Dhe këtë e dinë mirë me mijëra të rinj të shkolluar në Perëndim, që aplikuan për punësim në atdheun e tyre dhe gjetën vetëm indiferencë dhe injorim nga Rama dhe sekti i tij në pushtet.
Rama ka krijuar një raport përmbys të shtetit me qytetarin, pasi e ka vënë këtë të fundit në shërbim të korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga sekti i tij.
Në fjalimin e Ramës kishte edhe një tjetër mesazh: “radari digjital” për mediat. Një kërcënim i ndyrë i tij, për të frikësuar mediat dhe portalet kritike ndaj bëmave të sektit që drejton. Me “radarin digjital” të qeverisë, Rama sinjalizoi krijimin e një radari politik, e një mekanizmi shumë më të fuqishëm dhe diabolik monitorimi të hapësirës mediatike dhe digjitale.
Mirëpo, ku mbaron monitorimi legjitim i informacionit të rremë dhe ku fillon presioni mbi median? Rama këtë nuk do që ta thotë, pasi kërkon dorë të lirë për të intimiduar mediat e pavarura dhe kritike ndaj sektit të tij.
Rama harron se në një demokraci, media duhet të monitorojë qeverinë, dhe jo qeveria të kontrollojë median. Ai është mbrapa me kohën. Në fakt, koha e tij sorosiane ka mbaruar.
𝗠𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗞𝗔𝗬𝗢

𝗠𝗮𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗞𝗔𝗬𝗢

Në tetor 1978, Kominati mekanik i Autoktraktorëve në Tiranë prodhoi traktorin e parë shqiptar tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe. Praktikisht bëri montimin të të gjitha pjesëve të traktorit kinez, të ardhura nga shteti i largët. Propoganda komuniste e shiti si prodhim real traktori, për t’i treguar botës se Shqipëria e vogël dinte të bënte gjëra të mëdha. Madje kryeministri i dikaturës Mehmet Shehu e ngau vetë për pak metra këtë traktor të montuar në uzinën në Tiranë.
1. Makina tregtare të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara
Pothuajse 48 vite më vonë, më 31 korrik 2026, Rama përuron me pompozitet dhe e deklaron “ditë historike” për ushtrinë një mashtrim të shëmtuar e të paturp.
I deklaron dhe i shet si “makina ushtarake të standardeve të NATO-s” të 37 mjetet ushtarake të quajtura “Ujku” dhe 3 kamionë vetëshkarkues të quajtur “Shkëmbi”, gjoja të prodhuar nga kompania “Timak Defense”, një strukturë në 20 përqind pronësi të KAYO-s korruptive të ushtrisë sonë dhe 80 përqind pronësi të kompanisë private “Timak” që monton pjesë alumini në automjete tregtare.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se standardi minimal i NATO-s (standardi “STANAG 4569”, niveli 1), ofron mbrojtje nga zjarri i armëve të lehta, plumba të kalibrit të vogël, granatat e dorës dhe copat e predhave të pashpërthyera.
Të 37 makinat “Ujku” që “Timak Defense” i ka shitur ushtrisë shqiptare në korrik 2026 jane makina fuoristradë tregtare “Toyota LandCruiser 76”, të lyera me bojë ushtarake dhe me grila dritaresh të shtuara.
Toyotat që ka blerë ushtria shqiptare nga Timak nuk ofrojnë mbrojtje ndaj asnjë lloj arme zjarri. Madje as edhe nga armët më të lehta dhe me kalibra më të vegjël. Ndryshe nga sa gënjen dhe mashtron Rama, makinat “Ujku”, në aspektin e mbrojtjes së personelit, nuk përmbushin as edhe standardin më të ulët të NATO-s.
Këto makina mund të adaptohen për të ofruar mbrojtje ndaj personelit, madje për të arritur nivelin 1 të standardit të NATO-s (STANAG 4569), por kjo do të kërkonte që ato të modifikoheshin me xhama antiplumb dhe karroceri të blinduar. Timak nuk ka bërë modifikime të tilla.
Çfarë ajo ka shtuar makinave Toyota është lyerja me bojën tipike të kamuflazhit ushtarak, për t’u dhënë pamje ushtarake, montimi i grilave metalike në xhamat anësorë, si dhe një skarë/shinë në çatinë e tyre për të mbajtur pajisje. Si dhe ka zëvendësuar logon e Toyotës me logon e Timak Defense.
Nuk dimë se sa i ka kushtuar buxhetit të Shtetit blerja e një makine fuoristradë tregtare, me shtesat-paçaure të mësipërme, në krahasim me çmimin tregtar te automjeteve Toyota LandCruiser 76.
Dhe këto “shtesa” thelbësore, Rama i shet si prodhim automjetesh ushtarake të ushtrisë shqiptare! Të paktën Mehmet Shehu e montoi krejt në Uzinën e Autotraktorëve traktorin kinez tip DT-54! Kryeministri i diktaturës ishte, në këtë propagandë shterpë, më origjinal se kryeministri ynë i sotëm!
II. KAYO: strkturë korruptive e rrezikshme, me në krye një figurë të errët
Struktura ushtarake KAYO, prodhim i fundit i korrupsionit inovativ Rama, administron prokurimet, mirëmbajtjen dhe logjistikën e pajisjeve ushtarake të vendit, duke përfshirë armatime, mjete, municione dhe shërbime ushtarake.
Kjo e bën atë një nga nyjet më kritike të sistemit tonë të mbrojtjes. Çdo devijim nga ligji në këtë strukturë cënon gatishmërinë luftarake të ushtrisë, sigurinë e personelit ushtarak dhe besueshmërinë e Shqipërisë ndaj NATO-s.
Autokrati Rama, me figurën e errët Ard Veliu, që në krye të policisë sonë ka një përvojë negative dhe tregues tejet negativë performance, ka gjetur “shesh për të bërë përshesh” në mbrojtjen tonë dhe në industrinë tonë ushtarake.
Në korrik të vitit 2025, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Për shumë muaj ky nënshkrim u pa thjesht si një marrëveshje normale midis dy qeverive, për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Vetëm në fillim të këtij viti, u zbulua se marrëveshja nuk ishte një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh, i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”. Të hetuar nga NATO për tendera të trukuar.
Në këtë biznes gërshetohet deliri i madhështisë së “Liderit Global”, Ramës, me korrupsionin galopant të sektit të tij, përmes Ard Veliut dhe KAYO-s, si dhe me mungesën e thekshme të përvojës në këtë fushë.
Denoncimet mediatike kanë ngritur pikëpyetje serioze për tendera të paracaktuar, ku fituesit duken të njohur para hapjes së procedurave, për mbivlerësim të pajisjeve ushtarake, shpesh me cilësi të ulët, për marrëveshje të mbyllura pa transparencë, nën justifikimin e “sekretit ushtarak” dhe konflikt të hapur interesi midis zyrtarëve të KAYO-s dhe kompanive private të huaja të furnizimit, sikurse është kompania “ES”.
Burime mediatike të huaja dhe vendase cilësojnë se qeveria shqiptare po shqyrton një skemë të ngjashme me atë të projektit “Smart City”, për të financuar faturën e rëndë që Shqipëria do t’i paguajë kompanisë private të huaj. Sipas këtyre burimeve, kompania e huaj do t’i gjejë vetë fondet me hua bankare, ndërsa Shqipëria do të garantojë kredinë e kompanisë me garanci sovrane shtetërore! Më tej, do të marrë përsipër shlyerjen e saj, duke përfshirë dhe interesat e majmë, për një kompani që sot po hetohet nga NATO për korrupsion me Agjencinë e tenderimeve të vetë NATO’s!!
Në allishverishet e Ramës me mbrojtjen shqiptare nuk hyn vetëm kompania private izraelite “ES”. Rama e ka edhe një “kumbar” tjetër ushtarak, sipërmarrësin shqiptaro-izraelit Ron Yeffet.
Biznesmeni me origjinë izraelite, me kompani të hapura në Shqipëri me kapital 100 lekë, më 17 qershor 2025, vetëm gjashtë ditë pasi sekti Rama, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 322, hapi rrugën për bashkëpunimin e KAYO me kompani private në industrinë ushtarake, bleu brenda kësaj dite 49% të “TIMAK”, një shoqëri që gjatë vitit 2024 kishte deklaruar rreth 518 milionë lekë xhiro dhe 135.8 milionë lekë fitim para tatimit, për vetëm 49 mijë lekë. Po brenda kësaj dite, bleu edhe 49% të “TIMAK Special Vehicles”, përsëri për 49 mijë lekë, ndërkohë kur kjo kompani kishte realizuar gjatë vitit 2024 rreth 151.6 milionë lekë xhiro.! Menjëherë më pas, shteti ynë uli pjesën e vet nga 45%, në 20%, në kompaninë e përbashkët “TIMAK Defense” dhe KAYO derdhi 2.58 miliardë lekë ose 29 milionë euro tek “TIMAK Defence”.
Këto praktika të errta të Veliut me shokë, nën bekimin e Ramës, përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por tradhti institucionale ndaj misionit të ushtrisë sonë! Korrupsioni në ushtri nuk matet vetëm me dhjetra miliona euro të humbura, por me pajisje jofunksionale në situata emergjente, me mungesë municionesh ose logjistike në momente kritike, me ulje të moralit të efektivëve dhe me humbje besimi nga aleatët tanë strategjikë.
III. KAYO: bankomat i Ramës dhe turp i Shtetit tonë!
Nëse korrupsioni në rrugë, shkolla apo spitale është krim ndaj qytetarëve, korrupsioni në ushtri është krim ndaj vetë Shtetit. Në emër të sigurisë kombëtare janë nënshkruar kontrata pa garë reale, me kompani me lidhje të drejtpërdrejta politike. Kjo nuk është keqmenaxhim, por skemë e organizuar vjedhjeje.
Nën flamurin e “sekretit ushtarak”, KAYO është shndërruar në një bankomat për klientelën politike të Ramës dhe të sektit të tij, ku tenderët shpërndahen, çmimet fryhen dhe cilësia sakrifikohet.
Sekreti ushtarak nuk është licencë për korrupsion! Ai nuk mund të përdoret për t’i mbyllur gojën medias dhe opinionit publik, për të shmangur auditin dhe për të fshehur kontrata të dyshimta.
Shqipëria është anëtare e NATO-s, por paçavuret e “prodhimeve ushtarake” të Timak Defense dhe korrupsioni i KAYO-s me kompaninë private izraelite “ES”, na shndërron në një republikë bananesh. Aleatët tanë kërkojnë transparencë, integritet dhe llogaridhënie. Çfarë marrin? Heshtje, mjegull dhe arrogancë zyrtare.
Çfarë mesazhi u dërgojmë partnerëve strategjikë, kur pajisjet ushtarake mund të rezultojnë pa standardet minimale të mbrojtjes së personelit të NATO-s, të amortizuara, me kontrata të fryra dhe me përgjegjësit të paprekshëm?
xxx
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria matet jo vetëm për buxhetin e mbrojtjes, por për integritetin e strukturave të saj. Çdo aferë korruptive e KAYO-s dëmton reputacionin ndërkombëtar të vendit, ndërkohë që goditjen më të madhe e ndiejnë ata që mbajnë uniformën çdo ditë.
KAYO nuk është thjesht një strukturë ushtarake nevralgjike– është testi i fundit i seriozitetit të shtetit tonë. Ose luftojmë korrupsionin edhe aty ku është më i rrezikshëm, ose pranojmë se ushtria është kthyer në plaçkë politike. Dhe një shtet që lejon vjedhjen në ushtri, ka hequr dorë nga vetëmbrojtja.
𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮- 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁 𝗮𝗽𝗼 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶- 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶?

𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮- 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁 𝗮𝗽𝗼 𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶- 𝗽𝗮𝗿𝘁𝗶?

Një pyetje duhet t’ia bëjmë vetes vazhdimisht: “A është partia në shërbim të shtetit, apo shteti është vënë në shërbim të partisë?”
Në dukje, përgjigjja është e thjeshtë. Partia fiton zgjedhjet, qeveris për një mandat dhe, herët a vonë, ia dorëzon pushtetin qytetarëve përmes zgjedhjeve të tjera. Në fakt, ngërçi fillon atëherë kur partia nuk e sheh më shtetin si institucion që duhet administruar, por si pronë që duhet kontrolluar.
Është çasti kur ka lindur partia- shtet.
Një fazë tjetër është shteti- parti. Nuk është më vetëm partia që kontrollon institucionet; është vetë aparati shtetëror që fillon të sillet si një strukturë partiake. Administrata, e cila nuk është në interes e shërbim të qytetarit, por të pushtetit.
Në këtë moment, kufiri midis partisë dhe shtetit zhduket.
Administrata publike kthehet në instrument elektoral. Emërimet janë në shpërblime politike. Institucionet humbasin pavarësinë, paratë publike trajtohen si kapital politik, ndësra projektet publike shiten si suksese të partisë. ndërsa qytetari që ka votuar shndërrohet në klient të pushtetit.
Në këtë çast partia mendon se pa të nuk funksionon shteti, duke rrezikuar kështu demokracinë funksionale.
Partia, më saktë sekti, ka kapur shtetin, shteti dhe qytetarët i janë nënshtruar partisë, më saktë sektit.
Aktualisht në Shqipëri sekti ka kapur shtetin, shteti prodhon pushtetin, pushteti financon sektin. Dhe anasjelltas. Sekti synon pushtetin dhe shtetin ia nënshtron sektit.
Fatkeqësisht Shqipëria demokracinë e ka në rrezik, sepse shteti është ngjyrosur lejla, si ngjyra e sektit të rilindjes. Policia, po ashtu është tejet e politizuar. Edhe shkolla. Edhe drejtësia synohet të nënshtrohet ndaj sektit rilindas. Administrata po ashtu lejla si ngjyrat e sektit famëkeq, ndërkohë që institucionet që duhet t’i shërbejnë qytetarit edhe kur qeveria është kundërshtari i tyre politik, janë kundër qytetarit dhe në shërbim të partisë.
Për sektin Rama partia është më e madhe se shteti, partia është më e dashur se Shqipëria e shqiptarët.
Sekti Rama qëllimisht nuk kupton mësimin më elementar të demokracisë. Mësimin se partitë lindin e vdesin, kulmojnë e degradojnë; qeveritë ndryshojnë; kryeministrat largohen dhe deputetët zëvendësohen. Ajo që duhet të mbetet është atdheu dhe shteti ligjor demokratik e funksional.
Kolegët deputetë duhet të ndërgjegjësohen se demokracia e vërtetë nuk matet vetëm me numrin e votave që merr një parti, por me mënyrën se si sillet ajo pasi i merr votat.
Nëse fituesi i zgjedhjeve përdor shumicën për të forcuar institucionet, kemi demokraci.
Nëse përdor institucionet për të forcuar partinë, kemi deformim dhe shpërfytyrim të demokracisë.
Dhe kur qytetari nuk arrin më të dallojë se ku mbaron partia dhe ku fillon shteti, demokracia ka rënë.
Por shteti, ashtu si atdheu, është më i vjetër se qeveria dhe duhet të jetë më jetëgjatë se çdo parti.
𝗥𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗕𝗲𝗸𝘁𝗮𝘀𝗵𝗶. 𝗕𝗮𝗯𝗮 𝗠𝗼𝗻𝗱𝗶, 𝗷𝗼 𝘃𝗲𝗴𝗲𝗹 𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀!

𝗥𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗕𝗲𝗸𝘁𝗮𝘀𝗵𝗶. 𝗕𝗮𝗯𝗮 𝗠𝗼𝗻𝗱𝗶, 𝗷𝗼 𝘃𝗲𝗴𝗲𝗹 𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗲𝘀!

Hedhja e idesë një vit më parë nga Rama për mundësinë e krijimit të një entiteti të veçantë, Shtet për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë ka përmasa reale rrezikshmërie për harmoninë tonë fetare dhe unitetin shtetëror. Trajtimi këto ditë i kësaj teme nga një i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump në Tiranë, i jep dimensione tejet shqetësuese kësaj tradhtie kombëtare nga Rama.
Dy mendje publike kurajoze tek ne, si intelektuali i njohur, doktor Milaim Nelaj dhe avokati Spartak Ngjela e kanë parë me qartësi dhe e kanë denoncuar fort në tre ditët e fundit këtë rrezikshmëri.
Shqipëria është një republikë parlamentare, e organizuar mbi parimin e shtetit unitar dhe të pandashëm. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon krijimin e entiteteve sovrane mbi baza fetare, etnike apo komunitare. Për këtë arsye, çdo ide që do të synonte krijimin e një njësie me atributet e një shteti brenda territorit shqiptar, do të kërkonte ndryshime të thella kushtetuese dhe do të hapte një debat të rrezikshëm e tejet të ndjeshëm për natyrën e shtetit shqiptar.
Një nga asetet më të çmuara të Shqipërisë është harmonia fetare. Myslimanë sunitë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë, duke ndërtuar një model të rrallë tolerance, i cili shpesh përmendet si shembull pozitiv në botë. Ky model është mbështetur pikërisht mbi parimin e barazisë së komuniteteve fetare përpara ligjit dhe mbi mungesën e privilegjeve politike apo territoriale për seicilin prej tyre.
Një Shtet Bektashi në Tiranë, si një entitet me status të veçantë, do të krijojë menjëhere perceptimin e trajtimeve të diferencuara mes komuniteteve fetare. Një precedent i tillë do të nxiste diskutime dhe projekte të ngjashme nga grupe apo komunitete të tjera, si për shembull komuniteti ortodoks në Jug të vendit, duke sjellë debate të panevojshme mbi autonominë, statuset speciale apo ndarjet territoriale.
Këto debate dhe ndasi nuk kanë qenë kurrë pjesë e traditës shtetformuese shqiptare. Ne jetojmë në Ballkan. Dhe në Ballkan, çështjet që lidhen me territoret, identitetet fetare dhe komunitetet kanë qenë historikisht burim tensionesh.
Për këtë arsye, çdo model që lidh sovranitetin me përkatësinë fetare do të interpretohet nga aktorë të ndryshëm në rajon si një precedent politik. Një shtet Bektashi në Shqipëri do t’i jepte shkas Kishës dhe komunitetit serb në Kosovë të kërkonin shtetin e tyre ngjashëm me atë të Baba Mondit në Tiranë!
Prandaj Baba Mondi, mos u mashtro nga Rama! Bektashinjtë kanë një rol të rëndësishëm në historinë kombëtare shqiptare. Ata kanë kontribuar në Rilindjen Kombëtare, në përhapjen e gjuhës shqipe dhe në forcimin e identitetit kombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo diskutim mbi statusin e institucioneve të tyre duhet të mbështetet mbi respektin ndaj këtij kontributi dhe mbi parimet kushtetuese që garantojnë barazinë e të gjitha komuniteteve.
Debati për një status të veçantë të Kryegjyshatës Bektashiane, por jo për një shtet të mirëfilltë të saj në Tiranë, duhet të zhvillohet në frymën e dialogut, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës sonë dhe të harmonisë fetare që kemi arritur.
Përmes shekujsh tashmë, ne kemi ndërtuar një model unik të bashkëjetesës fetare dhe ky model mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit.
Sot këtë rrezikshmëri të Shtetit Bektashi në Tiranë duhet ta denoncojnë të gjithë intelektualët dhe figurat me peshë publike, të gjithë patriotët që u dhimbset të qenit unik të shtetit shqiptar dhe jo lodër e pazareve të ndyra të Ramës! Edhe gazetarët me peshë në opinionin tonë publik duhet ta thonë të tyren.
NE të gjithë duhet ta ruajmë si sytë e ballit asetin themelor të Shqipërisë, si shtet laik dhe i pandashëm. Nuk mund dhe nuk duhet t’i hapim derën krijimit të një shteti fetar brenda trupit të saj, pavarësisht nga kontributi i jashtëzakonshëm në historinë tonë i komunitetit bektashi.
Baba Mondi nuk duhet të kthehet në vegël të Ramës!
Bektashizmi ka qenë dhe do të mbetet shtylla e shqiptarisë. Bektashinjtë nuk mund të përdoren nga segmente sioniste, kushdo qofshin ato! Bektashizmi nuk mund kurrsesi të shërbejë si Kalë Troje për Shqipërinë, për stabilitetin rajonal e më gjerë, apo të provokojë aleancat e saj strategjike me Perëndimin dhe me Turqinë.
Bektashizmi është fe shpirtërore , besim i pastër dhe i ndershëm. Baba Mondi, mos u bëj vegël e Ramës. Mos e kalo Shtetin Bektashi në Tiranë, këtë projekt të Shkatërruesit të Shqipërisë, njëlloj si ky vetë ka kaluar projektet korruptive KAYO, AKSHI, inceneratorët, PPP-të dhe të gjitha aktet e tjera korruptive të sektit Rama.
𝗙𝘀𝗵𝗮𝘁𝗶 𝗠𝘂𝗿𝘀𝗶, 𝘀𝗶𝗺𝗯𝗼𝗹 𝗶 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗲𝘀𝗲𝘀 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲

𝗙𝘀𝗵𝗮𝘁𝗶 𝗠𝘂𝗿𝘀𝗶, 𝘀𝗶𝗺𝗯𝗼𝗹 𝗶 𝗾𝗲𝗻𝗱𝗿𝗲𝘀𝗲𝘀 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘀𝘁𝗲

Dje, më 20 shtator 2026, mora pjesë në përkujtimoren solemne në fshatin Mursi, Konispol, e organizuar nga dega e Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dega Konispol, kushtuar qëndrestarëve antikomunist të fshatit Mursi.
U përulëm me nderim dhe vendosëm kurora me lule përpara memorialit në fshatin Mursi, kushtuar heronjve të qëndresës antikomuniste, atyre që humbën jetën dhe atyre që rezistuan në burgjet e komunizmit.
Ky memorial, i ndërtuar nga vetë banorët e fshatit Mursi, këtë vit shënon 18-vjetorin e vendosjes së tij.
Organizatorët e këtij aktiviteti përkujtimor ishin z. Kristo Gogo, z. Loli Gërbura dhe z. Petrit Ali Mulla, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë Konispol dhe Mursi.
Në fjalën time theksova rëndësinë e kujtesës historike, sepse një demokraci pa kujtesë është e destinuar të shuhet. Kujtesa është veçanërisht thelbësore kur bëhet fjalë për nderimin e heronjve antikomunistë dhe, në këtë kontekst, fshati Mursi qëndron si një simbol i gjallë i qëndresës kundër diktaturës dhe i luftës për liri e demokraci.
Ky fshat mbetet një simbol i sakrificës dhe rezistencës, i cili për më shumë se pesë dekada e pagoi qëndresën e tij me dhjetëra të burgosur, të pushkatuar dhe të internuar nga regjimi komunist.
Gjithashtu, solla në vëmendje vlerat e jashtëzakonshme të fshatit Mursi, rolin e tij të spikatur në qëndresën antikomuniste dhe kontributin e paharrueshëm në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë.
Propozova gjithashtu ngritjen e një muzeu kushtuar ish-të përndjekurve të këtij fshati, për realizimin e të cilit duhet të punojmë të gjithë së bashku.
Në këtë përkujtimore, nderimi iu dha emrave të atyre që dhanë jetën dhe vuajtën përndjekjen e regjimit komunist.
Fshati Mursi, gjatë periudhës së diktaturës, u bë një prej epiqendrave të qëndresës antikomuniste.
Me 32 burra dhe gra të burgosur politikë, 27 familje të internuara dhe 43 individë të arratisur jashtë vendit, Mursia vuajti përtej çdo kufiri të mundshëm.
Ky ishte një fshat që nuk u dorëzua, nuk u përkul para dhunës dhe persekutimit të regjimit komunist.
Me 1200 vite burg, internime dhe vuajtje, fshati Mursi qëndroi i fortë dhe i patundur. Ai ishte një simbol i heronjve antikomunistë, një fshat që nuk pranoi kurrë t’i dorëzohej diktaturës.
Memoriali në Mursi shënon emrat e martirëve nga ky fshat, të vrarë apo që humbën jetën nëpër burgje e internime:
1.Vasil Dhimo Gjika – i vrarë në kufi.
2.Sotir Nikolla Konomi – i vdekur në burg politik.
3.Kostandin Petro Vaso – i vdekur në burg politik.
4.Vasil Koço Mello – i vdekur në burg politik.
5.Thoma Jani Koloj – i vdekur në burg politik.
6.Vangjel Anastas Dhjamanti – i vdekur në burg politik.
7.Sotir Theodhori Taho – i vdekur në burg politik.
8.Jani Koço Danga – i vdekur në burg politik.
9.Vangjel Dhimo Gjika – i vdekur në internim.
10.Katerina Lole Çifteli – e vdekur në internim.
Ky memorial qëndron si një dëshmi e guximit të një populli të thjeshtë, por të fortë, që përballoi mizorinë e regjimit pa u thyer.
Qëndresa antikomuniste e Mursit nuk është thjesht një element i historisë lokale, por është pjesë e një tradite më të gjerë të qëndresës shqiptare ndaj regjimit komunist.
Nga fshati Mursi, 32 burra dhe gra u burgosën politikisht. Sot, memorialit iu shtuan edhe kujtimet për kulakët e Mursisë dhe të arratisurit, por mbi të gjitha edhe për Pilo Ajazin, vetëm 17 vjeç.
Të gjitha këto shifra e kishin kthyer fshatin Mursi në një fshat të goditur rëndë nga regjimi mizor i Enver Hoxhës.
Djem e vajza të reja humbën rininë në burgjet dhe internimet, në kampet e regjimit dhe pas telave me gjemba, një sistem që sakatoi shqiptarët.
Në këtë përkujtimore nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe heroi i gjallë, z. Bedri Blloshmi, i cili mbajti fjalën në këtë aktivitet, ku theksoi rëndësinë e kujtesës së qëndresës antikomuniste.
Të pranishëm ishin gjithashtu: z. Arben Dosti, nënkryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, nga Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politikë; z. Ergest Dule, kryetar i Bashkisë Konispol; znj. Matilda Qurku, kryetare e Partisë Demokratike të Sarandës; z. Farudin Lame, kryetar i Partisë Demokratike, Dega Konispol; z. Gjergji Mano, drejtues i Shoqatës “Vllazëria Mursiote”; z. Altin Hoxha, nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; z. Andrea Baxheri, inxhinier dhe anëtar i Kryesisë së PD-së Sarandë.
Në fjalën e tij z.Kristo Gogo solli në vëmendje çaste nga vuajtjet e babait të tij, Kozma Gogo, në ferrin komunist.
Përshëndeti gjithashtu z. Gjergji Mano, në emër të Shoqatës “Vllazëria Mursiote” si dhe mbajtën fjalën kryetari i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe organizatori i kësaj përkujtimore,z. Petrit Mullai, dhe kryetari i Bashkisë Konispol, z. Ergest Dule.
Pas kësaj ceremonie përkujtimore, aktiviteti vazhdoi me biseda me familjarë të familjeve të persekutuara nga regjimi komunist, të cilët ishin të pranishëm në këtë përkujtimore.
Së bashku me organizatorët diskutuam edhe për krijimin e Muzeut të Qëndresës Antikomuniste të Mursisë, një ide që duhet ta kthejmë në realitet, në mënyrë që historia, sakrifica dhe vuajtjet e këtyre familjeve të mos harrohen kurrë.
Të pranishmëve dhe organizatorëve u dhurova gjithashtu libra simbol të letërsisë së burgut: Gjuetia e pëllumbave, Muzat e qëndresës, Rrëfime nga ferri komunist dhe Tragjedia e inteligjencës së naftës.
Memoriali i Mursit nuk është vetëm një monument fizikë. Ai është një dëshmi e kujtesës, e sakrificës dhe e qëndresës së njerëzve që vuajtën, luftuan dhe humbën jetën përballë diktaturës. Kjo kujtesë duhet të ruhet dhe t’u përcillet në veçanti të rinjve.