𝗗𝗔𝗦𝗛: 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲𝗿𝗶𝗮, 𝗲 𝘇𝗵𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗸𝗿𝗶𝗺 𝘁𝗲 𝗼𝗿𝗴𝗮𝗻𝗶𝘇𝘂𝗮𝗿 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻

𝗗𝗔𝗦𝗛: 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲𝗿𝗶𝗮, 𝗲 𝘇𝗵𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗸𝗿𝗶𝗺 𝘁𝗲 𝗼𝗿𝗴𝗮𝗻𝗶𝘇𝘂𝗮𝗿 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻

Dje doli Raporti i Sigurisë për Shqipërinë 2026 (https://www.osac.gov/…/57be200a-2e4d-4e03-89d1… ), i publikuar nga Këshilli Konsultativ i Sigurisë së Jashtme (Overseas Security Advisory Council, OSAC), një strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila harton vlerësime të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit.
Raporti cilëson se protestat kundër projekteve të planifikuara të resorteve turistike në Sazan dhe Zvërnec nisën si demonstrata me karakter mjedisor, por më pas morën përmasa kombëtare dhe u shndërruan në protesta kundër korrupsionit qeveritar. Raporti e përfshin protestën qytetare në analizën e tij mbi stabilitetin politik dhe sigurinë në Shqipëri, duke e cilësuar si një nga ngjarjet më domethënëse të vitit 2026.
Ai evidenton se kërcënimi kryesor për vizitorët në Shqipëri vazhdon të jetë kriminaliteti. Sipas OSAC, kriminaliteti u rrit me rreth 17% gjatë vitit 2025, me ndikimin më të madh nga krimet e lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale që përfshijnë armët. Raporti thekson se Shqipëria vazhdon të ketë një prani të konsiderueshme të krimit të organizuar. Dokumenti përshkruan ekzistencën e rrjeteve kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, trafikim qeniesh njerëzore, zhvatje, prostitucion dhe korrupsion.
Raporti vlerëson se korrupsioni në administratë, drejtësi dhe prokurime publike, mungesa e transparencës, si edhe ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike, vazhdojnë të konsiderohen pengesa serioze për forcimin e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria ka një kuadër ligjor të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar konfliktin e interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, investitorët e huaj përmendin korrupsionin, duke përfshirë atë në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri”, theksohet në Raport.
Sipas DASH, një administratë publike e ekspozuar ndaj korrupsionit cenon cilësinë e shërbimeve publike dhe ul besimin e qytetarëve tek institucionet. Kur procedurat administrative nuk perceptohen si të paanshme dhe transparente, rritet perceptimi për trajtim të pabarabartë dhe dobësohet autoriteti i shtetit.
Raporti cilëson se pandëshkueshmëria në Shqipëri mbetet një problem serioz. “Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është në rritje. Megjithatë”,-vëren Raporti”, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ende janë në gjendje t’i shmangen ndjekjes penale”.
DASH thekson se çdo shqetësim lidhur me integritetin e sistemit të drejtësisë ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi sigurinë juridike. Investitorët vendas dhe të huaj kërkojnë një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe të parashikueshëm, ku mosmarrëveshjet të zgjidhen mbi bazën e ligjit, dhe jo të ndikimeve të jashtme.
Një aspekt tjetër që trajton Raporti është ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike mbi institucionet publike. “Kur krijohet perceptimi se vendimmarrja mund të ndikohet nga grupe interesi, dobësohet konkurrenca e ndershme në ekonomi dhe vihet në diskutim barazia para ligjit”, shprehet Raporti.
Vlerësime si ky i OSAC të Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk duhen parë vetëm si një analizë mbi klimën e sigurisë apo të biznesit në Shqipëri, por edhe si një tregues i fortë perceptimit ndërkombëtar mbi praninë alarmante të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të përhapur shtetëror në Shqipëri, të nxitura dhe mbrojtura nga keqqeverisja e sektit Rama në pushtet.
𝗠𝗮𝗿𝗿𝗲𝘃𝗲𝘀𝗵𝗷𝗮 𝘂𝘀𝗵𝘁𝗮𝗿𝗮𝗸𝗲 𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗕𝗔-𝘁𝗲: 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺 𝗻𝗲 𝘀𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲

𝗠𝗮𝗿𝗿𝗲𝘃𝗲𝘀𝗵𝗷𝗮 𝘂𝘀𝗵𝘁𝗮𝗿𝗮𝗸𝗲 𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗕𝗔-𝘁𝗲: 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺 𝗻𝗲 𝘀𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲

Marrëveshja e huasë direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (Defense Security Cooperation Agency – DSCA), në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF), me një vlerë totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë, përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të kapaciteteve të mbrojtjes të Shqipërisë.
Marrëveshja nuk ka rëndësi vetëm për vlerën financiare që mbart, por edhe për ndikimin e saj në forcimin e kapaciteteve ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë me aleatët e NATO-s dhe konsolidimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
I. Një investim në sigurinë kombëtare
Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009 dhe ka detyrimin të zhvillojë vazhdimisht kapacitetet e saj mbrojtëse sipas standardeve të Aleancës.
Në këtë kuadër, investimet në mjete dhe pajisje moderne nuk janë vetëm një zgjedhje politike, por edhe pjesë e angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
Një financim i tillë do të kontribuojë fuqishëm në modernizimin e Forcave tona të Armatosura, në zëvendësimin e pajisjeve të amortizuara, në përmirësimin e gatishmërisë operacionale, në rritjen e aftësisë për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe në forcimin e mbrojtjes së territorit dhe infrastrukturës sonë kritike.
Financimi i Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing) është një program i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që synon të ndihmojë vendet partnere në financimin e blerjes së pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve ushtarake amerikane. Ky mekanizëm u jep vendeve partnere mundësinë të sigurojnë pajisje moderne, duke përdorur skema financimi të strukturuara, të administruara në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Për Shqipërinë, kjo përfaqëson një instrument të rëndësishëm, për të përshpejtuar modernizimin e kapaciteteve ushtarake.
II. Përfitime të qarta strategjike dhe gjeopolitike
Një marrëveshje e tillë sjell përfitime të rëndësishme dhe të qarta për ne.
Së pari, ajo forcon marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Shqipërisë jo vetën në rrafshin politik, por edhe në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Së dyti, pajisjet e prodhuara sipas standardeve amerikane rrisin ndërveprueshmërinë me forcat e vendeve të NATO-s gjatë stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta.
Së treti, modernizimi i teknologjisë ushtarake do ta përmirësojë ndjeshëm aftësinë e Forcave tona të Armatosura, për të reaguar ndaj sfidave të reja të sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride, mbrojtjen kibernetike, emergjencat civile dhe fatkeqësitë natyrore, për shkak të pajisjeve dhe sistemeve të reja ushtarake moderne që do të financohen dhe sigurohen për Shqipërinë.
Marrëveshja merr një rëndësi të veçantë, në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri më të mëdha, tensione rajonale dhe rritje të investimeve në mbrojtje nga shumë vende të NATO-s.
Në këtë kontekst, modernizimi i forcave të armatosura nuk lidhet vetëm me mbrojtjen kombëtare, por edhe me kontributin që Shqipëria jep për sigurinë kolektive në Evropë.
Për Shqipërinë, një forcë ushtarake më moderne përforcon besueshmërinë e saj si partnere e denjë në Aleancë.
III. Transferimi i teknologjisë dhe zhvillimi institucional
Përtej pajisjeve dhe sistemeve moderne të mbrojtjes, marrëveshja do të shoqërohet me programe trajnimi, mbështetje logjistike, mirëmbajtje dhe zhvillim të kapaciteteve tona njerëzore në mbrojtje.
Kjo do të ndikojë pozitivisht në profesionalizimin e Forcave të Armatosura dhe në rritjen e aftësive teknike të personelit, i cili do të përdorë dhe mirëmbajë pajisjet dhe sistemet e reja.
Marrëveshja shënon një etapë të rëndësishme në transformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare. Efektiviteti i investimit do të varet jo vetëm nga blerja e pajisjeve dhe sistemeve të reja, por edhe nga integrimi i tyre në strukturat ekzistuese, nga trajnimi i duhur i personelit, nga mirëmbajtja afatgjatë dhe planifikimi i duhur i përdorimit operacional të tyre.
xxx
Marrëveshja për huanë direkte prej 302 milionë dollarësh ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) dhe në kuadër të programit FMF, përfaqëson një hap me rëndësi strategjike për modernizimin e mbrojtjes së vendit dhe forcimin e partneritetit me SHBA-të. Zbatimi i saj kërkon transparencë dhe planifikim afatgjatë. Nëse këto elemente garantohen, investimi mund të rrisë aftësitë mbrojtëse të Shqipërisë dhe të forcojë rolin e saj si një aleate e besueshme në NATO, duke kontribuar njëkohësisht në sigurinë tonë kombëtare dhe në atë rajonale.
V.O.: Kjo marrëveshje natyrshëm gjeti mbështetjen e plotë të Kryetarit të PD-s dhe të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë, por provokimi i Edi Ramës pamundësoi votimin teknik në sallën e Kuvendit, pasi, në bazë të Kushtetutës, ishte taksative që duhej të pritej edhe një javë, për miratimin në seancë plenare. Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Sigurisë dhe Rendit dhe të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, të zhvilluar ditën e sotme datë 27.07.2026, ora 13.30, unë e mbështeta Marrëveshjen dhe e votova. Mosmarrja pjesë në seancën plenare ishte në respekt të vendimit të drejtë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pavarësisht opinionit tim personal. Këtë Marrëveshje me vlera strategjike për Shqipërinë, Edi Rama nuk kishte pse ta finalizonte në një rrugë jo kushtetuese.
𝗕𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗯𝗲𝘀𝗶𝘁

𝗕𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗯𝗲𝘀𝗶𝘁

Sikurse e thekson me qartësi gazetari dhe analisti potent i gazetës “Sot”, z. Ilir Dako, në shkrimin e sotëm “Besa e pabesisë, monologu i fundit i Edi Ramës”, “Rama kërkon besë si një i pabesë, premton besë si një tradhtar i përjetshëm. Ai i ka prerë në besë qytetarët që nga dita e parë e pushtetit, duke i poshtëruar me arrogancën e një qeverisjeje kriminale dhe antipopullore”.
Kreu i sektit në pushtet, Edi Rama, në fjalën-monolog përpara grupit parlamentar socialist, paraqiti një strategji me emrin “Besa”, për kthesën që, sipas tij, duhet të marrë qeverisja dhe një aneks për Partinë Socialiste, që kjo parti, e uzurpuar prej tij, ta mbështesë kthesen. Të dyja dokumentet i shoqëroi me togfjalëshin “Besa-besë”.
Në traditën shqiptare, “besa” nuk është thjesht një premtim. Ajo është një zotim moral, një fjalë që duhet mbajtur me çdo kusht dhe që ndërton besimin mes njerëzve. Pikërisht për këtë arsye, kur një kryeministër u kërkon qytetarëve ta besojnë edhe një herë, pyetja e parë që lind është: a e mbështet bilanci i qeverisjes këtë kërkesë?
Pas 14 vitesh në drejtimin e vendit, Edi Rama nuk gjykohet më nga premtimet, por nga rezultatet. Rezultati i parë: boshatisja e vendit! Mbi 1.5 milionë shqiptarë në këto 14 vite kanë votuar “besën” e Ramës duke ikur. Shqipëria po përballet me eksodin masiv të të rinjve, të profesionistëve dhe madje edhe të sipërmarrësve, që kërkojnë më shumë mundësi jashtë vendit. Kur me qindra mijëra qytetarë zgjedhin të ndërtojnë jetën larg Shqipërisë, kjo është prova më e pastër se ata nuk kanë gjetur besimin, tek perspektiva që u është ofruar këtu nga qeverisja. Për boshatisjen e vendit e kërkon besën Edi Rama?!
Rezultati i dytë: korrupsioni i përhapur, si dhe perceptimi për mungesën e barazisë para ligjit. Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar në vite sfida që lidhen me transparencën, me dobësimin gati në zerim të pavarësisë dhe integritetit të institucioneve kushtetuese, si dhe me luftën jo-efektive kundër korrupsionit. Për korrupsionin galopant dhe endemik e kërkon besën Edi Rama?!
Rezultati i tretë: farsat zgjedhore në katër zgjedhjet e fundit të përgjithshme, me keqpërdorimin dhe abuzimet kolosale me financat dhe administratën e Shtetit.
Rezultati i katërt: skandalet me tenderat publikë, të fundit me AKSHI-n dhe KAYO-n, korrupsionin “inovativ” të Ramës në ushtri.
Rezultati i pestë: investimet e mëdha infrastrukturore nën akuza të forta për favorizime okulte dhe korrupsion.
Rezultati i gjashtë: politikat fiskale si favorizim ndaj kompanive të mëdha kliente të sektit Rama. Kjo ka sjellë kartelizimin dhe monopolizimin e tregjeve kryesore të vendit, si dhe vrasjen reale të konkurrencës së lirë
Rezultati i shtatë: Menaxhimi skandaloz dhe abuzimi i skajshëm me pronat publike, përmes dy ligjeve famëkeqe Nr. 2020 dhe atij për investitorin strategjik, si dhe shume shoqerive publike e trukeve për të zhvlerësuar dhe shitur pronat publike. Tokat shtetërore, pasuritë bregdetare, ndërtesat publike dhe asetet strategjike janë vënë në ankand nga sekti në pushtet, duke sfiduar transparencën, ligjshmërinë dhe interesin publik.
Rezultati i tetë: Transparenca e munguar buxhetore, qeverisja përmes akteve normative, aventurat me keqpërdorimin e fondit rezerve dhe braktisja e biznesit prodhues dhe atij eksportues të vendit.
Rezultati i nëntë: Metamorfozën e Kuvendit, të shndërruar në noter të rëndomtë dhe dekor të qeverisë.
Rezultati i dhjetë: Urrejta e thellë fiziologjike për opozitën, demonizimi dhe denigrimi i parreshtur i saj.
Këto janë “rezultatet” e tua autokrati Rama. Në një demokraci, besimi nuk është një e drejtë që buron nga posti i kryeministrit. Ai është një mandat që qytetarët e japin dhe e rinovojnë, vetëm kur binden se premtimet janë shndërruar në rezultate pozitive dhe të prekshme për ta. Besimi ndërtohet përmes transparencës dhe llogaridhënies, jo përmes arrogancës dhe denigrimit. Për çfarë ua kërkon besën shqiptarëve, kur ke 14 vjet që je i pabesë ndaj tyre, që i zhgënjen, i bullizon dhe i mashtron?
𝗦𝗸𝗮𝗻𝗱𝗮𝗹𝗶 𝟭𝟭𝟬 𝗺𝗶𝗹𝗶𝗼𝗻𝗲 𝗲𝘂𝗿𝗼 𝗶 𝗱𝘆 𝗿𝗿𝗮𝗻𝗴𝗮𝗹𝗹𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗽𝘂𝗻𝗮 𝗹𝘂𝗻𝗱𝗿𝘂𝗲𝘀𝗲 𝗻𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲!

𝗦𝗸𝗮𝗻𝗱𝗮𝗹𝗶 𝟭𝟭𝟬 𝗺𝗶𝗹𝗶𝗼𝗻𝗲 𝗲𝘂𝗿𝗼 𝗶 𝗱𝘆 𝗿𝗿𝗮𝗻𝗴𝗮𝗹𝗹𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲 𝗽𝗮𝗽𝘂𝗻𝗮 𝗹𝘂𝗻𝗱𝗿𝘂𝗲𝘀𝗲 𝗻𝗲 𝗩𝗹𝗼𝗿𝗲!

Më 20 korrik 2026, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare shpalli një tendër me vlerë mbi 20 milionë euro për shërbime mirëmbajtjeje të dy TEC-eve të vjetër në Triport, Vlorë, të marrë me qira nga qeveria në shtator 2022.
I. Dy TEC-et lundrues në Triport: megaskandali i errët financiar i sektit Rama
Në gati katër vjet, këto dy rrangalla lundruese i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 90 milionë euro, në qira ditore në vlerë dhjetra mijëra euro, në kosto ankorimi, në mirëmbajtje dhe në shpenzime operative
Marrja me qira e dy TEC-eve lundrues të vjetër në Vlorë është rasti më problematik i administrimit të fondeve publike në sektorin energjetik shqiptar. Pas pothuajse katër vitesh nga nënshkrimi i kontratës, këto njësi prodhimi nuk kanë hyrë në funksion, ndërsa kostoja për taksapaguesit vazhdon të rritet. Në total, fatura, me realizimin e tenderit të shpallur nga KESH, do të arrijë në afro 110 milionë euro, pa prodhuar asnjë kilovat-orë energji për sistemin elektroenergjetik shqiptar!
Kur mori vendimin për sjelljen e TEC-eve lundruese në shtator 2022, sekti Rama e justifikoi me gjoja argumentin se Shqipëria po përballej me krizën ndërkombëtare të energjisë dhe me rrezikun e mungesës së prodhimit nga hidrocentralet për shkak të thatësirës.
Objektivi ishte sigurimi i energjisë në periudhat e krizës, ulja e importeve dhe garantimi i sigurisë energjetike. Realiteti rezultoi krejt ndryshe. TEC-et nuk hynë kurrë në prodhim për shkak të problemeve teknike, infrastrukturore dhe procedurale.
Për pasojë, ato nuk prodhuan energji, nuk ulën importet, nuk ndikuan në stabilitetin e sistemit energjetik dhe nuk krijuan të ardhura për KESH apo OST. Investimi nuk realizoi asnjë nga objektivat për të cilat u justifikua.
II. Fatura absurde e një afere energjitike të paprecedentë në rajon dhe Evropë
Problemi bëhet edhe më i rëndë, sepse pagesat nuk kanë përfunduar. Edhe pse impiantet nuk punojnë, shteti vazhdon të paguajë qiranë, kostot e ankorimit, mirëmbajtjen dhe shpenzimet operative.
Pyetja thelbësore sot është e thjeshtë: çfarë përfituan qytetarët shqiptarë nga ky projekt?
Në ekonominë publike ekziston një parim i qartë: çdo euro e shpenzuar duhet të krijojë një vlerë të matshme për qytetarët. Çdo fond publik i përdorur për një projekt që nuk jep rezultat krijon një “kosto të mundësisë së humbur”, ose kosto oportune.
Në rastin e TEC-eve lundruese, me të njëjtat fonde (110 milionë euro), në këto katër vite mund të ishin financuar investime në energjinë diellore dhe atë të erës, sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri, programe për rritjen e eficiencës energjetike dhe mbështetje për prodhimin vendas të energjisë nga bizneset dhe familjet.
Këto investime do të kishin krijuar kapacitete afatgjata dhe do të kishin sjellë përfitime të qarta dhe të mëdha ekonomike, edhe pas përfundimit të krizës. Pra, kuptohet lehtë kosto oportune e jashtëzakonshme e këtij shpërdorimi dhe abuzimi gjigand me paranë publike.
Nj֝ë investim i ngjashëm i shkuar dëm në këtë mënyrë nuk ka precedent në rajon dhe në mbarë Evropën.
Pesë pyetje kërkojnë përgjigje urgjente për opozitën e Partisë Demokratike, që e ka denoncuar fuqishëm këtë aferë, dhe për mbarë opinionin publik: 1. A ishte marrja me qira e TEC-eve lundruese alternativa më e mirë në kushtet e krizës së vitit 2022? 2. Pse impiantet nuk kanë funksionuar në përputhje me objektivat për të cilat u kontraktuan? 3. Sa është kostoja totale që ka paguar dhe do të paguajë shteti shqiptar për këtë projekt? 4. A janë shqyrtuar mundësitë për rinegocimin ose ndërprerjen e kontratës në interes të financave publike? dhe 5. Çfarë përgjegjësish administrative, financiare apo politike janë identifikuar deri më sot?
III. Përgjegjësia e rëndë penale dhe institucionale e sektit Rama
Një projekt i këtyre përmasave nuk mund të mbetet pa një analizë të përgjegjësive. Duhet të bëhet e qartë kush e propozoi këtë zgjidhje, mbi çfarë studimi u mbështet vendimmarrja, kush mbikëqyri zbatimin e kontratës, cilat institucione monitoruan realizimin e objektivave dhe çfarë masash janë marrë, pasi u bë e qartë se impiantet nuk po jepnin rezultatet e pritshme.
Llogaridhënia është një element thelbësor i administrimit të financave publike. Dy rrangallat e papuna lundruese në Vlorë thërrasin çdo ditë hetim nga SPAK, nevojë për transparencë dhe auditim.
Rasti i dy TEC-eve të vjetra lundruese meriton një auditim të plotë teknik, financiar dhe ligjor. Një auditim i pavarur duhet të analizojë arsyet pse impiantet nuk u vunë në funksion sipas pritshmërive, kostot reale të kontratës, nëse ekziston një dëm ekonomik për financat publike dhe sa është ai, si dhe mësimet që duhen nxjerrë për projektet e ardhshme strategjike.
xxx
Vetëm përgjegjshmëria dhe transparenca mund të rikthejë besimin e qytetarëve në mënyrën se si administrohen fondet nga taksat e tyre. Mirëpo përgjegjshmëri dhe transparencë me sektin Rama në pushtet nuk ka!
𝗞𝗟𝗚𝗝-𝗶 𝗽𝗮𝗴𝗼𝗷𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗶 𝗺𝗯𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗳𝗮𝘁𝗮𝗹 𝘁𝗲 𝗛𝗮𝗿𝘁𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗥𝗲

𝗞𝗟𝗚𝗝-𝗶 𝗽𝗮𝗴𝗼𝗷𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗶 𝗺𝗯𝘆𝘁𝘂𝗿 𝗻𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗳𝗮𝘁𝗮𝗹 𝘁𝗲 𝗛𝗮𝗿𝘁𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗥𝗲

Për vitin 2025, pritshmëritë e opinionit publik ishin që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) të përshpejtonte plotësimin e vakancave në gjykata, të ulte stokun e dosjeve, të rriste transparencën, të modernizonte sistemin elektronik të dhënies së drejtësisë në gjyqësor, të forconte llogaridhënien dhe të përmirësonte administrimin e gjykatave. KLGJ dështoi në të gjitha këto detyra parësore.
I. Asnjë masë reale për të zbutur gabimin fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit!
Procesi i bashkimit të disa gjykatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, në zbatim të Hartës së Re të Gjyqësorit përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha dhe njëkohësisht një nga gabimet më fatale të Reformës në Drejtësi.
Edhe pse ky proces u reklamua si përmirësimi i efektivitetit të sistemit gjyqësor dhe si shpërndarje më racionale e burimeve, zbatimi praktik i tij edhe gjatë vitit 2025 provoi dështimin e plotë të tij, duke sjellë një sërë problematikash të theksuara, që kanë ndikuar në përkeqësimin e funksionimit të gjykatave dhe kanë dëmtuar qasjen e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Edhe gjatë vitit 2025, bashkimi i gjykatave krijoi bllokime administrative dhe ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të gjykimeve, duke vënë në pikëpyetje përfitimet reale të Reformës në Drejtësi.
U rrit ndjeshëm stresi profesional dhe rreziku i vendimeve të nxituara, nga gjyqtarët që mbartin disa funksione paralelisht dhe trajtonin me mijëra çeshtje në vit.
Një ndër pasojat më të rënda të bashkimit të gjykatave, është largësia e madhe, distanca që qytetarët janë të detyruar të përshkojnë, për të marrë shërbime gjyqësore. Për shembull, banorëve të rretheve që më parë kishin gjykata funksionale, si Kruja, Lushnja, Lezha, Puka apo Përmeti, tani u duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera, me dhjetëra kilometra larg, për të ndjekur proceset e tyre.
Kjo ka sjellë kosto shtesë financiare për udhëtim dhe akomodim, humbje kohe për palët dhe dëshmitarët dhe vështirësi për shtresat në nevojë, për të ndjekur çështjet gjyqësore. Në shumë raste, qytetarët janë detyruar të braktisin apo shtyjnë ndjekjen e proceseve, për shkak të mungesës së mundësive të tyre ekonomike dhe të kohës së madhe që u duhet në udhëtim.
II. KLGJ, i pagojë ndaj protestës qytetare!
Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 52-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re, në rradhë të parë për SPAK dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re, pikë së pari KLGJ, po e përmbush këtë mision.
Në letren e tij drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”
Për 52 ditë rrjesht, KLGJ nuk ka reaguar ndaj kërkesave të protestës qytetare. Institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.
Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e saj të 53-të sot, është një nga ato raste.
III. Mangësi kronike në gjykata dhe vonesa pafund
Edhe gjatë vitit 2025, sistemi gjyqësor funksionoi me një numër të pamjaftueshëm gjyqtarësh. Si pasojë, shumë gjykata vijuan të kishin vakanca të konsiderueshme, një pjesë e gjyqtarëve u detyruan të administronin disa mijëra dosje seicili dhe u shtuan transferimet e përkohshme të gjyqtarëve nga një gjykatë në tjetrën. Kjo situatë krijoi ngarkesë të lartë pune dhe ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e vendimmarrjes.
Një nga treguesit më shqetësues mbeti kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Në shumicën dërrmuese të gjykatave proceset civile u shtynë me muaj edhe gjatë vitit të kaluar, proceset administrative patën pritje të gjata dhe madje, edhe çështjet penale nuk shpëtuan vonesave.
Qytetarët vijojnë të jenë të detyruar të presin me vite për një vendim përfundimtar. Kjo cënon rëndë standardin kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
IV. Stoku i dosjeve nuk u ul në masën e pritshme. KLGJ e administroi dobët sistemin
Një nga objektivat kryesorë të KLGJ-së për vitin 2025 ishte reduktimi i stokut të çështjeve. Megjithatë, në shumë gjykata numri i dosjeve të prapambetura mbeti shumë i lartë dhe ritmi i zgjidhjes nuk ishte proporcional me numrin e çështjeve të reja. Masat administrative të KLGJ-së nuk dhanë efektin e pritur.
Gjatë vitit 2025, pati komandime të zgjatura, shpërndarje jo optimale të gjyqtarëve dhe pabarazi të ngarkesës ndërmjet gjykatave. Në disa gjykata kishte mbingarkesë ekstreme, ndërsa në të tjera kapacitetet nuk shfrytëzoheshin plotësisht.
Digjitalizimi mbeti larg pritshmërive. Gjatë vitit 2025, u konstatuan mungesë e një sistemi plotësisht funksional elektronik, vështirësi në aksesin online të dosjeve dhe procedura ende të mbështetura në dokumentacion fizik.
Transparenca ndaj publikut vijon të mbetet anë e dobët e KLGJ-së. Një pjesë e organizatave të shoqërisë civile kërkuan më shumë transparencë në procesin e emërimeve, procedurat disiplinore dhe vendimmarrjen administrative të Këshillit.
Administrata gjyqësore vijoi të funksionojë dobët. Shumë gjykata u përballën me mungesën e kancelarëve, numrin e pamjaftueshëm të sekretarëve gjyqësorë dhe mungesën e theksuar të specialistëve IT, duke filluar nga vetë Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, e administruar nga KLGJ!
xxx
Në tërësi, viti 2025 dëshmoi paaftësi dhe papërgjegjshmëri nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, në zgjidhjen e problemeve të mprehta të gabimit fatal të Hartës së Re të Gjyqësorit, të shoqëruar këtë vit me mungesë të theksuar të integritetit dhe pavarësisë institucionale, në pagojësinë dhe mosreagimin ndaj kërkesave të protestës qytetare.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲 𝗱𝗶𝘁𝗲𝗻 𝗲 𝟱𝟭-𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝘅𝗵𝗼𝗿𝗮𝗻𝗰𝗮 𝗲𝗻𝗱𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗿𝗲𝗮𝗴𝗼𝗻!?

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗻𝗲 𝗱𝗶𝘁𝗲𝗻 𝗲 𝟱𝟭-𝘁𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗮𝘅𝗵𝗼𝗿𝗮𝗻𝗰𝗮 𝗲𝗻𝗱𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗿𝗲𝗮𝗴𝗼𝗻!?

Protesta qytetare sot ka hyrë në ditën e saj të 51-të rradhazi. Në çdo demokraci parlamentare, një protestë që zgjat 51 ditë përbën një zhvillim parësor politik dhe shoqëror, që meriton vëmendje institucionale, në rradhe të parë, nga Parlamenti, që mendohet se funksionon si përfaqësues i qytetarëve.
Kuvendi është institucioni ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve. Ai është ndërtuar për debat, përballje argumentesh dhe kontroll ndaj qeverisë. Kur një protestë qytetare vazhdon për 51 ditë radhazi, si është e mundur të rrijë Kuvendi i Shqipërisë i pagojë. Si ka mundësi të mos reagojë ky Kuvend, në përputhje me rolin e tij kushtetues?
Një parlament nuk matet vetëm nga numri i ligjeve që miraton. Ai matet edhe nga aftësia për të trajtuar çështjet që dominojnë interesin dhe debatin publik. Dhe protesta qytetare ka 51 ditë që po e dominon axhendën politike të Shqipërisë. Kur një protestë e zgjatur bëhet pjesë e jetës politike dhe shoqërore të vendit, qytetarët presin që Kuvendi të krijojë hapësirë për diskutim institucional.
I. Parlamenti nuk është vetëm një makinë votimi!
Kuvendi nuk është një makineri votimi të projektligjeve të sjella nga qeveria! Sipas Kushtetutës, ai ka tre funksione themelore: përfaqësimin e qytetarëve, miratimin e ligjeve dhe kontrollin parlamentar ndaj qeverisë.
Funksioni i tretë është veçanërisht i rëndësishëm, në situata kur ngjarje me ndikim publik zgjasin në kohë. Në këto raste, deputetët kanë në dispozicion instrumente si pyetjet parlamentare, interpelancat, seancat dëgjimore dhe debatet parlamentare për të kërkuar sqarime ose për të diskutuar çështjet e ngritura në opinionin publik.
Shumica parlamentare, për shkak se mbështet qeverinë dhe ka numrat për të përcaktuar axhendën e Kuvendit, mban një përgjegjësi të veçantë, për të garantuar që institucioni i Parlamentit të mos perceptohet si i mbyllur ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Dhe protesta qytetare 51 ditore është shqetësimi më i fuqishëm i kohës së sotme
Nëse ky Kuvendi i pagojë nga kjo maxhorancë e papërgjegjshme, nuk zhvillon debat mbi një protestë të zgjatur, qytetarët kanë plotësisht të drejtë ta konsiderojnë këtë institucion kushtetues,jo vetëm si noter të rëndomtë të qeverisë, por edhe si mos-përmbushës i funksionit të tretë themelor të tij, si kontrollues dhe llogarikërkues i qeverisë.
Mungesa e debatit mbi protestën sot provon se Kuvendi ka dështuar në detyrat e tij, duke mos e ushtruar, me vetëdije të plotë, funksioni e tij si përfaqësues i shqetësimeve të qytetarëve.
Në demokracitë parlamentare, diskutimi i çështjeve me interes të gjerë publik është një element i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies.
Në një situatë të tillë, një Kuvend i përgjegjshëm duhet urgjent të zhvillojë debat parlamentar mbi çështjet e ngritura nga protesta, të kërkojë raportim nga kryeministri për temat që lidhen me protestën, të organizojë seanca dëgjimore me ekspertë ose përfaqësues të grupeve të interesit, sipas rregullave parlamentare, si dhe të nxisë dialog politik për të ulur tensionet dhe për të rritur transparencën.
II. Detyra e sotme madhore e një deputeti
Një nga karakteristikat e demokracisë përfaqësuese është që çështjet me interes të gjerë publik të mos mbeten vetëm në rrugë, por të diskutohen edhe në institucionet e zgjedhura.
Një Kuvend “i pagojë” përballë një proteste qytetare e vë sot çdo deputet të maxhorancës përballë një zgjedhjeje madhore. Mandati i deputetit nuk kufizohet vetëm në ngritjen e kartonit për të votuar projektligje. Ai është përfaqësues i interesit publik dhe ka detyrimin të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, edhe kur ato shprehen në rrugë, përmes protestave paqësore, dhe të shprehet në Kuvend për protestën.
Protesta nuk duhet parë si armik i institucioneve të Shtetit, sikurse po e shohin deputetët e maxhorancës. Në demokracitë europiane, protestat konsiderohen pjesë normale e jetës demokratike. Ato shpesh shërbejnë si një mekanizëm për të sinjalizuar pakënaqësi që nuk janë adresuar nga institucionet. Për këtë arsye, përgjigjja institucionale nuk është heshtja dhe injorimi, por dëgjimi i kërkesave, zhvillimi i debatit parlamentar, thirrja e seancave dëgjimore, kur është e nevojshme dhe ushtrimi i kontrollit mbi veprimtarinë e qeverisë, në lidhje me shqetësimet e protestuesve.
Deputetët kanë instrumente parlamentare për të adresuar shqetësimet publike, si pyetje parlamentare drejtuar ministrave, interpelanca, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, sipas procedurave ligjore, kërkesa për debate parlamentare dhe organizimi i dëgjesave me grupet e interesit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
III. Protesta dhe këmbanat për institucionet e Drejtësisë së Re
Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 51-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re”.
Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re po e përmbush këtë mision.
Në letren e tij të djeshme, drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.
Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”
Protesta qytetare është sot test për shtetin e së drejtës, që Drejtësia e Re thotë se do e mbrojë. Një protestë e zgjatur nuk është vetëm një akt politik; ajo është edhe një ushtrim i të drejtave kushtetuese.
Reforma në drejtësi krijoi institucione me kompetenca të posaçme, të cilat u paraqitën si garancia kryesore kundër pandëshkueshmërisë. Për shumë qytetarë, pritshmëria është që këto institucione të tregojnë se janë të pavarura, jo vetëm kur hetojnë figura të opozitës, por edhe kur përballen me pushtetin e radhës.
Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht protesta qytetare duhet të prodhojë çështje penale. Kjo nënkupton se institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.
Nëse qytetarët, protestues ose jo, krijojnë përshtypjen se mekanizmat e kontrollit dhe hetimit të Drejtësisë së Re nuk funksionojnë, mosbesimi qytetar thellohet.
Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e 51-të është një nga ato raste.
𝗕𝗼𝗷𝗸𝗼𝘁𝗶 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗻𝗷𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺

𝗕𝗼𝗷𝗸𝗼𝘁𝗶 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗻𝗷𝗲 𝗴𝗮𝗯𝗶𝗺

Bojkoti i djeshëm nga Partia Demokratike i seancës plenare të Kuvendit ishte një gabim politik dhe institucional. Ne duhej ta shfrytëzonim foltoren e Kuvendit për të përballur sektin Rama në qeverisje me argumenta, pyetje dhe kritika, por zgjodhëm mungesën, bojkotin.
Cili është kuptimi, ideja dhe mesazhi i këtij bojkoti? Më këtë vendimmarrje, humbëm mundësinë të denonconim fort disa raste:
Së pari, votën e manipuluar të Diasporës më 11 maj 2025. Në seancën e sotme do të diskutonim për Raportin Vjetor 2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të denonconim abuzimet dhe manipulimet e kryera me voten e mbi 240 mije përfaqësuesve nga Diapora në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025. Do të denonconim abuzimet dhe parregullsitë me administrimin e dërgesave postare. Rastet e vonesave të qëllimshme në shpërndarjen ose kthimin e zarfeve të votimit, shkaqet pse një pjesë e zgjedhësve në Diasporë nuk morën në kohë dokumentacionin për të votuar.
Do të denonconim abuzimet me verifikimin e identitetit të votuesit dhe zinxhirin defektoz të administrimit të fletës së votimit. Në sistemet e votimit me postë, transparenca e procedurës është vendimtare për të garantuar se vota është hedhur nga personi i autorizuar dhe se ajo ka mbërritur e paprekur, deri në administrimin zgjedhor. Patronazhistët e Ramës cënuan integritetin e zgjedhjeve, duke i grumbulluar ose ndërmjetësuar me zarfet e votimit dhe duke ndërhyrë në mënyrën e administrimit të tyre. SPAK duhet t’i hetojë me përparësi këto ndërhyrje, pasi kanë patur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, duke përbërë krim zgjedhor.
Do të vinim përpara përgjegjësisë KQZ, për mungesën e plotë të transparencës mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë. Procesi përfshinte regjistrimin elektronik dhe verifikimin e dokumentacionit. Kush i refuzonte dhe kush i pranonte aplikimet, sipas “rregjistrave” të patronazhistëve?
Do të kërkonim për të ardhmen përmirësimin e sistemit të gjurmimit të zarfeve postare në kohë reale; standardizimi i procedurave të verifikimit të identitetit; rritja e informimit të votuesve jashtë vendit; auditime të pavarura të procesit; si dhe një vlerësim i plotë nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë mbi funksionimin e votimit nga Diaspora.
Së dyti, do të denonconim punën e dobët dhe degradimin e institucioneve si AMF dhe INSTAT, institucione që duhej të mbronin qytetarin shqiptar nga pozitat pothuajse monopol të tregjeve financiare jobankare në Shqiperi(AMF) dhe duhej të përgatisnin tregues statistikorë të saktë e të besueshëm për vendim-marrjen financiare publike, qytetarët dhe studjuesit(INSTAT). Gje që s’e kanë bërë as gjatë vitit 2025.
Së treti, do të kritikonim dhe denonconim apatinë dhe mosveprimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, institucion tërësisht në mbrojtje të korrupsionit në Drejtësi.
Së katërti, duhej të denonconim gjendjen skandaloze financiare dhe korrupsionin e thellë në Radio Televizionin Shqiptar, institucion që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Si dhe apatinë dhe skllavërimin nga sekti Rama të Autoritetit të Mediave Audiovizuale(AMA), institucion që nuk ka gojë të vihet kundër goditjeve të Ramës ndaj mediave të pavarura.
Së pesti, dhe më kryesorja, do të mbështesnim në Kuvend protestën e madhe qytetare, që është në ditën e 45-stë sot të saj. Si opozitarë në Kuvend kemi detyrimin të përfaqësojmë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve në protestë protestë. Kërkesat e tyre të drejta për abrogimin e katër ligjeve të qepura me dorë të sektit Rama janë edhe kërkesa tonat. Mbështetja jone ndaj kërkesave të protestuesve mund dhe duhet të shërbejë për t’i kthyer ato në iniciativa parlamentare dhe propozime konkrete.
Me protestën e kemi domosdoshmëri të koordinohemi për kërkesën kryesore të saj, dorëheqjen e autokratit Rama. Si dhe për Kodin e Ri Zgjedhor, pasi tashmë nuk janë dy palë, mazhorancë-opozitë në këtë reformë themelore, por shtohet mendimi qytetar i protestës. Duhet të koordinohemi edhe për realizimin e qeverisë teknike, sipas përcaktimeve të protestës qytetare.
Duhet kuptuar se çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën territoriale kërkon domosdoshmërisht vulën dhe konfirmimin e Parlamentit Qytetar, që është në bulevardin e protestës dhe zgjedhjet e reja do të organizohen nga një qeveri teknike, e dalë nga kjo protestë.
Koordinimi, edhe pse jo institucional, mes veprimit parlamentar të opozitës dhe angazhimit qytetar në protestë, duhet dhe do të rrisë presionin politik për transparencë, debat dhe llogaridhënie. Opozita ka në dispozicion instrumente si interpelancat, komisionet hetimore, amendamentet dhe debatin parlamentar dhe sot duhet t’i përdorë sa më dendur ato, e jo të bojkotojë seanca plenare të Kuvendit.
xx
Historia politike shqiptare ka treguar se bojkotet parlamentare rrallëherë kanë prodhuar rezultatet që kanë synuar. Përkundrazi, ato kanë krijuar boshllëqe në përfaqësimin e qytetarëve dhe kanë dobësuar vetë rolin kushtetues të opozitës.
Qytetarët nuk i votojnë deputetët për të lënë bosh karriget në sallën e Parlamentit. Ata i zgjedhin për të ngritur shqetësimet e tyre, për të kundërshtuar ligje që i konsiderojnë të dëmshme dhe për të propozuar alternativa. Bojkoti nuk i zëvendëson këto detyrime.
Koha sot është e Parlamentit Qytetar të protestës dhe e opozitës. Ajo po punon mbrapsht për sektin Rama, qeverinë , maxhorancen dhe Kuvendin si noter të rëndomtë të Ramës. Ne duhet të ecim me hapin e kohës. Dhe këtë nuk e bëjmë dot përmes bojkoteve.
𝗙𝗼𝗻𝗱𝗶 𝗥𝗲𝘇𝗲𝗿𝘃𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘀𝗽𝗲𝗸𝘁𝗮𝗸𝗹𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮!

𝗙𝗼𝗻𝗱𝗶 𝗥𝗲𝘇𝗲𝗿𝘃𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗲𝘀𝗵𝘁𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘀𝗽𝗲𝗸𝘁𝗮𝗸𝗹𝗲 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮!

Me Aktin Normativ të datës 6 korrik 2026, publikuar në Fletoren Zyrtare me datë 7 korrik 2026, për t’i dhënë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit koncertit të këngëtarit ndërkombëtar Kanye West në Tiranë 4.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, sekti Rama vulosi papërgjegjshmërinë e tij ekstreme dhe aventurë më të pamend, në përdorimin e fondeve publike gjatë këtyre 14 viteve.
Kushtetuta në Nenin 101 të saj, e ka përcaktuar përdorimin e Aktit Normativ, duke prekur fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit për një vit ushtrimor, si fond që mund të përdoret ekskluzivisht për situata të jashtëzakonshme, kur kemi katastrofa natyrore, rreziqe të sigurisë kombëtare, apo emergjenca të papritura të shëndetit publik.
I. Vija e kuqe e përdorimit të paravë të shqiptarëve
Ka një vijë të kuqe që asnjë qeveri nuk duhet ta kalojë. Ajo quhet respekt për paratë e taksapaguesve.
Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit nuk është krijuar për të sponsorizuar koncerte, festivale apo spektakle, sado të famshëm të jenë artistët që ngjiten në skenë. Ai nuk është një “portofol sekret” i qeverisë për të financuar projekte që nuk kalojnë filtrin normal të planifikimit buxhetor. Është një mekanizëm i jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme.
Një koncert nuk është tërmet. Një koncert nuk është përmbytje. Një koncert nuk është pandemi.
Një koncert nuk është krizë kombëtare. Atëherë, me çfarë logjike mund të justifikohet përdorimi i një fondi që ekziston pikërisht për emergjenca?
Nëse sot Fondi Rezervë përdoret për një aktivitet artistik, nesër mund të përdoret për një festival privat, pasnesër për një fushatë marketingu dhe më vonë për çdo projekt që qeveria nuk ka pasur guximin ose shumicën politike ta planifikojë në buxhet. Kështu nuk ndërtohet një shtet modern; kështu ndërtohet dhe betonohet arbitrariteti dhe autokracia e Edi Ramës!
Më shqetësuese se vetë shuma është filozofia që fshihet pas saj. Është filozofia, sipas së cilës, sekti Rama në pushtet sillet sikur fondet publike janë pronë e tij dhe jo pronë e qytetarëve. Është filozofia, sipas së cilës aktet normative mund të përdoren për të shmangur debatin parlamentar. Është filozofia sipas së cilës spektakli vlen më shumë se rregulli.
Por pikërisht rregulli është ai që mban në këmbë financat publike. Fondi Rezervë në një demokraci të përgjegjshme dhe jo autokraci, është “airbag-u” i Shtetit. Askush nuk e çmonton airbag-un, për të instaluar një sistem muzikor më të fuqishëm në makinë! Sepse kur ndodh aksidenti, mbrojtja nuk ekziston më.
Edhe shteti funksionon me të njëjtën logjikë. Nëse fondi rezervë shndërrohet në një instrument për shpenzime të planifikueshme, ai pushon së qeni fond rezervë. Ai bëhet një buxhet paralel, jashtë logjikës normale të kontrollit dhe prioriteteve publike.
II. Fondi Rezervë është për emergjenca natyrore dhe shëndetësore, jo për spektakle!
Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme të sigurisë financiare të vendit. Qëllimi i tij është krejtësisht tjetër: përballimi i situatave të paparashikuara, emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, krizave shëndetësore apo nevojave të jashtëzakonshme që kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Fondi Rezervë nuk mund të preket kurrsesi për shpenzime rutinë, apo për politika afatgjata zhvillimi. Financimi me miliona euro nga Buxheti i Shtetit i një aktiviteti privat muzikor të këngëtarit reper Kanye West në Tiranë, përfaqëson një rast të pashembullt shkeljeje të Kushtetutës së Shqipërisë, papërgjegjshmërie totale ndaj disiplinës së përdorimit të fondeve publike dhe aventurizmi financiar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përdorim i Fondit Rezervë duhet të jetë i jashtëzakonshëm, i argumentuar dhe i mbështetur mbi interesin publik.
Një aktivitet artistik, sado i rëndësishëm të konsiderohet për promovimin e vendit, nuk përbën emergjencë kombëtare. Ai mund të planifikohet me muaj ose vite përpara dhe, nëse shteti vendos ta mbështesë, financimi duhet të kalojë përmes procedurave të zakonshme të hartimit dhe miratimit të buxhetit, me transparencë të plotë dhe kontroll parlamentar.
Përdorimi i fondeve rezervë për aktivitete që nuk kanë karakter të jashtëzakonshëm dobëson disiplinën fiskale. Fondi rezervë nuk është krijuar për të anashkaluar planifikimin buxhetor. Ai ekziston, pikërisht sepse askush nuk mund të parashikojë tërmete, përmbytje, epidemi apo kriza të tjera të papritura.
Nëse ai përdoret për aktivitete të planifikueshme, atëherë humbet vetë arsyeja e ekzistencës së tij.
Një praktikë e tillë krijon një precedent të rrezikshëm. Nëse sot financohet një koncert privat me fondet rezervë, çfarë do ta pengojë nesër përdorimin e të njëjtit mekanizëm për festivale, panaire, fushata promovuese apo aktivitete të tjera që nuk kanë lidhje me emergjencat?
Një shtet serioz nuk mund të funksionojë mbi logjikën e përjashtimit të përhershëm. Përjashtimi duhet të mbetet përjashtim.
Disiplina në administrimin e financave publike lidhet me parimet e ligjshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe kontrollit parlamentar. Nëse fondet publike përdoren jashtë qëllimit për të cilin janë krijuar, ose duke anashkaluar procedurat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e financave publike, kemi vetëm dhe thjesht abuzim, aventurizëm dhe papërgjegjshmëri ekstreme.
Përtej aspektit juridik, ekziston edhe dimensioni moral. Çdo euro e Buxhetit të Shtetit buron nga taksat e qytetarëve. Në një vend si Shqipëria, ku vazhdojnë të ekzistojnë nevoja të rëndësishme në shëndetësi, arsim, ujësjellës, mbrojtje civile, infrastrukturë vendore dhe mbështetje sociale, çdo shpenzim i jashtëzakonshëm duhet të justifikohet me standardin më të lartë të interesit publik.
III. Sekti Rama nuk është pronar i Buxhetit të Shtetit!
Qeveria e sektit Rama nuk është pronare e buxhetit të Shtetit. Ajo është administratore e tij.
Pronarë janë qytetarët shqiptarë. Janë pensionistët që numërojnë lekët në fund të muajit. Janë mjekët dhe infermierët që punojnë me mungesa. Janë shkollat që presin investime. Janë fermerët që kërkojnë mbështetje. Janë familjet që paguajnë taksa, me bindjen se paratë e tyre do të përdoren me përgjegjësi.
Çdo euro që sekti Rama po shpërdoron sot për një koncert është një euro e marrë nga një nevojë reale e qytetarëve.
Nëse është përdorur një akt normativ për të mundësuar një financim të tillë, atëherë lind pyetja: a po përdoren instrumentet e jashtëzakonshme të qeverisjes, për të anashkaluar kontrollin normal parlamentar?
Në një demokraci funksionale, akti normativ është përjashtim. Por jo në shtetin autokrat të Ramës. Ky sekt i sotëm në qeverisje, aktin normativ të qeverisë, nga përjashtim e ka kthyer në rregull!
Dhe kur përjashtimi bëhet rregull, ligji dhe vetë Kuvendi humbasin kuptimin dhe kthehen në vegla të autokratit.
xxx
Çështja nuk është nëse një artist ndërkombëtar duhet apo nuk duhet të performojë në Shqipëri. Çështja është, nëse paratë publike administrohen sipas ligjit dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Besimi i qytetarëve tek financat publike ndërtohet mbi një rregull të thjeshtë: fondet e jashtëzakonshme përdoren vetëm për situata të jashtëzakonshme. Çdo devijim nga ky parim është arbitraritet, autokraci dhe papërgjegjshmëri!
Në një demokraci funksionale, respektimi i disiplinës buxhetore nuk është një formalitet teknik. Ai është një garanci kushtetuese për mbrojtjen e interesit publik dhe të parasë së taksapaguesve.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗷𝗻𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗳𝗿𝗶𝗸𝗲𝘀𝘂𝗮𝗿!

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗷𝗻𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝗳𝗿𝗶𝗸𝗲𝘀𝘂𝗮𝗿!

Në historinë politike të Evropës të dy dekadave të fundit, janë më dhjetra dorëheqjet e kryeministrave dhe qeverive, për shkak të protestave masive qytetare.
Ne Islande, në vitin 2009, Kryeministri Geir Haarde dha dorëheqjen vetëm 11 ditë, pas protestave masive në vend, pas kolapsit financiar të vitit 2008. Në shkurt 2012 dha dorehqejen kryeministri rumun Emil Boc, pas tre javesh protestash kundër masave shtrënguese. Në Bullgari, kryeministri Boyko Borisov (mandati i parë) dha doreheqjen vetem 14 dite, pas protestave mbarëkombëtare për çmimet e energjisë elektrike dhe varfërinë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2014 dhanë doreheqjen disa kryeministra të kantoneve dhe të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, pas nende ditesh protesta sociale për papunësinë dhe korrupsionin. Në Armeni, ne vitin 2018(vend evropian sipas Këshillit të Evropës), pas 11 diteve protesta masive paqësore, te mbiquajtura “Revolucioni i Kadifenjtë”, dha dorehqejen kryeministri Serzh Sargsyan. Ne Sllovaki po ne vitin 2018, pas shtate ditesh protestash masive ne vend, pas vrasjes së gazetarit investigativ Ján Kuciak, dha doreheqjen kryeministri Robert Fico. Ne Malte ne vitin 2020 ofroi doreheqjen kryeministri Joseph Muscat, pas 12 diteve protesta të vazhdueshme, lidhur me hetimet për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia. Ne Mal te Zi, kater vite me pare, dha doreqjen kryeministri Zdravko Krivokapić, pas gjashte diteve protesta nga kriza politike ne vend.
I. Dorëheqja, mekanizëm për marrjen e përgjegjësisë politike
Në Shqipërinë e vitit 2026, për mbështetësit e protestave të nisura më 31 maj dhe sot në ditën e 33-të të tyre, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” është shndërruar në simbolin më të njohur të lëvizjes protestuese qytetare, në gati një lloj hymni të dytë kombëtar të vendit, ku shumica e shqiptarëve sot identifikohen.
E megjithate, autokrati i Shqiperise ende nuk e ka dhene doreheqjen, ne nje kohe kur në demokracitë parlamentare evropiane, dorëheqja shihet si një mekanizëm për marrjen e përgjegjësisë politike dhe për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve, ose formimit të një shumice të re qeverisëse.
Në demokracitë parlamentare, legjitimiteti politik ndërtohet edhe mbi besimin publik, aftësinë për të dëgjuar qytetarët dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi kur krizat përshkallëzohen.
Historia evropiane njeh raste kur protesta të gjata dhe të fuqishme kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrave ose të qeverive. Në Islandë, Rumani, Bullgari, Sllovaki, dhe Armeni, presioni i vazhdueshëm qytetar u bë një faktor i rëndësishëm në vendimin për t’u larguar nga detyra. Në disa raste protestat ishin shkaku kryesor, ndërsa në të tjera, ato u ndërthurën me kriza politike, skandale apo humbje të mbështetjes parlamentare.
Në Shqipërinë tonë, situata mbetet ajo e një autokrati në pushtet, Ramës. Rama dhe sekti i tij kanë zgjedhur të mos e konsiderojnë dorëheqjen si një opsion politik. Nuk po e kuptojnë, apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë, se një protestë e zgjatur dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh, meriton një përgjigje politike më të thellë, sesa deklaratat publike apo përballja retorike nga larg me protestuesit.
II. Pse Rama fshihet pas gishtit
Një qeveri ku qytetarët i bëjnë për më shumë se katër javë rrjesht protesta të përditshme në rrugë, përballet me detyrimin për të vlerësuar seriozisht shkaqet e pakënaqësisë qytetare, për të ofruar transparencë dhe për të kërkuar rrugë dialogu. Ky dialog mund të vijë, vetën nëse Rama jep dorëheqjen. Në të kundërt, ekziston rreziku që polarizimi të thellohet dhe besimi tek institucionet të dobësohet akoma dhe më shumë.
I fshehur pas gishtit të vet, apo duke futur, si struci, kokën në rërë, a po e shmang Rama përballjen me thelbin e pakënaqësisë qytetare, duke refuzuar të konsiderojë edhe mundësinë e një përgjegjësie politike? Qeverisja nuk është vetëm ushtrim i një mandati juridik; ajo është edhe ushtrim i përgjegjësisë politike. Një nga tiparet e lidershipit demokratik është aftësia për të dëgjuar, për të reflektuar dhe për të komunikuar me qytetarët, sidomos kur pakënaqësia shfaqet në mënyrë të vazhdueshme.
Në demokracitë parlamentare, legjitimiteti politik nuk është vetëm çështje numrash në Kuvend. Ai lidhet me aftësinë për të dëgjuar qytetarët dhe për të reaguar, kur pakënaqësia publike bëhet e vazhdueshme.
III. Mungesa e reflektimit politik, “arroganca” e frikës së Ramës
Mungesa e një reagimi politik të thellë, pas javësh protestash qytetare, ka të bëjë me frikën që e ka kapluar Ramën, i cili dihej para 30 majit 2026, me sektin që mbante, i paprekshëm në detin e zullumeve të tij.
Arroganca në pushtet nuk matet vetëm nga fjalët. Ajo perceptohet, edhe kur krijohet bindja tek qytetarët, se ky pushtet autokrat nuk ka më nevojë të dëgjojë, të shpjegojë apo të korrigjojë kursin e tij.
Në çdo sistem demokratik, forca e institucioneve nuk matet vetëm nga aftësia për të qeverisur, por edhe nga aftësia për të dëgjuar ata që mendojnë ndryshe. Në një sistem autokratik, si ky i Ramës, nuk dëgjohen qytetarët dhe pakënaqësia e tyre, por vetë bëhet sikur dëgjohet.
Mungesa e një reflektimi politik të qeverisë, pas javësh protestash, nuk është asgjë tjetër, veçse nënvlerësim total dhe injorim i zërit të qytetarëve. Kur një qeveri kufizohet vetëm tek deklarata se “ka marrë mandatin nga zgjedhjet”, pa adresuar në mënyrë bindëse arsyet e protestës, krijohet përshtypja se po mbështetet vetëm te legjitimiteti formal.
Rama, ti e di se si i ke marrë ato 83 votat. Vendi sot ka hyrë në një krizë të thellë politike dhe kjo krizë nuk zgjidhet, duke injoruar shqetësimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve. Nëse një pjesë e mirë e shoqërisë proteston për javë të tëra, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm heshtja, retorika politike, ose përsëritja se shumica parlamentare mjafton.
Një protestë që vazhdon për 33 ditë rresht nuk është një episod i zakonshëm i jetës politike. Pavarësisht numrit të pjesëmarrësve, një mobilizim i tillë është një sinjal se ekziston një nivel pakënaqësie tek qytetarët, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet.
Nëse kjo qeveri nuk merr përgjegjësitë e veta dhe nuk angazhohet në mënyrë bindëse me kërkesat e protestuesve, ajo rrezikon të thellojë ndarjen politike dhe shoqërore në vend. Kur qytetarët ndihen të padëgjuar, shtohet rreziku që mosbesimi ndaj institucioneve të thellohet. Arroganca e frikës së Ramës ndaj protestave qytetare po e çon vendin drejt greminës institucionale.
xxx
Një nga sfidat më të mëdha të çdo qeverie është dallimi mes forcës institucionale dhe ndjeshmërisë politike. Një shumicë parlamentare mund të sigurojë stabilitet formal, por nuk e zëvendëson dot nevojën për dialog me qytetarët, veçanërisht në periudha tensionesh të zgjatura, si kjo kohë ku jemi.
Pas 33 ditësh protestash, Shqipëria ndodhet përballë një prove të rëndësishme. Me mosveprimin dhe arrogancën e tij, Rama po i hedh zjarr përshkallëzimit të konfliktit dhe të mosbindjes civile të protestuesve. Skenat e djeshme me policinë që u konfrontua dhe ushtroi dhunë ndaj protestuesve përpara Kuvendit, por e vërtetojnë këtë.
𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

𝗔𝗞: 𝗶𝗻𝗲𝗳𝗲𝗸𝘁𝗶𝘃 𝗱𝗵𝗲 𝗷𝗼 𝘁𝗿𝗮𝗻𝘀𝗽𝗮𝗿𝗲𝗻𝘁

Gjatë vitit 2025, Autoriteti i Konkurrencës është përballur me një sërë mangësish, që kanë ndikuar në efektivitetin dhe besueshmërinë e tij, si institucion përgjegjës për ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Edhe pse misioni ligjor i institucionit mbetet garantimi i funksionimit të tregjeve në mënyrë të hapur dhe konkurruese, zhvillimet e vitit 2025 kanë nxjerrë në pah kufizime të rëndësishme në veprimtarinë e tij.
I. Mungesë e pavarësisë reale institucionale
Një nga problemet më të theksuara edhe gjatë vitit 2025 ka qenë ndikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i faktorëve politikë dhe grupimeve ekonomike, në proceset hetimore dhe vendimmarrjen e Autoritetit. Kjo ka bërë që hetimet ndaj disa tregjeve të rëndësishme, si ai i karburanteve, i sigurimeve, i telefonisë celulare, apo i tregtisë me pakicë, të mos përfundojnë me masa konkrete, ose të mbyllen pa rezultate të dukshme.
Në jo pak raste, hetime të nisura ndaj kompanive të mëdha apo tregjeve të ndjeshme janë zvarritur, pezulluar ose mbyllur, pa arritur në përfundime konkrete, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të jashtme. Grupet e fuqishme ekonomike, të lidhura shpesh me interesa politike, kanë ushtruar presion edhe gjatë vitit të kaluar tek AK, për të shmangur masa ndëshkuese ose publikimin e rezultateve të hetimeve.
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës i garanton Autoritetit pavarësi në veprim, por mënyra e emërimit të anëtarëve të Këshillit të tij mbetet e politizuar. Edhe gjatë vitit 2025, ky mekanizëm u vu sërish në qendër të debatit publik, pasi vendimmarrja për pozicionet e disa anëtarëve të Këshillit reflektoi më shumë balancat politike, sesa kriteret profesionale. Kjo ka krijuar një varësi të ndjeshme institucionale ndaj pushtetit ekzekutiv, duke e bërë të vështirë që Autoriteti të veprojë kundër praktikave monopoliste apo bashkimeve që mund të cënojnë tregun, kur ato përfshijnë kompani të mbështetura nga politika.
Në disa sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni apo transporti, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime për përmirësimin e klimës konkurruese, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar nga institucionet përkatëse. Kjo tregon një mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe dobësi në mekanizmat e detyrimit për zbatimin e vendimeve apo këshillave të Autoritetit.
Një tregues tjetër i mungesës së pavarësisë reale ka qenë pasiviteti i Autoritetit të Konkurrëncës, përballë zhvillimeve të ndjeshme ekonomike. Ndërkohë që çmimet e disa ushqimeve bazë dhe shërbimeve publike u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2025, Autoriteti reagoi me vonesë, shpesh duke u mjaftuar me deklarata të përgjithshme, në vend të hetimeve të plota administrative. Kjo vonesë ka ulur efektin parandalues të veprimtarisë së tij dhe ka ndikuar negativisht në perceptimin publik për rolin mbrojtës të institucionit.
Ky qëndrim pasiv lidhet jo vetëm me mungesë kapacitetesh profesionale, por edhe me mungesën e vullnetit institucional të AK, për të sfiduar interesa të fuqishme ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në politikëbërje.
II. Mangësi të theksuara në burimet njerëzore, teknike dhe në digjitalizim
Një nga problemet më të mëdha gjatë vitit 2025 ka qenë stafi i reduktuar dhe mungesa e ekspertëve me përvojë në fushën e analizës ekonomike, konkurrencës dhe vlerësimit të tregjeve. Shumë sektorë strategjikë, si energjia, telekomunikacioni, tregu financiar apo ai ushqimor, kërkojnë analiza të thelluara dhe kompetenca teknike që Autoriteti nuk ka mundur t’i sigurojë, për shkak të burimeve njerëzore të pamjaftueshme.
Numri i specialistëve të konkurrencës dhe ekonomistëve të tregut ka mbetur i ulët, ndërsa lëvizjet e shpeshta të stafit drejt institucioneve të tjera publike apo sektorit privat kanë krijuar vakume profesionale, që nuk janë zëvendësuar në kohë. Si pasojë, shumë hetime administrative janë zvarritur ose mbyllur, pa rezultate të qarta. Kjo ka kufizuar aftësinë e AK për të kryer hetime të thelluara dhe për të ndjekur me efikasitet rastet e abuzimit me pozitën dominuese, apo marrëveshjeve të fshehta ndërmjet operatorëve.
Autoriteti i Konkurrencës ka vijuar të operojë me infrastrukturë teknologjike të kufizuar, që nuk përputhet me standardet moderne të analizës së tregut. Sistemet e vjetra të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave nuk i lejojnë institucionit të kryejë analiza të avancuara për sjelljen e çmimeve, marrëveshjet e mundshme të fshehta apo abuzimet me pozitën dominuese. Në mungesë të mjeteve analitike moderne, vlerësimet për strukturën dhe dinamikën e tregjeve janë mbështetur kryesisht në të dhëna manuale dhe raporte nga vetë subjektet që hetohen, çka e kufizon ndjeshëm saktësinë dhe objektivitetin e analizave.
Gjatë vitit 2025, Autoriteti ka avancuar shumë pak në drejtim të digjitalizimit të punës. Proceset e monitorimit të tregut, hetimeve administrative dhe raportimit vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë tradicionale, duke u mbështetur në dokumentacion manual dhe procedura burokratike. Mungesa e digjitalizimit dhe mjeteve analitike moderne ka bërë që proceset e monitorimit të tregjeve të mbeten të ngadalta dhe të pasakta.
Nga ana tjetër, mungesa e një platforme dixhitale të integruar për mbikëqyrjen e tregjeve e ka bërë të pamundur ndjekjen në kohë reale të ndryshimeve të çmimeve, bashkimeve ose marrëveshjeve tregtare.
Po ashtu, mungesa e transparencës online në publikimin e vendimeve dhe rekomandimeve ka kufizuar aksesin e publikut dhe të biznesit në informacionin institucional.
Në kuadër të integrimit evropian, Shqipëria është e detyruar të përputhë funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Megjithatë, gjatë vitit 2025, ky proces ka qenë i ngadalshëm pikërisht për shkak të kufizimeve njerëzore dhe teknike. Ndryshe nga homologët në vendet e rajonit, Autoriteti shqiptar i Konkurrencës ka pasur vështirësi në përdorimin e sistemeve digjitale për analizën e tregut, në ndërtimin e databazave të integruara dhe në trajnimin e stafit me metodat bashkëkohore të hetimit të praktikave monopoliste.
III. Transparencë e kufizuar dhe komunikim publik i dobët
Një tjetër aspekt problematik ka qenë transparenca e ulët në publikimin e vendimeve dhe rezultateve të hetimeve. Shumë nga raportet e vitit 2025 nuk janë shoqëruar me argumentim të plotë ligjor dhe ekonomik, çka ka vështirësuar llogaridhënien ndaj publikut dhe ka ulur besueshmërinë e institucionit.
Mungesa e komunikimit aktiv me median dhe me bizneset ka kontribuar në perceptimin e Autoritetit si një institucion pasiv dhe burokratik. Edhe gjatë vitit 2025, shumë nga hetimet e Autoritetit ndaj sektorëve strategjikë janë mbyllur me vendime të shkurtuara dhe me mungesë argumentimi të detajuar.
Shumica e publikimeve në faqen zyrtare janë kufizuar në njoftime të përgjithshme, pa zbuluar analizat ekonomike që justifikojnë konkluzionet, çka ka vështirësuar çdo kontroll publik mbi vendimmarrjen. Kjo praktikë ka krijuar perceptimin se Autoriteti operon me dy standarde: një për opinionin publik dhe një tjetër për subjektet që hetohen. Në një kohë kur transparenca dhe komunikimi janë thelbësore për besimin në institucionet publike, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2025 ka treguar një prani shumë të zbehtë në hapësirën publike, sidomos në atë televizive dhe në rrjetet sociale, edhe pse çështjet që trajton AK janë në interes të fortë të qytetarëve.
Konferencat për shtyp, deklaratat zyrtare dhe raportimet periodike kanë qenë të rralla dhe shpesh të vonuara, duke i lënë qytetarët dhe bizneset pa informacion të qartë mbi hetimet e nisura apo vendimet e marra. Edhe në raste të akuzave në media për marrëveshje të fshehta në tregje të ndjeshme, Autoriteti ka preferuar heshtjen institucionale, në vend të një qëndrimi reagues të qartë dhe profesional. Kjo qasje ka dobësuar ndjeshëm perceptimin e tij si një autoritet dhe mbrojtës aktiv i interesit publik.
xxx
Raporti vjetor i Autoritetit për vitin 2025 është formal dhe më shumë përmbledhës, sesa analitik. Ai ofron të dhëna të përgjithshme mbi numrin e hetimeve apo rekomandimeve, por i mungon analiza konkrete për ndikimin e vendimeve në treg dhe tek konsumatorët.
Pa një raport të thelluar dhe të qartë për publikun, transparenca e Autoritetit ka mbetur në nivel administrativ, pa krijuar realisht llogaridhënie apo ndjeshmëri shoqërore mbi rolin që luan ky institucion në mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit.
Mungesa e transparencës online dhe e komunikimit në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale e kanë bërë Autoritetin një institucion pak të dukshëm, që vepron në prapaskenë, pa shpjeguar publikisht rolin dhe ndikimin e tij në ekonomi.
Këto mangësi kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në perceptimin publik. Bizneset e vogla dhe konsumatorët e shohin Autoritetin si një institucion të largët, me rol të kufizuar praktik, ndërsa kompanitë e mëdha shpesh nuk e ndjejnë presionin e kontrollit të tij institucional.
Kur mungon transparenca, zbehet edhe efekti parandalues që duhet të ketë veprimtaria e Autoritetit të Konkurrëncës në treg. Pa komunikim të hapur dhe pa llogaridhënie, institucioni humbet besueshmërinë dhe ndikimin real në mbrojtjen e konkurrencës.