𝗗𝗔𝗣 𝗹𝗲𝗷𝗼𝗻 𝟭𝟭 𝗺𝗶𝗷𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲 𝘃𝗮𝗸𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝗻 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘃𝗶𝘁𝗶𝗻 𝟮𝟬𝟮𝟱!

𝗗𝗔𝗣 𝗹𝗲𝗷𝗼𝗻 𝟭𝟭 𝗺𝗶𝗷𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲 𝘃𝗮𝗸𝗮𝗻𝘁𝗲 𝗻𝗲 𝗮𝗱𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗮𝘁𝗲𝗻 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝘃𝗶𝘁𝗶𝗻 𝟮𝟬𝟮𝟱!

Departamenti i Administratës Publike (DAP) mbetet një nga institucionet kyçe në menaxhimin e shtetit tonë, pasi është përgjegjës për ndërtimin dhe mirëfunksionimin e shërbimit civil, për rekrutimin e nëpunësve publikë, si dhe për garantimin e standardeve të profesionalizmit, meritës dhe transparencës në administratë.
Për fat të keq, edhe gjatë vitit 2025, me gjithë përpjekjet e institucionit, kjo strukturë nuk i ka përmbushur misionin dhe objektivat e mësipërme madhorë të tij. Edhe pse Raporti i tij vjetor përpiqet të paraqesë një tablo të ndritshme të performancës shtetërore, me gjoja profesionalizëm në rekrutim, etikë të forcuar, digjitalizim dhe transparencë të lartë, përtej perdes së rreme të imazhit të lëmuar për konsum ndërkombëtar, realiteti i administratës publike shqiptare mbetet i zymtë dhe problematik.
I. Çfarë ka bërë DAP me 11 mijë vendet vakante?
Sipas Përmbledhjes së Raportit të DAP për vitin 2025, faqe 2 në fund, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 600 procedura konkurrimi, nëpërmjet të cilave janë shpallur 934 pozicione të lira. Për vitin 2025, me punën tuaj keni plotësuar 654 pozicione vakante.
Sipas tabelës zyrtare të punonjësve në institucionet buxhetore, për vitin 2025, nga 169,794 pozicione të planifikuara në nivel kombëtar dhe me organikë të miratuar, vetëm 158,220 pozicione rezultojnë të jenë të plotësuara. Kjo nënkupton që aktualisht administrata jonë publike dhe institucionet shtetërore operojnë me 11,574 vende vakante, ndërkohë që DAP mburret se për vitin e kaluar ka plotësuar 654 vende vakante, ose rreth 6 përqind të vendeve bosh!
Ky tregues ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin real të shtetit tonë për të zbatuar politikat e duhura për një administratë publike dhe për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.
Ndërsa qeveria ka zgjeruar vitet e fundit kontrollin administrativ, fiskal dhe institucional, të dhënat zyrtare për numrin faktik të punonjësve në institucionet buxhetore për vitin 2025 nxjerrin në pah një paradoks të fortë: vetë administrata publike po funksionon me një mungesë prej mbi 11 mijë punonjësish krahasuar me organikën e miratuar.
II. Administrata tatimore, me gati gjysmën e stafit të munguar!
Ngre pyetjen: sa është shqetësuar DAP, nga fakti që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton të ketë të miratuara 327 pozicione në organikë, por vetëm 168 prej tyre janë të plotësuara? Ose një në dy vende pune rezulton i paplotësuar. Sa ka punuar DAP gjatë vitit të kaluar me këtë institucion, dhe sa po punon në këto gjashtë muaj të këtij viti, që gjysma e stafit mungesë të plotësohet? Si e ka lejuar DAP këtë gjendje?
Ky hendek vjen në një periudhë kur administrata tatimore po përballet me detyra gjithnjë e më komplekse, duke filluar nga dixhitalizimi, lufta kundër informalitetit, monitorimi fiskal dhe proceset e harmonizimit me legjislacionin europian. Për këtë vit, kjo administratë ka për detyrë zbatimin e Faljes Fiskale dhe Paqes Fiskale. Nuk i duhen kësaj strukture 168 punonjës të miratuar në organikë?!
Administrata tatimore nuk është e vetmja me mungesa të theksuara në staf. Sa i shqetësuar është DAP që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kishte 133 vende vakante në vitin 2025?
Edhe siguria e vendit dhe organet e rendit kanë mungesat e tyre të rënda në organikë. Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka një mungesë prej 105 efektivësh, ndërsa Garda e Republikës funksionon me 96 punonjës më pak. Këto shifra ngrenë pikëpyetje jo vetëm për kapacitetet administrative të Shtetit, por edhe për aftësinë operacionale të institucioneve që konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare.
Sa i shqetësuar është DAP për këto mungesa dhe përse vakanca të tilla nuk përmenden as në Raport, as në Përmbledhjen Ekzekutive të tij?
III. Arsimi publik vijon të vuajë mungesën e burimeve njerëzore
Në një kohë kur sot mbushen 31 ditë nga protestat e fuqishme të të rinjve dhe të përfaqësuesve të Diasporëse dhe emigrantëve në Tiranë, çfarë ka bërë DAP që të rinjtë, emigrantët dhe përfaqësuesit e Diasporës të tërhiqen dhe të aplikojnë për këto 11 mijë vakanca? A e thotë dot DAP se sa 654 pozicionet vakante të plotësuara për vitin 2025 me punën e DAP, janë nga rradhët e emigrantëve dhe Diasporës? Apo janë thjesht patronazhistë?
A e di DAP që në sistemin tonë arsimor parauniversitar, disa zyra vendore të arsimit shfaqin mungesa të konsiderueshme: Shkodra rezulton me 74 vende vakante, Tirana me 67; edhe Dibra, Lushnja, Tepelena dhe Memaliaj kanë dhjetëra pozicione të paplotësuara?
Në një kohë kur reforma në arsim kërkon rritje të cilësisë dhe performancës, këto boshllëqe dëshmojnë për mungesa të theksuara të kapitalit njerëzor në arsimin publik.
Nëse administrata publike vazhdon të humbasë garën për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët në vend dhe nga Diaspora, rreziku është që hendeku mes objektivave të qeverisjes dhe kapaciteteve reale të Shtetit të bëhet edhe më i madh për këtë vit dhe në vitet e ardhshme.
IV. Politizimi i skajshëm i emërimeve
Edhe për vitin 2025, për më shumë që ishte viti i zgjedhjeve të përgjithshme, politizimi i skajshëm i administratës publike mbeti një plagë e hapur dhe kronike. Në çdo nivel të saj, nga ministritë deri tek bashkitë, punonjësit civilë u ndjenë të ekspozuar ndaj presioneve partiake, lëvizjeve arbitrare dhe vendimeve të papritura, që i paraprijnë ciklit elektoral. Po për këtë nuk ka asnjë rrjesht në Raportin e DAP.
Patronazhistët, figura tipike të sistemit klientelist të instaluar nga sekti Rama, vijuan të mbajnë në kontroll pjesën dërrmuese të punësimeve, promovimeve dhe transferimeve në administratë. Për vitin zgjedhor 2025, antikultura e frikës dhe servilizmit, që e ka paralizuar administratën, u duk qartë, pasi nëpunësi civil nuk shërben më për qytetarin, por për shefin e tij politik.
Edhe gjatë vitit 2025, media e lirë raportoi me dhjetra raste ku punësimet në administratën publike janë produkt thjesht i lidhjeve partiake apo besnikërisë politike, me patronazhistët që veprojnë si ndërmjetës për punësime, duke krijuar një mekanizëm të heshtur shumë të rrezikshëm shpërblimesh ndaj militantëve apo mbështetësve të sektit në pushtet.
Edhe për vitin 2025, meritokracia u zëvendësua me luajalitetin partiak, ndërsa profesionalizmi u sakrifikua për interesat elektorale. Konkurrimet për vendet e punës në administratë mbeten në thelb formale.
Në praktikë, fituesit janë në shumicën dërrmuese të rasteve të paracaktuar, ndërsa testet me shkrim apo intervistat përdoren si mbulesë ligjore për vendime të motivuara politikisht. Dëshmitë publike të kandidatëve të kualifikuar, që përjashtohen pa shpjegime të qarta, janë të shumta dhe mediat i kanë dokumentuar qartësisht si “konkurse të orkestruara”
Sistemi i meritës, që është themel i çdo administrate evropiane, në Shqipëri është zëvendësuar nga një sistem luajaliteti partiak. Shumica e rekrutimeve mbeten të varura nga ndërhyrjet politike apo nga rekomandimet e drejtpërdrejta të sektit në pushtet.
Përmbledhja e Raportit 2025 përmend “rritje të trajnimeve” dhe “forcim të kapaciteteve përmes ASPA-s”, por asnjë program trajnimi nuk mund të zëvendësojë mungesën e meritës në përzgjedhje. Pjesa më e madhe e administratës është e ngurtë, pa njohuri bashkëkohore për menaxhimin e politikave publike, pa kulturë analitike dhe pa aftësi për t’u përballur me sfidat e qeverisjes moderne.
Mungesa e kompetencës është bërë strukturore: nëpunësit e mirë ose largohen drejt sektorit privat, ose margjinalizohen brenda institucioneve. Ndërkohë, në vendet kyçe vazhdojnë të qëndrojnë persona të emëruar mbi bazë besnikërie politike, e jo mbi bazë të rezultateve apo eksperiencës.
xxx
Qeveritë dobësohen kur administrata publike humbet efiçiencën, shtohen skandalet, reformat nuk japin rezultate dhe qytetarët nuk ndiejnë përmirësim në jetën e përditshme.
Raporti i DAP-it për vitin 2025 përpiqet të shesë një narrativë suksesi që nuk përkon me realitetin. Në vend të një administrate moderne dhe meritokratike, Shqipëria mbetet me një administratë të frikësuar, të lodhur, të pamotivuar dhe shpesh inkompetente.
Rruga drejt një administrate evropiane nuk kalon përmes propagandës institucionale, por përmes guximit për të ekspozuar realitetin dhe për ta reformuar rrënjësisht sistemin nga brenda, për ta vënë administratën publike shqiptare, më në fund, në shërbim të qytetarit, e jo të pushtetit.
𝗣𝘀𝗲 𝗻𝗮 𝗹𝗮𝗿𝗴𝗼𝗵𝗲𝗻 𝘁𝗲 𝗿𝗶𝗻𝗷𝘁𝗲 𝗱𝘆 𝗵𝗲𝗿𝗲 𝗺𝗲 𝗳𝗼𝗿𝘁 𝘀𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗶𝘁?

𝗣𝘀𝗲 𝗻𝗮 𝗹𝗮𝗿𝗴𝗼𝗵𝗲𝗻 𝘁𝗲 𝗿𝗶𝗻𝗷𝘁𝗲 𝗱𝘆 𝗵𝗲𝗿𝗲 𝗺𝗲 𝗳𝗼𝗿𝘁 𝘀𝗲 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗲 𝗿𝗮𝗷𝗼𝗻𝗶𝘁?

Sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2013 kishim 50 mijë maturantë. Në vitin 2025 kishim më pak se gjysmën, vetëm 23.5 mijë. Maturantët e vitit 2025 janë brezi i lindur kryesisht në vitet 2006–2007.
Studimi i fundit për të rinjtë nga Divizioni i Popullsisë në Kombet e Bashkuara, cilëson se Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç deri në vitin 2050. Ky ritëm është dy herë më i lartë, nga ai i humbjes së të rinjve në vendet e rajonit tonë.
Në këto 13 vjet, të rinjtë na janë larguar me ritëm të tillë shkatërrues për të ardhmen e shoqërisë sonë, për shkak të papërgjegjshmërisë ekstreme dhe indiferencës vrastare të sektit Rama në pushtet.
Sipas studimit të OKB-së, në vitin 2012, Shqipëria numëronte rreth gjysmë milion të rinj (484 mijë), ndërsa pas dy dekadash e gjysmë, me ritmin e sotëm të largimit të të rinjve, kjo shifër do të arrijë në vetëm 195 mijë, duke vënë në dilemë ekzistencën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kombet e Bashkuara vërejnë se nga 225 vende të botës, Shqipëria klasifikohet e treta në botë, për tkurrjen e numrit të të rinjve në dekadat në vijim.
Kur një vend humbet në mënyrë të vazhdueshme të rinjtë dhe familjet e reja, pasojat shfaqen fillimisht në shkolla, më pas në universitete, në tregun e punës dhe në fund në të gjithë strukturën ekonomike e shoqërore. Shqipëria po humbet me shpejtësi kapitalin e saj njerëzor.
Në të gjitha qytetet dhe fshatrat shqiptare është bërë e zakonshme të shohësh klasa me më pak nxënës, universitete me më pak studentë dhe biznese që ankohen për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Kjo tregon se emigracioni masiv nuk është më vetëm zgjedhje individuale, por fenomen me ndikim kombëtar.
Të rinjtë janë burimi më i rëndësishëm i zhvillimit. Ata përbëjnë forcën e ardhshme të punës, sipërmarrësit, profesionistët dhe kontribuuesit në sistemin e pensioneve dhe në konsumin e vendit. Kur numri i tyre përgjysmohet, vendi përballet me mungesë të fuqisë punëtore, vështirësi në zhvillimin ekonomik dhe presion më të madh mbi sistemet sociale.
Shumë të rinj largohen, jo vetëm për shkak të mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit, edhe pse pagat më të larta, siguria sociale, arsimi cilësor dhe perspektiva profesionale në vendet e BE-së vazhdojnë të ushtrojnë një tërheqje të fortë. Ata shprehin bindjen se avancimi profesional nuk varet gjithmonë nga aftësitë dhe puna, por gjithnjë e më shpesh, nga lidhjet politike, ose klienteliste. Kjo krijon zhgënjim dhe humbje besimi tek qeverisja dhe institucionet publike. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e të rinjve largohen nga pamundësia për gjetjen e një vendi pune dhe bërje karrierë, nëse nuk je patronazhist, ose nuk i ke prindërit me lidhje me sektin Rama ne qeverisje.
Kur tetë në dhjetë të rinj e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë, kjo tregon se besimi tek mundësitë brenda vendit ka rënë thuajse plotësisht. Dhe fajtor tërësor për këtë brerje totale besimi është sekti Rama dhe mënyra e tij e qeverisjes.
Përgjysmimi i maturantëve të Shqipërisë dhe shifrat e studimit të OKB-së nuk pasqyrojnë vetëm zgjedhjet e të rinjve, por edhe vendimet e prindërve të tyre. Kur familjet emigrojnë, largohen bashkë me fëmijët që do të ishin nxënës, studentë dhe profesionistë të së nesërmes në vend.
Sekti Rama ka dështuar të sigurojë meritokraci në punësimin në administratën publike, mundësi reale karriere, strehim të përballueshëm për të rinjtë, besim tek institucionet dhe siguri për të ardhmen. Largimi i të rinjve ndikon drejtpërdrejt negativisht në numrin e studentëve në universitete, në fuqinë punëtore të ardhshme, në sistemin e pensioneve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ka një dekade që Shqipëria po përballet me mungesa serioze të kapitalit njerëzor në sektorë kyç të ekonomisë.
Largimi masiv i të rinjve nga Shqipëria përbën një nga “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në pushtet. Edhe pse emigracioni nuk është një fenomen i ri për shqiptarët, ritmet e largimit gjatë 13 viteve të fundit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e vendit, të vërtetuara katërcipërisht nga raportet ndërkombëtare, si ky i fundit i Divizionit të Popullsisë në Kombet e Bashkuara.
𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲: 𝗹𝗲𝘃𝗶𝘇𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺.

𝗣𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲: 𝗹𝗲𝘃𝗶𝘇𝗷𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗽𝗲𝗿 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺.

Në historinë politike të çdo vendi, ka momente kur një slogan i thjeshtë arrin të përmbledhë pakënaqësi, shpresa, zhgënjime dhe kërkesa për ndryshim të pjesës më të madhe të shoqërisë.
Në Shqipërinë e vitit 2026, për mbështetësit e protestave të nisura më 31 maj dhe sot në ditën e 25-të të tyre, thirrja “Rama, jepe dorëheqjen!” është shndërruar në simbolin më të njohur të lëvizjes protestuese rinore, në një lloj hymni të dytë kombëtar të vendit, ku shumica e shqiptarëve sot identifikohen.
I Fuqia e një mesazhi të thjeshtë dhe të prerë
Një nga arsyet pse slogani “Rama jepe dorëheqjen!” ka fituar jehonë është thjeshtësia e tij. Ai përmban një kërkesë të drejtpërdrejtë, të kuptueshme për këdo dhe të lehtë për t’u përsëritur në protesta.
Historikisht, sloganet që mbijetojnë janë ato që arrijnë të përmbledhin në pak fjalë një mesazh të gjerë politik. Në këtë rast, për protestuesit dhe për shumicën e shqiptarëve, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit autokrat dhe zullumqar është bërë pika e përbashkët që bashkon qytetarë me motive dhe shqetësime të ndryshme, nga Shqipëria dhe Diaspora.
Të 24 protestat e deritanishme kanë njohur pjesëmarrjen dërrmuese të të rinjve nga të gjitha trojet e kombit tonë. Kjo i jep sloganit një dimension të veçantë. Historikisht, të rinjtë kanë qenë forca më dinamike në lëvizjet qytetare dhe demokratike.
Energjia, kreativiteti dhe përdorimi intensiv i mediave sociale kanë ndihmuar që ky mesazh-himn i sotëm të përhapet më shpejt dhe të arrijë audienca gjithnjë e më të gjera. Mjafton të përmendim të 122 personalitetet e Diasporës Shqiptare, në mbështetje të protestave dhe lëvizjes.
Për shumicën dërrmuese të të rinjve në protestë dhe të atyre që e përkrahin protestën pa marrë pjesë fizike në të, slogani përfaqëson jo vetëm një kërkesë të prerë dhe ultimative ndaj drejtuesit të sektit në qeverisje, por edhe një shprehje të dëshirës për më shumë mundësi, përfaqësim dhe besim tek e ardhmja në vendin e tyre.
Slogani-hymn i përsëritur me forcë dhjetra mijëra herë në këto 24 ditë, ka krijuar identitet të përbashkët, ka forcuar ndjenjën e përkatësisë, ka rritur dukshmërinë e kauzës dhe ka ndihmuar n mobilizimin e mbështetësve. Pikërisht përsëritja e vazhdueshme është ajo që e kthen një thirrje të zakonshme në simbol të një lëvizjeje.
II. Nga slogan proteste në simbol lëvizjeje
Gjatë ditëve të protestave, thirrja është dëgjuar në sheshe dhe bulevarde brenda dhe jasht vendit, në tubime qytetare në të gjithë botën, në rrjete sociale, në pankarta dhe postera, si dhe në deklarata publike të mbështetësve të protestës.
Përsëritja e vazhdueshme e ka kthyer atë në element identifikues të lëvizjes, njësoj siç kanë ndodhur raste të ngjashme në vende të tjera, për shembull në Poloni me “Solidarnost”, etj., ku sloganet janë bërë simbole të periudhave të caktuara politike.
“Rama jepe dorëheqjen!” nuk përfaqëson thjesht një kërkesë drejtuar një individi apo një partie politike. Ajo është vullkan i plotë në shpërthim i një pakënaqësie më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve tona publike.
Slogani mishëron kërkesa për më shumë transparencë në vendimmarrje, për forcimin e llogaridhënies publike, luftë më efektive kundër korrupsionit, institucione më të pavarura, dialog më të gjerë me qytetarët dhe rritje të besimit tek shteti dhe administrata publike.
III. Kërkesat e fuqishme për përgjegjësi politike dhe transparencë
Një nga parimet themelore të demokracisë është që qeveritë dhe drejtuesit politikë t’u përgjigjen qytetarëve për vendimet dhe rezultatet e tyre.
Me “Rama jepe dorëheqjen!”, protestuesit argumentojnë se, kur pakënaqësitë publike bëhen të vazhdueshme dhe të dukshme, kërkohet një ndryshim i thellë politik në vend. Kjo është rrugëdalja e vetme.
Në këtë kuptim, thirrja për dorëheqje interpretohet si një kërkesë e fuqishme për marrje përgjegjësie politike dhe jo vetëm si një slogan. Dy ditë më parë u dorëhoq kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, pikërisht se mori përgjegjësitë politike që i takonin.
Në vendet demokratike, debati mbi përgjegjësinë politike përbën një element të rëndësishëm të kulturës së qeverisjes dhe të raportit mes qytetarëve dhe pushtetit.
Një tjetër dimension i rëndësishëm që lidhet me “Rama jepe dorëheqjen!”është kërkesa për transparencë. Qytetarët protestues dhe jo vetëm ata kërkojnë gjithnjë e më shumë informacion të plotë mbi projektet publike, konsultim të gjerë për investimet strategjike, qartësi mbi përdorimin e fondeve publike dhe akses më të madh në informacionin zyrtar.
Në epokën e komunikimit dixhital, pritshmëritë për transparencë janë më të larta se kurrë dhe sekti Rama në qeverisje ka bërë për 14 vite rrjesht të kundërtën.
xx
Historia e demokracive moderne tregon se ndryshimi politik është një proces normal dhe i domosdoshëm. Ai mund të vijë përmes zgjedhjeve, reformave institucionale, dialogut politik, ose edhe formave të tjera të pjesëmarrjes qytetare.
Për protestuesit dhe shumicën e shqiptarëve, slogani-hymn “Rama, jepe dorëheqjen!” përfaqëson bindjen se vendi ka nevojë për një fazë të re politike, me ide, energji dhe qasje të reja në qeverisje.
𝗤𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗮𝗻𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲𝗺 𝗻𝗷𝗲 𝗮𝗹𝗴𝗼𝗿𝗶𝘁𝗲𝗺: 𝗗𝗢𝗥𝗘𝗛𝗘𝗤𝗝𝗘𝗡 𝗘 𝗘𝗗𝗜 𝗥𝗔𝗠𝗘𝗦 !

𝗤𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲 𝗸𝗮𝗻𝗲 𝘃𝗲𝘁𝗲𝗺 𝗻𝗷𝗲 𝗮𝗹𝗴𝗼𝗿𝗶𝘁𝗲𝗺: 𝗗𝗢𝗥𝗘𝗛𝗘𝗤𝗝𝗘𝗡 𝗘 𝗘𝗗𝗜 𝗥𝗔𝗠𝗘𝗦 !

Ditën e djeshme, kreu i sektit Rama, në një takim me deputetët dhe kabinetin e tij, mbajti një fjalim të gjatë që nuk solli as reflektim, as përgjegjësi politike dhe as transparencë e llogaridhënie përballë qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, ai dëshmoi qartë ankthin dhe panikun që e ka përfshirë këto 21 ditë, nga protesta qytetare shqiptare brenda dhe jashtë vendit.
Në vend që t’u japë përgjigje qytetarëve shqiptarë për skandalet, korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe mungesën e llogaridhënies, ai zgjodhi të flasë për veten, duke ngritur një mur justifikimesh dhe retorike boshe.
Shqiptarët, këto 21 ditë protestë e revoltë qytetare presin përgjegjësi nga njeriu që ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë, por kanë marrë vetëm një shfaqje politike të mbushur me nervozizëm, paranoja, frikë dhe shmangie të së vërtetës.
Për 13 vite me radhë, qeverisja e sektit Rama ka prodhuar centralizimin e pushtetit, dobësimin e institucioneve të kontrollit dhe mungesën sistematike të transparencës e llogaridhënies. Në vend të llogaridhënies publike, qytetarëve shqiptarë këto 13 vite u është ofruar propagandë, arrogancë, korrupsion e keqqeverisje.
Në vend të meritokracisë, është ndërtuar një sistem klientelist që ka favorizuar një grusht individësh në kurriz të interesit publik.
Në vend të një qeverisje në shërbim të interesit kombëtar, është konsoliduar një sekt njerëzish që rrotullohen rreth dëshirave dhe orekseve të një njeriu, të Edi Ramës.
Autokrati Rama tregoi edhe një herë se është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Ai foli për protestuesit si për një fenomen që nuk po ndodh, sikur nuk është e vertetë, të cilën ai në vazhdën e paranojave që kapin “autokratët” në fund të regjimit të tyre, i quajti algoritëm.
Por qindra mijëra qytetarë nuk janë algoritme, nuk janë statistika dhe as instrumente propagande.
Ata janë njerëz, qytetarë të lirë, të ndershëm të këtij vendi që kërkojnë llogari për mënyrën se si është qeverisur vendi, për pasuritë publike, për korrupsionin, për varfërinë dhe për mungesën e perspektivës. Njerëz që janë ngritur kundër këtij sistemi kleptokrat, antikombëtar, 13 vjeçar.
Kur një qeveri refuzon të dëgjojë qytetarët dhe kur një drejtues e sheh çdo kritikë si kërcënim personal, atëherë kemi të bëjmë me simptomat e një pushteti që ka humbur kontaktin me realitetin.
Autokrati Rama po përpiqet ta zhvendosë debatin nga thelbi i revoltës qytetare, duke e reduktuar atë në çështje të veçanta, ndërkohë që protestuesit kanë artikuluar qartë arsyen e ngritjes e revoltës së tyre: dështimin e një modeli qeverisjeje të ndërtuar mbi arrogancën, mungesën e transparencës dhe refuzimin e llogaridhënies.
Protesta qytetare nuk është ngritur vetëm për një çështje apo për një vendim të vetëm. Ajo është ngritur kundër një sistemi të tërë keqqeverisjeje. Kundër një modeli ku koncesionet, tenderët, pasuritë publike, energjia, portet dhe resurset kombëtare janë shoqëruar vazhdimisht me dyshime për favorizime, klientelizëm dhe korrupsion. Kjo është arsyeja pse kërkesa e protestuesve nuk kufizohet në një problem të vetëm, por synon rikthimin e përgjegjshmërisë politike dhe të kontrollit demokratik mbi pushtetin.
Sot në ditën e 21-të, mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, vazhdojnë të protestojnë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, arrogancës së pushtetit dhe mungesës së thellë të llogaridhënies që ka karakterizuar qeverisjen e sektit Rama. Ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie, drejtësi dhe rikthimin e besimit tek institucionet.
Kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe të panegociueshme:Dorëheqjen e menjëhershme të autokratit Rama dhe largimin e qeverisë aktuale, si e vetmja mënyre dhe e vetmja kërkesë e panegociueshme për qytetarët protestues; Krijimin e një qeverie teknike që garanton proces të drejtë zgjedhor dhe stabilitet institucional deri në zgjedhjet e ardhshme; Shfuqizimin e ligjeve të kontestuara që konsiderohen në kundërshtim me interesin publik dhe që kanë favorizuar interesa klienteliste dhe oligarkike; Rishikimin e Kodit Zgjedhor për të garantuar barazinë e votës, lista të hapura, përfaqësim më të drejtë politik dhe kufizim të përqendrimit afatgjatë të pushtetit; Forcimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel të qeverisjes.
Jo vetëm i shkëputur nga realiteti, me gjuhë paniku e arrogance, ku fjalimet e rrëfimet i jep vetëm para “të tijëve”, por kreu i sektit po përdhos dhe denigron simbolet tona kombëtare me gjuhë përçarëse, ku bashkëkombasit tanë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, i quan terminologjikisht “diasporë”, duke treguar qartazi se edhe kësaj radhe kostumi i tij i përhershëm, si në 13 vite, është kostumi i një antikombëtari.
Sot, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht përkatësisë politike, kanë detyrimin kushtetues dhe moral të dëgjojnë zërin e qytetarëve protestues dhe të mbështesin kërkesat legjitime për më shumë, transparencë dhe përgjegjësi publike.
Revolta qytetare që po zhvillohet sot nuk është thjesht një lëvizje çfarëdo qytetare. Ajo është një kërkesë e drejtpërdrejtë për rikthimin e llogaridhënies në qeverisje, për fundin e pandëshkueshmërisë dhe për rivendosjen e standardeve demokratike. Sa më gjatë që autokrati Rama të refuzojë të dëgjojë jehonën e protestës, aq më i madh bëhet hendeku mes pushtetit dhe qytetarëve.
Nga një analizë gjithëpërfshirëse e botuar në të përditshmen e gazetës “Sot”, me autor opinionistin tejet të spikatur Ilir Dako, po citoj një pasazh: “Zullumet e këtij kryeministri flenë si gjaku i Makbethit në duart e tij, ku çdo pasuri e grabitur, çdo krim apo bashkëpunim me krimin i rëndojnë ndërgjegjen dhe i kanë kallur datën nga shtëpia pa qera që ka përgatitur drejtësia”.
Koha e justifikimeve ka mbaruar. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi. Kërkojnë transparencë. Kërkojnë llogaridhënie. Dhe mbi të gjitha, kërkojnë ndryshim. Qytetarët protestues shqiptarë kanë vetëm një algoritëm: DORËHEQJEN E EDI RAMËS !
𝗗𝗼𝗺𝗼𝘀𝗱𝗼𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗮𝗻𝘂𝗹𝗹𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝟰 𝗹𝗶𝗴𝗷𝗲𝘃𝗲 𝗾𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗻 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲

𝗗𝗼𝗺𝗼𝘀𝗱𝗼𝘀𝗵𝗺𝗲𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗮𝗻𝘂𝗹𝗹𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲 𝟰 𝗹𝗶𝗴𝗷𝗲𝘃𝗲 𝗾𝗲 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗼𝗻 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗮 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲

Dhjetra protestat e shpërthyera në vend në 19 ditët e fundit kundër keq-qeverisjes dhe arrogancës së sektit Rama në pushtet, duke marrë shkas dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec më 30 maj, kanë prodhuar një lëvizje të fuqishme rinore, e cila sot ka hyrë në ditën e njëzetë të protestave masive në Tiranë.
Protestuesit, krahas dorëheqjes së kryeministrit, kanë artikuluar katër kërkesa të qarta: shfuqizimin e ligjit famëkeq Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, të Paketës mafioze të Maleve, anullimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat 20 përqind të zonës së mbrojtur e japin për biznes, si dhe anullimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, që fut privatin në menaxhimin e aseteve kulturore publike të vendit.
Partia Demokratike ka kërkuar në Kuvend shfuqizimin e tyre. Domosdoshmëria e abrogimit të tyre buron nga këto katër arsye kryesore:
I. Ligji për Investitorin Strategjik: grabitje dhe vjedhje e organizuar e tokës në bregdet
Sekti Rama miratoi në dhjetor 2025 në Kuvend shtyrjen e gjashtë të afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, gjoja si një masë e përkohshme trevjeçare, për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë!
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, cilësoi se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”. Në raportin e klimës së investimeve për vitin 2023, DASH theksoi se ligji Nr. 55/2015 për Investimet Strategjike nuk ka tërhequr investime të huaja. Nga 52 projekte të miratuara, të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik, vetëm 2 janë të huaja.
Në 11 vitet e funksionimit të tij, ky ligj krijoi një regjim të veçantë për një kategori të caktuar investitorësh, të afërt me sektin Rama në pushtet, duke u dhënë atyre toka shtet apo të privatit në bregdet, përmes procedurash të përshpejtuara dhe lehtësish që nuk janë të disponueshme për bizneset e tjera. Ai prodhoi pabarazi të thekshme në treg, favorizoi sipërmarrës të caktuar që protestuesit me të drejtë i quajnë “oligarkët e Ramës”, cënoi konkurrencën e lirë dhe diskriminoi biznese të huaja dhe vendase që shprehën interes dhe u përjashtuan nga gara.
Aplikimi i ligjit solli kritere dhe procedura përzgjedhjeje të investitorëve strategjikë aspak të qarta për publikun, me procedura negocimi me fituesit, të zhvilluara në kushte të transparencës së kufizuar ose të mungesës totale të transparencës, ku publiku dhe komunitetet lokale u informuan vonë ose nuk u informuan fare për projektet dhe ndikimin e tyre në jetën komunitare.
Procedurat e përshpejtuara krijuan perceptimin se disa investitorë gëzojnë privilegje të veçanta përballë ligjit, me procedura standarde administrative që u anashkaluan pjesërisht ose totalisht, me institucione zbatuese të ligjit që ushtruan më pak ose aspak kontroll, duke e injoruar parimin e trajtimit të barabartë ligjor.
Sidomos në bregdet, por edhe në zona të tjera, ligji gjeneroi konflikte të mprehta me interesat e komuniteteve lokale, duke dhënë toka të privatit pa marrë miratimin e tij dhe me kompensim qesharak, apo duke akorduar toka publike me procedura të diskutueshme, në dispozicion të projekteve private të oligarkëve.
Ligji është në konflikt të hapur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, i cili kërkon konkurrencë të ndershme, transparence, kufizim deri në zerim të trajtimeve preferenciale dhe forcim të institucioneve publike kontrolluese dhe ligjzbatuese.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai jo vetëm që ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime abuzive, nga njerëz të afërt me Ramën dhe me sektin e tij në qeverisje.
II. Programi mafioz “Paketa e Maleve”
Ligji i miratuar për këtë program duhet abroguar sa më parë. Shqipëria mbart prej dekadash ndër problemet më të ndërlikuara të pronësisë në rajon, të tilla si (i) mbivendosje e titujve të pronësisë, (ii) legalizime të pjesshme, (iii) kthim dhe kompensim prone thellësisht i papërfunduar, (iv) konflikte trashëgimie dhe (v) mungesë regjistrash të plotë kadastralë.
Në këtë kontekst, çdo skemë që hap mundësi për përdorim, transferim apo dhënie në zhvillim të tokave krijon rrezik të lartë konfliktesh, nëse statusi juridik nuk është i qartë. Dhe pronat në zonat malore janë ato me paqartësi ekstreme të gjendjes juridike.
Nëse programi Paketa e Maleve do të zbatohet, sipërfaqe të mëdha në zona malore do të kalojnë de facto nën kontrollin e investitorëve ose subjekteve me kapital më të fortë, favoritë të sektit Rama në pushtet, ndërsa komunitetet lokale do të humbasin kontrollin ekonomik mbi territorin. Kjo do të sjellë dobësim të pronarëve të vegjël, ulje të fuqisë negociuese të banorëve lokalë dhe përqendrim të aseteve strategjike të vendit në pak duar.
“Paketa e Maleve” do të aktivizojë toka me status të paqartë pronësie ose me pretendime të shumta. Kjo do të sjellë përplasje mes pronarëve historikë dhe përdoruesve aktualë, konflikte të thella mes familjeve dhe trashëgimtarëve dhe procese të gjata administrative dhe gjyqësore. Në mënyrë paradoksale, ajo do të paralizojë edhe ato pak investime private që po realizohen në mënyrë spontane sot në malet tona. Duke përfshirë toka në projekte pa zgjidhje paraprake të pronësisë, Paketa e Maleve do të shumëfishojë konfliktet mes familjeve dhe trashëgimtarëve, mes komuniteteve dhe investitorëve, si dhe mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore.
Në zonat malore toka nuk është vetëm aset ekonomik, por edhe identitet familjar, trashëgimi dhe burim jetese. Paketa do të krijojë presione të forta, me banorët që do të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, ose të kërcënuar nga humbja e aksesit mbi kullota, pyje apo toka me përdorim tradicional.
Çdo ndërhyrje që prek tokat private, kullotat, pyjet dhe pronat familjare të trashëguara, ka rrezik të lartë të aktivizojë konflikte të fjetura prej vitesh ose dekadash. Përplasjet mes komuniteteve dhe investitorëve të miratuar nga Paketa, me projekte që avancojnë pa konsultim real me komunitetet lokale, do të sjellin një tension social të skajshëm. Në vend të zhvillimit ekonomik, programi mafioz “Paketa e Maleve” do të prodhojë polarizim ekstrem social dhe vëllavrasje!
Ja përse me të drejtë protesuesit në 19 ditët e protestave të pandërprera qytetare, kërkojnë anullimin e ligjit “Paketa e Maleve”.
III. Ndryshimet kleptokrate në Ligjin për Zonat e Mbrojtura
Përmes një ligji që përbën krim ekologjik, më 22 shkurt 2024, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për kapriçiot dhe dëshirat-ligje të Sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.
Rama dhe deputetët e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, praktikisht u tallën me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, me synimin që interesat e Shqipërisë dhe të BE-së për mjedisin në Shqipëri të mbroheshin, zhvilloi më 2 shkurt 2024 një vizitë në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, ku pas takimit me kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit, u shpreh se “U kërkova atyre të garantojnë që çdo ndryshim në kuadrin ligjor ekzistues për zonat e mbrojtura t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët”.
Ndryshimet përfundimtare në ligjin e mëparshëm të vitit 2017 u bënë në një mbledhje online të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, me votat vetëm të shumicës, pa debat dhe dëgjesa të organizatave mjedisore. Këto organizata nuk u lejuan të ishin të pranishme, edhe kur projektligji u miratua në Komisionin për Çështjet e Integrimit, në një kohë kur organizatat mjedisore kishin treguar në detaje shkeljet dhe kundërshtitë që kishin ndryshimet e propozuara në ligj, me direktivat e Komisionit Evropian në fushën e mjedisit.
Ndryshimet në ligjin e 2017-ës përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre.
Ndryshimet gjoja ju erdhën ndër mend të dymbëdhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, nga një letër e disa kryebashkiakëve të Partise Socialiste, që i paskan kërkuar Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e zonave të mbrojtura në territoret e bashkive të tyre. Në të vërtetë, sektit Rama në qeverisje dhe vetë Ramës ia kërkuan me ngulm oligarkët e vet, që të kishin duart e lira në ndërhyrjen me investime në zonat e mbrojtura. Dhe Rama, duke nuhatur fitim të majmë, vuri në lëvizje në kohë rekord shumicën në Kuvend.
Oligarkët e Ramës nuk janë nginjur akoma me të gjitha tokat e grabitura në Jug dhe në bregdet, por tani i kërkuan dhe ia arritën të grabisin edhe zonat e mbrojtura me ligj!
IV. Ndryshimet ligjore që sollën Marrëveshjen-grabitje të Butrintit
Ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore në vitin 2018 sollën Marrëveshjen e vitit 2022, për dhënien në administrim me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Kjo marrëveshje përbën një njollë të turpshme dhe të rëndë të qeverisjes së sektit Rama. Ajo nuk ishte një reformë menaxhimi, sikurse u paraqit, por një akt politik që relativizoi kufirin mes interesit publik dhe interesave të ngushta të sektit, duke prekur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit historik shqiptar.
Butrinti nuk është një aset ekonomik i zakonshëm. Është trashëgimi botërore, simbol kulturor dhe kapital identitar. Prandaj dhe çdo vendim mbi administrimin e tij kërkon transparencë maksimale, konsensus publik dhe përgjegjësi shtetërore, elementë që në marrëveshje munguan dukshëm.
Marrëveshja për Butrintin (i) dobësoi rolin e shtetit në ruajtjen e pasurive strategjike, (ii) krijoi një model ku pasuritë publike trajtohen si projekte menaxheriale dhe jo si përgjegjësi sovrane, si dhe (iii) zëvendësoi transparencën publike me marrëveshje të negociuara në rreth të ngushtë.
Butrinti përfaqëson histori, identitet dhe kujtesë kolektive. Kur administrimi i një pasurie të tillë kalon jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror, lind me të drejtë një ndjesi humbjeje sovraniteti kulturor. Kjo është arsyeja pse cilësimi “grabitje” për marrëveshjen e Butrintit është i plotë, bazuar në ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” të vitit 2018, si perceptim politik dhe simbolik i një ligji që çimentoi shkëputjen e Shtetit nga përgjegjësia kulturore dhe historike.
xxx
Prandaj dhe protestuesit e lëvizjes rinore këto 19 ditë kërkon pandërprerazi dhe me forcë që “Shqipëria nuk është për shitje!” dhe asetet e vendit nuk mund të jepen me procedura favorizuese të dyshimta, duke shkelur të gjitha standardet e Bashkimit Evropian për transparencën dhe ruajtjen e interesit publik dhe atij komunitar. Garantimi i mos-shitjes së vendit është pikërisht anullimi i menjëhershëm i këtyre katër ligjeve të grabitjes dhe kleptokracisë Rama.
𝗚𝗷𝗲𝗿𝗺𝗮𝗻𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝗮 𝗳𝗼𝗿𝗰𝗼𝗷𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝘆𝗹𝗹𝗲𝗻 𝗲𝘃𝗿𝗼𝗽𝗶𝗮𝗻𝗲 𝘁𝗲̈ 𝗡𝗔𝗧𝗢-𝘀!

𝗚𝗷𝗲𝗿𝗺𝗮𝗻𝗶𝗮 𝗱𝗵𝗲 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝗮 𝗳𝗼𝗿𝗰𝗼𝗷𝗻𝗲 𝘀𝗵𝘁𝘆𝗹𝗹𝗲𝗻 𝗲𝘃𝗿𝗼𝗽𝗶𝗮𝗻𝗲 𝘁𝗲̈ 𝗡𝗔𝗧𝗢-𝘀!

Më 17 qershor 2026, në 35-vjetorin e Traktatit të Fqinjësisë Gjermani–Poloni të vitit 1991, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius dhe homologu i tij polak Władysław Kosiniak-Kamysz nënshkruan në Varshavë një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim ushtarak. Ky akt ka një domethënie që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe, pasi prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë evropiane, forcimin e NATO-s dhe perspektivën e mbrojtjes së përbashkët evropiane.
Traktati i vitit 1991 u konsiderua si një nga dokumentet më të rëndësishme të pajtimit evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Ai hodhi themelet e bashkëpunimit midis dy vendeve që për dekada kishin qenë të ndara nga plagët e historisë.
Nënshkrimi i marrëveshjes së re ushtarake pikërisht në përvjetorin e këtij traktati, simbolizon transformimin e marrëdhënieve gjermano-polake ,nga fqinjësi e mirë në partneritet strategjik për sigurinë e Evropës.
Më kët marrëveshje forcohet shtylla evropiane e NATO-s. Gjermania dhe Polonia janë ndër vendet më të rëndësishme të NATO-s në kontinentin evropian. Gjermania është ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, Polonia është ekonomia e katërt më e madhe e BE-së. Ndërkohë, Polonia është sot fuqia ushtarake më dinamike në Evropë. Polonia i ka rritur shpenzimet e saj ushtarake në nivelin rekord të 4.8% të PBB-së për vitin 2026, duke e bërë atë një nga vendet me buxhetin më të lartë për mbrojtjen në të gjithë NATO-n.
Bashkëpunimi më i ngushtë ushtarak mes Gjermanisë dhe Polonisë forcon kapacitetet evropiane brenda NATO-s dhe rrit aftësinë e aleancës për të reaguar ndaj sfidave të sigurisë.
Lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e sigurisë në Evropë. Polonia është kthyer në një nyje kryesore të mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s, ndërsa Gjermania ka marrë një rol më aktiv në garantimin e sigurisë rajonale.
Marrëveshja kontribuon në koordinimin më të mirë të forcave, stërvitjeve, logjistikës dhe planifikimit ushtarak, duke rritur gatishmërinë përballë kërcënimeve të mundshme.
Një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit lidhet me zhvillimin e teknologjive ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes. Evropa e Bashkuar ka nevojë të reduktojë fragmentimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe të investojë më shumë në projekte të përbashkëta. Bashkëpunimi gjermano-polak mund të shërbejë si model për integrimin më të madh të industrive të mbrojtjes në nivel evropian.
Në një periudhë sfidash gjeopolitike, marrëveshja përcjell një mesazh të qartë se vendet kryesore të Bashkimit Evropian janë të gatshme të bashkëpunojnë më ngushtë, për të garantuar paqen dhe sigurinë në kontinent.
Ky unitet është veçanërisht i rëndësishëm në një kohë kur Evropa përballet me tensione ndërkombëtare, kërcënime hibride, sulme kibernetike dhe pasiguri strategjike.
Gjatë viteve të fundit, Polonia ka modernizuar forcat e armatosura, ka investuar në teknologji të avancuara dhe ka forcuar rolin e saj, si shtyllë e sigurisë euroatlantike në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo e bën bashkëpunimin me Gjermaninë edhe më të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë evropiane.
Për ne, është lajm i rëndësishëm që aleatë tanë strategjikë po forcojnë bashkëpunimin ushtarak. Si Gjermania ashtu edhe Polonia janë aleate kyçe të Shqipërisë brenda NATO-s dhe mbështetëse të zellshme të integrimit tonë evropian. Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet tyre krijon një mjedis më të sigurt për të gjithë aleancën, përfshirë Shqipërinë.
Siguria e Shqipërisë lidhet ngushtë me sigurinë e NATO-s. Sa më të forta të jenë kapacitetet mbrojtëse të aleatëve kryesorë evropianë, aq më e fortë bëhet edhe mbrojtja kolektive e Aleancës. Marrëveshja gjermano-polake kontribuon pikërisht në këtë drejtim.
Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie të mira ushtarake me të dy vendet. Thellimi i bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Polonisë mund të krijojë mundësi të reja për stërvitje të përbashkëta edhe me Shqipërinë, shkëmbime ekspertize, modernizimin e forcave tona të armatosura, bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike ushtarake dhe pjesëmarrje në iniciativa shumëpalëshe të NATO-s.
Marrëveshja tregon se vendet evropiane mund të ndërtojnë partneritete të forta edhe pas periudhave të vështira historike. Ky është një mesazh i vlefshëm edhe për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor, ku bashkëpunimi rajonal mbetet një kusht i rëndësishëm për stabilitetin dhe integrimin evropian.
Për ne, kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë, pasi përfshin dy nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë në Evropë. Një bashkëpunim më i fortë gjermano-polak do të thotë një NATO më e fortë, një Evropë më e sigurt dhe më shumë mundësi për bashkëpunim, zhvillim dhe integrim për vendet aleate, përfshirë edhe vendin tonë.
𝗥𝗲𝗸𝘁𝗼𝗿𝗶 𝗱𝗶𝗻𝗷𝗶𝘁𝗼𝘇 𝗱𝗵𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗮 𝘀𝗳𝗶𝗱𝘂𝗲𝘀𝗲 𝗲 𝘁𝗶𝗷 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶𝘁

𝗥𝗲𝗸𝘁𝗼𝗿𝗶 𝗱𝗶𝗻𝗷𝗶𝘁𝗼𝘇 𝗱𝗵𝗲 𝗱𝗼𝗿𝗲𝗵𝗲𝗾𝗷𝗮 𝘀𝗳𝗶𝗱𝘂𝗲𝘀𝗲 𝗲 𝘁𝗶𝗷 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶𝘁

Dorëheqja e Rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, përbën një zhvillim të rëndë, madje skandal të mirëfilltë, i cili shkon përtej kufijve të një institucioni të vetëm të arsimit të lartë publik. Ajo ngre pikëpyetje serioze mbi gjendjen reale të autonomisë universitare në Shqipëri dhe mbi raportin e deformuar mes universiteteve publike dhe sektit Rama në qeverisje, tër përfaqësuar në këtë rast nga një Ministri e Arsimit shkatërruese me ndërhyrjet e saj, të autonomisë universitare.
Në çdo demokraci funksionale, universitetet konsiderohen hapësira të lirisë akademike, të mendimit kritik dhe të vetëqeverisjes institucionale. Autonomia universitare nuk është një privilegj i drejtuesve të universiteteve, por një parim themelor që garanton cilësinë e arsimit, pavarësinë e kërkimit shkencor dhe mbrojtjen e interesit publik nga ndikimet politike të momentit.
Rektori dinjitoz Prof.Dr. Tonin Gjuraj u detyrua të dorëhiqej, për shkak të ndërhyrjeve flagrante të Ministrisë së Arsimit, si dhe për shkak të tensionit të shkaktuar nga largimi nga puna prej Bordit të Administrimit të një plejade profesorësh të nderuar të Universitetit të Shkodrës.
Ligji shqiptar për arsimin e lartë njeh autonominë e universiteteve në aspektin akademik, organizativ, financiar dhe të përzgjedhjes së strukturave drejtuese. Megjithatë, prej vitesh është ngritur me të drejtë shqetësimi se kjo autonomi ekziston më shumë në letër, sesa në praktikë. Rasti flagrant i dorëheqjes së Prof. Gjuraj është dëshmi therëse.
Në të gjitha universitetet tona publike, shumë vendimmarrje të rëndësishme ndikohen nga politika qendrore e Ministrisë së Arsimit, përmes instrumenteve të ndryshme: kontrollit financiar, procedurave burokratike, emërimeve të komanduara të administratorëve të Bordeve, miratimeve administrative, politikave të financimit dhe ushtrimit të presioneve të drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj drejtuesve universitarë.
Dua të sjell një pasazh të shkrimit të sotëm të gazetarit Gjergj Zefi: “Kur një profesor me karrierë akademike, me tituj shkencorë dhe me legjitimitetin e votës universitare largohet duke deklaruar se nuk ka më forcë përballë një bordi administrimi, problemi nuk është më personal. Problemi bëhet kombëtar. Sepse mesazhi që merr çdo pedagog, çdo studiues dhe çdo student është brutal: në Shqipëri nuk fiton dija, por injoranca përmes mbështetjes politike”.
Dorëheqja e detyruar e Prof. Tonin Gjurajt ka ardhur si pasojë e pamundësisë për të ushtruar kompetencat që ligji ia njeh rektorit dhe organeve drejtuese të universitetit, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh sesa një konflikt institucional. Kemi të bëjmë me dobësimin e një prej shtyllave kryesore të shoqërisë demokratike: pavarësinë e institucioneve akademike.
Universitetet nuk mund të funksionojnë si degë administrative të ministrive. Rektori nuk duhet të jetë zbatues pasiv i vendimeve të ardhura nga lart, por drejtues i zgjedhur nga komuniteti akademik, me mandat të qartë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj pedagogëve, studentëve dhe institucioneve kolegjiale të universitetit. Në të kundërt, proceset zgjedhore universitare humbasin kuptimin e tyre dhe vetë koncepti i vetëqeverisjes universitare zbrazet nga përmbajtja.
Përvoja evropiane tregon se universitetet më të suksesshme janë pikërisht ato që gëzojnë autonomi të gjerë, të shoqëruar me mekanizma të fortë transparence dhe llogaridhënieje.
Dokumente të rëndësishme të Procesit të Bolonjës, si edhe rekomandimet e Shoqatës Evropiane të Universiteteve (EUA), e konsiderojnë autonominë institucionale si kusht për zhvillimin e cilësisë në arsimin e lartë. Ndërhyrjet politike në emërime, në menaxhimin e burimeve njerëzore apo në vendimmarrjet akademike cenojnë standardet që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë në rrugën e saj të integrimit evropian.
Natyrisht, autonomia nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e kontrollit apo me imunitetin institucional. Universitetet publike administrojnë fonde publike dhe duhet t’u nënshtrohen auditimeve, vlerësimeve të performancës dhe rregullave të transparencës.
Mirëpo kontrolli i ligjshmërisë është krejt i ndryshëm nga ndërhyrja në vendimmarrje. Ministria e Arsimit dhe vetë ministrja ka detyrimin të garantojë respektimin e ligjit. Ajo nuk ka asnjë të drejtë të zëvendësojë organet akademike në ushtrimin e kompetencave të tyre.
Dorëheqja e rektorit të Universitetit të Shkodrës përfaqëson një kambanë të fortë alarmi. Ajo kërkon transparencë të plotë mbi shkaqet që e diktuan këtë vendim, reflektim institucional nga Ministria e Arsimit dhe një angazhim serioz për forcimin e autonomisë universitare në praktikë dhe jo vetëm në dispozitat ligjore.
Mbrojtja e universitetit nga ndërhyrjet abuzive nuk është mbrojtje e privilegjeve të një grupi të caktuar. Është mbrojtje e së drejtës së shoqërisë për të pasur universitete të lira, të pavarura dhe të afta për t’i shërbyer zhvillimit të vendit përmes dijes, meritës dhe integritetit akademik.
Dorëheqja e Prof. Gjurajt duhet të shërbejë si nxitje për një debat të gjerë kombëtar mbi të ardhmen e universiteteve shqiptare. A janë ato vërtet institucione autonome? A kanë drejtuesit e zgjedhur hapësirën e nevojshme për të marrë vendime në interes të komunitetit akademik? A ekzistojnë mekanizma efektivë për të mbrojtur universitetet nga ndikimet e pushtetit politik?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk kanë rëndësi vetëm për pedagogët dhe studentët. Ato lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e elitës profesionale që formon vendi, me aftësinë për të prodhuar dije dhe inovacion, si dhe me nivelin e demokracisë shqiptare. Një universitet pa autonomi rrezikon të shndërrohet në një institucion formal, ku bindja zëvendëson mendimin kritik dhe konformizmi zëvendëson meritën.
𝗣𝘀𝗲 𝗣𝗗 𝗽𝗲𝗿𝗰𝗼𝗹𝗹𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗻𝗲 𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱 𝘀𝗵𝗳𝘂𝗾𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗷𝗲𝘃𝗲, 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗲𝘀𝗮 𝘁𝗲 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀𝘃𝗲

𝗣𝘀𝗲 𝗣𝗗 𝗽𝗲𝗿𝗰𝗼𝗹𝗹𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗻𝗲 𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱 𝘀𝗵𝗳𝘂𝗾𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗷𝗲𝘃𝗲, 𝗸𝗲𝗿𝗸𝗲𝘀𝗮 𝘁𝗲 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗲𝘀𝘃𝗲

Dhjetra protestat e shpërthyera në vend në 11 ditët e fundit kundër keq-qeverisjes dhe arrogancës së sektit Rama në pushtet, duke marrë shkas dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec, kanë prodhuar një lëvizje të fuqishme rinore, e cila sot ka hyrë në ditën e dhjetë të protestave masive në Tiranë.
Protestuesit, krahas dorëheqjes së kryeministrit, kanë artikuluar katër kërkesa të qarta: shfuqizimin e ligjit famëkeq Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, shfuqizimin e Paketës mafioze të Maleve, anulimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura që 20 përqind të zonës së mbrojtur e jep për biznes, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, që fut privatin në menaxhimin e aseteve kulturore publike të vendit.
Opozita e PD-së ka qenë gjithnjë kundër këtyre ligjeve dhe ndryshimeve ligjore, duke i kundërshtuar ato fuqishëm. Si çdo deputet i saj, në diskutimet në Kuvend kam denoncuar dhe evidentuar me fakte procesin dhe përmbajtjen korruptive të këtyre katër ligjeve të qepura me dore nga sekti Rama në qeverisje, që sot Partia Demokratike kërkoi në Kuvend shfuqizimin e tyre.
I. Ligji për Investitorin Strategjik: grabitje dhe vjedhje e organizuar e tokës private në bregdet dhe e tokës Shtet
Sekti Rama miratoi në dhjetor 2025 në Kuvend shtyrjen e gjashtë të afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë!
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”. Në raportin e klimës së investimeve për vitin 2023, DASH theksoi se ligji Nr. 55/2015 për Investimet Strategjike nuk ka tërhequr investime të huaja, ndërkohë që nga 52 projekte të miratuara, të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik, vetëm 2 janë të huaja.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai jo vetëm që ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime abuzive, nga njerëz të afërt me Ramën dhe me sektin e tij në qeverisje.
II. Programi mafioz “Paketa e Maleve”
Ligji i miratuar për këtë program duhet abroguar sa më parë. Shqipëria mbart prej dekadash ndër problemet më të ndërlikuara të pronësisë në rajon, të tilla si (i) mbivendosje e titujve të pronësisë, (ii) legalizime të pjesshme, (iii) kthim dhe kompensim prone thellësisht i papërfunduar, (iv) konflikte trashëgimie dhe (v) mungesë regjistrash të plotë kadastralë.
Në këtë kontekst, çdo skemë që hap mundësi për përdorim, transferim apo dhënie në zhvillim të tokave krijon rrezik të lartë konfliktesh, nëse statusi juridik nuk është i qartë. Dhe pronat në zonat malore janë ato me paqartësi ekstreme të gjendjes juridike.
Nëse programi Paketa e Maleve do të zbatohet, sipërfaqe të mëdha në zona malore do të kalojnë de facto nën kontrollin e investitorëve ose subjekteve me kapital më të fortë, favoritë të sektit Rama në pushtet, ndërsa komunitetet lokale do të humbasin kontrollin ekonomik mbi territorin. Kjo do të sjellë dobësim të pronarëve të vegjël, ulje të fuqisë negociuese të banorëve lokalë dhe përqendrim të aseteve strategjike të vendit në pak duar.
“Paketa e Maleve” do të aktivizojë toka me status të paqartë pronësie ose me pretendime të shumta. Kjo do të sjellë përplasje mes pronarëve historikë dhe përdoruesve aktualë, konflikte të thella mes familjeve dhe trashëgimtarëve dhe procese të gjata administrative dhe gjyqësore. Në mënyrë paradoksale, ajo do të paralizojë edhe ato pak investime private që po realizohen në mënyrë spontane sot në malet tona. Duke përfshirë toka në projekte pa zgjidhje paraprake të pronësisë, Paketa e Maleve do të shumëfishojë konfliktet mes familjeve dhe trashëgimtarëve, mes komuniteteve dhe investitorëve, si dhe mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore.
Në zonat malore toka nuk është vetëm aset ekonomik, por edhe identitet familjar, trashëgimi dhe burim jetese. Paketa do të krijojë presione të forta, me banorët që do të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, ose të kërcënuar nga humbja e aksesit mbi kullota, pyje apo toka me përdorim tradicional.
Çdo ndërhyrje që prek tokat private, kullotat, pyjet dhe pronat familjare të trashëguara, ka rrezik të lartë të aktivizojë konflikte të fjetura prej vitesh ose dekadash. Përplasjet mes komuniteteve dhe investitorëve të miratuar nga Paketa, me projekte që avancojnë pa konsultim real me komunitetet lokale, do të sjellin një tension social të skajshëm. Në vend të zhvillimit ekonomik, programi mafioz “Paketa e Maleve” do të prodhojë polarizim ekstrem social dhe vëllavrasje!
Ja përse me të drejtë protesuesit e lëvizjes rinore kërkojnë abrogimin e ligjit “Paketa e Maleve”.
III. Ndryshimet kleptokrate në Ligjin për Zonat e Mbrojtura
Përmes një ligji që përbën krim ekologjik, më 22 shkurt 2024, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për kapriçiot dhe dëshirat-ligje të Sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.
Rama dhe deputetët e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, praktikisht u tallën me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, me synimin që interesat e Shqipërisë dhe të BE-së për mjedisin në Shqipëri të mbroheshin, zhvilloi më 2 shkurt 2024 një vizitë në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, ku pas takimit me kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit, u shpreh se “U kërkova atyre të garantojnë që çdo ndryshim në kuadrin ligjor ekzistues për zonat e mbrojtura t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët”.
Në fakt, ndryshimet përfundimtare në ligjin e mëparshëm të vitit 2017 u bënë në një mbledhje online të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, me votat vetëm të shumicës, pa debat dhe dëgjesa të organizatave mjedisore. Këto organizata nuk u lejuan të ishin të pranishme, edhe kur projektligji u miratua në Komisionin për Çështjet e Integrimit, në një kohë kur organizatat mjedisore kishin treguar në detaje shkeljet dhe kundërshtitë që kishin ndryshimet e propozuara në ligj, me direktivat e Komisionit Evropian në fushën e mjedisit!
Ndryshimet në ligjin e 2017-ës përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre.
Projektligji gjoja u erdhi ndër mend të dymbëdhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, nga një letër e disa kryebashkiakëve të Partise Socialiste, që i paskan kërkuar Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e zonave të mbrojtura në territoret e bashkive të tyre.
Në të vërtetë, sektit Rama në qeverisje dhe vetë Ramës ia kërkuan me ngulm oligarkët e vet, që të kishin duart e lira në ndërhyrjen dhe investimet në zonat e mbrojtura. Dhe Rama, duke nuhatur fitim të majmë, vuri në lëvizje në kohë rekord shumicën në Kuvend.
Oligarkët e Ramës nuk janë nginjur akoma me të gjitha tokat e grabitura në jug dhe në bregdet, por tani i kërkuan dhe ia arritën të grabisin edhe zonat e mbrojtura me ligj.
IV. Ndryshimet ligjore që pollën Marrëveshjen-grabitje të Butrintit
Ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore në vitin 2018 sollën Marrëveshjen e vitit 2022, për dhënien në administrim me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit. Kjo marrëveshje përbën një njollë të turpshme të rëndë të qeverisjes së sektit Rama. Ajo nuk ishte një reformë menaxhimi, sikurse u paraqit, por një akt politik që relativizoi kufirin mes interesit publik dhe interesave të ngushta të sektit, duke prekur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit historik shqiptar.
Butrinti nuk është një aset ekonomik i zakonshëm. Është trashëgimi botërore, simbol kulturor dhe kapital identitar. Prandaj dhe çdo vendim mbi administrimin e tij kërkon transparencë maksimale, konsensus publik dhe përgjegjësi shtetërore, elementë që në marrëveshje munguan dukshëm.
Marrëveshja për Butrintin (i) dobësoi rolin e shtetit në ruajtjen e pasurive strategjike, (ii) krijoi një model ku pasuritë publike trajtohen si projekte menaxheriale dhe jo si përgjegjësi sovrane, si dhe (iii) zëvendësoi transparencën publike me marrëveshje të negociuara në rreth të ngushtë.
Butrinti përfaqëson histori, identitet dhe kujtesë kolektive. Kur administrimi i një pasurie të tillë kalon jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror, lind me të drejtë një ndjesi humbjeje sovraniteti kulturor. Kjo është arsyeja pse cilësimi “grabitje” për marrëveshjen e Butrintit është i plotë, bazuar në ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” të vitit 2018, si perceptim politik dhe simbolik i një ligji që çimentoi shkëputjen e Shtetit nga përgjegjësia kulturore dhe historike.
xxx
Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin në Kuvend, për kërkesat e protestuesve. Ajo mbështet investimet e huaja, por është për një model zhvillimi, i cili kombinon investimet, punësimin dhe rritjen ekonomike, me mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit.
Të gjitha nga kërkesat e artikuluara gjatë protestave përkojnë me kuajt e betejës për Shqipërinë Evropiane të Partisë Demokratike. Sot ripërcolla në FaceBook për kujtesë diskutimin që kam mbajtur më 22 shkurt 2024, ditën e miratimit të ligjit-kuçedër për Zonat e Mbrojtura.
𝗔𝗿𝗿𝗼𝗴𝗮𝗻𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗸𝗼𝗵𝗮 𝗽𝗲𝗿 𝘁𝗲 𝗶𝗸𝘂𝗿!

𝗔𝗿𝗿𝗼𝗴𝗮𝗻𝘁𝗶 𝗥𝗮𝗺𝗮: 𝗸𝗼𝗵𝗮 𝗽𝗲𝗿 𝘁𝗲 𝗶𝗸𝘂𝗿!

Në demokraci, pushteti fitohet përmes votës, por ruhet përmes besimit. Sa më gjatë të qëndrojë një drejtues në krye të qeverisë, aq më i madh bëhet rreziku dhe madje realiteti, që vota e marrë të shndërrohet në vetëkënaqësi dhe jo në kontratë përgjegjësish.
Në një rreth të ngushtë ku pushteti përdoret për favore dhe abuzime për veten dhe ata që ke rreth vetes në sekt, vendimmarrja largohet gradualisht nga dialogu dhe afrohet me arrogancën politike. Kjo e ka sjellë Ramën në 14 vite paudhësi, abuzim, babëzi dhe korrupsion, që të bëhet krye-autokrati dhe krye-arroganti i Shqipërisë.
I. Nga premtimi për ndryshim tek përqendrimi i pushtetit për favore dhe korrupsion
Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013, ajo premtoi një model të ri qeverisjeje, më transparent, më të hapur dhe më pranë qytetarëve. Pas shumë mandatesh në qeveri, ky premtim jo vetëm nuk është mbajtur dhe është sfumuar, por, në vend të dialogut dhe llogaridhënies, është forcuar një model kleptokrat, i përqendruar rreth figurës së kryeministrit.
Pjesa dërrmuese dhe më e rëndësishme e vendimeve politike, ekonomike dhe administrative të qeverisë është identifikuar gjithnjë e më shumë me vullnetin e një personi, duke e degraduar rolin e Kuvendit në një noter të rëndomtë, duke e dobësuar deri në zerim rolin e institucioneve kushtetuese të pavarura dhe të mekanizmave të kontrollit demokratik.
Institucionet e Shtetit në Ramën ndihen të demotivuara dhe të konsumuara nga pushteti i gjatë, nga lakmia e korrupsionit të sektit në pushtet dhe nga mungesa e rotacionit. Një nga sfidat kryesore të çdo demokracie është ruajtja e ekuilibrave institucionalë. Pushteti i gjatë jo vetëm e ka gjeneruar rrezikun e identifikimit të shtetit me qeverinë dhe të qeverisë me drejtuesin e saj, por edhe e ka shndërruar këtë rrezik në përditësi të çdo shërbimi që qeverisja u ofron qytetarëve.
Vendi ynë ka nevojë, madje domosdoshmëri për institucione më të forta dhe më pak të varura nga figurat individuale. Shteti ligjor funksionon më mirë, kur rregullat janë më të rëndësishme se individët dhe kur vendimmarrja kalon përmes institucioneve, dhe jo përmes autoritetit politik e qeveritar të mishëruar nga një njeri i vetëm.
II. Arroganca si perceptim politik. Rama, Luigji i XIV-të modern
Arroganca politike nuk është domosdoshmërisht një kategori juridike. Ajo është edhe një perceptim që krijohet, kur qytetarët ndjejnë se qeveria dhe drejtuesi i saj nuk i dëgjojnë kritikat, nuk i pranojnë gabimet dhe nuk japin llogari. Janë disa elemente bazë, që e kanë ushqyer në këto 14 vite këtë perceptim politik tek qytetarët shqiptarë.
Së pari, gjuha e përdorur ndaj kundërshtarëve politikë, në rradhë të parë Partisë Demokratike dhe liderit të saj, jo vetëm është denigruese dhe fyese, por është kthyer në gjuhë të urrejtjes. Rama e urren opozitën, sepse e sheh atë si minën e vetme ndaj pushtetit të tij absolutist dhe autokratik.
Së dyti, raporti i tensionuar me median kritike. Rama ndërtoi një model komunikimi politik të bazuar tek tallja dhe denigrimi i gazetarëve kritikë ose përfaqësues të mediave kritike ndaj tij. Ky komunikim është rrekur të defaktorizojë dhe të ulë rolin e medias së pavarur dhe denoncimeve të saj ndaj abuzimeve të pushtetit, në një kohë kur media në demokraci ka detyrën të bëjë pyetje të vështira dhe të verifikojë deklaratat e pushtetit.
Përplasjet verbale mes kryeministrit dhe gazetarëve kritikë janë bërë një fenomen i shëmtuar dhe i përsëritur gjatë këtyre 13 viteve. Gazetarë apo media të caktuara janë etiketuar publikisht në konferencat për shtyp të Ramës, janë përballur me sulme verbale ose janë paraqitur si kundërshtarë politikë, për shkak të raportimeve të tyre.
Organizata ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e medias kanë ngritur fuqishëm zërin e tyre në këto 13 vite, me shqetësime të thella lidhur me klimën në të cilën operojnë gazetarët në Shqipëri, me presionin ekonomik, kontrollet dhe gjobat fiskale të targetuara mbi mediat kritike, me vetëcensurën dhe vështirësitë për akses në informacion.
Në çdo demokraci funksionale, media kritike nuk konsiderohet armik i qeverisë. Këtë e bën vetëm Rama. Kur marrëdhënia mes pushtetit dhe medias dominohet nga tensioni, humbësi kryesor është publiku. Polarizimi i skajshëm krijon mosbesim ndaj informacionit, dobëson debatin publik dhe vështirëson kontrollin demokratik mbi institucionet.
Së treti, mungesa e reflektimit publik, pas skandaleve të panumurta, në të cilat është kapur me presh në duar qeverisja e Ramës. Krye-autokrati është përpjekur në çdo skandal të shpërthyer ta largojë vëmendjen prej tij dhe, në pamundësi për ta devijuar vëmendjen politike, ta anashkalojë apo sfumojë përgjegjësinë direkte. Mjafton të përmendim skandalet e inceneratorëve, të sterilizimit, Tunelit të Llogarasë, etj.
Së katërti, përqendrimi i komunikimit politik tek kryeministri. Në një demokraci funksionale, qytetarët duhet të informohen dhe të komunikojnë me institucione të ndryshme: ministri, drejtori qendrore, bashki, parlament dhe institucione kushtetuese të pavarura. Kur komunikimi publik dominohet nga kryeministri dhe ai flet për gjithshka dhe komunikon i vetëm, institucionet e tjera e humbasin dukshmërinë dhe autoritetin e tyre publik. Në vend që qytetarët të identifikojnë përgjegjësitë institucionale, ata fillojnë të lidhin pothuajse çdo vendim me vullnetin e një personi të vetëm. Kjo ushqen çdo ditë arrogancën dhe autokracinë në qeverisje.
Rama instaloi konceptin autokratik “Shteti jam unë”, duke u shndërruar në një Luigj të XIV-të modern.
III. Denigrimi i protestave historike ndaj dhunës në Zvërnec
Protestat janë një nga instrumentet më të rëndësishme të demokracisë. Ato janë momenti kur qytetarët dalin përtej rrjeteve sociale, deklaratave dhe sondazheve për të shprehur drejtpërdrejt qëndrimet e tyre ndaj një çështjeje që e konsiderojnë jetike për të ardhmen e vendit.
Protestat e zhvilluara në Tiranë nga 31 maji deri sot më 7 qershor 2026, por edhe në qytetet e tjera të vendit, si në Vlorë, Durrës dhe Korçë, si dhe në Diasporë në Nju Jork, Londër, Berlin, Bruksel, Milano, Stokholm, Toronto, etj., tashmë nuk janë më vetëm pët të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec më 30 maj.
Ato kanë zgjuar fuqishëm revoltën dhe vetëdijen qytetare, si dhe kanë krijuar një debat të gjerë publik dhe politik mbi raportin midis autokratit dhe arrogantit Rama dhe qytetarëve. Për shumicën e qytetarëve, çështja e Zvërnecit nuk është më vetëm një debat lokal apo mjedisor. Ajo është kthyer në simbol të një pakënaqësie më të gjerë dhe të thellë, ndaj (keq)qeverisjes së Ramës.
Zvërneci përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme natyrore, historike dhe turistike të Shqipërisë. Çdo projekt apo ndërhyrje që prek këtë zonë ka pasoja që shkojnë përtej kufijve të një komuniteti lokal. Vendimmarrja për zona të tilla duhet të karakterizohet nga konsultim i gjerë publik, transparencë dhe respekt për standardet mjedisore. Arroganca e Ramës, mungesa e një dialogu të tillë ka krijuar mosbesim, revoltë dhe ka nxitur mobilizimin qytetar.
Pas tetë ditësh protestash të pandërprera me praninë dërrmuese të të rinjve, protestat qytetare që patën si zanafillë Zvërnecin tani janë kthyer në protesta mbarë popullore kundër korrupsionit, abuzimeve pa fre dhe shtetit të oligarkëve, që ka pjellë keq-qeverisja Rama.
xxx
Në demokraci, një protestë njëditore mund të jetë reagim emocional. Një protestë që vazhdon për ditë me radhë tregon këmbëngulje dhe bindje të fortë nga pjesëmarrësit. Fakti që protestat për Zvërnecin po vazhdojnë për shtatë ditë radhazi është dëshmi se pakënaqësia nuk është e rastësishme, por reflekton një shqetësim, zhgënjim nga qeverisja dhe një revoltë të thellë qytetare.
Protestat për Zvërnecin përfaqësojnë një sinjal të qartë se krye-autokrati dhe krye-arroganti Rama duhet të largohet nga qeverisja e vendit. Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri politik, institucione më të forta dhe një kulturë më të madhe llogaridhënieje. Ka ardhur koha për një ndryshim të rëndësishëm politik në vend. Në fund, janë qytetarët dhe proceset demokratike që do të përcaktojnë drejtimin që do të marrë Shqipëria në vitet e ardhshme.
𝗡𝗴𝗮 𝘀𝗼𝘁, 𝗦𝗛𝗕𝗔 𝗺𝗲 𝗮𝗳𝗲𝗿 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝘀𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗘𝘃𝗿𝗼𝗽𝗲𝘀!

𝗡𝗴𝗮 𝘀𝗼𝘁, 𝗦𝗛𝗕𝗔 𝗺𝗲 𝗮𝗳𝗲𝗿 𝗣𝗼𝗹𝗼𝗻𝗶𝘀𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗘𝘃𝗿𝗼𝗽𝗲𝘀!

Vendimi i sotëm i Presidentit amerikan Donald Trump, për të dërguar 5 mijë trupa shtesë amerikane në Poloni, në kuadër të forcimit të pranisë së NATO-s në krahun lindor të Aleancës, konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike të sigurisë euro-atlantike në vitin 2026.
Ky hap vjen në një moment tensionesh të larta gjeopolitike në Evropën Lindore, me luftën në Ukrainë që vazhdon të mbetet një faktor destabilizues për gjithë rajonin. Polonia është kthyer vitet e fundit në shtetin kyç të NATO-s në Evropën Lindore. Pozicioni i saj gjeografik, kufijtë me Bjellorusinë dhe afërsia me enklavën ruse të Kaliningradit e bëjnë atë një nyje strategjike të mbrojtjes perëndimore.
I. Mesazh i fortë strategjik ndaj Rusisë
Dërgimi i 5 mijë trupave shtesë amerikane (i) rrit kapacitetin mbrojtës të NATO-s, (ii) forcon gatishmërinë ushtarake në rast krizash, (iii) krijon një pengesë më të fortë ndaj çdo aventure ushtarake ruse dhe (iv) garanton reagim më të shpejtë operacional në rajon.
Në praktikë, ky është një sinjal i qartë se SHBA-të vazhdojnë të mbeten garantuesi kryesor ushtarak i sigurisë së Evropës.
Vendimi ka edhe një dimension të fortë politik e psikologjik. Ai interpretohet si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj Moskës se NATO nuk do të tolerojë kërcënime ndaj vendeve anëtare të saj.
Në veçanti, Presidenti Trump dhe SHBA-të demonstrojnë se neni 5 i NATO-s mbetet i paprekshëm. Rusia paralajmërohet shumë fort se çdo tension në kufijtë lindorë të Aleancës, do të përballet me prani të shtuar amerikane. Nga ana tjetër, rritet presioni strategjik ndaj Kremlinit.
Vendimi i Presidentit Trump është pjesë e politikës së “parandalimit të avancuar” (forward deterrence), ku prania fizike e trupave amerikane synon të shmangë konfliktin, përmes forcës parandaluese.
II. Rritja e ndjeshme e rolit të SHBA-ve në Evropë
Ky vendim e konfirmon Poloninë si një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA-së në Evropë. Në vitet e fundit, Varshava ka rritur shpenzimet ushtarake mbi 4% të PBB-së. Shteti polak ka investuar miliarda dollarë në armatime amerikane dhe ka ndërtuar infrastrukturë moderne për NATO-n. Polonia është bërë qendra logjistike kryesore për mbështetjen e Ukrainës.
Prania shtesë amerikane (5 mijë trupa më shumë do të thotë 50 përqind trupa amerikane më shumë në Poloni) rrit prestigjin politik të Polonisë, forcon ekonominë lokale përmes investimeve ushtarake dhe e shndërron vendin në qendër të sigurisë së Evropës Lindore.
Vendimi i Trump vjen në një kohë kur Evropa po debaton për autonominë strategjike europiane. Disa vende të BE-së kanë kërkuar një mbrojtje më të pavarur nga SHBA, por ky zhvillim tregon se pa praninë amerikane, arkitektura e sigurisë europiane mbetet e brishtë.
Kjo lëvizje e Presidentit Trump rikonfirmon lidershipin ushtarak të SHBA-së në NATO, rrit varësinë ushtarake europiane nga Uashingtoni dhe nxit shtetet europiane të shtojnë buxhetet e mbrojtjes. Në fakt, pas vitit 2022, pothuajse të gjitha vendet e NATO-s kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake.
Vendimi i sotëm tregon se administrata Trump, pavarësisht retorikës së saj shpesh kritike ndaj aleatëve europianë, mbetet e fokusuar në forcimin e NATO-s në aspektin operacional në Evropë, në rritjen e kontributit europian në mbrojtje dhe në ruajtjen e superioritetit strategjik amerikan ndaj Rusisë dhe Kinës.
Presidenti Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet europiane të financojnë më shumë mbrojtjen e tyre. Tani, po e demonstron dhe e provon fort se SHBA-të jo vetëm nuk po tërhiqen nga Europa Lindore, por po e forcojnë ndjeshëm praninë dhe autoritetin e tyre në këtë pjesë të Evropës.
Dërgimi i 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni është një zhvillim me rëndësi të madhe strategjike, ushtarake dhe politike për NATO-n dhe sigurinë europiane. Ai forcon mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës, rrit rolin e Polonisë si fuqi rajonale, dërgon mesazh të fortë ndaj Rusisë dhe riafirmon lidershipin amerikan në sigurinë euro-atlantike.