Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike

Më 28 gusht 2024, sekti Rama miratoi në Këshillin e Ministrave Aktin Normativ Nr. 3 mbi disa ndryshimi në Ligjin për Buxhetin e Shtetit te vitit 2024, me të ardhurat, të cilat nga 686 miliardë lekë shkojnë në 714 miliardë lekë dhe shpenzimet që rriten nga 744 miliardë lekë në 771 miliardë lekë. Ndryshimi i Buxhetit të Shtetit përmes akteve normative cënon Parimin e Ndarjes së Pushteteve, të sanksionuar në Nenin 7 të Kushtetutës së Shqipërisë. Cila ishte situata emergjente, çfarë urgjence të jashtëzakonshme kishin ndryshimet në Buxhetin e Shtetit, që nuk mund të prisnin disa ditë dhe të diskutoheshin e kontrolloheshin në seancën e Kuvendit, i cili u mblodh më 2 shtator 2024?!

Aktet normative, formë abuzive e shmangies dhe pothuajse zerimit të kontrollit parlamentar

Aktet normative hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit dhe më pas konfirmohen nga Kuvendi “ex-post”, pa iu nënshtruar debatit dhe shqyrtimit parlamentar. Ky proces karakterizohet nga mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes parlamentare. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë shprehur disa herë shqetësimet dhe rezervat e tyre për këtë mënyrë qeverisjeje të Buxhetit të Shtetit, si jo transparente dhe në dëm të qëndrueshmërisë dhe mirëmenaxhimit të financave publike. Përmes akteve normative, në emër të gjoja një emergjence që nuk ka asnjë arsye të qëndrojë, sa herë këto akte normative kanë dalë në këto 10 vitet e fundit(plot 27 të tilla), Këshilli i Ministrave, dega ekzekutive e qeverisjes merr me dhunë dhe pa pyetur atribute që zakonisht i rezervohen legjislativit, Parlamentit. Ky Akt Normativ i 28 gushtit 2024 është i dyti këtë vit, me pasoja të drejtpërdrejta në Buxhetin e Shtetit. Me këtë praktikë abuzive dhe jo transparente, sekti qeverisës cënon dhe praktikisht zeron rolin kontrollues dhe mbikëqyrës të Kuvendit. Aktet normative reduktojnë deri në zero mundësitë për një kontroll të plotë dhe kritik të mënyrës se si qeveria i menaxhon fondet publike. Duke anashkaluar procesin legjislativ të zakonshëm, qeveria krijon një situatë ku vendimet e rëndësishme buxhetore nuk janë subjekt i një kontrolli të rreptë dhe të hapur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Kjo është e pafalshme në një shtet demokratik me ndarje të qartë të pushteteve. Është thellësisht autokratike!

Aktet normative, paaftësi e plotë e qeverise për planifikim afatgjatë

Me Aktin Normativ Nr. 3 të datës 28 gusht 2024, kush dha ose jep llogari pse Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural iu reduktuan 250 milionë lekë ose mbi 2.5 milionë euro, nga 14.18 miliardë lekë në 13.93 miliardë lekë, në një kohë kur dimë sa jetik është sektori i bujqësisë për ekonominë tonë dhe sa domosdoshmëri ka ai në këtë kohë për fonde shtesë? Me aktin normativ Nr. 1 të datës 21 shkurt 2024, për ministritë(çka përbën 85% të buxhetit total për institucionet buxhetore), u riplanifikuan 367.3 miliardë lekë, nga 359.6 miliardë lekë të Buxhetit të Shtetit të planifikuar, sikurse e kërkon Kushtetuta dhe ligji organik i Buxhetit, në fund të vitit 2023, për Buxhetin e Shtetit të vitit 2024. Po Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pse ju reduktua buxheti me 310 milionë lekë ose 3.1 milionë euro? Ndërkohë edhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit iu pakësua buxheti me 1.33 miliardë lekë, ose më shumë se 13 milionë euro, për artin dhe kulturën. Pse këto miliona euro më pak për artin dhe kulturën? Nuk ka përgjegjësi kjo qeveri t’u shpjegojë shqiptarëve dhe Kuvendit pse i pakëson fondet për bujqësinë, shëndetësinë publike, artin dhe kulturën?! Pse kjo qeveri pakëson ndjeshëm fondin e sigurimeve shoqërore me 1.1 miliardë lekë, ose 11 milionë euro, me Akt Normativ? Kur mburret çdo ditë se po mendon për pensionistët, ndërkohë që u ul fondin? Mos bëri gabim në përllogaritjet në dhjetor 2023, kur kaloi ligji i Buxhetit të Shtetit për vitin 2024?!

Shkelje me të dyja këmbët e disiplinës financiare dhe e Ligjit Organik të Buxhetit të Shtetit

Rishikimi i buxhetit përmes akteve normative tregon një mungesë të theksuar të planifikimit afatgjatë nga ana e qeverisë dhe nje mungese serioziteti ne menaxhimin e financave publike. Kur qeveria harton buxhetin e saj vjetor, ajo duhet të parashikojë nevojat financiare për të gjithë vitin fiskal, duke marrë parasysh rreziqet dhe sfidat e mundshme. Rishikimi i buxhetit në mënyrë të përsëritur përmes akteve normative, krijon paqëndrueshmëri financiare dhe ndikon negativisht në klimën e investimeve, sidomos në besimin e investuesve të huaj realë dhe potencialë në një politikë fiskale dhe financiare të qëndrueshme dhe serioze nga ana e qeverisë. Për 7 mujorin e parë janar-korrik 2024, Buxheti alokoi vetëm 24% të planit vjetor të investimeve publike. Shtimi i buxhetit me akt normativ në fund të gushtit dhe nevoja për të realizuar rreth 76% të investimeve në një periudhë të shkurtër, në vetëm 4 muajt e mbetur të vitit 2024, krijon një ngarkesë të madhe për menaxhimin e projekteve. Ky skenar qeveritar do gjenerojë vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve, për shkak të shpejtësisë dhe presionit të kohës. Nga ana tjetër, ulet cilësia në ndjekjen e standardeve dhe specifikimeve të projekteve. Shpejtësia e realizimit do të çojë në defekte dhe probleme të tjera në përfundimin e tyre, duke ndikuar negativisht në infrastrukturën dhe shërbimet publike për qytetarin. Shpërndarja e papritur e akordimit të fondeve dhe përpjekja për të realizuar një sasi të madhe investimesh në një periudhë shumë të shkurtër, do ta vështirësojë në ekstrem menaxhimin e financave publike. Do të kemi probleme të mëdha me alokimin dhe mbikëqyrjen e fondeve, duke krijuar mundësi të pamata për shpërdorim dhe korrupsion. Nga ana tjetër, nxitimi i shpenzimeve themelore për të përmbushur objektivat e reja, do të çojë në shpenzime të pashëndetshme dhe të paplanifikuara, duke ndikuar negativisht në bilancin e Buxhetit të Shtetit dhe duke shkaktuar defiçite të tjera financiare në të ardhmen. Shpërndarja e shpejtë e fondeve mund të bëjë të vështirë mbikëqyrjen dhe auditimin e saktë të investimeve. Një periudhë e shkurtër dhe e ngarkuar do të çojë në mungesë të kontrollit të duhur dhe, me siguri, në shkelje të rregullave dhe procedurave të vendosura për menaxhimin e fondeve publike. Të gjitha këto që përmenda më lart do të ndodhin duke shkelur me të dyja këmbët Ligjin organik të Buxhetit, i cili kërkon që investimet të planifikohen dhe të shpërndahen në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme. Shtimi i buxhetit në një periudhë të shkurtër dhe nxitimi për realizimin e investimeve nuk përputhet me kërkesat e ligjit për planifikim dhe transparencë të financave.

Rriten shpenzimet, por jo dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë dhe fondi për personat me aftësi të kufizuar

Në Nenin 10, pika 6 të Aktit Normativ Nr. 3, theksohet se të ardhurat nga privatizimi përdoren 50 përqind për shlyerjen e borxhit publik dhe 50 përqind për investime. Kam 2-3 vjet që i kam propozuar Kuvendit dhe ripërsëris që të ardhurat nga privatizimi të përdoren 50 përqind për shlyerjen e borxhit, 25 përqind për shlyerjen e detyrimeve që kemi ndaj ish-të përndjekurve politikë dhe 25 përqind për investime kapitale. Çfarë e pengon këtë qeveri për ta realizuar këtë dhe për të shlyer, sado pjesërisht, një detyrim të madh moral dhe financiar që kemi ndaj shtresës më të përvuajtur të shoqërisë sonë?! Mirë për përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar që kjo qeveri e sektit Rama nuk vepron, po përse nuk dyfishon fondin për personat me aftësi të kufizuar dhe me aftësi ndryshe, si dhe për personat kujdestare pranë tyre? Theksoj se aktet normative jo vetëm janë antikushtetuese, shmangin kontrollin parlamentar dhe shkelin Ligjin Organik të Buxhetit, por edhe thellojnë pabarazinë ekonomike dhe sociale në vend. Vendi ynë ka nivelin më të lartë të pabarazisë në rajon dhe ndër më të lartit në Evropë. Koefiçienti Gini, i cili mat pabarazinë sociale dhe ekonomike në një vend, ka një shkallë nga zero deri në 100, ku zero nënkupton barazinë e plotë, ndërsa 100 pabarazinë e plotë. Sipas INSTAT, koefiçienti Gini për Shqipërinë në vitet e fundit ndodhet në intervalin 35-36%. Sipas EUROSTAT dhe Bankës Botërore, nivelin më të ulët të pabarazisë në rajon e ka Kosova, me 29%. Ekonomia e dytë me pabarazinë më të ulët është Maqedonia e Veriut, me 31.9%, ndërsa për Bosnje Hercegovinën koeficienti Gini është 32.7%. Pra, jemi edhe më keq se Bosnje-Hercegovina dhe përfaqësojmë një nga ekonomitë dhe shoqëritë me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në Europë. Ky tregues e nxjerr zbuluar rritjen ekonomike prej 3-4 përqind të trumbetuar nga qeveria si sukses i madh për vitet 2021-2023. Rritja ekonomike e këtyre viteve dhe e këtij viti 2024 nuk sjell as vende të reja pune, as perspektivë tek njerëzit më në nevojë dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët e kanë humbur përfundimisht shpresën për përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike në Shqipëri, për sa kohë kanë sektin Rama në qeverisje.

Botuar në Gazeta Sot më 17.09.2024

Grabitqari

Grabitqari

Aktet normative shmangin kontrollin e Kuvendit mbi Financat Publike

Në njëmbëdhjetë vjet (keq)qeverisje të vendit 2013-2024, Edi Rama u ka mohuar, shkatërruar dhe grabitur shqiptarëve gjithshka: lirinë, dinjitetin, demokracinë, ndarjen e pushteteve, shtetin ligjor, pronat, punësimin e të rinjve, kujdesin e duhur social, mirëqenien, dhe identitetin kombëtar. Praktikisht, u ka grabitur të ardhmen. Lista e paudhësive të sektit Rama në fuqi është e gjatë, por po përmend dhjetë kryesoret mes tyre:

1. Grabitës i lirisë. Liria e të shprehurit dhe e të folurit është e pranishme vetëm në strukturat e opozitës dhe në mediat e pavarura, ato të pakta që rezistojnë dhe ende nuk janë blerë nga rregjimi i Ramës. Kjo liri është inekzistente në administratën publike dhe deri tek institucionet e pavarura. Frika dhe antkhi i kanë zënë vëndin lirisë, sidomos në punonjësit e administratës së shtetit shqiptar, të gjurmuar dhe ndjekur hap pas hapi nga armata e patronazhistëve. Këta punonjës, pas 11 vite raprezaljesh dhe largimi nga puna për mos-militantizëm, kanë frikë për të thënë hapur çfarë mendojnë, për të denoncuar korrupsionin, abuzimet dhe nepotizmin, me të cilat përballen çdo ditë.

2. Grabitës i dinjitetit. Punonjësit e administratës publike detyrohen të marrin pjesë në fanfarat e takimeve zgjedhore të sektit në pushtet, në shkelje të dinjitetit të tyre. Marrin pjese, deri edhe mësuesit e shkollave fillore, në tubimet e mëtimet e të ashtuquajturit “Lider Rajonal” dhe kandidatëve të tij, nga frika e humbjes së vendit të punës, për shkak të hakmarrjes së kloneve të tij në dikastere, drejtori qendrore dhe bashki. Sipërmarrësit dhe intelektualët i ndruhen kontrolleve selektive të tatimoreve, që nuk kursejnë as OJF-të e intelektualëve, kritikues ndaj praktikave abuzive të sektit qeverisës.

3. Grabitës i demokracisë. Sot në Shqipëri nuk ka më as demokraci dhe as frymë demokratike në qeverisje. Është shuar gjithshka. Partia Socialiste nuk njihet më. Është shndërruar në një detashment të bindur të tekave të “Liderit Rajonal”, me ministra e drejtues partie që e mësojnë “live” nga “Lideri” shkarkimin në mbledhjen shou të rradhës, pa marrë asnjë fjalë për arsyet e largimit. Në Kuvend, askush nga deputetët e shumicës nuk guxon të thotë edhe një frazë të vetme që mund të mos i pëlqejë Ramës. Këta përfaqësues të vullnetit të qytetarëve nuk e njohin më mendimin ose opinionin alternativ dhe autocensurohen me pahir ose dëshirë.

4. Shkatërrues i bashkëpunimit pozitë-opozitë dhe i ndarjes së pushteteve. Rama ka vrarë mundësitë e bashkëpunimit pozitë-opozitë për interesat madhore të vendit, duke e konsideruar në mënyrë të parreshtuar opozitën si armike, përmes një fjalori denigrues, sulmeve verbale dhe tentativave për blerje të përfaqësuesve të opozitës. Ka njëmbëdhjetë vjet që në Shqipëri nuk ka më ndarje të pushteteve. Legjislativi është shndërruar në një noter të rëndomtë të qeverisë. Institucionet e pavarura kushtetuese janë të topitura dhe të pagoja nga thundra e Ramës, me përjashtim të Bankës së Shqipërisë, ndërsa pushteti i katërt, mediat, janë blerë në shumicën dërrmuese të tyre nga tenderat e sektit në qeverisje.

5. Grabitës i shtetit ligjor dhe kapës i paskrupullt i shtetit të shqiptarëve. Sipas Transparency International dhe SELDI, Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim, Shqipëria nxin në rajon dhe më tej, për ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim ligjin për Teatrin Kombëtar, ligjin për Mediat Audiovizive, ligjin për Lojërat e Fatit, për Lotarinë Kombëtare, ligjin për Koncensionet dhe PPP-të, për autostradën Milot-Balldre, për kompaninë Air Albania, masakrën e tokave sipas ligjit Nr. 2020, abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik, ndryshimet në ligjin mbi Zonat e Mbrojtura, etj.

6. Grabitës i pronave të shqiptarëve. Rama u ka grabitur tokat në bregdet banorëve të Jugut, për t’ua dhënë oligarkëve të tij, duke përdorur si mashë Ligjin e Investitorit Strategjik .

7. Shkatërrues i të ardhmes së të rinjve. Sipas INSTAT, në dhjetë vitet e fundit 2014-2023 janë larguar nga vendi mbi 700 mijë vetë, ose sikur të boshatisen qarku i Fierit, Vlorës dhe Kukësit marrë së bashku! Nga këta, 345 mijë të larguar janë të rinj të gupmoshave 19-27 vjeç. Sipas EuroBarometrit 2023, mbi 75 përqind e grupmoshave 19-27 vjeç në Shqipëri duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre dhe ndërtuar të ardhmen në atdhe. Me nepotizmin dhe politizimin ekstrem të administratës publike, që ua kanë bërë të pamundur të rinjve të arsimuar jashtë të punësohen në shtet në atdhe, me indiferentizmin vrastar ndaj aspiratave të të rinjve që diplomohen në Shqipëri, sekti Rama ka shkatërruar të ardhmen e të rinjve këtu, praktikisht të ardhmen e vendit!

8. Rrënues i identitetit kombëtar. Rama do të mbahet mend në historinë 112 vjeçare të vendit, si dorëzues i interesave kombëtare, duke minuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të vëllait të tij siamez, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Si Rama dhe Vuçiç, u sollën që të dy si minues të Procesit të Berlinit, duke e detyruar atë të ngadalësonte dukshëm dhe t hapte krahun për vite të tëra, për t’i lënë udhë surrogatit “Ballkani i Hapur” që gatuan vetë. Rama është arkitekti i dorëzimit të detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare. “Lideri Rajonal” do të hyjë në histori për të keq dhe për turp, me grabitjen e Butrintit përmes dhënies me koncesion, një formë rejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë e trajtimit të thesareve arkeologjike të vendit, qe përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj. Rama dhe sekti i tij do të mbahen mend për të keq dhe për turp edhe për gllabërimin e Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimin e sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

9. Mohues i kujdesit të duhur ndaj shtresave në nevojë. Gjatë pandemisë nga Covid-19, Shqipëria kishte përqindjen më të ulët të GDP-së për ndihmën ndaj shtresave në nevojë në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 2.4% të PBB-së, ndërsa koefiçienti GINI i Pabarazisë ka në Shqipëri një nivel shumë të lartë, i cili nënkuption se hendeku mes te varferve dhe të pasurve në vend po thellohet gjithnjë e më shumë. Duke u tallur me shpresat e 717 mijë pesionistëve, Rama vijon me paturpësi të flasë për rritje të ndjeshme pensionesh dhe për reformë të thellë të tyre, edhe pse në njëmbëdhjetë vitet e fundit, pensionet nuk janë rritur asnjëherë, por vetëm indeksuar.

10. Rrënues i mirëqënies së shqiptarëve. Për 11 vite rrjesht 2014-2024, Rama injoroi çdo propozim dhe projektligj nga opozita dhe shoqëria civile, për caktimin e Minimumit Jetik Zyrtar, çfarë do të kishte dyfishuar menjëherë asistencën sociale dhe do të kishte bërë që asnjë pension në Shqipëri të mos ishte poshtë minimumit jetik prej 180 euro në muaj. Për shkak të këtij mohimi, shqiptarët mbeten populli më i varfër i Europës, sipas një renditjeje që Eurostat ka bërë bazuar në pagën minimale, në korrik të vitit 2024. Shqipëria renditet vendi më i varfër në kontinent, për shkak të fuqisë blerëse më të ulët të parasë tek ne, edhe pse paga minimale në Shqipëri është më e lartë se ajo në Moldavi dhe Ukrainë. Në vitin 2013, borxhi publik për frymë për çdo qytetar ishte 2,237 euro. Në vitin 2024 u zmadhua në 5,647 euro për frymë, me një rritje 2.5 herë! Për këtë vit, sekti i papërgjegjshëm në qeverisjen e Shqipërisë ka planifikuar rreth 13.3 miliardë lekë më shumë shpenzime për interesat e borxhit publik të vendit, në krahasim me vitin 2023, ose 133 milionë euro më shumë nga taksat tona. Ky është Rama dhe sekti i tij. Këto janë “kryeveprat” e zeza të qëndrimit të tij në pushtet. Prandaj dhe në 7 tetor, të gjithë shqiptarët do të protestojnë në Tiranë, për të përshpejtuar fundin e këtij uzurpuesi dhe grabitësi të përbinshëm të demokracisë, lirisë dhe mirëqenies së tyre.

Botuar në Gazeta Sot më 07.10.2024

10 tetor 1947, gjyqi që vrau pluralizmin dhe instaloi diktaturën në Shqipëri

10 tetor 1947, gjyqi që vrau pluralizmin dhe instaloi diktaturën në Shqipëri

77 vite më parë, diktatori Enver Hoxha instaloi zyrtarisht diktaturën e proletariatit, vrau pluralizmin, mendimin e lirë dhe inteligjencën e vërtetë në Shqipëri, duke ekzekutuar Grupin e Deputetëve, të cilët mbronin lirinë dhe demokracinë perëndimore.
Deputetët opozitarë, të cilët u dënuan dhe u ekzekutuan pas torturash çnjerëzore, ishin ajka e mendimit intelektual e politik shqiptar, ishin kundërshtarët e vendosur të regjimit gjakatar komunist.
U dënuan 16 deputetë dhe dhjetëra qytetarë e intelektualë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si bashkëpunëtorë të tyre.

Në 10 Tetor 1947, nga 16 deputetët, tre u dënuan me varje, Shefqet Beja 35 vjeç, Sulo Ismail Klosi 36 vjeç dhe Riza Alizoti 37 vjeç.

13 deputetët e tjerë u dënuan me pushkatim: Sheh Ibrahim Karbunara, 67 vjeç, Dr. Enver Sazani 37 vjeç, Sami Kokalari 50 vjeç, Selaudin Toto 33 vjeç, Irfan Majuni, 36 vjeç, Tefik Deliallisi 37 vjeç, Hysen Shehu 35 vjeç, Beqir Çela 34 vjeç, Abdyl Kokoshi nga Vlora 37 vjeç, Petref Karaxhozi 39 vjeç, Agathokli Xhitomi 50 vjeç.
Me burgim të përjetshëm u dënuan Ramazan Tabaku, Gjon Vlashi, Foto Bala, Ram Marku.
Me 20 vjet burg u dënuan Rustem Sharra, Xhevat Xhafa, Shefki Minarolli. Me 15 vite burg u dënua Sulo Konjari.
Gjatë torturave në hetuesi vdiqën ose u vranë Kolë Kuqali, Syrja Selfo, etj.
Disa dhjetëra intelektualë, kundërshtarë të regjimit: Kostë Boshnjaku, Irfan Pustina, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Riza Dani, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi u dënuan ose u pushkatuan para e pas këtij gjyqi…
Mirënjohje të thellë, respekt të veçantë për këta antikomunistë, demokratë të vërtetë!

Botuar në Gazeta Sot më 10.10.2024

DASH denoncon sektin Rama për pastrim parash dhe korrupsion sistemik

DASH denoncon sektin Rama për pastrim parash dhe korrupsion sistemik

Më 27 korrik 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) publikoi Raportin mbi Klimën e Investimeve për vitin 2023 në Shqipëri, duke ngritur një sërë problemesh të mprehta. Është ndoshta vrojtimi i DASH më denoncues dhe kritik i viteve të fundit. Raporti cilëson se “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe të bërit biznes në Shqipëri” (https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i tetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

Pse kemi rënë kaq fort në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit?
Departamenti Amerikan i Shtetit përmend se në vitin 2022, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditej e 101-a nga 180 vende. Në vetëm shtatë vitet e fundit, Shqipëria ka zbritur 18 vende në klasifikimin e Transparency International. Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit të perceptimit të korrupsionit, nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Në Raportin e tij, të publikuar gjatë këtij viti, Transparency International i jep vendit tonë vetëm 36 pikë, ose dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës, që është Bosnje-Hercegovina me 34 pikë. Sipas Transparency International, në 5 vitet e fundit(2017-2022), Shqipëria nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikëve.

Organizata prestigjoze konkludon se mos-përparimi nënkupton se vendi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. Transparency International thekson se performanca e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është dobësuar, veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve. Jo vetëm për DASH dhe Transparency International, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që na vëzhgon, është e qartë pse ka ndodhur kjo rënie në klasifikim.

Cilesimet e Departamentit Amerikan te Shtetit jane dukshëm më pezhorative se cilesimet e një viti më parë, pasi këtë vit DASH ka përfshirë në raport pastrimin e parave dhe korrupsionin e vazhdueshëm e sistemik në sektorin publik. Më tej në raport, DASH thekson se”Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg” (https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i nëndë i Përmbledhjes Ekzekutive). Paragrafi i nëndë është shtuar i gjithi këtë vit dhe nuk ka qenë më parë në raportet e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri.

Pastrimi i parave-njolla e turpit që sekti Rama vendosi mbi imazhin e Shqipërisë
Pastrimi i parave që kryhet intensiv në ekonominë tonë sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur sekti Rama në qeverisje, mbi imazhin e Shqipërisë. Ishte ky sekt që në vitin 2020 e përfshiu Shqipërinë në Listën Gri të pastrimit të parave të MONEYVAL. Vendi u klasifikua për risqet dhe pastrimin real të parave të pista në çdo renditje ndërkombëtare, nga Instituti i Basel-it, SELDI e deri tek raporti i DASH, duke theksuar tre sektorët kyçë ku pastrimi i parave ndodh, që janë :

Turizmi
Ndërtimi dhe
Lojërat e fatit

Me denoncimin e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e tij të këtij viti për klimën e investimeve në Shqipëri, tashmë pastrimi i parave në Shqipëri është zyrtar. DASH shkon edhe më larg. Thekson se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, po pastrohen para në Shqipëri. Sipas “Raportit të Tranzicionit për vitet 2022-2023”, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), cilësia e qeverisjes së Shqipërisë është në përkeqësim. Kapja e shtetit dhe pastrimi i parave u identifikuan nga raporti i BERZH si probleme serioze, që pengojne procesin e integrimit në BE. Sipas BERZH, pothuajse 3 % e vlerës së qarkullimit të firmave në Shqipëri (vlera më e lartë në rajonet e BERZH) shpenzohet për pagesa informale, në krahasim me më pak se 0,01 % në ekonomitë e përparuara, si Estonia dhe Letonia. Raporti kritik i BERZH vjen pas shumë gjetjesh dhe konkluzionesh kritike dhe alarmante nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Transparency International, SELDI, FMN dhe Banka Botërore, lidhur me nivelin e korrupsionit, të pastrimit të parave dhe të kapjes së shtetit tek ne.
Investuesit e huaj shantazhohen nga administrata, media dhe grupet kriminale
Asnjëherë më parë në Raportin e Deprtamentit Amerikan të Shtetit nuk ka patur një pasazh kaq të rëndë e problematik, sa në paragrafin e dhjetë të Përmbledhjes Ekzekutive të Raportit për Klimën e Investimeve në Shqipëri 2023. “Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale”.

Nuk mund të denoncohet më qartë! Sipas DASH, investitorët në Shqipëri shantazhohen nga zyrtarët publikë, krimi dhe media. Ndryshe nga raportet e kaluara, kur e cilësonte korrupsionin në Shqipëri si endemik, këtë vit Depertamenti i Shtetit përdor fjalën sistemik, për të përshkruar korrupsionin në Shqipëri. Korrupsioni sistemik nënkupton se kjo dukuri është e përhapur gjerësisht në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare. Ndërkohë një akuzë e drepërdrejtë ngrihet mbi qeverinë. “Investitorët raportojnë në mënyrë frekuente raste të korrupsionit të qeverisë, të cilat vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri.” (https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i dhjetë i Përmbledhjes Ekzekutive). Edhe kjo fjali, e cila akuzon drejtëpërdrejtë qeverinë për korrupsion, është shtuar për herë të parë në raportin e këtij viti, pasi nuk ka qenë në vitet e kaluara. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe me cilësimet e DASH, pasi zyrtarët amerikanë që përgatisin raportin shohin se janë të panumurta denoncimet në median e pavarur shqiptare të shkeljeve të institucioneve kryesore prokuruese shqiptare, si Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH). Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë gjatë dhjetë viteve të fundit. Kostot kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe huatë e buta nga donatorët. Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme për periudhën 2013-2022. Kështu, një kilometër rrugë e kategorisë C, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 667 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj kushtoi 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në tenderat publikë për rrugët, me para të buxhetit të shtetit, përbën arësyen madhore pse Banka Botërore, një nga financueset kryesore të ndërtimit të rrugëve publike në vendin tonë në vitet 1996-2012, është larguar nga pjesëmarrja në projektet tona të infrastrukturës rrugore, pas vitit 2013.

Krahas boshatisjes së vendit, kapjes së shtetit, ligjeve të qepura me porosi, masakrës me pronat e qytetareve dhe atyre publike, braktisjes së shtresave në nevojë dhe biznesit gjatë pandemisë dhe më tej periudhës së inflacionit të lartë, të shkaktuar nga agresioni i Putin në Ukrainë, pastrimi i parave dhe korrupsioni sistemik, të theksuara dukshëm më 27 korrik 2023 nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për klimën e investimeve në Shqipëri, përbëjnë denoncimin më të fuqishëm të paudhësive të sektit Rama në këto 10 vite të (keq)qeverisjes së Shqipërisë prej tij.

Botuar në Gazeta Sot më 29.07.2023