Dje, datë 17 janar, u zhvillua mbledhja e Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dega Vlorë, një takim me rëndësi të veçantë për analizën dhe vijimin e angazhimit politik të të rinjve demokratë. Në këtë mbledhje mora pjesë së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Flamur Noka, si dhe me Koordinatorin për Mbikëqyrjen e Procesit Zgjedhor dhe Analizës, z. Aurel Bylykbashi.
Në fokus të diskutimit ishte analiza e zgjedhjeve të 11 majit 2025, ku Forumi Rinor i Vlorës ka dëshmuar një rol të jashtëzakonshëm, energjik dhe të pandërprerë gjatë gjithë fushatës elektorale, duke u konfirmuar si një nga strukturat më vitale dhe më aktive të Partisë Demokratike, dega Vlorë.
Të rinjtë dhe të rejat e Forumit Rinor kanë qenë shtylla mbështetëse e çdo organizimi politik në Vlorë, pjesë e pandarë dhe konstruktive e çdo angazhimi të Partisë Demokratike, si në terren ashtu edhe në procesin e analizës së brendshme. Prania e tyre ka qenë e vazhdueshme në çdo rajon dhe njësi administrative, duke reflektuar përgjegjësi, përkushtim dhe vizion politik.
Në fjalën time, shpreha mirënjohjen e plotë për punën, vullnetin dhe kontributin e vyer të të rinjve të Forumit Rinor, të cilët përfaqësojnë një model të lartë integriteti, serioziteti dhe angazhimi qytetar. Theksova domosdoshmërinë e vijimit të punës së deritanishme dhe forcimit të mëtejshëm të Forumit Rinor me të rinj energjikë, të motivuar dhe të gatshëm për të kontribuar aktivisht në radhët e Partisë Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm, z. Flamur Noka, vlerësoi rolin dhe kontributin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë, duke nënvizuar se të rinjtë demokratë vlonjatë kanë qenë gjithmonë të përfshirë në çdo organizim të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së, Flamur Noka, u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen masivisht protestës kombëtare të datës 24 janar.
Në përmbyllje të takimit, së bashku me të rinjtë e Forumit Rinor vendosëm që brenda pak javësh të organizojmë një takim më të gjerë dhe më gjithëpërfshirës me të rinjtë, me synimin e zgjerimit të angazhimit politik dhe forcimit të strukturave rinore të Partisë Demokratike në Vlorë.
