Gazeta “Mapo”, 2 nentor 2019, nga Blerina Gjoka.
Ai erdhi në krye të KLSH në vitin 2011, si propozim i presidentit Topi. KLSH është nga institucionet më të rëndësishme në vend, i krijuar 94 vite më parë me firmën e mbretit Zog. Duhet thënë se nuk ka patur ndonjë traditë të lavdishme, ku në shumë kohë kjo zyrë u ka shërbyer mazhorancave. Bujar Leskaj përfaqëson një thyerje në këtë drejtim. Ai ka bërë zbulime dhe denoncime të forta, dhe raportet e tij kanë shërbyer për median dhe opozitën si akuza të forta ndaj qeverisë.Shpesh, dëme të mëdha financiare, zullume me shifra të frikshme të qeverisë dhe autoriteteve, dalin në media dhe tronditin jo pak opinionin. Këto të dhëna vijnë sipas një auditi profesional, dhe mbajnë firmën e Bujar Leskajt. Një zyrtar i spikatur dhe me përvojë, që po e drejton institucionin më të lartë të kontrollit, prej 8 vitesh tashmë.
Kontratat e Qeverisë me modelin Partneritet Publik-Privat ose PPP-të e famshme kanë dalë jashtë kontrollit shtetëror dhe po rrezikojnë buxhetin e shtetit. Paralajmërimi i fortë erdhi disa ditë më parë nga një zyrë që gjendet pak metra larg kryeministrit Edi Rama.
Nga zyra që i përket Bujar Leskajt, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit prej vitit 2011. Në këto kohë, Leskaj vetë nuk ka dalë shumë në ekran. Mesa duket, protagonizminia ka lënë institucionit. Në drejtimin e tij, KLSH është perceptuar si “watchdog” i financave publike, ku janë bërë paralajmërime të forta.
Raporti i tij i fundit për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar vendit keqmenaxhimi në vitet 2012- 2018, ka arritur një shifër të pahasur më parë; plot 1.7 miliardë euro. KLSH-ja konstaton se këtë vit, që ishte viti i dytë i qeverisjes së PS-së e vetme, pa aleatë, institucionet janë treguar të papërgjegjshme duke rritur detyrimet e prapambetura.
Po situata nuk paraqitet aspak më mirë edhe më herët. Në vitin 2017, janë dokumentuar mbi 800 milionë euro dëm buxhetit të shtetit; në vitin 2016, dëmi ishte 534 milionë euro e kështu me radhë.
Një tjetër skandal, me mospagimin e sigurimeve shoqërore në shifra marramendëse nga institucionet e shtetit për punonjësit e tyre që rrezikon të lërë pa pension mijëra vetë, u konstatua po ashtu nga auditet e KLSH-së.
KLSH ka bërë rekomandime dhe kallëzime. Nëse drejtësia do të kishte vepruar, me siguri do të kishim shumë zyrtarë pas hekurave sot. Bujar Leskaj në daljet e tij të pakta në media që rakordojnë edhe me denoncimet e abuzimeve, ka bërë disa herë thirrje që të merren masa ndaj zyrtarëve të kapur në abuzime, por hallkat e zinxhirit duket se këputen këtu dhe shifrat e milionave të abuzimeve bashkë me emrat përgjegjës, mbeten në arkivat e Kuvendit e të prokurorisë.
“Qytetari meriton të vërtetën” është motoja e KLSH-së dhe e vërteta që uservir shqiptarëve ky institucion prej 8 vitesh i përkthyer në shifra, është e frikshme.
Dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH dhe i kërkuarpërdëmshpërblimpërperiudhën janar 2012-dhjetor 2018 është 1.75 miliardë euro, nga 390 milionë euro që ka qenë në 10 vitet e mëparshme 2002-2011, pra 4.5 herë më i madh. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, përperiudhën janar 2012-dhjetor 2018 janë afërsisht 3 miliardë euro. Në total, KLSH ka konstatuar shkelje në shumën 618 miliardë lekë ose afërsisht 4.76 miliardë euro.
Studiuesit e ekonomisë besojnë se kredibiliteti i KLSH-së është rritur si në qarqet e eksperteve brenda vendit, por edhe në institucionet ndërkombëtare.
Bujar Leskaj nuk e sheh emrin e tij të lidhur përjetësisht me KLSH-në dhe pse është munduar t’i japë një fytyrë të re këtij institucioni me uljen e moshës mesatare të punonjësve në 41 vjeç, me performancën dhe marrëveshjet me institucionet vendëse dhe ndërkombëtare.
Ai është në zgjatje të mandatit, që zyrtarisht i ka përfunduar para 1 viti. Duke i besuar një kodi etike, Leskaj bëri një lëvizje të shpejtë duke ia kaluar detyrën zv.kryetares së KLSH në momentin që i mbaroi mandati. Leskaj e kishte bërë të qartë që nuk do të rikandidonte, por ai u rikthye në zyrë 4 muaj më pas, për shkak se Presidenti dhe mazhoranca nuk arritën të zgjidhnin kryetarin e ri.
Leskaj u përball që në krye me qeverinë e sapoardhur Rama-Meta. Në vitin 2014 mazhoranca tentoi që me anë të një iniciative ligjore t’i hiqte të drejtën që të auditonte drejtorinë e tatimeve. Në atë kohë, ai mori parasysh dorëheqjen duke u thënë socialistëve; më largoni mua, por mos i hiqni pavarësinë institucionit.
Leskaj ka 3 diploma në CV-n e tij, një të marrë në kohën e diktaturës, për Inxhinieri Nafte që nuk e vuri kurrë në punë, dhe dy të tjera në Financë dhe Ekonomi, ku është edhe doktor shkencash.
Zyra e tij është një ekspozitë e vërtetë pikturash, ku spikasin autorë vendas e të huaj. Ky pasion i tij krijon një kontrast të çuditshëm me punën e përditshme me raporte qindra faqesh me shifra.
Leskaj ka qenë deputet dhe ministër i Partisë Demokratike në qeverisjen 2005-2009. I lindur e rritur në Vlorë, Leskaj ishte një faktor i rëndësishëm në ringritjen dhe forcimin e kësaj partie në elektoratin e kësaj zone, pas vitit 1997.
Ai erdhi në krye të KLSH në vitin 2011, si propozim i presidentit Topi. KLSH është nga institucionet më të rëndësishme në vend, i krijuar 94 vite më parë me firmën e mbretit Zog. Duhet thënë se nuk ka patur ndonjë traditë të lavdishme, ku në shumë kohë kjo zyrë u ka shërbyer qeverive të radhës. Bujar Leskaj përfaqëson një thyerje në këtë drejtim. Ai ka bërë zbulime dhe denoncime të forta, dhe raportet e tij kanë shërbyer për median dhe opozitën si akuza të forta ndaj qeverisë.