URDHËRI “KRYQI KALORSIAK I URDHËRIT PER MERITA NE DOBI TE REPUBLIKES SE POLONISE”

Me daten 17 prill 2017, Presidenti i Republikës së Polonisë, Shkëlqesia i Tij Andrzej Duda dekoroi Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj me Urdhërin “Kryqi Kalorsiak i Urdhërit për Merita në dobi të Republikës së Polonisë”,.

Ceremonia u zhvillua në datën 19 prill 2017 në Varshavë, në ambientet e Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Polonisë (NIK). Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë Ministri i Shtetit, pranë Presidentit të Polonisë z. Andrzej Dera, zv/Ministri i Punëve të Jashtme, zj.Renata Szczech, Presidenti i NIK-ut polak, z. Krzysztof Kwiatkowski, zv/Presidenti i NIK, z.Wojciech Kutyla, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, zj.Shpresa Kureta, deputetë të Kuvendit të Republikës së Polonisë, drejtues dhe auditues të NIK-ut polak dhe përfaqësues të KLSH. Dekorata e akorduar nga Presidenti i Republikës, z. Andrzej Duda iu dorëzua z. Leskaj nga Ministri  i Shtetit pranë Presidentit z. Andrzej Dera. Për autoritetet polake, z. Bujar Leskaj , Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit konsiderohet padyshim si një mik i Polonisë dhe promovues i kulturës polake. “Zoti Leskaj, që në filim të mandatit të tij si Kryetar i KLSH-së ka mbështetur dhe ka qenë promotor i bashkëpunimit mes dy institucioneve supreme të Auditimit të Shqipërisë dhe Polonisë”, u shpreh Ministri Dera. Më tej, ai theksoi se “Ky bashkëpunim ka qenë i frytshëm në drejtim të forcimit të kapaciteteve të audituesve dhe veçanërisht në drejtim të mbështetjes që institucionet i kanë dhënë njëri tjetrit në komunitetin e INTOSAI-t dhe të EUROSAI-t. Edhe në të shkuarën, në cilësinë e Ministrit të Kulturës të Shqipërisë, z. Bujar Leskaj ka promovuar kulturën polake në Shqipëri.

Kryetari Leskaj ka mbështetur iniciativa për njohjen në Shqipëri të letërsisë, artit dhe muzikës klasike të Polonisë si dhe të historisë dhe traditës së kulturës polake, përmes botimeve dhe artikujve në shtypin dhe mediat shqiptare”, cilësoi Ministri i Shtetit pranë Presidentit, z. Andrzej Dera.

Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski në fjalën e tij theksoi se “Falë mbështetjes dhe angazhimit të Kryetarit Bujar Leskaj, ka njohur dritën e botimit në shqip libri “Simbolet Polake”. Ky libër është botimi i parë që ofron një tablo gjithëpërfshirëse dhe të thellë mbi historinë dhe simbolet polake, ku paraqiten më shumë se qindra vende dhe ngjarje historike, si rezultat i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Poloni, Europë dhe në të gjithë botën.

Botimi përshkruan njëqind ikonat polake, nga himni dhe emblema polake, betejën e famshme të Grunwaldit, Kështjellën Vavel, Varshavën dhe vijon me profilet e personaliteteve polake me përmasa botërore si nobelistin Les Valesa të Lëvizjes Solidarnos, Papa Gjon Palin e II-të, Frederic Chopin dhe zgjerohet më tej me përshkrime të monumenteve polake. Presidenti i NIK-ut polak, z.Krzysztof Kwiatkowski evidentoi edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv me Kontrollin e Lartë të Shtetit, vecanërisht në kuadër të projektit të binjakëzimit IPA 2013 të financuar nga Bashkimit Evropian. Zoti Kwiatkowski nënvizoi faktin që Z.Leskaj është miku dhe Ambasadori më i mirë i Polonisë në Shqipëri. “Për këtë arsye, ne sot nuk po dekorojmë vetëm Kryetarin e KLSH-se por edhe mikun e madh të Polonisë”- vijoi z. Kwiatkowski.