(Fjala me rastin e nenshkrimit te Memorandumit te Mirekuptimit mes KLSH dhe USAID Shqiperi per bashkepunimin ne fushen e transparences se shendetesise publike, me 3 tetor 2017)
E nderuara zj. Catherine Johnson, Drejtuese e USAID në Shqipëri
Të nderuar pjesëmarrës,
Kontributi i agjencisë USAID të qeverisë amerikane, në emër të popullit amerikan, në mbi një çerek shekulli aktivitet në Shqipëri ka qenë sa unikal aq edhe i rëndësishëm. Ai ka ndihmuar emancipimin e shoqërisë shqiptare, fuqizimin e organizatave të shoqërisë sonë civile, ndërtimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale të administratës sonë publike, zhvillimin e sektorit privat, sidomos të nismave të biznesit të vogël në bujqësi, agro-përpunim dhe turizëm, reformën zgjedhore, reformën administrative e territoriale dhe së fundi, reformën në drejtësi.
Projekti i ri dyvjeçar (2017-2019) i USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” përbën një nismë tejet të rëndësishme, e cila do të japë një kontribut kokret në mbajtjen të përgjegjshme të administratës sonë publike në një nga sektorët jetikë të shërbimeve për qytetarin, në atë të shëndetësisë publike.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është i mandatuar nga Kushtetuta e vendit për të siguruar përdorimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të fondeve publike. Si institucioni suprem i auditimit publik, si SAI, e kemi parë realizimin e këtij misioni të pashkëputur nga përpjekjet për krijimin e sinergjisë mes institucioneve të pavarura të vendit, shoqërisë civile, botës akademike, partnerëve ndërkombëtarë, mediave dhe qytetarit.
Në pesë vitet e fundit 2012-2016, në zbatim të Deklaratës së Limës, të konsideruar si Kushtetuta, Magna Carta e institucioneve supreme të auditimit në botë, dhe konkretisht të Nenit 12 të saj për thithjen e ekspertizës së jashtme në auditim, si KLSH kemi lidhur 42 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 24 me OJF aktive në luftën kundër korrupsionit dhe për përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike, 12 me institucione të zhvilluara homologe evropiane, si dhe marrëveshje me institucione të tjera shtetërore dhe Universitete Publike. Këto marrëveshje kanë kontribuar jo vetëm në rritjen e dijeve të audituesve të KLSH-së, nëpërmjet vizitave të punës dhe trajnimeve, por edhe në kryerjen e auditimeve më cilësore dhe gjithëpërfshirëse.
Një dimension tjetër themëlor i projektit të USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është lufta kundër korrupsionit në sistemin tonë të shëndetësisë. Gjykojmë se modestisht mund të kontribuojmë në këtë objektiv të Projektit.
Në betejën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, si SAI jemi bazuar në standardet ndërkombëtare të fushës ISSAI, të organizatës INTOSAI, në ISSAI 1240 “Përgjegjësitë e Audituesit në lidhje me Mashtrimin Financiar në një Auditim të Pasqyrave Financiare” dhe në ISSAI Gov 5700 “Udhëzues për Auditimin e Parandalimit të Korrupsionit në Agjencitë Qeveritare”. Ky standard i fundit vlerëson se:”SAI duhet të kuptojë riskun e korrupsionit, bazuar në analizën e dukurisë së korrupsionit në çdo auditim që ndërmerr”. Po ashtu, ISSAI 5700 cilëson se “Një nga aspektet më të rëndësishme të rolit të SAI-t në luftën kundër korrupsionit është puna që ai bën në fuqizimin e institucioneve publike, të cilat janë elemente të Sistemit Kombëtar të Integritetit”.
Të udhëhequr nga këto standarde, kemi dërguar në Prokurori për abuzime flagrante me fondet publike 219 raste në periudhen 2012-2017, ose mesatarisht një kallzim penal në javë apo një kallzim në çdo tre auditime, ose 1.5 herë më shumë se numri i kallzimeve penale për 10 vitet e marra se bashku 2002-2011.
Në zbulimin e dëmit ekonomik ndaj buxhetit të Shtetit, kemi synuar jo vetëm rekuperimin e tij në masën gati 100 përqind, por edhe vënien përpara përgjegjësisë të shkaktarëve të tij, me qëllim krijimin e një klime parandaluese dhe dekurajuese ndaj abuzuesve. Për periudhën 2012-2016, dëmi ekonomik i evidentuar dhe i bërë publik arrin në shumën 191 miliardë lekë ose rreth 1.47 miliardë euro, në një buxhet publik vjetor në nivele mesatarisht rreth 2.9 miliardë euro të ardhura dhe 3.2 miliardë euro shpenzime.
Treguesi i dobishmërisë së auditimit tregon se për çdo lek të shpenzuar nga Buxheti i Shtetit, KLSH ka kërkuar 76.8 lekë shpërblim dëmi në vitin 2016. Për periudhën 2012-2016, treguesi i dobishmërisë ka arritur nivelin 127.1 lekë, krahasuar me vetëm 21.1 lekë që ishte në periudhën 2002-2011(për 10 vjet).
Një pjesë e rasteve të abuzimeve me fondet publike, të zbuluara dhe të dencuara në Prokurori nga ne, i përkasin sektorit të shëndetësisë. Me futjen në auditim të teknikave të reja të vizualizimit të të dhënave, kemi mundur të përcaktojmë zonat dhe autoritetet kontraktore publike me risk më të lartë. Sektori i shëndetësisë publike dhe autoritetet kontraktore si Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet në varësi të saj kanë rezultuar në hartën e prokurimeve publike me risk të lartë. Për shembull, nga analiza interaktive e riskut nëpërmjet vizualizimit, kryer nga institucioni në vitin 2014, në autoritetin kontraktor Ministria e Shëndetësisë, vizualizimi vë në dukje se vetëm katër firma kanë fituar 44% të procedurave të prokurimit, apo 22% të fondit të shpenzuar, gjë që tregon për dobësi në procedurat e planifikimit, llogaritjes së fondit limit dhe transparencës së procesit.
Me themelimin e Departamentit të Auditimit të Performancës në tetor 2012, sektori i shëndetësisë publike ka tërhequr vëmendjen e Departamentit, i cili ka kryer dy auditime në këtë fushë, duke trajtuar temat “Shërbimi i ushqimit në spitalet publike të Tiranës” dhe “Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në Shqipëri”. Gjatë viteve 2013-2017, stafi i këtij Departamenti, që përfaqëson një gërshetim të audituesve me përvojë me auditues të rinj e me të ardhme, është trajnuar në vijimësi nga ekspertë të SAI-ve partnere me të cilat KLSH ka marrëveshje bashkëpunimi, si dhe nga Projekti i Binjakëzimit i fondeve IPA “Rritja e kapaciteteve të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri” i Bashkimit Evropian, i cili është në zhvillim e sipër.
Ne si KLSH përshëndesim nismën për kryerjen e një ose dy auditimeve të performancës nga ana e institucionit tonë, në fusha me risk të lartë në sektorin e shëndetësisë publike, në kuadër të realizimit të Marrëveshjes që po nënshkruajmë sot, për zbatimin e projektit të USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”. Shërbimet në spitalet tona publike dhe shërbimi parësor shëndetësor publik janë në vëmendjen e qytetarëve tanë dhe në qendër të ankesave të tyre për mosfunksionim të shtetit tonë, krahas denoncimeve dhe raportimeve të shumta nëpër media. Qytetarët presin me shumë të drejtë përmirësim rrënjësor në efektivitetin dhe cilësinë e këtyre shërbimeve. Jam i bindur se puna jonë e përbashkët në realizimin e këtij Projekti, se bashku me specialistët e Projektit, me ILDKPKI dhe me Avokatin e Popullit, do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe të përgjegjshmërisë të administratës së Shtetit në performancën e shërbimeve shëndetësore publike.
Po ashtu, përmirësimi i sistemit të manaxhimit të ankesave duke vendosur një sistem online, zhvillimi i një indeksi alarmi të “flamujve të kuq” për riskun e lartë, mekanizmi i të dhënave të hapura dhe përmirësimi i teknikave të mbledhjes dixhitale të të dhënave do të krijojë kushtet për produkte të Projektit sa më gjithëpërfshirëse dhe efektive.
Ju siguroj se ne si KLSH do të bëjmë më të mirën për suksesin e këtij Projekti të USAID-it, duke dedikuar staf të përgatitur dhe mjediset tona. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që në kërkimin e llogarisë ndaj administratës shtetërore, krahas Nesh, institucioneve të pavarura me punën dhe treguesit tanë, krahas shoqërisë civile të angazhuar dhe medias, të jetë një institucion prestigjoz në Shqipëri dhe kudo në botë, si USAID-i. Prania dhe aktiviteti i gjerë i USAID-it në Shqipëri, i kulmuar në dy vitet e fundit me projektin “Drejtësi për të gjithë” (2016-2021), me vlerë 9 milion dollarë, por edhe me projektet në fushën e bujqësisë si AgroCapital, si dhe Fondi për investimet dhe financimin në turizëm, përbën garanci për këtë kërkesë llogarie.
Qeveria e SHBA-ve dhe institucioni zbatues i parave të taksapaguesve amerikanë për asistencë dhe zhvillim, USAID-i janë të investuar fuqishëm në të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo e ardhme mund të realizohet me sukses vetëm nëpërmjet zbatimit të reformës në drejtësi dhe reformimit rrënjësor të administratës publike. Si reforma në drejtësi dhe reforma e thellë në administratën publike janë dy anë të së njëjtës gjë, të ndërtimit të Shtetit të së Drejtës në Shqipëri. Ka shumë vlerë që ky ndërtim të fillojë edhe në një nga bazat e shërbimeve publike, sikurse janë shërbimet shëndetësore Ne besojmë fort se qeverisja e përgjegjshme në sektorin e shëndetësisë, si kudo në shërbimet publike dhe në administrimin e parave të takspaguesve shqiptarë, mund të sigurohet vetëm nga një bashkëpunim i sinqertë i Qeverisë dhe Ministrisë përkatëse, duke pranuar kontributin e institucioneve të pavarura, të shoqërisë civile, te medias dhe të donatorëve e partnerëve tanë Perëndimorë, si dhe duke zbatuar rekomandimet nga gjetjet e tyre.
Ju faleminderit!