(Fjala në Akademinë Përkujtimore për Prof. Stanislav Zuber, inxhinierit dhe gjeologut me famë botërore, Akademia e Shkencave, Tiranë, 14 tetor 2018)
Te nderuar pjesemarres,
Në 125 Vjetorin e lindjes së njërit prej shkencëtarëve të shquar të Europës së shekullit te XX-te për kërkimet në naftë dhe gjeologji, Prof. Stanislav Zuberit, si KLSH, në bashkëpunimin me profesoratin e Fakultetit Gjeologji-Miniera të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, organizojmë këtë Akademi Përkujtimore në nderim të Prof. Zuber, në formën e një simpoziumi shkencor, për të njohur veprën e tij shumëpërmasore, në ndihmë të zhvillimit të shkencës dhe shoqërisë shqiptare, por edhe për të shprehur veneracionin tonë të thellë ndaj veprës së tij.
Prof. Zuberi lindi në Lvov të Polonisë në vitin 1893 nga një familje intelektualësh. Babai i tij Rudolf Zuber ishte Profesor dhe Shef i Katedrës së Gjeologjisë në Universitetin e Lvovit. Stanislavi studioi në Lvov dhe Krakov. Ende student, boton gazetën e parë shkencore në vitin 1914. Ai ishte poliglot, njohës i polonishtes, rusishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes, shqipes, serbishtes, greqishtes, arabishtes, persishtes e armenishtes. Në pranverë të vitit 1915, pas pushtimit të Lvov-it u vendos në Baku, ku përmes ndikimit të babait gjeti punë si një gjeolog në kompani të naftës polake. Ai punoi atje në vitet 1915-1923. Studioi gjithashtu, ndër të tjera dheun vullkanik. Rezultatet shkencore e metodike të punës tij u botuan në Bashkimin Sovjetik dhe në Poloni, pas kthimit të tij në vitin 1923. Në vitin 1924 ai mbrojti tezën e doktoraturës në Lvov me temën e disertacionit “Mbi dheun vullkanik”.
Ne vitet 1927-1947, vendi yne pati rastin fatlum të përfitonte nga kontributi i jashtezakonshem 20-vjeçar i Prof. Stanislav Zuberit, njërit prej shkencëtarëve të shquar të Europës së shekullit te XX-te per kerkimet ne nafte dhe gjeologji.
Sikurse e cileson Prof. Arqile Teta, studjuesi i tij i njohur dhe autor i librit monografik kushtuar Prof. Zuberit “Prof. Stanislav Zuber-Jeta dhe vepra”, i perkthyer edhe ne gjuhen polake, ”Me Zuber-in filloi industrializimi i Shqiperise. Disa ekonomiste te diteve te sotme, ne diskutimet qe kemi bere, e pranojne kete teze; nuk gjejne argumente ta rrezojne…Vetem Prof. Zuberi arriti te zbuloje pellgun naftembajtes te Devollit(siç e quante atehere Kuçoven Zuber-i) dhe ne vitin 1928 shpoi pusin e pare qe dha nafte ne sasi dhe vlera industriale…Me vone, kur u shtua dhe nafta e Patosit, Zuberi e zmadhoi diametrin e tubacionit nga Fieri ne Vlore ne 300 mm. Filloi keshtu eksporti i naftes shqiptare, si produkt industrial shqiptar. Keshtu u hodh hapi i pare i industrializimit te vendit, qe filloi nga industria e naftes qe e projektoi dhe e ndertoi Prof. Zuber-i”.
Per 45 vite te tjera rrjesht (1947-1991), mrekullia 20 vjeçare që Profesor Stanislav Zuber iu ofroi aseteve te Shqiperise(zbulimin e dhjetera vendburimeve te naftes) dhe shkencetareve gjeologe te vendit (me dhjetera e dhjetera harta me vlere te jashtezakonshme qe perdoren edhe sot) u “shpërblye” me sjelljen brutale dhe persekutimin absurd deri ne vrasje të regjimit komunist, si dhe me heshtjen dhe indiferencen po aq vrastare pas krimit te kryer.
Historia e jetes se inxhinierit polak të naftës me famë botërore perben një dramë te tmerrshme, ku përballen ashpër virtyti me paradoksin, njerëzorja me brutalen, mirënjohja me shpërfilljen, e vërteta me misterin.
Ne librin me titull “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, i cili shkëlqen për nga vërtetësia, faktet e shumta, nxjerrjen lakuriq të rregjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së ajkës së shkencëtarëve e specialistëve, që bënë të mundur zbulimin e vendburimeve të reja të naftës në Shqipëri, gjeologu Nuredin Skraparit thekson:”Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që realisht përbënte një genocid ndaj inteligjencës se naftes, fillon me dënimin e dijetarit, gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber në vitin 1947. Profesor Zuber la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos në vitin 1942, ai arriti të nxjerrë naftë industriale në zonat ranore. Me ardhjen në fuqi të rregjimit komunist, ai do të arrestohet si agjent i italianëve dhe do të lihet të vdesë në burg nga shkelmat e gardianit në mënyrën më shtazarake”.
Momentet e fundit te jetes se Prof. Zuber-it i ka pershkruar me nje penelate sa te thjeshte aq edhe prekese bashkevuajtesi i tij i qelise, shkrimtari i njohur Petro Marko:” Dhe tani ja ku ishim të dy: – ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç`murmuriste, thoshte: – Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme . .. Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej. E ngacmova dhe i thashë:”Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë?”. “Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite“, m’u pergjigj. “Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qendroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani”.
Per gati nje gjysem shekulli, drama e Prof. Zuberit nuk mund të mos ngacmonte kujtesën e bashkëkohësve shqiptare qe paten mundesine te punojne ose edhe thjesht ta njohin. Për ta, e vërteta mbi fatin e tij ishte ngërthyer në një brengë lënduese, e cila bëhej më e dhimbshme nga fakti që nuk duhej folur kurrë për të.
Mirepo nese kujtimi dhe vepra e inxhinierit dhe gjeologut te famshem polak u “ngrine” ne Shqiperi per 45 vjet, sot ne vitet e demokracise, figura, kontributi dhe veprat qe la pas po nisin te shpalosen te plote. Me 17 tetor 1991, ne qytetin e Kuçoves perurohet busti i Profesorit te madh. Ne vitin 1992, Presidenti i Republikes Prof. Dr. Sali Berisha nderoi kujtimin e Prof. Zuberit me medaljen “Martir i Demokracise”.
Me 17 tetor 2011, Presidenti Bamir Topi i akordon Inxh. Stanisllav Zuber (pas vdekjes) Urdhrin “Nënë Tereza”, duke ia dorezuar Ambasadores polake ne Shqiperi, zj. Irena Tatarzinska.
Busti i Profesorit te madh polak, veper e Skulptorit te popullit Muntaz Dhrami, i vendosur sot perpara Galerise Kombetare te Arteve, si dhe ky simpozium shkencor qe po organizojme po sot si Kontroll i Larte i Shtetit, ne nderim te thelle te vepres se Prof. Zuber, ne vleresim te marredhenieve miqesore te popullit shqiptar me popullin liridashes polak, si dhe te ndihmes dhe mbeshtetjes qe i ka dhene KLSH ne keto 6 vite 2012-2018 institucioni me i larte i auditimit publik ne Poloni, Zyra Kombetare e Auditimit (NIK), synojne te jene vetem nje pjese shume e vogel e borxhit te madh qe kemi ne si shqiptare perpara gjenialitetit dhe kontributit te jashtezakonshem te dhene per Shqiperine nga inxhinieri dhe gjeologu Stanislav Zuber.
Duke ju falenderuar te gjitheve per pjesemarrjen tuaj sot dhe duke ju uruar punime te mbara te Simpoziumit!