Në fillim të tetorit 2020, komuniteti shqiptar në SHBA i dërgoi një letër shtabit të fushatës së kandidatit për President të Partise Demokratike Amerikane, ish-ZvPresidentit Joe Biden, ku i kërkonte pozicionin e tij në lidhje me çështjen shqiptare.
Më 17 tetor 2020, gazeta “Illyria” e komunitetit shqiptar në SHBA publikoi letrën e përgjigjes së Shtabit të Fushatës së Xho Bajdën dhe Kamala Harris, me titull “Vizioni i Joe Biden për marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë dhe Kosovën” (http://illyriapress.com/joe-bidens-vision-for-u-s-relations-with-albania-and-kosova/ ).
Në letër thuhet:
“ZvPresidenti Biden është një mik i vjetër i Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. Si President, ai do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Shqipërisë dhe zhvillimin demokratik dhe ekonomik në rajon. Biden e kupton rolin e rëndësishëm të luajtur nga NATO dhe kërcënimet që Rusia paraqet ndaj rajonit.
Çfare Joe Biden ka bërë:
- Si Senator, Joe Biden ishte një zë i shquar në Kongres, duke e kundërshtuar agresionin e Millosheviçit ndaj Kosovës. Ai mbrojti interesat e Kosovës, në një kohë kur vëmendja e mbarë botes ishte diku tjetër:
Veton Suroi, ish-politikan i Kosovës dhe negociator i pavarësisë së saj,ka thënë për z. Biden “Ai ishte personi që ne do i telefononim në Uashington që në fillim të viteve 1990-të”.
- Joe Biden prezantoi Rezolutën e vitit 1999, që autorizoi Presidentin Clinton “të kryejë operacione ajrore ushtarake ajrore dhe sulme raketore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malt të Zi)”. Ai mobilizoi mbështetje për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit masiv etnik të Millosheviçit ndaj kosovarëve, nderkohe qe fushata e NATO-s vazhdonte.
- Joe Biden mbështeti – dhe e ka mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
- Joe Biden ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës, duke përfshirë një llogari të plotë të personave të zhdukur, dhe në mënyrë të përsëritur i ka bërë presion Presidentit Vuçiç për përparim në çështjen e Vëllezërve Bytyçi. Ai gjithashtu ka ushtruar presion vazhdimisht tek udhëheqësit politikë të rajonit mbi nevojën për të luftuar korrupsionin.
- Joe Biden e ka mbajtur të lartë interesin dhe përfshirjen e SHBA-ve në Kosovë, duke e vizituar atë dy herë si Zëvendës/President. Në një vizitë të vitit 2016, Xho Bajdën dhe e shoqja e tij Xhill, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, u bashkuan me zyrtarët e Kosovës në ceremoninë e emërtimit të Autostradës Kombëtare të Kosovës me emrin e “Joseph R. ‘Beau’ Biden III”, në nderim të djalit të ndjerë të Joe dhe Jill Biden, Beau, i cili shërbeu si këshilltar ligjor në Kosovë”.
Çfarë Joe Biden do të bëjë:
- Joe Biden angazhohet që të ndryshojë qëndrimin e çekuilibruar të administratës se Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.
- Joe Biden do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian, për të ringjallur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të lehtësimit të një zgjidhjeje stabilizuese, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve, e cila respekton integritetin territorial të Kosovës dhe arrin njohjen e plotë të ndërsjelltë.
- Joe Biden do të këmbëngulë që drejtësia për krimet e luftës të realizohet pa frikë dhe favor dhe do të kërkojë përgjegjësi të plotë dhe të shpejtë për të gjithë personat e zhdukur, duke perfshire Vëllezërit Bytyçi.
- Do të mbështesë misionin NATO-KFOR, duke marrë vendime rreth vendosjes së trupave amerikane, bazuar në interesat e sigurisë amerikane, jo në llogaritjet politike.
- Do të inkurajojë BE-në që të përmbushë premtimin e saj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë për të çuar përpara integrimin e Kosovës në BE, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
- Joe Biden do të forcojë marrëdhënien SHBA-Shqipëri, duke rritur marrëdhënien e mbrojtjes, për të siguruar që Shqipëria mbetet një aleat i fortë i NATO-s, duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve dhe duke zhvilluar biseda të sinqerta për të mbajtur të përgjegjshëm njëri-tjetrin ndaj idealeve të përbashkëta demokratike.
- Joe Biden do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë të ndihmojë Shqipërinë për të bërë reformat e vështira – duke përfshirë rendin dhe ligjin, anti-korrupsionin dhe reformat gjyqësore e zgjedhore të kërkuara për të ecur përpara.
- Ai gjithashtu do të punojë për të siguruar që dyert e BE-së të mbeten të hapura për vende si Shqipëria, kur ajo të jetë gati. Me partnerët dhe aleatët evropianë, Joe Biden do të ndihmojë ekonomitë e shkatërruara të rajonit të rikuperohen nga pandemia dhe të ndërtojnë një të ardhme ekonomike më të sigurt”.
Shënim: Burimi: Gazeta “Illyria”, e cila botohet në SHBA në gjuhën angleze (http://illyriapress.com/joe-bidens-vision-for-u-s-relations-with-albania-and-kosova/ ).
.