Draft Ide per rishikimin e ndarjes administrative per qarkun e Vlores

Rishikimi i Reformës Territoriale-Administrative është sot një domosdoshmëri. Ky rishikim duhet bërë në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik e social, sikurse dhe me planifikime realiste për të garantuar autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Ilustrimi më tipik i gjithë mangësive të përmendura më lart, është ish-Bashkia Orikum. Aktualisht në përbërjen e Bashkisë Vlorë, janë përfshirë ish-bashkia Orikum, komunat Dukat dhe Tragjas, (pjesë e të cilave është edhe gadishulli i Karabarunit), si rezultat i zbatimit të Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2014.
Për me tepër që këto zona kanë veçoritë e tyre historike, etno-kulturore, etj, dhe në kushtet e perspektivës dhe zhvillimit të turizmit, ish bashkia Orikum duhet të funksionojë si një bashki më vete.
Sikurse shkruan edhe Prof. Dr. Ago Nezha, Kryetari i Shoqatës “Labëria”, në shkrimin e tij “Dukati është i djathtë”: “Historikisht Dukati ka qenë i djathtë, se ka trashëguar një pasuri përrallore si asnjë fshat tjetër në Shqipëri. Këtë privilegj ia ka dhënë natyra dhe pozita e veçantë gjeografike me një konfiguracion të veçantë, ku takohet fusha me malin dhe detin. Dukati ka një sipërfaqe 260 km2, që është baraz me 1/5 e rrethit të Vlorës ose 1/100 e Shqipërisë. Kjo sipërfaqe e pafund popullohej nga mbi 800 shtëpi, ku ka pasur edhe shumë emigrime në Kalabri, Pulje dhe Siçili. Në territorin e Dukatit shtrihen tre qytete dhe 100 fshatra. Qyteti i Orikut ( Orikumi i sotëm), i themeluar në shekullin e VI-të para Krishtit nga Eubeasit, kishte monedhën e vetë, me një amfiteatër me 400 vende, qytet strategjik ku u zhvillua dhe beteja mes Cezarit dhe Pompeut më 4 Janar të 48 të e.r. Për bukurinë e tij përrallore turqit e quajtën Pashaliman (Limani i Pashait). Qyteti i Kanalit dhe qyteti i Erikues (Erihoi i sotëm) janë krijuar pasi u shkatërrua Oriku nga tërmeti në shekullin e II-të para erës sonë. Një amfiteatër i bukur natyror, për ta pasur zili.”
Pra karakteristikat gjeografike, kulturore, historike, sociale, pasuritë dhe perlat natyrore, e bëjnë imperative administrimin e kësaj zone si një bashki më vete. Po kështu, që nga miratimi i reformës administrative, Orikumi dhe rrethinat e tij janë lënë në harresë. Me ardhjen në pushtet të PD-së Orikumi do ti rikthehet banorëve të tij, me statusin që meriton, atë të bashkisë.
Këto dhe të tjera problematika të zonës do të vijojnë të diskutohen e projektohen me intelektualët, burrat e mençur e të urtë, profesionistët dhe banorët e Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Radhimës, etj.
Problematika të ngjashme shfaqen po ashtu edhe në Delvinë, por që do të trajtohen më gjerësisht dhe në detaje në një shkrim të dytë, të dedikuar për këtë zonë.
Bujar Leskaj