Institucioni drejt një trupe auditimi tërësisht të pavarur, kurajoze dhe e përkushtuar për përmirësimin e qeverisjes publike dhe eliminimin e anti-kulturës së pandëshkueshmërisë (Analiza Vjetore e vitit 2015)

I nderuar zoti President,
I nderuar Ambasador i SHBA,
I nderuar Ministër i Drejtësisë,
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar kolegë auditues!
Nga zhvillimi i Analizës Vjetore të punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2015
Analizën vjetore të punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2015, e zhvillojmë bazuar në Dokumentin Standard të Matjes së Performancës së një SAI(dokument ky i miratuar dhe promovuar nga Kongresi INCOSAI 21 i organizatës INTOSAI, i cili që nga viti 2013 përdoret gjerësisht nga SAI-t e zhvilluara për të vlerësuar rezultatet e tyre), si dhe në Analizën SWOT, sidomos me fokus në anët e forta dhe dobësitë që kemi si institucion.
Në përshëndetjen e tij drejtuar KLSH në 90 vjetorin e krijimit në maj 2015, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit Qeveritar të SHBA-së, z. Gene L. Dodaro theksoi se :”Institucionet Supreme të Auditimit janë vitalë për të ndihmuar përmirësimin e performancës së qeverisë, për të arritur më shumë transparencë, si dhe për të siguruar përgjegjshmëri në kontekstin e sfidave aktuale… SAI-t si KLSH, dhe institucioni që unë drejtoj, kanë mundësi të jashtëzakonshme për të ndihmuar qeveritë e tyre të planifikojnë për të ardhmen dhe të ngrenë tematika me interes për të gjithë”.
Të ndërgjegjshëm për këtë mision të përditësuar të SAI-t në sfidat e tanishme, në bazë të kornizës së treguesve të performancës së SAI-ve, si dhe të mjedisit dhe kushteve tona specifike, si KLSH kemi përcaktuar 14 tregues kryesorë performance për të matur punën tonë dhe pikerisht : 1. Auditimet dhe ecuria e tyre; 2. Dëmi ekonomik i zbuluar dhe dobishmëria; 3. Rekomandimet me impakt të lartë; 4. Numri i rekomandimeve; 5. Niveli i zbatimit të rekomandimeve; 6. Kallëzimet penale; 7 Auditimet e performancës; 8. Zhvillimi i burimeve njerëzore; 9. Kontrolli i cilësisë; 10. Transparenca dhe komunikimi, 11. Aftësia për partneritet (me partnerë vendas dhe të huaj), 12. Kërkimi shkencor dhe botimet, 13. Kuadri ligjor dhe 14. Strategjia e KLSH.
Në pjesën e dytë të analizës do të flasim në detaje për plotësimin e këtyre treguesve nëpërmjet diskutimeve të drejtuesve dhe audituesve të KLSH. Tani dua të theksoj se ne analizën tonë vjetore nuk e kemi filluar sot. Mbi bazën e treguesve të performancës së SAI-ve dhe të analizës SWOT, si dhe të instrumentit të vetëvlerësimit të integritetit INTOSAINT, të cilin kemi dy vjet që po e zbatojmë, gjatë muajit dhjetor 2015 kemi përfunduar analizat vjetore të punës së departamenteve të auditimit dhe tani po zhvillojmë analizën vjetore të përgjithshme të institucionit në këto dy ditë, me frymën e përgjegjshmërisë maksimale dhe të ndërgjegjshëm në sfidat që kemi përpara në realizimin e misionit tonë kushtetues.
Më lejoni që shkurtimisht të përmend realizimin e disa treguesve kryesorë të performancës së një SAI, që kanë përbërë për ne boshtin e ndikimit në mirëqeverisjen e vendit.Auditimet dhe ecuria e tyre
Për vitin 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka perfunduar dhe evaduar 158 auditime, ose 8.8 % përqind më shumë se viti 2014. Auditimet e përputhshmërisë dhe ato të performancës shënojnë rritje përkatësisht me 50% dhe 25%.
Dëmi ekonomik i zbuluar dhe dobishmëria
Institucioni ka zbuluar gjatë vitit 2015:
A. Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik të përgjithshëm në shumën totale prej 125,8 miliardë lekë ose 919.9 milionë euro.
B. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 35,3 miliardë lekë ose 257.7 milionë euro. Nga një analizë krahasuese të periudhave katërvjeçare 2008-2011 dhe 2012-2015, konstatohet se dëmi ekonomik i zbuluar për periudhën 2012-2015 është 8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar për periudhën e katër viteve 2008-2011.
Treguesi i dobisë së rezultateve të auditimit, i cili vë në raport sasinë e fondeve të kërkuara për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit nga KLSH me shpenzimet buxhetore të vetë institucionit, një nga treguesit kryesorë të performancës së SAI-eve të zhvilluara sot në botë, paraqitet për vitin 2015: për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH, janë kërkuar për t’u zhdëmtuar ne Buxhetin e Shtetit 180.6 Leke, ose ne vlere totale 58,7 miliardë lekë, apo 428.4 milionë euro, gje qe deshmon per dobine e larte te aktivitetit auditues. Krahasuar në vite, mesatarja e treguesit të efiçiencës (dobishmërisë) së institucionit për katër vitet 2012-2015 është 4.9 herë më e lartë se mesatarja e katër viteve 2008-2011. Shprehur ndryshe, në katër vitet e fundit, për çdo lek të takspaguesit shqiptar që harxhohet për KLSH kemi zbuluar dhe kërkuar për zhdëmtim dhe arkëtim në Buxhet afro 5 herë më shumë fonde se sa në katër vitet 2008-2011.
Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm sot se pasojat e krizës ekonomike e financiare botërore të viteve 2008-2012 dhe rastet e dukurive abuzive deri në skandale në përdorimin e fondeve publike në institucione, kompani e korporata shtetërore, kanë sjellë një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve ndaj qeverive. Kemi synuar, me rekomandimet që kemi dhënë edhe gjatë vitit 2015, që të rrisim besimin e qytetarit tek qeverisja publike, për të nxitur një qeverisje të mirë, më transparente e më të përgjegjshme.
Rekomandimet me impakt të lartë per vitin 2015
Mënyra jonë më efektive për të nxitur mirëqeverisjen janë gjetjet dhe rekomandimet gjatë auditimeve. Ndër rekomandimet më kryesore që kemi dhënë vitin e kaluar, përmendim:
a. Për të realizuar një qëndrueshmëri dhe kredibilitet të financave publike, për të përmirësuar planifikimin e treguesve makroekonomikë dhe të parashikimeve buxhetore, të ndergjegjshëm për risqet fiskale që kalon vendi, kemi rekomanduar marrjen e nismës ligjore për ngritjen e një Këshilli Fiskal, i cili të gëzojë statusin e një institucioni publik të pavarur dhe të ketë një pavarësi operacionale të qartë e rigoroze nga politika. Një rekomandim të tille e dha në janar 2016 edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në Raportin e tij “Country Report” Nr. 16/5 për Vlerësimin e Transparencës Fiskale.
b. Në kushtet e përgjegjësisë financiare të ulët të zyrtarëve publike, i kemi rekomanduar Kuvendit për të dytin vit në vijimësi hartimin e ligjit “Për përgjegjësinë materiale”, në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me kryerjen e detyrave zyrtare. Mungesën e theksuar të përgjegjshmërisë financiare në vend e evidentoi edhe Progres Raporti i Bashkimit Evropian i vitit 2015. Jemi të sigurtë se me hapat për realizimin e plotë të reformës në drejtësi, kjo përgjegjësi do të shtohet, pasi reforma duhet të vijojë edhe në këtë drejtim.
c. Me qëllim rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit të informacionit financiar dhe fiskal, duke synuar uljen e risqeve fiskale, kemi kërkuar në raportimin tonë në Kuvend në tetor 2015, që të publikohen menjëherë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të Shtetit. Kemi rekomanduar që të ngrihet një sektor i veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, i cili të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Ky sektor duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për ta vënë nën monitorim dhe kontroll profesional këtë proces të rëndësishëm.
Në Simpoziumin OKB-INTOSAI të vitit 2013, Dr. Jozef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAIT ka cilësuar se “SAI-t mund të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre për të kontribuar në qeverisjen e mirë publike vetëm nëse, duke u bazuar në punën e tyre të auditimit, ata gjithashtu angazhohen në veprimtari këshillimore dhe ofrojnë rekomandime specifike për subjektet e audituara dhe për vendim-marrësit”.
d) Duke patur parasysh vlerat e pozicionimit të SAI-t si këshilltar për qeverisjen, kemi kërkuar që privatizimi i Albpetrol të realizohet, duke ftuar kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë (veçanërisht ato me traditë të konsoliduar në sektorin e naftes, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania). Kemi rekomanduar po ashtu që të ringrihet Instituti i Kërkimeve të Naftës, si një institut shkencor, i cili të mbështesë të gjitha vendimmarrjet për zhvillimet e sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë dhe të bashkëpunojë me Kuvendin dhe Qeverinë për hartimin e strategjive afatmesme dhe afatgjata në këtë sektor. Kemi rekomanduar ngritjen e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, i cili të mund të vlerësojë realisht dhe saktësisht dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s., si edhe mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të OSHEE-së mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve. Kemi kërkuar një disiplinë të fortë financiare dhe një kontroll të vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendim-marrje strategjike për OSHEE-në, duke kallëzuar penalisht ndonjë anëtar të Qeverisë apo drejtues të lartë institucioni për vendim-marrje në dëm të theksuar të Buxhetit të Shtetit. Edhe pse jemi anatemuar nëpër media nga segmente të politikës, i qëndrojmë pikë për pikë gjetjeve dhe rekomandimeve tona në sektorin energjitik dhe faktet e kohëve të fundit na kanë dhënë të drejtë ne.
Kallëzimet penale
Kallëzimet penale përbëjnë një tregues të rëndësishëm të luftës ndaj korrupsionit dhe abuzimit me pronën publike. Për vitin 2015, KLSH ka kryer 51 kallëzime penale për 159 punonjës. Janë kallëzuar zyrtarë të rangut të lartë dhe të mesëm të administratës publike. Si KLSH kemi rritur cilësinë e përgatitjes së dosjes për kallëzim penal dhe shkurtuar kohën e përgatitjes së kallëzimit. Krahasuar me periudhën katërvjeçare 2008-2011, kallëzimet e katër viteve 2012-2015 janë 3.2 herë më shumë. Auditimet e performancës
Gjithnjë duke e mbajtur vëmendjen dhe tek shtimi dhe rritja e cilësisë së auditimeve financiare, auditimet e performancës së institucionit në vitet 2012-2015 kanë njohur zhvillim sasior dhe cilësor, duke u rritur mbi 2,5 herë në krahasim me periudhën 2008-2011 si numër auditimesh dhe afro 4 herë si numër institucionesh publike të mbuluara me auditim. Zhvillimi i auditimeve është në linjë dhe në përputhje të plotë me objektivat e planit strategjik 2013-2017 të KLSH. Gjatë vitit 2015, kemi realizuar 12 auditime performance në reformat qeveritare, projektet dhe shërbimet social-ekonomike, projektet infrastrukturore, projektet mjedisore dhe energjitike, projektet dhe shërbimet social-kulturore. Në krahasim me vitin 2014, numri i auditimeve të performancës është rritur me 25%, ndërsa numri i institucioneve të audituara me 63%. Për këtë vit, auditimet e performancës do të përqëndrohen në marrëveshjet koncesionare, në partneritetet publik-privat, në performancën e borxhit publik, etj.
Sikurse e thekson edhe Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s Amerikane në përshëndetjen e tij drejtuar KLSH, “Institucionet Supreme të auditimit sot janë pozicionuar si kurrë më parë, për të bërë diferencën… Ne nuk bëjmë politika. Ato i ka Kongresi. Ne auditojmë realizimin e politikave dhe programeve të Qeverisë”.
Sot në botë, sidomos në vendet e BE-së, Institucionet Supreme të Auditimit konsiderohen si agjentë të posaçëm të Parlamentit dhe të opinionit publik në tërësi. Efektshmëria dhe dobishmëria e auditimeve tona si SAI, qëndron në zbatimin e rekomandimeve të auditimit nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore. Pikerisht per kete aresye, ndjekja sistematike e zbatimit te rekomandimeve te KLSH ka qene nje shqetesim i perhershem i Bashkimit Evropian, i shprehur me force edhe ne te dy Progres Raportet e fundit per Shqiperine te viteve 2014 dhe 2015. Dua te theksoj se edhe gjate vitit 2015, kemi gjetur mirekuptim dhe kemi marre mbeshtetjen e duhur nga Komisioni i Kuvendit per Ekonomine dhe Financat.
Niveli i zbatimit te rekomandimeve dhe numri i rekomandimeve
Niveli i zbatimit të rekomandimeve eshte një tregues shumë të rëndësishëm për të matur efektivitetin e një SAI. Ky nivel për vitin 2015 përfaqëson një shifër të krahasueshme me performancën e SAI-ve të zhvilluara. Nga ana tjeter, numri i rekomandimeve tona eshte rritur ndjeshem ne krahasim me nje vit me pare. Megjithate, shqetësim kryesor përbën për ne niveli i ulët i zbatueshmërisë së masave të propozuara nga ne për largim nga detyra apo nga shërbimi civil për zyrtarë të lartë të Shtetit. Gjykojme se largimi i tyre nga detyrat apo postet që ata mbajnë, mbetet një parakusht i shprehjes së vullnetit dhe seriozitetit institucional karshi një lufte pa kompromis kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën. Do te paraqesim listat e ketyre zyrtareve te larte qe ende mbahen ne pune prane komisioneve te Kuvendit, me qellim rritjen e impaktit te punës sonë dhe uljen deri në eliminim te anti-kulturës së pandëshkueshmërisë tek ne.
Ne jemi plotesisht te ndergjegjshem per pozicionin dhe rolin tone dhe mendojme se mund te kontribuojme realisht, sidomos me perpjekjet per te luftuar anti-kulturen e pandeshkueshmerise, edhe ne reformen teresore ne sistemin e drejtesise, e cila nuk do te kishte ardhur ne stadin e sotem te realizimit, pa investimin dhe kontributin e Ambasadorit te SHBA-ve ne Shqiperi, z. Donald Lu, i cili eshte i pranishem ne analizen tone dhe te cilin e falenderojme ne menyre te veçante per kete kontribut.
Per efekt kohor, realizimin e shtate treguesve te tjere te performances, si (8) Zhvillimi i Kapaciteteve Njerezore, (9) Kontrolli i Cilesise, (10) Transparenca dhe Komunikimi; (11) Aftesia per Partneritet, (12) Kerkimi Shkencor dhe Botimet KLSH, (13) Kuadri ligjor dhe (14) Strategjia e KLSH do ta trajtojme ne pjesen e dyte te analizes se sotme.
I nderuar zoti President, të nderuar pjesëmarrës!
Viti 2015 ka qenë viti i parë i zbatimit të ligjit të ri integral të KLSH, viti i konsolidimit të progresit të institucionit drejt një trupe auditimi tërësisht të pavarur, kurajoze dhe të përkushtuar për përmirësimin e qeverisjes publike tek ne dhe eliminimin e anti-kulturës së pandëshkueshmërisë, e cila zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare ISSAI.
Krahas përparësive, jemi të ndërgjegjshëm edhe për dobësitë tona. Kështu, ende nuk kemi arritur të japim opinion për pasqyrat financiare të Shtetit.
Mbi bazën e treguesve të plotësuar të performancës së një SAI, të sigurtë në ndihmën dhe mbështetjen e Institucionit të Presidentit, të Kuvendit dhe të gjitha strukturave të tjera publike dhe të shoqërisë civile e qytetarëve, si dhe të aleatëve tanë strategjikë BE dhe SHBA, e shohim me besim të plotë punën tonë në të ardhmen, për rritjen e përgjegjshmërisë publike dhe mirëqeverisjen e vendit.
Ju faleminderit!