Gjatë takimeve të z.Basha me qytetaret dhe bizneset e vogla, dhe disa pensionistë të qytetit të Vlorës, ai u shpreh:
Bizneset e vogla në qytetin e Vlorës janë lënë në baltë si kudo në Shqipëri. Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim, ekonomia është rrënuar, numri i qytetarëve që mezi sigurojnë ushqimin e përditshëm është rritur dhe tani kur kanë më shumë nevojë se kurrë qeveria nuk po u jep asnjë ndihmë.
Në tregun e qytetit u takova me shitës që e nisin punën sapo zbardh dita dhe nuk arrijnë të nxjerrin as shpenzimet minimale për të mbajtur familjet e tyre.
Pandemia e ka nxjerrë edhe më shumë në pah krizën, ndërsa Rama ka ofruar ndihmën më të ulët për biznesin dhe qytetarët krahasuar me vendet e Ballkanit. Ndërkohë jeta është bërë më e shtrenjtë, papunësia është rritur dhe konsumi ka rënë. Shitjet e njësive të shërbimit dhe tregëtisë janë përgjysmuar.
Edhe për pensionistët situata është e vështirë. Të braktisur nga shteti dhe me fëmijët në emigracion, çdo ditë për ta është një sfidë në kufijtë e mbijetesës.
Bizneset dhe qytetarët e Vlorës kërkojnë ndryshim. Ata duan një qeveri që nuk bën propagandë por punë. Një kryeministër që nuk ndjek vetëm interesin e tij, por punon për interesat e shqiptarëve, për punësimin dhe zhvillimin ekonomik.
Shqiptarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë për një qeveri që do ta ndryshojë Shqipërinë dhe do të sjellë shpresë dhe mundësi për shqiptarët.