Botuar në gazetën “Panorama”, më 20 korrik 2017 dhe “Tirana Times”, më 21 korrik 2017.
Axhenda 2030 përbën një strategji dhe plan konkret pune të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm në nivel global. Ajo kërkon të forcojë paqen universale dhe të sigurojë liri më të madhe dhe mirëqenie ne bote. Të gjitha vendet dhe të gjitha palët e interesuara, duke vepruar në partneritet dhe në bashkëpunim, duhet ta zbatojnë këtë plan të nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.
Axhenda ka 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe 169 Synime, të nënshkruara nga OKB dhe liderët botërorë në 25-27 shtator 2015, me rastin e 70 Vjetorit të themelimit të Organizatës. Këto objektiva bazohen tek Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të periudhës 2000-2015 të OKB-së dhe synojnë të plotësojnë atë që këto objektiva nuk arritën. OZHQ-të janë të integruara, të pandashme dhe balancojnë që te tre dimensionet e zhvillimit të qëndrueshëm: dimensionin ekonomik, social dhe mjedisor.
Objektivat dhe synimet e OKB-së po orientojnë dhe stimulojnë veprimet e qeverive të vendeve kryesore dhe më të zhvilluarat sot në botë. Është përgjegjësi e qeverisjes sonë publike që ato të shërbejnë si plan pune për politikat qeveritare dhe për qeverinë tonë që do të nisë punën në shtator 2017, si dhe orientim themelor për Kuvendin e ardhshëm.
Axhenda 2030 kërkon një pjesëmarrje të plotë të qeverisë, ku secili vend i përshtatet OZHQ-ve globale në politikat dhe synimet e veta kombëtare, në varësi të rrethanave, kapaciteteve dhe prioriteteve të tij. Zbatimi nënkupton sigurimin e një angazhimi të qartë të raportimit dhe llogaridhënies, si dhe sigurimin e ekzistencës së një koordinimi të përshtatshëm dhe koherent midis niveleve të ndryshme të qeverisjes kombëtare dhe lokale.
OKB udhëzon që qeveritë duhet të lëvizin nga këndvështrimet sektoriale drejt një procesi më të integruar vendimmarrës dhe një axhendë të orientuar drejt objektivave 2030. Kjo kërkon udhëheqje, një angazhim të qartë në nivelin më të lartë politik, formulimin e një strategjie kombëtare dhe identifikimin e fushave prioritare.
Kombet e Bashkuara kanë INTOSAI-n, Organizatën e Komunitetit të Institucioneve Supreme të Auditimit Publik (SAI-ve) një nga partnerët më të besueshëm dhe themelorë në suksesin e zbatimit të OZHQ-ve. OKB kërkon nga INTOSAI të mbikëqyrë zbatimin e OZHQ-ve, për të përcaktuar në kohe reale dhe me objektivitet se në ç’shkallë ato janë zbatuar dhe në çfarë cilësie për qytetarët.
Bazuar mbi kontributet e disa grupeve të punës të INTOSAI-t dhe mbi një hulumtim shkencor disavjeçar, INTOSAI, në Kongresin e saj të fundit INCOSAI i XXII-të në Abu D’Habi të Emirateve të Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, identifikoi katër qasje për monitorimin e zbatimit të OZHQ-ve nga ana e SAI-ve:
I- Vlerësimi i gatishmërisë së qeverisë kombëtare për zbatimin, monitorimin dhe raportimin e progresit të OZHQ-ve, dhe më pas auditimin e funksionimit të tyre dhe besueshmërisë së të dhënave që ato prodhojnë;
II- Kryerja e auditimeve të performancës që shqyrtojnë ekonomicitetin, efiçiencën dhe efektivitetin e programeve kryesore të qeverisë që kontribuojnë në aspekte specifike të OZHQ-ve;
III: Vlerësimi dhe mbështetja e zbatimit të OZHQ 16 që lidhet me institucionet publike efektive, të përgjegjshme dhe transparente;
IV: Kontributi i SAI-ve duke qenë modele të transparencës dhe llogaridhënies në veprimet e tyre, duke përfshirë auditimin dhe raportimin.
Kongresi i Abu D’Habit theksoi se për të arritur një sistem gjithëpërfshirës të informacionit dhe monitorimit të OZHQ-ve, nevojiten investime në ndërtimin e kapaciteteve statistikore kombëtare të pavarura, si dhe forcimin e cilësisë dhe standardeve. Organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë donatore gjithashtu mund të kontribuojnë në prodhimin dhe raportimin e të dhënave për monitorimin e OZHQ-ve.
Abu D’Habi nënvizoi se SAI-t kanë një kontribut të rëndësishëm dhe të pavarur për të dhënë në procesin e ndjekjes dhe shqyrtimit të zbatimit të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ky kontribut pritet të zhvillohet dhe të ndryshojë me kalimin e kohës, ndërsa përparon cikli i OZHQ-ve. Kontributet e SAI-t mund të përfshijnë kryerjen e një rishikimi bazë të gatishmërisë së qeverisë për zbatimin, ndjekjen dhe shqyrtimin e OZHQ-ve, kryerjen e auditimeve të performancës bazuar në standardet e fushës ISSAI, e më pas, kryerjen e llojeve të ndryshme të auditimeve lidhur me zbatimin e OZHQ-ve. SAI-t po ashtu mund të vlerësojnë nëse sistemet e vendosura dhe të përdorura nga qeveria për ndjekjen dhe raportimin e progresit ndaj OZHQ-ve janë të përshtatshme për qëllimin, si dhe, në një fazë të mëvonshme, mund të kryejë auditimin e proceseve kyçe të ndjekjes dhe rishikimit të tyre, si dhe potencialisht të ofrimit të sigurisë për besueshmërinë e të dhënave të monitorimit në nivel kombëtar.
Hapat e mësipërm do të varen shumë nga niveli në të cilin kanë përparuar qeveritë në zbatimin e OZHQ-ve dhe nëse ekziston një bazë e përshtatshme, p.sh., politika të qarta ose programe specifike për këtë qellim.
Konstatojmë me shqetësim se tek ne, në nivel të politikave kombëtare ka pak informacion dhe ndërgjegjësim për objektivat e Axhendës 2030 dhe rëndësinë jetike të zbatimit të tyre. Duke parë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri (të cilat artikullshkruesi në nivel të përfaqësimit të një institucioni kushtetues të depolitizuar nuk mund dhe nuk duhet t’i komentojë), matja e përputhshmërisë së programit të ri qeveritar me përparësitë e vendit sipas OZHQ-ve, do të përbënte një etalon të qartë dhe të drejtë të kërkimit të llogarisë dhe vendosjes së përgjegjshmërisë në zbatimin e politikave dhe programeve qeveritare 2017-2021.
INTOSAI në Abu D’habi këmbënguli sidomos në rolin e SAI-ve në mbështetjen e realizimit të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) numër 16, lidhur me “ndërtimin e institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe transparente në të gjitha nivelet “. OZHQ 16 kërkon të sigurojë që qeveritë kombëtare të kenë kapacitetet institucionale për të bërë të funksionojnë institucione efektive, të përgjegjshme dhe transparente, të cilat janë të nevojshme për të përmbushur ambiciet e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Aftësia e qeverisë sonë, si dhe e qeverive të tjera kudo në botë, për të ofruar shërbime publike në mënyrë të qëndrueshme, do të përcaktohet kryesisht nga shëndeti i sistemeve të tyre të menaxhimit financiar publik, përmes:
• Aftësisë për të mbledhur të ardhura të mjaftueshme;
• Planifikimit dhe ekzekutimit të Buxhetit të Shtetit në mënyrë të rregullt;
• Sigurimit të llogaridhënies dhe transparencës.
Është detyrë themelore e SAI-ve të shqyrtojnë nëse fondet publike shpenzohen me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë, në përputhje me ligjet dhe rregulloret ekzistuese. Ndërsa SAI-t shqyrtojnë mobilizimin e burimeve (të hyrave) buxhetore dhe menaxhimin e shpenzimeve (të dalave), ato ndihmojnë në përmirësimin e proceseve kyçe të menaxhimit të financave publike. Në këtë mënyrë, SAI-t kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit, duke rishikuar auditimin e brendshëm dhe duke i bërë risqet të dukshme, duke publikuar gjetjet dhe rekomandimet e tyre në domenin publik(media tradicionale, mediat sociale, etj.).
Kongresi i Abu D’Habit lancoi sfidën se si INTOSAI dhe SAI-t anëtare mund të kontribuojnë në Axhendën 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit. Kjo nuk është kurrsesi një sfidë vetëm e institucioneve supreme të auditimit, një përgjegjësi ekskluzivisht dhe vetëm e tyre. Qeverisja kombëtare, në rastin tonë, në radhë të parë Kuvendi dhe Qeveria e re, duhet të mos anashkalojnë, përkundrazi ta vendosin në qendër të interesit dhe objektivave të tyre për vitet 2017-2021, Axhendën 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Do të jetë, në radhë të parë, në interesin e vetë këtyre dy faktorëve kyçe, Kuvendit dhe Qeverisë, që të jenë të besueshëm në sytë e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, nëse përqafojnë që në fillim dhe pa rezerva Axhendën 2030. Kjo Axhendë dhe zbatimi i saj është e lidhur ngushtë me Komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me organizatën e tyre botërore INTOSAI. Janë tre Rezoluta të njëpasnjëshme (vitet 2011, 2014 dhe 2015) të OKB-së në lidhje me mbështetjen ndaj SAI-ve dhe INTOSAI-t. Në Pikën e 14-të, Rezoluta A/69/327 e 14 shtatorit 2015 e OKB-së me titull “Promovimi i shërbimeve publike gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme për zhvillim të qëndrueshëm”, cilëson se “OKB inkurajon të gjitha shtetet, vëzhguesit dhe institucionet përkatëse të Kombeve të Bashkuara që të vazhdojnë të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve, me Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, INTOSAI-n, me qëllim promovimin e qeverisjes së mirë në të gjitha nivelet, duke siguruar efikasitet, përgjegjshmëri, efektivitet dhe transparencë përmes forcimit të institucioneve më të larta të auditimit, duke përfshirë, sipas rastit, përmirësimin e sistemeve publike të kontabilitetit ”
Përputhja e programit ekonomik, social dhe mjedisor 2017-2021 të qeverisë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara do të ishte një hap vendimtar në sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së qeverisjes sonë publike për katër vitet në vijim. Në të kundërt, injorimi i rolit dhe objektivave të Axhendës 2030 do të ngrinte shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha në seriozitetin e angazhimit qeveritar. Si SAI, si KLSH e ndjejmë qartë përgjegjësinë tonë, edhe në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dhe garantojmë kontributin tonë modest në thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e qeverisjes sonë publike.