27 dhjetor 2006, në Pogradec u inaugurua monumenti i poetit tonë kombëtar Lasgush Poradeci, vepër e skulptorit Mumtas Dhrami.
Ditë e bukur, pak ftohtë, me një diell që shkëlqen. Disa banorë të qytetit të vogël buzë liqenit janë mbledhur në breg për të pritur birin e tyre, Llazar Gushon. Një gjysmë beze e kuqe mbulon një shtatore madhështore prej bronzi. Në mesditë mrekullia ndodh, Lasgushi rilind edhe një herë si 96 vjet më parë. Me kokën e kthyer nga Liqeni, vështrimin e tretur tutje deri në thellësi, rrëzë Malit të Thatë, me jakën e ngritur, kapotën e mbërthyer.tunin në dorë e Cucin në këmbë, Lasgushi zbriti madhështor, në thjeshtësinë e tij. Pranë tij të bijat, miqtë, bashkëkohësit e qytetarët e dashur. Nuk kishte si të mungonte edhe “babai” i tij, “Skulptori i popullit” Mumtas Dhrami.
A është Lasgushi profesor -doktor?
Marie Gusho, e bija e poetit të madh, në kumtesën e saj të mbajtur në ditën e përurimit të bustit, që i parapriu inaugurimit, solli fakte e dokumente të reja, të panjohura për jetën dhe veprimtarinë e poetit. Lidhjet e Lasgushit me Austrinë ishin në qendër të kësaj kumtese. Ajo që nëvizoi me forcë Maria ishte se .Lasgushi kishte mbrojtur doktoraturën në vitin 1933 në Universitetin e Gracit, mbi Emineskun, një gradë e cila nuk iu njoh asnjëherë nga shteti shqiptar as sa qe gjallë dhe pas vdekjes. Ai nuk ishte kurrë anëtar i Akademisë së Shkencave, pse kontributi dhe vlerat e tij si poet dhe e si përkthyes janë të padiskutueshme. Këto të dhëna Maria ishte munduar ti sillte edhe me pamje’ filmike, nën komentin e saj, demonstruar me dhjetëra dokumente, të cilat nënvizonin me forcë madhështinë e poetit, respekktin që kishte ky personalitet për dokumentet, duke ruajtur dhe faturat më të thjeshta. Në materialin e ekspozuar dëshmoheshin lidhjet e ngushta të poetit me Austrinë, pasi Lasgushi bën pjesë ndër pesë intelektualët pogradecarë të cilët kanë studiuar në Austri.
Lasgusht si shenjtor
Poeti i madh, Lasgush Poradeci, është shprehur se “ndoshta pas 50 vitesh nuk do të kem varr, por një monument”. Dhe 19 vjet pas
vdekjes ndodhi profecia etij. Monumemti i Lasgush Poradecit, rreth 4 metra e lartë, e realizuar nga skulptori Mumtaz Dhrami, u përurua më 27 dhjetor në Pogradec, në përkujtim të 106-vjetorit të lindjes dhe 19-vjetorit të vdekjes së poetit të madh. Përurimi i shtatores, në sheshin kryesor të qytetit, fare pranë bregut të liqenit, të cilit Poradeci i ka kushtuar vargje të mrekullueshme, u bë përmes një ceremonie ku ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë, bashkëkohës të tij, artistë dhe aktorë të’ njohur, shkrimtarë dhe poetë, nga Pogradeci, Tirana dhe Maqedonia.
Shtatorja është vendosur në lulishten përballë Pallatit të Kulturës dhe shumë pranë liqenit nga ku Lasgushi hedh vështrimin e tij të menduar poetik mbi kaltërsinë e këtij liqeni, të cilit i ka thurur vargje të pavdekshme. Disa prej këtyre vargjeve u interpretuan gjatë ceremonisë së sotme nga aktorë të njohur të shtëpisë së kulturës që mban emrin e tij. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i baskisë, z. Artan Shkëmbi, i cili premtoi se së shpejti pranë shtatores së Lasgushit do të ngrihet dhe një shtatore në nderim të shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli, “ne do ta lemë vetëm një dimër vetëm poetin e madh, dhe në 2007, përballë tij do të ngrihet shtatorja e mikut të tij të madh, prozatorit të kulluar Mitrush Kuteli”. Ndërsa skulptori tha se “ideja për monumentin e poetit më ka lindur që në vitin 1982, kur ishte gjallë Lasgushi, por jam i lumtur që ta realizoj sot e ta sjell këtu para jush”.
Lasgushi, i gjallë mes kujtimit të miqve
Ata të pranishëm në sallën e kinemasë panë edhe një herë imazhet e poetit para 30 vjetëve, në 1976. Falë një bashkëpunimi me AQSHF-në, u bë e mundur’ që në këtë ditë të shënuar të shfaqej dokumentari i Endri Kekos, “Lasgush Poradeci”, një prodhim i Kinostudios, i vitit 1976, me skenar të Dhimitër Xhuvanit e Kopi Kyçykut. Ky dokumentar është i vetmi i prodhuar në 45 vjet nga Kinostudio ndërsa TVSH ka realizuar në 1980 edhe një teatër dokumentar me regji të Mevlan Shanajt. Ndërsa janë shumë të pakta imazhet e tjera të poetit. Në takimin e organizuar, pas filmit, intelektualë, miq e dashamirës të poetit sollën kujtimet e tyre për “Nderin e Kombit”.
Tomi Mato, Misto Marko, Anastas Kostandini, e shumë të tjerë ridimensionuan edhe një herë përmasat e poetit, sollën kujtime dhe vlerësime të tyre për këtë figurë të ndritur.Si për të plotësuar më tej figurën madhështore të gjeniut të kombit, në orën 17.00 u mblodhën në sallën e Galerisë plot miq, intelektualë e të ftuar, e dashamirës e bashkëqytetarë të Lasgushit për të promovuar veprën e Tomi Matos; “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”, botim i shtëpisë botuese “55”. Në fjalën e tyre oratorët që e morën fjalën theksuan ndihmesën e çmuar që autori, Tomi Mato, ka dhënë për poetin. Ndër të tjera në këtë takim u thanë:
“Të jem i sinqertë, jam befasuat nga të shkruarit bukur, në përgjithësi, të tyre, lëshuar të lirasi një frymëmarrje me penë artisti, ku Lasgushi del ai, i vërteti gjer në fijet intime të shpirtit dhe zërit bashkë”
“Tomi Mato sjell fakte dhe vlera që në shumë raste janë prekse dhe emocionuese nga jeta e njeriut kaq të thjeshtë e të madh, po në kontraste tejet të theksuara me jetën e tija të përditshme. Figura e lirikut erotik tani e tutje do të studiohet edhe në këto dy fusha: Ato intime, ku në mënyrë të thjeshtë dhe dokumentare dhe jo një farë kronologjije, por jo pa art. Me besnikëri dhe sinqeritet e sjell para nesh autori Tomi Mato .. .”
“Lasgushi rri i “inçizuar në mëndjen” e Tomit që kur i gostiti me gur Lolkën (konen) e deri në ditën ogurzezë të 12 nëntorit 1987; kur me dhimbje iu desh ta përcillte për në banesën e fundit. Në librin e tij Tomi Mato jo vetëm lartëson figurën e Lasgushit, por i bën për vete lexuesit, veçanërisht atë Pogradecar. Autori meriton të përshëndetet si rrallëkush, jo vetëm se i kushton poetit 43 shkrime të ndryshme, po pse çdo shkrim është realizuar si një tregim me subjekt më vete, kur në të cilin gjen personazh Lasgush Poradecin. Dhe autori na befason me Llazar Gushon – njeri. Prandaj shkrimet janë tërheqëse dhe lexohen me një frymë. Kur autori e vonon paksa personazhin e dashur, lexuesi shqetësohet se mos është harruar. Por kjo nuk ndodh. Lasgushin e gjejmë gati në çdo faqe. Eshtë ai që na rrëmben deri në faqen 207″.
“Edhe se kanë kaluar vite që është botuar ky libër mbetet një ndër botimet më të rëndësishme të kulturës sonë në këto kohë. Nuk është thjesht një tufë kujtimesh të rastësishme, por me plotësinë e tij është romani më autentik dhe më i detajuar deri më sot i jetës së Lasgushit
“Gjuha e gjallë e pasur, e qartë, spontane, përshkrimet autentika, e faktografike të natyrës të Pogradecit, zbulojnë një shpirt të math poeti, po edhe shpirtin e konteksteve që na kanë preokupuar neve shqiptarëve si komb i ndarë, prandaj pamjet apo imazhet rrënqethëse befasojnë, shqetësojnë, duke e bërë këtë libër sa dokument aq edhe monument e testament të poetit, kohës, dhe i autorit … ”
Një ditë më pas
Dje ishte dita e parë që Lasgushi gëdhihej në qytetin e tij buzë liqenit. Me vështrimin e tretur në liqen, ai dukej sikur mbante ende atë pengun e hershëm, atë mallin që e ruante në gji. Me kapotën e mbërthyer, me shallin qafës, me kapelen karakteristike, Lasgushi e ndiente se një ditë do të kushtonte shtrenjtë. Në jetën e tij të varfër, të mbërthyer nga mjerimi, Lasgushi mendonte se një ditë do të kishte monument dhe ky monument do të kushtonte jo pak por 90 milionë lekë! Sa vlen jeta e një poeti, e një gjeniu?! Atij sa nuk i çahet gjoksi kur e mendon këtë, ai gjoks i mbështjellë me karton, poshtë trikos së arnuar, që të mos ia ftohte era e Malit të Thatë gjatë shëtitjeve në buzë të liqenit. Me dorën në xhep duket sikur shtrëngon atë sahatin e madh kinez, orën e tavolinës që mbante gjithmonë me vete. Nuk kishte orë, por kohën e maste. Kjo kohë rrjedh ende për të, e nuk ka për të ndaluar kurrë. Ecën koha, por Lasgushi u përket të gjitha kohërave