KLSH-JA NUK BËN POLITIKË, POR AUDITON ZBATIMIN E POLITIKAVE TË QEVERISË

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 20 korrik 2018.
Kontrolli i Lartë i Shtetit funksionon bazuar në Kushtetutën e vendit, në Ligjin organik të institucionit, në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI, në Rezolutat e OKB-së për SAI-et dhe në Rezolutat e Kuvendit për KLSH-në. Filozofia e punës sonë në këto vite ka qenë modernizimi i institucionit në punën audituese, si edhe thellimi i transparencës dhe llogaridhënies për një qeverisje të mirë dhe në luftë kundër korrupsionit, për përmirësimin e qeverisjes, duke vepruar me moton “KLSH-shërbestar i qytetarit dhe agjent i Kuvendit”. Mbi bazën e kësaj filozofie u ndërtua Strategjia institucionale 2013-2017, e cila kulmoi në realizimin me mbi 90% sukses në vitin e fundit të implementimit të saj, 2017-n.
6 qëllimet strategjike të KLSH për periudhën 2013-2017
Strategjia e Zhvillimit të KLSH për periudhën 2013-2017 përcaktoi 6 Qëllime Strategjike të cilat mbuluan dimensionet më të rëndësishme të rritjes të institucionit.. Objektivat Strategjikë të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t u integruan në koherencë të plotë në Planin Strategjik, duke u formalizuar në objektivat kryesore:
• zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH,
• rritja e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit,
• përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës,
• zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe përdorimi i TI në auditim,
• rritja e kontributit të KLSH për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit,
• si dhe rritja e ndikimit të rolit të KLSH-së përmes komunikimit dhe bashkëpunimit.
Kjo strategji u formulua në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ishte guri i themelit për ndryshimin që pasoi në të gjitha dimensionet e punës në KLSH.
Korniza e Matjes së Performancës
Korniza e Matjes së Performancës është një metodologji moderne për të analizuar në thelb lidhjen shkak-pasojë të faktorëve që pëcaktojnë suksesin e aktivitetit auditues, një auditim performance i drejtuar kah vetja, një reflektim kritik, periodik, për t’u përmirësuar dhe udhëhequr përmes shembullit. Metodologjia mbështetet në sistemin e vetëvlerësimit dhe/ose vlerësimit nga institucionet e tjera supreme të auditimit “Peer Revieë (Rishikim mes Kolegëve)”. Për vitin 2017, KLSH e kreu matjen e performancës institucionale duke kombinuar të dyja format: për pavarësinë institucionale u vlerësua nga një grup kolegësh austriakë, ndërsa për fushat e tjera ngriti grup të përbashkët pune me kolegët polakë të projektit IPA. Fushat e matjes së performancës institucionale janë 6 dhe secila prej fushave përmban parametrat specifikë (25 në total), të integruar në një matricë.
Treguesit e Performancës
6 fushat ku shtrihet matja e performancës janë:
“Pavarësia dhe korniza ligjore”
“Qeverisja e brendshme dhe etika”
“Cilësia e auditimit dhe raportimi”
“Menaxhimi financiar, asetet dhe strukturat mbështetëse”
“Burimet Njerëzore dhe Trajnimi”.
“Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të interesit”.
Treguesit e agreguar dëshmojnë se KLSH, për vitin 2017 ka një perfomancë mbi nivelin mesatar. Konkretisht për tre nga 6 fusha vlerësimit, përkatësisht fushat 3,4 dhe 5 merr vlerësimin 4 (nga 4) dhe për 3 fushat e tjera vlerësimin 3 (nga 4) .
Më në detaje, kjo performancë zbërthehet si vijon:
“Pavarësia dhe korniza ligjore”
Performanca e kësaj fushe u bazua kryesisht në vlerësimin e realizuar nga Gjykata Austriake e Auditimit, përmes procesit “Peer Revieë (Rishikim mes kolegëve)”. Me ndryshimet e realizuara në Ligjin 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH ka një kornizë rregullatore që i garanton pavarësi të përshtatshme në realizimin e plotë të misionit dhe detyrimeve kushtetuese. Kjo kornizë sanksionon pavarësinë organizative në planin e auditimeve, në strukturën dhe stafet e nevojshme për t’iu përgjigjur detyrimeve kushtetuese dhe aktivitetit të përditshëm auditues. Pavarësia e Kryetarit është një element që sanksionohet në mënyrë të kujdesshme në ligjin e ri, vlerësuar maksimalisht në dimensionin përkatës. Ndërkohë që dimensioni i lidhur me pavarësinë financiare, nisur nga kufizimet buxhetore për shkak të ligjeve të tjera organike, nuk plotëson kushtet për një vlerësim maksimal, duke u vlerësuar vetëm me 3 nga 4 pikë të mundshme. Mandati i KLSH-së është vlerësuar duke analizuar dimensionin e mjaftueshmërisë së mandatit, lidhur me të drejtën për të audituar dhe kufizimet mbi këtë të drejtë. Vlerësimi tregoi se KLSH ka një mandat të mjaftueshëm për të përmbushur misionin e saj, mandat që në tërësi nuk ka kufizime që cënojnë punën tonë. Ky dimension është vlerësuar maksimalisht. Nisur nga aspekti i të drejtës, dimensionet që përcaktojnë mandatin e KLSH vlerësohen me 4 pikë. Gjykata Austriake e Auditimit konkludoi se aktiviteti i KLSH-së është në përputhje me: Deklaratën e Limës (ISSAI 1), Deklaratën e Meksikës (ISSAI 10), si dhe ISSAI-n 11. Ky vlerësim për Pavarësinë dhe Kornizën Ligjore të KLSH u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, në Konferencën e organizuar me rastin e 40-vjetorit të Deklaratës së Limës mbi Pavarësinë e SAI-ve, në Lima, Peru më 5 Dhjetor 2017, duke konfirmuar se “…. pavarësia, mandati dhe organizimi i KLSH janë ligjërisht de facto të vendosura dhe të mbrojtura nga Kushtetuta dhe nga Ligji i KLSH-së. Me hyrjen në fuqi të Ligjit në vitin 2015, KLSH pati përmirësime të rëndësishme në pavarësinë e tij, krahasuar me dispozitat e ligjit të mëparshëm. …. korniza ligjore e vendosur është e përshtatshme dhe efektive dhe qëndron në pajtueshmëri me Deklaratën e Meksikos”. Përveç vlerësimit pozitiv, kolegët e Gjykatës Austriake të Auditimit cilësuan si aspekt për përmirësim që ndikon në forcimin e pavarësisë reale, pavarësinë financiare. Pavarësisht faktit që buxheti i KLSH-së dhe numri maksimal i punonjësve janë pjesë e Buxhetit të Shtetit të miratuar nga Kuvendi, fakti që Kryetari nuk ka akses të drejtpërdrejtë në Kuvend, apo në Komisionet Parlamentare për çështje që lidhen me buxhetin e KLSH-së, është aspekt që cënon pavarësinë reale financiare të KLSH. Liria e plotë në shpërndarjen e buxhetit, si për shembull dhënia e buxhetit si shumë totale dhe dhënia e të drejtës KLSH-së për akordimin e saj në mënyrë autonome, do të nënkuptonte përmbushjen e Deklaratës së Meksikës në një shkallë më të lartë. Sipas kornizës ligjore, KLSH ka mandat të mjaftueshëm dhe akses të plotë në informacion, pasi korniza ligjore është plotësuar sipas standardeve ndërkombëtare të lidhura me të drejtën dhe mandatin për të audituar. Megjithatë gjatë vitit 2017, përsëri kemi ndeshur raste që aktiviteti auditues është penguar dhe refuzuar (respektivisht rasti “Albpetrol” SHA, i cili u zgjidh me kontributin e Ministrit te Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ai i Entit Rregullator të Energjisë, rast ende i pazgjidhur). Ky fakt tregon se mandati de jure i sanksionuar në ligj nuk është arritur plotësisht në praktikë.
“Qeverisja e brendshme dhe etika”.
Qeverisja e brendshme, si fushë e rëndësishme që ndikon në performancën institucionale të çdo Institucioni Suprem Auditimi, është vlerësuar në përputhje me kërkesat e ISSAI-ve 10, 12, 20, 30 dhe 100. Sistemi i vetëvlerësimit konkludon se KLSH është drejtuar duke dhënë shembullin e mirë, duke synuar të jetë organizatë model, si dhe ka promovuar transparencën dhe llogaridhënien përmes mirëqeverisjes dhe sjelljes etike. Në aspektin e Qeverisjes së Brendshme dhe Etikës, vlerësimi bazohet në matjen e Ciklit të Planifikimit Strategjik, ku përfshihen Plani Strategjik, Plani Vjetor, Planifikimi Organizativ dhe Monitorimi, si dhe Raportimi i Performancës Institucionale. Mjedisi i Kontrollit Organizativ është vlerësuar përmes dimensioneve të lidhura me Mjedisin e Kontrollit të Brendshëm, Etika dhe Integriteti, Sistemit të Kontrollit të Brendshëm, Sistemi i Kontrollit të Cilësisë dhe Sistemi i Sigurimit të Cilësisë. Të gjitha këto dimensione vlerësohen në përputhje me kërkesat e udhërrëfyesve metodologjikë, modelit COSO, Modelit INTOSAINT, etj.
Mjedisi i Kontrollit të Brendshëm, Etikës dhe Integritetit
Duhet të theksojmë se veprimtaria menaxheriale institucionale këto gjashtë vitet e fundit është fokusuar në sigurimin e sistemit të etikës dhe integritetit institucional, nëpërmjet zbatimit të kornizës rregullative të KLSH-së dhe praktikave më të mira të komunitetit të INTOSAI-t, specifikisht të INTOSAINT (instrumenti i vetëvlerësimit të integritetit). Strategjia për implementimin e një sistemi efektiv te etikës dhe integritetit është fokusuar në tre shtylla kryesore,
Hartimi dhe konsolidimi i kuadrit rregullator mbi etikën dhe integritetin ku KLSH është radhitur ndër të parat Institucione Supreme të Auditimit, që në mënyrë vullnetare, që prej vitit 2014, ka adoptuar metodologjinë e vetëvlerësimit të integritetit (INTOSAINT), konsideruar si një nga metodat inovative dhe të efektshme, me impakt në zhvillimin e politikave të integritetit. KLSH ishte një ndër kontribuesit e hartimit te draftin të ri të ISSAI 30 “Kodi i Etikës”, i cili u miratua në Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t, në Dhjetor 2016. Në Korrik të vitit 2017, KLSH u bë anëtare e Grupit të Projektit të EUROSAI-t “Mbi rolin e Institucioneve Supreme te Auditimit ne përhapjen e kulturës etike ne sektorin publik”, i cili udhëhiqet nga SAI i Hungarisë. KLSH, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këtë Grup Pune, synon ushtrimin e auditimit të etikes dhe integritetit ne subjektet e auditimit te sektorit publik.
Menaxhimi i etikes dhe integritetit, duke vijuar me imponimin dhe implementimin e rregullave, procedurave dhe udhëzimeve. Në këtë aspekt janë kryer trajnime intensive që kanë synuar edukimin e punonjësve me frymën e standardeve etike dhe vlerave morale.
Ushtrimi i funksioneve mbikëqyrëse dhe kontrolluese, investiguese dhe ndëshkuese ndaj sjelljeve dhe shkeljeve të etikës dhe integritetit. KLSH, si rezultat i aplikimit të këtij instrumenti, ka marrë masa ndaj punonjësve të tij, të cilët kanë rezultuar me shkelje të rregullave të etikës dhe integritetit. Për periudhën 2012-2017, Komisioni i Etikës i institucionit ka vendosur për 10 largime nga detyra për shkelje të etikës dhe integritetit.
Me shkresën nr. 1182 datë 18.11.2016 te Kryetarit të KLSH-së, i kemi kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), kryerjen e verifikimit të plotë dhe të thelluar mbi deklarimet e të gjithë punonjësve/drejtuesve të KLSH-së, që mbartin detyrimin ligjor për deklarim të interesave private (niveli Drejtor dhe Kryeauditues). Nga ILDKPKI u kryen verifikimet bazuar në kërkesat e ligjit përkatës për 28 punonjës dhe në përfundim të këtij procesi nuk rezultuan shkelje të kuadrit rregullator.
Sistemi i Kontrollit të Brendshëm të KLSH-së
Sistemi i Kontrollit të Brendshëm, është vlerësuar mbi bazë të modelit COSO. KLSH përgjatë vitit 2017 ka vijuar me veprimtarinë menaxheriale institucionale suportuar nga një qeverisje e brendshme efektive dhe mirëfunksionimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm . Në zbatim të ISSAI-t 20, KLSH vepron mbi themelet e transparencës dhe llogaridhënies. Gjithashtu, në zbatim të ISSAI 12 që thekson parimin e udhëheqjes nëpërmjet shembullit, Kryetari dhe menaxhimi i lartë janë përgjegjës për dhënien e shembullit të mirë, për të promovuar integritetin, por gjithashtu për të mundësuar përmbushjen efektive të mandatit të organizatës duke zhvilluar një kulturë organizative e cila promovon efiçiencë, transparencë dhe përgjegjshmëri. Në këtë kontekst, në vitin 2018 u rishikua Kodi i Etikës, duke cilësuar se Kryetari pranon pa asnjë kushtëzim Kodin e Etikës së Deputetit të Kuvendit. KLSH ka ndërtuar sistemin për të përcaktuar përparësitë e punës në ruajtjen e cilësisë, duke zbatuar metodologjinë bazuar në risk për përcaktimin e auditimeve që do të kryejë. Megjithatë, kriteri i vlerësimit sistematik të riskut përgjatë gjithë fazave të planifikimit, është aspekti që duhet përmirësuar më tej. Për këtë arsye ky dimension është vlerësuar me 3, kundrejt 4 pikëve. Në lidhje me përmbushjen e kritereve të vlerësimit të dimensionit “Përmbajtja e Planifikimit të Përgjithshëm të Auditimit”, u konstatua se KLSH duhet të përmirësojë sistemin e vlerësimit të pengesave dhe të riskut për përcaktimin e prioriteteve të auditimeve, buxhetin dhe burimet njerëzore në dispozicion.
“Cilësia e auditimit dhe raportimi”
Përmes këtij dimensioni synohet vlerësimi i cilësisë së punës audituese, si dhe rezultatet e auditimit, aspekt që përbën aktivitetin kryesor të KLSH-së për të tre llojet e auditimit, përkatësisht: auditimet financiare, të performancës dhe të përputhshmërisë (duke qënë një periudhë tranzitore aktiviteti auditues përfshin edhe auditimet e rregullshmërisë sipas modelit të vjetër të auditimit).
Kontrolli i Lartë i Shtetit, për periudhën Janar – Dhjetor 2017, ka kryer 156 auditime nga 154 auditime të planifikuara, nga të cilat:
– 92 auditime rregullshmërie;
– 25 auditime përputhshmërie;
– 14 auditime financiare;
– 15 auditime performance;
– 5 auditime tematike;
– 5 auditime të T.I.
Institucioni ka arritur të konsolidojë një nivel “dysheme” auditimesh, për të siguruar mbulueshmërinë e duhur me auditim në fushat kryesore të shpenzimeve publike dhe të gjenerimit të të ardhurave, prag nën të cilin nuk ka rënë asnjëherë në këto 6 vitet e fundit.
Vijojnë praktikat dhe vendim-marrjet institucionale me efekte negative në fondet publike, ku niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive të konstatuara është:
– Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
– Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet e audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë ose afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro. Dëmi i konstatuar është në një trend rritës në vitet e fundit.