PËR PËRJASHTIMIN NGA TENDERIMI PUBLIK I KOMPANIVE NGA PARAJSAT FISKALE

Botuar në gazetën “Panorama”, më 08 janar 2019.
Vendi ynë ka një listë kompanish të rregjistruara në parajsat fiskale off-shore, të cilat kanë kontrata të rëndësishme me Shtetin shqiptar, kryesisht të natyrës koncesionare dhe PPP. Në botë, sot, janë rreth 80 streha(parajsa) fiskale—kryesisht vende me popullsi të vogël dhe ekonomi të papërfillshme, një pjesë vende të vogla ishullore. Belizeja, Panamaja, Ishujt Virgjin Britanikë, Ishujt Cayman, Seyschelles, Bermuda, Barbados, Anguilla, Ishulli i Manit, Jersey, Gjibraltari janë disa nga vendet më të preferuara.
Parajsat fiskale ofrojnë disa apo të gjitha lehtësitë e mëposhtme:
• Lejojnë regjistrimin e kompanive nga jo rezidentë—kompani “offshore”;
• Kanë nivel shumë të ulët taksash, shpesh taksim zero;
• Kanë sistem bankar shumë pak të rregulluar;
• Ofrojnë sekret bankar, duke mos kërkuar raportim të transaksioneve financiare që bëhen nga territori i tyre;
• Nuk japin apo shkëmbejnë informacione financiare me vende të tjera;
• Lejojnë kompanitë të zhvillojnë gjithë aktivitetin e tyre me kompani apo persona jo rezidentë, pra, bizneset ku të gjitha palët në transaksione janë jo rezidentë të vendit;
• Lejojnë kompani guackë (“shell”), kompani që nuk zhvillojnë aktivitet në vend por vetëm regjistrojnë transaksione në letër;
• Lejojnë mbajtjen sekret të strukturës organizative të enteve ligjore: shoqërive tregtare, fondeve, fondacioneve, etj., si dhe anonimatin e pronësisë dhe të drejtave në këto ente.
Natyrisht, këto lehtësira kanë mundësuar jo vetëm veprime legjitime për zvogëlimin apo minimizimin e taksave nga koorporata, por edhe mbështetjen e aktiviteteve kriminale, si pastrimin e parave apo fshehjen e pasurive të vënë me korrupsion.
45 përqind e kompanive që kanë marrë koncesione nafte në Shqipëri janë me origjinë nga parajsat fiskale. Prania në vendin tonë e kompanive me vend të regjistrimit parajsat fiskale, transferimi i aksioneve nga njëra kompani në tjetrën, me profil jo transparent, gati të dyshimtë, ka qenë një dukuri e shpeshtë me përmasa të mëdha. Të qenit të regjistruar në zona me taksa zero ose minimale për zhvillimin e aktivitetit të biznesit si parajsat fiskale, e bën të vështirë njohjen e pronarëve të vërtetë të kompanisë.
Për rrjedhojë, risku është i lartë që, ose, sikurse e përmend raporti i fundit i strukturës monitoruese “Moneyval” të Këshillit të Evropës të dhjetorit 2018 , të pastrohen para me origjinë të dyshimtë, ose të fshihen pronarët e vërtetë të kompanive, disa prej të cilëve mund të jenë edhe ish-zyrtarë apo zyrtarë abuzues të Shtetit tonë.
KLSH, në raportin për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016, gjatë auditimit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ka konstatuar “nevojën për përmirësime të kuadrit ligjor dhe rregullator, me qëllim jo vetëm përdorimin efektiv, efiçient dhe ekonomik të pasurisë shtetërore, por edhe ngritjen dhe implementimin e kontrolleve të brendshme, të nevojshme për mbrojtjen e saj ”
Institucioni i auditimit të jashtëm publik ka evidentuar se për të siguruar mallrat/shërbimet e lidhura me proceset teknologjike, kompanitë koncesionare kanë lidhur kontrata kryesisht me kompanitë e huaja të rregjistruara jashtë vendit me statusin e kompanive off-shore. Rregjistrimi i këtyre kompanive në këtë status, e bën të pamundur identifikimin e pronarëve(aksionerëve) dhe, për pasojë e bën të pamundur identifikimin e transaksioneve midis palëve të lidhura, ndërmjet koncesionarit dhe nënkontraktorëve të tij. Në bazë të kontratave-liçenca koncesionare, lejohet mbajtja e llogarive nga kompanitë koncesionare dhe nënkontraktorë të tyre jashtë territorit të Shqipërisë dhe realizimi i transaksioneve financiare përmes këtyre llogarive. Për rrjedhojë, auditimi nga ana e strukturave shtetërore(si nga AKBN dhe nga KLSH) është i pamundur. Për më tepër, ne si KLSH nuk mund të auditojmë kompanitë private, apo ato ku Shteti zotëron më pak se gjysmën e aksioneve.
KLSH po ashtu ka konstatuar raste të sigurimit të shërbimeve dhe mallrave nga persona fizikë dhe juridikë(kompani) vendas me të njëjtin aksioner(sipas të dhënave të QKR), duke hapur 3-4 kompani me emra tregtarë të ndryshëm. Kjo u ka mundësuar kompanive kontraktuese off-shore të rrisin artificialisht kostot e produkteve ose shërbimeve të nënkontraktuara, duke bërë, për shembull që koefiçienti i famshëm R në sektorin e naftës (raporti i shpenzimeve prodhuese me të ardhurat nga shitja e naftës) të jetë gjithnjë më i madh se 1, duke shkaktuar një evazion të jashtëzakonshëm fiskal dhe humbje të rëndë për Buxhetin e Shtetit.
Me skandalin e kompanisë off-shore DH Albania, e cila falsifikoi dokumentet për përkatësinë e saj nga një kompani amerikane e njohur për veprimtarinë në ndërtim, besimi i publikut dhe qytetarit shqiptar në integritetin e procesit të tenderimit publik ka marrë një goditje të rëndë. Përjashtimi nga tenderimi publik i kompanive nga parajsat fiskale do të forconte besimin e qytetarit në veprimtarinë shtetërore.
Lind pyetja: çfarë duhet bërë që pasojat negative që vijnë nga prania e kompanive off-shore të minimizohen? Më e mira do të ishte që ato të ndalohen të marrin pjesë në tenderat publikë, sikurse kanë vepruar disa vende anëtare të BE-së. Sigurisht që qeveria jonë nuk mund të pengojë dhe as të krijojë barriera në lëvizjen e lirë të kapitalit, por në ushtrimin e të drejtës së ligjshme për transparencë në pjesëmarrjen në tenderimin publik, duke forcuar kriteret e pranimit të kompanive garuese, qeveria në këtë mënyrë do të garantojë pjesëmarrjen në tenderat e Buxhetit të Shtetit të kompanive me profil të lartë, mundësisht të investuesve nga vende aleate strategjike të Shqipërisë, si Gjermania, SHBA, etj.
Ne i kemi të gjitha mundësitë, duke përparësuar praktikat, rregullat dhe direktivat e reja të Komisionit Evropian që synojnë eliminimin e shmangjes së taksave nga kompanitë off-shore pjesëmarrëse në tenderat e BE-së, që të mënjanojmë dhe të imunizojmë Buxhetin tonë të Shtetit dhe kontratat e ardhshme koncesionare apo PPP, nga pjesëmarrja e këtyre kompanive në tenderat tanë publikë.
KLSH ka kërkuar që miratimi i kontratave koncesionare dhe PPP-ve, në rastet kur detyrimet buxhetore kapin një periudhë më të madhe se sa katër vjet, duhet të vijë jo me vendim qeverie (VKM), por me ligj nga Parlamenti.
Po ashtu, gjykoj se duhet krijuar mekanizmi i ndërhyrjes shtetërore, kur transaksionet e kapitalit në koncesionet apo PPP-të e dhëna janë të dyshimta. Ky mekanizëm mund të krijohet edhe me VKM dhe të parashikojë sanksione të rënda, deri në heqjen e lejes koncesionare, për rastet e verifikuara të evazionit fiskal nëpërmjet transferimit të kapitalit. Kështu mbrojmë Buxhetin e Shtetit nga shmangja e taksave prej aktivitetit të kompanive off-shore tashmë të pranishme në investimet dhe ekonominë tonë. Kjo shmangje deri tani ka qenë e nivele tejet të larta, duke rezultuar në humbje me dhjetëra miliona euro për Buxhetin e Shtetit.
Po ashtu, duhen gjetur mënyrat për të kufizuar daljen nga vendi të parave të destinuara për parajsat fiskale. Një mënyrë mund të jetë lehtësimi fiskal(për shembull përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për pesë vitet e para), në rast ri-investimi të tyre në Shqipëri.
Në vijim të shkresës se KLSH me Nr. 505 të prot. dt. 24 prill 2018 për problematikën e partneriteteve publik-privat (PPP) tek ne, problematikë e theksuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, si dhe të faktit shqetësues të pranisë në disa koncesione të rëndësishme të Shtetit tonë të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (off-shore), me të dhëna të paqarta për pronësinë e tyre, të permendur nga Raporti i fundit i strukturës “Moneyval” të Komisionit Evropian të dhjetorit 2018, përforcuar nga skandali me falsifikimin e të dhënave nga kompania off-shore DH Albania, pjesëmarrëse dhe fituese në dy tendera publikë tek ne, institucioni i auditimit të jashtëm publik ka kërkuar ndërgjegjësimin dhe ndihmesën e Kryeministrit dhe të Kuvendit për një nismë ligjore për amendimin e Ligjit Nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”.
Gjykoj se ky amendim duhet të synojë ndërhyrjet e mëposhtme:
1.Ndalimin e pjesëmarrjes në tenderimet publike të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale off-shore, si dhe në çdo liçencë që jepet për shfrytëzimin e pasurive kombëtare, si nafta, kromi, bakri, etj.
2.Forcimin e rolit të Avokatit të Shtetit, të mandatuar me ligj për të analizuar raportet mes kompanive koncesionare dhe kompanive nënkontraktore të tyre, për të parandaluar rritjen artificiale të kostove të investimit në dëm të Buxhetit të Shtetit.
3.Kërkesën për investigim të plotë të strukturave tona fiskale ndaj të gjitha koncesioneve të dhëna në vend, sidomos atyre me pronarë kompani të regjistruara në parajsat fiskale, të cilat rezultojnë me shpenzime prodhuese të fryra artificialisht, trukim të bilanceve dhe mospagim të detyrimeve ndaj Buxhetit të Shtetit, pasi Ne si KLSH nuk kemi tagrin ligjor për të audituar kompani private, por vetëm ndërmarrje me kapital të përbashkët ku Shteti zotëron më shumë se 50% të kapitalit.
Në kushtet kur programi afatmesëm qeveritar parashikon rritjen e peshës së koncesioneve dhe kontratave PPP në investimet tona publike dhe realisht kontratat e lidhura gjate vitit 2018 jane ne nivele disa miliarde euro, amendimi i ligjit të sipërcituar do të sillte jo vetëm një transparencë të shtuar të koncesioneve dhe PPP-ve të dhëna deri tani, por do të rriste besimin e publikut në vendim-marrjen shtetërore për koncesionet dhe PPP-të e ardhshme.
Në mbyllje të këtij shkrimi, duhet të theksoj faktin që, për fat të mirë nga ekspertët e njohur të ekonomisë sonë janë evidentuar risqet dhe problematikat e qarta të implikimit të kompanive off-shore në ekonominë tonë kombëtare dhe nuk ka përse qeveria të hezitojë, të mos veprojë për sa më sipër. Avokatë në mbrojtje të të drejtave të Shtetit shqiptar dhe Buxhetit të tij ka shumë, duke përfshire edhe shoqërine civile dhe emisione të shumtë në mediat tona, ndërsa në mbrojtje të interesave të kompanive off-shore nuk ka asnjë të dukshëm, por vetëm të padukshëm dhe të gjithë këta, në dëm të interesave të qytetarit dhe ekonomisë.