QËNDRUESHMËRIA NË 40 VITE E DEKLARATËS SË LIMËS

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 15 dhjetor 2017
Deklarata e Limës konsiderohet nga të gjithë si Akti që ndryshoi botën e auditimit më të lartë shtetëror. Ajo është quajtur me të drejtë edhe si Magna Carta, Kushtetuta e institucioneve të auditimit publik. Konsiderohet po ashtu si ISSAI 1, standardi i parë dhe themelor i profesionit të audituesit të jashtëm.
Që nga koha kur u miratua në Kongresin INCOSAI i IX-të në tetor 1977 në Lima, Peru, Deklarata u konceptua mbi bazën e një bashkëpunimi ndërkombëtar real mes institucioneve supreme të auditimit publik (SAI-ve), që në atë kohë ishte zgjeruar ndjeshëm. Organizata ndërkombëtare e SAI-ve, INTOSAI kishte 24 vite që funksiononte dhe anëtarësimi në të i tejkalonte 100 SAI-t anëtare.
Parimet e Deklaratës së Limës mbi funksionimin e auditimit më të lartë publik dëshmuan përvojën e fituar nga SAI-t në këtë proces. Nga ana tjetër, ato ofruan mundësinë që kjo përvojë të bëhej pronë e të gjitha SAI-ve. Deklarata i inkurajoi të gjitha SAI-t për të zhvilluar auditimet e tyre, duke përdorur parime uniforme bazuar në eksperiencën e përbashkët, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.
Ideja e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar mes SAI-ve ishte e rrënjosur në mendjet e autorëve të Deklaratës 40 vite më parë. Me një nga etërit e Deklaratës, firmosës dhe hartues kryesor i saj, Dr. Hubert Weber, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI-t pranë Gjykatës Austriake të Auditimit dhe ish-President i Gjykatës Europiane të Audituesve, pata fatin të zhvilloj një bisedë pak ditë më parë në Takimin Jubilar të mbajtur në Lima, Peru me rastin e 40 Vjetorit të Deklaratës. Dr. Weber ngre pyetjen: ”Sa herë që paraqitet një reformë e auditimit qeveritar, e cila e meriton këtë përcaktim, sa herë që adresohen problemet kryesore të auditimit të qeverisë, referenca bëhet zakonisht në Deklaratën Limës “Udhëzimet mbi Parimet e Auditimit”. Po pse Deklarata e Limës, një arritje e Kongresit INCOSAI i IX-të të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit -INTOSAI në vitin 1977, ka dhënë orientim lidhur me çështjet themelore të auditimit publik për katër dekada rresht dhe, me të gjitha gjasat do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen? ”. Dhe po vetë përgjigjet: ”Synimi i deklaruar i shumicës dërrmuese të SAI-ve ishte të jepnin një kontribut për të trajtuar zhvillimet kritike me përpjekje të zgjeruara që synonin drejt efiçiencës së auditimit. SAI-t, të cilat kishin në përgjithësi pak burime në dorë, u përqendruan në këtë qëllim, megjithëse ballafaqoheshin me kufizime të konsiderueshme në lidhje me burimet financiare dhe njerëzore. Në Kongresin e IX-të në Peru, SAI-t arritën që të zhvendosnin fokusin nga kryesisht identifikimi i mangësive, duke siguruar në mënyrë konstruktive shtysën drejt një administrimi dhe menaxhimi me ekonomicitet dhe të përmirësuar të burimeve të tyre, duke u mbështetur më tej nga një theksim gradualisht përherë e më i fortë i auditimeve të performancës ”. Dr. Weber pranoi me kënaqësi të vizitojë KLSH-në gjatë viti të ardhshëm dhe t’u drejtohet audituesve shqiptarë.
Në përshëndetjen e tij, Kontrollori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro, cilësoi se “Deklarata e Limës “Udhëzime mbi Parimet e Auditimit” bën thirrje për auditim të pavarur të qeverisë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse parashtron rëndësinë e pavarësisë së SAI-t. Ajo thekson se institucionet e larta të auditimit mund t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë objektive dhe efektive vetëm nëse ato janë të pavarur nga subjekti i audituar dhe mbrohen nga influenca e jashtme. Pavarësia mbështet punën që bëjmë si auditues të qeverisë, duke na lejuar t’i ndihmojmë qeveritë tona për të siguruar integritetin dhe llogaridhënien e burimeve dhe programeve publike ”.
Deklarata e Limës i rezistoi testit të kohës. Kjo ndodhi për shkak se udhëzimet e saj përqendrohen në sigurimin e pavarësisë së institucionit suprem të auditimit shtetëror, SAI-t. Vlerat e parimeve të saj u projektuan në sfond të betejave të shumta të dhjetëra SAI-ve kudo në botë për të fituar apo ruajtur pavarësinë e tyre funksionale dhe financiare, duke iu qëndruar rrebesheve të joshjeve apo presioneve nga qeveri ose segmente të caktuara qeveritare, për të ndikuar apo edhe manipuluar SAI-n. Deklarata përkufizoi përmbajtjen e pavarësisë, duke përcaktuar marrëdhëniet e SAI-ve me institucionet e tjera shtetërore, duke mos lënë asnjë shteg për influenca të papërshtatshme qeveritare. Kaq e qartë dhe pa ekuivoke është përmbajtja e Deklaratës, sa në këto katër dekada, vetëm përmendja e emrit të saj nervozonte jo pak drejtues apo përfaqësues qeverish me synime të spikatura akaparimi pushtetesh. Kur tre vjet më parë debatonim si KLSH në Komisionet e Kuvendit përmbajtjen e ligjit të ri integral për institucionin tonë, të miratuar në nëntor 2014, ajo që na vinte në ndihmë, na jepte kurajo dhe qartësi në rrugën tonë për të siguruar një pavarësi të plotë funksionale dhe financiare të institucionit, ishte pikërisht Deklarata e Limës. Ajo vendosi kufijtë mbi aktivitetet e institucionit suprem të auditimit dhe përcaktoi fuqinë e vendimeve të tij, duke ofruar udhëzime të detajuara metodologjike për përmbajtjen dhe fushat e veprimtarisë së SAI-t, si dhe duke dhënë parimet e sigurimit të cilësisë në auditim, një koncept që në vitin 1977 ishte mjaft përpara kohës së tij. Deklarata e Limës i qëndroi kohës, edhe për faktin se ajo paratha rritjen e rolit, përgjegjësisë dhe ndërveprimit të SAI-ve dhe Organizatës së tyre INTOSAI në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo i pozicionoi saktë aktivitetet e SAI-t në nivel ndërkombëtar, në lidhje me shkëmbimin e përvojës audituese dhe në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare. Ky pozicionim është sot edhe më i dukshëm, nëpërmjet dy Rezolutave të njëpasnjëshme të OKB-së më 22 dhjetor 2011, Rezoluta A/66/209 “Nxitja e efiçiences, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit” dhe më 19 dhjetor 2014, Rezoluta A/69/228: “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiences, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të institucioneve të larta të auditimit”. OKB ka zgjedhur SAI-t dhe INTOSAI-n partnerë në punën për zbatimin e objektivave të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara. SAI-t dhe INTOSAI në Kongresin e tyre të fundit INCOSAI i XXII-ë në Abu D’Habi të Emirateve të Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, u bashkuan në ambicie dhe vendosmëri për të qenë sa më profesionalë në vlerën e shtuar të shërbimit ndaj qytetarit.
Deklarata e Limës 40 vjet më parë u nënshkrua nga 80 SAI pjesëmarrëse në Kongresin INCOSAI i IX-të. Sot janë 194 SAI nga po kaq vende të botes, të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri, që potencojnë zbatimin e Deklaratës, të ndërgjegjësuar më shumë se kurrë për vlerat e udhëzimeve dhe parimeve të saj. INTOSAI, organizata e SAI-ve, është një njësi e veçantë në qeverisjen botërore. Duke mos qenë strukturë qeveritare e shteteve kombëtare, por një organizatë e pavarur me përfshirje të veçantë në strukturën e autoritetit shtetëror, INTOSAI ka një mision të qartë për të kryer. Kjo organizatë ushtron një ndikim të dukshëm tek organizatat e specializuara të Kombeve të Bashkuara, të cilat përpunojnë rregulla dhe rekomandime për shtetet kombëtare. Ja përse OKB kërkon sot nga INTOSAI dhe SAI-t e saj anëtarë partneritet dhe mbikëqyrje në zbatimin me efektivitet të objektivave të Axhendës 2030. Për shkak të rolit që luan nëpërmjet SAI-ve kombëtare, INTOSAI qëndron larg burokracisë së globalizimit dhe mund të ndikojë dukshëm në mirëfunksionimin e organizatave të tjera ndërkombëtare.
Ky rol fuqizohet akoma dhe më tepër sot, kur tendencat anti-globaliste janë në një spirale rritëse dhe risqet për dobësimin deri madje edhe shpërbërjen e bashkimeve politike dhe federatave, apo institucioneve ndërkombëtare janë reale dhe të forcuara. Në këtë aspekt, rëndësia e Deklaratës së Limës reflektohet edhe nëpërmjet kontributit të INTOSAI-t në mirëfunksionimin e sistemit të organizatave ndërkombëtare. Bashkëpunimi mes OKB-së dhe INTOSAI-t për performancën e objektivave të Axhendës 2030 jep garanci për ta parë të ardhmen e një bote më mirë të integruar, ku parimet e mirëqeverisjes globale dhe e sistemeve financiare kombëtare transparente e të përgjegjshme, janë mbizotëruese.
Ja përse edhe me 40 vite mbi supe, Deklarata e Limës është sot po aq e kohës sa kur dhe u krijua, në mos më tepër. Betejat për shëndoshjen e financave publike dhe menaxhimin e duhur të borxheve publike të stërmëdha, i ftojnë si INTOSAI-n dhe ne SAI-t anëtare në një kontribut dhe rol të pamenduar më parë, por të cilin Deklarata me parimet e saj e ka parathënë 4 dekada të kaluara. Dhe saktësisht faktin që Institucionet Supreme të Auditimit janë të kualifikuara për të nxitur sigurinë e mirëfunksionimit të financave shtetërore. Ato janë dhënëset e sigurisë, certifikueset e shëndetit të këtyre financave me rëndësi jetike për shërbimet ndaj qytetarit. Duke kontribuar në këtë siguri, ne si SAI mundemi sot të bëjmë ndryshimin e pritur në jetën e qytetarëve të vendeve tona.