SAI-t SI “WATCHDOG” I QYTETARËVE DHE PARLAMENTIT

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 25 janar 2017.
Sot, institucionet supreme të auditimit luajnë një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në administrimin e aseteve dhe fondeve shtetërore, por edhe në të gjithë jetën publike. Ato janë “watchdog” të qytetarëve dhe Parlamentit në auditimin e shpenzimeve publike dhe ekzaminimin e eficiencës së politikave. Ndikimi i tyre është thelbësor në mbajtjen e qeverisë të përgjegjshme dhe në transparencën e financave publike. Ato janë në ballë të përpjekjeve për të fuqizuar mirëqeverisjen dhe për të fituar besimin publik në institucionet qeveritare, duke luajtur një rol kryesor në zbulimin e rasteve të korrupsionit.
Ndërkohë, pozicionimi i SAI-ve është në zhvillim e sipër. Në shumë vende ato janë “watchdog”-et publike që përqendrohen në luftën kundër korrupsionit, për llogari të qytetarëve dhe insistojnë në vendosjen e mirëqeverisjes. Ndërkaq, një numër në rritje i SAI-ve, nëpërmjet auditimeve të performancës, janë të përfshira në një proces të quajtur “mësimi organizativ” brenda qeverisë. Ato i inkurajojnë institucionet qeveritare të mësojnë nga gabimet e së kaluarës, nga eksperiencat dhe praktikat më të mira dhe i përqendrojnë auditimet e tyre në përmirësimin e kapacitetit të të nxënit në administratën publike.
Duke filluar nga tetori 2012, ne si KLSH jemi përpjekur që këtë përmasë të re të rritjes së vrullshme të SAI-ve, ta implementojmë në praktikën tonë të punës. Deri tani, departamenti i auditimit të performancës ka kryer disa auditime cilësore duke dhënë mesazhe të rëndësishme. Mirëpo duhet zgjedhur me kujdes koha e dhënies së mesazhit, si dhe gjerësia dhe plotësia e komunikimit të tij. Të marrim një shembull kuptimplotë, auditimin e performancës për ndarjen e re territoriale dhe reformën administrative. Në mesazhin tonë e kishim shumë të rëndësishëm dhe të thellë, por nuk mundem ta bënim publik ashtu si duhej. Në komunikimin e gjerë dhe të plotë në publik të mesazhit të auditimit të performancës ne ende jemi deficitarë.
Sikurse e thekson një nga personalitetet më të mëdha të auditimit të jashtëm publik, Dr. Josef Moser, ish President i Gjykatës Austriake të Auditimit dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t, në librin “Arti i Auditimit”, “Është detyrë parësore e institucioneve supreme të auditimit të kontrollojnë dhe të komunikojnë se çfarë ndodh me paranë publike. Prandaj dhe një institucioni auditimi efektiv i duhet të ndajë aktivitetet e tij me qytetarët, median dhe të gjithë veprimtarët. Atij i duhet të jetë transparent. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë tërësisht të pavarur”.
Kriza bankare dhe fiskale e viteve 2008-2012 e rriti rolin e institucioneve të auditimit. Ky ndikim i ri sot përqendrohet në fuqinë parandaluese të krizave, nëpërmjet auditimit të instrumenteve të rinj të përballimit të krizave financiare. Dr. Moser këmbëngul në domosdoshmërinë që “institucionet supreme të auditimit duhet të japin deklarime të forta në raportet e tyre, në lidhje me paqëndrueshmërinë e deficiteve qeveritare dhe nevojën për reforma strukturore, sepse ato janë “watchdog”-et e shpenzimeve të qeverisë. SAI-t duhet t’i informojnë qytetarët në lidhje me situata buxhetore në vendet e tyre. Për ta bërë këtë, sistemet e llogarive publike duhet të japin një pamje të vërtetë dhe të qartë të financave publike”.
Sfidat e sotme të përmirësimit të qeverisjes publike financiare, zbatimi i Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020 kërkojnë njohjen e plotë të hartës së risqeve fiskale me të cilat përballet ekonomia jonë dhe plane të detajuara të zbutjes së këtyre risqeve, të paktën atyre me madhore. Auditimet e performancës në këtë fushë, sidomos në atë të partneriteteve publik-privat, në qendër të vëmendjes dhe shqetësimit të medias dhe qytetareve, janë më shumë se të mirëpritura, si nisma të departamentit të performancës për këtë vit dhe vitet në vijim.
Sipas Dr.Moser, fuqia parashikuese e SAI-ve është kontributi dhe vlera e shtuar kryesore në ditët e sotme, pasi “…me auditimet e performancës, ne si SAI këshillojmë zgjidhjet e së ardhmes. Në të kaluarën, ne bënim auditime të rregullshmërisë “ex-post”, pra pasi veprimtaria qeveritare ishte kryer, lidhur me çfarë shkoi gabim dhe çfarë duhej rregulluar. Ne u komunikonim institucioneve të audituara: ju nuk e keni shpenzuar paranë publike në një mënyrë eficiente. Tani, ne i pyesim ato: cili është përfitimi i parasë së shpenzuar? Përse diçka shkoi jo mirë dhe cilat janë zgjidhjet që ti si institucion ke, për të parandaluar që ky gabim të ndodhë në të ardhmen? Sigurisht, ne serish shikojmë prapa me auditimet tona të rregullshmërisë, por me auditimet tona të performancës ne përpiqemi që të këshillojmë zgjidhje të ardhshme, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten”.
Ndaj bindjen se auditimet tona të performancës duhet të orientohen drejt dy temave qendrore të Kongresit të XXII INCOSAI, të zhvilluar në datat 5-11 dhjetor 2016 në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe:
1.Si INTOSAI mund të kontribuojë në Axhendën 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qendrueshëm, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit;
2.Profesionalizmi: çfarë mund të nxisë besueshmërinë e INTOSAI-t për ta bërë një organizatë më të shquar ndërkombëtare.
Tema e parë trajtoi mënyrat se si INTOSAI dhe SAI-t anëtare mund të kontribuojnë në Axhendën 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit. Kongresi theksoi se miratimi i Axhendës së Zhvillimit 2030 nga ana e Kombeve të Bashkuara paraqet si mundësi ashtu edhe sfida për INTOSAI-n dhe SAI-t anëtare. Në të u profilizua qartë qasja gjithëpërfshirëse e INTOSAI-t drejt auditimeve të performancës dhe inkurajimi për auditime të përbashkëta dhe për një shkëmbim më intensiv të njohurive mes SAI-ve ndërkombëtare dhe profesionale që mbështesin auditimin më të lartë publik.
Gjatë diskutimeve për temën e parë, u nënvizua me forcë se sistemet e menaxhimit të financave publike që funksionojnë mirë janë thelbësore për suksesin e objektivave të Axhendës 2030 dhe të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të çdo vendi në veçanti. Kongresi cilësoi se SAI-t kanë nevojë të mbledhin rezultatet e auditimeve të performancës të kryera prej tyre, përmes Kornizës së Gjetjeve të Auditimit, duke e përdorur atë për të rritur ndërgjegjësimin për realizimin e Objektivave 2030, por edhe duke theksuar risqet e mundshme në zbatimin e politikave dhe programeve të qeverisë, risqe të cilat mund të minojnë një menaxhim të shëndetshëm të Financave Publike. Kongresi cilësoi planifikimin e auditimeve të reja të performancës si çelësin për të ndikuar në përmirësimin e rezultateve të objektivave të Axhendës 2030. Në këtë drejtim, INTOSAI do të shtojë nismat dhe do të forcojë strukturat rajonale që realizojnë bashkëpunimin e efektshëm mes SAI-ve, në mënyrë që ato të ndajnë njohuritë për objektivat e zhvillimit dhe të kryejnë auditime të përbashkëta performance. SAI-t duhet të realizojnë një kuptim të përbashkët të sistemeve të Menaxhimit Financiar, pikat e forta dhe dobësitë e tyre, si dhe faktorët kryesore të riskut. Puna e mëtejshme e SAI-ve dhe INTOSAI-t duhet të bazohet në rezultatet e deritanishme të arritura nga grupet e punës së INTOSAI-t, nga nismat dhe praktikat e SAI-ve më të zhvilluara, si dhe nga kontributi i veprimtarëve të jashtëm (FMN, institucionet donatore, etj.) në elementët themelorë të qeverisjes së mirë financiare, për të zhvilluar këtë kuptim të përbashkët. Ai do të ishte thelbësor për realizimin e auditimit të buxhetit të qeverisë në një mënyrë holistike (gjithëpërfshirëse), për identifikimin e shkaqeve të dështimeve në Buxhet, duke çuar në raporte më të mira auditimi dhe në rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të SAI-t dhe prej këtej, në shëndoshjen efektive të financave publike të një vendi.
Duke kapitalizuar eksperiencën e mire katërvjeçare të departamentit, gjykoj se ka ardhur koha që auditimet tona të performancës t’u përgjigjen plotësisht dy mesazheve qendrore të Kongresit të XXII INCOSAI: “Institucionet supreme të auditimit (SAI-t) në shërbim të qytetarëve” dhe “Të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri”.
Tema e dytë themelore e Kongresit ishte Profesionalizmi dhe çfarë mund të nxisë besueshmërinë për ta bërë INTOSAI-n një organizatë më të shquar ndërkombëtare. INTOSAI shprehu në Kongres ambicien e tij për të forcuar profesionalizmin dhe për t’u siguruar mbështetje SAI-ve anëtare në fushat e mëposhtme:
1.Zbatimi i kornizës së kompetencave për profesionistët e auditimit të sektorit publik në SAI-t, duke mbështetur audituesit tanë, të cilët janë fytyra publike e profesionit tonë;
2.Arritja e zbatimit të ISSAI (ose standardeve të tjera ekuivalente me ISSAI-t) nga çdo SAI si një shenjë e profesionalizmit të tij;
3.Përhapja dhe shkëmbimi i njohurive, qasjeve dhe praktikave të reja të auditimit në të gjitha rrjetet e komunitetit të INTOSAI-t;
4.Përdorimi i gjerë i të dhënave dhe rrjeteve dixhitale;
5.Zbatimi i regjimeve të cilësisë që mbrojnë pavarësinë dhe ndërtojnë kredibilitetin publik në punën tonë.
Si profesionistë, ne audituesit e sektorit publik kemi nevojë për kualifikimet, kompetencën, etikën dhe eksperiencën për ta kryer punën tonë në nivelin e standardeve më të larta. Rekrutimi, zhvillimi dhe mbajtja mjaftueshëm e audituesve të cilësisë së lartë të sektorit publik është një sfidë e përbashkët që ndajnë pjesa dërrmuese e SAI-ve sot në botë, përfshirë edhe KLSH-në.
Kongresi i inkurajoi SAI-t të përdorin kuadrin e kompetencave profesionale, për të formuar trupën e sotme dhe të ardhshme të audituesve më të lartë të sektorit publik. Në këtë drejtim, programet e mira të trajnimit për cilësinë dhe zhvillimin e auditimit në nivel të SAI-t dhe në nivele rajonale, me kontributin e respektuar të IDI-t, Institutit për Zhvillim të INTOSAI-t, janë me rëndësi të madhe. Ato, nëpërmjet mbështetjes rajonale dhe të IDI-t, do të mund të bëjnë që të gjenden zgjidhje efektive lokale, për të ofruar pastaj kornizën globale të kompetencës.
Kongresi sanksionoi drejtimin themelor të INTOSAI-t për të forcuar dhe profesionalizuar tërësisht procesin e vendosjes së standardeve të reja ISSAI, duke theksuar më tej cilësinë dhe rëndësinë e ISSAI-ve për audituesit dhe përdoruesit e raporteve të auditimit. Kongresi i XXII-të INCOSAI miratoi përditësimet e ISSAI-ve 3000, 3100 dhe 3200 të Auditimit të Performancës.
Kongresi miratoi ngritjen e Forumit për Deklarimet Profesionale të INTOSAI-t, i cili do të shërbejë si inkubator profesional për gjenerimin e standardeve të reja. Ai nënvizoi se proceset që nxisin kontributin rajonal dhe të çdo SAI në drejtimin strategjik dhe programin e punës së Forumit janë kritike për të ruajtur parimin dhe moton gjithëpërfshirëse “Experentia mutua Omnibus prodest (nga përvoja e përbashkët fitojnë të gjithë)” të INTOSAI-t, duke siguruar se nuk ka SAI të lënë prapa, si dhe duke rritur kredibilitetin e procesit të përcaktimit të standardeve në sytë e palëve të interesuara, sidomos të njësive qeveritare përdoruese të raporteve tona nga auditimet, por edhe të shoqërisë civile, medias dhe partnereve në shoqatat profesionale dhe donatoret. Organizatat rajonale (të tilla si EUROSAI, ASOSAI, AFROSAI, etj.) janë veçanërisht të rëndësishme si urë për të komunikuar zhvillimet dhe standardet globale për SAI-t dhe për artikulimin e çështjeve praktike të zbatimit lidhur me përdorimin e ISSAI-ve. Që SAI-t të zbatojnë me sukses ISSAI-t, ato kërkojnë metodologji dhe manuale që janë në përputhje me këto standarde.
Ndaj bindjen se trupa audituese e KLSH dhe në veçanti departamenti i performancës është në pararojë të çdo progresi të institucionit, do ta përqafojë plotësisht thirrjen e Kongresit XXII-të INCOSAI për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri më të lartë në auditim. Qytetarët e vendit tonë janë përfituesit përfundimtarë të punës sonë. Është detyra jonë për të kryer auditime të cilësisë sa më të lartë dhe për t’u siguruar atyre raporte auditimi që mbështesin transparencën, përgjegjshmërinë dhe promovimin e besimit në qeverisjen e mirë. Vetëm puna jonë më e mirë mund të bëjë një ndryshim të vërtetë në jetën e qytetarëve tanë.