Vlore me, 7/10/2006
Dje në qytetin e Vlorës u përkujtua 70-vjetori i krijimit të bibliotekës Publike, “Shevqet Musaraj”. Ky institucion i dijes e kulturës, u krijua në muajin tetor të vitit 1936, nga intelektualë dhe patriotë të njohur vlonjatë. Blioteka u rrit dhe u konsolidua nga viti në vit. Aktualisht, në fondin e saj, numërohen 120 mijë tituj librash dhe mjediset e saj, frekuentohen çdo muaj nga 5000 lexues të rregullt të librit. Në këtë bibliotekë janë futur teknologjitë bashkëkohore të informimit dhe në funksionon edhe Qendra Amerikane, një nga tre të këtij lloji që janë ngritur në Shqipëri.
Me rastin e 70 vjetorit të krijimit, pë mjediset e bibliotekës publike, “Shevqet Musaraj”, u zhvillua një ceremoni me pjesmarrjen e intelektualëve vlonjatë, dashamirësve të artit, të kulturës, përfaqësuesve të ambasadës së SHBA në Tiranë, etj. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, theksoi se, krijimi i këtij institucioni të informimit publik, ishte një sinjal drejt një epoke moderne. Sipas zotit Leskaj, funksionimi dhe frekuentirni i bibliotekës, është një shenjë kuptimplote e orientimit të qytetarëve vlonjatë drejt vlerave më të spikatura. “Vlora është e pasur në resurse njerëzore, gjë që reflektohet edhe në numrin e lartë, rreth 100 lexues, që frekuentojnë çdo muaj mjediset e kësaj biblioteke”, nënvizoi kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u ndal në vendin që zë ky institucion i dijes dhe kulturës, në shoqërinë vlonjate, ndërkohë që evidentoi kontributin e bashkisë, për pasurimin e fondit të librave dhe futjen e teknologjive bashkëkohore të informimit.
Drejtoresha, Liljana Gjika, bëri një përmbledhje të historikut të bibliotekës, ndërsa këshilltarja për Marrëdhëniet me Publikun, në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Stefani Kuiz foli për mbështetjen që i është dhënë këtij institucioni, duke dhuruar me këtë rast disa dhjetra tituj librash të rinj dhe materiale të tjera. Ministri Bujar Leskaj dhe kryetari i bashkisë së qytetit dorëzuan çertifikata të mirënjohjes, për disa personalitete të kulturës në Vlorë, që kanë spikatur në vite për kontributin në konsolidimin e bibliotekës. Po ashtu, familjarëve të publicistit të njohur vlonjat, Ibrahim Shyti, ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi”, të cilin bashkia e akordoi për kontributin e tij të shquar, duke pasuruar mes të tjerash, fondin e bibliotekës, me 5000 tituj të dhuruar.
Në të njëjtën ditë, Ministri i Turizmit,Kulturës, Rinisë e Sporteve, Bujar Leskaj, njëkohësisht deputet i Vlorës, i dhuroi bibliotekës publike “Shevqet Musaraj”, të këtij qyteti, 500 mijë lekë dhe 200 tituj librash, në ditën e përkujtimit të 70 vjetorit të krijimit të këtij institucioni të kulturës e dijes. Me këtë rast, Leskaj shpalli nismën e tij, për pasurimin e fondit të librave të bibliotekës dhe modernizimin e teknologjive të informimit në të, përmes donacioneve dhe mbështetjes nga ana e bizneseve dhe organizatave të ndryshme joqeveritare. Në cilësinë e deputetit të Vlorës dhe si një nga ish frekuentuesit dhe lexuesit më të rregullt në këtë bibliotekë, Leskaj, u bëri thirrje komunitetit të biznesit dhe organizatave që veprojnë në Vlorë, për ta mbështetur në këtë nismë. Ai i ftoi ata për të kontribuar financiarisht, për rritjen e fondit të librave të kësaj biblioteke.