Kostumi që i rri ngushtë Ramës

Në vend të hyrjes…
Katër ditë më parë, në përpjekje për të larë duart si Pons Pilati, duke luajtur rolin e engjëllit të zbritur nga qielli, por dhe me arrogancën dhe hipokrizinë e vet tipike, kryetari i sektit qeverisës, Edi Rama mblodhi kryetarët e bashkive të vendit, për t’ju sugjeruar “me shumë dashamirësi” të mos ndikonin me pushtetin e tyre në favorizimin e njerit apo tjetrit në prokurimet publike. E ku ishte deri dje ky farë sokoli? Nga monologu i tij me 60 kryebashkiakët, të ngjante sikur ky kryeministër dje kishte ardhur në pushtet dhe se nuk kishte 8 vjet në krye të qeverisë.
Raportet vjetore të Komisionin Europian, në mënyrë konsistente kanë nënvizuar faktin se në Shqipëri një pjesë e rëndësishme e prokurimeve publike kryhen me vetëm një ofrues. Ky është një shtrembërim i hapur i rregullave dhe konkurrencës së tregut. Progres Raporti për Shqipërinë i Komisionit Evropian për vitin 2020, i publikuar më 6 tetor 2020, cilëson se “Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar përputhshmërinë ligjore dhe për të parandaluar korrupsionin në ciklin e prokurimit publik. Rekomandimet e Progres Raportit të Komisionit Evropian të vitit 2019 nuk u zbatuan plotësisht dhe mbeten të vlefshme”(Kapitulli 5 “Prokurimi Publik”, faqe 67, paragrafi i tretë. https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/default/files/albania_report_2020.pdf ).
Vërejtje të ngjashme organizatat ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë kanë të paktën që nga viti 2014 që bëjnë. Ku ishte ky kryeministër këto vite, ose më së paku, 9 muaj nga tetori 2020 i publikimit të Progres raportit të BE-së e deri tani, përveçse më të shumtën e kohës, duke punuar për të deformuar dhe blerë vullnetin e zgjedhësve të 25 prillit?
Më tej, Raporti i Komisionit Evropian thekson se “Autoriteteve kontraktuese u mungon aftësia për të menaxhuar proceset e prokurimit publik në mënyrë efektive. Përputhshmëria me ligjet është ende përgjithësisht e dobët, veçanërisht në procedurat më komplekse”(Po aty, Kapitulli 5 “Prokurimi Publik”, faqe 69, paragrafi i dytë).
Po në këtë paragraf, Komisioni Evropian ju referohet shifrave që flasin për shtimin e dëmit ekonomik me 48 përqind në prokurimet publike brenda vetëm një viti, nga 2018 në 2019-ën.
Në paragrafin e katërt po në faqen 69, Komisioni Evropian ka një konstatim të frikshëm. Numri mesatar i ofruesve për një tender publik në vitin 1019 ishte 2.37, në krahasim me 3.05 të vitit 2018. Pra ka rënë me një të katërtën, brenda vetëm një viti. Pse kjo zbritje? Pse ky shtim i dukshëm i numrit të tenderave me vetëm një ofertues(kompani që merr pjesë në tender dhe jep ofertën e vet)? Kryetarit të sektit qeverisës i është kërkuar të mos zhvillojë tendera me vetëm një ofertues.
I ka lexuar lideri global i sektit qeverisës këto raporte? Apo i ka hedhur në kosh si letra pa vlerë? Natyrisht, ai lexon materialet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku sipas deklaratave të tij, Shqipëria do të jetë një zë i fortë(!) dhe tejet i rëndësishëm. Ndoshta për këtë mitomani nuk ka dhe aq faj, se mund të jetë frymëzuar nga fjalimi i Fan Nolit në Asamblenë e Pestë të Lidhjes së Kombeve më 10 shtator 1924, por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.
Prerja e kostumit…
Institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase të mbikqyrjes, sigurisë dhe auditimit, prej vitesh tashmë i kanë rekomanduar me forcë të luftojë antikulturën e pandëshkueshmërisë (të cilën në fakt vetë ai e instaloi në këto vite) dhe të rrisë përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore në menaxhimin e financave dhe pasurisë publike. Ka shumë propozime në lidhje me këtë, duke e nisur nga kërkesa e FMN-së në mars 2018, për të pezulluar përkohësisht dhënien e PPP-ve dhe për të mos miratuar propozimet e pakërkuara të privatëve, e deri tek kërkesa e institucioneve kushtetuese vendase për të hedhur dritë mbi kompanitë e regjistruara në parajsa fiskale (off-shore) që kanë marrë tendera nga Buxheti i Shtetit dhe për të ndaluar kompani të tilla të marrin pjesë në të ardhmen në tenderat publike në Shqipëri.
Kryetari i sektit qeverisës, duke e ngritur në sistem antikulturën e pandëshkueshmërisë, ka shpërfillur kërkesën për hetim të detajuar e të plotë nga strukturave tona fiskale të të gjitha koncesioneve të dhëna që nga viti 2007, sidomos atyre me pronarë kompani të regjistruara në parajsat fiskale, të cilat rezultojnë me shpenzime prodhuese të fryra artificialisht, trukim të bilanceve dhe mospagim të detyrimeve ndaj Buxhetit të Shtetit. Ka injoruar qëllimisht propozimin e bërë nga partnerët tanë strategjikë dhe nga institucionet kushtetuese për ndalimin e pjesëmarrjes në tenderimet publike të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale off-shore, si dhe në çdo liçencë që jepet për shfrytëzimin e pasurive kombëtare, si nafta, kromi, bakri, etj. Ka snobuar po qëllimisht domosdoshmërinë e forcimit të rolit të Avokatit të Shtetit, të mandatuar me ligj për të analizuar raportet mes kompanive koncesionare dhe kompanive nënkontraktore të tyre, për të parandaluar rritjen artificiale të kostove të investimit në dëm të Buxhetit të Shtetit.
Me menaxhimin skandaloz që ka frymëzuar dhe lejuar, i ka lënë ministritë, institucionet e tjera qendrore dhe shoqëritë aksione sha të Shtetit të notojnë në një oqean parregullsish dhe shkeljesh në prokurimet e tyre publike. Ka shfrytëzuar “mjeshtërisht” vakuumin ligjor që ka mbuluar kontratat e cilësuara si sekret shtetëror, për të gjeneruar një bum të frikshëm tenderash publike me informacion të klasifikuar. Dhe pikërisht klasifikimi i prokurimeve publike si sekret shtetëror ka njohur një rritje eksponenciale që nga ardhja në pushtet e Edi Rames. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, qindra kontrata publike, duke filluar nga teknologjia informacionit, mirëmbajtja e ndërtesave publike e deri tek shërbimeve qeveritare janë klasifikuar si sekret.
Sipas rrjetit BIRN të gazetarisë investigative në Ballkanin Perëndimor, në investigimin e tij të publikuar më 27 maj 2019 (https://www.reporter.al/qeveria-kontraktoi-miliona-euro-shpenzime-me-kontrata-sekrete/), një institucion shteteror në varësinë direkte të kryeministrit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, i cili merret me shërbimet për qeverinë apo zyrtarë të tjerë të lartë, të tilla si shtëpi pushimi apo komoditete të tjera si pritje dhe përcjellje, ka realizuar 26 tendera sekrete gjatë periudhës 2015-2019, nga zero kontrata të tilla më parë. Nga këto, 12 kontrata janë realizuar vetëm gjatë vitit 2018.
Në Raportin Vjetor të performancës 2018.
(http://www.klsh.org.al/web/raporti_performances_2018_4788.pdf, audituesit e KLSH analizuan diferencat mes vlerave për zëra konkretë të mallrave, shërbimeve dhe punëve të realizuara nëpërmjet procedurave të ligjit të prokurorimit publik dhe atyre të realizuar nëpërmjet procedurave ushtarake dhe sekrete. U rezultoi se kostot sipas procedurave të prokurimeve ushtarake dhe të klasifikuara “sekret”’ ishin minimalisht rreth 10-20% më të larta, ose në vlerë mbi 720 milionë lekë apo 5.9 milionë euro më shumë.
Prandaj kryetari i sektit qeverises “Rilindja” nuk e ka tagrin t’u shesë moral kryebashkiakëve (të cilët janë tërësisht produkte të tij dhe si ai vetë) dhe, mbi të gjitha, qytetarëve shqiptarë. Show-n mjeran të rradhës me kryebashkiakët ai shumë mirë mund ta kishte organizuar në selinë e PS-së, nga ku u dha “bekimin” të drejtojnë punët vendore, por jo në institucionin e Kryeministrisë, prej të cilit shqiptarët presin të luftojë me efektivitet korrupsionin galopant.
Ngushtësia e kostumit ose apoteoza e dëmit ekonomik nga tenderat e trukuar.
Pas shpalljes së situatës së emergjencës shëndetësore për COVID-19, institucionet publike ne Shqiperi prokuruan miliona euro mallra dhe shërbime me procedura që kufizojnë konkurrencën mes operatorëve ekonomikë.
Rreth 1.1 miliardë lekë ose 8.92 milionë euro u tenderuan nga institucionet publike me prokurim të drejtpërdrejtë gjatë periudhës së mbylljes totale të shkaktuar nga COVID-19, teksa një pjesë e mirë e tyre nuk lidheshin aspak me situatën. Të dhënat e prokurimeve publike të realizuara nëpërmjet procedurës me negocim, pa shpallje paraprake nga data 12 mars deri më 15 maj 2020 tregojnë se kjo formë prokurimi u përdor në 177 tenderë nga 113 institucione publike, ndërkohë që pjesa dërrmuese e tyre kanë pasur 1 ose 2 operatorë pjesëmarrës (ofertues). Këto shifra dëshmojnë një mungesë të thekshme konkurrence.
Sipas legjislacionit në fuqi, procedura me negocim, pa shpallje paraprake parashikon që autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre. Por kjo lloj procedure mund të përdoret vetëm në disa raste specifike e më konkretisht, kur në përgjigje të dy procedurave të njëpasnjëshme, nuk është siguruar konkurrenca minimale, kur për arsye që lidhen me të drejtat ekskluzive ose të drejtat e autorit, kontrata nuk mund të ekzekutohet, përveçse nga një operator i vetëm ekonomik. Ose kur, për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor për procedura normale nuk mund të respektohet.
COVID-19 nuk mund të përbëjë argument për të shkelur procedurat e konkurrencës për shërbimet publike të tenderuara gjatë pandemisë. Pjesa më e madhe e procedurave kryhen në format elektronik online, ndaj nuk ka baza procedura me negocim, pa shpallje paraprake.
Çdo masë që kufizon konkurrencën në treg paraqet pasoja negative, pra, në fund të procesit, çmimi për produktin apo për shërbimin e ofruar rezulton i lartë. Shteti duhet të bëjë tendera të hapur, duke vendosur në garë kompanitë me njëra-tjetrën për shërbimet që do të blejë dhe operatori ekonomik të ulë çmimin për publikun. Ligji “Për menaxhimin e financave publike” kërkon pikërisht përdorimin me ekonomi të parasë publike.
Ja përse konstatimi i kryetarit të sektit qeverisës “Rilindja”, i dhënë katër ditë më parë në takimin me kryebashkiakët, se 47 nga 61 bashkitë procedurat e prokurimeve publike i bëjnë me vetëm një operator ekonomik, është një kostum që i rri ngushtë Ramës. Ai nuk ka ç’përgjegjësi t’u kërkojë kryebashkiakëve, pse vetë kryeministri është ideuesi, frymëzuesi dhe konsoliduesi i metodave korruptive të prokurimit publik. Pse “porositë” e tenderave kryesore në bashkitë e mëdha dhe jo vetëm, i marrin disa kompani të mëdha në Tiranë, ku pronarët janë miq të tij ose të anëtarëve të besuar të sektit të vet në qeverisje. Për shembull, pothuajse të gjitha tenderat e Bashkisë Vlorë merren nga dy firma të Tiranës dhe pa konkurrencë. Madje edhe organizimi i tenderit bëhet nga Tirana, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kështu u paracaktua fituesi dhe për tenderin e fundit të Ujësjellësi të Vlorës.
Edi Rama është po ashtu ideatori dhe realizuesi i dukurisë sa gërryese aq edhe kancerogjene të kapjes masive të Shtetit, denoncuar nga raporte të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve, nga Indeksi Vjetor i Institutit të Bazelit, nga Raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe, në mënyrë të veçantë, nga “Transparency International” (TI) në raportin për vitin 2020 me titull “Ekzaminimi i Kapjes së Shtetit” (https://images.transparencycdn.org/images/2020_Report_ExaminingStateCapture_English.pdf).
Nuk ka asnjë dyshim për institucionet ndërkombëtare dhe shqiptarët e mençur dhe të drejtë, të cilët janë shumica dërrmuese në vend, se kryetari i sektit “Rilindja” është ideatori dhe frymëzuesi i hartimit të ligjeve të qepura me dorë.
Megjithëse prej 8 vitesh zhvillimi i procedurave të prokurimit publik realizohet në rrugë elektronike(online), shkeljet në realizimin e tenderave janë të shumta. Ato nuk “ngjizen” vetëm nga mungesa e kapaciteteve profesionale (për arsye të mos trajnimit mjaftueshëm të stafit bashkiak që merret me procedurat e prokurimi publik), por burojnë kryesisht nga shkelje me qëllim të kërkesave ligjore nga njësitë e prokurimeve të bashkive, gjatë hartimit të dokumenteve standarde të tenderave.
Shkeljet më flagrante kryhen nga anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave, në përzgjedhjen e kompanive fituese të tenderave, në kundërshtim të hapur me kërkesat e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” dhe me kuadrin rregullator mbështetës.
Ndër vite, Rama i ka patur mbi tavolinë raportet e institucioneve kushtetuese dhe atyre përgjegjëse, që flisnin mbi shkeljet dhe abuzimet me tenderat publikë. E mbi të gjitha, Raportin mbi Zbatimin e Buxhetit të Shtetit. Për shembull, në vitin 2018, bashkitë zhvilluan 1,257 procedura prokurimi me vlerë 26,8 miliardë lekë, ose 219 milionë euro. Nga 1257 procedurat e prokurimit të zhvilluara nga të 61 bashkitë tona, KLSH në vitin 2018 kontrolloi 720 prej tyre, ose më shumë se gjysmën. Përzgjodhi për auditim prokurimet me vlerë më të madhe, duke mbuluar me kontroll 21 miliardë lekë të parave të qytetarëve, të prokuruara nga pushteti vendor. Pra, mbi 172 milionë euro, ose 80 përqind të totalit të parasë publike të kontraktuar nga bashkitë, nëpërmjet tenderave. Nga 720 procedura prokurimi të kontrolluara në 33 bashki, audituesit e KLSH zbuluan shkelje financiare në 300 procedura prokurimi, ose në mbi 40 përqind të tyre!
Flamuri i grisur i ngritur nga Rama
Shkelja e barazisë në tendera është një dukuri e gjerë, e mirënjohur dhe një sëmundje e prokurimeve tona publike, e lënë të agravohet nga sekti qeverisës Rama në trajtën e një kanceri galopant. Format e shfaqjes janë të shumta, por nga donatorët dhe OJF-të serioze pranohet gjerësisht se komuniteti i biznesit “nuk bën zhurmë”, por detyrohet të pranojë kushtet e institucioneve të Shtetit që prokurojnë fonde publike. Pra, të paguajë nën dorë, madje me përqindje që në harkun e pesë viteve të fundit vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe OJF-të e fushës se janë rritur dukshëm.
Një nga mënyrat më të efektshme, ku thyhen rregullat e prokurimit, shfaqet kur njësitë e prokurimit nëpër bashkitë, të cilat merren me hartimin e specifikimeve teknike, bashkëpunojnë me firmat potenciale fituese që gëzojnë mbështetjen politike të titullarit të bashkisë ose të entit qendror prokurues.
Barazia në tendera tek ne është “fjalë e huaj” dhe rezultati është i njëjtë dhe mjeran në grykësinë e porositësve: vetëm klientët e qeverisë dhe pushtetit të saj vendor kanë akses (shumica kundrejt pagesës) në tenderat publikë. Vetëm ata i fitojnë të ashtuquajturat gara! Ja përse ndodh ajo zbritje e frikshme e numrit mesatar të pjesëmarrësve në një tender shtetëror, të konstatuar nga Komisioni Evropian në Progres Raportin e tij për Shqipërinë në tetor 2020.
Nëse përmes manipulimeve dhe ndihmuar nga mos-qartësia e opozitës, Rama rrëmbeu pa asnjë meritë dhe kontribut flamurin e reformës në drejtësi, flamurin e luftës ndaj abuzimeve dhe korrupsionit galopant në tenderat publikë nuk e merr dot. Atë do ta ketë vetëm SPAK dhe institucionet e pavarura të Shtetit, të cilat do të dinë të ndihmojnë SPAK në këtë mision jetik.
Flamuri i ngritur nga Rama në takimin me kryebashkiakët, se gjoja “Bashkitë duhet të reagojnë ndaj rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike”, është i gjithi i bërë rreckë nga vetë ai, me mos-veprimin, me mos reflektimin ndaj problematikave dhe propozimeve të ardhura nga ndërkombëtarët dhe institucionet tona kushtetuese, me nxitjen orë e sekondë të anti-kulturës së papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë mes anëtarëve të sektit të tij.
Sikurse doli dhe nga arrestimet e fundit në Ministrinë e Brendshme, tenderat tanë publikë janë në shumicën dërrmuese të paracaktuar, vrasës të konkurrencës së lirë dhe transparencës, pse kryetari i sektit qeverisës i ka ushqyer vetë me grykësinë më të pashoqe të shfaqur ndonjëherë në këto 30 vite tranzicion.
Kostumi i marrëdhënieve me tenderat e Shtetit e lë çullak Ramën. Ai nuk ka as moral të shesë, as zgjidhje të ofrojë, për dukurinë e trukimit dhe abuzimit ekstrem me tenderat publikë, të cilët janë larg standardeve të BE-së me vite dritë madje larg edhe të konsideruarit mjaftueshëm transparentë dhe garantues të konkurrencës së lirë. Zgjidhja e vetme që ofron Rama është borxh, borxh dhe përsëri borxh, në formën e instrumentave të ndryshëm dhe PPP-ve, duke mos respektuar asgjë nga Ligji për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor dhe rregullat për menaxhimin e qendrueshëm, transparent dhe me përgjegjësi të financave publike.
Babai i demokracisë amerikane, Presidenti Abraham Linkoln shprehej në maj të vitit 1886 “Një shtetar mund të mashtrojë disa nga njerëzit gjatë gjithë kohës, si dhe të gjithë njerëzit në ndonjë kohë, por nuk mund t’i mashtrojë të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës” (https://www.goodreads.com/quotes/275126-you-can-fool-some-of-the-people-all-of-the).
Ndërsa Presidenti amerikan i sotëm Joe Biden na mëson se “Lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm qeverisje e mirë. Është vetëmbrojtje. Është patriotizëm”. https://www.brainyquote.com/quotes/joe_biden_676850).
Kështu që dhe fitorja e blerë përmes manipulimeve dhe abuzimeve zgjedhore të Ramës, e cila në thelb është fitore-humbje e sektit “Rilindja”, do t’i ngjajë lëkurës së shagrenit, e cila çdo ditë që kalon tkurret edhe më shumë në jetëshkurtësinë e saj. Është mision historik dhe detyrë permanente e opozitës shqiptare që të bëhet zëdhënëse e pakompromis e mllefit popullor të akumuluar prej më shumë se tetë vitesh tashmë.
Bujar Leskaj