Keqmenaxhimi i rëndë i KESH (prill 2021-prill 2022)

Botuar në Gazeta Sot më dt 30.04.2022.
Qytetarët qartazi konstatuan se tre-katër javë më parë u cenua siguria kombëtare në furnizimin me energji elektrike, kur dolën mbi ujë gërmadhat e Kukësit të Vjetër në Liqenin e Fierzës. Ky bazën në atë kohë ishte vetëm 8 metra mbi pikën e vdekjes, pikë ku turbinat e Fierzës nuk arrijnë të punojnë.
I.Në dorë të Zotit…
Për shkak të keqmenaxhimit të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, kësaj pasurie kyçe kombëtare, kjo kaskadë në ditët e para të prillit 2022 duhej të ishte plot, por kishte nivelin e ujërave që zakonisht ka në mes të gushtit! Na ndihmoi Zoti që na solli dy javë me shira të njëpasnjëshme, por jo gjithnjë do të na ndihmojë Zoti.
Për këtë situatë, duhen analizuar dhe identifikuar fajtorët dhe fajtori kryesor është menaxhimi skandaloz i kompanisë shtetërore sha Korporata Energjitike Shqiptare(KESH). Ne mund të përballonim shumë më lehtë krizën botërore energjetike sot, nëse nuk do të ishte për keqmenaxhimin e kompanive publike të sektorit energjitik, në radhë të parë të KESH.
Rrënimi financiar i sektorit energjetik nuk është pasojë e krizës aktuale të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por frut i një keqmenaxhimi afatgjatë të kompanive publike. Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit 2017-2021, borxhi i tre kompanive publike të energjisë (KESH, OSHEE dhe OST) u rrit me 67.4 përqind.
Në vitin 2017, borxhi total që KESH, OSHE dhe OST kishin ndaj njëra tjetrës ose palëve të treta ishte 617 milionë euro. Në fund të vitit 2019, shifra kërceu në 910 milionë euro dhe në fund të vitit 2021, edhe pse ende shifrat zyrtare mungojnë, përllogaritet të ketë kaluar shifrën një miliardë euro.
II.Shkelje flagrante e ligjit.
Keqmenaxhimi i rëndë i KESH ka nisur në maj 2021, për të arritur në nivelet skandaloze ku është sot. Në muajin maj, KESH ka shitur energji mesatarisht me 40 euro për megavat, në shkelje flagrante të ligjit Nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (https://infrastruktura.gov.al/ëp-content/uploads/2017/10/ligj_nr_43_dt_30_4_2015_22652_1.pdf), Neni 8, pika 3, “ Operatori i Sistemit të Transmetimit përgatit një parashikim të përgjithshëm afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të kërkesës për energji elektrike dhe burimeve të mundshme të furnizimit, duke marrë parasysh kriteret dhe kërkesat e sigurisë së furnizimit”. KESH ka shkelur çdo parashikim të OST!
Në tetor 2021, Kaskada pësoi një rënie drastike të nivelit të ujërave. Çfarë ndodhi? Për shkak të shitjes pa kriter të energjisë nga KESH gjatë muajve maj-qershor 2021, u krijua një stok shumë i pakët fondesh për të përballuar rritjen e çmimit ndërkombëtar të energjisë në shtator-tetor 2021. Fierza u detyrua të punonte edhe në një kohë kur duhej të kishte pushuar, për të ruajtur nivelin e ujërave në kaskadë. Kuotat e liqenit të Fierzës duheshin ruajtur me çdo kusht(e kërkon me forcë edhe vetë ligji Nr. 43/2015), por KESH mendoi ndryshe.
Dhe arritëm në cenimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike, pikërisht për shkak të KESH.
III.Mosrespektimi i 3 E-ve nga KESH
Kur pardje u diskutua në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend për menaxhimin e situatës energjitike, një nga përfaqësuesit e grupit qeveritar që kishte ardhur të prezantonte aktin e shëndoshjes së financave të KESH, duke ia kaluar detyrimet e saj dy kompanive të tjera sha shtetërore, në replikat normale të punës, arriti deri aty sa deklaroi që Korporata Energjitike Shqiptare është mirëmanaxhuar gjatë gjithë kohës, madje ka një drejtim shembullor(?!).
Kjo nuk i qëndron së vërtetës. KESH nuk ka respektuar në asnjë ditë të menaxhimit të kompanisë të 3 E-të, drejtimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të parasë publike.
Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE), çmimet mesatare, me të cilat është blerë energjia elektrike nga importi gjatë vitit 2021, janë shumë më të larta se çmimet mesatare në bursën hungareze, e cila shërben si referencë për blerjet në Shqipëri. Sha-të tona, nga keqmenaxhimi, nuk i kanë kërkuar qeverisë të bëheshin kompani të listuara në bursën hungareze. Mjaftonte një garanci prej 50 milionë euro. Por nuk e realizuan këtë kërkesë themelore të tregut. U interesonte të mos ishin pjesë e tregut formal dhe e afishimit me transparencë të plotë të transaksioneve(sikurse ndodh në bursë), por pjesë e kontratave të turbullta dhe jo transparente me kompanitë private të zgjedhura prej tyre, për të marrë pjesë në tenderat që organizonin.
IV.2021: 65.8 milionë euro humbje!
Rezultati janë humbje me dhjetëra miliona euro në Buxhetin e Shtetit, gjatë blerjeve skandaloze nga KESH. Për shembull, çmimi mesatar i blerjes së energjisë në muajin tetor 2021 ishte 278.9 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 197.2 euro për megavat, ose 41 përqind më i lirë!
Për nëntorin 2021, çmimi mesatar i blerjes së energjisë nga KESH ishte 295 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 215.9 euro për megavat, ose 37 përqind më i lirë!
Në mes janë me dhjetëra miliona euro humbje në buxhetin e shtetit nga kjo diferencë, pasi totali i importeve të energjisë për vitin 2021 ishte 285.5 milionë euro dhe energjia u ble gjatë gjithë vitit mesatarisht me 23 përqind më shtrenjtë se sa po të ishte blerë në bursë, ose 65.8 milionë euro humbje!
Humbjet kanë vazhduar edhe gjatë muajve janar-mars 2022. Buxheti i Shtetit për këtë vit ka dalë garant me 26.5 miliardë lekë (221 milionë euro) për blerjen e energjisë nga importi. Ekziston rreziku i lartë që këto fonde të shpërdorohen sërish nga KESH.
Mirëpres dhe përshëndes sprovën për të vendosur në punë TEC-in e Vlorës nëpërmjet gazit të lëngshëm që do të sigurohet nga kompani amerikane, pasi nisja e punës së TEC-it do të jetë një garanci e madhe për të mos kaluar më momentet e vështira të fundit të marsit dhe fillimit të prillit 2022, që kaluam për shkak të keqmenaxhimit të KESH.
V.“Ngrirja” e paneleve diellore!
Kompanitë shtetërore sha të energjisë janë përgjegjëse për ngrirjen e zbatimit të Ligjit Nr. 116/2016 “Për perfomancën e energjisë së ndërtesave”. Do të kishte mjaftuar një VKM e thjeshtë për zbatimin e këtij ligji, që të mos bllokohej aksesi në rrjet i sipërmarrjeve private dhe qytetarëve që dëshironin dhe dëshirojnë të instalojnë panele diellore, për të prodhuar vetë energji gjatë ditës, për t’ia shitur një pjesë të kësaj energjie rrjetit dhe për të blerë energji nga rrjeti gjatë natës. Do të kishin mjaftuar më pak se 100 milionë euro investim, për të ngritur rrjetin e duhur për këtë transmetim energjie.
Por asgjë e tillë nuk ndodhi dhe mundësia e artë që na u dha për të përballuar afro 20 përqind të nevojave për energji nga energjia alternative e paneleve diellore, u shpërdorua keqazi. Sot prodhohet vetëm 1 përqind e sasisë së energjisë nga panelet diellore dhe për këtë faji është i gjithi i sha-ve shtetërore të energjisë, i KESH në radhë të parë.
Pragu i katastrofës me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në ditët e para të prillit 2022 dhe shifrat e fryra të blerjeve të energjisë elektrike nga KESH janë akuzatorë më të fortë të keqmenaxhimit të rëndë dhe skandaloz të KESH.
Bujar Leskaj