Tre fytyrat abuzive të Shtetit të sektit Rama

Botuar në Gazeta Sot më 26.03.2022
I. Mospërfillja e përgjegjësisë rregullatore të Shtetit
(i)Mungesa e rolit rregullator të Shtetit, (ii)favorizimi i monopoleve dhe i një grupi biznesesh klientelistë të fondeve publike, (iii)qasja jostrategjike në vendosjen e tatimeve (lloje dhe nivele), por thjesht e nxitur nga nevoja e momentit për të mbushur buxhetin, (iv)rritja e pakujdesshme e borxhit publik, (v)shpërdorimi i parasë publike, duke e orientuar atë, ose në investime të panevojshme, ose në investime shpërdoruese, për shkak të natyrës korruptive, (vi)administrata e fryrë dhe që rezulton përditë e më shumë e paaftë, rrjedhojë e drejtimit të korrupsionit, bën që ekonomia shqiptare t’i ndjejë krizat me fuqinë e tyre më të plotë të shkatërrimit.
Duke perifrazuar Shekspirin e madh, i cili shprehej se “Drama është gracka ku shpirti i mbretit do kapet si laraska”, tek ne “Kriza është gracka ku sekti Rama do kapet si laraska!”.
Çmimet e mallrave ushqimore nisën të rriten ndjeshëm që në muajin maj 2021. Sipas matjeve të INSTAT, në mes të marsit 2022, 30 artikuj të shportës kushtonin 20% më shumë se në janar 2022.
Megjithë rritjen galopante të çmimeve për 11 muaj rrjesht (maj 2021-mars 2022), sekti Rama zgjodhi qasjen klasike “Tregu është i lirë, qeveria nuk ndërhyn”, të drejtë teorikisht, por të gabuar në praktikë, deri në shpërthimin e protestave të para të qytetarëve më 9 dhe 10 mars. Edhe pse që nga maji 2021, denoncimet e mediave dhe të qytetarëve për abuzimet me çmimet, si dhe me cilësinë e shumë prej mallrave të konsumit të gjerë ishin gati të përditshme!
Në tregun e goditur aq rëndë të karburanteve, sekti Rama tregoi papërgjegjshmërine e vet të plotë, duke mos garantuar respektimin e detyrimit ligjor për mbajtjen e rezervës strategjike të karburanteve.
xx
II. Kalimi në ekstremin tjetër: “dora e hekurt” mbi tregun
Në vitin 1776, afro 250 vjet më parë, një nga baballarët e ekonomisë moderne botërore, Adam Smith, në kryeveprën e tij “Pasuria e Kombeve”, shpjegonte thelbin dhe shkaqet e formimit të pasurisë së kombeve, duke folur për dorën e padukshme rregulluese të ekonomisë së tregut të lirë.
Tani, rreth dy shekuj e gjysëm më vonë, ekonomia jonë po kalon haptazi në dorën arrogante dhe grabitqare të sektit Rama. Bordet e vendosjes së çmimeve, apo kontrollet urgjente në terren, në forma gjobëvënieje janë thjesht metoda presioni abuziv, dhe jo mënyra administrimi të ekonomisë dhe tregjeve. Tregu i hidrokarbureve, për shembull, i cili ka marrë goditjen e parë, mbështetet me një kuadër ligjor që, veç të tjerave, rregullon rezervat strategjike, pikërisht atë komponent që zbut raste të tilla emergjence.
Nëse ju kërkohet bizneseve të sakrifikojnë normën e tyre të fitimit, duhet të fillojmë të mendojmë disa tavane për normën e fitimit, e njëjta gjë është edhe me pjesën e detyrimeve fiskale nga ana e qeverisë. Duhet një ngrirje e përkohshme e TVSH për produktet e shportës. Nëse çmimet rriten, nuk do të thotë të rriten edhe taksat. Qeveria duhet të heqë dorë nga ky përfitim jo i drejtë dhe i ndershëm.
xx
Deri tani, ndaj biznesit nuk ka ende masa mbështetëse. Paketat për biznesin duhet të jenë të shpejta, efektive, pasi nga çmimet e larta për konsumatorin mund të kalojmë tek falimentimet në masë të bizneseve. Duhet të kemi një paketë masash për të vazhduar normalitetin e biznesit.
III. Paketa Rezistenca Sociale të mos kalojë në paketë të Shpërfilljes sociale!
Paketa e rezistencës sociale e sektit Rama në pushtet është e pamjaftueshme dhe vjen shumë e vonuar në kohë, pasi duhej të ishte përgatitur që në ditët e para të fund-shkurtit 2022, pas invazionit të Diktatorit Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Ndërhyrja qeveritare në kohë mund të kishte shmangur kërcimet pindareske dhe abuzive të çmimit të naftës në datat 9-10 mars 2022, me 250 dhe 260 lekë litri. Ishin protestat energjike qytetare ato që e detyruan sektin Rama të kontrollonte çmimin e naftës.
xx
Minimumi jetik i pallogaritur!
Jemi i vetmi vend në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, që nuk kemi minimum jetik zyrtar të llogaritur. Caktimi i minimumit jetik do ta detyronte sektin Rama në qeverisje të rriste ndjeshem pagesat për shtresat në nevojë dhe të varfërit.
Mungesa e minimumit jetik ka sjellë që llogaritjet e vlerës minimale të pagesës së papunësisë, pensioneve dhe ndihmës ekonomike të mos jenë të bazuara në nevojat reale të familjeve shqiptare. Ndihma e Paketës së Rezistencës Sociale për tre muaj me 3 mijë lekë të reja për pensionistët e vetmuar dhe familjet në nevojë, rrezikon të kthehet në lëmoshë, pasi 100 lekë të reja në ditë janë krejt të pamjaftueshme, duke parë rritjen mesatare me 20% të 30 mallrave kryesore dhe të pazëvendësueshme të shportës.
Në 9 vite, sekti i pangopësisë Rama rriti në maksimum pabarazinë sociale dhe bipolarizoi shoqërinë. Jo thjesht në kuptimin ekonomik, por edhe në atë social e psikologjik. Për shkak të politikave të papërshtatshme të buxhetit të Shtetit për 9 vite rradhazi, kemi ngelur vendi më i varfër në rajon, me gjysmën e popullsisë, sipas Eurostat, në rrezik të bjerë në varfëri.
xx
Mbi shkurtimin e shpenzimeve të luksit
Qeveria duhet të rishikojë urgjentisht me shkurtim të ndjeshëm shpenzimet operative, si në nivel të pushtetit qendror dhe atij vendor. Të ndalojë urgjentisht shpenzimet e luksit të shfrenuar! Në 9 vite, sekti Rama ka shpenzuar 85,5 milionë euro për blerje makinash/qira /servis makinash, 25 milionë euro për mobilim zyrash, 109 milionë euro për rikonstruksion zyrash dhe godinash qeveritare, 3.2 milionë euro vetëm për zyrat e Kryeministrisë. Vetëm fasada dhe ri-fasada. Janë gjithsejt 228.45 milionë euro! Asnjë përmirësim të shërbimit për qytetarët nuk kanë sjellë këto shpenzime marramendëse.
Duhet të mendohet strategjikisht për zhvillimin e ekonomisë, duhet nxitur integrimi ekonomik me ekonominë e Kosovës dhe të diversifikohen marrëdhëniet ekonomike. Duhet të zerohet oreksi për korrupsion, pra të ulet në minimum taksa e korrupsionit dhe ajo e arrogancës me biznesin, duke shteruar burimet për vjedhje dhe nxitur konkurrencën në sektorët prodhues.
Është urgjente që me VKM të ndalohet përkohësisht eksporti i mallrave jetike për ekonominë, të cilat mund të rrezikojnë furnizimin e popullatës në vend, si vaji ushqimor, karburantet dhe produktet bazë ushqimore.
Duhet të bëhen menjëherë transparente për opinionin publik dhe qytetarët çdo blerje e energjisë elektrike në tregjet e huaja. ERE dhe KESH janë struktura shtetërore-gropa të zeza të keqadministrimit dhe abuzimit me paratë e taksapaguesve. Duhet të bëhet transparencë e plotë me konsumin, prodhimin dhe blerjet e energji elektrike çdo ditë, me publikime të kuptueshme nga qytetarët, të përgatitura nga ministria përgjegjëse.Jemi në mes të një viti hidrik shumë të thatë dhe të vështirë dhe kriza energjitike troket fuqishëm në dyert tona.
Me filozofinë e drejtimit të vendit nga sekti Rama, e cila ka zero transparencë dhe kërkesë llogarie, rrezikojmë që paketa e Rezistencës Sociale, e trumbetuar plot butafori, të kthehet shumë shpejt në paketë të Shpërfilljes Sociale për të gjithë qytetarët, që me taksat e tyre e mbajnë në këmbë këtë qeveri të papërgjegjshme.
Bujar Leskaj