Për një turizëm të qëndrueshëm

Nga Bujar Leskaj

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj” duhet përshëndetur, si njëveprim i duhur në kohën e duhur, për mundësinë për të ringritur turizmin shqiptar, të dëmtuar rëndë nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe për shkak të kufizimeve nga pandemia e shkaktuar nga Covid 19.
Ne kemi nevojë për strategji gjithëpërfshirëse në turizëm, për ratifikimin e Konventave të tilla, por duhet të jemi të vetëdijshëm se këto  janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme. Më shumë se kurrë kemi nevojë për aksione konkrete. Më shumë se sa rifiniturat në qendrat e qyteteve, kornizat e bukura, na duhen veprime konkrete në dobi të turizmit të qëndrueshëm.
Edhe pse mungojnë shifrat zyrtare, sipas shoqatave të turizmit në vend, humbja në industrinë e turizmit për vitin 2020 llogaritej në 1.2 miliardë euro. Viti 2021 dëshmoi për një ringritje spontane të turizmit tonë, dhe jo fryt të politikave nxitëse dhe të mbështetjes së Buxhetit të Shtetit.
Kemi nevojë për angazhime konkrete dhe për mbështetje sa më të madhe ndaj Ministrisë së Turizmit. Kjo mbështetje duhet të përkthehet sa më shpejt në ndihmë konkrete financiare. Buxheti i alokuar ministrisë përgjegjëse për turizmin në pesë vitet  e fundit (2018-2022) ka qenë më pak se 0.01% e PBB-së dhe më pak se një 0.1% e buxhetit të përgjithshëm të qeverisë.  Të tilla mospërputhje minojnë realizimin e objektivave strategjikë në turizëm dhe respektimin e detyrimeve të ndërmarra në konventat ndërkombëtare.
Një sprovë serioze për një strategji të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm e ka përbërë nisma e viteve 2003-2004 e të ndjerit Ministër të Turizmit, Bashkim Fino. Në fund të vitit 2005, nga qeveria Berisha u hartua një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e turizmit kulturor dhe atij me bazë natyrën, si përpjekja e parë serioze për ta shtrirë aktivitetin turistik gjatë gjithë vitit. Në vitin 2007 u miratua një ligj modern dhe tërësor për zhvillimin me përparësi të turizmit.
Megjithatë, starti i mirë nuk prodhoi ndryshimin e shpresuar. Në vitet që pasuan, nuk arritëm të korrnim frytet e objektivave strategjikë që i vumë vetes, për një turizëm të qëndrueshëm, me diversitet të lartë dhe të shtrirë gjatë gjithë vitit.
Për fat të keq, politikat e zhvillimit të turizmit kanë hyrë në simbiozë me korrupsionin galopant në nivel qeveritar. Këtë e dëshmojnë aferat e denoncuara në media për dhënien në përdorim klientëve të qeverisë të tokave në Bregun e Detit në Jug, në shkelje flagrante të të drejtave të ligjshme të fshatarëve të Bregut, apo të pasurive kombëtare me rëndësi të lartë strategjike, si: portet e Durrësit dhe Vlorës, në mungesë të plotë të planeve të investimit dhe bashkëpunimit me pushtetin vendor.
Problem madhor i turizmit sot është korrupsioni, grabitja qeveritare e tokës përmes Ligjit 20/2020, klientelizmi dhe korrupsioni në dhënien  e titullit Investitor Strategjik për klientët dhe oligarkët e qeverisë.
Nuk po u sigurojmë operatorëve turistikë kushtet e duhura të punës dhe mbështetjen që kolegët e tyre gëzojnë në rajon. Shqipëria e sotme turistike është realiteti i operatorëve turistikë që me qindra kanë kaluar sipërmarrjet e tyre në status pasiv, në pamundësi për të paguar taksat vendore, të cilëve u është larguar stafi profesional i trajnuar për vite me rradhë, ndërkohë kur operatorët dhe njësitë hoteliere turistike, punonjësit e tyre  në veçanti, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi merrnin dhe marrin një mbështetje direkte në nivel të qindra eurove në muaj gjatë pandemisë.
Mungesa e besimit dhe e kulturës së partneritetit midis veprimtarëve në turizëm dhe mekanizmat e dobëta institucionalë të specializuar në zhvillimin e menaxhimin e turizmit, kanë sjellë mungesën totale të mbështetjes ndaj turizmit, sektorit bazë dhe me shumë perspektivë të ekonomisë sonë.
Ministria e Turizmit është lënë e vetme dhe pa përkrahje nga strukturat e tjera përgjegjëse shtetërore. Asnjëherë nuk janë adresuar zgjidhje tërësore:
      i.            për të drejtat e pronës në zonat turistike;
      ii.            përballja me ndërtimet pa leje jo në formën e prishjes së tyre gjatë muajve intensivë turistikë të verës;
    iii.            përballja me informalitetin e gjerë dhe mungesën e standardeve në ofrimin e shërbimeve jo në formë aksioni me valë tatimorësh nëpër plazhe,  apo për
    iv.            mungesën e stafit të kualifikuar;
     v.            mbulimin e kufizuar dhe cilësinë e dobët te shërbimeve publike të ofruara, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve dhe të infrastrukturës përkatëse.
Marka të tilla si ‘Shqipëria, një dashuri e re mesdhetare’ dhe ‘Shqipëria, e jotja për t’u zbuluar’, nga njëra anë, edhe pse tërhoqën disi vëmendjen, nga ana tjetër, theksuan më tej mangësitë që rrjedhin nga strategji jo të plota dhe të pazbatuara, nga dobësi strukturore dhe dështime të politikave sektoriale.
Për turizmin, qeverisja e sotme ka hartuar strategji të shumta, në nivel kombëtar dhe vendor, të cilat kanë rezultuar, për fat të keq, të pasuksesshme në terma operacionalë. Ambicia për të zhvilluar turizmin, e shprehur në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, ngeli vetëm në letër.
Në nivel sektorial, pavarësisht përpjekjeve pozitive të ish-Ministrit të mëparshëm të Turizmit, z. Blendi Klosi, Strategjia Kombëtare për Turizmin 2014-2020, për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria, nuk arriti të realizonte objektivate saj.
Ajo u zëvendësua me një tjetër strategji për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm 2018-2022, e cila ka dështuar tërësisht, duke mos ofruar në plan-veprimin e saj asnjë paketë reale për zhvillimin e turizmit dhe duke mos angazhuar fonde konkrete.
Përjashtim bën nisma me vlerë e “100 fshatrave turistikë”, e cila, për fat të keq nuk gjeti vazhdimësi, koherencë dhe zhvillim të njëtrajtshëm në kohë, por u braktis dhe u denigrua deri në ditët e fundit, në formën e aferës-skandal të denoncuar në media të tenderit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me objekt “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menynë e 100 Fshatrave”. Shkeljet në këtë rast janë të vërtetuara katërçipërisht nga çfarë mediat shkruajnë. Nuk duhet ta braktisim Ministrinë e Turizmit në misionin e saj, por të koordinohemi intensivisht, si Kuvend, qeveri, biznesi, shoqëri civile dhe media, për ta ndihmuar në programin e saj për një turizëm të qëndrueshëm, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjendjes së kaosit mes strategjive të turizmit  2014-2022, për të operacionalizuar dhe përbrendësuar strategjitë në plan-veprime konkrete.
Sot jemi përpara sfidave reale në turizëm, të tilla si:
1.      Rritja e kontributit të turizmit në vlerën e shtuar bruto;
2.      Promovimi i një oferte turistike të balancuar;
3.      Rritja e punësimit në sektorin e turizmit;
4.      Përmirësimi i standardeve të shërbimeve turistike dhe ulja e pabarazive ne zhvillimin e zonave turistike;
5.      Rritja e investimeve publike në sektorin e turizmit; dhe
6.      Sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të turistëve.
Mjafton tëmarrim një shembull konkret. Nga fondet e Garancive Sovrane 1 dhe 2 të vitit 2020 prej 11 miliardë lekë (91 milionë euro) dhe 15 miliardë lekë(124 milionë euro), janë përdorur vetëm 36 përqind e tyre. Pjesa tjetër prej 15.7 miliardë lekësh ose 130 milionë euro mund t’i dedikohen njëprogrami shteteror qëndërton nisma dhe plane konkrete dhe të realizueshme për resortet turitike, bazuar në asetet dhe burimet vendore, si dhe duke identifikuar objektivat kryesorë të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, të promovuara nga Organizata Botërore e Turizmit, të tilla si:
(I)                Zhvillimin e produkteve turistike dhe diversifikimin e tyre;
(II)              Zhvillimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;
(III)           Marketimin dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithëvjetor, mbi bazëjo vetëm të turizmit të rërës dhe të detit, por edhe atij kulturor dhe natyror;
(IV)          Nxitjen e investimeve private dhe publike; dhe
(V)             Përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe menaxhimin e destinacioneve turistike.
Detyrimet që rrjedhin nga  Konventa Kuadër për Etikën në Turizëm janëtëdomosdoshme në realizimin e 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 të OKB, objektiva për të cilat në vendin tonë nga Qeveria jonë punohet pak, jo shumë pak. Ne duhet të jemi zbatues të përgjegjshëm të Konventës Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollit opsional të saj, sepse kështu kontribuojmë për një turizëm të qëndrueshëm, të shtrirë në kohë përgjatë gjithë vitit dhe në hapësirë kudo në vend, në të gjitha llojet e turizmi!

Botuar në Gazeta Sot më 21 Shkurt 2022​