Nevoja jetike për monitorimin e reformës në drejtësi

Nga Bujar Leskaj
Për reformën në drejtësi ka fjalime, raporte, retorike konsumi, por mungojnë analizat e thelluara strukturore, raporte serioze bilanci të punës, si dhe një debat konstruktiv me pjesëmarrjen e grupeve të interesit. Ky përcaktim është huajtur nga vrojtimi i Institutit të Studimeve Politike(ISP), një OJF prestigjioze në fushën e mendimit politik në Shqipëri, me titull : “Dokument debati. 5 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi: arritje, probleme dhe sfida prioritare”, i datës 22 korrik 2021. Si vrojtimi dhe analiza e vitit 2021 e Qendrës për Studime Ligjore dhe Territoriale (ALTRI- një institucion serioz i shoqërisë civile), e mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer, me titull “Efiçienca e Institucioneve të reja të sistemit të Drejtësisë”, realizojnë një bilanc të qartë të këtyre pesë viteve reformë në drejtësi 2016-2021. Pavarësisht problematikave gjatë implementimit, kostove financiare, njerëzore dhe institucionale, reforma në drejtësi mbetet zhvillim pozitiv i dekadës së fundit në Shqipëri, kryesisht falë mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare. Besimi publik tek SPAK është besimi më i lartë tek një institucion publik tek ne. Vala e denoncimeve të vazhdueshme në SPAK apo në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm nga opozita por edhe nga organizata të shoqërisë civile, është tregues i pritshmërive, por edhe i besimit ndaj organeve të drejtësisë së re. Tani, në vitin 2022, më në fund kemi Gjykatën Kushtetuese vepruese, Gjykatën e Lartë funksionale, Prokuror të Përgjithshëm të pranuar gjerësisht dhe SPAK me mbështetje maksimale. Kemi Inspektor të Lartë të Drejtësisë(ILD) veprues, Këshill të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshill të Lartë të Prokurorisë(K LP) që po përpiqen të reflektojnë maturi, si dhe Shkollë të Magjistraturës funksionale. Faza e parë e konkretizimit të Reformës përkon me miratimin e ndryshimeve kushtetuese më 21 korrik 2016, ku nga 26 nene të Kushtetutës që i përkisnin sistemit të drejtësisë, reforma ndryshoi 21 prej tyre dhe shtoi 23 dispozita të reja. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u pasua me miratimin e paketës me 7 ligjet organike, ku spikati ligji nr. 84/2016 “Për ri-vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në qershor të vitit 2017, u emëruan 27 anëtarët e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (formuan Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit(KPA) si dhe Komisionerët Publikë). Në dhjetor të vitit 2018, filluan punën Këshilli i Lartë Gjyqësor, organi më i rëndësishëm i drejtësisë së re për qeverisjen e gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, struktura vetëqeverisëse e prokurorisë. Këto institucione, së bashku me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe SPAK do ta drejtojnë këtej e tutje sistemin e drejtësisë. Për sa i përket treguesve të performancës, le të japim një shifër të thjeshtë, por tregues kuptimplotë i efiçiencës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), numrin e vendimeve të dhëna nga një gjyqtar i tij. Siç e konfirmoi sot Ministri i Drejtësisë, janë 500 vendime në këto katër vjet. Nëse i pjesëtojmë me katër, bëjnë 125 vendime në vit. Ndarë në katër trupa gjykuese te KPK, janë 31 vendime për trupë gjykuese. Nëse i pjesëtojmë këto vendime për 12 muaj të vitit, bëhen 2.6 vendime në muaj. Nisur nga fakti që një trupë gjykuese ka tre anëtarë, i bie 0.83 vendime për gjyqtar në muaj. Shifër kjo shumë e ulët. Në dijeninë time, gjyqtarët evropianë japin 20-24 vendime në muaj, ndërsa gjyqtarët shqiptare japin 40-50 vendime në muaj. Pra, shifra është shumë e ulët. Për më tepër, 24 për qind e vendimeve të KPK janë ankimuar nga komisionerët publikë. Shumë pak për efiçiencën e një institucioni si KPK, në një kohë kur pritshmëritë ishin dhe janë tejet të mëdha! Kjo dëshmon për një efiçiencë të dobët të kësaj strukture. Aq me shumë që ri-vlerësimi u përqendrua prej KPK vetëm në kriterin e pasurisë.  Nga mediat vijnë sinjale shqetësuese për natyrën hermetike të KPK, duke refuzuar të bëjë transparencë lidhur me sponsorizuesin e një aktiviteti të tij në shtator 2021. Në përfundim të afatit kushtetues pesëvjeçar të funksionimit të KPK në korrik 2022, parashikohet se do të mbeten edhe një e treta ose afërsisht 300 gjyqtarë dhe prokurorë për t’u ri-vlerësuar. Nëse KPK pushon së vepruari pas korrikut 2022, nuk është e vërtetë që procesi i vetingut ngelet në gjysmë të rrugës. Ai mund të vazhdojë normalisht me institucionet e KLGJ, KLP dhe me SPAK në rolin e komisionerit publik. Ndërkohë, është e domosdoshme të sigurohet me ligj të veçantë mbështetja e mëtejshme e ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit(ONM) për KLGJ dhe KLP. Sikurse e parashikon Kushtetuta, ky proces mund të funksionojë. ONM, kjo strukturë me ekspertë të huaj i ka dhënë procesit të vetingut, si kusht i pazëvendësueshëm “Sine qua non” për reformën në drejtësi, integritetin, profesionalizmin, paanshmërinë dhe transparencën e domosdoshme, që ky proces të besohet nga qytetarët dhe të ketë suksesin që ka pasur deri tani, me gjithë vonesat e jashtëzakonshme dhe mungesën e efiçiencës. Prandaj dhe ONM duhet të atashohet me ligj pranë KLGJ dhe KLP. Ky është i vetmi ndryshim kushtetues që ne duhet të bëjmë! Edhe pse puna e KLGJ dhe KLP nuk është se ka qenë në perfeksion, këto institucione mbeten thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë. Sot është koha më shumë se kurrë që të forcojmë SPAK dhe të plotësojmë mungesat që ai ka në prokurorë, të rifreskojmë KLGJ dhe KLP sipas ligjit, si dhe të plotësojmë vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.   Ngritja në shkurt 2020 e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë(ILD) përmbylli skemën e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të krijuara në kuadër të Reformës në Drejtësi. ILD, në më pak se dy vjet funksionim, ka grumbulluar dhe trajtuar një numër të konsiderueshëm ankesash të ardhura nga burime të ndryshme, për shkelje të pretenduara të kryera nga ana e magjistratëve.   Shkolla e Magjistraturës përfaqëson një institucion themelor për t’iu përgjigjur nevojave të ngutshme për rritje të kapaciteteve në burime njerëzore në sistemin e drejtësisë. Sipas ALTRI, për vitin 2020, janë caktuar në detyrë 34 magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, ndërkohë që numri i kuotave në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021 u rrit, duke u plotësuar me 40 kandidatë për magjistratë në “profilin gjyqtar”, dhe 25 kandidatë në “profilin këshilltar dhe ndihmës ligjor”. Shoqëria civile është përpjekur të luajë një rol aktiv si gjatë procesit të hartimit të paketës së akteve të reformës në drejtësi, po ashtu edhe gjatë monitorimit të zbatimit të kësaj reforme, pavarësisht se një pjesë e saj është totalisht e komprometuar nga sekti në pushtet. Gjykoj se Kushtetuta nuk është një ligj i zakonshëm që në një moment të caktuar të amendohet për të siguruar vijimësinë e një strukture si KPK, kur për më tepër, kjo strukturë nuk ka treguar efiçiencën e duhur gjatë afatit kushtetues. Zgjatja e afatit të KPK, e propozuar nga shumica qeverisëse dhe e miratuar në Kuvend, cenoi afatin kushtetues të KPK dhe do të mbetet si devijim nga LEGJITIMITETI i reformës në drejtësi. Kushtetuta dhe ndryshimet e saj në vitin 2016 kanë parashikuar fare mirë vijimësinë e procesit të reformës në drejtësi. Gjykoj se KLGJ dhe KLP mund ta kryejnë të plotë rolin dhe funksionin që ka sot KPK, me SPAK në pozicionin e komisionerit publik dhe me ONM që të vijojë të jetë pjesë e vendim-marrjes, sikurse ka qenë deri tani. Theksoj se gjithë mbështetja deri në fund e procesit nga ONM mund të kristalizohet me një ligj të veçantë, pa qenë nevoja të amendohet sërish Kushtetuta, ose, në kërkohet medoemos, le të kryhet ky amendim, por vetëm për ONM. Dua ta mbyll këtë shkrim, duke sjellë sfidat kryesore për reformën në drejtësi, sipas analizës brilante të bërë nga ISP: 1. Dhënia e drejtësisë. Në 5 vite e gjysmë është folur pafund për reformën në drejtësi dhe institucionet e reja të saj, por qytetarët presin të shohin drejtësi në gjykata dhe prokurori. Ka vonesa të jashtëzakonshme në trajtimin e çështjeve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërkohë që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Efiçienca e dhënies së drejtësisë po vihet seriozisht në pikëpyetje nga harta e re gjyqësore. Projekti i ri-organizimin të gjyqësorit, ku nga 36 Gjykata të Shkallës së Parë ngelen 16, nga 6 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë ngelen 2 dhe nga 6 Gjykata Apeli në gjithë Shqipërinë ngelet vetëm një, në Tiranë, do të përbënte ndoshta goditjen më të madhe që i bëhet reformës në drejtësi, nëse pranohet ky projekt. Ai do të sjellë dështimin e reformës më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare sot, të realizuar pikërisht nga ata që hiqen si mbrojtësit e saj! Harta Gjyqësore nuk mund të jetë kurrsesi hartë krize për emërimet aktuale në drejtësi, por hartë e shanseve dhe të drejtave qytetare për drejtësi. Për këtë, gjykatat e apelit duhet të jenë të paktën në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë 2. Integriteti e drejtësisë. Sistemi i ri nuk mund të lejohet të imitojë sistemin e vjetër dhe as të jetë vijues e produkt i tij. Nevojiten prova reale se premtimet për integritet dhe fund te pandëshkueshmërisë do të respektohen. 3. Legjitimiteti i drejtësisë. Procesi i zgjedhjes, emërimit, promovimit periodik ose fillestar në organet e qeverisjes së drejtësisë dhe në vetë sistemin gjyqësor e prokurori, meriton ndryshim të thellë cilësor, më shumë konkurrencë, më shumë cilësi kandidatësh, më shumë transparencë, më shumë meritokraci dhe më shumë llogaridhënie. Organet e drejtësisë së re duhet të kenë legjitimitet të plotë kushtetues, me 100 për qind anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, KLGJ, KLP, KPA, etj. Për shembull, si do të plotësohen dy vendet vakante në KPA, pasi nga 7 anëtarë janë pesë? Për këtë, duhet të ketë sistem të verifikimeve periodike dhe duhet që çdo zgjedhje dhe emërim të bëhet brenda afatit ligjor dhe kushtetues. 4. Kultura e drejtësisë. Reforma nuk mund të ketë sukses afatgjatë nëse nuk ndikon dhe ndryshon kulturën institucionale, politike dhe qytetare ndaj konceptit të drejtësisë. 5. Shumë institucione pak përgjegjësi. Një nga risitë e reformës në drejtësi ishte krijimi i 10 institucioneve, secili i pavarur në të drejta, përgjegjësi, organikë dhe buxhet. Kjo risi sot rrezikon të bëhet problemi i ri i reformës, pasi organet kolektive nuk mbajnë asnjëherë përgjegjësi. Prania e shumë institucioneve nënkupton shpërndarje të përgjegjësive dhe alibi për çdo dështim. 6. Fundi i periudhës transitore. Në korrik 2022 përfundon mandati i organeve të vetingut, Ndryshimi i Kushtetutës për shtimin e mandatit kushtetues të KPK, solli precedentin që mund të ndryshojmë datat e afatet, sa herë kemi një dështim në rezultate. Ky ndryshim mund të duket zgjidhje e sforcuar për momentin, por në thelb mbetet devijim nga legjitimiteti dhe, në këtë formë, edhe kërcënim për të sotmen dhe të ardhmen e reformës në drejtësi. 7. SPAK si zgjidhje apo si zgjedhje? Çdo sondazh tregon se pritshmëritë ndaj SPAK janë maksimale. Të gjithë që kanë një problem apo denoncim shkojnë në SPAK, apelojnë SPAK dhe presin nga SPAK. Ideja e reformës ishte që SPAK do të merrej me dosjet VIP, me botën e krimit të organizuar dhe politikës, por aktet e tij ndërvaren nga BKH dhe nga struktura të tjera, përfshirë Policia e Shtetit, bashkëpunimi ndërkombëtar, shërbimet sekrete, etj. Mbështetja ndaj SPAK duhet të vijojë nga të gjithë Ne, faktorët e politikës dhe të shoqërisë, por jo për t’u dhënë mend dhe për t’i mësuar çfarë të bëjnë prokurorëve të tij, pse ata janë profesionistë dhe kurajozë, por SPAK dhe BKH duhet të mbështeten me logjistikë, burime njerëzore dhe burime të shumta financiare. Për të pasur drejtësi, SPAK nuk duhet të jetë zgjidhja, por një prej zgjedhjeve. Reforma duhet të forcojë Gjykatën Administrative dhe të Apelit, si edhe të reformojë Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese. 8. Reforma nuk mund të dështojë. Duke qenë investimi më i madh perëndimor për Shqipërinë në vitet e fundit, reforma në drejtësi, si model eksperimental, nuk mund të dështojë. Nëse pamundësohen ose vonohen ndryshimi pozitiv dhe rezultatet e drejtësisë së re, atëherë reforma mund të krijojë një koalicion informal partish dhe rrjetesh klienteliste kundër saj, duke tentuar ta bllokojnë, ta denigrojnë dhe kështu, ta pamundësojnë. Duke e kuptuar si duhet këtë mesazh, institucionet tona, sidomos partitë, Kuvendi, qeveria, mediat dhe shoqëria civile e përfshirë, duhet të heqin dorë nga trajtimi i reformës si “gjë e huaj“. Kemi nevojë parësore ta trajtojmë reformën në drejtësi me seriozitetin më të madh, si sfidën tonë, nevojën tonë, prioritetin tonë, rrugëzgjidhjen tonë drejt një standardi më të lartë të shtetit të së drejtës. 10. Nevoja jetike për monitorimin e reformës. Ka një paradoks: të gjithë flasin për reformën në drejtësi, të gjithë duket se dinë gjithçka për të, të gjithë duket se e monitorojnë atë. Në të vërtetë, gjatë 5 viteve të fundit ka shumë pak studime profesionale për të! Ka debate në media, ka diskutime politike si këto të sotmet në Kuvend, që shikojnë fasadën, sipërfaqen, vetëm ekspozimin politik, por jo analizën e thellë dhe të paanshme të arritjeve dhe mosarritjeve të reformës, me qëllim që ajo të përmirësohet në rrugën e saj dhe të ketë sukses. Nuk ka debate serioze juridike, me pjesëmarrjen e grupeve të interesit në to (avokatë, noterë, gjyqtarë, prokurorë, etj). Reforma në drejtësi meriton vëmendje, monitorim, analizim, reflektim, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie. Një fakt i thjeshtë që flet shumë: një KPK që refuzon kërkesën e mediave për të bërë publik emrin e sponsorit të analizës së saj vjetore në një resort turistik luksoz në Vlorë nuk e zotëron kulturën e drejtësisë, të transparencës dhe të llogaridhënies. Reforma në drejtësi meriton po ashtu një rol më aktiv të fakulteteve të drejtësisë, përfshirje më të madhe të shoqërisë civile, pjesëmarrje më aktive të ekspertëve dhe analiza e raporte më profesionale nga vetë institucionet e drejtësisë.

Botuar në Gazeta Sot më 14 Shkurt 2022​