KPP dhe “gangrena” e prokurimeve publike

SIGMA-OECD, ne raportin e saj për “Reformat e mirëqeverisjes dhe Administrimit Publik” për vitin 2021, ka vlerësuar se performanca e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është përmirësuar , duke përmendur një sistem te ri te apelimit elektronik dhe uljen e kohëzgjatjes mesatare të procedurave të shqyrtimit të ankesave, kohë e cila vetëm 3-4 vite më parë përbënte një handikap të ndjeshëm dhe problematikë të mprehtë në punën e Komisionit.
Megjithatë, KPP i mbetet akoma shumë për të bërë, në lidhje me transparencën e veprimtarisë së tij në publik, realizimit të interesit publik, mbrojtjes së të drejtave të operatorëve ekonomikë dhe zbatimit të legjislacionit përkatës për prokurimet, nga ana e autoriteteve kontraktore.
KPP duhet të forcojë punën e tij në informimin dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë për rolin dhe funksionet e Komisionit të Prokurimit Publik, duke e kthyer në më eficient përdorimin e institutit të ankimimit në Komisionin e Prokurimit Publik dhe duke ndikuar kështu në rritjen e besimit të publikut në sistemin e prokurimit. Megjithë perfomancën e mirë të KPP, të vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare, ky institucion ndodhet përballë problematikave të mprehta në fushën e prokurimeve publike, të tilla si:
I. Prokurimet defektoze ushqejnë anti-kulturën e pandëshkueshmërisë tek ne
Sistemi i prokurimeve publike vijon të ketë devijime të rënda nga kuadri legjislativ përkatës. Këto devijime, edhe pse janë konstatuar, nuk janë adresuar asnjëherë në rrugën e duhur për zgjidhje, duke kërkuar edhe rregullimet e përmirësimet përkatëse ligjore. Shkeljet e rënda në procesin e prokurimeve publike janë vërtetuar jo vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese të monitorimit dhe kontrollit, por edhe nga raportet e Departamentit Amerikan te Shtetit, te Bashkimit Evropian, të FMN dhe të Bankës Botërore. Në Raportin e DASH për klimën e investimeve, publikuar ne korrik 2021(https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/albania/), theksohet se korrupsioni në prokurime është i zakonshëm. DASH e përmend projektet e partneritetit publik privat (PPP), që cilësohen problematike, pa një analizë të qartë kosto-përfitime dhe që kanë ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë edhe investitorët e huaj. Këto shkelje të rënda në prokurimet tona publike, të denoncuara dhe vërtetuara nga institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë, duke mos u adresuar në kohë dhe me përgjegjësinë e duhur, po ushqejnë përditë e më shumë anti-kulturën e pandëshkueshmërisë të zyrtarit të lartë që realizon deformimin e prokurimit publik. Situata paraqitet tejet shqetësuese edhe gjatë gjithë vitit 2021. Autoritetet kontraktuese publike kanë kryer 17,400 procedura të pa-anuluara tenderimi, me një fond limit mbi 147 miliardë lekë pa TVSH, ose mbi 1.2 miliardë euro. Prej këtij fondi, mbi 24 miliardë lekë, ose 16.4 përqind, janë tenderuar përmes Procedurave të Kufizuara ose Negocimit pa Shpallje. Të dyja këto procedura kufizojnë konkurrencën mes operatorëve dhe nuk lejojnë zhvillimin e garës së hapur, duke lënë vend për dyshime të arsyeshme për korrupsion. Për vitin 2021, autoritetet kontraktuese kanë kryer 137 tendera me procedurë të kufizuar për Rindërtimin, me vlerë totale të fondit limit mbi 19 miliardë lekë pa TVSH, ose mbi 158 milionë euro. Këto kontrata me procedurë të kufizuar, zënë 13.1 përqind të fondit limit total. Vazhdon praktika e tenderave sekretë, e evidentuar dhe kritikuar edhe nga Gjykata Evropiane e Audituesve(ECA), gjatë një auditimi të përbashkët me KLSH në vitin 2019.
Në janar 2022, ECA publikoi raportin e auditimit me temë “Mbështetja e Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor: megjithë përpjekjet, problemet thelbësore ngelen”. Në raportin e saj, ECA thekson se “Në Shqipëri, Agjencia e Prokurimit Publik raporton se numri i procedurave me negocim pa publikim paraprak ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, përfaqësuesit e biznesit dhe gazetarët e intervistuar thanë se korrupsioni në prokurimet publike është i përhapur, me tregues të qartë të kapjes së shtetit; procedurave shpesh u mungon konkurrenca efektive, çmimet e ofertave për punët publike janë të fryra dhe prokurimit për marrëveshjet koncensionare i mungon transparenca”(Faqja 13, paragrafi 2 i Raportit. https://www.eca.europa.eu/Lists/ECADocuments/SR22_01/SR_ROL-Balkans_EN.pdf ). Gjykata Evropiane e Audituesve cilëson se vendosja e kritereve diskriminuese dhe subjektiviste në prokurimet publike e dëmton rëndë procesin dhe e çon atë drejt klientelizmit të pastër. Nuk është e rastësishme që në tenderat e rrugëve, sidomos gjatë këtyre 4-5 viteve të fundit, mungojnë kompanitë e huaja me emër, amerikane apo nga vende të Bashkimit Evropian, të cilat janë të pranishme gjithnjë në garat për punë publike, shpeshherë edhe me vlera më të ulta nga prokurimet tona, në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Mungesa e pranisë se tyre në Shqipëri është sa dëshmi e imazhit negativ dhe mungesës së besueshmërisë ndaj transparencës dhe ruajtjes së parimeve të garës së hapur në prokurimet tona publike, aq edhe një akt-akuzë e fortë për kapjen e shtetit dhe paracaktimin e fituesit në tenderat e shtetit tonë.
II. Tenderat abuzivë të rrugëve, “kryevepra” korruptive e sektit Rama!
Janë të panumërta denoncimet në media të shkeljeve të ARRSH-së në tenderat për ndërtimin e rrugëve, si ai i Tunelit të Llogorasë, i tenderuar tri herë, ku firma shqiptare me përvojë dhe kapacitete dha një ofertë 30 milionë euro më të ulët, ndërkohë që fitoi një konsorcium i huaj nga një shtet evropian jo anëtar i BE-së, i cili zgjodhi si partner nënkontraktor pikërisht firmën shqiptare me ofertën më të ulët! Janë abuzivë tenderi për Mbikalimin në TEG, ku firma fituese dha një ofertë 6 milionë euro më të shtrenjtë, tenderi për Rrugën Maliq-Strelcë, ku doli fituese oferta 1 milionë euro më e lartë, tenderi për Rindërtimin e Rrugës së Porto-Romanos, duke refuzuar të tri ofertat më të ulta, pa respektuar kriteret përzgjedhëse, tenderi 12 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në Jug të vendit, për të ardhur tek skandali i fundit me tenderat e rrugëve, ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ku punë të kontraktuara që në vitet 2007-2008 me vlerë 50-60 milionë euro përfundojnë në vitin 2022 me vlerë 108 milionë euro! Ndërtimin e një rruge vetëm 31 km të gjatë, ju e zvarritët për nëntë vite rresht gjatë pushtetit tuaj. Kalvari i saj ka kaluar përmes tenderave tuaj, ku skualifikohen operatorët ekonomikë që paraqesin oferta më të ulta. Në janar 2020, KLSH kallëzoi penalisht ish-drejtoreshën tuaj të përgjithshme të rrugëve dhe ish-ministren tuaj, pasi ARSH në korrik 2019, në tenderin e zhvilluar për lotin 7 të rrugës, skualifikoi, në shkelje të hapur të ligjit të prokurimeve publike, një kompani që i plotësonte kriteret kualifikuese dhe që kishte dhënë ofertë më të ulët, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit miliona lekë dëm ekonomik. Ju zbatuat, edhe për këtë rrugë të rëndësishme, si kudo në prokurimet tuaja, standarde të dyfishta, duke rritur kostot dhe tejkaluar fondin fillestar limit për ndërtimin e saj, në nivele dhjetëra milionë euro. Në total, nëse, gjatë drejtimit të vendit nga Prof. Dr. Sali Berisha, rrugët kushtonin mesatarisht(duke marrë në konsideratë të gjitha parametrat e vështirësive të rrugëve dhe numrit të veprave të artit në to) 950 mijë euro për kilometër, ju mesatarisht në këto nëntë vite të pushtetit tuaj keni kontraktuar 1 km rrugë të parametrave të ngjashme katër herë më shtrenjtë! “Kryevepra” e zezë e abuzimit dhe e korrupsionit të sektit në qeverisje janë pikërisht rrugët e ndërtuara nga ARSH dhe FSHZH! Pothuajse të gjitha tenderat e Autoritetit të Rrugëve apo Fondit Shqiptar të Zhvillimit karakterizohen nga përqendrim fondesh në pak biznese ndërtimi, klientë dhe favorite të qeverisë. Këto prokurime dallohen nga skualifikime të operatorëve që ofrojnë vlera më të ulëta, duke lënë fituese oferta të larta dhe shumë pranë fondit limit. I tillë ishte rasti i në tenderit 8.5 mln USD për rindërtimin e Spitallës, ku FSHZH shpalli fituese ofertën me vlerë 400.000 USD më të lartë. Komisioni i Prokurimit Publik, edhe pse ka kryer një punë të mirë gjatë dy viteve të fundit, të vlerësuar nga ndërkombëtarët, ka për detyrë parësorë të shqyrtojë me shumë seriozitet dhe të reagoje thellë ndaj problematikave të sotme të mprehta të prokurimeve publike, të konstatuara jo vetëm nga institucionet e pavarura të kontrollit dhe monitorimit, por edhe nga raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, të Komisionit Evropian, FMN dhe Bankës Botërore, duke dalë me rekomandime konkrete për përmirësimin e punës së tij dhe të situatës së prokurimeve publike në Shqipëri. Këto rekomandime duhet që Komisioni me kurajo t’i bëjë publike dhe të dialogojë me partnerët tanë strategjikë dhe institucionet ndërkombëtare që na mbështesin, për të sjellë propozime eficiente për përmirësimin e legjislacionit dhe punës kontrolluese e monitoruese mbi prokurimet publike.

Botuar në Gazeta Sot më dt. 13.07.2022