Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Në një kohë kur qytetarët dhe biznesi me të drejtë kërkojnë lehtësira fiskale për të përballur inflacionin galopant që që mbërthyer vendin, në një kohë kur të gjitha shtetet rrotull nesh realizojnë përjashtime fiskale, ulje të taksave, sidomos të nivelit të TVSH-së mbi produkte jetike për popullatën dhe biznesin. sekti në pushtet bën publik disa propozime të paketës fiskale 2023, duke mos e përfshirë qëllimisht paketën në diskutimet e nisura në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023.
Duket se sekti po taton reagimin popullor dhe të biznesit, për të vendosur sa do ta forcojë “kërbaçin” e gjobave të rritura.
Biznesi, i shokuar nga nisma për dhjetëfishim gjobe!
Një nga këto propozime, që ka sjelle reagimin e menjëhershëm shqetësues dhe gati të shokuar, të shoqatave të konsoliduara të biznesit, është dhjetëfishimi i gjobës ndaj bizneseve të mëdha(të rregjistruara si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe TVSH), nëse ato për herë të dytë nuk lëshojnë faturë për mallrat dhe shërbimet që blejnë dhe shesin.
Gjoba për to shkon 1.500.000 lekë dhe përbën gjobën më të lartë fiskale që është parashikuar ndonjëherë për bizneset, në historinë e pas tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe nënpagim të tyre në listëpagesat.
Biznesi shprehet se kriza e çmimeve e ka vënë sipërmarrjen përballë sfidave të mëdha. Industritë prodhuese po përballen me kosto që shkojnë mbi 50 përqind të çmimeve të mëparshme. Sipërmarrja ndihet e befasuar me një paketë fiskale që i vjen si thikë pas shpine, ndërkohë që ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale, sidomos në ndihmë të biznesit prodhues. Paketa fiskale jo vetëm që nuk ndihmon, por është e fokusuar në shumëfishimin e penaliteteve e gjobave. Shumëfishimi i gjobave është i pakuptimtë. Në asnjë shtet në kohë krize, nuk aplikohen gjoba që janë 10-fish në dëm të sipërmarrjes. Madje as në periudha të një rritjeje të fuqishme ekonomike. Shoqatat e biznesit kërkojnë me një zë që qeveria të ndërmarrë një paketë të strukturuar, duke u përqendruar në mbështetjen direkte ndaj industrive prodhuese dhe biznesit në tërësi. Kërkojnë të ketë ulje të ngarkesës fiskale.
“Reforma” fiskale e ndëshkimeve shumëfish: një nonsens
“Reforma” e ndëshkimeve, e nënkuptuar nga informacionet e deritanishme të bëra publike nga paketa fiskale 2023, kërkon të ligjërohet me argumentin se ashpërsimi i gjobave synon parandalimin e evazionit fiskal. Gjoja, synon nxitjen e “frikësimit” të tatimpaguesit për një rritje të nivelit të pajtueshmërisë tatimore. Kjo taktikë mund të jepte efekt, nëse do të kryheshin disa veprime të domozdoshme paraprake, të tilla si (i) analiza e administrimit të tatimeve, ku duhet konkluduar çfarë nuk funksionon me modelin aktual të pajtueshmërisë vullnetare dhe (ii) gjetja e mospërputhjeve dhe gabimeve me strategjinë e administrimit tatimor në tërësi. Pasi kryhet analiza, ajo orienton edhe logjikën e qasjes dhe fokusit strategjik në politikën fiskale. Gjobat duhen reformuar si funksion plotësues i një politike për nxitje të pajtueshmërisë vullnetare dhe jo si shkop që valëvitet, nëpërmjet forcës së shtuar.
Një qasje e bazuar në ndëshkime të rënda ndaj gabimeve të sipërmarrjes me pajtueshmërinë tatimore nuk do të funksionojë kurrë, për shkak të kostove relativisht të larta administrative të qasjes, si dhe paaftësisë së administratës sonë tatimore për të zbatuar ndëshkimet me drejtësi dhe në mënyrë uniforme, pa përzgjedhje dhe diferencim politik.
Një sistem gjobash tatimore që promovon trëmbjen e tatimpaguesve, duke mos u matur me logjikën e duhur të pajtueshmërisë tatimore, sikure në fakt po zbatohet prej shumë vitesh nga sekti në fuqi(tani rrezikon të jetë “trëmbje” e shumëfishuar), është i pakuptimtë.
Pse Rama u tregon dhëmbët bizneseve?
Por çfarë nënkuptojnë këto gjoba të rritura? Rritja disa herë e gjobave tatimore për lloje të ndryshme kundravajtjesh tatimore përbën shqetësim kryesor publik. Jemi në një kohë që paketa fiskale duhej të shërbente si një bazë diskutimesh dhe propozimesh, jo vetëm për gjobat dhe sanksionet, por për të ulur taksa si TVSH dhe akciza nga produkte tejet sensitive për nivelin e jetesës të mbi 627 mijë qytetarëve të llogaritur nga INSTAT, me të ardhura nën kufirin e varfërisë ose me të ardhura të pakta.
Paketa fiskale duhej të pasqyronte të gjithë kërkesave dhe nevojat e biznesit dhe individëve tatimpagues, lidhur me thjeshtimin e sistemit tatimor dhe eliminimin e ndërhyrjeve të shpeshta në ligjet tatimore, të cilat çorientojnë biznesin dhe rrisin stokun e kundravajtjeve dhe dhjetëra mijëra gjobave nga mosnjohja e ndryshimeve të reja fiskale prej operatorëve ekonomikë.
Sekti Rama trumbeton se gjobat e rritura me herë do të rrisin disiplinën fiskale dhe shmangin evazionin, mirëpo në kushtet e një sistemi tatimor të dobët dhe një patronazhi politik të fortë në të gjitha hallkat e strukturës fiskale, morali i një politike tatimore mbetet i shkëputur si instrument dhe kthehet në të kundërtën e tij.
Zgjedhjet vendore po afrohen dhe Rama kërkon të trembë bizneset e mëdha me gjobat e dhjetëfishuara, që këto t’i nënshtrohen kërkesave për të financuar fushatën e tij zgjedhore, ose ndryshe do të përballen me rrënim të aktivitetit, nga gjobat më të rënda të para ndonjëherë në periudhën e tranzicionit shqiptar.
Me paketën fiskale 2023, Rama u kërkon bizneseve të mëdha “të kolliten” dhe të “kolliten mirë”, për të përkrahur financiarisht kandidatët e sektit për kryetarë bashkish.
Veprimet e administratës me “sëpatën” e gjobave në dorë, gjoja në emër të forcimit të disiplinës fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal, në të vërtetë minojnë gjoja “objektivat” që qeveria e sektit Rama i ka vendosur vetës për një sistem të thjeshtë, të ndershëm dhe efiçient fiskal. Gjobat tejet të larta jo vetëm që nuk mbështesin respektimin e parimeve të taksimit, por përcaktojnë sjelljen e tatimorëve drejt një orientimi të gabuar.
Sikurse e ka thënë me plot të drejtë studjuesi i njohur i teorive të taksimit Gary Becker, “Gjobat e larta në një administratë të dobët fiskale mund të japin efekt të kundërt. Nga njëra anë, ato rrezikojnë të rrisin dëshirën dhe oreksin për t’iu shmangur detyrimit fiskal nga subjektet tatimpaguese, nga ana tjetër rrezikojnë të pasurojnë me zor punonjësit e administratës tatimore në kontakt të drejtpërdrejtë me biznesin, për shkak të përpjekjeve të këtij të fundit, për t’iu shmangur me çdo mënyrë marrjes së gjobës së lartë, për shkak të kundravajtjes që ka kryer”.
Pikërisht këto dy gjëra do të ndodhin me rrebeshin e gjobave të larta të sektit Rama në paketën fiskale për vitin tjetër. Së pari, bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë financime të fshehta dhe të hapura për kandidatët për kryetarë bashkie të sektit. Së dyti, zarfat nën dorë të dhëna tatimorëve do të rriten shumëfish, ndoshta shumë më tepër se sa rritja e vetë gjobave.

Botuar në Gazeta Panorama dhe Gazeta Sot me 22 Tetor 2022