Sekti Rama u lë krizën energjitike në derë qytetarëve!

Kriza e jashtëzakonshme e energjisë i ka vënë të gjitha vendet evropianoperendimore, madje dhe shtetet e rajonit tonë, në pozitë mbrojtëse ndaj konsumatorëve dhe bizneseve, duke parashikuar paketa të plota me mbështetje të drejtpërdrejta në cash. Gjermania, me një paketë 65 miliardë euro, do të fillojë të shpërndajë këtë muaj dhe në vijim një pagesë 300 euro në muaj për punonjësit, pensionistët dhe studentët, për të përballuar kostot e energjisë së rritur këtë dimër. Franca do të japë çdo muaj për familjet me të ardhura të ulëta një çek 100-200 euro, në varësi të të ardhurave të tyre. Pasi uli TVSH-në për energjinë elektrike nga 21% në 10% në shtator 2021 dhe nga 10% në 5% në qershor 2022, qeveria spanjolle deklaroi se familjet dhe bizneset e vogla nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për gazin natyror, çmimi i të cilit, brenda më pak se shtatë muajsh(shkurt-gusht 2022) është rritur 10 herë. Gazi natyror përbën burimin kryesor të prodhimit të energjisë elektrike për Spanjën dhe shumë vende të tjera evropianoperëndimore. Më 24 gusht 2022, qeveria e Kosovës shpërndau 41 milionë euro si ndihmë e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve, për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Masa të ngjashme kanë marrë edhe qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Po qeveria e sektit të Liderit Global? Sekti Rama u lë dobiçin(krizën energjitike) në derë qytetarëve. Nga 1 tetori, energjia përtej fashës së 800 kilovat-orëve (kWh), do të kushtojë 42 lekë pa TVSH, ose rreth 5 herë më shtrenjtë se më parë. Me dhjetëra mijëra familje shqiptare, të cilat nuk kanë asnjë mundësi të kalojnë në sistemin e ngrohjes me soba druri, lihen në mëshirën e fatit kur të vijnë ditët e ftohta të dimrit në fund të nëntorit dhe në dhjetor, me fatura të energjisë që me harxhimin 1200 kWh për familje, do të kushtojnë mbi 30 mijë lekë në muaj!
Sekti Rama jep mbështetje tre herë më pak se Kosova
Më 8 shtator 2022, qeveria e Liderit Global shpalli me bujë paketën e dytë të Rezistencës Sociale, me një total prej 6.1 miliardë lekë të reja, ose rreth 52 milionë euro, për t’i ardhur në ndihmë kategorive në nevojë, pensionistëve, invalidëve dhe administratës publike. E shiti si një bujari të madhe. Në kohën kur, 5 ditë më parë, më 2 shtator, Qeveria kosovare shpalli Paketën për Përballjen me inflacionin, me një fond prej 150 milionë euro, i cili ndihmon 300 mijë familje. Qeveria e Prishtinës, ndryshe nga sekti në Shqipëri, parashikonte lehtësi dhe mbështetje direkte financiare për çdo punonjës buxhetor me 50 euro në muaj, ndërsa 100 euro në muaj po i jep çdo pensionisti dhe studenti. Kosova, në dallim nga Rama, nuk e ka shtuar me vetëm 10 përqind ndihmën ekonomike, si veproi paketa e Rezistencës(Mjerimit) Social 2, por ka dyfishuar asistencën për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Nuk po përmendim asnjë paketë të ndihmës së drejtpërdrejtë të vendeve të Bashkimit Evropian për qytetarët e tyre, por vetëm ndihmën në para kesh që jep një shtet shumë i krahasueshëm me ne në mundësi buxhetore dhe fuqi blerëse, siç është Kosova.
Keqmenaxhimi i KESH
Nuk mjaftoi që në periudhën maj-qershor të vitit të kaluar, në vitin më të mirë hidrik të 40 viteve të fundit, KESH të eksportonte sasi të mëdha energjie me një çmim shumë të lirë, 27-35 euro/MWh, por u desh që muajt tetor 2021-shkurt 2022 të shikonin bixhozin e frikshëm të KESH me rezervën hidrike dhe me Kaskadën e Drinit, duke rrezikuar në mars 2022 cenimin e sigurisë energjitike të vendit. Ulja historike për muajt mars 2022, e nivelit të bazenit të liqenit të Fierzës, erdhi pas një viti të rrallë në sektorin tonë energjetik. Hyrja në punë e veprave hidrike, investime të njohura private, bëri që gjatë vitit 2021 prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri të arrinte nivelin e 8.96 miliardë kWh, me një rritje prej 70%, në krahasim me vitin e mëparshëm. Nivel ky që nuk ishte arritur asnjëherë më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, 2021 ishte një nga të paktat vite me bilanc pozitiv në shkëmbimet ndërkufitare të elektricitetit. Eksportet e energjisë elektrike ishin rreth 550 milionë kWh më të larta se sa importet. Dhe çfarë fituam në vitin më të mirë të prodhimit të energjisë elektrike tek ne? Nga papërgjegjësia dhe abuzimi i sektit Rama, “fituam” cenimin e sigurisë energjitike të vendit, për herë të parë pas plot 40 viteve! Ndërkohë, nga janari i këtij viti e deri tani në fund të shtatorit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), që është ngarkuar me detyrën e sigurimit të furnizimit me energji në vend edhe nga importi, ka shpenzuar qindra milionë euro. Të dhënat e publikuara nga KESH tregojnë se, nga fillimi i vitit janë shpenzuar deri më datën 18 shtator 340 milionë euro për importe. Vetëm për periudhën 1-18 shtator 2022, u blenë 42 milionë euro energji. Me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 22 tetor 2021 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike gjatë gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe për përballimin e parandalimin e saj”, sekti Rama bëri gjasme se do të siguronte kontrata afatgjata për blerjen e energjisë, për të arritur me këto kontrata çmime më të favorshme. Sigurimi i kontratave afatgjata të energjisë deri në 3 vjet ishte një nga pikat kryesore të këtij vendimi, në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji, të shpallur nga Lideri Global plot ditirambe, duke e paraqitur veten si shpëtimtari i shqiptarëve nga apokalipsi i errësirës. Në fakt, kaluan më shumë se njëmbëdhjetë muaj dhe sekti në pushtet nuk ka siguruar asnjë kontratë të tillë afatgjatë! Kontratat afatgjata zakonisht përfundohen në bursat ndërkombëtare të energjisë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) është e vetmja korporatë shtetërore nga vendet e rajonit tonë, ende e palistuar në Bursën e energjisë elektrike HUDEX të Budapestit, e cilat merret si referencë për të gjithë rajonin. Në rast se KESH do të ishte një korporatë e listuar në bursë, energjinë do të mund ta siguronte me të paktën 120-140 euro/MWh më pak dhe për një periudhë afatgjatë. Sipas specialistëve të fushës, KESH nuk ndalet së bëri tendera gati në baza ditore, duke shpenzuar dhjetra milionë euro, gjoja për emergjencën energjitike. Në fakt, blerjet nga importi po bëhen shumë më lart nga çmimi i rregulluar i tregut në bursë dhe me klientë furnizues që i zgjedh vetë KESH. Kriza e energjisë nuk është vetëm e importuar nga varësia dhe problemet e vendeve të Bashkimit Evropian nga bllokimi nga Rusia i furnizimit me gazin natyror rus. Ajo tek ne, është, para së gjithash, pasojë e keqmenaxhimit të plotë të rezervave të KESH gjatë vitit 2021, me shenja të dukshme korrupsioni, spekulimesh të errta tregtare të shitje-blerjes së energjisë, mosvënies në punë prej vitesh të Bursës së Energjisë APEX dhe vonesave në zbatim të projekteve energjitike të energjisë së ripërtërishme, si ajo e paneleve fotovoltaike dhe e parqeve eolike. Biznesi shqiptar, në radhë të parë ai prodhues, ka me vite që i kërkon qeverisë të lejojë ndërtimin e parqeve fotovoltaike(paneleve diellore) me kapacitet deri në 4 megavat-orë, sikurse e kanë bërë rëndom vendet rreth nesh dhe ato të Bashkimit Evropian. Kjo i krijon mundësinë biznesit të jetë i pavarur në prodhimin e energjisë që i duhet për proceset teknologjike të prodhimit. Qëllimisht sekti Rama ka heshtur ndaj këtyre kërkesave shumë të thjeshta dhe të realizueshme, pse po t’i zbatonte, i prisheshin pazaret e blerjes së energjisë nga klientët e vet përtej kufirit.
Gënjeshtra me mos-prekjen(dëmtimin) e familjeve përtej fashës 800 KWh
Qeveria gënjen kur thotë se brenda konsumit të 800 kWh përfshihen 96 përqind e familjeve shqiptare dhe nuk preken nga rritja e çmimit vetëm 4 përqind e tyre. Pas mesit të nëndorit, kur do të ftohet moti dhe mbi 350 mijë familje shqiptare nëpër qytete do të provojnë të ngrohen, 90 përqind e tyre do ta kryejne, si gjithmonë, ngrohjen nëpërmjet energjisë elektrike, kondicionerëve dhe furnelave elektrike. Me vënien në punë të kondicionerëve dhe furnelave ngrohëse, mesatarja e konsumit të familjeve shqiptare në ditët e dimrit rritet nga 600-700 kWh në 1200-1400 kWh. Nga rritja e çmimit me 4.7 herë të 1 kWh pas fashës 800 kWh, preken shumica e familjeve tona dhe këtë qeveria e sektit nuk e thotë, e mban sekret. Vetëm pranon nën zë se në dimër preken më shumë se 4 përqind e familjeve nga rritja e çmimit të energjisë. Nga rritja e çmimit të energjisë elektrike preken rëndë të 97 mijë bizneset e vogla të vendit, që punësojnë mbi 370 mijë vetë, kryesisht në biznese familjare, duke rrezikuar falimentime masive të sektorit bazë të ekonomisë. Në të vërtetë, të 100 milionë eurot shtesë në buxhetin e shtetit që sekti Rama mburret se do të arkëtojë më tepër në periudhën tetor-dhjetor 2022, me rritjen gati 5 herë të çmimit të energjisë elektrike, do të përballohen nga qytetarët. Fatura do të rëndojë edhe mbi shtresat në nevojë dhe familjet me të ardhura modeste, që nuk mund t’i lënë kurrsesi fëmijët dhe të moshuarit e tyre të ngrijnë në kohë të ftohtë. Në vend që të ulë sa më parë TVSH-në për energjinë elektrike ,nga 20 përqind në 5 përqind dhe të subvencionojë direkt me pagesa mujore familjet në nevojë, të pezullojë lëvizjet e administratës publike për shërbime jashtë shtetit dhe të ulë në minimum shpenzimet administrative, sekti Rama ndërton në oborrit e Mbretit Lakuriq(në oborrin e Kryeministrisë) një instalacion-kopësht me dru dhe bimë, me vlerë 3.7 milionë euro! Që Lideri Global të lërë gojëhapur drejtuesit e shteteve që do të vijnë ta takojnë. Deri këtu shkon fantazia e sëmurë dhe e shfrenuar e drejtuesit të sektit nëntëvjeçar në Shqipëri, në një kohë kur çmimet e mallrave të shportës janë rritur me 76 përqind, nga 1 shtatori 2021 në 1 shtator 2022 dhe varfëria masive e emigracioni galopant kanë venitur shpresën e shqiptarëve, si dhe rrënuar konsumin dhe perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Botuar në Gazeta Sot më 27 Shtator 2022