Projektbuxhet që vetëm i qytetarëve nuk është!

Me pro – jekt-buxhetin e shtetit për vitin 2023, të bërë publik nga qeveria në ditët e fundit, të ardhurat parashikohen të rritura me 10 përqind, për shkak të rritjes galopante të çmimeve edhe gjatë vitit të ardhshëm, dhe jo pse kemi mirëadministrim fiskal. Ndërkohë, shpenzimet në ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë rriten vetëm 4 përqind, ose dy herë e gjysëm më pak, në krahasim me ritmin e shtimit të të ardhurave. Kjo ndodh në një kohë, kur buxhetet e shteteve përreth nesh në rajon, për të mos përmendur buxhetet e të gjitha vendeve evropiano-perëndimore, rrisin në maksimum shpenzimet, përmes programeve masive në ndihmë të qytetarëve(një pjesë e mirë e të cilave edhe me para kesh) dhe programeve të mbështetjes së bizneseve në vështirësi. Sekti Rama në qeverisje nuk merr përsipër asgjë të tillë në projektbuxhetin e vitit 2023. Ky buxhet nuk përballon problemet e mëdha shoqërore dhe ekonomike të vendit, nuk përcakton minimumin jetik, as edhe ndihmon qytetarët në vështirësi, por, në të kundërt, parashikon plot 120 milionë euro pagesa për koncesionet dhe PPP-të aktive, shifra më e lartë e pagesave gjatë gjithë viteve të fundit. Në këtë mënyrë, qeveria e Liderit Global ia lë në derë të gjithë koston e rritjes së çmimeve qytetarit-konsumator. Qeveria Rama premton në ajër uljen e borxhit publik me 1.3 përqind, nga niveli i pritshëm i këtij viti i 68.8 përqind të prodhimit kombëtar në 67.5 përqind. Ky premtim vjen në një kohë, kur, nga publikimi në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, detyrimet e prapambetura deri në fund të muajit qershor 2022 rezultojnë 15.4 miliardë lekë, ose 132 milionë euro, detyrimet e ujësjellësve 21.9 miliardë lekë ose 187 milionë euro, detyrimet nga vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar 50.4 miliardë lekë, ose 431 milionë euro, detyrimet e njohura të ndërsjellta të ndërmarrjeve energjitike të vendit kapin shifrën 144,2 miliardë lekë ose 1.2 miliardë euro dhe detyrimet kontingjente(të shtrira në kohë) për koncesionet dhe PPP-të, llogariten deri në fund të vitit 2020 në 1.57 miliardë euro. Me këto detyrime, sekti në qeverisje e ka të pamundur uljen e borxhit dhe vetëm gënjen qytetarët! Është hera e parë në historinë e projektbuxheteve të tranzicionit, që buxheti vjen në Kuvend pa paketën fiskale. Kjo tregon papërgjegjshmërinë ekstreme të kësaj qeverie, që nuk e ka përparësi realizimin e një politike fiskale mbështetëse dhe nxitëse për konsumin, por parashikon(me aq sa ka lënë sekti në qeverisje të dalë në media) breshër gjobash të rënda e të shumëfishta mbi biznesin. Skemat e PPP-ve dhe koncesioneve të shtrira në kohë nuk gëzojnë besimin dhe mbështetjen e organizmave ndërkombëtare dhe partnerëve tanë strategjikë. Ato janë thjesht dhe vetëm kapriço të Liderit Global, si dhe pagesa të jashtëzakonshme oligarkëve të tij, për ta mbështetur financiarisht në garat zgjedhore në vitin 2023 dhe 2025. E ndërsa për oligarkët e PPP-ve, sekti parashikon 120 milionë euro pagesa për vitin 2023, për rritjen e pensioneve të 670 mijë pensionistëve, qeveria do të alokojë vetëm 1.2 miliardë lekë, ose vetëm 10.2 milionë euro, një vlerë kjo jo e mjaftueshme për të përballuar rritjen e inflacionit, i cili, sipas INSTAT, kapi shifrën 8.1 përqind në muajin shtator2022, ose nivelin më të lartë të 24 viteve të fundit. Shifra e rritjes së pensioneve përfaqëson talljen më të rëndë që qeveria Rama iu bën qytetarëve të këtij vendi, ndërkohë që të ardhurat shtesë të paparashikuara si nëntëmujor janar-shtator 2022, për shkak të inflacionit, i ka mbi 500 milionë euro! Të gjithë këta tregues, si dhe shumë të tjerë, të cilët do t’i shtjelloj në hollësi në shkrime në ditët që vijnë, të japin të kuptosh qartë se projektbuxheti për vitin 2023 nuk është për qytetarin, po thjesht dhe vetëm në shërbim dhe interes të oligarkëve të sektit Rama.

Botuar në Gazeta SOT më dt. 27 Tetor 2022