Domosdoshmëria e shtimit të numrit të bashkive

Reforma Administrativo-Territoriale, e miratuar më 31.07.2014 me Ligjin nr. 115/2014, ka mbushur tashmë 8 vjet. Një kohë mëse e mjaftueshme që ajo të jepte frytet e saj dhe ta fuste qeverisjen vendore në rrugën e zhvillimit të qendrueshëm dhe përmirësimit të performancës së shërbimeve vendore që i ofrohen qytetarit.
Për fat të keq, reforma nuk arriti objektivat themelore të saj, konsolidimin e procesit të decentralizimit dhe të autonomisë financiare vendore. Ajo u zhvillua në këto tetë vite, thellësisht e kushtëzuar nga nevojat elektorale të partisë në fuqi dhe pa konsensus politik.
Reforma administrative-territoriale nuk rrodhi asnjë ditë nga një proces i gjerë ligjor dhe i shtrirë në kohë. Procesi i konsultimit dhe miratimit të saj ka qenë invers. U shmangën hallkat e një shqyrtimi të thellë parlamentar e ligjor, bazuar në praktikat e mira europiane, por reforma u miratua si hallkë më vete, si fillim i një procesi. Ajo nuk ka qenë asnjëherë në këto tetë vite, rezultat apo produkt i një zinxhiri procesesh dhe shqyrtimesh ligjore, administrative, sociale dhe gjeo-kulturore.
I. Reformë pa konsensus politik
Tetë vitet e zbatimit të reformës provuan se rezultatet e saj ishin në diskordancë të thellë me pritshmëritë dhe premtimet. Nuk u arrit në asnjë vit reduktimi i shpenzimeve vendore dhe garantimi i aksesit të shërbimeve për qytetarët.
Reforma Administrativo-Territoriale kërkon domosdoshmërisht një pjesëmarrje dhe konsensus të të gjithë aktorëve dhe nuk mund të jetë e qenësishme, pa pjesëmarrjen dhe konsensusin e opozitës.
Dështimi i reformës nga mos-sigurimi prej maxhorancës, i pjesëmarrjes dhe kontributit real të opozitës, ka sjellë që sot: (i)qeverisja lokale është bërë më e dobët, (ii)pavarësia e saj financiare është kufizuar, (iii)shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë rritur në cilësi, (iv)sistemi i përfaqësimit është vertikalizuar dhe (v)koncepti i vetëqeverisjes në tërësinë e tij, nuk ka zënë rrënjë në marrëdhëniet qeveri qendrore-qeveri vendore.
Dështimi ka sjellë po ashtu edhe mos-respektimin e katër parimeve themelore të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, të miratuara nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Këto parime janë:
Parimi i autonomisë vendore
Parimi i Ligjshmërisë
Parimi i Vazhdimësisë, dhe Parimi i Subsidiaritetit, i cili nënkupton që njësitë vendore kryejnë funksionet dhe ushtrojnë kompetenca në një nivel qeverisjeje sa më pranë shtetasve.
II. Rezultatet e dukshme negative të Reformës së deritanishme Administrativo-Territoriale
Mjaftuan tërmeti i 26 nendorit 2019 dhe zjarret periodike, pandemia dhe zhvillimi i lejeve për investitorët strategjikë, për të kuptuar se qeverisja lokale nuk ka shumicën e kompetencave, të drejtave, mjeteve dhe burimeve njerëzore të nevojshme për të ushtruar funksionin e vet kushtetues.
II.a. Qeverisja vendore ka në thelbin e saj parimin e “subsidiaritetit”, d.m.th. një qeverisje që është pranë qytetarëve dhe bashkëqeveris me qytetarët. Zbatimi i këtij parimi është tërësisht i parealizueshëm me ndarjen aktuale territoriale. Qytetari në bashkinë e sotme, sidomos ai i zonave periferike, ndihet i harruar nga qeverisja.
II.b. Përmasat e mëdha të territorit e bëjnë të pamundur njohjen dhe kontaktin e përfaqësuesit të zgjedhur me zgjedhësit e tij. Njohja e territorit nga kryetarët e bashkive mbetet ende shumë e dobët.
II.c. Zhvillimi vendor sot ka fokus vetëm zonat urbane, ndërkohë që zonat rurale janë jashtë vëmendjes së qeverisjes, për rrjedhojë me mungesa të mëdha në shërbime dhe investime.
II.d. Demokracia vendore, që do të thotë mundësia e qytetarëve për t’u informuar, marrë pjesë dhe influencuar qeverisjen, është dobësuar edhe më. Qytetarët e zonave rurale sot kanë zero ose pothuajse zero informacion, mbi aktivitetin e bashkisë dhe vendimet që merren.
II.e. Përcjellja e shqetësimeve të qytetarëve është bërë më e vështirë dhe zgjidhja e tyre e pamundur. Njësitë administrative janë shndërruar në struktura amorfe që nuk kanë asnjë kompetencë dhe nuk japin asnjë zgjidhje, duke e lënë kështu qytetarin rural dhe jo vetëm atë, në harresë të plotë.
III. Rishikimi i Reformës Territoriale-Administrative sipas propozimit të opozitës: një domosdoshmëri
Ashtu siç është theksuar nga opozita, që në pikënisje të procesit të realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell një deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve, pasi reforma solli shumë raste, ku zona pa lidhje gjeografike, historike dhe ekonomike iu atashuan bashkive. Reforma duhet të rikonsiderohet mbi një parim, që është ai i shërbimit dhe aksesit sa më të mirë të shërbimeve ndaj qytetarit.
Në këtë këndvështrim, propozimi i sotëm i opozitës, për vijimin e reformës, duke realizuar ndarjen territoriale në 94 bashki(ose 97 bashki) dhe duke respektuar parimet e autonomise vendore, drejtpeshon konceptin e qeverisjes lokale dhe raportin e saj me qeverisjen qendrore, me komunitetin qytetar dhe me përgjegjësitë shtetërore për shërbime sociale, ekonomike, kulturore, etj. Nisma bazohet në një strategji zhvillimi afatgjatë dhe në praktikat e mira të qeverisjeve lokale, në vendet që kanë kaluar një tranzicionin të gjatë, njëlloj si vendi ynë.
Ju bëj thirrje deputetëve të maxhorancës për herë të fundit, që ta konsiderojnëdhe miratojnë draftin e opozitës për vijimin e reformës administrativo-territoriale, pasi ky draft është më pranë pritshmërive dhe kërkesave të qytetarëve sot.
Nga përvoja e katër takimeve të fundit që kam zhvilluar me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë e kanë miratuar me pritshmëri të mëdha propozimin e Partisë Demokratike për të patur në qark edhe katër organizime të tjera në nivel bashkie dhe konkretisht, bashkinë e Orikumit, Amantias(Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës.
Rikonceptimi i ndarjes territoriale, sipas propozimit të opozitës, do të sjellë zbatimin e mëtejshëm të reformës, bazuar në kritere të qarta dhe specifike, të tilla si kriteri i distancës minimale apo kriteri i popullsisë minimale, që do të reflektonte qëllimin për aplikimin e ekonomisë së shkallës, duke krijuar për pasojë një simetri në kufijtë bashkiakë, që sjell sinergji në realizimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
IV. Të mirat e pranimit të propozimit të opozitës
Rikonfigurimi në 94 bashki(ose 97 bashki) do të sjellë respektimin e plotë të të gjitha aspekteve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm mes bashkive të një rajoni, por edhe mes rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.
Përmes tij, do të rekuperohet përfaqësimi lokal i periferisë, duke i shndërruar shërbimet bashkiake në këto zona, në ëfiçiente dhe efektive.
Krijim i i 33(ose 36) bashkive të reja, sipas propozimit të opozitës, do të sigurojë një shpërndarje më proporcionale të transfertës së pakushtëzuar, do të ndihmojë realisht zona dhe njësi administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor, ashtu dhe nga bashkia ku janë nën juridiksion.
Në këtë mënyrë, niveli i transfertës së pakushtëzuar, i cili në këto tetë vite ka ngelur pak a shumë i njëjti si ai i para reformës territoriale-administrative, me diku aty tek 1% e PBB-s,ë që është niveli më i ulët rajonal, do të mund të rritet.
Të 94(ose 97) bashkitë do të kenë mundësi reale që të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe të ushtrojnë kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore. Raporti mes shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve korrente, i cili ka ngelur në këto tetë vite, pothuajse i njëjtë me raportin e viteve 2010-2014, me ndryshime të papërfillshme , do të mund të rritet, në dobi të shpenzimeve kapitale, sidomos për të 33 bashkitë e reja.
Po të zbatohet projekti i opozitës, të 94(ose 97) bashkitë do të kenë mundësi të rrisin eficiencën operacionale dhe të reduktojnë dukshëm kostot administrative.
Nga ana tjetër, në këto tetë vite, niveli i rritjes së shpenzimeve kapitale nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së eficiencës së bashkive nga reforma administrative-territoriale, por nga akordimi në mënyrë selektive i fondeve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), fonde të cilat kanë munguar ose kanë qenë minimale në disa bashki të vendit, si në Lezhë, Shkodër, Kamëz, etj.
Me vijimin e reformës sipas propozimit opozitar, qeverisja qendrore nuk do të jetë më në gjendje të vazhdojë të mbajë një nivel të lartë kontrolli të aktiviteteve dhe zhvillimeve në nivel vendor, duke dekurajuar dhe madje bllokuar, proceset decentralizuese, si dhe duke promovuar një rritje selektive të investimeve në disa bashki, por që nga ana statistikore janë paradoksalisht raportuar deri tani, si rezultat i zbatimit të reformës administrative-territoriale!
Jo pa arësye, Rrjeti i Asosacioneve të Autoriteteve Lokale të Europës Juglindore (NALAS) ka theksuar se në Shqipëri, një pjesë e madhe e fondeve për bashkitë vijnë nga FSHZH, gjë që shkakton pasiguri në planifikimin buxhetor të bashkive dhe përbëjnë instrument të patronazhit politik të sektit Rama. Sipas raportit të NALAS, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që zbaton një sistem ku bashkive u kërkohet të konkurrojnë për të financuar funksionet e tyre eskluzive! Veprimtaria e FSHZH bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të Autonomisë Vendore, neni 9 i saj, ku theksohet, se “grandet për autoritetet lokale nuk duhet të jenë të paracaktuara, për financimin e projekteve specifike”.
xxx
Propozimi i Partisë Demokratike për vijimin e reformës administrativo-territoriale është në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, pasi siguron konsensusin e domosdoshëm politik e social, si dhe ofron planifikime realiste për të garantuar autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin, sidomos në bashkitë e mesme dhe të vogla. Si i tillë, ai duhet miratuar!

Botuar në Gazeta Sot më 31 Tetor 2022