Si më 9 dhjetor 2022, në Deklaratën e Bordit të Drejtuesve, edhe më herët, në tetor 2021, në misionin vlerësues në vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se “Duhet rritur cilësia dhe transparenca në shpenzimet dhe të ardhurat publike. Forcimi i besueshmërisë së buxhetit do të ndihmojë në ruajtjen e besimit në treg dhe do të mbajë të ulura kostot e huamarrjes. Ndryshimet që lidhen me ligjin e buxhetit duhet të bëhet përmes procedurave normale të parlamentit. Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit duhet të ndërpritet”.
Ju asnjë nga këto këshilla të vyera të FMN-së nuk keni zbatuar deri më sot. Sa herë e keni ndryshuar buxhetin me akte normative vetëm këtë vit? Nuk ka kaluar një muaj nga miratimi i buxhetit për vitin 2023, që realizuat në Kuvend, dhe prapë po e ndryshoni buxhetin, në një aventurë tejet të papërgjegjshme dhe të rrezikshme të qeverisjes përmes aktesh normativë. Përmes vendim-marrjesh të përkohshme katërmujore, krejt në të kundërt me udhezimet e specialistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me gjashtë parimet e mirëqeverisjes publike të OECD-së. Duke e çuar buxhetin e shqiptarëve në pikën më të ulët të besimit publik në 33 vitet e fundit!
Ju duhet të pohoni që të ardhurat tatimore shtesë prej mbi 5 miliardë lekë për këtë vit, janë në shumicën e tyre dërrmuese rezultat i rritjes së çmimeve, dhe jo i përmirësimit të administrimit tatimor, apo i rritjes ekonomike, sikurse rrekeni me kot ta interpretoni. E si mund të jenë të ardhurat nga TVSH në rritje, në një periudhë kur konsumi ka rënë, për shkak të shtrenjtimit të jetesës së shqiptarëve, përveçse për shkak të inflacionit të lartë?
Vetë Akti Normativ Nr. 17 që keni përgatitur denoncon fuqishëm 25.2 miliardë lekë investime kapitale të pakryera, duke ia rënduar dhe mohuar mundësitë për zhvillim ekonomisë shqiptare. Ju një pjesë të mire të këtyre fondeve, me këtë akt po i kanalizoni në investime të pastudjuara dhe të dyshimta. Jepni 2 miliardë lekë për Korporatën Shqiptare të Investimeve, pa e bazuar këtë fond në një plan biznesi të mirëmenduar dhe në produkte konkrete të Korporatës për ekonominë dhe qytetarët.
Jepni 2 miliardë lekë për Aviacionin Civil, ndërkohë që kjo strukturë ka fondet e veta dhe të ardhurat e veta, si dhe nuk ndodhet në proces të kryerjes së një investimi madhor në infrastrukturën aeroportuale. Kërkoni mobilizim vlerash të konsiderueshme monetare(1.2 miliardë leke) për një strukturë shtetërore si Albgaz, pa paraqitur asnjë garanci të investimeve konkrete të kompanive prestigjoze ndërkombëtare të fushës në procesin e gazifikimit të vendit, por vetëm nga një interesim paraprak dhe i padokumentuar mirë i tyre.
Ky Akt Normativ, edhe pse në pjesën teknike të tij të tij, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është përpjekur të ruajë, të paktën në aparencë, disa kritere profesionale të buxhetimit modern publik, nuk përfaqëson asgjë tjetër, veçse një rishpërndarje të fondeve buxhetore mbi kritere tërësisht politike dhe klienteliste.
Akti nuk reflekton në asnjë zë të ndryshuar të buxhetit (i) rënien e të ardhurave të disponueshme të familjeve, (ii) rënien e konsumit, (iii) ngadalësimin e prodhimit, (iv) mbylljen e bizneseve dhe rritjen e normës së papunësisë. Ky akt normativ nuk e orienton buxhetin e shtetit për nga qytetari, për nga nevojat parësore të tij dhe të ekonomisë shqiptare. Në këtë drejtim, ai përfaqëson një shpërdorim të mundësive të krijuara në buxhetin e shtetit, nga sufiçiti i të ardhurave buxhetore, për shkak të rritjes së çmimeve.
Në veçanti, rritja e paralajmëruar e kostos në sektorin e ushqimit, rritja e çmimeve të mallrave bujqësore dhe pengesat e transportit, kanë çuar në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve në mbi tre dekada dhe në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve që nga fillimi i viteve 1990!
Rritja e çmimeve botërore të ushqimeve për prodhuesit po krijon pasiguri dhe po shkakton shqetësime mes qytetarëve. Tashmë, kjo situatë në tregun shqiptar është reflektuar nga ulja e kërkesës konsumatore dhe nga rënia e besimit në ekonomi.
Qytetarët në Shqipëri po përjetojnë rritje edhe më të larta të çmimeve ushqimore, për shkak të varësisë më të madhe nga importet e ushqimeve. Përçimi i efektit nga çmimet e prodhimit tek çmimet e konsumit është më i madh për ekonominë tonë, sesa për vendet e rajonit, për arsye të dobësive që ka tregu shqiptar.
Ndërkohë, ndër grupet sociale më të prekura nga efekti i inflacionit janë kategoritë e individëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta, sepse ky nivel i konsumatorëve zakonisht shpenzon një pjesë relativisht të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim e pije (45.3% të buxhetit mujor).
Duke marrë për bazë se familjet me dy persona pa fëmijë (përgjithësisht familjet e pensionistëve) shpenzojnë jo më pak se 44.9% vetëm për ushqime, vetëm nga rritja e inflacionit me një mesatare 10- mujore prej 10.3%, pesha monetare e rritur në buxhetet e tyre është me të paktën 3.700 lekë/muaj, pa përfshirë këtu kostot e tjera të shtuara të jetesës (transport, arsim, shëndetësi, mirëmbajtje banese, qera, etj.). Nëse shtojmë edhe koston e rritur të transportit, të shpenzimeve për shëndetësi, për arsim, për veshje, për mirëmbajtje banese dhe të tjera, atëherë llogaritjet na tregojnë se nevojiten edhe të paktën 1.800 lekë të tjera shtesë!.
Këtë shtesë të provuar dhe të domosdoshme fondesh duhet të adresojnë dhe të përfshijnë në paketa të reja të mbrojtjes sociale aktet normative të qeverisë, nëse qeveria do të nisej nga dëshira dhe vullneti për të ndihmuar qytetarët dhe shtresat më në nevojë të popullsisë. Mirëpo aktet e mëparshëm normativë dhe ky akt i fundit nuk bëjnë asgjë për të përballuar kostot e rritura të jetesës për shumicën e familjeve shqiptare!
Duke qenë se të dyja paketat e mëparshme të rezistencës(mbrojtjes) sociale të marsit dhe të shtatorit 2022 rezultuan të pamjaftueshme, propozoj rishpërndarjen e 10 miliardë lekëve të ardhura sufiçit të Buxhetit të Shtetit 2022, nga rritja e çmimeve, si më poshtë:
- 3 miliardë lekë të shkojnë në financimin e Paketës së Tretë të Mbrojtjes Sociale, më gjithëpërfshirëse, me pagesa të drejtpërdrejta ndaj qytetarëve më vulnerabël, si pensionistëve kryefamiljarë, familjeve në asistencë sociale dhe studentëve, sikurse e ka kryer Kosova. Pensionet nuk duhet thjesht dhe vetëm të indeksohen me inflacionin vjetor, por të rriten realisht me 5 përqind për vitin 2023.
- 3 miliardë lekë të shkojnë për vitin 2023 për pagesat e ish-pronarëve, për të zbutur sadopak padrejtësitë sociale në vend dhe për të nisur dëmshpërblimin real financiar të ish-pronarëve padrejtësisht të shpronësuar nga rregjimi komunist dhe të tallur keqazi me të drejtat e tyre të ligjshme e të shenjta të pronës, nga ligji shkatërrimtar me Nr. 2020.
- 3 miliardë lekë të shkojnë për vitin 2023, për dëmshpërblimin e shtresës më të përvuajtur të vendit, ish të përndjekurve politikë, si një hap real për të shkurtuar në kufijtë e arësyes dhe dinjitetit të tyre, afatin e përgjithshëm të shlyerjes së detyrimeve ndaj kësaj shtrese fatkeqe të popullsisë, si afat pesëvjeçar deri në vitin 2027.
- 1 miliardë lekë të shpërndahen sipas propozimit të deputetit të PS Erjon Braçe, për të ndihmuar realisht familjet fermere më në nevojë, me subvencione të drejtpërdrejta për prodhimin e tyre në arë dhe në serra.
Botuar në Gazeta Sot më 24 Dhjetor 2022